Nga Fadil Paçrami
Pjesa e dytë
Memorie.al / Ç’është burgu? Është vendi ku mbahen ata që janë dënuar me heqje të lirisë, do të thoshim duke lexuar çdo fjalor. Por kaq është pak. Burgu dhe liria – dy të kundërta. Më parë: ç’është liria? Me pak fjalë: të jesh i lirë do të thotë të bësh atë që do, të mendosh e të veprosh sipas dëshirës në ushtrimin e përmbushjen e lirive e të drejtave të tua, si njeri e si shtetas, por gjithmonë pa cënuar e dhunuar të tjerët. Përsërit: të mendosh e të veprosh. Fjala është për liritë demokratike, nga ajo e fjalës, e shtypit, e tubimit dhe e organizimit në partira e shoqata të ndryshme, sigurimin e kushteve, ku të gjejnë shprehje e konkretizim idetë, kërkesat e vullnetet njerëzore, nga ato të planit biologjik-lidhur me vetë qenien, tek ato të planit social, lidhur me mënyrat e të jetuarit.
Diskutimin im në organizatën-bazë të partisë, pas bisedës së 30 marsit 1973 me Enver Hoxhën
– Me sa thashë më lart lidhen edhe disa çështje të Teatrit Popullor dhe Teatrit të Operës e Baletit. Në këto institucione ka gjëra të brendshme, grindje personale, vogëlima e ngatërresa në mes tyre; ka edhe çështje të kuptuarit e të zhvillimeve në këto fusha. Duke mos u marrë me të parat – dhe unë nuk jam marrë me to, por që edhe nuk duheshin nënvleftësuar – them se konflikti që ka vazhduar gjatë në Teatrin Popullor ka shprehur, si dhe në fusha të tjera, atë luftë që është bërë herë hapur e herë mbyllur, për të ecur përpara, për t’u ngritur në nivele më të larta, luftën për një teatër më realist e më profesional, për të realizuar në skenë vepra me personazhe komplekse, edhe të ditëve tona.
Jam shprehur dhe kam luftuar për një teatër, ku të veprojnë së bashku të gjithë komponentët e tij: dramaturgjia, regjisura, loja e aktorit, skenografia etj., pa fryrje dhe disa mbeturina të atij teatri, nga i cili nuk jemi shkëputur ende, që luan me ndjenjat e vogla dhe përpiqet të krijojë emocione të çastit, ku bie në sy edhe një lojë jo realiste, pompoze e me gjuhë dialektore, që bart si një trashëgimi nga lëvizjet teatrore e letrare diletante të mëparshme. Në këtë çështje mendoj se nuk kam gabuar… shprehja ime me një rast se; kjo është lojë si e teatrit “Bogdan”, e thënë para 5-6 vjetëve, kur bëheshin provat për një pjesë që dështoi krejtësisht, i pat prekur disa aktorë në atë kohë, të cilët e frynë atëhere, po por edhe po spekulohet jo pak edhe sot.
Përpjekja ime këmbëngulëse për përtëritjen e trupës, duke sjellë edhe forca të reja, si dhe për ta lehtësuar atë sepse ka shumë njerëz që rrinë kot, disa edhe të një profili, i ka acaruar një pjesë prej tyre, duke krijuar ndonjë shqetësim, është e karakterit profesional…! Këtë ngjyrë, kanë edhe konfliktet në Teatrin e Operës e të Baletit.
– Ka edhe diçka që dua të theksoj, ia vlen: ngatërrimi në funksionet e sekretarit të partisë, me qenien krijues, sepse ka ndodhur që të flas si krijues, kur duhej të mbaja qëndrimin e sekretarit të partisë, ose të merrej sikur mbaja qëndrimin e sekretarit të partisë, kur shprehja thjesht mendimin si krijues. Shpesh ka ndodhur, që institucione kulturore e artistike dhe kuadro drejtues e specialistë të tyre, kanë hyrë në marrëdhënie me mua dhe unë me ta si krijues, janë konsultuar për çështje krijimtarie dhe kanë kërkuar mendime për vepra, librete, repertorë etj.
Unë kam folur me ta dhe jam shprehur duke dhënë mendime shpesh që në fazat fillestare si krijues e koleg, mirëpo ka ndodhur që janë marrë e, është thënë pastaj, se këtë e di ose i ka miratuar edhe sekretari i partisë. Ka ndodhur, gjithashtu, që unë si shkrimtar, kam patur preferencat e mia për këtë ose atë lloj krijimtarie, bie fjala në teatër, dhe me ndërhyrjet kam ndikuar, siç ka ndodhur edhe që kanë treguar dobësi, nga pozitat sentimentale të krijuesit, ndaj ndonjë kuadri specialist a ndonjë elementi me talent, duke thënë një fjalë të mire, ose duke bërë vlerësim profesional për të, mirëpo këto janë marrë si qëndrime, të sekretarit të partisë.
Po kështu, besimi që kam shprehur ndaj kuadrove specialistë të kulturës, hyrja në marrëdhënie të drejtpërdrejta me ta, më ka bërë të dëgjoj më shumë zërin e tyre sesa të tërëve, që edhe lidhjet ti mbaj më shumë me specialistët, se me organizatat-bazë të partisë ose organizmat e tjera drejtuese. Në të njëjtën kohë, duke u futur në rrugë të tilla, kam hyrë edhe në marrëdhënie shoqërore me disa prej tyre, gjë që ka çuar edhe në familjaritet, që është shfaqur me mbrojtjen, disa herë edhe të tepruar që u kam bërë, ç’ka i ka shtyrë edhe në gabime, duke përfituar nga përkrahja ime.
Duke përfunduar, desha të them dhe këto pak fjalë, kam punuar pa u kursyer dhe hapur, duke thënë me guxim ato që kisha në kokë. Siç duket, me gjithë stazhin e gjerë në parti, mbeta një intelektual i pazhveshur nga disa dobësi, tipike intelektuale. Ky jam dhe këtu ndodhem tani. Jeta ime si një kuadër i frontit ideologjik, nuk mbyllet këtu.
Tiranë, 6.4.1973.
FILLIMI I FUNDIT…
(Shēnime)
Plenumi i IV-ët i Komitetit Qendror që u mbajt më 26-28 qershor të vitit 1973, njihet si një nga ngjarjet me ogurzeza që thelloi proceset drejt një kursi më të ashpër të PPSH-së, me pasoja të rënda në jetën e vendit. Është folur shumë rreth tij në atë kohë, edhe më vonë, duke e paraqitur ndryshe nga ç’qe në të vërtetë. Më poshtë, përpiqem të jap në formë shënimesh disa mendime e konsiderata personale, pa ndonjë pretendim, sepse ka shumë për të thënë rreth tij, duke i parë e vlerësuar shkaqet, qëllimet dhe rrjedhojat, me syrin realist dhe objektiv.
Për Plenumin e IV-ët, janë thënë shumë nga të gjitha por jo e vërteta. Raportin e mbajti Enver Hoxha, diçka e rrallë kjo, meqë si rregull, ai bënte konkluzionet në fund. I dha, pra, një rëndësi të veçantë. Pse? Arsyet u bënë të qarta që në atë kohë, në vitet që pasuan edhe më shumë. Me një ndërhyrje të drejtpërdrejtë e brutale, vuri në lëvizje planin, për të përballuar krizën që pati kapërthyer vendin, duke i shtrënguar më tej vidat dhe duke i tërhequr fort frenat, që të mos i shkiste pushteti nga duart.
Atmosfera që mbisundoi ato tri ditë, qe e rëndë. Fjalimi i 15 marsit të atij viti, kishte ngritur tensionet gjithandej si rrallë herë. Për tre muaj, qenë bërë mbledhje të njëpasnjëshme të organizatave bazë, diskutimet qenë nervoze të zhurmshme, shtypi ndërmori një fushatë të paparë, kundër “shfaqjeve të huaja”, shkarjeve nga vija në letërsi e në artet, si dhe modave në rini. Të gjitha këto paraprinë e përgatitën, gjithë sa buçitën kundër liberalizmit e ndikimeve borgjezo-revizioniste, anatemat ndaj dukurive të tyre, në sektorë-fusha të ndryshme edhe fajësimin e personave të veçantë. Fadil Paçrami e Todi Lubonja, u quajtën bartës e nxitës të prirjeve të tilla.
Nuk munguan edhe akuzat për; “veprimtari armiqësore” të rrezikshme, në dëm të vendit e në shërbim të të huajve. Përralla, një luftë donkishoteske e gjitha. Zhurmë e tym, për të mbuluar e fshehur të vërtetën. Një përpjekje e kotë, për t’i zgjatë jetën diktaturës, duke u zhytur edhe më thelle në baltrat e saj dhe përdorur mjete më të skajshme shtypjeje. Koha, zhvillimet e mëvonshme, gjatë dy dekadave – viteve ‘70-‘80-të, e treguan më së miri këtë. Në plenum, siç ishte bërë rrugë tanimë, kësaj radhe edhe më shumë, nuk u bënë analiza, qartësime e diskutime për të qenë. Këto nuk njiheshin e nuk praktikoheshin sepse, nuk pranoheshin në atë kohë, në jetën e partisë e të vendit, më pak akoma në Komitetin Qendror.
Megjithëse u thanë gjithë ato të paqena, u bënë edhe aq akuza ndaj meje e Todit, nuk u lejuam as të shpjegoheshim. Kur morëm fjalën për të diskutuar, ajo na u pre dy-tri here, pa na lënë të vazhdonim deri në fund. Kujtoj si sot, se sa fillova të flisja në pjesën e hyrjes, duke njohur se gabime në punë edhe ndodhin e mund bëjnë të gjithë, askush nuk është i përjashtuar prej tyre, se ndër intelektualë, këto janë edhe më të mundshme, mjaft të kujtojmë sa herë vetë Lenini, pa kritikuar, madje rreptë edhe Maksim Gorkin, ndërhyri me ironi e më ndërpreu Enver Hoxha: – “Oi, kërkon të na e barazojë veten, me Gorkin”!?
Kuptohet, krijoi ilaritet në sallë. U përmbajtja dhe nuk shtova: as me Gorkin as me Leninin, por u mjaftova me kaq: – s’është rasti të bëhen krahasime. Eh, nuk qe vend për batuta me zarare dhe vazhdova. Pas pak me ndërpreu përsëri; “Autokritikë, plenumi kërkon autokritikë nga ju, por me sa shoh, s’keni ndërmend”! Nuk u përgjigja dhe vazhdova: tani do të flas për mendimet dhe pikëpamjet e mia, lidhur me letërsinë e artet, në qoftë se këto janë të gabuara, kam gabuar; në qoftë se jo, nuk kam gabuar…! Këtu gjithë inat shpërtheu.
“Mjaft! Ulu! nuk jemi këtu të dëgjojmë si e çfarë mendon ti, shko…”! Shto edhe ca të tjera, kush i mban mend. Kështu ndodhi edhe me Todin. Këto e zemëruan edhe më keq dhe kjo u duk qartë, në fjalën që mbajti në fund. Por këtu s’është fjala për ne, njërin e tjetrin, që e pësuam në atë kohë, si nuk është edhe për një plenum çfarëdo, gjithçka flet për më gjerë, më thell e më shumë. Me dy fjalë, do ta quaja: fillimi i fundit. Po nuk më takon mua mendoj, ç’të flas gjatë sot, se ç’qe dhe ç’përfaqëson ai plenum. Analizat për kohën, përmasat që mori dhe pasojat, kanë nevojë për të dhëna më të plota e dokumentare, nga sa mund të japin kujtimet e konsideratat, nga persona të veçantë.
Megjithatë diçka përmbledhtas me aq sa më lejon edhe vendi, po shpreh ndonjë mendim, për sa di dhe i kam jetuar. Së pari; them se nuk qëndrojnë gjithë sa u patën folur atë kohë, recidivë e të cilave, shoh të përsëriten në një formë ose në një tjetër edhe sot, madje duke u shtuar edhe disa deformime të paragjykuara, që rritin paqartësitë, konfuzionin dhe shtrembërojnë thelbin.
Nuk ishte dhe nuk është fjala për ndonjë grup të organizuar “armiqësor”, “revizionist”, “antikombëtar” etj., si u bë aq shumë zhurmë, që vepronte për interesa e në shërbim të të huajve, as për klane. Nuk ishte fjala, as thjesht për letërsinë e artet, një festival të këngës dhe të modave të rinisë, siç pat prirje të ngushtohet disa here, në rrethe të caktuara.
Të mbetesh në këto koordinata, do të thotë t’u mbash ison legjendave, ashtu si i ndërtoi ato Enver Hoxha. Që ndodhi kështu pas ‘73-it, edhe shpjegohet, megjithëse jo e justifikuar dhe jo e falshme. Po që të heshtet akoma edhe sot, nga ata që dje u treguan aq të zellshëm e servile, sa të përpiqeshin të vishnin me parime e teza teorike, atë luftë të çmendur kundër “liberalizmit” e “izmave” të tjera, si ndikime nga jashtë, është amorale. Dhe që të vazhdojnë të bëhen akoma deformime të tjera, nisur nga interesa e qëllime partiake e vetjake, është e pafalshme, e dyfish amorale. Atëherë si?
Të shihen ngjarjet, gjithë sa ndodhen e rrodhën më pas, ashtu si qenë në të vërtetë me syrin e analistit e historianit, por edhe politikani me horizont e të përkushtuar, që të thuhen gjëra, ashtu siç kanë qenë, – kjo është e domosdoshme sot.
Së dyti; pak fjalë tani për atë se ç’qe Plenumi i IV-ët në kompleks, pse e quajta: fillimi i fundit?! Në atë kohë, vendi kishte hyrë në krizë dhe kërkonte rrugëdalje, nga e cila le të veçojmë: Krizën e sistemit. Në fillimet e viteve ’70-të, pas flirtit të gjatë me idetë e socializmit e dështimeve të para, përhapja e gjerë që morën në dekadat e fundit idetë e lirisë e të drejtave të njeriut, të cilat çuan në Deklaratën e Helsinkit e në KSBE-në, nisën të tronditen themelet e totalitarizmit, në të gjitha vendet e Lindjes, edhe te ne. Ky proces kishte filluar nga mesi i viteve ’50-të, por në Shqipëri. qe frenuar me mjete represive.
Mirëpo tani s’mbahej më, sado që, veç forcës, u përdorën edhe mjete të tjera demagogjike, deri te nacionalizmi e krenaria kombëtare, lidhur me pavarësinë politike, ekonomike dhe kulturore të vendit.
Krizën e regjimit
Po atë kohë filluan të ndihen përherë e më shumë edhe pasojat e izolimit nga Perëndimi e nga Lindja, të shfaqen edhe shenjat e divorcit me Kinën, që u bënë të dukshme, pas “diplomacisë së pingpongut” e, vizitës së Niksonit në Pekin. Me shenjat e para u morën masat për t’u prerë rrugën, me sa të qe e mundur, por e kotë. Nuk kishte shpëtim. Munguan qartësitë, aftësitë e vullnetet. Jo vetëm këto, por mbisunduan prirjet, për vazhdimin e forcimin e regjimit diktatorial. Veproi edhe një mendjemadhësi fodulle, u mendua se pas disa arritjeve në industri e bujqësi, mund të ecej me këmbët tona. Pra, edhe u theksua e mori përparësi parulla; “me forcat e veta”. Mirëpo, llogaritë qenë bërë gabim. Koha e tregoi këtë në mënyrën më të qartë, e shumë shpejt.
Krizën e shoqërisë
Pas 25 vjetëve që nga çlirimi, përbërja dhe struktura shoqërore e vendit, kishte pësuar ndryshime të thella. Shtresa e burokracisë në pushtet, ishte bërë sunduese dhe kish krijuar privilegje e një mirëqenie, më të lartë për vete, ndërsa masa e gjerë e shtresave të ulëta të qytetit e të fshatit, si rrjedhojë e centralizmit të tejskajshëm, akumulacionit të lartë, pagave të ulëta dhe ndrydhjes se iniciativës së individit në veprimtaritë prodhuese e, ato të shërbimit, nuk bënin përpara për nga niveli i jetesës.
Njëheri qe krijuar dhe pretendonte për një frymëmarrje më të gjerë e të lire, një shtresë intelektualësh e cila, nga një anë, shihte ngadalësitë në zhvillimin e vendit; nga ana tjetër, edhe me aq kontakte tejet të kufizuara me botën, ndërgjegjësohej nga dita në ditë më shumë, se diçka nuk shkonte mbroth, pra diçka duhej ndryshuar. Kështu ndodhte edhe me rininë e shkolluar të qytetit e të fshatit, sidomos atë studentore.
Krizën politike dhe institucionale
Politike: në atë të jashtme, me injorimin që na bënte bota e ngrirjet në marrëdhëniet me vendet e tjera; edhe në atë të brendshme, me rritjen e pakënaqësisë e reagimet ndaj masave shtypëse, me format absurde që mori e ashtuquajtura luftë e klasave.
Institucionale: me përmasat që mori burokratizmi, shabllonet e rutinën në të gjitha fushat, ngurtësinë e ligjeve dhe mpirjen e organizmave ligjvënës, ekzekutive e atyre gjyqësore, paaftësinë për të përballuar problemet që nxirrte jeta në zhvillim, lidhur me zgjidhen e halleve të shtetasve, duke u prirur përherë e më shumë, drejt përdorimit të dhunës, mungesës së tolerancës, mos dëgjimit të zërit nga poshtë, mbisundimin e urdhrave e vullneteve të pushtetarëve nga lart, e deri në hallkat më të ulëta.
Krizën ekonomike
Me rritjen e vështirësive në marrëdhëniet ekonomike me jashtë dhe ato të eksport – importit, në kushtet e ekonomisë së blloqeve, të tregut e të konkurrencës, pakësimin gradual të ndihmave nga Kina, zhvillimet jo harmonike të ekonomisë, me ambiciet për të krijuar edhe baza e një industrie të rëndë, në kushtet e një vendi të vogël, kolektivizimin e tejskajshëm në bujqësi, ruajtjen e një teknologjie të prapambetur, etj. U krijuan probleme të mprehta, sa për eksportet, aq edhe importin, sa për prodhimin, aq edhe konsumin, sa për industrinë, aq edhe bujqësinë.
Të gjitha këto, u kërkua të zgjidheshin me masa të tëra centralizuese e shtrënguese, nuk u mendua e as u lejua të veprohej, me vënien në lëvizje të levave ekonomike, që nga prodhimi i vogël artizanal, oborri i fshatarit, shërbimet, tregu, etj; përkundrazi, këto të fundit, u ngushtuan edhe më tej. U rrit numri i ndërmarrjeve jo-rentabile, furnizimi i popullatës vështirësohej dhe kishte mungesa, burimet e të ardhurave për vetë shtetin dhe ato familjar, ngushtoheshin, çmimet mbaheshin në sajë të pakësimit të kërkesave, e kështu me radhë.
Krizën intelektuale e kulturore
Ardhja në masë e forcave të reja intelektuale, në shumë fusha, si: pedagogë, mjekë, juristë, krijues në letërsi e arte, inxhiniero-teknike, ekonomistë, agronomë, etj., nxori në pah edhe të aftë e të talentuar, që nuk gjenin terren e kushte zhvillimi, ndrydheshin, shtypeshin, edhe shuheshin e vdisnin, nën peshën e përzgjedhjeve të mënjanimeve, mbi bazën e biografive, nepotizmit, krahinarizmit, e miqësive.
Këto filluan të ndjehen përherë e më shumë, të shtoheshin edhe ankimet e protestat e masave shtypëse nga lart, ç’ka thellonin krizën intelektuale. Në fushat e krijimtarisë e të kulturës, u ndien edhe më shumë. Masa e gjerë e intelektualëve, nuk pajtoheshin, ishin për diçka tjetër, e dinin se mund e duhej të bëhej ndryshe, por kjo kundërshtohej, nga ata që ishin në krye të vendit. Diçka, pra, ziente, herepashere edhe shfaqej me antagonizma e konflikte. Ndërkohë, rriteshin kërkesat, për më shumë frymëmarrje të drejta e liri, si dhe më shumë kulturë, por partia-shtet kundërvepronte dukshëm ndaj tyre, edhe mundësitë nga ana praktike ishin të kufizuara. Atëherë si?
Krijuesit në letrat e artet, ndjenin në çdo hap edhe censurën që u rrinte mbi kokë, vuanin edhe nga auto-censura, që sillnin si pasojë edhe një rënie të krijimtarisë cilësore. Në këtë kuadër, duhet parë, pra, Plenumi i IV-ët. Ai vërtetë shpërtheu e goditi fort në frontin ideor dhe vuri në shënjestër letërsinë e artet, se atje u shfaqën më dukshëm, shenjat e krizës që kishte filluar e shkonte në rritje, por edhe se, duke goditur fort ndaj tyre, u mbyllej goja e u pritej vrulli krijuesve, që të mos ndikonin edhe në të tjerë, goditej edhe gjithë masa tjetër e inteligjencës; edhe se mendohej që në këtë mënyrë, do të mund të mbylleshin portat, për shtrirjen e krizës në sfera të tjera të jetës shoqërore e politike të vendit.
Pa kaluar një vit, rrëmbeu sistemin e Mbrojtjes; pas një viti edhe atë të Ekonomisë; në fillimet e viteve ’80-të u trondit e gjithë piramida; porsa hynë vitet ’90-të, mori fund gjithçka me përmbysjen e plotë. Atëhere, ç’është Plenumi i IV? Me pak fjalë, do ta quaja; goditje kundër një prirje, një proteste, një disidence, e kohës ndaj diktaturës; rrjedhojë e krizës që kishte përfshirë vendin; përpjekje e dëshpëruar për të ndaluar zhvillimet demokratike, paçka se u emërtua “liberalizëm” dhe me “izma” e nofka të tjera, fillimi i fundit. Kaq mund të them në këto pak shënime këtë radhë, po do të kem rast të flas edhe për aspekte të tjera. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016