Nga Frank Shkreli
Dean Acheson: “Qeveria amerikane dhe populli amerikan shprehin edhe njëherë interesimin e tyre tradicional për popullin shqiptar”!
Memorie.al / Gjatë dekadave të luftës së ftohtë, qeveritë e Shteteve të Bashkuara, nëpërmjet zyrtarëve të tyre më të lartë, kanë bërë vazhdimisht thirrje, duke shfaqur gatishmërinë e Uashingtonit zyrtar, për miqësi dhe marrëdhënie normale diplomatike me Shqipërinë dhe popullin shqiptar. Shpesh, zyrtarë të lartë të Shteteve të Bashkuara, kanë dërguar mesazhe popullit shqiptar për “forcimin e miqësisë së vjetër”, gjatë viteve të luftës së ftoftë, nëpërmjet valëve të ‘Zërit të Amerikës’. Thirrjet amerikane për miqësi me Shqipërinë binin në veshë të shurdhër të Tiranës zyrtare komuniste të viteve ‘70-ta e ‘80-ta, të shekullit të kaluar. Ishte gjithashtu koha fatzezë kur shqiptarët dënoheshin nga regjimi komunist, thjesht, se dëgjonin Zërin e Amerikës.
Këto deklarata të zyrtarëve më të lartë amerikanë, tregojnë të vërtetën se; nuk ishte Uashingtoni zyrtar – “imperializmi amerikan”, ai që kishte izoluar Shqipërinë nga bota, ashtu siç pretendonte shpesh regjimi barbar i Enver Hoxhës, por ishte ai regjim diktatorial sllavo-komunist i cili, nuk dëshironte të kishte lidhje as miqësi, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ishte regjimi i Enver Hoxhës, ai që donte të mbante larg Perëndimit, Shqipërinë dhe shqiptarët, një popull të zënë rob, si rrjedhim, edhe larg vlerave të lirisë e të demokracisë.
Ky vit shënon 73-vjetorin e rifillimit të transmetimeve të Zërit të Amerikës në gjuhën shqipe (13 Maj, 1951), pasi ishin ndërprerë, përkohësisht. Ishte kjo një përpjekje tjetër e Uashingtonit zyrtar, për të mbajtur sado pak gjallë lidhjet e Amerikës me Kombin shqiptar.
Me këtë rast ia vlen, për hir të së vërtetës, të sjellim nga arkivat e ‘Zërit të Amerikës’, një thirrje të tillë për miqësi me Shqipërinë, nga zyrtarë të lartë të Shteteve të Bashkuara – transmetuar në një program të veçantë të ‘Zërit të Amerikës’ në gjuhën shqipe me 13 Maj, 1976, si një shembull i atyre përpjekjeve, për të treguar gjithnjë interesim për fatin e shqiptarëve nga zyrtarët amerikanë, megjithëse regjimi komunist enverist, hidhte poshtë çdo nismë amerikane për marrëdhënie normale midis dy vendeve tona.
Në atë kohë ‘Zëri i Amerikës’, transmetonte në të dy dialektet. Talat Karagjozi nga Gjirokastra, Frank Shkreli nga Malësia e Madhe dhe Leonora Malo nga Himara, morën pjesë në përgatitjen e këtij programi (13 Maj, 1976), atëherë kur Enver Hoxha dënonte shqiptarët, se dëgjonin ‘Zërin e Amerikës’.
Leonora Malo: 25 vjet si sot, d.m.th., në datën 13 Maj, 1951, ‘Zëri i Amerikës’ rifilloi transmetimet e saj në gjuhën shqipe, të cilat kishin filluar gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe kishin marrë fund me mbarimin e asaj lufte. Me këtë rast ju sjellim sot një bisedë, mbi qëllimet dhe përmbajtjen e këtyre transmetimeve, siç janë venë në dukje, në hollësi, nga zyrtarët e qeverisë së Shteteve të Bashkuara:
Talat Karagjozi: Kur ‘Zëri i Amerikës’ rifilloi programin e saj në gjuhën shqipe, Ministri i Jashtëm i Shteteve të Bashkuara që shërbente në atë kohë, i ndjeri Dean Acheson, bëri një deklaratë e cila u përfshi në programin ose në transmetimin e datës 13 Maj 1951, drejtuar popullit shqiptar. Ndërmjet të tjerave, i ndjeri Acheson ka thënë këto:
Frank Shkreli: “Me këtë rast ndiej nji kënaqësi të posaçme t’i drejtoj popullit shqiptar këtë mesazh, në emën të qeverisë së Shteteve të Bashkueme dhe të popullit amerikan. Tue rifillue programet e ‘Zërit të Amerikës’, në gjuhën shqipe, qeveria amerikane dhe populli amerikan, shprehin edhe njëherë interesimin e tyne tradicional për popullin shqiptar. Në këtë mënyrë përtriten sot, lidhjet që na bashkojnë. Miqësia jonë e vjetër duhet të forcohet tashti dhe të pajiset me nji kuptim ma të thellë. Sepse kjo miqësi ashtë nji përfundim i natyrshëm i faktit se Shtetet e Bashkueme të Amerikës, kanë qenë shumë afër luftës së popullit shqiptar, për liri dhe pamvarësi.
Gjatë vjetëve, qeveria amerikane dhe populli amerikan, kanë shikue me dashamirësi dhe me simpati dhe kanë ndihmue në këtë luftë, tue e dijtun se lufta për liri. pasqyron aspiratat tueja të vërteta. Nga fillimi i këtij shekulli, shumë patriotë shqiptarë erdhën në këtë vend dhe gjetën liri të plotë, për të punue për nji Shqipëri të pamvarun. Në Konferencën e Paqës në 1919, kur Presidenti Wilson, u interesue personalisht në themelimin e nji Shqipnie të pamvarun, qeveria amerikane, përkrahu përpjekjet e patriotëve shqiptarë.
Por këto ngjarje i përkasin historisë. Sot e tutje, ‘Zani i Amerikës’, do t’ju flasë mbi gjendjen e tanishme dhe të ardhshmen. Qeveria amerikane dhe populli amerikan, u paraqesin përshëndetjet e tyne dhe ‘Zani i Amerikës’ ju mirësardhë në radhët e dëgjuesve të saj”.
Talat Karagjozi: Këto janë fjalët që tha i ndjeri Dean Acheson 25-vjetë më parë. Gjatë vjetëve, pas asaj deklarate, zyrtarë të tjerë amerikanë, kanë bërë deklarata të njëllojta. Ndërmjet tyre, ish-Ministri i Jashtëm, Zoti William Rogers dhe ish-nën-Ministri i jashtëm, Zoti Keneth Rush.
Frank Shkreli: Ish-Ministri i Jashtëm, Zoti Rogers, në raportin e tij mbi politikën e jashtme shqyrtoi përmirësimin e marrëdhënieve diplomatike me të gjithë kombet, tue përmbledhun kombet komuniste dhe në fund të raportit të tij, ai shtoi këto fjalë: “Mungesa e marrëdhënieve diplomatike me Republikën e Shqipnisë, ishte në fundin e vitit 1973, nji punë e pambarueme në përpjekjet tona për marrëdhënie normale me të gjithë vendet, pa marrë parasysh ndryshimet. Por drejtimi i masave, si në politikën e Shteteve të Bashkueme, ashtu edhe në politikën e Shqipërisë, premtojnë se do të vendosen marrëdhënie normale në të ardhshmen”.
Kjo deklaratë u pasue nga nji deklaratë që bani në të njëjtin muaj, nën-Ministri i Jashtëm, Keneth Rush. Në prill të vitit 1973, në një fjalim mbi politikën e jashtme, që mbajti në Akademinë Detare të Shteteve të Bashkueme, në qytetin Annapolis, mbasi radhiti masat e marra ose ato që parashikoheshin të merren në lidhje me përmirësimin e marrëdhënieve me pjesën tjetër të Evropës Lindore, Zoti Rush, tha këto: “Vetëm me Shqipëninë nuk ashtë shënue ndonji përparim i dukshëm.
Përball zgjanimit të lidhjeve tona, me gjithë vendet e tjera të Evropës, duket si nji gja anakroniste, që Shqipëria të dëshirojë të funksionojë në nji izolim të tillë. Shqipnia vazhdon të përdor kundër nesh, nji gjuhë përbuzëse, të nji periudhe të maparshme. Nëse dëshiron të rifillojë marrëdhëniet, ne nuk e dimë. Në qoft se dhe kur të dëshiroj nji gja të tillë, Shqipnia do të na gjejë gati, t’i përgjigjemi”.
Talat Karagjozi: Me që jemi duke bërë fjalë për përvjetorë, dëshirojmë të përmendim këtu fjalët që përdori i ndjeri President Kenedi, mbi misionin e ‘Zërit të Amerikës’, kur ky ent celebroi 20-vjetorin e tij me 26 Shkurt 1962. Presidenti Xhon Kenedi, mbajti nji fjalim në të cilin ai tha se; ‘Zëri i Amerikës’, zën një vend me rëndësi dhe luan në rol kyç në shtjellimin e jetës amerikane dhe pastaj deklaroi edhe këto:
Frank Shkreli: “Ajo që jemi tue ba në këtë vend, çfarë jemi, çfarë dëshirojmë të jemi, përbën dhe pasqyron të vërtetë nji eksperiencë të madhe me llojin ma të vështirë të disiplinës së vetvetes dhe kjo ashtë organizimi, mbajtja dhe zhvillimi i përparimit të nji qeverie të lirë. Dhe kjo ashtë detyra e juaj si drejtues dhe si pjesëmarrës të ‘Zanit të Amerikës’, që t’ia kallxoni këtë gja të gjithë botës.
Ne konkurrojmë me burime të tjera informatash, me ata që janë kundërshtarët tonë, e të cilët thonë vetëm të mirat për veten e tyne. ‘Zani i Amerikës’, duhet të thotë të mirat dhe të këqijat e Amerikës. Dhe ne shpresojmë se e keqja dhe e mira, shkoqiten dhe shoshiten së bashku nga njerëz me gjykim të mirë, që kanë mendjehollësi dhe shije, se do të kuptojnë përpjekjet që jemi tue ba në këtë vend.
Ne kërkojmë qarkullimin e lirë të informatave tej-për-tej kufijve kombëtarë dhe oqeaneve, tej-për-tej perdeve të hekurta dhe mureve me gurë. Ne nuk kemi frikë t’i besojmë popullit amerikan, tue i paraqitun faktet që nuk janë të pëlqyeshme, (as nga) mendimet dhe fillozofitë e huaja që i paraqiten këtij populli dhe as nga vlerat konkurrues, që mund t’i paraqiten popullit amerikan. Nji komb që ka frigë të lejojë popullin e vet të gjykojë të vërtetën dhe gënjeshtrën në nji treg të hapët, ashtë nji komb, që ka frikë nga populli i tij”!
Talat Karagjozi: Kjo është pjesa jetike e sistemit amerikan, përfundoi i ndjeri President Kenedi, fjalimin e tij, që mbajti në 20-vjetorin e transmetimeve të ‘Zërit të Amerikës’. Ai shtoi se ‘Zëri i Amerikës’, do të vazhdojë të përmbushë këtë detyrë, siç bëri ditën e parë të transmetimeve, kur ia kushtoi veten e saj së vërtetës.
Leonora Malo: Dhe ndërkohë që programet e ‘Zërit të Amerikës’ në gjuhën shqipe, celebrojnë përvjetorin e tyre të 25-të, ne shpresojmë të vazhdojmë të aderojmë pa asnjë devijim, në këtë kushtim ndaj së vërtetës, siç jemi përpjekur të aderojmë karshi saj, gjatë 25 vjetëve të kaluara. Memorie.al
(Radio program i transmetuar nëpërmjet valëve të ‘Zërit të Amerikës’ në gjuhën shqipe’ 13 Maj, 1976)
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016