Nga Reshat KRIPA
Pjesa e dhjetë
Memorie.al / Arbëri qëndronte në qoshkun e tij në sallë, duke pritur mbërritjen e avionit që do ta çonte në një botë tjetër dhe meditonte. Meditonte dhe ëndërronte rrugën plot hithra e ferra, nëpër të cilën kishte kaluar jeta e tij. I kujtoheshin brengat që e kishin shoqëruar vite me radhë. Kishte shumë pasione. Donte të bëhej jurist, gazetar, mjek, inxhinier, artist, shkrimtar apo çfarëdo tjetër gjë, që të mundësohej. Por fati e kishte dënuar që të mos arrinte asnjë, nga majat e ëndërruara. Zhgënjimin e haste në çdo hap të jetës.
Operativi takoi Ibrahimin. E përshëndeti me përzemërsi. Filloi ta pyeste për prindërit dhe motrën. E pyeti edhe për vëllanë:
– “A ke qenë tani së shpejti”?
– “Jo”, – u përgjigj i shqetësuar Ibrahimi.
– “E ke shumë gabim. Ti duhet të shkosh ta takosh. Ai ka nevojë për ty. Ti je vëllai i madh dhe duhet ta këshillosh, se si duhet të sillet”.
– “Ashtu”?
– “Pikërisht, pasi shteti ynë bën edhe falje, për ata të burgosur që sillen mirë”.
Ky dialog e shqetësoi mjaft Ibrahimin. Çfarë e kishte shtyrë Operativin e Sigurimit, ta pyeste?! Ku donte të dilte?! Çfarë qëllimi kishte? Atij nuk i dukej kjo si një bisedë e thjeshtë, e bërë midis dy njerëzve, që deri atëherë nuk kishin shkëmbyer asnjë fjalë?! Ai kishte ardhur me një mision të caktuar në këtë ndërmarrje dhe Ibrahimi e dinte qëllimin e këtij misioni. Kjo gjë i ngjalli një dilemë të madhe. Mendoi ta bisedonte me prindërit, por shpejt hoqi dorë. Nuk donte t’i shqetësonte ata.
Pas disa ditësh operativi e takoi përsëri. – “Dua të bisedojmë për një çështje, për të cilën nuk dua t’i thuash askujt. Ti je një djalë i mirë. Edhe familja, është me qëndrim të mirë, me përjashtim të gabimit që bëri vëllai yt. Por edhe ai, ishte në një moshë të vogël”.
Operativi pushoi dhe po qëndronte në heshtje, duke vëzhguar fytyrën e Ibrahimit. Vuri re se një cep i buzëve, filloi t’i dridhej. Vazhdoi:
– “Vëllai yt, duhet të dalë nga burgu. Qëndrimi atje do t’ia prishë karakterin. Atje ka lloj-lloj mbeturinash të sistemit të përmbysur, që mundohen të bëjnë me vete individë si vëllai yt dhe t’i përdorin, për propagandë kundër pushtetit popullor. Para disa ditësh unë të thashë, se shteti ynë ka edhe falje, por për të përfituar prej tyre, duhet të kontribuosh…”!
– “E si mund të kontribuojë”? – foli Ibrahimi me një gjysmë zëri, që mezi i dilte.
– “Duke bashkëpunuar me ne. Kjo mund të arrihet nëpërmjet kontakteve, që do të kemi bashkë”.
Ibrahimi nuk i ktheu përgjigje. Fjalët e Operativit i dhanë të kuptojë, se ai kërkonte ta bënte bashkëpunëtor të Sigurimit të Shtetit, gjë që as e kishte shkuar ndër mend ndonjëherë. Si mund të pranonte ai një propozim, që ishte në kundërshtim me parimet që i kishin mësuar prindërit e tij?! Kjo ishte e papranueshme për të. Por, si t’ia shprehte Operativit këtë?
Operativi e vështroi, duke i ngulur sytë thellë. Ibrahimi nuk e përballoi dot vështrimin e tij dhe ktheu kryet nga ana tjetër. Operativi vazhdoi:
– “E di që je në dilemë, nëse do të pranosh apo jo. Nuk të detyroj. Mendohu mirë disa ditë dhe më kthe përgjigje”.
Ditët kalonin njëra pas tjetrës dhe Ibrahimi nuk po kthente përgjigje. Heshtja e tij ishte përgjigja. Por Operativi filloi të vinte më shpesh në brigadën e tyre dhe kur kalonte pranë tij, i pëshpëriste me zë të ulët:
– “Eh, a vendose”?
Ibrahimi nuk përgjigjej, por ndërgjegjja e tij, ishte në ankth. Nuk kishte asnjë, me të cilin të bisedonte. Të vetmit që mund t’i hapej, ishte Arbëri. Kështu bëri. I tregoi propozimin që i kishte bërë Operativi. Priste mendimin e tij. Arbëri, pasi u mendua mirë e mirë, i tha:
– “Dëgjo, ti je shoku im. Po të pranosh, do të thotë të humbësh moralin tënd. Mos prano. Mblidhe veten. Mos u shfaq i ndrojtur para tij. Kur të të pyesë përsëri, thuaji se nuk e ndjen veten të aftë, për atë punë. Në fund të fundit, nuk ka çfarë të të bëjë, ti punëtor je”.
Ashtu veproi. Operativi, kur e dëgjoi, e kuptoi se dikush e kishte këshilluar dhe me intuitën e tij, arriti në përfundimin se ky duhej të ishte Arbëri.
– “Megjithatë, – vazhdoi operativi, – nuk e kemi me urgjencë. Mendohu dhe kur të të mbushet mendja, më lajmëro”.
Kështu u ndanë. Kaluan ditë dhe Operativi nuk po dukej më në brigadë. Ibrahimi mendoi se kishte shpëtuar. Ndërkaq Operativi lajmëroi Resulin. Ai thirri Operativin e kampit, ku ishte vëllai i Ibrahimit dhe duke i dhënë një shishe të vogël me një lëng brenda, i tha:
– “Këtë hidhja në ushqimin e tij dhe kur të shfaqen pasojat e saj, shtroheni urgjentisht në spitalin e qytetit dhe lajmëroni me telefon vëllanë e të burgosurit. Për të gjitha këto, të sundojë vetëm heshtja.
I dha numrin e telefonit te Ibrahimit. Një fletë-thirrje telefonike, erdhi nga qyteti ku gjendej kampi i të burgosurve, ku ndodhej vëllai. Fletë-thirrja kishte emrin e një dërguesi të panjohur. Në telefon doli Ibrahimi. Nga prapa receptorit, dëgjoi zërin:
– “Jam Operativi i kampit. Ju njoftoj se vëllai juaj, është shtruar me urgjencë në spitalin e qytetit, nga një sëmundje që mjekët ende nuk e kanë konstatuar. Më vjen keq që po jua them, por gjendja e tij nuk është e mirë. Do bënit mirë, të vinit ta shikonit”.
Ibrahimi shtangu. Çfarë i kishte ndodhur të vëllait? Të nesërmen u nis me trenin e parë. Prindërve u tha se po shkonte në ekskursion me shokët e brigadës, në një qytet të Veriut. Pasi ndërroi disa trena dhe kamionë, në pasdite arriti në qytetin verior. Shkoi drejt e në spital. Përpara i doli Operativi i kampit.
– “Jam ai që ju telefonova, – i tha. – Ejani me mua”.
Kaluan disa korridore, deri sa arritën te porta e dhomës. Dy roje qëndronin përpara saj. Ajo u hap. I vëllai qëndronte shtrirë, tek i vetmi krevat që ndodhej në dhomë. Sytë i kishte të mbyllura. Ibrahimi u lëshua mbi të, duke i thërritur.
– “Vëlla, jam unë Ibrahimi”!
Ai hapi sytë dhe e vështroi. Lotët filluan t’i rridhnin. Donte t’i fliste, por nuk mundej. Ibrahimi nuk e mbajti dot veten. U kthye nga ana tjetër dhe filloi të lotojë edhe ai.
– “Mblidhe veten, – i foli operativi, – sidomos tani që je para tij”.
E mblodhi veten. Në dhomë hyri mjeku që vizitoi të sëmurin. Ibrahimi e pyeti:
– “Doktor, si është”?
– “Njësoj, por mos u shqetësoni. Ne do të bëjmë gjithçka që vëlla juaj, të kthehet në gjendjen e mëparshme”.
Ibrahimi qëndroi dy ditë pranë shtratit të vëllait. Çuditërisht. ditën e tretë, ai u përmend. Kur pa Ibrahimin pranë, i pëshpëriti:
– “Vëlla”!
– “Këtu jam”.
– “Ndihmomë…ndihmomë…”!
Ibrahimi i premtoi. U largua. Operativi e shoqëroi deri në agjencinë e udhëtarëve. Para se të ndaheshin i tha:
– “Vëllai juaj është më mirë, por sëmundja, edhe mund të përsëritet. Këtë mos e harroni. Është në dorën tuaj, ta ndihmoni”.
Ibrahimi mbërriti në qytetin e tij. Prindërve nuk u tha asgjë për të vëllanë. Atë natë, nuk vuri gjumë në sy. Të nesërmen u drejtua për në Degën e Punëve të Brendshme, ku kërkoi të takohej me Operativin. E çuan në zyrën e tij.
– “Jam gati për propozimin tuaj”, – i tha.
– “Të lumtë”! – ishte përgjigja.
Operativi i vuri përpara një letër të shtypur në makinë:
– “Shkruaj emër e mbiemër dhe firmose”!
Ibrahimi e mori dhe e lexoi:
“Deklaratë. Unë, Ibrahim Bregu, deklaroj se jam i gatshëm të bashkëpunoj me organet e Sigurimit të Shtetit, për ruajtjen e rendit në shtetin tonë, të demokracisë popullore. Këtë deklaratë e bëjë pa u shtytur nga askush dhe me vullnetin tim të plotë, e nënshkruaj. Emri, mbiemri, firma, data.
Ibrahimi shkroi emrin e mbiemrin e tij dhe e firmosi.
* * *
Resuli gati sa nuk fluturonte nga gëzimi. Lajmi se Ibrahimi kishte pranuar të bëhej bashkëpunëtor i Sigurimit, i kishte zgjuar ndjenjën e cinizmit, që e karakterizonte. Kënaqësia e tij ishte, kur torturonte, apo shihte njerëzit të vuajnë. Ndjenjë e një tipi të veçantë njerëzish, e atyre që ngjyra e gjakut i jepte kënaqësi dhe i kalon në një fazë ekstaze çmendurie.
I ndodhur në këtë gjendje shpirtërore, atij i shfaqej Sokoli i shtrirë pa ndjenja në birucat e Sigurimit, si rezultat i torturave që i kishte ushtruar ai dhe ndjente një kënaqësi cinike. Papritmas, figura e Sokolit i zëvendësohej në atë të Arbërit dhe i shpërfytyruar pëshpëriste:
– “Kërkon të marrësh mbesën time? Do ta shohësh se çdo të të punoj. Do ta pësosh më keq se yt atë”.
Vendosi të nisej menjëherë për në qytetin e tij, për të dhënë udhëzimet e fundit. Thirri në takim Ibrahimin.
– “Të përgëzoj për vendimin që more. Ky është një hap i madh, në rrugën drejt së ardhmes”.
– “Po vëllai”?
– “Ne i mbajmë premtimet tona, por edhe ti, duhet të na japësh fakte konkrete. Detyra jote tani është të survejosh veprimet e shokut tënd, Arbërit. Do e provokosh herë pas here dhe të dhënat, do t’ia japësh Operativit të ndërmarrjes. Sa më shpejt ta kryesh këtë detyrë, aq më shpejt edhe vëllai, do të kthehet në shtëpi”.
Porositi edhe Operativin, për mënyrën se si të vepronte dhe u largua. Fillimisht Ibrahimi mbeti i shokuar. Nuk i kishte shkuar kurrë mendja, se gjahu i parë i tij, duhej të ishte shoku më i ngushtë. E pleqëroi disa herë në mendje propozimin e Resulit. Nuk ishte në gjendje të vendoste. Përpara tij shtroheshin dy alternativa, vëllai apo shoku? Kush do të triumfonte? Peshorja anoi nga vëllai. Qysh të nesërmen, filloi nga detyra e re. Kur mbaroi orari i punës, i tha Arbërit:
– “Eja shkojmë dhe kthejmë nga një gotë, se më ka vajtur mendja. Sot qeras unë”.
U futën në një pijetore.
– “Dy teke raki dhe dy biftek”, – porositi Ibrahimi.
Kamerieri pruri porosinë dhe ata ia shtruan, si në shtatë palë qejfe. Pas tekeve të para, porositi edhe dy të tjera. Kur kishin arritur gati në fazën e dehjes, Ibrahimi hapi temën.
– “Arbër, deri kur do të qëndrojmë kështu në heshtje? A mund të durohet kjo gjendje”?
Arbëri nuk u përgjigj. Fjalët e shokut të tij e tunduan, por para syve i dilte figura e nënës së tij, që i pëshpëriste:
– “Gjithmonë duhet të kesh kujdes, që të mos pengohesh dhe të biesh”.
I dilte figura e Blerinës dhe i dukej se do të ishte e pamoralshme, të merrte një vendim pa miratimin e saj. E ktheu atë që i kishte mbetur në gotë dhe u ngrit.
– “Eja të ikim”.
– “Po nuk më ktheve përgjigje”?!
– “Vajti vonë. Eja”.
Arbëri u kthye në shtëpi dhe shkoi drejt e në dhomën e gjumit…!
– “Bir nuk do të hash darkë”? – i tha e ëma e shqetësuar.
– “Jo nënë. Isha me Ibrahimin dhe pimë nga një gotë”.
– “Mirë, i vetmi i nënës”.
U shtri në shtrat dhe filloi të mendonte. Kishte dëgjuar për shumë grupe të tjera që kishin zhvilluar aktivitet antiqeveritar dhe që kishin përfunduar të gjithë në burg. Edhe ai kishte dëshirë të bënte diçka në këtë drejtim, por gjendja e tij, ishte e ndryshme nga ajo e të tjerëve. Ai kishte një nënë, së cilës bashkëshorti i kishte vdekur në burg dhe po t’i burgosej edhe djali i vetëm, nuk dihej se si do të përfundonte. Edhe nëse do të mundej të mbijetonte, do të ishte e detyruar t’i kalonte ditët e fundit të jetës, në ndonjërin prej kampeve të internimit, që ishin shpërndarë pothuajse në të gjithë vendin. Përfytyrimi i kalonte te e fejuara dhe i dukej sikur ajo i thoshte:
– “Përse u fejove me mua, kur kishe këtë mendje”?
Kishte të drejtë. Ai sapo ishte fejuar. Të fillonte tani një aventurë, që nuk e shpinte askund, ishte e pafalshme. Çfarë mund t’i bënin ata dy një shteti, që kishte një numër të madh mjetesh në dispozicion të tij dhe që shumë tentativa të tjera, kishin dështuar. Arbërit i dilnin parasysh gjithashtu edhe shumë individë të tjerë, që nuk kishin mundur te rezistonin, por ishin thyer para metodave të kamufluara që ishin përdorur ndaj tyre dhe kishin arritur deri në denoncimin e shokëve.
– “Mos vallë edhe Ibrahimi i përket këtij grupi”? – pyeti veten.
Për herë të parë pas shumë kohë shoqërie, atij i lindi dyshimi për shokun e tij. Ai kishte një vëlla në burg. Të ngriheshe kundër shtetit, do të thoshte se duhej të merrje parasysh edhe burgun. Atëherë, do të bëheshin të dy bashkë. Mirë i vëllai që ishte ende fëmijë, po ky që ishte në një moshë të pjekur, si ka mundësi të merrte një veprim të tillë dhe kështu menjëherë. Për më tepër, asnjëherë më parë Ibrahimi, nuk i kishte folur me këtë gjuhë. Ky mendim, ia shtonte edhe më tepër dyshimin.
– “Po përse të jetë thyer vallë”? – pyeste përsëri veten.
Papritmas, mendja i vajti tek vëllai i burgosur.
– “Mos i kanë premtuar se do t’ia lirojnë? Mos është ky kushti”?
Megjithatë, këto ishin vetëm supozime. Ai nuk kishte të drejtë të mendonte kështu, për shokun e tij. Por Ibrahimi nuk tërhiqej. Ai për çdo ditë vazhdonte, t’i bënte propozime të ndryshme. Të shkruanin dhe të shpërndanin trakte. T’i shkruanin letra kërcënuese funksionarëve të lartë. Të arratiseshin jashtë shtetit. Arbëri, në shumicën e rasteve, as që i kthente përgjigje, por këmbëngulja e Ibrahimit, ishte mjaft e madhe. Ky ping pong, vazhdoi për më shumë se dy muaj. Së fundi, ai ia preu:
– “Ibrahim, të lutem, je shoku im më i ngushtë, por në qoftë se do që ta ruajmë këtë shoqëri, atëherë mos ma përmend më këtë çështje. Quaje të mbyllur”. Dhe u largua. Ibrahimi mbeti një copë herë në këmbë, pa lëvizur. Pastaj u drejtua nga Dega e Punëve të Brendshme, ku kërkoi Operativin. Ai e futi në zyrë.
– “Çkemi”?
– “Asgjë”.
– “Si asgjë”?
– “Ja ashtu, asgjë. Ai nuk pranon as të bisedojë më me mua, për këto çështje. Ma mbylli derën”.
Operativi u mendua. Së fundi i tha:
– “A je gati të firmosësh një deklaratë, ku denoncon Arbërin se gjoja të ka propozuar ato që i ke thënë ti? Ne na mjafton një deklaratë e tillë. Mos kij frikë, se nuk do ta marrë vesh njeri. Ti do të jesh një dëshmitar i fshehtë”.
Ibrahimit i doli para syve i vëllai.
– “Po për tim vëlla, çfarë do të bëhet”?
– “Shkruaj dhe firmos deklaratën dhe do të shikosh se çfarë do të bëhet”.
Operativi mori letër dhe stilograf dhe ia dha.
– “Shkruaj”! – i tha.
Filloi t’ia diktojë tekstin. Ibrahimi shkruante. Kështu u mbushën katër faqe. Në fund ai e nënshkroi dhe vuri datën.
– “Për vëllanë, mos u shqetëso. Do ta shohësh së shpejti”.
Në të vërtetë, me një dekret të posaçëm pas një muaji, i vëlla u ndodh në shtëpi. Resuli kishte mundur ta mbante fjalën e dhënë. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm