Nga Sokrat Shyti
Pjesa e tridhjetenëntë
Memorie.al /Shkrimtari Sokrat Shyti është i “panjohuri i madh” që prej disa vitesh ka shfaqur majën e ajsbergut të krijimtarisë së tij letrare. E them këtë duke u nisur nga ajo sasi e pakët e librave të tij të botuar në këto vitet e fundit dhe kryesisht romanit voluminoz “Nata fantazmë” (Tiranë 2014). Romanet: “PËRTEJ MISTERIT”, “MES TUNDIMIT DHE VORBULLËS”, “GËRRYERJET E MAKTHIT”, “HIJA E TURPIT DHE E VDEKJES”, “KOLONELI KRYEDHJAK”, “SHPRESAT E NËMURA”, “PËSHTJELLIMET E FATIT” I, II, “MBIJETESA NË KASOLLEN E LOPËS”, si dhe vepra të tjera, të gjitha romane, me nga 350 – 550 faqe, janë në dorëshkrime që presin të botohen. Ëndrrat dhe vrulli i parë i romancierit të ri, që kthehej nga studimet jashtë shtetit plot energji e dashuri për artin dhe letërsinë, u prenë që herët nga tehu i egër i diktaturës komuniste.
Kush është Sokrat Shyti?
I kthyer nga studimet në Universitetin Shtetëror të Moskës, fill pas ndërprerjes së marrëdhënieve shqiptaro-sovjete në vitin 1960, Sokrat Shyti, punon në Radio “Diapazon” (që aso kohe gjendej në rrugën e Kavajës), në një redaksi me miqtë e tij gazetarë – Vangjel Lezho dhe Fadil Kokomani – që të dy, mandej, të arrestuar, e më vonë, të pushkatuar nga regjimi komunist. Përveç radios, Sokrati 21 vjeçar, nëse e përfytyrojmë, ka asokohe interesa pasionante letrare. Shkruan romanin e parë “Madam doktoresha” dhe është në prag të botimit, por… ajme! Fill pas arrestimit të miqve, si për ta mbushur kupën, një vëlla i tij piktor, arratiset jashtë shtetit.
Sokratin e arrestojnë në shtator 1963, ndërsa në nëntor të atij viti, e internojnë familjarisht, (me nënën dhe motrën e vogël), në një vend midis Ardenicës dhe Kolonjës së Lushnjës. Për 27 vjet rresht, familja banon në një kasolle lopësh me kallama, pa dritare, ndërsa Sokrati u nënshtrohet punëve të detyruara. Përgjatë 27 viteve, ai është i shtrënguar ligjërisht të paraqitet tre herë në ditë, tek i plotfuqishmi i zonës. Nuk ka të drejtë të lëvizë nga vendi i internimit, është i privuar nga çdo lloj dokumenti, etj. Në këto kushte, mes një kasolleje lopësh, ai lindi dhe rriti fëmijët. Pikërisht nga mbi këtë ngjarje, apo më saktë një histori tejet e gjatë persekutimi, është bazuar ai për të shkruar librin “Mbijetesa në kasollen e lopës”!
Agron Tufa
PJESË NGA LIBRI, “MBIJETESA NË KASOLLEN E LOPËS”
– “Varet ia shtron kërkesën. Së pari duhet t’i drejtosh nga ana ime pyetjet: Pse tim kunat nuk e thirrën ushtar gjatë tre vjetëve, por u kujtuan tani, që shefi i madh i Partisë po ve ne vend drejtësinë e munguar? Pyetja e dytë: merret ligjërisht ushtar një i internuar, kur këtij nuk i lejohet të lëvize? Vetëm pas dëgjimit të këtyre dy përgjigjeve, llafosemi prapë bashkë.
Për ta shkoqitur deri në fund këtë muhabet, po të propozoj një zgjidhje tjetër: njoh një prokuror, burrë i ndershëm dhe i drejtë, nga ata shumë të rrallët, që përmende ti, me të cilin kam muhabet. Më mirë se ky askush nuk i di këto punë, – theksoi shtruar Stavri për ta qetësuar. – Ndërkaq nga ana jonë kërkohet të tregohemi mjaft të matur e të kujdesshëm për këtë çështje delikate, duke patur parasysh dhe gjatë këtyre tre vjetëve juve u punuan qindin…, – u mundua t’ia zbutë acarimin vjehrrës.
– Në radhë të parë duhet të jemi të matur e të kujdesshëm ndaj djalit tënd e, kunatit tim: para tij kurrsesi nuk duhet përmendur hija e dyshimit e thirrjes ushtar. Neve na takon t’i japim zemër, t’i themi se dy vjet kalojnë shpejt, pastaj na presin mbarësi. Prandaj ta përqendrojmë muhabetin kryesisht tek fejesa, dhe ta lëmë për në fund thirrjen ushtar. Je dakord me mua”?
– “Në këtë pikë ke të drejtë. Nuk duhet ta mërzitim çunin me gërricjet tona. Jam e sigurt që çupa e Ulës nga tronditja e lajmit të hidhur ka derdhur lot me ngashërime, – tha nëna Anë, duke psherëtirë.
Pikërisht në këtë çast të nderë të bisedës, u futa në kthinën e pritjes. Nga vështrimet e ngërthyer mbi sytë e mi, kuptova se bashkëbisedimi pa tjetër kish patur fërkime e kundërshti: Me siguri nënës i duket thirrja ime ushtar, si diçka e qëllimshme, e kurdisur nga dashakeqësit. Kurse Stavri ka bërë përpjekje t’i shpjegojë se mbi ligjet e shtetit, nuk del askush. Rreth këtij strumbullari duhet të jetë vërtitur muhabeti, ndaj të dy dukeshin të acaruar.
– “E takove vjehrrën tënde”? – më pyeti nëna pas pak.
– “Këtë ia ngarkova të fejuarës time”, – ia
ktheva unë.
– “Ah, e paskeni shpallur vetë fejesën, pa pjesëtaret e dy familjeve”?… – shtoi me ton paksa te ashpër nëna.
– “Ti e njeh djalin tënd, moj nëne, dhe e di se pa lejen e bekimin prindëror, asnjë hap nuk hedh. Pavarësisht që zyrtarisht fejesa ende s’është shpallur, miratimin tuaj e kemi marrë. Prandaj brenda familjes, kemi të drejtë ta quajmë veten të fejuar. Në qoftë se e kam gabim, nuk e përmend herë tjetër”, – theksova unë i dëshpëruar, që u nis jo e këndshme kjo bisedë
– “Të fejuarës tënde ja the copë në fillim, apo ia prure anës e anës”? – më pyeti nëna pa i kushtuar rëndësi vërejtjes time.
– “U mundova të jem sa më i kursyer, por nuk e di nëse ia dola në krye…”!
– “Po ajo u përmbajt, nuk derdhi lot e nuk u shkreh në vaj”?… – shtoi nëna e shqetësuar.
– “Ashtu siç pritej, në fillim u hutua dhe u trondit nga lajmi i hidhur e i beftë, jo vetëm pse kjo gjë nuk i shkonte kurrë ndërmend, por i dukej krejt i pakuptimtë.
– “Besoj edhe ty kështu t’u duk në fillim, kur ta tha Stavri”.
– “U trondita sa më lëvizi kapaku i kokës! – tha duke psherëtirë thellë. – M’u mpi truri e zemra”!
– “Po pastaj”?
– “Pastaj më rrëmbeu një valë e nxehtë zemërimi, kundër kësaj proçke”.
– “Pse e quan proçkë”? – e pyeta unë.
– “Sepse e tillë është! – theksoi ajo me vendosmëri. – S’mund të mbash dy qëndrime të kundërt, për të njejtën gjë: kur u teket të na përçmojnë dhe të na shkelin me këmbë e, kanë në majë të gjuhës nofkën e shpifur, të deklasuar. Dhe ketë e bëjnë për të treguar se ne nuk jemi njësoj me të tjerët, që kanë triska fronti dhe letër-njoftimi. Kurse tani sajuan rrengun e ushtrisë! Prandaj i thashë Stavrit, se dua të takoj shefin e madh të partisë, që ta sqaroj këtë çështje. Por dhëndri më kundërshtoi, tha se do merret vesh ky vet me ndihmësin e shefit. – Më duket mendim i drejtë”, – e përkraha unë propozimin e burrit te motrës, duke hedhur vështrimin drejt tij.
– “Pastaj iu ndryshua dhe këtij mendja: tha se më e arsyeshme ishte të llafoset me një prokuror të njohur. Ky mendim më pëlqeu më shumë. Ja pse Perëndia na ka dhënë mendjen e gjuhën, që të merremi vesh me njëri tjetrin, të sqarojmë gjërat e padrejta, dhe të mbrohemi nga sajesat tinëzare të shpirt zinjve, – theksoi nëna me vendosmëri. – Ne do bëjmë tonën, aq sa mundemi, që të mos na mbetet peng si mëdyshje diçka kur s’na e mbush mendjen, për më tepër na duket thikë pas shpine. Ndërkaq duhet të përgatitemi për vajtjen tënde ushtar, pasi me Qeverinë nuk hahet inat, – shtoi ajo duke psherëtirë. – Ata andej, nga krushka Ulë, si do ta kenë pritur këtë kumt”? – pyeti befas.
– “Pa tjetër janë mërzitur, dhe do t’ju duket sikur na e kanë bërë me kast”- iu përgjigja unë.
– “Po të kish ardhur fletë-thirrja për ushtar para shpërnguljes nga kasollja e lopës, para daljes së lajmit të mirë, që ti do fillosh punë në arsim, dije se pala andej do ta quante këtë lajm si mbarësi për ta, një zgjidhje që u shkon atyre për shtat…”!
– “Mos e kundërshton veten tënde! – i tërhoqa unë vërejtjen. – A nuk e quajte thirrjen time për ushtar proçkë të sajuar? Je e bindur për këtë? Atëhere duhet ta dish: po qe e tillë, nuk zbulohet”.
– “Sipas meje, nuk mund të ngrihet dyshim për diçka ligjore, kur nuk kemi asnjë të dhënë”, – kundërshtoi Stavri, i cili deri në këtë çast, dëgjonte i heshtur.
– “Ne s’po llafosemi rrugës, apo në shtëpinë e botës, – ndërhyri nëna. – Që me njerëzit e Qeverisë domosdo duhet patur kujdes, kjo gjithnjë do patur parasysh. Prandaj në çdo muhabet duhet thënë aq sa na lejojnë rregullat, pa dëmtuar veten. Për sa i përket rastit tonë, ne nuk po shkojmë të ankohemi, por do sqarohemi”.
– “Ma do mendja që Reta, si centraliste në postë, ka për të rrëmuar nëpër burime të sigurta e të padukshme”, – tha Stavri për të treguar gatishmërinë dhe përkushtimin e tij ndaj kësaj çështje, por me maturi dhe i përmbajtur.
– “Sidoqoftë, sipas meje vajtjen tënde ushtar, duhet ta shohim edhe nga një këndvështrim pozitiv”, – shtoi ai…!
– “E cili na qenka ky”? – ndërhyri nëna tepër kureshtare.
– “Që familjes tuaj po i rikthehen dalëngadalë të gjitha të drejtat e mohuara qytetare…”!
– “Në këtë pikë ndahen mendimet tona, – kundërshtoi nëna. – E di kujt i them unë rikthim”?
– “Ta dëgjoj një herë, pastaj të jap përgjigje”, – ia ktheu dhëndri.
– “Vetëm nëse na çojnë me banim atje ku ishim, në Tiranë, na japin një copë strehë, sa për të futur kokën, dhe nuk na bien në qafë”! – shpjegoi me një frymë nëna.
– “Kjo gjë s’ka për të ndodhur ndonjëherë, jo vetëm për familjen tuaj, por për të gjithë”! – vuri në dukje Stavri.
– “Sepse në Diktaturën e Proletariatit, lufta klasore përbën boshtin kryesor të shtetit. Fakti që tek ne, Komandanti dha shembullin i pari, pushkatoi burrin e motrës gjate luftës, flet fare qartë, se organet e pushtetit popullor, nuk e njohin mëshirën, janë mjaft të prerë e të rreptë, ndaj vendimeve që japin. Le të kujtojmë çfarë ndodhte me ne deri dje: nuk i qaseshim dot njëri tjetrit! Kurse sot, falë ndërhyrjes së guximshme të sekretarit të Parë të Komitetit të Partisë, na u dha e drejta të afrojmë pranë njëra tjetrës copat e trungut familjar prindëror.
Në qoftë se do të rastiste dhe ky tip i ngurtë, njësoj si kryetari i Komitetit Ekzekutiv, ju do vazhdonit jetesën shumë të vështirë në kasollen e lopës, Sokratit do t’i binte bretku nga mëngjesi deri në mbrëmje, me bidonin e naftës mbi sup! Dhe sot as do bëhej fjalë për fejesën e tij. Prandaj, sipas meje, kthesa e mbarë në familjen tuaj, nuk duhet të errësohet nga vajtja ushtar, edhe sikur ky veprim të mos jetë plotësisht i mbështetur në ligj. Sado si komunist, nuk i besoj ekzistencës së fatit, për rastin tuaj e pranoj dhe e quaj shans të madh, që në drejtimin e Komitetit të Partisë, gjendet një udhëheqës me vizion njerëzor”!
– “Mund të bëj një pyetje”, – e ndërpreva unë.
Bashkëshorti i motrës hodhi një vështrim qortues, sikur donte të thoshte: kur të jemi fare vetëm, ne të dy, pa praninë e nënës, bisedojmë hapur. Kurse tani, në këtë çast, që po rrahim një çështje të mprehtë dhe delikate, nuk duhet t’i hedhësh benzinë zjarrit të diskutimit. (Megjithatë, unë nuk e mora parasysh vërejtjen e tij, dhe vazhdova më tej):
– “Pse janë kaq të rrallë tek ne drejtuesit me vizion njerëzor? Jemi gjenetikisht të tillë, të prirë më shumë ndaj hakmarrjes e keqdashjes, dhe pikërisht kjo dukuri biologjike i vjen për shtat luftës klasore”?
– “Përgjigja e kësaj pyetje nuk më takon mua, si financier në Bankën e Shtetit, por atyre që merren me prejardhjen gjenetike të një kombi, – ma ktheu ai pa u menduar gjatë. – Sikundër themi që në një pyll ka më shumë derra, se në një tjetër, e njëjta gjë vërehet edhe për natyrën e racave njerëzore, pa dhënë shpjegimet përkatëse. Na pëlqen apo jo vetja, kështu si jemi, ime s’ka fare rëndësi, sepse edhe po të duam ta ndryshojmë prapë, nuk e bëjmë dot…”!
– “Me përcaktimin e fundit, jam në një mendje me ty. Por prej këtij përcaktimi, del pyetja e dytë mjaft e rëndësishme: përderisa nuk e bëjmë dot, pse zhurmohet kaq shumë kudo, për formimin e njeriut të ri”?!…
– “A nuk e lini me kaq këtë muhabet! Pasi këtë çast, nuk janë as vakti e as koha të gjejmë pse -të, aq më tepër kurë dimë që këto kështu kanë qenë e kështu do mbeten, gjithnjë pa përgjigje”! – ndërhyri me zgjuarsi nëna.
– “E dëgjove sa bukur u shpreh nëna juaj dhe vjehrra ime? – shtoi i entuziazmuar Stavri. – Me pak fjalë e sqaroi misterin e ndryshimit”.
– “Të fshehtat e kësaj bote, i di vetëm Krijuesi, Perëndia. Të gjitha qeniet e gjalla janë kalimtarë të përkohshëm. Por një që e them pa ngurruar: fara e hedhur në Tokë nga Perëndia, nuk ka qenë e pastruar, më shumë ka patur gram e hithra, se sa bimë të dobishme. E njëjta që ka ndodhur për kafshët e njerëzit. Prandaj për t’i vënë kapak këtij muhabeti, që tirret pambarim sa të
kesh takat, e lëmë me kaq. Erdhi çasti të pimë një kafe, pasi kjo e uruar edhe na e mbledh njëfarësoj mendjen, edhe na çlodh”.
Unë shkova në kuzhinë të përgatit kafen, duke e ditur që nënës i shijon më shumë nga dora ime. Më pëlqeu ndërhyrja e saj e zgjuar në kohën e përshtatshme, të ndërpritej biseda e stërzgjatur, e cila kish filluar të bëhej e bezdisshme e, mund të na acaronte. Gjatë minutave që përgatitja kafen, sillja ndërmend pjesët më kryesore të bashkëbisedimit, që më kishin bërë më shumë përshtypje. Interesante m’u duk pika e takimit mes nënës dhe Stavrit: të dy dyshonin për ligjshmërinë e thirrjes time ushtar. Por arsyetimi i nënës tingëlloi më bindës e i drejtpërdrejtë.
Sipas saj, je i dënuari nga Qeveria, dhe i zhveshur nga gjithë të drejtat e shtetësisë, pa triskë fronti e letër-njoftimi, për më tepër me nofkën e shpifur, “i deklasuar”, nuk mund të thirret për të kryer shërbimin e detyruar ushtarak. Ishte kaq e vendosur në mendimin e saj, sa u shpreh e gatshme të takonte shefin e madh të Partisë, duke e trembur seriozisht Stavrin, i cili për ta frenuar, premtoi të bisedonte me ndihmësin e sekretarit të Parë, më pas iu duk me vend të pyesë një prokuror të njohur.
Pikërisht ngacmimi i fundit u bë shkas dhe pikënisje për pyetjen: pse të mos e bisedoj vetë drejtpërdrejtë me prokurorin këtë çështje, kur njihem me të dhe ai tregohet i papërtuar? Për më tepër, si jurist i ndershëm dhe dashamirës i letërsisë, ndjen njëfarë respekti ndaj meje. Nuk e besoj që takimi me mua, do ta vë në pozitë të vështirë, duke patur parasysh natyrën e detyrës, e cila e lejon të hyjnë e të dalin nga kthina e tij, kryesisht hallexhinj, që kanë probleme me ligjin.
I bindur në saktësinë e këtij mendimi, të nesërmen ngjita shkallët e prokurorisë dhe trokita ne derën e tij. Vura re që prokurorit i ndriçuan sytë, kur më pa, sepse iu duk e befasishme kjo vizitë, ndaj dhe më priti me dashamirësi e ngrohtësi: u ngrit në këmbë, më shtrëngoi dorën, dhe nisi të bisedonte me mua lirshëm, sikur ishim takuar shpesh herë, kur në fakt vetëm përshëndeteshim me kokë nga larg.
– “I kam marrë vesh të gjitha peripecitë, që keni përjetuar, dhe tani jam mjaft i gëzuar që rrjedha e familjes tuaj mori kthesë të mbarë”! – tha ai me vështrim të qeshur.
Nuk ka rastisur të takohemi e të bisedojmë, prandaj po i shpreh këtë çast përshtypjet e mia: Para së gjithash mua më dukej absurd mbajtja e një qëndrimi armiqësor ndaj familjes tuaj, sidomos për ju tre pjesëtarët, duke krijuar një diference të pakuptimtë me vëllanë e madh, vetëm pse ky jeton në strehë tjetër! Nuk e di në ç’kod e nen i kanë gjetur shpjegimet juristët e Komisionit Qeveritar?!
Por sipas meje, ndryshime kaq të thella, për dhënien e dënimit mbi të njëjtin shkak, arratisjen e njërit vëlla, janë përtej çdo arsyetimi ligjor. Veçanërisht tejet i llahtarshëm m’u duk zbatimi i Vendimit: në cilin nen u bazuan përmbaruesit e Komisionit Qeveritar, t’ju strehojnë në kasollen e lopës, kur ky objekt nuk shënohet gjëkundi si vend i caktuar, për vuajtjen e dënimit?!
Paradoks juridik absurd fund e krye! Me njërin nga shokët e mi, që studiuam bashkë, i cili tani punon në Prokurorinë e Përgjithshme, e rrahëm një herë rastin tuaj të paprecedentë. Ai ngriti supat dhe tha: pikërisht paradokset janë ligjet tona të pashkruara! Konkretisht: mjafton akti i kryerjes së një veprimi nga një pjesëtar familje, që të përcaktojnë ‘të deklasuar’ brenda normave të një ligji, dhe hakmarrësit dashakeqës ndërsehen e vërsulen për të kafshuar! Askush s’të mbron nga këto sulme! Çuditërisht nuk përshkruhet gjëkund, ndaj dhe nuk i jepet fare rëndësi në ç’kushte e kryen dënimin i ndëshkuari.
Për rastin tënd duhet ta quash fat të madh, që sekretari i Parë i Komitetit të Partisë u udhëhoq nga ana njerëzore e logjikës së ligjit: dërgoi ndihmësin e tij për t’u konsultuar me mua. Ishte hera e parë që drejtuesi më i lartë i rrethit, kërkonte sqarime mbi zbatimin e një ligji, duke patur parasysh Kushtetutën. Prandaj i’a shpjegova këtij gjerë e gjatë, siç po ta tregoj ty këtë çast, duke e shoqëruar shpjegimin me shembuj konkret dhe përkatës.
Pastaj tërthorazi e pyeta ndihmësin, si mbërriti ngacmimi tek veshët e shefit të madh. Mbeta i habitur dhe mjaft i kënaqur, që kjo rastësi erdhi nga një pyetje fare e thjeshtë, e ndërthurur me një kërkesë të domosdoshme shtetërore, siç qe pjesa teatrale e grupit amator të Shtëpisë së Kulturës, ku u përmend emri yt, dhe pikërisht kjo u bë shtysë për nisjen e shqyrtimit të një padrejtësie kaq të tmerrshme, e cila nuk dihet sa vite të tjerë do të mbante të ndrydhur brenda zhguallit të urrejtjes dhe vuajtjes!…
Por ti sot nuk ke ardhur për të dëgjuar prej meje përshtypjet e ndodhive të fundit, të cilat tashmë kanë pluskuar mbi sipërfaqe dhe i dinë të gjithë. Me siguri diçka tjetër të ngacmon, që trokite në zyrën time…”?! Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016