Nga Dashnor Kaloçi
Pjesa e dhjetë
Memorie.al / Historia e zgjedhjeve parlamentare në vendin tonë, apo më saktë tentativat për zgjedhje e kanë zanafillën që nga koha e sundimit Osman, kur Shqipëria ishte pjesë e Perandorisë Turke. Një nga deputetët e parë shqiptarë që u zgjodhën për në Parlamentin e parë të Turqisë, i cili hapi punimet në dhjetorin e vitit 1877, ishte Abdyl Frashëri. Por ai parlament nuk pati jetë të gjatë, pasi u prish nga vetë Sulltani, për shkak të fillimit të Luftës Ruso-Turke. Pas prishjes së parlamentit të parë të Turqisë, pati edhe disa tentativa të tjera për zgjedhje, por që të gjitha dështuan për shkaqe të ndryshme. Zgjedhjet e para dhe të rregullta në Shqipëria u mbajtën vetëm në vitin 1908, kur në Turqi erdhën në fuqi xhonturqit. Ato zgjedhje nuk ishin direkte, por me përfaqësim, apo siç janë njohur ndryshe; me zgjedhës të dytë.
Parlamenti i parë i Turqisë u hap më 10 dhjetor të vitit 1908 dhe aty nga 266 deputetë, 27 prej tyre ishin shqiptarë të zgjedhur në katër vilajetet e Shqipërisë. Në atë kohë anëtarët e Komitetit “Bashkim-Përparim”, në Turqi ku bënin pjesë dhe shumë shqiptarë, u ndanë dhe u grupuan në tre grupime politike. Grupimi i parë ishte “Bashkim-Përparim” (partia turko-maqedonase) me 164 deputetë, ku 130 ishin turq, 5 arabë, 1 grek dhe 15 shqiptarë, të cilët kryesoheshin nga Hasan Prishtina, deputet i Kosovës.
Në grupin e dytë që quhej: “Bashkimi-Liberal”, (partia greko-shqiptare) ku bënin pjesë 45 deputetë, kishte 12 shqiptarë të cilët kryesoheshin nga Ismail Qemali. Ndër deputetët e tjerë shqiptarë që kishte asokohe Parlamenti i Turqisë, ishin dhe Esad Pashë Toptani, Nexhip Draga, Rexhep Pashë Mati etj. Pas vitit 1908, pati edhe disa zgjedhje të tjera ku shqiptarët vazhdonin të votonin për përfaqësuesit e tyre në Parlamentin e Turqisë dhe ajo gjë zgjati deri në nëntorin e vitit 1912 kur u shpall Pavarësia dhe Ismail Qemali u zgjodh kryetar i Qeverisë.
Kurse zgjedhjet e para parlamentare në Shqipëri u zhvilluan në pranverën e vitit 1921, pasi deri në atë kohë ato nuk ishin zhvilluar për shkak të Luftës së Parë Botërore, ku ishte përfshirë dhe Shqipëria. Parlamenti i parë Shqiptar u hap më 21 prill të atij viti dhe godina e parë e Parlamentit Shqiptar ka qenë aty ku është sot Akademia e Shkencave dhe në atë parlament morën pjesë 76 deputetë, të cilët u zgjodhën pas një procesi relativisht të rregullt nga nëntë prefekturat e vendit, si: Berati, Durrësi, Elbasani, Gjirokastra, Korça, Kosova, Shkodra, Vlora dhe ajo e kolonisë shqiptare të SHBA-së.
Ashtu si dhe në të kaluarën, ato zgjedhje u bënë me sistem përfaqësimi, apo siç njihen ndryshe me zgjedhës të dytë, ku në bazë të ndarjes territoriale, përfaqësuesit e çdo krahine kishin të drejtë të zgjidhnin deputetin e tyre. Sa më sipër, si dhe një historik të shkurtër të zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri, që nga ajo periudhë e deri në vitin 1991, Memorie.al i ka publikuar në numrat e kaluar, këtu po publikojmë të plotë Statutin Themeltar të Republikës Shqiptare, (Kushtetuta) të vitit 1925, ku pas legjislacionit të zgjedhjeve parlamentare të asaj kohe, si dhe rregullorja e Parlamentit, me të drejtat e detyrat e deputetëve, një vend të veçantë zë edhe Kodi Penal, gjë të cilat janë botuar nga Shtypshkronja “NIKAJ”, në vitin 1925.
Statuti themeltar i Republikës Shqiptare (1925)
(Tiranë, Shtypshkronja “Nikaj” 1925)
Kodi Penal 1928
LIBRI I DYTË
Deliktet
KAPTINA V
Deliktet kundra padhunësisë të së mshehtave
NENI 204. – Nëpunësi i Shtetit që nuk zbaton urdhënat e superiorit të vet, pa ndonjë arsye ligjore, si dhe ay nëpunës që sillet ashpër kundrejt t’interesuëmve, ndëshkohet me gjobë të randë, nga pesëdhjetë, deri në pesëqint fr. ari. dhe në rast të përsëritjes, për veç ndëshkimit si përsëritës, për veç ndëshkimit si përsëritës gjyqi, mund të vendosi dhe ndalimin përkohësisht nga ofiqet publike.
Në qoftë se nga mos të kryemit e urdhnit të superiorit si ma sipër, i vjen ndonjë dam Shtetit, ndëshkimi asht me burgim nga pesëmbëdhjet dit, deri në një vit, dhe me gjobë të randë, nga njëqind, deri në dymijë fr. ari, dhe ndalim të përkohshëm nga ofiqet publike.
NENI 205. – Ushtaraku ose agjenti i forcës publike, që refuzon ose vonon pa ndonjë shkak t’arsyshëm, ekzekutimin e një kërkimi q’i bahet ligjërisht nga Autoriteti kompetent, ndëshkohet me burgim, deri në dy vjet.
NENI 206. – Nëpunësi i Shtetit që n’ushtrimin e nëpunësisë së vet, ka marrë dijeni për një faj, para ndalimi ose ndalimi i të cilit i takon detyrave t’asajë nëpunësisë dhe për të cilin veprohet kryesisht, në qoftë se emeton ose pa ndonjë shkak t’arsyshëm, vonon m’i a referue Autoritetit, ndëshkohet me gjobë të randë, nga pesëdhjetë, deri në njëmijë fr. ari.
Në qoftë se fajtori asht nëpunës i policisë gjyqësore, ndëshkimit i shtohet dhe ndalimi nga ofiqet publike, për një kohë deri në tridhjet muej.
NENI 207. – Nëpunësit e Shtetit që, tue qenë tre ose ma tepër dhe të marrun vesh për ma parë, lanë pa ndonjë shkak t’arsyeshëm zyrën e tyne, ndëshkohen me gjobë të randë, nga dyqind, deri në tremijë fr. ari, dhe me ndalim të përkohshëm nga nëpunësia.
Po me këtë dënim ndëshkohet dhe ay nëpunës që lën zyrën e vetë për me ndalue mbarimin e një pune ose për m’i shkaktue çdo tjetër dam shërbimit publik.
NENI 208. – Nëpunësi kompetent i Shtetit, që ban martesa të ndalueme nga ligja ose, pa u kryem formalitetet ligjore, ndëshkohet me burgim, deri në një muej, dhe me gjobë të randë, deri në treqind fr. ari.
Po me këto ndëshkime dënohen dhe ata tutorë ose kujdestarë, që shtyjnë të kujdesuemit e tyne, për me ba një martesë të kundra ligjshme.
NENI 209. – Nëpunësi i Shtetit që ban tregëti mbrënda qarkun të nëpunësisë së vet, mbi sende ushqimore të nevojës së parë, ndëshkohet me gjobë të randë nga pesëdhjetë deri në tremijë fr.ari, dhe ndalohet përkohësisht nga nëpunësia.
KAPTINA V
Abuzimet e fetarvet n’ushtrim të funksionit të tyne
NENI 210. – Fetari që, n’ushtrimin e funksionit të vet, botënisht shan ose poshtron institucionet, ligjat e Shtetit, ose veprat e Autoritetit, ndëshkohet me burgim deri në një vit, dhe me gjobë të randë deri në njëmijë fr. ari.
NENI 211. – Fetari, që tue përfitue nga cilësia e vet, eksiton tjetërin për me poshterue institucjonet, ligjat ose urdhënat e Autoritetit, ose për me mos respektue ligjat, urdhënat e Autoritetit ose, detyrat q’i përkasin një nëpunësie të Shtetit, ndëshkohet me burgim, nga një muaj, deri në njëmijë fr. ari.
Në qoftë se vepra asht ba botënisht, burgimi mund të zgjatet deri në dy vjet.
Po me këto dënime, ndëshkohet dhe fetari që, tue përfitue nga cilësia e vet, shtrëngon ose bind ndonjënin me ba vepra ose dekllarata që janë kundra ligjës ose, në dam të së drejtave të fitueme si mbas ligjës.
NENI 212. – Kur fetari, tue përfitue nga cilësia e vet, ban një delikt të ndryshëm nga ato të parapame në nenet e naltpërmënduna, ndëshkimit të caktuem për deliktin e bamun, i shtohet një e gjashta, deri në një të tretën.
Por, në qoftë se ligja cilësinë e tij e ka marrun parasysh në caktimin e dënimit, ky shtim nuk aplikohet.
KAPTINA VI
Përvetimi i funksioneve publike dhe i shenjave nderi
NENI 213. – Kushdo që, pa të drejtë i vën vetes ose ushtron një funksion publik, civil ose ushtarak, ndëshkohet me burgim deri në tre muej dhe me gjobë të randë, deri në dymijë fr. ari.
Po me këtë dënim dhe me ndalim të përkohëshmë nga ofiqet publike, ndëshkohet dhe ay nëpunës që, pasi ka marrë zyrtarisht dijeni për pushimin ose pezullimin e vet nga funksioni, vazhdon t’a ushtrojë.
Gjyqi mund t’urdhënojë që shkurtimi i akt-gjykimit, të publikohet me shpenzimet e të dënuemit në një fletore të vendit ku ka banimin dhe të vendit ku ka ba fajin; të dy fletoret do të shënohen n’akt-gjykimin.
NENI 214. – Kushdo që, pa të drejtë dhe botënisht vën shenja, ose vesh petka zyrtare të një nëpunësie, ose të njëofiqi, ose mvar mbi vete dekoracione, ose medalje, ose shenja të tjera, që nuk i janë dhanun, ose i ep vetes kësodore titra, grada dinjitete ose barrë publike, ndëshkohet me gjobë të randë, nga pesëdhjetë, deri në njëmijë fr.ari.
Gjyqi mund t’urdhënojë që shkurtimi i akt-gjykimit të publikohet me shpenzimet e të dënuemit në një fletore, që i cakton në vendimin.
KAPTINA VII
Violencë dhe kundërshtim Autoritetit
NENI 215. – Kushdo që përdor violencë ose frikësim kundra një anëtari të Dhomave Legjislative, ose një nëpunësit të Shtetit për me e shtrëngue që të bajë ose t’ometojë një vepër të funksionit të vet, ndëshkohet me burgim të randë, nga tre deri, në tridhjet muej.
Burgimi i randë asht:
Nga gjasht muej deri në pesë vjet, në qoftë se faji asht ba me armë.
Nga tre deri në pesëmbëdhjet vjet, në qoftë se faji asht ba me bashkimin e ma tepër se tre personave t’armatosun, ose me bashkimin e ma tepër se shtat vetave të marrun vesht që ma para qofshin dhe pa armë.
NENI 216. – Kushdo që përdor violencë ose frikësim, për me ndalue ose turbullue mbledhjet ose ushtrimin e funksionit të Trupave gjyqësore, politike ose administrative, ose të përfaqësuesave të këtyne ose t’autoriteteve të tjera, të Zyravet ose të instituteve publike, ose për me influencue mbi vendimet e tyne, dënohet po me ato ndeshkime që caktohen në nenin e ma sipërmë.
NENI 217. – Kushdo që, merr pjesë në një mbledhje e cila përbahet prej ma tepër se shtatë vetave, që kanë për qëllim të kryemit e fajit të parapam në nenin e ma sipërmë, tue përdor violencë ose frikësim, ndeshkohen me burgim të randë, nga një muej deri, në dy vjet dhe me gjobë të randë deri në pesëqint fr. ari. Në qoftë se faji asht ba me armë, burgimi i randë asht nga tre muej deri deri në tre vjet dhe gjoba e randë jo ma pak se njëqint fr. ari.
Në qoftë se mbledhja përndahet mbi urdhënin e qeverisë, personat që kanë marrë pjesë n’atë, nuk ndëshkohen për fajin e parapame në këtë nen; por kryetarët dhe krye-shkaktarët, dënohen me ndëshkim e caktuem për fajin e bamun, pa mos u aplikue shtimi i nenit 221.
NENI 218. – Kushdo që, përdor violencë ose frikësim për me i u kundërshtue një nëpunësi të Shtetit kur ban detyrat e nëpunësisë së vet ose atyne që, mbi kërkimin e këtij, i apin ndihmë, ndëshkohet me burgim të randë nga një muej deri në dy vjet.
Burgimi i randë asht:
Nga tre deri në tridhjet muej në qoftë se faji asht ba me armë.
Nga një deri në gjashtë vjet, në qoftë se faji asht ba me bashkimin e ma tepër se tre vetave t’armatosun ose me bashkimin e ma tepër se shtat vetave të marrun vesht që ma parë, qofshin dhe pa armë.
Në qoftë se faji asht ba për me shpëtue vendin ose, një gjini t’afërmë të vet nga rreshtimi, ndëshkimi, për rastin e treguem në pikën e I-rë të këti neni, asht burgim i randë ose burgim deri në njëzet muej, ose internim për një kohë nga tre muej deri në tre vjet, dhe për rastin e treguem në numërin 1. të këtij neni, asht burgim i randë, nga dy muej deri në dy vjet, dhe për rastin e treguem në numërin 2, nga gjasht muej deri, në pesë vjet.
NENI 219. – Për efektet e ligjës penale me fjalën gjinië e afërme, kuptohet: bashkshorti, prindt (ascendants), të pas-lindunit (descandants), ungjit, nipat, vëllazënit, motrat dhe vjehërri, vjeherra, prindët e këtyne, dhandrri, nuseja, kunatët dhe kunatat.
NENI 220. – Kur nëpunësi i Shtetit i ka dhanë shkak fajit, tue kapërcye me veprat arbitrare të veta kufinin e kompetencës (attributoons) së vet, nuk aplikohen dispozitat e neneve të naltpërmenduna.
NENI 221. – Kur në fajet e parapame në nenet e ma sipërme ndodhen kryeshkaktarë ose kryetarë, ndëshkimit për këta, i shtohet një e gjashta deri në një të tretën.
KAPTINA VIII
Çnderime e të tjera delikte, kundra personave që kanë një Autoritet publik
NENI 222. – Kushdo që, me fjalë, ose me vepra, ofendon me ç’do lloj menyrë onorin, famën ose dinjitetin e një antari të Dhomave Legjislative ose, të një nëpnësi të Shtetit, në pranië dhe për shkak të funksionit të tij, ndëshkohet:
Me burgim të randë deri në gjashtë muej ose, me gjobë të randë nga pesëdhjetë deri, në tremijë fr. ari, në qoftë se ofeza asht drejtuem kundra një agjentu të forcës publike.
Me burgim të randë nga një muej deri në dy vjet ose, me gjobë të randë nga treqind deri në pesëmijë fr. Ari, në qoftë se ofeza i asht ba një tjetër nëpunësi të Shtetit, ose ndonjë Antari të Dhomave Legjislative.
NENI 223. – Kushdo që, ban fajin e parapamë në nenin e ma sipërme, me violencë ose me frikësim, ndëshkohet me burgim të randë nga një muej deri në tre vjet dhe me gjobë të randë nga njëqind deri në njëmijë fr. ari.
Po me këto dënime, ndëshkohet dhe ay që, përndryshe, përdor violencë ose frikësim kundra një Anëtari të Dhomave Legjislative ose, nëpunësi të Shtetit, për shkak të funksionit të tij.
NENI 224. – Kur ndonjë nga fajet e parapame në nenet e ma sipërme, asht ba kundra nëpunësit të Shtetit jo për shkak të nëpunësi së këtij, por kur ky asht tue ushtrue funksionin e vet, aplikohen ndëshkimet e caktueme n’ato nene tue i u zbrit ndëshkimit një e treta deri në gjysmën.
NENI 225. – Kur ndonjani nga fajet e parapame në nenet 222, 223, asht ba kundra një nëpunësi të Shtetit, për shkak të nëpunësisë dhe n’ushtrim e sipër të funksionit të këtij, aplikohen ndëshkimet e caktueme n’ato nene, tue i shtue ndëshkimit një e gjashta deri në një të tretën.
NENI 226. – Kushdo që, me çdo lloj mënyrë, onorin, famën ose dinjitetin e një trupi gjyqsuer, politik ose administrativ në mbldhje e sipër, ose të një gjyqtari në gjyq e sipër, ndëshkohet me burgim të randë nga tre muej deri në tre vjet.
Në qoftë se kundra trupit ose gjyqtarit përdoret violencë ose bahet frikësim, burgimi i randë asht nga gjashtë muej deri në pesë vjet.
Nuk bahen ndjekje ligjore veç se me autorizimin e trupit t’ofenduem.
Në qoftë se delikti asht ba kundra një trupi që nuk asht i formuëm në Këshillë, nuk bahen ndjekje, veç se mbi autorizimin e Kryetarit hierarhik të tij.
NENI 227. – Nuk pranohet që fajtori i ndonjanit nga deliktet e parapame në nenet e ma sipërme, të provojë se faktet ose cilësinat q’i atribuhoen t’ofenduemit janë të vërteta, ose të dijtuna botënisht.
NENI 228. – Dispozitat që përmbajnë nenet e ma sipërme, nuk aplikohen kur nëpunësi i Shtetit i ka dhanë shkak fajita, tue kapërcye kufinin e kompetencës vet me vepra arbitrare.
NENI 229. – Në të gjitha ato raste që nuk janë parapamë nga një dispozitë e posaçme e ligjës kushdo që, ban një delikt kundra një antari të Dhomave Legjislative ose, kundra një nëpunësi të Shtetit për shkak të funksionit të vet, dënohet me ndëshkimin e caktuem për deliktin e bamun, tue i u shtue ndëshkimit një e gjashta deri në një të tretën.
KAPTINA IX
Prishje e vulave dhe heqje nga vendet e depozitave publike
NENI 230. – Kushdo që, me çdo lloj mënyre prish vula të vumuna si mbas një dispozite të ligjës, ose si mbas një urdhëni t’Autoritetit për me sigurue ruejtjen ose identitetin e një sendi, ndëshkohet me burgim të randë nga tre muej deri në dy vjet; dhe me gjobë të randë pesdhjet deri në njëmijë fr. ari.
Në qoftë se fajtori asht ay nëpunës i Shtetit, që ka urdhënue ose ka eksekutue të vulosunit, ose ay që ka nën ruajtje ose në dorëzim sendin e siguruem me ato vula, burgimi i randë asht nga tridhet muej, deri në pes vjet, dhe gjoba e randë, nga treqind, deri në tremij fr. ari.
Në qoftë se faji asht ba për shkak imprudence ose nga pakujdesia e nëpunësit ose të ruejtsit, ky ndëshkohet me gjobë të randë nga pesdhjet deri në njëmijë e pesëqind fr. ari.
NENI 231. – Kushdo që, heq, ç’duk ose prish, gris ose ndryshon sende faji, akte ose dokumenta të ruejtuna në një zyrë publike, ose pranë një nëpunësi të Shtetit, për shkak të cilsiës tij, ndëshkohet me burgim të randë, nga një, deri në pesë vjet.
Në qoftë se fajtori asht po ay nëpunës i Shtetit i cili, për shkak të nëpunsis së vet, kish në dorëzim sendet e fajit, aktet ose dokumentat, ndëshkimi asht burgim’i randë nga dy deri në gjashtë vjet, dhe ndalim’ i përhershëm nga ofiqet publike.
Kur dami i shkaktuem nga au faj, asht i vogël ose fajtori kthen të pa ndryshuem aktin, ose dokumentin, pa që të ketë përfitue nga ay dhe para se të dërgohet në gjyq, ndëshkimi në rastin e pikës I-rë, asht burgim i randë nga gjashtë muej deri në tre vjet, dhe në rastin e pikës II-të, burgim i randë nga një, deri në pesë vjet, dhe ndalim’i përkohshëm nga ofiqet publike.
NENI 232. – Kushdo që, heq ose këthen për fitimin e vet ose të tjetrit, ose refuzon m’i dorëzue atij që ka të drejtë, sende të nënvumuna në peng ose në sekuestro dhe të cilat i janë lanë në besimin e në ruejtjen e tij, ndëshkohet me burgim të randë, nga tre, deri në tridhet muej, dhe me gjobë të randë, nga njëqind, deri në dymijë fr. ari.
Në qoftë se fajtori asht vet i zoti i sendit të penguem ose të sekuestruem, ndëshkimi asht burgim’i randë deri në një vit, dhe gjoba e randë, nga pesdhjet deri në njëmijë e pesë qind fr. ari.
Në qoftë se vlera e sendit asht e vogël, ose fajtori e kthen sendin ose paguen vlerën para se të dërgohet në gjyq, ndëshkimit i zbritet një e gjashta, deri në një të tretën. /Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm