Nga DASHNOR KALOÇI
Pjesa e tretë
Memorie.al/ Në fund të muajit maj të vitit 1961, në Tiranë përfundoi gjyqi ndaj të ashtuquajturit “Grupi armiqësor” i Teme Sejkos, (ish-Kundëradmiral i Flotës Luftarake Detare), i cili së bashku me Tahir Demin, (ish-kryetar i Komitetit Ekzekutiv të rrethit të Elbasanit), Taho Sejkon (ish-gazetar i “Zëri i Popullit” dhe më pas drejtor i Parkut Automobilistik të Shkodrës), Avdyl Resulin (nënkolonel në Degën e Rekrutimit të Tiranës), Hajri Manen, Nasho Gërxhon, Hajri Purizion, Ali Xhelon, Sami Muratin, Izet Osmanin, Shaban Ademin etj., akuzoheshin se; “ishin vënë në shërbim të agjenturave të huaja, si UDB-së jugosllave, KGB-së sovjetike, CIA-s Amerikane, Asfalisë greke, më qëllim për përmbysjen e pushtetit popullor në Shqipëri”.
Si rezultat, pas dhënies së dënimit me datën 28 maj 1961, nga ana e trupit gjykues me në krye Shuaip Panariti, (kryetar i Gjykatës së Lartë, dhe ndihmësa të tij gjeneral-major Muharrem Kokomani, kolonel Sotir Spiro, kolonel Bejto Isufi, nënkolonel Hilmi Telegrafi dhe sekretar seance Murat Deliallisi), tetë prej të pandehurve të këtij “Grupi armiqësor”, do të dënoheshin me vdekje, me pushkatim dhe do të ekzekutoheshin me datën 31 maj (dy vdiqën ne hetuesi), kurse pjesa tjetër e të pandehurve, do të dënoheshin me dënime të rënda, që shkonin deri në 25 vjet.
Sa më sipër të gjitha këto tashmë janë shumë të njohura, pasi që nga fillimi i viteve ’90-të e deri më sot, janë botuar me dhjetëra shkrime me dëshmi të ndryshme apo dokumente arkivore, si dhe dokumentarë televiziv, libra etj., por ajo që ka mbetur deri diku e pazbardhur ende, (të paktën me dokumente arkivore), është ajo se cilët ishin agjentët kryesorë që përdori Sigurimi i Shtetit në atë kohë, për të goditur “Grupin e Teme Sejkos” apo siç është njohur ndryshe si “Grupi Çam”, për shkak të origjinës së tyre nga krahina e Çamërisë!
Dhe si e sa u shpërblyen ata agjentë të Sigurimit të Shtetit, që “fundosën” bashkëpatriotët e tyre çamë, të cilët nuk u nxorën në gjyq si dëshmitarë, me qëllim për të mos i dekonspiruar, edhe pse deri diku dihej roli i tyre, por që siç thamë, ai nuk u bë kurrë publik nëpër gazeta libra e revista, siç ndodhte në atë kohë edhe me të tjerë “Heronj të heshtur” të Ministrisë së Brendshme.
Madje paradoksalisht, edhe sot pas gati 35 vitesh nga shembja e regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij, Ramiz Alia, nuk është botuar asnjë dokument arkivor për tre agjentët kryesorë të Sigurimit të Shtetit që fundosën “Grupin e Teme Sejkos”, si dhe shpërblimet e favore të tjera që ata morën nga ana e regjimit komunist në fuqi, për “kontributin e tyre, në zbulimin e goditjen e atij grupi armiqësor”.
Nisur nga kjo, në këtë shkrim po publikojmë disa dokumente arkivore (bashkë me faksimilet përkatëse) që janë nxjerrë nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, të cilat shohin dritën e botimit për herë të parë. Por siç do të shohim në këtë shkrim dhe faksimilet përkatëse, vetëm agjentë “Gjoksi”, dhe “Trimi” jepen me emrin e plotë; përkatësisht Braho Beqo Emini dhe Skënder Hoxha, ndërsa “Besniku”, nuk dekonspirohet?! Të paktën në këto dokumenta që kemi në dispozicion.
Ndoshta edhe për shkak të Platformës së Sigurimit të Shtetit që e ndalonte një gjë të tillë në mënyrë kategorike, gjë të cilën vetë ministri Kadri Hazbiut, ishte i pari që duhet ta zbatonte. Por, si “Gjoksi” dhe “Trimi”, ashtu dhe “Besniku”, janë njohur mjaft mirë nga qyteti i Shkodrës, ku ata u dërguan për të punuar e banuar, me qëllim; “për t’i ruajtur nga armiqtë e popullit apo agjentura greke”, kundër së cilës ata kishin punuar që nga viti 1951, kur ishin dërguar me mision sekret në Greqi, gjë të cilën do ta shohim në këtë pjesën të dytë dhe të tretë të këtij shkrimi, ku ata pohojnë me gojën e tyre, për të gjithë aktivitetin agjenturial në shtetin fqinjë.
DOKUMENTI ARKIVOR ME PROCES-VERBALIN E MARRJES NË PYETJE TË AGJENTIT TË SIGURIMIT TË SHTETIT BRAHO BEQO EMINI, ME PSEUDONIMIN “GJOKSI”, NGA ANA E KAPITENIT TË PARË TË DREJTORISË SË ZBULIMIT ME JASHTË, KRISTO…
PROCES – VERBAL
I mbajtur sot më datën 11 gusht 1953, prej kapitenit të Parë, Kristo….mbi deponimet e agjentit tonë “BRAHO EMINI”, me pseudonimin “GJOKSI”.
PYETJE: Na tregoni me hollësi, që kur keni vajtur në Greqi vitin e kaluar dhe deri sa u kthyet prapë në Shqipëri, ku keni qëndruar dhe cilat organe zbulimi ju kishin në shërbim?
PËRGJIGJE: Përveç asaj i thashë majorit, se ju këtu, mbani edhe disa krerë të emigracionit, si HAKI RRUSHITI dhe MUHARREM BAJRAKTARI, të cilët kanë qenë bashkëpunëtorë të fashizmit kundra Greqisë në luftën Italo-Greke, këta kur ishin në Shqipëri kanë vrarë shumë elementë që ishin nacionalistë dhe jo komunistë, prandaj urrehen nga Shqiptarët, dhe kur mejton njeri, se do të vijnë në Greqi dhe do të bjerë në duart e tyre, nuk vendos që të vijë.
Pasatja majori më tha të drejta janë këto, por disa shqiptarë vijnë këtu të dërguar nga MEHMETI dhe ata që nuk dërgohen nga MEHMETI, të njëjtën fat kanë këtu. Më në fund majori më tha se nuk na lënë amerikanët që të godasim Shqipërinë. Gjë tjetër majori nuk na tha, duke dalë nga zyra e tij më tha se kishte lajmëruar që të vijnë nga Athina të na marrin, por mbasi koha ishte e keqe, aeroplani u kthye prapë, kështu që do të vij nesër.
Dhe me 26 aeroplani erdhi deri në Janinë, por mbasi kishte re në malet e Janinës, nuk u ul, u kthye dhe u ul në malet e Agrino dhe mbas 5-6 orësh që u shpërndanë retë, erdhi në Janinë.
Gjatë 4 ditëve që qëndruam në Janinë, nuk duallëm nga zyra e DHIMO DUKËS, as që kemi parë njeri të njohur. Përveç Majorit që thashë më lart, DHIMO DUKËS, ushtarit që ishte në zyrën e DHIMO DUKËS, atje kam parë dhe një kapiten tjetër që hynte dhe dilte, por se si i thoshin dhe se çfarë pune bënte, nuk e di. Në këto zyra shërbenin edhe 8 ushtarë të cilët na sillnin edhe neve bukë.
Me datën 23 tetor 1953, me aeroplan erdhi XHORXHI, për të cilin kemi folur edhe herë të tjera, ai erdhi në zyrën ku qëndronim neve, na pyeti se si kishim kaluar dhe unë i fola atij për sa na kishin ngjarë, tue u mbështetur gjithmonë në legjendën që kishim përgatitur që këtu në Shqipëri.
Më në fund XHORXHI më tha se urdhri i Komandës së tij ka qenë që unë bashkë me SKËNDERIN, të ktheheshim prapë në Shqipëri, për të marrë takim me bazat tona dhe që të organizojmë punën që njëherë në muaj gjatë gjithë dimrit, të vinim të takonim bazat tona, tashti tha ai koha është më e mirë dhe mund të shkoni dhe të vini, ndërsa më vonë që do të ketë lumenj dhe do të jetë dimër, neve do t’ju shpiem dhe do t’ju marrim me motoskafë nga ana e Nivicës.
Një gjë të tillë unë e refuzova, tue i thënë atij se neve kishim rënë në përpjekje dhe se tashti trembemi të shkojmë prapë, veç asaj dhe bazat tona atje nuk do të na pranojnë, sepse mbas përpjekjes që u bë, kam frikë se mos zbulohen.
XHORXHI insistonte tue më thënë mua studioje dhe njëherë mejto e vendos, pastaj unë i thashë se kam vendosur që tashti, unë tash për tash nuk kthehem më në Shqipëri, për arsyet që u thashë, se trembem se mos më vrasin, atëhere XHORXHI më tha; bëhuni gati se për një orë ose dy, do të ikim në Athinë.
Po atë ditë në ora 3 pas dreke, vajtëm në aerodrome të Janinës me makinën “Daçë”, tue qenë brenda neve, një ushtar dhe shoferi. Atje na priste XHORXHI, në aeroplan hipëm neve të dy dhe XHORXHI dhe u nisëm në Athinë. Aeroplani ka qenë dy motorësh dhe përveç pasagjerëve, përdorej edhe për ngarkesa, është 6 tonësh, ishte i bardhë dhe me flamurë amerikanë, kishte dy pilotë, një radist dhe një kujdestar aeroplani.
Emrat e këtyre nuk i dijë. Në Athinë mbërritëm në ora 4 e 30 dhe zbritëm në aerodromin e Faliros jashtë Athinës, atje nuk na priste njeri, por XHORXHI na la brenda në aeroplan dhe ai vajti anës aerodromit dhe mori makinën veturë të mbyllur në formë autoambulance që merr deri në 10 veta marka “General Motor Troç”, e drejtonte vetë XHORXHI dhe na shpuri në Vulë, më poshtë nga Faliro, anës detit, atje ndaloi makinën përjashta.
Mbasi hyra në burg dhe takova Aliun, ai më tha se unë jam i pafajshëm, mbasi unë komunistët i kam vrarë, ishte i lidhur dhe mbasi ndejta pak, u ngrita dhe ika. Megjithëse veprova kështu, Partia Agrare nuk e hoqi dyshimin prej meje, këtë e kuptova mbas një dite kur më tha Mehmet Kuçi; hajde or Braho se do ta rregullojmë qejfin, po këto fjalë m’i tha edhe Gaqo Mike nga Korça.
Kam raportuar armikun e popullit shqiptar, Mehmet Kuçin nga Vlora, i cili kur erdhi në Greqi dhe u pyet nga grekërit, nuk kishte treguar, vetëm se u kishte thënë se ika nga Shqipëria, për shkak të urrejtjes së madhe që ndjejsha për komunistët e Tiranës, më vonë kur u mor në pyetje në pyetje nga amerikanët, ky i tha se më ka vënë revolen në kokë gjeneral Kadri Hazbiu që të hyj në Greqi si mik dhe të lidhesha me grekërit ose me amerikanët, dhe ti si një shtëpi e lartë – i kishte thënë gjenerali, -grekërit si dhe amerikanët, do të presin mirë dhe në këtë mënyrë më tha në det ne mundemi që t’i godasim mirë amerikanët dhe grekërit dhe kështu që më përcollën në Greqi.
Atëhere unë u dhashë një raport grekëve, duke treguar se fjalët e Kuçit nuk janë ashtu, – gjeneral Kadriu i thashë unë – që të dërgoj këtu, duhet që ky të ketë burgosur shumë nacionalistë. Këtej thosh raporti, i ka thënë gjeneral Kadriu që të vij këtu, dhe t’u thotë grekëve dhe amerikanëve dhe t’u dëftoj se ishte i dërguar, atëhere amerikanët do të binden që the të vërtetën, dhe do të dërgojnë në Shqipëri.
Atëhere thotë raporti jonë, – pse Mehmet Kuçi nuk u tregoj grekëve kur dolli në kufi, se ishte dërguar nga gjeneral Kadriu, se ky është i porositur nga gjeneral Kadriu, që grekëve të mos u thotë, se grekërit këto gjëra nuk i hanë, këto shkojnë vetëm në amerikanët, neve në raport themi se Mehmet Kuçi me vëllanë e tij, janë agjentë të komunistëve të Tiranës, atëhere vjen një kolonel grek së bashku me një toger grek që ishte sekretar i tij dhe e thërrasin përsëri Mehmetin, mbas gjashtë muaj burg që bëri dhe i thotë koloneli se neve të njohim dhe shtëpinë, po pse nuk na the të vërtetën kur dole në kufi?!
Mehmeti u tha se u tremba. Këto gjëra Mehmeti ja kish thënë Fetahut kur erdhi në Greqi, përse Fetahu këto nuk ua tha grekëve, atëhere vajti Mehmet Kuçi dhe i tha Fetahut që të thoshte të vërtetën dhe mandej Fetahu tregoj të vërtetën duke thënë se kur erdhi Mehmeti, më tha se neve jemi të dërguar, që kemi ardhur këtu në Greqi.
Mbas pak kohësh kam raportuar prapë për Mehmetin, se ky mban lidhje me Englezët dhe në këtë kohë më thërret kapiten Trandafillua, i cili më thotë që ta survejojë. Në muajin maj të vitit 1954-1955, ka ardhur Gani Hamiti vazhdimisht me një zetorçikletë engleze me rrota të vogla, atëhere neve raportonim te kapiteni, se vjen Gani Hamiti, atëhere kapiteni e thirri në zyrë dhe i kërkoj nëse kishte leje dhe ky i tregon lejen.
Nga proces-verbali i dt. 23.3.1951
Në këtë rast Zyra e Spiunazhit, mbasi do të qëndronim për një periudhë prej katër muajsh në Shqipëri, si detyrë na ka ngarkuar t’organizojmë punën midis komunistëve, d.m.th. të blinim komunistë e sidomos njerëz të Sigurimit. Këtë punë do ta bënim tek njerëz të cilët do të kishin ndonjë pakënaqësi, ose janë të prekur, ose kanë miq elementë që mund t’i përdorim.
Gjithashtu na këshilluan që të përdorim paranë pa kursim, për të blerë të tillë. Njëkohësisht t’u premtonim se do u falej jeta. Na rekomanduan si elementë që mund të punonim për t’i bërë me vete; Tahir Demin, Rexhep Mevlanin, Memoçen (emrin nuk ja mbaj mënd), Fejzo Zeqon, një shoqe Nurfo (mbiemrin nuk ja di), Ali Xhelon nga Konispoli, etj./ Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016















