Nga Frank Shkreli
Memorie.al / “A ka mbet ndonjë shqiptar gjallë, që të mbrojë nderin e shqiptarit”!? Ishte kjo thirrja për solidaritet, e cila ndezi revoltën e Spaçit. 21 Maji, 2023, shënon 50-vjetorin e Revoltës Anti-Komuniste, në njërin prej burgjeve më të tmerrshme të regjimit komunist të Enver Hoxhës, në Spaç, një revoltë që ka filluar (me 21 Maj, 1973) dhe zgjatur 3 ditë rresht. Në librin e tij, “Rrno vetëm për me tregue”, At Zef Pllumi françeskani i madh shqiptar, i cili vuajti vet dënimin në burgjet e Enver Hoxhës, përfshi Spaçin, e ka kujtuar kështu burgun e Spaçit pas revoltës anti-komuniste të burgosurve kundërshtarë të regjimit enverist: “Në kamp gjeta shumë të burgosun, që i kishin pru aty mbas revoltës së Spaçit. Prej tyre mora vesh se, ishin pushkatue; Pal Zefi, Skënder Daja, Dervish Bejko e Hajri Pashaj. Revolta e Spaçit, duhet të renditet në historinë tonë kombëtare, si të gjitha revoltat e skllevërve që kërkuan lirinë, edhe pse nuk ia duelën me fitue. Këta katër dëshmorë, kjenë të parët heronj që, mbas gadi dhetë vjet robnie, zgjuen e ndezën idealin e lirisë në këtë popull të shtypun, që kishte humbë çdo shpresë nga kultivimi i servilizmit ndaj tiranit”.
At Zef Pllumi, vazhdon tregimin, se si kishte filluar revolta në Spaç, sipas të dhënave të shokëve të tij, të cilët i kishte takuar në burg: “Me 21 maj, Pal Zefi, nji i dënuem në birucë, përfitoi nga pakujdesi i policëve që e kishin lanë derën pa çelës, e duel jashtë; mandej hini në kamp, u ngjit mbi tarracën e mensës, që shërbente si oborr. Dy policë u kujtuen për shkeljen e rregullores nga Pali, hinë në kamp, u ngjitën në tarracë, e kapën Palin për krahi, por ai rezistoi. Nuk donte kurrsesi me u kthye në birucë. Atëhere, të dy policët filluen me e rrahë tmerrësisht, në sy të të gjithëve. Pali lëshoi kushtrimin: “A ka mbetë ndonjë shqiptar gjallë që të mbrojë nderin e shqiptarit”! Pas asaj thirrjeje dëshpëruese nga Pal Zefi, për liri, demokraci dhe për dinjitet e moral njerëzor, At Zef Pllumi, ka kujtuar kështu fillimin e revoltës anti-komuniste, 50-vjetë më parë:
“Është çue në kambë Paulin Vata dhe Paulo Popa, që të dy nga rrethinat e Shkodrës. Këta i paralizuan policët dhe morën në mbrojtje Pal Zefin. Me atë rast, të burgosurit anti-komunistë shpalosën, në tarracën e burgut, një flamur të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, pa yllin komunist, duke kënduar dhe duke hedhur parulla kundër diktaturës enveriste. Siç mund të merret me mend, revolta u shtyp me dhunë e gjak”, ka shkruar At Zef Pllumi. Përfundimi tragjik i shtypjes së revoltës, ishte: 4 nga të burgosurit janë dënuar me pushkatim, 8 të burgosur janë ri-dënuar me 25 vjet shtesë, 70 të tjerë, janë arrestuar dhe rigjykuar. Katër prej tyre, e paguan revoltën me jetë: Skënder Daja, Pal Zefi, Dervish Bejko dhe Hajro Pashai.
Prandaj, 21 Maji, 2023, dita e revoltës anti-komuniste në Spaç – dita e vrasjeve dhe e terrorit, sigurisht që duhet të jetë për të gjithë një ditë kujtese, por edhe një ditë reflektimi për secilin. Ata u vranë në mbrojtje të dinjitetit të tyre njerëzor, njerëz të thjeshtë që dëshironin lirinë dhe të drejtat e tyre bazë të njeriut. Në këtë 50-vjetor, e gjithë shoqëria shqiptare, shteti dhe qeveria, do duhej të reflektonin seriozisht për krimet e regjimit komunist të Enver Hoxhës, për viktimat e revoltës anti-komuniste në Spaç dhe për mijëra viktima të tjera të pafajshme të regjimit komunist, në kampet e përqendrimit, anë e mbanë Shqipërisë, për pothuaj gjysëm shekulli komunizëm. Dëshironi të bindeni për dështimet fatale dhe për krimet barbare të komunizmit ndër shqiptarët, në këtë 50-vjetor, shkoni në Spaç e shikoni për veten tuaj dhe reflektoni. Por jo vetëm në Spaç.
Nostalgjikëve modestë të komunizmit të Enver Hoxhës por edhe mbështetësve të tyre ndërkombëtarë, të cilët ende dëshirojnë të na bindin se jeta e shqiptarëve nuk ishte aq e keqe nën komunizëm dhe se komunizmi ishte në anën e duhur të historisë — unë u bëjë thirrje që; të shkojnë e të vizitojnë Spaçin në këtë 50-vjetor dhe para Kombit shqiptar dhe botës, t’i përgjigjen kushtrimit të Pal Zefit nëse; “ka mbet ndonjë shqiptar gjallë që të mbrojë nderin e shqiptarit”!? – duke marrë vendime dhe masa konkrete zyrtare, që tregojnë se po ka ende shqiptarë që mbrojnë nderin e shqiptarit, qoftë edhe 50-vjet më vonë!
Ishte aty në Spaç, në vendin e krimeve, abuzimeve dhe vuajtjeve të tmerrshme të shkaktuara nga shqiptarët kundër shqiptarëve, ku për herë të pare, u hoq ylli komunist nga flamuri kombëtar i Gjergj Kastriotit-Skenderbe. Ka shumë njerëz që thonë se, shqiptarët nuk rezistuan kundër regjimit kriminal të Enver Hoxhës. Unë nuk besoj se mund të thuhet se; shqiptarët nuk e rezistuan komunizmin! Dëshmojnë ndryshe, Revolta e Spaçit dhe Qafë Barit, por ka pasur edhe të tjera. Me dhjetëra mijëra revolta shqiptarësh individualë gjatë pothuaj gjysmë shekulli komunizëm, që përballoheshin me një regjim kriminal, i cili për një fjalë goje dënonte shqiptarët e pafajshëm, gjyq e pa gjyq, duke i dërguar në dhjetëra burgje e kampe të punës anë e mbanë Shqipërisë, vetëm se kundërshtonin regjimin komunist të Hoxhës dhe se aspironin një Shqipëri ndryshe, të lirë dhe demokratike, pro-perëndimore. Burgjet dhe kampet, ishin plot e përplot me shqiptarë të tillë anti-komunistë, deri në ditët e fundit të atij regjimi.
Kështu që, nuk ka munguar rezistenca dhe si pasojë, as viktimat e komunizmit, heronjtë e demokracisë në Shqipëri, siç ishin ata të Spaçit. Ajo që ka munguar në këto tre dekada “post-komunizëm” është, kujtimi i vërtetë i këtyre viktimave të pafajshme të diktaturës komuniste, nga mbarë klasa politike shqiptare, pa dallim, ashtu siç kanë bërë ish-vendet komuniste evropiane. Urojmë që ky 50-vjetor i Revoltës Anti-komuniste të Spaçit, të kujtohet me nderime dhe respekt për të gjithë heronjtë e kombit që dhanë jetën e tyre për të vërtetën historike, për një Shqipëri të lirë e demokratike, pro-perëndimore. Në lidhje me këtë 50-vjetor, të pakën deri tani, është njoftuar se do mbahen dy ceremoni për të kujtuar revoltën e Spaçit.
Të Mbijetuarit e diktaturës, pjesëmarrës të Revoltës Antikomuniste të Spaçit dhe “Unioni Mbarëkombëtar i Integrimit të Burgosurve e të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë”, me pjesëmarrjen dhe kujdesin e Shkëlqesisë së tij Presidentit të Republikës, Zotit Bajram Begaj, do zhvillojnë ceremoninë e përkujtimit në kampin shfarosës të Spaçit me 21 Maj, 2023, ora 11:00 para dite. Ndërkohë, është njoftuar se, me 19 Maj 2023, në orën 10:30 para dite, në Selinë qendrore te Partisë Demokratike, Tiranë, do mbahet gjithashtu një ceremoni përkujtimore, kushtuar 50-vjetorit të Revoltës në burgun e Spaçit.
Shumë mirë që të pakën, kujtohet ky përvjetor i hidhët i historisë së krimeve të komunizmit në Shqipëri. Por duhet bërë më shumë, në lidhje me denoncimin e krimeve të komunizmit, në përputhje me vendimet ish-komuniste evropiane, sot aleate të Shqipërisë në NATO. Vazhdimisht, kam shprehur dyshimet e mia serioze për angazhimin e autoriteteve shqiptare për t’u përballur me të kaluarën komuniste. Edhe në qoftë se është bërë sadopak në këtë fushë, zakonisht, ka qenë rezultat i trysnisë dhe interesimit të të huajve, sidomos ambasadës gjermane dhe asaj suedeze në Tiranë dhe jo rezultat i dëshirës së klasës politike shqiptare, “post-komuniste”, për të zbardhur krimet e komunizmit në Shqipëri dhe për t’u distancuar njëherë e mirë nga periudha vëllavrasëse komuniste.
Faji për këtë, u mbetet të dera autoriteteve shqiptare të të gjitha qeverive të këtyre 30-viteve. Thjeshtë dhe qartë, autoritetet shqiptare të periudhës së të ashtuquajtur tranzicion, nuk kanë treguar asnjëherë seriozitetin e duhur dhe të nevojshëm, për t’u përballur me të kaluarën komuniste dhe me krimet e atij regjimi, pasojat e të cilit, shihen edhe sot kudo në jetën shoqërore dhe politike të vendit, krejt ndryshe nga ajo që ka ndodhur në shumicën e vendeve ish-komuniste të Evropës.
Të mbijetuarit e Revoltës së Spaçit, familjet e tyre dhe mbarë shoqëria shqiptare, pret në këtë 50-vjetor që shteti, qeveria dhe politika shqiptare në përgjithësi, që më në fund, t’i përgjigjet vullnet të mirë dhe me vepra, pyetjes dhe kushtrimit të Pal Zefit nga burgu i Spaçit 50-vite më parë: “A ka mbetë ndonjë shqiptar gjallë, që të mbrojë nderin e shqiptarit”!? Kjo, për hir të burgosurve, që humbën jetën në Spaç, por mbi të gjitha, për hir të një Shqipërie të lirë e demokratike, për të vërtetën historike, për drejtësinë dhe për të drejtat bazë të njeriut, për të gjithë dhe pa dallim.
Ka ardhur koha që, ashtu siç u hoq ylli komunist nga Flamuri i Gjergj Kastriotit – Skenderbe, në revoltën anti-komuniste të Spaçit 50-vjet më parë, të shembet edhe “muri ideologjik i Berlinit” midis shqiptarëve, njëherë e përgjithmonë. Dyert e ferrit komunist, si ato të kampit të Spaçit, nuk guxojnë të hapen më kurrë për shqiptarët! Pajtim e paq midis shqiptarëve! Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016