Nga Haxhi Ademi
Memorie.al / Qamil F. Hoxha, u lind më 2 tetor 1919 në Gjakovë dhe ai rrjedh nga një familje e varfër e ndershme dhe me tradita atdhedashurie. Ishte i pasionuar për t’u arsimuar në gjuhën shqipe, edhe pse u shkollua në gjuhen serbe, në shkollimin katër klasash (Kosova në këtë periudhë ishte nën robërinë e Mbretërisë Jugosllave, serbo-kroate-sllovene). Dëshira dhe vullneti për t’u arsimuar në gjuhën shqipe, e shtyu Qamil Hoxhën që në moshën rinore, të kaloj kufirin ilegalisht dhe të vendoset në Krumë të Hasit. Si shumë bashkëvendës të tij, ai vendoset në konviktin “Kosova”, ku rritet dhe edukohet nën kujdesin e shumë mësuesve kosovarë, që atëbotë ishin edukatorë dhe pedagogë, si: Ibrahim Koli, Beqir Kastrati dhe shumë tjerë.
Po ashtu gjatë qëndrimi në Shqipëri, ai takohej shpesh me Asim Vokshin meqë e kishte djalë të hallës. Shkollën e Meseme Teknike Bujqësore, Qamil Hoxha e vazhdoi në Golem të Kavajës, të cilën e mbaroi me shumë sukses. Gjatë periudhës së shkollimit në shkollën e mesme përveç studimit në lëndët obligative, ai lexonte edhe libra me përmbajtje politike, atëherë rreptësisht të ndaluara. Andaj shumë i ri filloj të inkuadrohet në jetën politike të kohës. Për më tepër ai ishte ndër organizatorët e shquar të protestës që bënin nxënësit dhe shkollarët tjerë, kundër padrejtësive.
I frymëzuar dhe i brumosur me ide patriotike dhe progresive, okupimin e Shqipërisë nga Italia fashiste më 7 prill 1939, Qamili e përjetoj një goditje të rëndë, për tërë kombin shqiptar. Në këtë periudhë kohore, u organizuan protesta të shumta në të gjithë Shqipërinë, kundër sulmit të Musolinit dhe qeverisë Italiane. Meqë Qamili ndodhej në Tiranë, së bashku me një grup të rinjsh, mbushnin thasët me libra, nga Biblioteka Mbretërore, të cilat i shpërndanin nëpër shtëpi private, duke porositur që t’i ruanin si sytë e ballit.
Në mesin e muajit prill të vitit 1939, Qamili bashkë më një grup kosovarësh, rreth 150 veta, që ishin shkolluar në vise të ndryshme të Shqipërisë, vendosën që të largoheshin nga Shqipëria. Kështu, Qamili caktohet të jetojë në një periudhë kohore në Smederevë. Gjatë qëndrimit të tij në Smederevë, Qamil Hoxha ka mbajtur lidhje të vazhdueshme me familje e tij, ngase për këtë fakt, dëshmon letra e datës 27 tetor 1939, kur i shkruante të motrës, Makbules: “Ti duhet të jesh kryelartë, unë jetën nuk ja kushtoj askujt, përveç atdheut…”!
Kur gjermanët pushtuan Jugosllavinë, më 6 prill 1941, Qamili së bashku më Ibrahimin, ndodheshin në Smederevë, mirëpo ata u detyruan të largoheshin nga ky vend, të cilët më pas u nisen për Kosovë. Me të arritur në Kosovë, Qamili vendoset me familje, në qytetin e Gjakovës.
Transferimi në Drenicë
Nga fundi i muajit prill 1941, Qamil Hoxha emërohet agronom teknik bujqësor dhe drejtor i fidanishtes shtetërore, në Skivjanë. Mirëpo, nga gushti i vitit 1941, atë e transferojnë në Skenderaj. Këtu u zgjodh drejtor dhe teknik bujqësor i Fidanishtes Shtetërore dhe këshillëdhënës bujqësor, nëpër fshatra. Mund të themi se Qamili, ishte njëri ndër organizatorët e parë antifashistë të këtij territori. Këtu, ai filloi veprimtarinë dhe aktivitetet politike, ku vlen të përmendim vënien e kontakteve të para, me Nexhip Shalën, shefin e Drejtoratit për Financa, që shënon një etapë të re të aktivitetit të tij politik.
Pse u vra Qamil F. Hoxha?
Përse nga të gjithë udhëheqësit e Luftës Nacional-Çlirimtare, Qamil Hoxha u zgjodh të jetë kurbani i parë, në altarin e lirisë, pas largimit të pushtuesve italian?! Kjo për faktin se veprimtaria e tij patriotike, dhe këmbëngulësia, binin ndesh me interesat e kundërshtarëve të tij. Kështu, më 6 janar 1945 në Skënderaj, para sheshit të Këshillit të Rrethit, u mbajt një tubim i madh i popullsisë së Drenicës, si dhe ushtarakëve të njësive të stacionuara në Skenderaj.
Në këtë tubim morën pjesë edhe personalitete të ndryshme shtetërore dhe partiake. Vlen të theksojmë këtu, pjesëmarrjen e Brigadës së Drinicës, me udhëheqësin e saj, Shaban Polluzhën.
Tubimin e hapi ish-delegati në Konferencën e Bujanit, (nga Drenica) Halil Haxhiaj.
I pari që foli në këtë tubim, pa dyshim që ishte Ali Shukriu, i deleguar nga Shtabi Operativ i Kosovës dhe Metohisë, i cili u mundua ta bindë Shaban Polluzhen, që më brigadën e vet, sa më parë të nisej për në Podujevë, Kurshumli dhe në Frontinë e Sremit. Në këtë fjalim, Shukriu shkoj edhe më tej, duke kërcënuar popullatën e Drenicës, se të gjithë ata që kanë bërë krime, do ta vuajnë dënimin, dikush me burg dhe dikush me kokë.
Në këtë takim, fjalën e mori edhe Qami Hoxha, e cila më pas i kushtoi me kokë. Në fjalimin e tij ai tha: “Vëllezër dhe motra shok dhe shoqe, populli i Kosovës dhe në veçanti ai i Drenicës, me kohë i ka kuptuar qëllimet e Lëvizjes Antifashiste Nacional-çlirimtare dhe në çdo mënyrë, i ka ndihmuar aktivitetet tona të
Lëvizjes”, dhe më pas ai shton; “ne jemi në tokën e Drenicës, ku bukës i thonë bukë dhe ujit, i thonë ujë. Nuk do të lejojmë që shqiptarët e Drenicës, të përdorën si mish për top për interesa të huaja”.
Më tej thotë se; “Drenica nuk ka bijë dhe bija t’i dërgojë jashtë Kosovës”. Pas fjalimit të Qamili Hoxhës, Ali Shukria urdhëroi arrestimin dhe sjelljen e tij, në drejtorinë e OZN-së, ku Aliu kishte shtabin e vet. Për Shaban Polluzhën, fjalimi i Qamilit ishte me vend dhe mjaftë i drejtë, por për armiqtë e tyre, kjo ishte e papranueshme. Andaj Qamili u detyrua të paraqitet në OZN-a, ku Aliu e mbajti deri në gjysëm të natës, duke i bërë dhunë psikologjike dhe fizike, që arritën të alivanosin atë.
Për më tepër, ata e dërguan në afërsi te lumit Klina, ku më 6 janar 1954, në prani të Ali Shukriut, Kërsta Filipoviqit – Grofi, të udhëheqësit të OZN-së, pa gjyq e pa shenjë, e pushkatojnë. Po në këtë pasdite, kur burgoset Qamil Hoxha, Shtabi Operativ i Kosovës, urdhëron Shaban Polluzhën, me Sshtabin dhe Brigadën e Drenicës, të niseshin sa më parë për Mitrovicë, se të nesërmen, më 7 janar, duhet të marrin pjesë në një mbledhje, që do t’i kushtohej riorganizimit të kësaj brigade, në kuadër të Brigadës së VII-të kosovare.
Në atë mbledhje është paraparë që të jenë dhe Miladin Popoviç, Fadil Hoxha dhe të tjerë. Shaban Polluzha kishte arritur në orën 10:00 në Mitrovicë, por kjo mbledhje nuk u mbajt, me motivacionin se; “mungonin ata të cilët kishin thënë se do të vijnë”.
Sipas një letre të nënshkruar nga Fadi Hoxha, dërguara më datë 12 janar 1945 në shtabin e brigadës së Drenicës me seli në fshatin Makerrmal, njoftohet Shaban Polluzha se më datë 14 janar, në ora 12:00, të vijnë në Skënderaj me një repart të brigadës së vet, për të biseduar me Fadil Hoxhën, Kërsta Filipoviçin, Xhafer Vokshin, Sadik Tafashikun e, disa te tjerë, rreth statusit dhe ardhmërisë së Brigadës së Drenicës.
Gjatë këtij takimi, Fadil Hoxha i kërkoi Shaban Polluzhës, që sa më parë të niseshin për në Podujevë, e më së largu deri më 21 janar 1945, të jenë atje, sepse atje po pret komandanti i Brigadës VII-të kosovare, Shaban Haxhia (Demalia) dhe komisari politik, Qamil Brovina, ku prej aty, më pas të vazhdonin rrugën për në Krushumli, pastaj drejtë në front të Sremit.
Në këtë mbledhje, Shaban Polluzha ndër të tjera shtroi pyetjen: “Pse ishte vrarë komandanti i Komandës së vendit, në Skënderaj, Halil Haxhia, (pjesëmarrësi në Konferencën e Bujanit), Halil Bajraktari, Mullah Brahimi, Rexhep Vojvoda, Bajram Dërguti, Sadik Zeneli, si dhe patrioti e intelektuali Qamil Hoxha e, shumë të tjerë nga paria e Drenicës”?!
Këtyre pyetjeve, Fadil Hoxha i’u përgjigj me këto fjalë: “Mixha Shaban, sa u përket burgosjeve dhe vrasjeve që ju theksuat, nuk jam i informuar, por po ua jap besën, se do t’i bëjmë të gjitha hetimet e nevojshme dhe nëse gjendet fajtori, ai do të merret dhe do të paguaj për këtë”. Mirëpo, sipas vllaut të Qamil Hoxhës, Shaniut, as edhe një rast nuk është zbuluar dhe se askush nuk e ka marrë dënimin e merituar, për këtë vrasje.
Edhe Kërsta Filipoviç- Grofi, asgjë inkurajuese nuk tha, përveç që shprehu pabesi, në forcat e njësive ushtarake serbe, etj., Në anën tjetër, Fadil Hoxha, duke iu përgjigjur Xhafer Vokshit, se: “Si është bërë vrasja e Qamil Hoxhës, udhëheqësit të parë të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare në Drenicë”, ndër të tjera tha se: “këtë të keqe, e ka bërë Ali Shkriu, pra ai e kreu këtë vrasje”.
Më 21 janar 1945, Brigada e Drenicës kishte arritur në Podujevë. Luftëtarët e kësaj brigade, nuk u lejuan që të shpërndaheshin në repartet e Brigadës VII-të kosovare, por do të jetë brigadë në vete dhe e plotë. Për t’i dërguar ushtarët e Brigadës së Drenicës, në Krushumli, u mbajtën disa takime, në mes të përfaqësuesve të Shtabit Operativ dhe Shtabit të Brigadës së Drenices, me qëllim që këta të fundit, të niseshin sa më parë për në front.
Shaban Polluzha, refuzoi që të shkonte në front, ngase ishte shkelur marrëveshja e 14 janarit. Për këtë veprim, përfaqësuesit e Shtabit Operativ, urdhëruan që të çarmatoset Brigada e Drenicës, por kjo nuk u arrit.
Më datë 24 janar 1945, u morën vesh se rreth orës 12:00, forcat ushtarake të Shaban Polluzhës, çanë rrethimin dhe pastaj kaluan rrugën Prishtinë – Mitrovicë, duke u kthyer forcat e Brigadës XXVI-të, kaluan në terrenin e Bjeshkëve te Çiçavicës në Drenicë dhe u përqendruan në Drenicë.
Kështu, Shaban Polluzha refuzoj që të shkonte në frontin e Sremit, por u kthye në Drenicë, për të mbrojtur popullin e trojet e veta. Ai i ndenji besnik dhe nuk i la vetëm shokët e idealit e, luftëtarin e lirisë, që e pushkatuan në fshehtësi, Qamil Hoxhën.
Qamil F. Hoxha, nuk i është lënë harresës së historisë
Gjatë vitit 1974, kur në Kosovë filloi një lloj liberalizimi politik, fillojnë të shkruajnë dhe të flasin pak dhe për Qamil Hoxhën, të cilat nuk u ndalën, deri në ditët tona. Vlen të përmendim këtu, historianët; Dr. Hakif Bajrami, Sabile Keçmezi-Basha, Shani Hoxha, etj., të cilët me punën e tyre, hodhën në dritë veprimtarinë e këtij kolosi.
Për më tepër, në shenjë respekti dhe nderimi, për luftën dhe veprimtarinë e tij patriotike në Drenicë, i kanë ngritur pllakë përkujtimore, në qendër të Skenderajt, konkretisht në afërsi të shtatores së Adem Jasharit, ndërsa në Prishtinë dhe në vendlindjen e tij, në Gjakovë, janë emëruar rrugë, me emrin “Qamil Hoxha”. Memorie.al