• Rreth Nesh
  • Kontakt
  • Albanian
  • English
Thursday, June 19, 2025
Memorie.al
No Result
View All Result
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
No Result
View All Result
Memorie.al
No Result
View All Result
Home Personazh

“Kur Koli Rrodhe vdiq në burgun e Burrelit në 1947-ën, gazeta ‘Dielli’ e Shoqërisë ‘Vatra’ në SHBA-ës, shkroi se…”/ Historia e trishtë e patriotit të shquar korçar, ish-deputet i Parlamentit të parë, në 1921-in

“Kur Koli Rrodhe vdiq në burgun e Burrelit në 1947-ën, gazeta ‘Dielli’ e Shoqërisë ‘Vatra’ në SHBA-ës, shkroi se…”/ Historia e trishtë e patriotit të shquar korçar, ish-deputet i Parlamentit të parë, në 1921-in
“Me njerëzit e mi besnik, arrita ta nxjerr gruan time nga qelitë e burgut të Krujës dhe pasi ndenjëm tre vjet maleve, u arratisëm nga Shqipëria…”/ Dëshmia e rrallë nga SHBA
“Kur Koli Rrodhe vdiq në burgun e Burrelit në 1947-ën, gazeta ‘Dielli’ e Shoqërisë ‘Vatra’ në SHBA-ës, shkroi se…”/ Historia e trishtë e patriotit të shquar korçar, ish-deputet i Parlamentit të parë, në 1921-in
“Kur Koli Rrodhe vdiq në burgun e Burrelit në 1947-ën, gazeta ‘Dielli’ e Shoqërisë ‘Vatra’ në SHBA-ës, shkroi se…”/ Historia e trishtë e patriotit të shquar korçar, ish-deputet i Parlamentit të parë, në 1921-in
“Kur Koli Rrodhe vdiq në burgun e Burrelit në 1947-ën, gazeta ‘Dielli’ e Shoqërisë ‘Vatra’ në SHBA-ës, shkroi se…”/ Historia e trishtë e patriotit të shquar korçar, ish-deputet i Parlamentit të parë, në 1921-in
“Kur Koli Rrodhe vdiq në burgun e Burrelit në 1947-ën, gazeta ‘Dielli’ e Shoqërisë ‘Vatra’ në SHBA-ës, shkroi se…”/ Historia e trishtë e patriotit të shquar korçar, ish-deputet i Parlamentit të parë, në 1921-in

Nga Dalip Greca

Memorie.al / Në radhën e “vatranëve”, që ndriçojnë në rrugëtimin më shumë se një shekullor të Federatës Pan-shqiptare të Amerikës ”VATRA”, qëndron edhe Kolë Rodhe, luftëtari i lirisë kundër bandave greke, ish kryetari i Besa-Besë, Kryetari i Shoqatës “Arsimi” në SHBA-ës, “vatrani” i përkushtuar, botuesi i së përdyjavshmes kombëtare ”Vullnetari”, deputeti i Korçës, prefekti i Beratit, Gjirokastrës, Shkodrës, martiri që u burgos nga turqit, grekët dhe komunistët, i cili pati një fund tragjik, duke u shuar në burgun famëkeq të Burrelit. Më kot kërkova me ngulm kronikat e viteve 1946, ‘47, ’48, të gazetës “Dielli”, për arrestimin, burgosjen, dhe vdekjen tragjike të vatranit Kolë Rodhe. Nuk e gjeta, shkaku merret me mend: Në atë kohë “Vatra”, mendonte se Qeveria e Enver Hoxhës, ishte demokratike dhe në faqet e “Diellit”, botoheshin fjalimet, biografia e Hoxhës, reportazhet dhe sukseset e qeverisë komuniste, lëvdohej Enver Hoxha, madje shahej dhe Amerika e, mbrohej Bashkimi Sovjetik.

Edhe kur shkruhej ndonjë fjalë për arrestimet e nacionalistëve, qofshin edhe “vatranë”, kalohej me ndonjë fjali të thatë, ku lajmi mbetej i dyshimtë. Kështu kur u arrestuan intelektualë e nacionalistë të Korçës, në fund të kronikës shkruhej: “Thonë se me këtë grup armiqësor, është arrestuar edhe Kristo Kirka e, Koli Rodhe-ja…”!

Ndërsa në “Diellin” e Prill-Maj 1955, gjuha e “Diellit”, është e mprehtë, therëse, kritike. Kupa e helmit është mbushur. “Vatranët” e Amerikës, e kanë mësuar të vërtetën. Që në faqen e parë, botohet kronika e vdekjes në burgun e Burrelit: “Kriminelët komunistë, bëjnë kërdinë…! Vazhdon pamëshirë shfarosja sistematike e patriotëve në Shqipërinë e Kuqe…! Edhe Kristo Kirka, vdiq në burg….”!

Gjithashtu mund të lexoni

“Fishta, Mjeda, Gurakuqi e Logoreci, i dërguen një telegram jezuitëve, për vendimin e alfabetit, madje Fishta, i shprehu konsullit austriak për Mjedën…”/ Refleksionet e studiuesit të njohur

“Ishte Enver Hoxha në krye të PKSH-së, që mallkoi ‘Mukjen’, që heshti për masakrën e Tivarit, që çoi repartet partizane për…”/ Refleksione rreth librit ‘Ideali i papërfunduar kombëtar’ të Hysni Shaqirit

Shkrimi vijon: “Pas Kolë Rodhes, Bahri Omarit, Kol Tromarës, Akile Tasit, Hito Sadikut, dhe shumë shqiptaro-amerikanë e ‘vatranë’ të tjerë, u vranë nga komunistët e Shqipërisë, ose vdiqën në burgjet e tyre të tmerrshme…! Kristo Kirka vdiq në burgun e ‘Kryetrimave’, ku kishin vdekë dhe ‘vatranë’ të tjerë, si Kolë Rodhja”! Shqiptari i Amerikës ndjen dhimbje. Vatranët vajtojnë për vatranët që po i grinte diktatura…!

                                                                              * * *

… Koli Rodhe është ndër ata “vatranë”, që u nderua vonë nga shteti shqiptar, ndërkohë që shteti komunist, e pat shpallur armik, luftëtarin e lirisë, që luftoi gjithë jetën kundër armiqve të Shqipërisë. Etaloni i demokratëve, vuajti në burgun e Burrelit, ku u shua dhe ende nuk i dihet varri as sot. Nuk mjaftoi vetëm dënimi i tij, por dhe familja u përndoq e u end dhimbshëm në kalvarin e vuajtjeve. Përveç bashkëshortes, edhe vajza e tij, do të kalonte në ferrin e vuajtjeve, për shkakun se ishte e bija e armikut të Partisë, Koli Rodhes, që kishte vdekur në burg, por ishte edhe e shoqja e poetit, “armikut të rrezikshëm të partisë”, Genc Bardh Leka, që u pushkatua me akt-akuzë për poezitë dhe përkthimet e tij.

Me propozim të “Vatrës”, Koli Rodhe u nderua nga ish-presidenti Bujar Nishani, me “Medaljen e Artë të Shqiponjës”, në nëntor 2015.

Po kush ishte Kolë Rodhe?

Koli Rodhe lindi me 25 korrik 1883, në qytetin e Korçës. Familja i mundësoi shkollimin bazë, gjimnazin. Ndjenja e shqiptarizmit e burrëroi herët, e rreshtoi me armë në dorë në radhët e çetave të lirisë, por edhe e përplasi herët në qelitë e burgjeve. Ishte 18 vjeç, kur u burgos nga Xhonturqit, si njeri që trazonte Perandorinë. Pas 9 muajsh burg, lirohet, por nuk mundi të jetonte më në Korçën e dashur, pasi emri i tij, ishte vendosur në rreth. Ndjenja e patriotizmit e çon në Odesë të Rusisë, me qëllim që të mbledhë ndihma për familjen e dëshmorit Papa Kristo Negovani, të masakruar nga grekomanët. Më pas kontribuon për mbledhjen e fondeve për gazetën e Sotir Pecit”Kombi” që botohej në Boston. Atdhetari është i kudondodhur në vorbullën e Lëvizjes Kombëtare. Gjendet në Sofje dhe në Bukuresht, ku ka vendosur lidhje me patriotët shqiptarë të atjeshëm, si dhe kontakte me priftin patriot, At Naum Çere, e të tjerë.

Më 1908, është me taborin e shqiptarëve që kërkojnë organizimin e Lëvizjes Kombëtare, mbështetës i patriotëve shqiptarë në SHBA-së. Lëvizja e këtushme (SHBA), i jep pjekuri guximit dhe shpirtit të tij atdhetar. Fillimisht me Nolin e, më pas dhe më Konicën, Kristo Kirkën, Kolë Tromarën, e patriotët e tjerë, bëhet një nga shtyllat e lëvizjes shqiptare në SHBA-ës. Është në taborin mbështetës, kur Noli themeloi Kishën Ortodokse Shqiptare, gjendet aty kur u dha mesha e parë. Zgjidhet Kryetar i Shoqatës “Besa–Besë”, është kryetar i pleqësisë për degën e “Vatrës” në Marlboro, është ithtar i përgatitjes së Trupave vullnetare me djemtë e shqiptaro-amerikanë dhe i oficerëve shqiptarë, për t’i dërguar më pas në Shqipëri, për t’u mbrojtur nga fqinjët grabitqarë, të tokave arbërore.

                                                                            * * *

Që kur ishte tek shoqata “Besa-Besë”, Koli Rodhe kreu një akt që pakkush do ta bënte. Shoqata “Besa-Besë”, e kishte në programin e saj mbrojtjen e Atdheut. Ata kishin krijuar edhe uniformat ushtarake, për të qenë të gatshëm kur t’i kërkonte Atdheu. Në kapelat e uniformës, shkruhej në gjuhën shqipe; “Liri a Vdekje”. Kur Koli Rodhe ishte në krye të “Besa-Besë”, si kryetar i saj, dha shembullin për të tjerët: “Unë i pari”,- tha ai. Pastaj bëri ftesën: -“Të tjerët pas meje, t’i ndihim Atdheut që po rënkon”!

Dhe u nisën drejt Shqipërisë. Kur mbërritën në Korfuz, u zbuluan dhe u arrestua nga Xhonturqit. E dërgojnë në burgun e Janinës, më pas në Kalanë e Gjirokastrës. Gazeta “Koha” e Mihal Gramenos, në numrin e saj të 17 majit 1917, jepte këtë kronikë: “Si vetëtimë u përhap kushtrimi prej Gjirokastre, që përcillte lajmin e bukur, që atdhetarët Nikolla (Koli) Rodhe dhe Vasil Tromara, pas 8 muajsh burg në Delvinë, Janinë e Gjirokastër, muarën berarët dhe u liruan nga burgu. Këta atdhetarë vuanin si martirë, për çështjen kombëtare, se vjet në verë ardhë nga Amerika e, i burgosën në Delvinë pas Kryengritjës”!

Sapo fiton lirinë, kthehet në qytetin e tij dhe vendos lidhje me luftëtarët e lirisë. Krijon grupimin e tij me një masë të konsiderueshme luftëtarësh të lirisë, nga Gora dhe Opari e, me ta çliron Bërzeshtën, Pogradecin etj. Sërish kthehet në Korçë dhe merr pjesë në çlirimin e saj. Kapet prapë nga xhonturqit dhe burgoset në bodrumet e Mitropolisë, së bashku me shokët e tij. Sapo u përhap lajmi, fshatarët e fushës së Korçës mësyjnë dhe shpërthejnë burgun. Koli lirohet dhe bashkohet me çetën e Sali Butkës dhe Kajo Babienit, sulmojnë Kolonjën, e çlirojnë dhe nisën drejt Beratit.

Kudo ku luftohej për liri, atje ishte Koli Rodhja. Mori pjesë në Luftën e Çifligut, përkrah shokut të armëve Spiro Ballkameni. Shokë armësh e idealesh, me Themistokli Gërmenjin, Çerçiz e Bajo Topullin, mori pjesë në Luftën e Mashkullorës, ku merr plagë dhe e nisin drejt Vlorës. Nëse do të vazhdonim të shfletonim kronikat e bëmave atdhetare të këtij luftëtari të Lirisë, do të shënonim: Koli Rodhe, me 1 dhe 2 prill 1914, ishte shef i Xhandarmërisë në Korçë. Në krye të forcave të mbrojtjes së qytetit, ai shtyp kryengritjen e grupimeve të komitëve grekë, të ndihmuar nga ushtarët grekë, e ashtuquajtur “Kryengritja e Vorio Epirit”.

Më 1915, kthehet sërish në Amerikë. Si përherë aktiv. Në shkurt 1916, është ndër krijuesit e shoqatës “Arsimi Kombëtar” dhe në krye të saj, si kryetar. Me gazetën e tij “Vullnetari”, që nisi botimin më 1916, u bë një avokat i aftë i “Vatrës” dhe i Lëvizjes Kombëtare në SHBA-ës. Numri i parë i “Vullnetari”-t është publikuar me 18 shkurt 1916, në Natick-Massachusetts. Botohej dy herë në muaj.

Ishte gazetë politike e satirike. Që në numrin e parë, gazeta botoi programin, ku spikaste qëllimi i botuesit dhe mbështetësve të gazetës: Gazeta ka si qëllim të mbrojë vetëqeverimin dhe tërësinë e Shqipërisë, të forcojë Lëvizjen Kombëtare, të godasë çdo kundërshtar, që pengon Lëvizjen Kombëtare, të demaskojë publikisht para shqiptarëve intrigantët, provokatorët, dhe përçarësit, të mbajë lart nderin e atdhetarëve të shkëlqyer dhe shqiptarëve Kombëtarë etj. “Vullnetari”, që në numrin e parë denonconte masakrat e grekëve në Jug të Shqipërisë dhe vajtonte fatin e popullit të masakruar, ndërkohë që godiste fort përçarjet mes shqiptarëve, përfshi dhe tek shqiptarët e Amerikës.

                                                                         * * *

Si shumë atdhetarë të tjerë përkrahës dhe dishepuj të Fan S. Nolit, edhe Koli Rodhja, kthehet në atdhe për të “bërë Shqipërinë”. Korça e vlerësoi kontributin e birit të vet, duke e zgjedhur deputet të të parit Parlament Shqiptar, më 21 prill 1921. Gazeta “Posta e Korçës” e datës 9 mars 1922, shkruante: “Votoni për kandidatët e pandarë të Imzot Nolit, zotin Koli Rodhe dhe Faslli Frashëri…”! Ndërsa më 11 mars 1922, e njëjta gazetë, shkruante: “Populli e tregoi me fakte besimin e tij, duke i dhënë votat zotit Koli Rodhe, për postin e deputetit”!

Studiuesi Teki Selenica, do të shkruante në librin e tij statistikor, ‘Shqipëria më 1927’: “I zgjedhur për trimërinë dhe respektin që krijoi Korça e mrekullueshme, Korça shqiptare, midis Banush Hamdi e, Estref Frashërit, Loni Kristos, Pandeli Calës, Kristo Kirkës, Pandeli Evangjelit, Sejfi Vllamasit, Sotir Pecit, …vuri edhe Koli Rodhen”!

Në shtypin e kohës, gjenden gjurmët e veprimtarisë së vlerësuar atdhetare të Koli Rodhes. Gazeta e “Vatrës”, që dilte në Korçë nën drejtimin e Hasan Bitinckës “Shqiptari i Amerikës”, në artikullin me titull; “Deputeti i Korçës”, botuar në numrin e 24 marsit 1923, ku jepet një kronikë nga punimet e Parlamentit të 22 marsit, shkruan: “Pardje (22 mars), doli Qeveria para Parlamentit, për shkoqitje e votëbesim. Fjala e Kryeministrit u karakterizua prej opozitës si konferencë premtimesh e shpresash për të ardhmen…prej opozitës, folën Isuf Benga, Luigj Gurakuqi, Ali Këlcyra, Bahri Omari, Koço Tasi, Koli Rodhe e Mehdi Frashëri”!

Koli Rodhe, përveçse deputet aktiv, kreu dhe detyra të tjera shtetërore, paçka se ishte kundërshtar i hapur i Monarkisë, Mbreti Zog, e ngarkoi me detyra qeveritare, si Prefekt në Shkodër, Berat, Fier, Gjirokastër. Kundërshtarët politik ia vlerësonin atdhetarizmin dhe përkushtimin Kombëtar. Ai kishte dhënë prova me armë në dorë, për mbrojtjen e Atdheut. Pushtimin fashist të Shqipërisë, e priti me revoltë, ashtu siç kishte pritë të gjithë pushtuesit. Në ditë pushtimin fashist, ai dha dorëheqjen nga detyra shtetërore. Edhe pse e përkrahu luftën kundër pushtuesit, Koli Rodhe nuk pranoi thirrjet për të marrë pjesë në Konferencën e Pezës, Kongresin e Përmetit, Konferencën e Beratit etj. Koli kishte përvetësuar demokracinë amerikane- ishte për një pluralizëm e demokraci alla-amerikane. I kuptoi shpejt qëllimet e Partisë Komuniste Shqiptare dhe kërkoi të veprojë, për ta ndalë të keqen.

Ishte kjo arsyeja që u vu në krah të opozitës përballë komunistëve, duke qenë në radhën e social-demokratëve në zgjedhjet e para pas çlirimit. Nuk pranoi që të votonte me 2 Dhjetor 1945, abstenoi në votime, së bashku me vajzën dhe gruan e tij. Ishte kundërshtar i hapur i bashkëpunimit me Jugosllavinë. Për këto qëndrime, arrestohet me 27 janar 1946 dhe në qershor, ai, që kishte luftuar aq shumë për popullin e tij, me pranga ndër duar, gjykohej para popullit, si “armik i popullit”! Dhe kush?… Ai luftëtari i përhershëm, për çlirimin e Atdheut, që kishte luftuar me turqit, grekët, e italianët…! Gjykohet së bashku me 37 antikomunistë (Grupi i Sami Qeribashit dhe Musine Kokalarit) në qershor 1946. Mbajti qëndrim burrëror para Trupit Gjykues. Dëshmia e atij gjyqi ,vjen nga kronika prej sallës së Gjyqit, që e ka përcjellë Gazeta “Bashkimi” e Frontit Demokratik, në numrat e 19 dhe 21 qershor 1946, kur shkruan:

“Koli Rodhja, jep llogari”.

Akuza: “Koli Rodhja zhgënjeu komunistët, të cilët përdorën reputacionin e tij në popull, duke e vënë në Kryesinë e Frontit Demokratik”…

Kryetari i gjyqit, sulmonte me mllef atdhetarin e orëve të para: – “Armik i popullit”, “Sabotator”, “Ujk plak…”!

Kryetari i Trupit gjykues: – I pranon akuzat?

Kola: – Asnjë!

Kryetari: – S’ke pasur lidhje me tradhtarët?

Kola: – Jo!

Prokurori: – Po asnjë faj nuk ke bërë ti, Koli Rodhja?

Koli: – Asnjë!

Prokurori: – Mos të kemi sjellë kot këtu…?!

(Salla dhe trupi gjykues (të orkestruar) qeshin…)

Prokurori: – Gënjen Koli Rodhe…! Ti thua që rinia nuk duhet të merret me politikë. Ti ke qenë Inspektor i Ministrisë së Brendshme…! Nuk ke përkrahur lidhjet tona me Jugosllavinë. Kërkoje Autonominë e Kosovës. Po, o Ujk plak, po Kol Rodhe…! Ti deshe Regjencën e Mehdi Frashërit, deshe ndërhyrje të jashtme, se gjendja qenka e errët…! Deshe shpërndarjen e ushtrisë, mbrojtjen e atdheut…deshe qeveri koalicioni, me shumë partira, deshe të prishësh unitetin politik e popullit shqiptar…”!

Akuzat vazhdonin lumë….! Ç’ti thoshte Kola këtij prokurori militant?  Dhe zgjodhi heshtjen…! Koli Rodhja kur gjykohej, ishte 67 vjeç…! Trupin gjykues i dha dënimin me 30 vite burg politik. Mosha, torturat, e lodhën patriotin, që një vit pas dënimit, u shua në burgun famëkeq të Burrelit…!

Kalvarit të vuajtjeve, nuk i shpëtoi as familja e tij, e cila u “shpërblye”, për aktivitetin patriotik të Kolit, duke e hedhur në krahët e mjerimit dhe punët e krahut! Vajza e tij, e martuar me poetin disident, Genc Leka, u përjashtua nga arsimi. Ndër akuzat që i formuluan, ishte dhe ajo e vjehrrit, Koli Rodhe, ish- deputet i Zogut (kështu e quante Vangjel Çërrava) dhe shtonte në raportin e tij konfidencial, për organet e diktaturës: “Babai i saj, ka vdekur si armik në Burgun e Burrelit…! Deputet i Zogut! Memorie.al

ShareTweetPinSendShareSend
Previous Post

“Lajmi se Blerina me Arbërin, kishin bërë celebrimin në Gjëndjen Civile, u përhap si rrufe në të gjithë qytetin dhe pëshpëritjet nën zë; se si ajo, një pedagoge e njohur, të fejohesh me...”/ Historia e trishtë e kohës së diktaturës

Next Post

Kalendari Historik 3 Dhjetor 2024

Artikuj të ngjashëm

“Fishta, Mjeda, Gurakuqi e Logoreci, i dërguen një telegram jezuitëve, për vendimin e alfabetit, madje Fishta, i shprehu konsullit austriak për Mjedën…”/ Refleksionet e studiuesit të njohur
Personazh

“Fishta, Mjeda, Gurakuqi e Logoreci, i dërguen një telegram jezuitëve, për vendimin e alfabetit, madje Fishta, i shprehu konsullit austriak për Mjedën…”/ Refleksionet e studiuesit të njohur

June 17, 2025
“S’na intereson, sa ka shkruar Lenini, por çka bërë ai për Shqipërinë dhe…”/ Historia e panjohur e deputetit rebel, pjesëmarrës në Revolucionin e Tetorit, që anatemohej si aventurier, se s’martohej dhe Enveri e dënoi me vdekje
Personazh

“Ishte Enver Hoxha në krye të PKSH-së, që mallkoi ‘Mukjen’, që heshti për masakrën e Tivarit, që çoi repartet partizane për…”/ Refleksione rreth librit ‘Ideali i papërfunduar kombëtar’ të Hysni Shaqirit

June 14, 2025
“Kur Boçi na dha lajmin; vdiq Enver Hoxha, kalova përball disa burrave ku ishte edhe i plotfuqishmi i zonës dhe u futa në shtëpi, ku i thashë Gimit; Ngordhi, ngordhi, por ai…”/ Kujtimet e Liri Lubonjës   
Personazh

“Kur Boçi na dha lajmin; vdiq Enver Hoxha, kalova përball disa burrave ku ishte edhe i plotfuqishmi i zonës dhe u futa në shtëpi, ku i thashë Gimit; Ngordhi, ngordhi, por ai…”/ Kujtimet e Liri Lubonjës  

June 12, 2025
“Kur shkova në Spaç dhe mu shfaq Fatosi, ashtu i qethur zero, me ato rrobat e shëmtuara të burgut, u ngashëreva dhe isha gati të shpërtheja në lot, por ai më tha…”/ Kujtimet e Liri Lubonjës
Personazh

“Kur shkova në Spaç dhe mu shfaq Fatosi, ashtu i qethur zero, me ato rrobat e shëmtuara të burgut, u ngashëreva dhe isha gati të shpërtheja në lot, por ai më tha…”/ Kujtimet e Liri Lubonjës

June 11, 2025
“Nikollë Marka Toma, duke i dëgjuar për vuajtjet e familjes së vet, i armatosur mirë, hyri në kufirin e Shqipërisë, në Selcë dhe shkoi te shtëpia e tij, ku…”/ Historia e panjohur e bajraktarit të Kelmendit
Personazh

“Nikollë Marka Toma, duke i dëgjuar për vuajtjet e familjes së vet, i armatosur mirë, hyri në kufirin e Shqipërisë, në Selcë dhe shkoi te shtëpia e tij, ku…”/ Historia e panjohur e bajraktarit të Kelmendit

June 9, 2025
“Kahremani Ylli, s’u lodh kurrë për të ngulitur në kokat e drejtuesve partiakë e shtetërorë të atëhershëm, se e ardhmja evropiane e Shqipërisë, ishte mendja…”/ Refleksionet e publicistit të njohur
Personazh

“Kahremani Ylli, s’u lodh kurrë për të ngulitur në kokat e drejtuesve partiakë e shtetërorë të atëhershëm, se e ardhmja evropiane e Shqipërisë, ishte mendja…”/ Refleksionet e publicistit të njohur

June 7, 2025
Next Post
“Arshi Pipa, s’kishte dëshirë të fliste për njerëzit që i kishin bërë keq në Shqipëri, por më tha vetëm për profesorin, që kishte marrë pjesë në dënimin e tij, Koço…”/ Dëshmia e rrallë e studiuesit francez

Kalendari Historik 3 Dhjetor 2024

“Historia është versioni i ngjarjeve të kaluara për të cilat njerëzit kanë vendosur të bien dakord”
Napoleon Bonaparti

Publikimi ose shpërndarja e përmbajtjes së artikujve nga burime të tjera është e ndaluar reptësisht pa pëlqimin paraprak me shkrim nga Portali MEMORIE. Për të marrë dhe publikuar materialet e Portalit MEMORIE, dërgoni kërkesën tuaj tek [email protected]
NIPT: L92013011M

Na ndiqni

  • Rreth Nesh
  • Privacy

© Memorie.al 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.

No Result
View All Result
  • Albanian
  • English
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme