Nga Denisa Kona
Pjesa e dytë
Memorie.al / Historia e familjes Bakalli, është ajo e njërës prej familjeve më të vjetra tiranase, me tradita. Në njërën nga pesë shtëpitë që u la babai (e zhvendosur paksa më tej nga e vjetra 2000-vjeçare – aty ku sot ndodhet ”Shtëpia e Birrës”), në zemër të Tiranës, jetonte i fundit i 6 vëllezërve, prej një mëme e një babe dhe një prej 24 fëmijëve të Kadiut të Tiranës – siç thirrej atëherë gjykatësi i qytetit, Hasan Bakalli. Qazim Bakalli, në vitin 2009, ishte në moshën 88- vjeçare, pasi kishte kaluar 5 infarkte dhe një hemoragji cerebrale, shpresonte të jetonte edhe për shumë kohë akoma, falë besimit në Zot…! Historia e tij është nga më të rrallat, ashtu siç mund të presësh të dëgjosh nga një njeri në pleqëri të thellë e me një jetë shumë të pasur të të gjitha natyrave. Ndonëse të folurit i pengohej pak nga paraliza që kishte kaluar para disa kohësh, ai e quante një mrekulli që, i është kthyer ajo aftësi. Dhe ja se çfarë na tregoi shtruar, aty në shtëpinë e tij, të mbushur me libra, dekorata e simbole fetare.
E megjithatë, Doktor Qazim Bakalli, tregon se divorcin nuk do ta kishte dashur. Para 50 vjetësh (atëherë Qazimi duhet të ketë qenë 55 vjeç dhe e shoqja 43, mbërriti fleta nga gjykata. “Isha duke punuar bahçen e shtëpisë në atë kohë,- tregon Qazimi,- dhe as që e prisja diçka të tillë. Ajo e kishte marrë vendimin pa e biseduar më parë me mua. Ndërsa po firmosja thirrjen për në gjyq, m u duk se po firmosja vdekjen time”.
“Jam treguar injorant dhe katil që kam vënë dorë mbi të”!
Ndihem fajtor përsëriste doktor Qazimi. “Jeta bashkëshortore më vjen ndër mend me ankth, sepse e kam shkatërruar, sepse shkatërrova jetën e fëmijëve. Grindeshim në mes të natës, ora 1.00, ajo niste të qante, qante natë e ditë, dimër e verë, ikte prej shtëpie me çorape. Ishte shumë xheloze”! Ai nuk thoshte se bëhej kot xheloze, nuk thoshte as që kishte të drejtë. Në vend të kësaj, thoshte se shoferëve dhe mjekëve, u ka dalë nami se shkojnë me femra, sepse kanë shumë kontakte me to.
“Gruaja e një mjeku nuk mund të mos jetë xheloze, – thotë ai.- Por më vjen keq, që nuk ia kam respektuar sa duhet hallet e saj familjare, ajo ishte shumë e vuajtur. Ishte grua shumë e mirë, shumë punëtorë, e pastër, edhe inteligjente. Ka qenë mësuese, por kishte nervat një problem që ta bënte jetën të pamundur. Unë nuk i kam rrahur kurrë fëmijët, kurse ajo i rrihte vazhdimisht. Bëhej xheloze edhe për dashurinë time me fëmijët”.
“Gruaja e një mjeku ka gjithnjë arsye për xhelozi”!
“Gruaja ishte xheloze edhe për namin tim si mjek, – thoshte ai.- Kur u ktheva pas 10 vitesh nga Burreli në Tiranë, këtu ishte mbushur me mjekë shumë të mirë. Por mua më kishte dalë nami dhe kur të del nami, nuk mbetet familje pa të thirrur. Kam bredhur gjithë Tiranën me biçikletë. Gruaja nuk i përjetonte mirë komplimentet apo ankesat e pacienteve. Pa le kur ndodhte t’i shihte duke qeshur. Unë si i ardhur prej province, isha i sjellshëm me tërë njerëzit dhe këtë ajo e quante dobësi timen”.
Ai shton se – xhelozia dhe mosbesimi i saj është kaq i madh, saqë dyshonte për çdo rast. “Nëse ajo merrte vesh që ti ke qenë këtu, ose të shikonte nga dritarja, do t’i thotë së bijës, jo mua: Qazimi vazhdon të jetë kurvar si i ri, si plak”.
Kanë kaluar 70 vjet nga koha e martesës së tyre. Edhe në atë kohë kur ishte mbi 70 vjeçe dhe ata ishin të ndarë, ajo vazhdonte të turfullonte nëpër shtëpi kundër tij. Qazimi na rrëfente se ajo është shtëpia e tyre, që ia ka lënë baba, kati i parë është i tij, ndërsa në dy katet sipër, banonte e shoqja. Nuk i kishte fituar ato nga ndarja e pasurisë, por nga shitja e pronave të të atit, që kishte tek Liceu. Me paratë e tyre ndërtoi po aty sipër tij, dy kate. (Po si harruam ta pyesim doktor Qazimin, që pse ajo vendosi t’i ngrejë katet pikërisht aty, pasi qe divorcuar e jo gjetiu, apo mos ndoshta i kishte ngritur ato para se të ndaheshin?).
Në atë kohë, kur ishte në moshën 88-vjeçare, ai thoshte: “Habitem se si ne, familje intelektuale, unë mjek, ajo mësuese, të dy nga familje me tradita, të arrinim në atë pikë sa të ziheshim me shapkë. Ajo vuante prej neurozave, por edhe unë nuk e përmbaja dot veten, pas shpërthimeve të saj. Jemi treguar gjaknxehtë”!
Kur e pyesnim Doktor Qazimin nëse i trokiste në derë ndonjëherë ish-gruas dhe a i dërgonte ndonjë dhuratë, ai na përgjigjej: “Dhuratë? Pu, pu, pu! Ajo ta përplas fytyrës. Edhe plehrat kur ia gjej në oborr, ia derdh fshehurazi. Është tipi i saj që të bëjë gjithçka”. Ai përsërit se nëse nuk do t i kishte neglizhuar shqetësimet nervore të gruas së tij dhe ajo do të ishte kuruar, nuk do të kishin pasur divorc.
Doktor Bakalli: “Kam nevojë për dashni. Baba bëri atë punë deri në 114 vjeç”
Gruaja i’u gjend te koka pas infarktit, por një aventurë seksuale e 88-vjeçarit e zemëroi sërish. Në atë kohë, doktor Qazimi, kishte shkuar në Francë për operacionin e prostatës. Por kishte kaluar në hemorragji cerebrale pas kësaj. Kishte humbur të folurin. Në ato momente, ish-gruaja e tij (ai e quan vazhdimisht “gruaja”) kapërcen zemërimin e akumuluar prej vitesh dhe vjen ta vizitojë. I zbret shkallët e shtëpisë si shkallët e inatit dhe i qëndron tek koka. E ushqen. Për muaj të tërë ajo i gatuante përditë. “Edhe më lante si fëmijë”, tregon Qazimi. Por kjo dashuri pleqnore, nuk do të zgjaste shumë. “U ngatërruam prapë”,- thoshte ai, – pa dhënë ndonjë hollësi.
Disa kohë më vonë, ai do të kalonte infarkt. Infarktin e pestë. E shoqja e bëri edhe një herë zemrën të madhe dhe sërish i ofroi kujdes. Por, disa kohë pasi e kishte kapërcyer gjendjen, doktor Qazimi, me sa duket bëri një nga ato gabimet e rinisë. “Dola për shëtitje, pasi isha përmirësuar dhe rastësisht takova tek tregu një grua të cilës, i kisha mjekuar nënën dhe babanë. Kisha hyrë në shtëpinë e saj vite shumë përpara, por nuk e mbaja mend, kurse ajo, po. Më takon rastësisht në rrugë, pasi më tregon se ishte divorcuar, më thotë që kishte probleme me shëndetin. I thashë që duhet ta vizitoja. Erdhi këtu në shtëpi. Nuk kisha asnjë paramendim,- tregon Qazimi,- pasi mjeku që nuk bën punën pa qëllime të tjera, nuk është mjek. Pasi e vizitova, ne nisëm të bisedonim. U pëlqyem dhe u ngatërruam…! – thotë Qazimi -Ndonjëherë të ngatërron shejtani”.
Këtë episod e shoqja e kishte marrë vesh, ndoshta përgjuar. Që nga ajo ditë, kur e shihte ish-bashkëshortin plak në rrugë, i thoshte: “Ku ishe? Shkove të takosh atë kurvën, …?! Që sot, mos prit më asnjë shërbim nga mua. S’ka më as mirëmëngjesi, as mirëmbrëma”. Doktor Qazimi thoshte, se nuk e ka dashur ndonjëherë këtë grua që, kishte jetë shumë të ngatërruar.
Megjithatë, ajo hera-herës vjen i bën shoqëri. E pyesim se si ka mundësi që u ngatërrua me këtë grua në këtë moshë të shtyrë, duke i dhënë sërish shkas për xhelozi gruas që e fali?! Përgjigjja mund të duket nga ato lëvdatat e pleqve, por duke ndjekur me kujdes gjithë kronologjinë familjare, mund të arrish t’i besosh gjërat ndryshe.
Në rrëfimin e të moshuarit, vëreheshin doza, madje të tepruara sinqeriteti. “Kam nevojë,- thoshte ai.- Unë jam burrë…! Baba im ka rrojtur 116 vjeç dhe me gruan e fundit ka bërë dashni deri në 114 vjeç. Jemi racë e fortë. Po të ishit djalë, do të flisja ndryshe, por po ju them se ndihem si djalë i ri…(shpreh edhe vetë me një lloj habie, ndërsa pohon se nuk ka përdorur kurrë ndonjë stimulues). Por tani kam 3 muaj që kam hequr dorë. Kam frikën e zemrës, kam kaluar 5 infarkte. Për këtë shkak, kam disa muaj që kam lënë edhe banjat me ujë të ftohtë që bëja çdo mëngjes. Edhe mjekët m’i kanë ndaluar….”! shprehej Doktor Qazimi. Të gjitha këto, duken kaq të çuditshme! Apo jo?
88-vjeçari: “Gatuaj për një javë, laj shtëpinë 3 herë në ditë”
Prej 24 vitesh, doktor Qazimi jetonte i vetëm mes mureve të lagështa të shtëpisë së tij. Ngjyra e suvasë e rrëzuar disa herë në pjesën e lagësht, tregonte të gjitha shtresat e viteve. Por burri 88-vjeçar, nuk ankohej. “Ka qenë shumë keq më parë. Tani është mire. Ma ri konstruktuan fëmijët kur erdhën nga jashtë, sepse këtu, çfarë binte jashtë, hynte brenda”, tregonte ai. Por lagështia nuk është e vetmja mikeshë e tij. Vetmia është ajo që e mundon më tepër. E gjetëm duke ngrënë në një tigan të madh, makarona me mish.
“I bëj për një javë dhe i ha për gjithë javën”, thoshte ai, ndërsa na tregonte se si i kishte gatuar. Si mjek që është, Qazimi kishte një pasion të rrallë, për rregullin dhe pastërtinë. Me këto duar fshij, laj dhe marr pluhurat tri herë në ditë. Librat në veçanti duhen mbrojtur nga pluhuri, se i prish”, na thoshte ai.
“Fotografinë e të dashurës bullgare, gruaja ime nuk ma grisi kurrë…”!
Qazimi na ofronte një foto tjetër: Një grua e moshuar, moshatare me të, i ka dërguar vite më pare, një foto të saj. Ka dalë aty me të nipin. Është bullgare, ka qenë e dashura e tij përpara sesa të martohej. “Ishim moshatarë,- kujton Qazimi,- të dy 27 vjeç. E kam dashur, dashuri që zgjati rreth 1 vit, sa erdha këtu, por gruaja nuk u bë asnjëherë xheloze për të. Madje, edhe kur ia shihte një foto të rinisë, ku kishte dalë shumë e bukur, më thoshte: Këtu ke ditur të zgjedhësh”.
Kjo grua tashmë edhe vetë një e moshuar, quhet Margarita. Por Margarita nuk e ka trazuar kurrë jetën e tij familjare, mbeti një kujtim i rinisë. Pas kësaj, krijojmë një ide më të mirë rreth natyrës së xhelozisë së të shoqes. Nuk duhet të ketë qenë e sëmurë nga xhelozia. Edhe vetë Qazimi e pohon: ”Gruas sime i pëlqente pamja e kësaj gruaje dhe nuk e grisi kurrë foton e saj. Ajo grua nuk e bënte të ndihej xheloze, pasi kishte qenë një histori para njohjes dhe martesës sonë”.
Një ndër 5 mjekët e parë të pasluftës
Shqipëria kishte në atë kohë gjithsej 5 mjekë: doktor Rusin, doktor Sulën, doktor Selenicën (oficer), doktor Cimbin dhe doktor Qazimin. Dy prej tyre kishin studiuar ne Rumani dhe tre të tjerë në Itali, ishin pothuajse një brez. Institucionet civile dhe ato ushtarake, grindeshin mes tyre se kush t’i merrte mjekët. “Ishim si ujët e pakët, – kujton doktor Qazimi. – Institucionet ushtarake, për të na pasur për vete, na morën ushtarë, ndonëse kishim kryer studimet e larta. Na mobilizuan dhe pas dy muajve na graduan “kapiten”. Por nuk kemi bërë asnjë orë ushtri. Sot, nga këta mjekë të mëdhenj, jetojnë 3, ndërsa doktor Maksut Dërrasa (kirurg i madh) dhe Hysni Rusi (kardiolog i talentuar) nuk jetojnë. Doktori i njerëzve të lirë dhe të burgosur në 70 vjet, Qazim Bakalli, tregon: “Bekimi i shenjtë i babait më bëri të falja hasmin”!
“Si m u fanit babai me xhybe, kur do merrja vendimin për diagnozën e spiunit”?!
Ishte viti 1939. Hasan Bakalli, Kadiu i Tiranës, e thërret të birin, Qazimin dhe i thotë: “Ta shoh pak diplomën?” Ia dhashë dhe pas kësaj, ai më tha: ‘Merre një napolon floriri se e meriton’. ‘Jo, – i thashë, -nuk e dua’. ‘Do ta marrësh”, më tha. Ma dha me imponim. Pas kësaj më pyeti: ‘Ça ke me ba’? “Çfarë të duash ti,- i thashë’. ‘Bëhu hoxh’,- më tha baba. Unë ula kryet. Nuk ishte imponim, sepse në familjen tonë nuk kishte pasur kurrë asnjë formë dhune.
Por ishte respekt. Ndër 81 vetë të familjes që ishin mbledhur, çohet vëllai i dytë dhe thotë: ‘Mor bab. S’ka për t’u ba si ti. Do bëhet një hoxhë katundi e do ta gjuajnë me patate! Atëherë ai më pyeti: Çfarë do mor bab’? ‘Mjek’,- i thashë. Babai u gëzua shumë. ‘Bëfsh hajr, bëfsh hajr!,- më tha Ai e quante të shenjtë këtë profesion sepse, kush shpëton jetë njerëzish, shpëton njerëzimin”. Pas kësaj, baba i kishte përsëritur disa herë: “Nëse viziton cilindo sa herë ka nevojë, njësoj si mu, bëfsh hajër! Nëse viziton me hile hasmin tim, qofsh mallku”!
“Gjthë jetën, kam vizituar çdo njeri si të ishte njeriu im”, tregon doktor Qazimi. Këtu zë fill një histori e veçantë e punës së tij. Ishte në atë kohë në Burrel dhe përveç njerëzve të lirë, duhet të vizitonte edhe të burgosurit. E kishin thirrur t’i vizitonte në një rast, për të përcaktuar se kush ishte dhe kush nuk ishte i aftë për punë. Të burgosurit, ishin shtruar në ambulancën e burgut, e sajuar si spital. Ishin “armiqtë e popullit”. “Kur u hap dera, pashë atje edhe vëllanë tim, por nuk i fola. Nuk lejohej. Ndërsa nisa mjekimin, mes tyre njoha njërin, të cilin kisha marrë vesh, se kishte spiunuar vëllanë tim.
Sipas urdhrit të drejtorisë së burgut, nisa t’i vizitoja. Këtë njeri e pashë në sy, pa i thënë asnjë fjalë, e në sy i thashë se; e di që ti je ai që ke marrë më qafë vëllanë tim. Duke e vizituar spiunin, i cili ankohej se vuante nga zemra, dy mendje luftonin tek unë: Njëra më thoshte: Futja se e ke në dorë, tjetra më thoshte ndryshe. Duke u luhatur në këtë përplasje mendimesh, mes hakmarrjes dhe ndjenjës së faljes, m u fanit baba, aty ngjitur me të burgosurin, në këmbë me xhyrbe, me shkop në dorë. Më vërente dhe nuk fliste. Më erdhi shpirti i babës pa më folur ,- thotë me sytë e rrëmbushur në lot, doktor Qazimi. -Atëherë mora letrën dhe shkrova: Vuan nga zemra, edhe pse kisha bindje që ai njeri nuk vuante. I bëra tolerancë pikërisht atij, hasmit tim dhe vura në vend fjalët e babës”. Vite më vonë, doktor Qazimi kujton, se ky njeri, do t’i puthte këmbët.
“Në burgun e Burrelit, ishte drejtor një njeri i mirë i dalë nga Lufta, por analfabet. Ishte vlonjat. E pyeta drejtorin e burgut se, çfarë kanë për të ngrënë të burgosurit, – tregonte doktor Qazimi, – por ai m’u përgjigj: E di komanda. Ia bëra të qartë se, më duhej ta dija se si ishte trajtimi ushqimor, çfarë lloj pune i priste të burgosurit, sa orë në ditë dhe nëse rruga deri atje, ishte me makinë apo më këmbë. Më vonë e mora vesh se, më kishte gënjyer. Më tha me makinë, kur atje ata shkonin më këmbë, dhe ushqimi nuk ishte ai që më treguan!
Pastaj zë fill një histori tjetër: Një i burgosur me emrin Harri Panariti, i dënuar me vdekje, qëndronte në spitalin e burgut sepse sipas ligjit, ai duhej të mjekohej më parë, pastaj të ekzekutohej. Më tregoi një njollë në këmbë. Konstatova që ishte gangrenë. Për një javë nuk shkova në burg, sepse i gjithë qyteti priste prej meje. Prisja lindjet në maternitet. Kur u ktheva, më thanë që Harri ishte në birucë. I them drejtorit që, ai duhej nisur që atë ditë urgjent për në Tiranë, për operim. Ai nënqeshi dhe tha: Ohu dhe ti. Do bëjmë mbledhje njëherë, e pas një apo dy jave, mund ta çojmë në Tiranë.
Ngula këmbë që duhej nisur sot, por ai nuk më dëgjoi. Atëherë shkova në postë dhe i shkrova një letër Ministrit të Brendshëm, Mehmet Shehut. Ajo që merrte letrat, shefja e postës ishte e Sigurimit, por qe grua-zonjë. Shkrova dhe orën, pagova dhe mora kuponin. Ndërkohë, pasi unë u largova, ajo kishte marrë në telefon drejtorin e Ministrisë së Brendshme, Gjolekë Aliun dhe i tregoi. Ky i hipën makinës dhe vjen si rastësisht. Më thotë: ‘Doktor’, (nuk më thoshte asnjëherë në emër), si të venë punët?
I tregova për letrën dhe ky ma kthen: Pse nuk më thua mua?! Thërret pas kësaj në zyrën e tij, drejtorin e burgut. Ky vjen duke dihatur sa nga nxitimi, sa nga pesha e madhe trupore, edhe nga meraku. Dhe i thotë: Ka, apo nuk ka, të drejtë mjeku, urdhri i tij është i pakundërshtueshëm. Sepse ai përgjigjet për shëndetin e të burgosurve?! Me makinën e një ministri, e çuan të dënuarin në spital urgjent, u bë operim, por ishte vonë. Nuk shpëtoi”! Doktor Bakalli, pohon se; regjimi vepronte në dy krahë: Nga njëra anë luftë klasash, nga ana tjetër, përgjegjësi për jetën njerëzore. I burgosuri shpresonte deri në minutën e fundit për ndonjë ulje dënimi, edhe kur ishte i dënuar me vdekje, e për këtë arsye, donte të mjekohej. “Jeta është shumë e shtrenjtë, – thotë mjeku- dhe për aq kohë sa e ka, njeriu shpreson deri në fund”!
“Vëllai më vdiq në urgjencë, kur mjeku e infermierja bënin dashuri…”!
Pasi kishte shkelur me këmbë gjithë Shqipërinë, kudo ku kishte urgjenca mjekësore, më në fund Doktor Bakalli, ndali në Tiranë. Në spitalin civil, sot Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ai ishte shef personeli, gjithashtu edhe dietologu që caktonte mënyrën e ushqyerjes së pacientëve në të gjithë spitalet, përshirë Sanatoriumin dhe Spitalin Ushtarak.
“Përveç kësaj, kisha në ngarkim, ndjekjen e shëndetit të 25 të sëmurëve çdo ditë,- thotë ai,- ndërkohë që mjekë të tjerë, anëtarë partie, spiunë të Sigurimit, kishin në ngarkim nga 1 deri në 5 pacientë”! Këtu ai kujton një ngjarje të hidhur. Njëri nga vëllezërit e tij, me punë këpucar, ishte prekur nga ikteri (verdhëza). U paraqit në urgjencë. “Ishte ditë e diel dhe ne përgatisnim dasmën e çunit të vëllait të tretë. Vëllai im, atë ditë vdiq. Vdiq pakujdesish, për shkak të mosmarrjes së ndihmës shëndetësore në kohë. Mjeku roje, H.P., bashkë me një kryeinfermiere, po bënin dashni dhe i kishin lënë pacientët në mëshirë të fatit,- tregonte doktor Bakalli.- Dhe ky njeri i Sigurimit, nuk pësoi asgjëkafshë. Ngjarja u mbulua dhe u quajt aksident”!
Doktor Qazimi tregon se, vite më pas, me vdekjen e këtij njeriu, pra vëllait të tij, do të inauguroheshin Varrezat e Tufinës. “Ai ka qenë i pari që është varrosur atje,- thoshte Qazimi. I vinte keq, për arsye se; edhe pse vetë ishte mjek, nuk e kishte ndjekur shëndetin e njerëzve të tij. Ishte kujdesur për të gjithë të sëmurët, ndërsa ata i kishte lënë pas dore të tijët. Vdekja e të vëllait, dhe sëmundja e së shoqes e vrisnin ende.
“Nëse do të ishte kuruar, nuk do të ishim dirvocuar”, thoshte ai.
Vjehrri, nxënës i Ajnshtajnit, u pushkatua, vëllai i “Grupit të Deputetëve”, u burgos!
Lufta e klasave e preku familjen Bakalli nga të tëra anët, si dallga që sulmon varkën nga të gjitha drejtimet. Vëllai i tij ishte dënuar dy herë me vdekje nga regjimi (por ia kishte hedhur me burg). Ai kishte marrë pjesë në Lëvizjen Antifashiste, dinte pesë gjuhë, kishte qenë nxënës i Harry Fultzit. Por fill pas Luftës, nuk kishte qenë për komunizmin dhe ishte bërë pjesë e “Grupit të deputetëve”. Faji i tij, ishte përkthimi nga anglishtja, i memorandumit të qeverisë nacionaliste. “E dënuan me vdekje, pastaj me 20 vjet,- tregon Qazimi.- Herën e dytë, e kishin transferuar në burgun e Burrelit, ku unë isha i vetmi mjek në të gjithë rrethin e Matit. Isha edhe mjek i burgut”.
Ndërsa gruaja e tij, kishte nga ana e saj, një tjetër peshë të rëndë. Babai i saj, Asim Abduraman Shpuza ishte pushkatuar si nacionalist. Ai nuk kishte pranuar të merrte pjesë në qeverinë e atëhershme komuniste. Asimi, kishte qenë inxhinier kimist i shkëlqyer, kishte mbaruar në Gjermani, nxënës i Ajnshtajnit në auditor dhe qe dekoruar me ‘Medalje Ari’. E shoqja e Qazimit, ishte vetëm 10 vjeçe kur i ati u pushkatua. Familja e tyre, mbeti pa asnjë mbështetje, nuk u jepnin bukë, nuk u jepnin triska. Nëna e saj u katandis sa s’ka më keq dhe jetonin me shitjen e disa punëve të dorës.
Familja e tij ishte e njollosur. Kur një vëlla dërgohet në burg, shpejt edhe tjetri e ka vendin aty. Por diktatura, me doktor Qazimin, u kursye. “Ndoshta ngaqë isha mjek dhe u duhesha, ndoshta ngaqë kisha qenë me Lëvizjen Antifashiste që nga ora e parë dhe ngaqë familja ime kishte qenë depo për ushqime e ilaçe për çetën e Dajtit”, shprehej ai. /Memorie.al