Nga Sokrat Shyti
Pjesa e dyzetë
Memorie.al /Shkrimtari Sokrat Shyti është i “panjohuri i madh” që prej disa vitesh ka shfaqur majën e ajsbergut të krijimtarisë së tij letrare. E them këtë duke u nisur nga ajo sasi e pakët e librave të tij të botuar në këto vitet e fundit dhe kryesisht romanit voluminoz “Nata fantazmë” (Tiranë 2014). Romanet: “PËRTEJ MISTERIT”, “MES TUNDIMIT DHE VORBULLËS”, “GËRRYERJET E MAKTHIT”, “HIJA E TURPIT DHE E VDEKJES”, “KOLONELI KRYEDHJAK”, “SHPRESAT E NËMURA”, “PËSHTJELLIMET E FATIT” I, II, “MBIJETESA NË KASOLLEN E LOPËS”, si dhe vepra të tjera, të gjitha romane, me nga 350 – 550 faqe, janë në dorëshkrime që presin të botohen. Ëndrrat dhe vrulli i parë i romancierit të ri, që kthehej nga studimet jashtë shtetit plot energji e dashuri për artin dhe letërsinë, u prenë që herët nga tehu i egër i diktaturës komuniste.
Kush është Sokrat Shyti?
I kthyer nga studimet në Universitetin Shtetëror të Moskës, fill pas ndërprerjes së marrëdhënieve shqiptaro-sovjete në vitin 1960, Sokrat Shyti, punon në Radio “Diapazon” (që aso kohe gjendej në rrugën e Kavajës), në një redaksi me miqtë e tij gazetarë – Vangjel Lezho dhe Fadil Kokomani – që të dy, mandej, të arrestuar, e më vonë, të pushkatuar nga regjimi komunist. Përveç radios, Sokrati 21 vjeçar, nëse e përfytyrojmë, ka asokohe interesa pasionante letrare. Shkruan romanin e parë “Madam doktoresha” dhe është në prag të botimit, por… ajme! Fill pas arrestimit të miqve, si për ta mbushur kupën, një vëlla i tij piktor, arratiset jashtë shtetit.
Sokratin e arrestojnë në shtator 1963, ndërsa në nëntor të atij viti, e internojnë familjarisht, (me nënën dhe motrën e vogël), në një vend midis Ardenicës dhe Kolonjës së Lushnjës. Për 27 vjet rresht, familja banon në një kasolle lopësh me kallama, pa dritare, ndërsa Sokrati u nënshtrohet punëve të detyruara. Përgjatë 27 viteve, ai është i shtrënguar ligjërisht të paraqitet tre herë në ditë, tek i plotfuqishmi i zonës. Nuk ka të drejtë të lëvizë nga vendi i internimit, është i privuar nga çdo lloj dokumenti, etj. Në këto kushte, mes një kasolleje lopësh, ai lindi dhe rriti fëmijët. Pikërisht nga mbi këtë ngjarje, apo më saktë një histori tejet e gjatë persekutimi, është bazuar ai për të shkruar librin “Mbijetesa në kasollen e lopës”!
Agron Tufa
PJESË NGA LIBRI, “MBIJETESA NË KASOLLEN E LOPËS”
– “Pyetjen e kam fare të thjeshtë: të internuarit kryejnë shërbim të detyruar ushtarak”?
– “E kuptova. Meqë sekretari i parë i Komitetit të Partisë po ndreq disa padrejtësi ndaj jush, duke përdorur kompetencat e tij, që i jep posti i lart, dashakeqësve u ka mbetur fisheku i fundit, Dega Ushtarake, thirrja ushtar, duke shpresuar që gjatë dy vjetëve të shërbimit, ndërrohet shefi i madh i Partisë, vjen dikush tjetër me hamendësime të mbrapshta, që e ka në gjak luftën klasore. Nuk e vë fare në mëdyshje që nxitja është e brendshme, kryesisht nga ekzekutivi, ndoshta vetë kryetari i pushtetit, ka vënë në lëvizje nënkolonelin t’i futet këtij veprimi antiligjor, i sigurt se do ketë përkrahje nga drejtoria e mobilizimit, në ministrinë e Mbrojtjes.
Nëse lista e rekrutëve të rinj, është miratuar në ministri, do të thotë janë dërguar prej këtu karakteristikat dhe shpjegimet përkatëse. Dhe ndoshta për ty, meqë je 26 vjeç, mund të kenë përdorur një fakt të shtrembëruar, se ke qenë i internuar por nuk je, të janë rikthyer të drejtat fetare, përfshirë triskën e Frontit, letër-njoftimin, prandaj duhet të kryesh shërbimin e detyruar ushtarak. Faktin tjetër që, sipas ligjit, ty të takon të kryesh kursin gjashtë mujor, edhe nëse e kanë përmendur, me siguri duhet ta kenë shoqëruar me kundërshtimin: një të deklasuari, nuk mund t’i jepet titulli i oficerit rezervist, në ushtrinë popullore.
Këtij i takon të kryejë shërbimin në repartet e punës, në NBU. Nëse e kanë kopsitur kërkesën kësisoj, dhe unë s’e vë në dyshim, që kështu e kanë stisur, dashakeqësit e kanë të fituar davanë. Së pari, ti s’ke mbështetës e përkrahës në Ministrinë e Mbrojtjes. Por edhe sikur të kesh, pas marrjes së vendimit të listës, bëhet e pamundur ndreqja e ndonjë pasaktësie, qoftë lëvizja nga një repart në tjetrin, e sidomos shtyrja e shërbimit për ngritjen e ardhshme. Veçanërisht për ty, shtyrja e humbet kuptimin, duke qenë në kufirin limit të moshës.
Sipas meje, pikërisht këto manovrime kanë përdorur, për të thirrur ty ushtar. Prandaj ta qaj hallin, pasi je në prag fejese. Këtë kanë patur parasysh dashakeqësit e tu: të shkaktojnë dhimbje trupore e shpirtërore dy vjet rresht, duke shtuar faktikisht dënimin e kasolles së lopës, me një formë të re ndëshkimi”.
– “Ardhja ime këtu pati dy shtysa. E para, vetjake: desha të qartësoja dyshimin tim. E dyta: të jem me këmbët në tokë, kur të bisedoj me nënën”, – theksova unë për ta falënderuar.
– “Fakti që nëna juaj paska patur dyshim për thirrjen tënde ushtar, tregon se ka nuhatje të mprehtë natyrore” – vuri në dukje prokurori.
– “Ishte me të vërtetë interesante si ma parashtroi: pse nuk të thirrën këto tre vjet, që ishim në kasollen e lopës, por u kujtuan tani”?!
– “Vërejtje e mençur dhe mjaft e saktë”, – tha prokurori.
– “Me këto pak fjalë, ngrihet një akuzë e fuqishme, së cilës juristët nuk i japin dot përgjigje. Prandaj kanë stisur tërë ato sajesa, që shpjegova pak më lart. Meqë erdhi rasti të bisedojmë kokë më kokë, dua të pyes për diçka: pse në revistë ‘Nëntori’, u botua atëherë vetëm gjysma e tregimit, pa shënimin vijon?! Pati ndonjë urdhër nga lart, të mos botohet pjesa e dytë”?
– “Diçka patjetër ka ndodhur. Porse çfarë konkretisht, nuk e di. Ndoshta ka patur fërkim mes redaktorit të tregimit dhe kryeredaktorit. Kot nuk thuhet: kur zihen buajt, shqelmat i hanë zhabat. Ose edhe mund të ketë ardhur urdhër nga lart, siç hamendësuat ju…”- ia ktheva unë.
– “Pikërisht me këto forma të larmishme të krahë-marrjeve, sulmohen talentet e padëshiruar. Për të patur ecuri të sigurt, talenti ka nevojë të ketë mbështetje politike. Ty kjo të mungoi, ndaj dhe e pësove kaq rëndë. Por fatmirësisht, filloi kthesa e mbarë, mund të lëvizësh lirshëm, pa marrë leje nga shefi yt i atjeshëm, i Plotfuqishmi. Prandaj nëse të mbetet pak kohë të lire, kur rastis të vish në Lushnje, duku këtej në zyrën time, të shkëmbejmë mendime për letërsinë.
Juristët, sidomos ne punonjësit e prokurorisë, jemi si personazhi i Çehoviit, ‘Njeriu me këllëf’. Sepse puna jonë rutinë, na ka futur në korniza kaq të ngurta ligjore, e po na i varfëron çdo ditë e më shumë shijet tona vetjake, për letërsinë dhe artet, sa po na shndërron pak nga pak, në njeriun me këllëf…”, – shtoi me ton dashamirës, duke zgjatur dorën të përshëndetemi.
Kryetari i Komitetit Ekzekutiv, ngriti dorezën e telefonit të linjës sekrete, dhe u lidh me kryeprokurorin e rrethit. Në sekondë drejtuesin kryesor të akuzës, e pështjelloi një ngacmim i pakëndshëm, kur dëgjoi zërin e kryetarit të pushtetit, pasi ndodhte shumë rrallë që shefi i ekzekutivit, kujtohet e interesohet për ecurinë dhe mbarëvajtjen e punëve të prokurorisë, për të mos thënë s’mbante mend asnjë rast konkret, t’i telefononte këtij drejtpërdrejtë për diçka. Të gjitha këto kundërshti, e bënë tepër kureshtar, ndaj priti me bezdi e shqetësim te dëgjonte arsyen e kësaj thirrje befasuese.
Në fillim, kryetari i pushtetit e nisi bisedën me disa pyetje të rëndomta: (Si shkojnë punët andej nga ju? A e përballon dot organi i akuzës me forcën e duhur, ngarkesën e madhe që i ka besuar Partia, si mburoja ligjore më e rëndësishme dhe e specializuar e shtetit tonë socialist, në këtë periudhë kaq të ashpërsuar të luftës së klasave?). Dhe menjëherë pas këtyre, titullari i Komitetit Ekzekutiv, e la gati të shtangur e shokuar kryeprokurorin me vërejtjen e çuditshme:
– “Dua të di saktësisht: keni sinjale shqetësimi nga të internuarit e rrethit tonë? Sepse sipas disa informacioneve të sigurta, më kanë ardhur të dhëna se sot, njëri nga vartësit e tu, ka patur takim të zgjatur me ish-gazetarin e Radiodifuzionit. Pikërisht për këtë arsye, kërkoj nga ju, të më jepni plotësime shtesë më të hollësishme, për ç’qëllim u krye ky takim”?!
– “Jam në dijeni të këtij takimi, shoku kryetar, dhe po e jap përgjigjen në çast, me qind për qind saktësi: ishte thjeshtë takim personal. Për sa i përket psesë së parë të pyetjes, ju them se ne, si organ akuze, s’kemi patur asnjë ngacmim, ankese apo sinjalizim ndaj ish gazetarit”.
– “Po futesh në një hulli të panevojshëm, shoku prokuror, ngaqë e keqkuptove vërejtjen time. Unë nuk të pyeta nëse e thirret ju personalisht, pasi këto janë çështjet tuaja të brendshme, që i shqyrtoni me specialistët vartës. Mua më intereson të di saktësisht, ç’qëllim pati i internuari, që erdhi në prokurori, dhe çfarë bisedoi kaq gjatë, me prokuror Bardhin?! Sepse, pavarësisht natyrës së profesionit dhe specifikës tuaj, si organ akuze, nga ana administrative keni po të njëjtën strukturë vartësie ndërmjet hallkave dhe po të njëjtin centralizim, si organet e pushtetit. Ndaj t’u drejtova ty, si titullar institucioni, e nuk i telefonova drejtpërdrejt, prokuror Bardhit. Titullari i institucionit ka disa detyrime të veçanta, duke filluar nga nuhatja e bisedave private të vartësve, me të ardhurit e pa thirrur, sidomos kur biseda kryhet brenda zyrave, dhe njëra palë i përket grupit të deklasuarve. Pikërisht në këto raste tipike kaq të veçanta, provohet vigjilenca revolucionare e drejtuesit”.
– “Ju kuptova drejtë, shoku kryetar. Duke patur parasysh që ky bashkëbisedim paraqet për ju interes të veçantë, premtoj ta zbardh shumë shpejt, dhe sapo të jem gati ,do t’ju telefonoj menjëherë”.
Por pas këtyre fjalëve, sinjali u ndërpre! Në vend të përgjigjes, kryeprokurori dëgjoi zhurmën e përplasjes së dorezës të telefonit, mbi aparat. Me sa kuptoi, kryetarit të Komitetit Ekzekutiv, nuk i pëlqeu përgjigja e fundit, ndaj me veprimin e tij arrogant, i tha kreut të prokurorisë: “Ik, shporru, sharlatan mendjemadh”! Dhe i qerthulluar nga nervozizmi, filloi të turfullonte si i xhindosur. Sa s’hante veten me dhëmbë, që nuk ia vuri kryeprokurorit, dy këmbët në një këpucë! Pse u tregua kaq i drejtpërdrejtë, nuk e përdrodhi muhabetin si me nënkolonelin e Degës Ushtarake, të cilin e tërhoqi për kapistre, ashtu si i deshi qejfi?
Por edhe kështu si e nisi, prapë gaboi: nuk duhet të mbante rezerva, e ta lejonte të livadhiste me profka! Duhet të vepronte krejt ndryshe: t’ia bënte tetë me dy e, ta vinte nën urdhrat e tij. Sepse kështu si veproi, në vend të shpaloste autoritetin e fuqishëm të pushtetit, ndodhi e kundërta, u soll i plogësht, tamam si funksionarët e mesëm të shtetit, të cilët tregohen të matur e të kujdesshëm me gjyqtarët e prokurorët, nën ndrydhjen e hijes së rëndë që bartin këta me vete, duke e ditur se pa tjetër vjen çasti i nderë, të trokasin në dyert e tyre, për t’iu lutur të lirojnë e zgjidhin kularin e ndëshkimit, kur e kanë rreth qafës, ose të ndërhyjnë për të lehtësuar ndjeshëm dënimin e njerëzve më të afërt, që kanë mëkatuar, dhe këtë kërkesë e bëjnë jo pse u digjet zemra për ta, por nga frika se po të ndëshkohen sipas peshës së fajit, këtyre u rrezikohet seriozisht karriera politike.
Kryetari turfullonte që u pështjellua nga kjo dobësi poshtëruese, dhe e lejoi kryeprokurorin t’i shiste pordhë, kur ky farë lehtë mund t’i jepte atë pjesë të përgjigjes nga bashkëbisedimi i vartësit të tij, me ish-gazetarin e Radiodifuzionit, sa i leverdiste këtij vetë, duke ditur të vërtetën, që faktikisht zotëronte fjalë për fjalë përmbajtjen e takimit, falë teknikës së fundit të përgjimit, (me të cilën qenë pajisur drejtuesit e organit të akuzës).
Afërsisht diçka e tillë i ndodhi vetë kryeprokurorit, kur mbeti krejt i ngrirë disa minuta pas dëgjimit të përgjimit, me vështrim të ngërthyer mbi magnetofonin sa një kokërr bizele, i yshtur nga kureshtja mos ndoshta dilte diçka tjetër në vazhdim, që do ta befasonte. Por pandehma e tij doli boshe. Dhe nën shtysën e këtij zhgënjimi, e ngacmoi pyetja e kahershme: ç’kritere ka patur parasysh drejtoria e kuadrit, kur caktoi Bardhin në organin e akuzës, si prokuror, duke e ditur që këtij realisht i mungon plotësisht rreptësia dhe egërsia e ndëshkimit, gjatë hetimit asnjëherë nuk e përdor trysninë e tmerrit dhe frikës, madje e sheh të pandehurin si qenie njerëzore me arsye, jo si armik, nuk udhëhiqet nga synimi ta detyrojë me të gjitha format e mënyrat, të pranojë fajin e të tregoje ç’gjë e ka nxitur, të kryejë veprën penale kriminale?!
Duke qenë i pajisur me natyrë të butë, shumë më tepër njerëzor sa i takon një prokurori të akuzës, Bardhit i mungon krejtësisht ambicia për karrierë, (pikërisht cilësia që dëshiron çdo shef të ketë vartësi, pasi mungesa e kësaj veçorie, e çliron nga shqetësimi i ankthshëm, mos i zë vendin, dhe nuk stresohet e harxhon energji të tepërta, si ta heq qafe).
Pas kësaj përsiatje, shefi i akuzës filloi të përcaktonte hollësisht masën e rrëfimit, si duhet formuluar përgjigja, që kryetarit të pushtetit t’i mbushet mendja, se në kthinën e prokurorit, nuk u shtjellua asgjë e veçantë, përveç muhabetit shoqëror, kryesisht për letërsinë. Për ta ilustruar mendimin e tij, do theksonte fragmentin e bisedës, ku prokuror Bardhi pyeti ish-gazetarin e radios, pse u botua në revistën “Nëntori”, vetëm gjysma e tregimit të gjatë, pa shënimin (vijon), diçka e pazakontë për çdo revistë, duke e shoqëruar me shtesën konkrete: Po të ishte gabim shtypi, do pasqyrohej në faqen e korrigjimeve.
Në fakt nuk pati asnjë shënim në këtë faqe, dhe gjysma tjetër e tregimit, nuk u botua në numrin pasardhës! Me këtë shpjegim të hollësishëm nga autori, pse ndodhi kjo anomali e pakëndshme gjatë botimit të tregimit, kryeprokurori do ta ndjente veten plotësisht të lehtësuar, dhe të bindur që e dha sqarimin e kërkuar.
– “Sipas teje, vetëm për ta pyetur rreth kësaj çështje, pesë me hiç, u torr muhabeti litar”?!… – ia ktheu me mosbesim të hapur kryetari i Komitetit Ekzekutiv. – Apo kaq ke mundur të thithësh ti nga përgjigja e vartësit tënd? Në qoftë kështu, po të drejtohem me një formë tjetër: të mbushet mendja ty që muhabeti i tyre u vërtit rreth një pyetje, e cila bashkë me përgjigjen, nuk zgjat më shumë se një minutë”?…
– “Për rastin në fjalë, duhet patur parasysh edhe një hollësi tjetër: vartësi im, njihet me ish-gazetarin, vite më parë, dhe lexon me pasion vepra letrare. Nga biseda e tyre e plotë, del qartazi se edhe më parë janë takuar rastësisht kalimthi, dhe kanë shkëmbyer mendime për krijimtarinë e tij letrare. Ndoshta në një takim të mëparshëm, Bardhi mund t’i ketë shfaqur dëshirën ish-gazetarit, që kur t’i jepet mundësia të trokasë në zyrën e tij, pasi këtu bisedojnë fare lirshëm e, të shpenguar.
Përfiton edhe nga detyra e tij shtetërore, si prokuror, e cila e çliron tërësisht nga shqetësimet e zyrtarëve të tjerë, që ngurrojnë të takojnë një të deklasuar. Prandaj e ritheksoj edhe një here, me mijë për qind garanci se, sipas të dhënave nga burime të sigurta, gjatë bisedës së tyre nuk u prek asnjë çështje juridike ligjore, përveç letërsisë. Kjo për dy arsye: së pari, interesimi i prokuror Bardhit për letërsinë, ndodhet vazhdimisht në epiqendër të kureshtjes së tij.
Së dyti, vetëpërmbajtja e bashkëbiseduesve buron drejtpërdrejtë nga kujdesi, për të mos prekur e rrëmuar një çështje thelbësore, me të cilën u mor personalisht sekretari i parë i Komitetit të Partisë. Ky arsyetim bindës, vërteton plotësisht mendimin tim. Po edhe sikur ta zëmë për një çast, se ish-gazetari i ka drejtuar një pyetje prokuror Bardhit, me natyrë ligjore, jam i sigurt mijë për qind, se ky nuk i ka kthyer përgjigje, duke patur parasysh që me këtë çështje, merret shefi i madh i Partisë…”!
Pas këtyre fjalëve, ndodhi e njëjta gjë si radhën e shkuar: menjëherë u ndërpre sinjali telefonik, dhe kryetari i pushtetit, përplasi i nervozuar dorezën mbi aparat, duke e shoqëruar veprimin e tij, me sharje banale kundër kryeprokurorit pordhac. Nuk e vinte në mëdyshje që shefi i akuzës, përrallisi çfarë i deshi bytha, përdori për ilustrim atë pjesë të bisedës që nuk tregonte asgjë, për t’i thënë titullarit të pushtetit: “kështu u torr muhabeti, mes ish-gazetarit dhe prokuror Bardhit”. Si të vetmin marifet, për të dalë pa u lagur nga gjendja e vështirë, shefi i akuzës pa të udhës, të llomotiti profka të përgjithshme, nga ato që përdoren rëndomë, të cilat as nuk i dëmtojnë vartësit e, as i prishin marrëdhëniet midis tyre.
Ky qëndrim kishte si pikë të fortë mbështetje, faktin e njohur nga të gjithë, ndërhyrjen energjike të sekretarit të parë, kthesën e madhe liberale, falë të cilës forma e dënimit e ish- gazetarit të Radiodifuzionit, u tjetërsua rrënjësisht përmes vendimeve të guximshme për strehim dhe punësim, dy shtyllat më kryesore, duke rivendosur të drejtat e mohuara themelore qytetare, që e poshtëronin dhe e detyronin të ecte kokulur nga pasha e rëndë e turpit, pasi orë e çast, ndjehej jashtë shoqërisë, si qenie e zhvlerësuar.
Ndërkaq kryeprokurorit të rrethit, i dukej e pabesuar dhe absurde që, shefit të madh të Partisë, i ka shpëtuar një hollësi mjaft e rëndësishme, s’ka nuhatur ose nuk i ka shkuar fare ndërmend, se kundër “reformave” rrënjësore, po përgatitet tërthorazi një barrierë e padukshme për ta frenuar, nga ana e kryetarit të pushtetit, të cilin ky e përdori me shumë zgjuarsi e sukses, si bazë ligjore, për syrgjynosjen e ish-gazetarit, dy vjet në fermat ushtarake, ku do t’i bjerë bretku.
Në të vërtetët, kryetari i Komitetit Ekzekutiv, u tregua i duruar, s’e rrëmbeu entuziazmi i ngacmimit joshës: para se t’i përvishej përmbushjes së këtij synimi, studioi me kujdes të gjitha rrjedhojat e pasojat. Dhe vetëm kur u sigurua që shefi i madh i Partisë, s’do ndërhynte tek kryetari i Degës Ushtarake, për ta shtyrë thirrjen e mobilizimit ushtar, (me shpjegimin e pa kundërshtuar të kalimit limit të moshës së rekrutit), hodhi hapat drejt konkretizimit, me vetëbesim të palëkundur se këtë radhë, do dilte fitimtar me manovrën e mençur të thirrjes ushtar, thellësisht i kënaqur që do t’ia ulte hundën shefit të madh të Partisë, duke e goditur në “thembrën e Akilit”! Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016