Pjesa e dytë
Memorie.al / Pas viteve ’90-të, nga ish-funksionarët e lartë të PPSh-së që kishin qenë për vite me radhë bashkëpunëtorët më ngushtë të Enver Hoxhës dhe që më pas ishin dënuar prej tij, me burg apo internim, vetëm dy prej tyre, patën kurajën e guximin që të kërkonin ndjesë publike, për ata që ata kishin bërë kur shërbyen në detyra të larta në udhëheqjen e PPSh-së dhe për të denoncuar vijën politike të gabuar të saj, si dhe krimet e shumta të Enver Hoxhës, që nga krijimi i Partisë Komuniste Shqiptare, në nëntorin e vitit 1941, (kur ai erdhi në krye të saj), e deri në shembjen e regjimit komunist, në fillimin e vitit 1991.
Ata ishin; Bedri Spahiu, ish-anëtar i Byrosë Politike dhe sekretar për agjit-propin., i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste, deputet i Kuvendit Popullor e ministër i Arsimit, deri në 17 qershor të vitit 1955, (kur u shkarkua nga të gjitha funksionet partiake dhe shtetërore, i akuzuar si “antiparti dhe armik i popullit”, për të vuajtur më pas burgjeve dhe internimeve, deri në shembjen e regjimit komunist në vitin ’90-të) dhe Liri Belishova, ish-anëtare e Byrosë Politike dhe sekretare e Komitetit Qendror të PPSh-së, për propagandën, deri në vitin 1961, kur u shkarkua nga të gjitha funksionet partiake e shtetërore, e akuzuar si revizioniste, për të përfunduar në internim, deri në vitin 1991.
Ndërsa Liri Belishova, kërkoi ndjesë publike, pas vitit 2000, (në një intervistë të dhënë në emisionin ‘Opinion’ të gazetarit Bledi Fevziu në TV KLAN), Bedri Spahiu, e bëri atë gjë që në vitin 1991, me një shkrim të gjatë që publikoi në gazetën “Republika” (të drejtuar nga Ylli Rakipi dhe Lutfi Dervishi), në datën 6 qershor 1991, me titull: “Bedri Spahiu, revizionon Bedri Spahiun”.
Nga Bedri Spahiu
BEDRI SPAHIU, REVIZIONON BEDRI SPAHIUN
Një ditë udhëtoja nga Tirana për në urën e Farkës. Në të zbritur të rrugës së Farkës, has një grup fshatarësh që bisedonin të eksituar me njëri-tjetrin. I them shoferit të ndalet dhe zbres e qepem në vendin ku ishin ata. Pranë tyre në tokë, qe shtrirë një burrë i veshur me rroba ushtarake, pa grada dhe ngjante të ishte një oficer i vjetër i ushtrisë së Zogut. Afër trupit të të vdekurit, gjendej varri i zbrazur, dhe aty ku fillonte varri, një pellg gjaku i freskët.
“Vrisni sa të doni, por mos na përdhosni tokën tonë dhe mos na tmerroni fëmijët tanë”!- më tha një fshatar plak. Nga goja e tij, mora vesh se në tokat e tij, ishte varrosur trupi i personit të vrarë, të shtrirë përdhe. Lopa e fshatarit, duke kullotur kishte marre erën e gjakut të ngrohtë dhe kishte filluar të niste, siç bëjnë lopët në këto raste. Fshatari ishte afruar dhe gërmoi vendin ku ishte dheu i shkrifët, prej nga nxorën trupin e viktimës. Ne këto rrethana, çfarë mund të bënte Bedri Spahiu, që ishte në Prokurorinë e Përgjithshme, në këtë “rifugium pecatorum”? Urdhërova shoferin të kthente makinën dhe “fluturova”, drejt shtëpisë së Enver Hoxhës.
E gjeta Enverin ndanë zjarrit dhe i them i emocionuar, pa e përshëndetur: “Pa më tregoni, shoku Enver, sa kohë do të zgjas ky terrorizëm”?! Ai u zverdh dhe filloi të çokanisë me mashën e tij të gjatë zjarrin, që flakëronte në oxhakun e tij të bukur. U ktheva pa marrë as një përgjigje. Dola pa e përshëndetur, duke e lënë në të njëjtin pozicion. Ndan “Bllokut”, siç quhet sot, unë do ta quaja “Kremlini i Tiranës”, kulloste dhentë, Muhamet Karagjozi, një nga paria e madhe e qytetit të Gjirokastrës. Qenë dhëntë e fundit që i kishin mbetur, pas rekuizimeve të vazhdueshme e të zgjatura.
Ndeshet Enver Hoxha me këtë ish-aga dhe përqafohet me të, si me një mik të vjetër, përmallohet dhe nga sytë i dalin lot nga mallëngjimi. “Ku je, – i thotë Muhametit, na ndau revolucioni”. Ndërsa vazhdonte ta shtrëngonte në gji. Si t’ia vëmë emrin këtij takimi të mallëngjyeshëm me Muhamet Karagjozin?! E pra, ky qe Enver Hoxha, një artist i madh, i aftë të angazhohej me mjeshtëri në të gjitha skenat e, të dalë para publikut si përfaqësues autentik i çdo pjese, si ushtrues i çdo roli.
Vetëvrasja, konsiderohej dhe dënohej si një akt i turpshëm!
Ç’ishte në të vërtetë, vetëvrasja në atë kohë?
Ishte një protestë e individit kundër dhunës dhe sundimit diktatorial. U hap fjala se u vra Nako Spiru. Fjala në veshin tim, arriti në rrugët e thashethemeve dhe jo në rrugë zyrtare. Pyeta ku gjendej trupi i tij dhe për pak minuta u gjenda në dhomën e spitalit. Gjeta kirurgun dhe një grup gjermanësh (robër) me llërët e përveshura, gati për transfuzion gjaku, dhe Nesti Kerenxhin (zëvendësministër i Brendshëm), me Kristo Themelkon. E pashë të udhës t’i drejtohem Nakos: “Do të shërohesh, ke për të parë”. Ai ishte i plagosur në anë të zemrës, megjithatë unë besoja në atë që thashë.
Por ai, më hodhi një shikim plot kërcënim e përbuzje dhe më tha: “Jo, nuk do të shërohem dhe as dua të shërohem”, dhe humbi ndjenjat. U shkëputa nga kjo sallë e përmortshme dhe u ktheva në shtëpinë e Enverit. Hyra brenda, i pasuar nga Nesti Kerenxhi dhe Kristo Themelko. A ishte rastësi shkëputja e tyre nga shtrati i Nakos dhe ndjekja ime prej tyre, deri në dhomën e Enverit?! Këtë e dinë dy shokët në fjalë. Enverin e gjeta duke biseduar me Koçin, për çështje të ndryshme. Unë u ula në një kolltuk aty pranë dhe fillova të shprehja e të argumentoja dyshimet e mia, se Nako Spiru, nuk mund të kishte vrarë veten, por dikush e ka vrarë. “Ua, tha Koçi Xoxe, shiko ç’na nxjerr Prokurori i Përgjithshëm”?! “Sa të ketë nevojë vendi, për një Prokuror të Përgjithshëm, – ia ktheva, – do të ketë edhe variante të zbulimit të krimeve”.
… Një herë në shtëpinë e Enver Hoxhës, hasa në një dokument që ka mundësi të jetë lënë aty me qëllim, që ta lexoja unë. Aty jepeshin të gjitha përshëndetjet tona, drejtuar Dushan Mugoshës që po largohej nga Shqipëria. Përshëndetja ishte e thjeshtë, por plot eufori, për ndihmën e këtij militanti të vjetër të Partisë Komuniste. Përshëndetja e Nakos, ishte e një natyre tjetër. Ai hapte një çështje centrale të situatës, atë të biografisë së Enver Hoxhës dhe të rolit negativ të këtij intelektuali shqiptar, në zhvillimin e LANÇ (Luftës Antifashiste Nacional-çlirimtare) dhe në ndërtimin e vendit tonë. Përshëndetja e Nakos, për punën e Mugoshës në Shqipëri, zbulonte një të vërtetë të jetës shqiptare, sipas së cilës, diktatori nuk ishte ai që besohej të qe dhe që reklamohej në shtypin shqiptar. Vetëvrasja e Nakos, ishte një protestë ‘ala Nako Spiru’, kundër permanencës së një figure që ekzistonte në idealitetin e popullit tonë.
Enver Hoxha, ishte shndërruar në një idhull dhe jetonte në sajë të idiolatrisë së masave të popullit tonë. Asnjë nga udhëheqësit e asaj kohe, nuk do të mundte të jepte me një forcë vërtetësie, figurën autentike të Hoxhës. Më 1946, kur frymëmarrja e popullit tonë dukej se po shuhej, unë lëshova kushtrimin me një promemorie, të bërë në dy kopje, njërën prej të cilave, ia dërgova Enver Hoxhës dhe tjetrën Koçi Xoxes. “Kanë filluar, shkruaja, t’u marrin njerëzve edhe shtëpitë e tyre. Kështu ia morën një fshatari në Theth. Në Vasjar të Tepelenës, një tregtari i kanë marrë tërë plaçkat e dyqanit të tij, ndër to edhe 8 sapunë me erë. Mos vallë ky ishte qëllimi i reformës sonë”?!
Disa ditë pas kësaj promemorie, që mbeti e papërfillur nga Enveri e nga Koci, unë u dërgova një tjetër. “Është krijuar në vendin tone, një situatë e papërmbajtur në fushën e drejtësisë, shkruaja unë. Është Partia që gjykon e që merr vendime dhe jo gjyqet e Republikës. Kjo gjendje duhet të marrë fund sa më shpejt e ta kthejmë situatën në normalitet”. Dhe aty shpjegoja, si e mendoja unë rrugën, për t’ia arritur këtij qëllimi. Një ditë shkova tek shtëpia e Hoxhës, ku gjeta dhe Koçin. Po bisedonin. Kur unë u ula, Koçi tha si një vazhdim bisede të lënë përgjysmë, a më saktë, si ndërrim teme: “Të poshtër e të rrezikshëm janë këta priftërinjtë, të venë e të vënë armë në altarin e kishës…”! Enveri përgjigjet: “Ata bëjnë punën e tyre, derisa ne na mungon vigjilenca dhe i mbyllim sytë para tyre”. “Jo, jo, tha Koçi nuk iu ka munguar vigjilenca organeve të Sigurimit, përkundrazi, kanë qenë ata që e kanë zbuluar këtë krim të shëmtuar”.
Nga ky bisedim i të dyve, kuptova se ata donin të më mbushnin mendjen, jo për ekzistencën e një fakti, por të më bindur në vërtetësinë e një trillimi. Kur isha duke vuajtur dënimin tim 25-vjeçar, në Burgun e Ri të Tiranës, një miku im shkodran, i burgosur politik, më tregoi: “Më 1948 në Shkodër, është dënuar një grup antiparti, shumica e të cilëve ishin oficerë Sigurimi që kishin marrë pjesë më parë në arrestime e dënime njerëzish e, që dikur, ishin mërzitur nga këto teprime. Në gjyq, për ta u kërkuan dënime mesatare. Në pretencën e vetë, Prokurori i drejtohet Pjerin Kçirës: “Turp për ty, partizan, komunist, oficer, i vure njollë Partisë”.
Pjerini u ngrit dhe tha: “Për hir të asaj partie që thua ti, unë mbaj mbi ndërgjegje një njollë të madhe e një barrë të rëndë. Në filan natë, me udhëzim të Zoi Themelit, me çelësa false kemi hyrë në Kishën Françeskane të Gjuhadollit dhe kemi futur prapa altarëve armë, dokumente e, gjëra të tjera kompromentuese. Në mëngjes kemi rrethue vendin, kemi “zbulue” armët etj. Arrestuam shumë priftërinj françeskan, mjaft prej të cilëve edhe janë pushkatuar”. Pas kësaj deklarate, gjyqi u mbyll. Seancën tjetër kryetari e ngriti dënimin, në dënim me vdekje. Pjerini u pushkatua, për këtë dekonspirim.
Ndodhesha përsëri në shtëpinë e Enverit, në një nga ditët që zhvillohej Kongresi I-rë. Pas meje arriti, Mehmet Shehu, i cili, para se të ulej, nxori nga çanta e vetë një letër të daktilografuar dhe ia vendosi në tryezë Enverit. “Lexoje, i tha, dhe firmose”! Letra u vu në tavolinë në të tillë mënyrë, që të mund ta lexoja lirisht edhe unë, sigurisht kjo kishte qëllim. Ky ishte urdhër i Ministrisë së Brendshme, që u dërgohej Degëve të Sigurimit në rrethe, e që caktonte rregulla mbi përdorimin e torturave. Këtej e tutje, thoshte urdhri, nuk është e lejueshme tortura e të pandehurve, pa marrë më parë autorizimin e ministrit. Autorizohet! Sekretari Politik i Partisë, Enver Hoxha!
Kongresi I-rë ishte një ngjarje e madhe Në historinë e popullit tonë. Kurrë si atëherë, nuk u ngritën të munduarit e fatkeqit në luftë kundër mizorive të një barbarie obskurantiste, siç ishte Sigurimi i Shtetit. Hoxha i ngarkoi Koçi Xoxes, gjithçka të keqe e që kishte bërë Arma e Sigurimit. Në këto rrethana, kur punimet e Kongresit shkonin duke u mekur, në sajë të ndërhyrjes së turpshme të Enverit, akti i paraqitur nga Mehmeti, për të firmosur nga sekretari i Parë i Partisë e, që e shndërronte Kongresin I-rë, këtë eufori të kohës, në shumë zhurmë për asgjë, ishte tamam ajo, që unë duhej, për hakmarrje ndaj Enverit. Kur u dënova më 1958, në gjyqin tim, unë e paraqita Enver Hoxhën, si objekt të të gjitha fatkeqësive që i kishin ndodhur vendit tonë në vitet e socializmit, si përgjegjësin kryesor të këtyre dhe rehabilitova Koçi Xoxen.
I thashë Siri Çarçanit, Prokurorit të gjyqit, se; ishte e vërtetë që Koçi Xoxe kishte bërë të gjitha gabimet që i atribuoheshin, por ai nuk i ka pranuar asnjëherë akuzat që i janë bërë, pasi të gjitha ato gabime, ai ka bërë në marrëveshje dhe me Enverin. Ruaje, i thashë Siri Çarçanit, në sirtarin e tryezës tënde pretencën time, që po bën ti sot për Bedri Spahiun, pasi nuk do të jetë e largët dita, kur këto dy pretenca, historia do t’i flakë në koshin e plehrave. Pastaj vazhdova, duke i’u drejtuar trupit gjykues: “Kini parasysh se Prokurori, nuk është konsekuent me veten e tij. Ju, duhet ta refuzoni kërkesën e dënimit të Bedri Spahiut me 25 vjet heqje lirie dhe të vendosni dënimin e tij, me vdekje. Nëse ju vendosni dënimin tim me 25 vjet heqje lirie, kjo do të thotë se ju, nuk keni guximin të kapërceni kufijtë e një vendimi, që e keni në xhep, që është vendimi i Enverit, përderisa ai nuk më dënoi mua me vdekje, kjo do të thotë se pozita e tij, është dobësuar që nga dita që pushkatoi Liri Gegën dhe Dali Ndreun.
Dëshmitarja e akuzës në këtë gjyq, tha se unë e kisha njoftuar atë, mbi të gjitha të fshehtat e Partisë. Ndërhyra, duke pyetur këtë dëshmitare: “A i kam folur dëshmitares për faktin se në Plenumin e 8-të, Enver Hoxha, propozoi që të zgjidhej Mareshali Tito, si sekretar i Parë i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Shqiptare, e se Koçi Xoxe, kërcen përpjetë dhe i tha, duke i u drejtuar plenumit: “Ç’na propozon kështu Enveri? Ne s’kemi nevojë për sekretar të Parë.
Askush nuk ka shtruar zëvendësimin e Enverit, pra ai është dhe mbetet sekretari i Parë i Partisë. Përsa i përket propozimit për të vënë mareshalin Tito, sekretar të Partisë sonë, unë them se ky propozim, nuk ka vlerë nga ana parimore, se Partia jonë është e pavarur dhe si e tillë, nuk mund të zgjedhë një sekretar, që nuk është i Partisë sonë”. Në vitin 1959, kur Bedri Spahiun, e izoluan në një dhomë të një shtëpie të zakonshme, të periferisë së “Bllokut”, pa lajmëruan familjen, Hoxha në prani të disa anëtarëve të Byrosë Politike, i thotë një sovjetiku se, kishin arrestuar Bedri Spahiun, për disa dyshime që binin mbi të.
Sovjetiku ia ktheu se, kështu veprohej edhe në Bashkimin Sovjetik, në kohën e Stalinit, bile një anëtari të Komitetit Qendror, i shkonte koka për gjëra të tilla, por tani nuk ndodh më kështu. Nuk dënohet më një anëtar i Komitetit Qendror, vetëm pse dyshohet ose dha një mendim të ndryshëm. Shumë-shumë, vetëm mund të përjashtohet, në rast se faktohet për çka akuzohet. Tri ditë më pas, unë u lirova. Në këto rrethana, që krijoi ndërhyrja e këshilltarit sovjetik, kuptohet se nuk mund të ekzekutohesha, për çfarëdo akuze që të më bëhej.
Arrestimi im, ishte një ndalim “internim i izoluar”, siç quhej. Më mbanin në Kalanë e Kaninës në Vlorë. U desh protesta ime, drejtuar në tri kopje, kryetarit të Degës së Punëve të Brendshme Vlorë, Presidiumit të Kuvendit Popullor dhe Prokurorisë së Përgjithshme, që ta bënin Kadri Hazbiun, të ndryshonte opinionin dhe formën e atij burgu; “siu generis”, që kishte sajuar për mua. Shqipëria ishte katandisur, në një qendër dezinformacioni ndërkombëtar, të sovjetikëve.
Më kujtohet që një herë Enveri më dha një informatë, të marrë nga sovjetikë,t që t’ia jepja Thanas Nanos, për ta transmetuar. Atëherë isha sekretar i agjitacion-propagandës. Nuk mbaj mend përmbajtjen e informatës, por më kujtohet se qe fjala që ATSH, duhej të emetonte një lajm të marrë nga Zyrihu, për diçka që diku kishte ndodhur. Ia dhashë këtë informacion fals Thanas Nanos dhe ai e dha si informatë të vërtetë të ATSH-së, prej Zyrihut. Se sa të tilla informata ka dhënë ATSH-ja, gjoja të marra nga vende të ndryshme të Evropës, këtë e di vetë Thanas Nano.
Shqipëria nënë diktaturën e Enver Hoxhës
Shqipëria nënë diktaturën e Enver Hoxhës, u shndërrua sistematikisht, në një pashallëk të Moskës staliniane, në një Vojvodinë dhe bregdeti i saj, në një fushë minash për provokacionin e Titos. Unë përshëndes këtë vendim dhe jam gati të dëshmoj sot, drejtësinë e një vendimi të tillë, në qoftë se është nevoja. Propaganda e Enver Hoxhës, ka këmbëngulur vazhdimisht se; shqiptarët nuk i kanë vendosur minat. Kjo është e vërtet, sepse minat nuk mund të t’i vinin shqiptarët, pasi nuk kishin nga ato, por i vunë jugosllavët, me pëlqimin e Enver Hoxhës.
Çështja e minave, ka qenë një sekret shtetëror për ne dhe unë mund të akuzohem nga enveristët, se sot po shkel këtë sekret. Por unë sot, kam vendosur të shkel çdo sekret shtetëror të diktaturës dhe e ndiej këtë detyrë, të qytetarit të çliruar, nga të gjitha vargonjtë e diktaturës enveriane. Dihet se arkivat kanë një rëndësi kapitale, për historinë e çdo populli. Të shpërdorosh në çdo mënyrë arkivat, është krimi më i madh që mund t’i bësh një kombi. Gjithë opozita përballohet sot, sikurse edhe dje, me kultin e Enverit.
Unë mendoj se ajo, do të vazhdojë gjithnjë të përballohet me këtë kult, sepse në qoftë se nuk hapen e nuk vihen në dispozicion të të gjithë popullit, materialet e arkivave të shtetit, të Partisë, e sidomos të organeve të Sigurimit, në qoftë se nuk formohet ndërgjegjja e popullit, mbi bazën e dokumenteve burimore e, fakteve të realitetit enverist, atëherë ky Enver i diskretituar, do të paraqitet nga simpatizantët e tij, sado të pakët, si viktimë e demokracisë, dhe kufiri i tolerances, do të kapërcehet në dëm të çështjes së demokracisë. Enver Hoxha, ky “teoricien” i madh i njeriut të ri shqiptar, ky partizan i zjarrtë i purifikimit të njerëzve nëpërmjet autokritikës, ky organizator i shpërnguljes së kuadrit për në bazë, si kusht i domosdoshëm, që kuadri të gjallërohet, pastrohet, frymëzohet e burokratizohet nga fryma e shëndoshë e klasës punëtore, ishte po ai që kemi njohur të gjithë në praktikë, një demagogë i madh, një mashtrues po aq i madh, një falsifikator i historisë. Të vazhdosh të mbrosh Enverin, do të thotë të mbrosh bëmat e tij, të marrësh përsipër të zezat e tij.
Roli i personaliteteve, në krye të pushtetit shtetëror
Përsa i përket rolit të personaliteteve në krye të pushtetit shtetëror, unë kam arritur në të njëjtat konkluzione që ka arritur Shileri. Çdo udhëheqës pushteti, sado i mirë që të jetë, do të shndërrohet në diktator, nëse i jepet pushtet i pakufizuar. Enver Hoxhës ia dhamë ne, shokët e tij, dhe këtu përgjegjësia jonë, është e plotë. Përsa i përket konceptit të lirisë, unë bashkohem me mendimin e Engelsit, se liria është e drejta e informacionit të lirë, se vetëm informacioni i lire, formon atë ndërgjegje, mbi të cilën ngrihet demokracia.
Përsa i përket sundimit diktatorial të Hoxhës, unë konkludoj se; asnjë kult personi të Enver Hoxhës, nuk do të ishte i mundur, nëse nuk do mbështetej në cilësinë e popullit, që ta ekzaltojë dhe në idolatrinë e vetë. Çdo popull i vogël apo i madh qoftë, ka në natyrën e vetë, që të ekzaltojë udhëheqësit e vetë, qoftë popull i qytetëruar, apo jo. Vetëm në fushën e kardinalizimit të pushtetit, rezulton se demokracia dhe absolutizmi, forma e regjimeve të prapambetura, se demokracia dhe absolutizmi, janë regjime tipike kauzave, d.m.th., të atillë që janë të destinuar të jetojnë gjatë, ose të zëvendësohen shpejt.
Kongresistë!
Qofshi komunistë me tesera të dorëzuara, qofshi komunistë me tesera në xhep, qofshi kundërshtarë të orëve të para të diktaturës së Hoxhës, unë ju përshëndes të gjithëve, si pjesëtarë i lëvizjes demokratike në Shqipëri, por unë jam armiku më i tërbuar dhe më i papërmbajtshëm, me diktaturën e Hoxhës e me atë vetë. Jam sot, po ai rebeli i djeshëm i Labërisë, që ngriti popullin në këmbë, e asaj Labërie, në tërë zonën Vlorë-Gjirokastër-Mallakastër, armik i përjetshëm i çdo lloj diktature.
Si i tillë, kam jetuar tërë jetën time e, si i tillë jam persekutuar nga të gjitha regjimet në Shqipëri. Tani që lëvizja demokratike në Shqipëri, është në hapat e para, partizanët e saj, flasin për një komb e përjashtojnë nga ky komb të drejtën kombëtare të ballistëve, legalistëve apo të zogistëve, për të qenë pjesëtar të kësaj demokracie, të drejtën e këtyre shqiptarëve, të kthehen në Atdheun e tyre, të shfaqin botëkuptimin e tyre lirisht dhe të kenë të drejtën t’i kërkojnë popullit shqiptar pushtetin, në zgjedhjet e lira.
Demokracia juaj, është vetëm demokraci, për ata që jetojnë në Shqipëri, brenda kufijve të vendit, pra është gjysmake. Demokracia që kërkon bota nga ne dhe interesi i vetë kombit, është demokracia e plotë e të gjithë shqiptarëve, brenda dhe jashtë atdheut. Unë nuk besoj se KSBE-ja, do ta pranoj këtë demokraci të cunguar në gjirin e vetë, e nuk besoj se Evropa e sotme, e ngritur në këtë shkallë, të denjojë të ulet në tryezën e rrumbullakët, me partnerë si Shqipëria e sotme e, në qoftë se e bën këtë, kjo do të jetë fillimi i mbarimit të Evropës së re. Unë e di se, shumë nga komunistët dhe nga opozita, do të jenë kundër pretendimit të një demokracie të tillë, për tërë shqiptarët, për tërë kombin tonë; nëse ne nuk përdorim epitet e vjetra të Enver Hoxhës, do t’i quajmë këto pretendime, si inoportunitete politike.
Por unë, dal nga burgjet e errëta të regjimit enverian, dhe jam shumë i preokupuar të them të vërtetat e asaj, që do të vijë (ashtu si mendoj unë), se sa të vërtetat e sotme). Ju mund të thoni se unë, mund të dua një demokraci edhe për kundërshtarët e mi, të djeshëm. Unë do thosha diçka më tepër. Bedri Spahiu, është kthyer në kristianizëm dhe predikon teorinë e Krishtit, po, po, të Muhametit, të Budës e të filozofisë fetare, të gjithë njerëzimit. I tillë është Bedri Spahiu, që ka vuajtur mizoritë e diktaturës komuniste, diktaturës më të egër, që ka parë toka shqiptare në historinë e saj.
Kush ishte Bedri Spahiu?
Ka lindur më 13 korrik 1908, në lagjen “Palorto” të qytetit të Gjirokastrës. Gjatë fëmijërisë, gjendja ekonomike e familjes së tij ishte shumë e rëndë. Babai i tij, Sinani, shkoi në kurbet (në Turqi) me shpresë për t’u mëkëmbur. Gjatë kësaj kohe, Bedri Spahiu ishte në shkollën fillore dhe deri më 1923, mbaroi filloren me nota të shkëlqyera. Në pamundësi ekonomike për të vazhduar ato klasa që i mbeteshin, si dhe gjimnazin, më 16 maj 1923, u nis për Izmir, ku ndodhej edhe babai, me shpresë për të vazhduar shkollën. Mbaroi shkollën fillore italiane në Stamboll dhe mori dëftesën e lirimit.
Periudha e jetës së tij me idetë komuniste, siç e ndan vetë, përbëhet nga tri faza, e para prej të cilave, filloi në shtatorin e 1927-ës dhe mbaron në gusht 1931 (në shkollën e artilerisë). Në këtë fazë aktiviteti i tij është propaganda komuniste në shkollë. Faza e dytë, fillon në gusht 1931 (në ushtrinë e Zogut), deri në tetor 1941. Kur u formua Shtabi i Përgjithshëm, ai zgjidhet anëtar i këtij Shtabi. Në Berat, u zgjodh anëtar i Byrosë Politike dhe me këtë funksion, ishte deri në 17 qershor 1955. Arrestohet, sapo kaloi derën e sallës ku bëhej plenumi i Komitetit Qendror të PPSh-së, më 17 qershor 1955 dhe izolohet për pesë ditë, në një shtëpi. Kjo erdhi si pasojë e luftës së tij të gjatë, kundër politikës së Enver Hoxhës. Mbas 15 ditësh, më 23 qershor 1955, internohet familjarisht në Elbasan.
Më 1 qershor 1957, arrestohet dhe izolohet në Kalanë e Kaninës në Vlorë, prej ku transferohet në 4 janar 1958, për Tiranë. U dënua me 25 vjet. Në 6 tetor 1974, lirohet nga burgu dhe internohet drejt e në Selenicë. Lirohet nga internimi më 10 maj 1990, ditën kur u shpërnda Komisioni i Internim – Dëbimeve. Bedri Spahiu, ka qenë Prokuror në Gjyqin Special, Prokuror në gjyqin e Koçi Xoxes dhe sekretar i Komitetit Qendror për Agjitacion-Propagandës, pastaj ministër i Arsimit dhe Kulturës, deri në kohën e Plenumit të vitit 1955. Bedri Spahiu, vdiq më 11 janar 1998 në Tiranë. Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016