Nga Reshat KRIPA
Pjesa e tretë
Memorie.al / Arbëri qëndronte në qoshkun e tij në sallë, duke pritur mbërritjen e avionit që do ta çonte në një botë tjetër dhe meditonte. Meditonte dhe ëndërronte rrugën plot hithra e ferra, nëpër të cilën kishte kaluar jeta e tij. I kujtoheshin brengat që e kishin shoqëruar vite me radhë. Kishte shumë pasione. Donte të bëhej jurist, gazetar, mjek, inxhinier, artist, shkrimtar apo çfarëdo tjetër gjë, që të mundësohej. Por fati e kishte dënuar që të mos arrinte asnjë, nga majat e ëndërruara. Zhgënjimin e haste në çdo hap të jetës.
Para syve nuk kishte më sallën e teatrit. Ajo kishte fluturuar në botën e saj. Nuk ishte më Dhimitri partneri i saj. I dukej sikur ai ishte Sokoli, i rrethuar nga një turmë ujqërish, që mundoheshin secili t’i shkëpusnin ndonjë copë nga trupi i tij.
“Ndaluni, ndaluni”! – thirri në mes të lotëve që rridhnin si lumë.
– “Mos ma merrni Sokolin tim”!
Një e qeshur histerike shpërtheu nga buzët e saj. Salla, e ngritur në këmbë, buçiti nga duartrokitjet e zjarrta. Midis tyre ndihej me fort zëri i një fëmije. Ishte Arbëri, që brohoriste për nënën e tij.
“Mbylleni perden”! – Thirri Demiri, por atë nuk e dëgjoi askush. Duartrokitjet e publikut e mbuluan zërin e tij. Sekretari i Parë, i bëri përsëri shenjë që të heshtte. Së fundi shfaqja përfundoi. Turma të tëra spektatorësh u derdhen në skenë, për të përgëzuar regjisorin dhe aktorët e, në mënyrë të veçantë, Olimbinë. Tufa me lule i drejtoheshin asaj. Në këtë çast mbërriti Demiri, që e kapi për krahu dhe e nxori nga skena. Atje u përballë me Andrean, i cili ndërhyri dhe ia hoqi nga duart.
“Lëshojeni”! – i tha, – suksesi i kësaj shfaqje është pikërisht kjo.
E pruri përsëri në krye të skenës. Ovacionet ishin të jashtëzakonshme dhe vazhduan për një kohë të gjatë.
“Faleminderit”! – i tha Afërdita.
“Faleminderit juve! – u përgjigj Andrea. – “Ishit ylli i shfaqjes”.
Së bashku me nënën dhe Arbërin, u nisën për në shtëpi. Andrea i përcolli deri te porta. Të nesërmen, nën drejtimin e Sekretarit të Parë të Partisë së Rrethit, u zhvillua mbledhja në Komitetin e Partisë. Merrte pjesë edhe delegati i ardhur nga kryeqyteti, si dhe të gjithë sekretarët e partisë së ndërmarrjeve dhe shkollave të rrethit. Kishte edhe disa kuadro te tjera të ftuar dhe midis tyre, edhe Andrea.
Tema ishte; bilanci i punës së kryer për përgatitjen e kremtimit të festës së dyzetvjetorit të pavarësisë. Raportin kryesor e mbajti Sekretari i Parë. Ai foli e foli për gati një orë për punën e kryer, duke lavdëruar kuadrot drejtuese që kishin përgatitur festën, duke e konkretizuar këtë me shembuj të ndryshëm. Shfaqjen e dramës, nuk e përmendi fare, duke e lënë qëllimisht në heshtje. Në fund falënderoi përfaqësuesin e ardhur nga Tirana, për ndihmën e dhënë.
Filluan diskutimet. I pari u ngrit Demiri: “Të dashur shokë”
Jam plotësisht dakord me të gjitha ato që ngriti shoku Sekretar i Parë, por dua të ndalem në një pikë që nuk u përmend fare në raport. E kam fjalën për shfaqjen e organizuar nga shkolla ‘Dëshmorët e Lirisë’ dhe personalisht nga drejtori i saj, shoku Andrea Goranxi, i pranishëm në këtë mbledhje.
Unë nuk arrij të kuptoj, se si shoku Andrea, ngarkoi për interpretimin e rolit kryesor, një person të deklasuar, i shoqi i së cilës ka vdekur në burg, ku kryente dënimin e merituar, si armik i popullit. Pikërisht për këtë, asaj i është hequr edhe e drejta e ushtrimit të profesionit të mësueses. Mendoj se sot shoku Andrea, duhet të na japë shpjegime përse e mori këtë vendim”.
Andrea u ngrit nga vendi ku ishte ulur dhe dalëngadalë u drejtua për te podium, ku mbaheshin diskutimet. Qëndroi disa minuta në heshtje dhe pastaj filloi: “Më lejoni të nderuar shokë, t’ju tregoj arsyet e mia, përse ndërmora një veprim të tillë. Dhjetë vjet më parë, më 28 nëntor 1942, në zjarrin e luftës për liri, drejtori i shkollës ‘Nana Skanderbeg’ në kryeqytet, heroi i popullit, Astrit Çeliku, organizoi shfaqjen e kësaj drame. Rolin kryesor, atë të Olimbisë, ia besoi Afërdita Ndrecës, që më vonë do të merrte mbiemrin Dauti, atëherë nxënëse e vitit të fundit të shkollës.
Suksesi ishte i jashtëzakonshëm, sa i tërboi fashistët. Si reprezalje, ata arrestuan drejtor Astritin dhe e pushkatuan. Në kujtim të kësaj ngjarjeje, mendova të përsërisja shfaqjen e kësaj drame. Mendova se më mirë se shoqja Afërditë, këtë rol nuk mund ta luante askush tjetër. Mendova se ajo do të përsëriste suksesin e dhjetë viteve më parë dhe nuk gabova.
Shtoj se ajo është punonjëse e shkollës sonë, me detyrën e pastrueses, të cilën e kryen më së miri dhe pa u ndjerë apo ankuar. Suksesi ishte i jashtëzakonshëm dhe ju të gjithë e patë. Ovacionet e publikut, nuk kishin mbarim.
“Po kur ajo thirri; ‘Mos ma merrni Sokolin tim’, çfarë donte të thoshte? Mos iu kujtua i shoqi, Sokoli, që vdiq në burg si armik populli? Mos vallë donte ta ngjallte atë”? – pyeti me një zë të ashpër Demiri, që nga vendi.
“Jo i dashur Demir, ky është një epitet që përdoret shpesh në gjuhën tonë, për të treguar madhështinë e heronjve tanë dhe Afërdita e përdori atë, për të treguar madhështinë e Dhimitrit”.
Demiri heshti. Andrea e përfundoi ligjëratën me fjalët:
“Jam i gatshëm të përgjigjem para çdo lloj vendimi, që do të mendoni e vendosni ju. Ju falënderoj që më dëgjuat dhe më falni për kohën e konsumuar”.
Mbledhja vazhdoi edhe me disa diskutime të tjera. Në fund e mori fjalën i deleguari i kryeqytetit, që në mbarim të fjalës së tij, tha: “Për sa i përket çështjes që u diskutua këtu, le të merren organet kompetente. Me kaq mbledhja mori fund”.
Ditët që pasuan, vazhduan të qeta. Secili kryente punën e përditshme. Dukej sikur nuk kishte ndodhur asgjë. Por kanalet e fshehta, vazhdonin të punonin. Një ditë prej ditësh, Resuli, dikur shok shkolle me Sokolin dhe tani operativ i Sigurimit të Shtetit, duke kaluar pranë saj, iu drejtua dhe me një zë të qetë,, që shprehte përzemërsi i foli:“Puna e mbarë”.
Afërdita e vështroi në sy e habitur. Një e dridhur i përshkoi trupin. Megjithatë, për mirësjellje, iu përgjigj me të njëjtën mënyrë:
“Mbarë paç, ju faleminderit”!
Resuli ndaloi hapat dhe vazhdoi po me të njëjtën mënyrë:
“Pashë shfaqjen tuaj dhe ju shkëlqyet me rolin që interpretuat dhe t’ju them të vërtetën, më vjen keq që jeni një pastruese shkolle, kur duhej të ishit një artiste e madhe”.
Afërditës i dukej sikur para syve kishte fytyrën e një hipokriti madje, edhe më keq, atë të një gjakësori.
“Unë tani e kam zgjedhur profesionin tim”, – iu përgjigj.
“Këto janë fshesa dhe kova. Nuk kam pretendime për më tepër”.
“E keni gabim”, – nguli këmbë Resuli.
“Atë zgjidhje jua dhuruan rrethanat e jetës, por që janë në dorën tuaj të rregullohen. Po deshët, ejani ndonjë ditë në zyrën time dhe të bisedojmë për rrugën e zgjidhjes”.
Kaq foli Resuli dhe u largua, duke patur në buzë një buzëqeshje, që nënkuptonte shumë gjëra.
“Hipokriti, – tha me vete Afërdita, – kujton se do ta harroj krimin e tij”.
Përsëriste fjalët e tij dhe kishte bindjen se prapa tyre, fshihej diçka tjetër. Një zë i brendshëm i thoshte, se vajtja në zyrën e tij, do të ishte shkatërrimi moral i saj. Këtë dyshim ia shtonte edhe fakti, se ai kishte qenë personi që kishte arrestuar Sokolin. Në mbrëmje e bisedoi me t’ëmën. Edhe ajo i shfaqi një mendim të dyzuar.
“Sot moj bijë, – i tha ajo, – jetojmë në një botë të çuditshme. Jemi të rrethuar nga njerëz të cilët, nuk e dimë, nëse janë engjëj, apo djaj. Një zot e di vetëm këtë. Nuk e di si të të them. Vepro si të thotë ndërgjegjja jote”.
Pas disa ditësh u takua përsëri, ballë për ballë me Resulin.
“A u menduat”? – i tha ai
Afërdita nuk i ktheu përgjigje. Mendoi ta bisedonte edhe me Andrean shkoi në zyrë. E dinte që ai largohej i fundit prej shkolle.
“Ç’e mirë të solli”? – pyeti ai duke i buzëqeshur.
“Ndodhem para një dileme të madhe” – i tha.
I tregoi propozimin e Resulit. Andrea e dëgjoi me vëmendje. Pasi u mendua për disa minuta, vazhdoi: “Në të njëjtën dilemë, jam edhe unë. Nuk besoj të jem më drejtor i kësaj shkolle dhe nuk e di, se ku do të më degdisin. Kjo është Shqipëria, në të cilën jetojmë”.
Në të vërtetë, Andrean e kishin thirrur disa herë në Komitetin e Partisë, për t’i bërë presion, se përse e kishte ngritur aq lart atë, që ishte e dënuar të punonte si pastruese. Por deri tani, nuk ishte marrë asnjë masë kundër tij. Megjithatë këto, nuk ia tha Afërditës.
“Në qoftë se do të më dëgjosh mua, – i tha më në fund – mos shko”.
Afërdita e vendosi. Tashmë hezitimet dhe iluzionet ishin zhdukur.
Erdhi edhe dita e përfundimit të vitit shkollor. Drejtor Agroni organizoi një ceremoni me këtë rast, ku u zhvillua edhe ndarja e dëftesave. U lavdëruan dhe u nderuan me flete-nderi, të gjithë nxënësit e shkëlqyer, sipas klasave. Midis tyre, edhe Arbëri e Petriti. Afërdita po kthehej në shtëpi. Papritmas, pa e kuptuar, se nga ia behu Resuli.
“Dua të bisedoj me ju”– i tha.
Ajo e mori me mend se çfarë donte të bisedonte ai por, tashmë ajo e kishte të qartë, qëndrimin që do të mbante. Këtë e kishte vendosur qysh kur kishte biseduar me Andrean.
“Mua sinqerisht, si një shok i vjetër i Sokolit, më vjen keq që një femër e nivelit tuaj, të vazhdoni të punoni si një pastruese e thjeshtë, kur duhej të ishit një arsimtare e dëgjuar, apo një aktore e shkëlqyer”.
Afërdita ndjeu neveri, për fjalët e shprehura prej tij.
“Pastaj”? – e ndërpreu.
“Mendoj se është vepruar gabim në rastin tuaj dhe kjo për faj të ndonjë dritë shkurtri, që nuk ka ditur se si të veprojë me ju, si dhe disa rrethanave të tjera, të kushtëzuara nga pozicionimi i një individi, në kushtet e krijuara në vendin tonë”.
Pastaj?/ – përsëriti Afërdita
“Kjo gjë mendoj, se duhet korrigjuar. Vendi ynë sot ka nevojë për kuadro si ju. Por, për të bërë këtë korrigjim, duhet të kontribuoni”.
“Pastaj”? – tha Afërdita, për të tretën herë.
“Ju duhet të tregoni se jeni e gatshme, për të ndihmuar në vijën politike që ndjek vendi ynë. Sot ka ende njerëz, që në një mënyrë apo tjetër, mundohen të pengojnë ecjen përpara të shoqërisë socialiste dhe ne duhet t’i zbulojmë ata. Duhet t’ju tregojmë vendin. Ju mund të na ndihmoni në këtë drejtim. Unë jam në pritje”.
“Ashtu”?
“Po ja duke biseduar me njërin apo tjetrin, duke blerë mendimet e tyre dhe në rast se ndonjë shprehet kundra, ta denonconi. Kështu do të kontribuoni në eliminimin e tyre dhe bashkë me ta, edhe të ideologjisë së tyre të dështuar. Synimi ynë është, krijimi i njeriut të ri, me parimet e reja të shoqërisë socialiste”.
Heshtja pas kësaj ligjërate vazhdoi gjatë. Afërdita, duke e vështruar në sy iu drejtua;
“Keni gabuar adresë.! Më falni, por duhet të largohem”.
“E keni menduar mirë”? –kërcënoi Resuli.
Toni i zërit të tij tani kishte ndryshuar. Ishte toni njeriut që është mësuar të urdhërojë të tjerët.
“Plotësisht” – ishte përgjigja.
U ndanë pa u përshëndetur.
Afërdita u kthye në shtëpi dhe u mbyll në dhomën e saj. Donte të qetësonte nervat që i ishin ngritur, për shkak të debatit me Resulin. Kjo gjë i ra në sy nënës e cila, e ndoqi nga prapa dhe kur e pa që po rrinte e menduar, i tha:
“Bijë, çfarë të mundon”?
“Ndërgjegjja ime”, – ishte përgjigja.
“E përse”?
“Sepse nuk arrij dot, të gjej rrugën që duhet të ndjek”.
Nëna e vështroi drejt e në sy dhe me një ton solemn i deklamoi vargjet:
“Megjithëse drita,
ishte dikur,
kaq e ndritshme
Tashmë nuk mund ta shoh,
Megjithëse asgjë,
nuk mund të sjellë pas,
ndriçimin në bar,
Lavdinë në lule
Nuk mund të vajtojmë,
por do të gjejmë
Forcën në çka mbetet pas”.
A e di kush i ka shkruar? William Wordsworth, në; “Ode mbi intimitetet e pavdekësisë, nga kujtimet e fëmijërisë së hershme”.
A të kujtohet fëmijëria jote e hershme? Sot ti, nuk mund të shohësh ndriçimin e dritës së dikurshme. Vuri veshin çfarë shkruan poeti:
“Nuk mund të vajtojmë,
por do të gjejmë forcën,
në çka mbetet pas”!
“A ke mundësi të gjesh forcë për ta përballuar? “Unë besoj se po, ndaj ngrehu dhe vazhdo të jetosh”.
Fjalët e nënës e gjallëruan Afërditën. Një ndjenjë tjetër, kishte pushtuar zemrën e saj. Nga oborri aty pranë, u dëgjua zëri i Arbërit, që qeshte me të madhe, së bashku me disa shokë të tij.
“Keni të drejtë, – tha, – ti më deklamove vargjet e Wordsworthit, ndërsa unë, ato të Alfred Tennysonit, nga poema ‘Enoch Arden’”:
“E dashur Anë, çelu, ngushëllohu,
Vështro fëmijën, dhe gjer sa të kthehem,
Mbaj rregull në shtëpi se unë do të iki,
Për mua mos ki frikë”.
“E dëgjon të qeshurën e Arbërit? E pra unë, në këtë errësirë ku jetojmë, do të luftoj që kjo e qeshur, të mos pushojë nga goja e tim biri dhe do ta gjej këtë forcë”.
Me kaq biseda mori fund. Kaloi muaji i parë i pushimeve. Një mbrëmje, ndërsa kthehej në shtëpi, takoi Andrean. U përshëndetën miqësisht.
“Ejani të ulemi të pimë një kafe”, – e ftoi ai.
U ulën dhe ndërsa kamerieri shërbente kafen, shkëmbyen bisedat e zakonshme, që bëhen në këto raste. Më pas, hynë në temat që i ngacmonin përbrenda.
“Një hije më është qepur nga prapa dhe nuk më le të qetë”, –tha Andrea.
“Mundohem ta largoj, por ajo nuk më ndahet. Më shfaqet kudo ku ndodhem. Ja edhe tani, është këtu, në këtë bar. E keni në të majtën tuaj. Ktheni kryet me kujdes dhe vështrojeni”.
Afërdita bëri sikur po kërkonte diçka në xhepin e majtë të xhaketës. Në fund të sallës dalloi një të panjohur, që po pinte kafe, duke vështruar drejt tyre.
“E pate”?
“Është ai i zakonshmi, që po më ndjek qysh prej ditës kur dhamë shfaqjen”.
Afërdita i tregoi se në të njëjtat pozita me të ishte edhe ajo. I tregoi edhe për përgjigjen që i ktheu Resulit.
“Ky është fati ynë. Jemi të detyruar të jetojmë, nën këtë ankth”. – i tha.
“Së shpejti do t’ia dëgjojmë avazin”, shtoi Andrea.
Në të vërtetë avazi u dëgjua në shtator, me fillimin e vitit të ri shkollor.
Andrean e kishin pushuar si drejtor dhe emëruar mësues në një shkollë shtatëvjeçare, ndërsa Afërditën, e kishin transferuar në ndërmarrjen bujqësore të qytetit. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm