Nga Idriz Lamaj
Pjesa e gjashtëmbëdhjetë
Jeta dhe veprimtaria e Xhafer Devës në mërgim
– Kosova në kohën e Shqipnisë etnike –
Xhafer Deva në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Memorie.al/ Me 13 dhjetor të vitit 1954, Xhafer Deva i shkruan një letër Rexhep Krasniqit në Australi, në të cilën i propozon se do të ishte mirë si për te ashtu edhe për z. Krasniqi, të bënin përpjekje për të emigruar në Shtetet e Bashkuara te Amerikës, mbasi, “gjasat janë se përpjekjet amerikane për lirimin e Shqipnisë nga komunizmi, kanë marrë fund” dhe se: “Kosovës mund t’i shërbejmë ma mirë prej Amerike, se prej Evrope”.
Deva në letër vë në dukje gjithashtu se një mik i tij amerikan, e kishte këshilluar që ai me familje të emigronte në Amerikë, “për shumë arsye”. Në prill të të njëjtit vit, ai paraqet lutjen për emigrim në konsullatën amerikane në Napoli. Midis të dhënave që kërkoheshin, si mbështetje e lutjes për strehim politik, Deva përgatit këtë shënim të shkurtë biografik:
Biografi e Xhafer Devës
Ka lindur më 21 shkurt 1904, në Mitrovicë të Kosovës. I ati i tij i ndjerë, Ibrahim Deva, ka qenë tregtar me shumicë. E ëma, e quajtur Esma, vinte nga familja Osmani. Arsimi – 1909 – 1926. Ka kryer shkollën fillore në Mitrovicë dhe Selanik. Shkollën e mesme në Stamboll (4 vjet ne Robert College) dhe në Prishtinë (4 vjet te tjerë). Studimet e larta komerciale në Vjenë dhe Zagreb. Ka ndjekur fakultetin e pyjeve të Zemlinit.
Praktika – 1927 – 1941. Një vit në Aleksandri të Egjiptit, si nëpunës importe-eksportesh. Bashkohet me firmën e të atit, e specializuar në shitjen me shumicë të drithërave dhe të produkteve koloniale të lëndës së drurit. Administrator i së njëjtës firmë. Pas vdekjes se të atit, krijon firmën e tij, që merret me prodhimin dhe eksportimin e lëndës së drurit.
Postet: Kryetar i Dhomës së Tregtisë të Mitrovicës; anëtar i Bordit Financiar të Kërkesave të Rrethit; anëtar i përhershëm Gjyqit të Rrethit të Mitrovicës, i ngarkuar me proceset me karakter komercial dhe industrial. Kryetar i Bashkisë së Mitrovicës.
Aktiviteti politik – 1941 – 1944. Për shkak të rrethanave të krijuara nga lufta – pushtimi gjerman i vendit – kryegjyqtar i rrethit të Mitrovicës. Pas kapitullimit të Italisë, në shtator 1943, merr pjesë në shpalljen e pavarësisë dhe asnjanësisë së Shqipërisë. Organizon “Lidhjen e Prizrenit”. Anëtar i Këshillit të Zgjeruar të Lidhjes, anëtar i Komitetit Ekzekutiv, i krijuar menjëherë mbas kapitullimit të Italisë në Tiranë. Nga tetori i vitit 1943, deri në korrik të vitit 1944 (gjatë pushtimit të Shqipërisë nga Gjermania), Ministër i Brendshëm i Shqipërisë.
President i “Lidhjes se Prizrenit” deri në nëntor 1944. 1945 – 1954 – Nga dhjetori 1944, deri më sot, refugjat politik. Kryetar i “Lidhjes së Prizrenit”, përkatësisht i shqiptarëve të qarqeve të Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare nën regjimin jugosllav të përbëra në pjesën më të madhe nga element shqiptarë, të privuar nga të gjitha të drejtat e njeriut. Qëllimi i “Lidhjes”, është që t’i tregoj botës së lire, dëshirën e tyre të vetme për t’u bashkuar në një shtet të lirë dhe kushtetues shqiptar. “Lidhja e Prizrenit”, Organizata politike e administrative e shqiptarëve, që jetojnë prej shekujsh në qarqet e Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare në Jugosllavi.
Datat dhe vendet ku ka banuar Xhafer Deva që nga dita e lindjes e deri në ditën e intervistës së tij në APWR, si agjenci sponzorizuese për emigrim në Shtetet e Bashkuara.
Rruga, Qyteti, Vendi, Muajt dhe vitet. “Belediye Meydan”, Mitrovicë Kosovë. Perandori Osmane. Shkurt 1904 – Shtator 1909, “Beyaz Kule” Selanik, Perandori Osmane. Shtator 1909 – Korrik 1913 “Robert College” Stamboll. Perandori Osmane. Gusht 1913 – Shtator 1914, “Opstinski Trg” 22, Mitrovicë Kosovë, Serbi. Shtator 1914 – Gusht 1915, “Robert College”, Stamboll, Perandori Osmane. Gusht 1915 – Shtator 1917, “Opstinski Trg”, 22. Mitrovicë – Kosovë, Austri. Shtator 1917 – Tetor 1918, “Vojvoda Putnik” Prishtinë Kosovë, Jugosllavi. Tetor 1918 – Korrik 1922, “Fuchstalergasse”, Vjenë – Austri. Korrik 1922 – Korrik 1924, “Ilica” 2, Zagreb Kroaci, Jugosllavi. Korrik 1924 – Korrik 1926, “Opstinski Trg”, 22. Mitrovicë Kosovë, Jugosllavi. Korrik 1926 – Shtator 1931, “Krala Petra” 136, Zemun-Jugosllavi. Shtator 1931 – Korrik 1933, “Opstinski Trg”, 22, Mitrovicë-Jugosllavi. Korrik 1933 – Shtator 1943, “Tirana e Re”, Tiranë-Shqipëri. Shtator 1943 – Qershor 1944, Rruga “Imperial”, Prizren-Shqipëri. Qershor 1944 – Nëntor 1944, “Grand Hotel”, Vjenë-Gjermani. Nëntor 1944 – Mars 1945, “Grand Hotel” Kitzbühl, Tirol-Gjermani. Prill 1945 – Maj 1945, Tisi, “Dorfstrasse Feldkirch”, Austri. Maj 1945 – Dhjetor 1947.
Datat e mësipërme përfshihen në Pyetësorin Paraprak dhe si zakonisht, i’u paraqitën nga APWR Konsullatës së Përgjithshme të Shteteve të Bashkuara në Napoli me 28 shkurt 1955. Sidoqoftë të dhënat e mësipërme, duke filluar nga maji 1948, nuk i përgjigjen realitetit. Një paraqitje e tillë jo e vërtetë e fakteve, gjatë intervistës sime të parë në zyrat e APWR në mars 1955, m’u imponua nga nevoja për të shmangur disa përgjigje evasive, që do të më duhej t’i jepja punonjësit të Konsullatës së Përgjithshme në Napoli, kur të më merrte në intervistë, si edhe përsa i përket disa udhëtimeve që kisha bërë në Bari, në Austri, Turqi, etj. etj., dhe në bashkëpunim me ju, e me SIOS.
Në fakt, gjatë intervistës, punonjësi i Konsullatës së Përgjithshme, zoti Boucher, më pyeti nëse kisha bashkëpunuar me Ambasadën ose Konsullatën gjatë qëndrimit tim në Stamboll, Romë apo gjetkë. Kësaj pyetjeje, i’u përgjigja se: isha ftuar nga ndihmës Konsulli amerikan në Stamboll, zoti Merill, për një bisedë dhe se unë nuk isha i autorizuar prej atyre me të cilët bashkëpunoja, që të përmendja emrat e tyre. Zoti Boucher, atëherë me tha se: këta njerëz mund të komunikonin me Konsullatën e Përgjithshme dhe me këtë rast më dha emrin e tij të plotë, të cilin jua dërgova juve”.
Shënimet biografike dhe notën përcjellëse, Deva i’a poston z. Roger me 5 maj, 1955. Ndërkohë, miku i tij tjetër, Ch. Hart, e kishte njoftuar në hollësi Ministrinë e Jashtme, Harit Derra 5. Damask – Siri, Dhjetor 1947 – Maj 1948, “Pendik Doly B”. Stamboll – Turqi. Maj 1948 – Tetor 1949, “Albergo” London, Romë Itali. Tetor 1949 – Mars 1955, mbi bashkëpunimin e Devës me Zyrën e Shërbimit Amerikan në Evropë.
Ministria në fjalë, kërkonte që bashkëpunimi i Devës me amerikanët, të mbetej brenda dosjeve sekrete te Zyrës së Shërbimit Amerikan, dhe zyra amerikane e Emigracionit të njoftohej, se Xhafer Deva plotësonte të gjitha kushtet për strehim politik në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në një tog letrash familjare te Devës, gjendën katër-pesë letra të zz. Roger dhe Hart, mbi këtë çështje. Vlen për t’u shënuar se, edhe disa nga vendbanimet e Devës, datat dhe vitet, që shihen në radhitjen e mësipërme, gjate viteve 1945 – 1953, nuk i përshtaten realitetit, por thjeshtë kërkesave për plotësimin e formaliteteve për emigrim ne SHBA.
Në vendbanimet e hershme, para dhe gjatë Luftës, Deva shënon vendbanimet, si mbas kohëve të pushtimeve të ndryshme, si p.sh: lindur në Mitrovicë të Kosovës, atëherë Turqi, atëherë Austri, atëherë Gjermani, atëherë Serbi ose Jugosllavi, etj. Për rregullimin e dokumenteve të emigrimit në Amerikë, Deva kryen formalitetet e një refugjati të thjeshtë politik. Garancinë e nevojshme për të hyrë në Amerikë, i’a kishte siguruar z. Roger me anën e një familjeje amerikane në Kaliforni.
Deva i shkruan familjes garantuese këtë letër: Të dashur zonja dhe zoti Hefeditz. Dëshiroj t’i referohem bisedës sime të fundit me mikun tim të dashur e të nderuar, zotin Hollingshead, kur ai me vuri në dijeni lidhur me gatishmërinë tuaj, për të më bërë mua garancinë e nevojshme që kërkon Departamenti i Shtetit, lidhur me imigrimin tim në Shtetet e Bashkuara.
Para së gjithash, dua të shpreh mirënjohjen time më të thellë, për gatishmërinë tuaj tepër bujare dhe më se njerëzore, të cilën unë dhe bashkëshortja ime, do ta vlerësojmë sa të kemi jetë. Shpresat tona mbështeten në faktin që ne do të dimë të japim prova lidhur me seriozitetin tonë dhe qëllimet tona të ndershme, për të mos ju shkaktuar juve, as më të voglin shqetësim kur të lejohemi të vendosemi në Shtetet e Bashkuara dhe shpresojmë pranë jush.
Zoti Hollingshead, pa dyshim që ju ka folur për gjendjen tonë të tanishme, e ndoshta deri diku edhe për të kaluarën tonë, kështu që ju mund të keni një ide se çfarë mund të bëjmë ne për të jetuar në Shtetet e Bashkuara. Megjithatë mendoj, se do të ishte mirë t’ju jepja disa shpjegime, jo për të kaluarën tonë, siç bëjnë shumë evropianë, por për gjendjen dhe aftësitë tona fizike dhe mendore, të cilat me sa mendojmë ne, merren në konsideratë dhe ofrojnë deri në njëfarë mase, garancinë që ne jemi dhe do të jemi në gjendje të nxjerrim bukën tonë dhe t’u krijojmë fëmijëve tanë mundësinë për t’u bërë të pavarur nga ne.
Familja ime përbëhet nga: Ime shoqe, me moshë 44 vjeç dhe unë, 51 vjeç. Ne kemi një vajzë, vajza e gruas, 19 vjeç, një djalë 14 vjeç e gjysmë, dhe një vajzë 12 vjeç e gjysmë. Gruaja ime jeton me dy fëmijët më të vegjël në Feldkrich-Vorarlberg, në Austri, kurse unë me vajzën e gruas, në Romë. Ajo banon dhe punon si guvernante e dy fëmijëve, në një familje të njohur. Fëmijët më të vegjël, ndjekin shkollën në Austri. Prandaj ne jetojmë me paratë e vëna mënjanë dhe mendojmë të jetojmë kështu, derisa të na lejojnë të emigrojmë.
Si mendojmë ta ndërtojmë jetën në Shtetet e Bashkuara? Unë vetë si njeri me përvojë nga fusha e tregtisë së lëndës drusore, sidomos përsa i përket anës teknike dhe komerciale të saj, shpresoj që, pavarësisht nga mosha, të familjarizohem dhe të lidhem me pyllin, të cilin e konsideroj si faktorin kryesor për ngritjen e një banese me shumë dyer anësore. Mendoj se i njoh mirë vlerat e kësaj dhuntie të perëndisë apo të natyrës dhe se do të kem guximin të përpiqem të filloj për herë të dytë në jetën time, me shtëpinë verore, për të cilën ju i shkruanit në letrën tuaj zotit Hollingshead.
Ime shoqe, nga përvoja e saj, do të jetë në gjendje të mbajë shtëpinë në kushtet e atjeshme, duke gatuar, qepur, pastruar, etj. Po qe e nevojshme dhe e mundur, ajo nuk do të kursehet t’i shtrijë aftësitë e saj modeste, duke punuar për të tjerët për të mirën e familjes. Vajza e madhe, ndoshta do të ketë mundësi të vazhdojë punën si guvernante familjesh, në ndonjë familje të mirë, në ndonjë qytet të afërt. Të vegjlit do të vazhdonin shkollën, me qëllim që të bëhen amerikan të mirë, për të mirën e tyre dhe të shoqërisë. Tre nga ne flasim anglisht, por jo anglishten amerikane.
Formalitete të emigracionit: Jam informuar nga Konsullata e Përgjithshme e Shteteve të Bashkuara në Napoli, që kërkesa ime është futur në listë në datën 24 dhjetor 1954, në bazë të dispozitave të ligjit të vitit 1953, mbi ndihmat për refugjatët. Hapa të tjerë në rastin tim, nuk mund të merren derisa Konsullata e Përgjithshme të ketë marrë garancinë e nevojshme nga Departamenti i Shtetit. Ky dokument përmban garancitë që jep një qytetar amerikan me banim në Shtetet e Bashkuara, për të na siguruar punë, banesë dhe ndihmë mua dhe gjithë familjes sime.
Për këto arsye mendoj se duhet t’ju jap emrat e plotë dhe hollësitë e nevojshme lidhur me familjen time: Xhafer I. Deva: Kryetar i familjes, lindur me 21 shkurt 1904 ne Mitrovicë të Kosovës, sot Jugosllavi. Oswalda Deva: Bashkëshortja ime, mbiemri i vajzërisë Huber, lindur me 29 tetor 1910 në Innsbruck të Austrisë. Gerlind Kaiser: Vajzë e gruas, lindur me 12 shtator 1935 në Innsbruck të Austrisë. Udo Kaiser: Djali i gruas, lindur me 4 tetor 1940 në Feldkrich të Austrisë. Burl Kaiser: Vajzë e gruas, lindur me 8 gusht 1942 në Feldkrich të Austrisë. Garancia duhet të përmbajë, veç emrave të plotë, punën që unë mendohet ta bëj atje dhe fitimet nga puna do të jenë të mjaftueshme për të mbajtur familjen. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016