• Rreth Nesh
  • Kontakt
  • Albanian
Friday, March 13, 2026
Memorie.al
No Result
View All Result
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
No Result
View All Result
Memorie.al
No Result
View All Result
Home Dossier

“Kur i deleguari i Komitetit të Partisë në mbyllje të fjalës së tij tha; ai meriton të gjykohet si armik, por partia është zemër gjerë, Mehmeti u ngrit dhe…”/ Historia e ish-oficerit të Zogut, nga Derjani i Matit

“Në ’75-ën, mbasi isha shpallur ‘armik i popullit’ dhe prisja arrestimin, shkova në shtëpi, ku në orët e vona të natës, dogja dokumentet e librat në gjuhë të huaj…”/ Rrëfimi i trishtë i ish-gazetarit
“Në nahijen tonë, vajza e një kryetari kooperative, që ishte edhe deputet i Kuvendit Popullor, u dashurua me një arixhi, por babai i saj…”/ Ngjarja e panjohur që tronditi Beratin, në vitet ’80-të
Memorie.al
“Neshat Tozaj refuzoi të bënte riekspertimin, kurse hetuesi Sokol Koleka, thirri si ekspert…”/ Dokumentet e “Thikave” të ambasadave në ’80-ën që ‘përplasën’ Enverin me Mehmetin!
“Në mbledhjen demaskuese para popullit, një fshatar i tha; ti Fran, ja ke vënë emrin ‘Brezhnjev’ djalit, pasi pret që Bashkimi Sovjetik…”/ Zbulohet dokumenti me ngjarjen që alarmoi Komitetin Qendror në ’69-ën
“Neshat Tozaj refuzoi të bënte riekspertimin, kurse hetuesi Sokol Koleka, thirri si ekspert…”/ Dokumentet e “Thikave” të ambasadave në ’80-ën që ‘përplasën’ Enverin me Mehmetin!

Nga Vangjush Gambeta

Memorie.al / Sekretarja e organizatës partisë hyri në zyrë dhe, duke m’u drejtuar mua me zë të lartë, që të dëgjonte dhe llogaritarja, tha: – “Njoftoni të gjithë të administratës që të mblidhen në ora 11 te oborri i shkollës fillore, se kemi një mbledhje shumë të rëndësishme:. Llogaritarja e pyeti: – “E përse është kjo mbledhje”? – “Pusho ti! – iu përgjigj sekretarja prerë, por me buzën në gaz. – Sikur s’e di ti! Tërë fshati për këtë po flet e ti s’e paske marrë vesh”?! – Dhe pastaj duke u drejtuar përsëri nga unë, – “Do të mbajmë qëndrim për Hajriun, se nuk i ri goja rehat”! – “Po ai, ç’ka që flet”?!

– “Ai është një plak pa shkollë, që nuk di t’i fshehë mendimet. Ato që ka në kokë i thotë hapur. Këta s’na prishin punë, s’janë armiq. Armiku i fsheh mendimet e veta, nuk i thotë hapur, por vesh më vesh, tinëz”, – ma preu sekretarja si me shaka, por jo dhe pa një thumb. – “Pse, edhe ti i ve faj Hajriut”?!

Kaq. Dhe doli nga zyra, si gjithmonë me nxitim, se ishte shumë e ngarkuar me punë.

Gjithashtu mund të lexoni

“Pjesën më të madhe të informacionit, CIA e merrte nga emigrantët politik shqiptarë, të cilët referonin shifra jo gjithmonë të sakta, por ata…”/ Studimi më i ri për të internuarit politikë, në vitet 1944-1990

“Në revolucionin e 1979-ës, organizata marksiste ‘Peykâr’ e Iranit, që endej mes marksizmit dhe islamit, si mentor të saj ideologjik kishte Enver Hoxhën, pasi…”/ Libri i panjohur i Abdyl Javadzadeh

– “Si nuk bëmë një herë një mbledhje të parëndësishme! Të gjitha mbledhjet na qenkan shumë të rëndësishme…” – më tha llogaritarja duke qeshur. – “Tërë fshati për këtë po flet dhe unë nuk ditkam asgjë”? – pyeta veten.

– “Si është puna, Zenepe”? – pyeta llogaritaren.

– “Euuu! S’kanë me se të merren dhe këta! Do të demaskojnë Hajriun”. – “E di, atë plakun që e ka shtëpinë ngjitur me timen? E paskan raportuar se është shprehur i pakënaqur nga pushteti. Thonë se do t’i heqin kartën e Frontit. I shkreti Hajri”!

Hajriu, plaku i urtë që i lutej Zotit pesë herë në ditë tinëz të tjerëve, madje edhe tinëz djemve të tij, por që të gjithë e dinin, ishte besimtar i madh. Aq i ndershëm dhe i padjallëzuar, saqë ndonjë i ri, bënte me të edhe ndonjë shaka të tepruar.

Një herë, një nga djemtë e Kazdedajve, kafshar i sektorit që shpërndante bukën për lagjet e Mersjanëve dhe të Hoxhajve, e takoi Hajriun te dyqani i bukës, duke pritur që të dilte furra e parë e mëngjesit. Se ata të “Lagjes së Keqe” e kishin furrën afër dhe vinin vetë për të marrë bukën. Hajriu po priste në radhë për të marrë racionin e bukës së përditshme, i bindur se kështu kishte urdhëruar Allahu!

Djali i Kazdedajve i vuri krahun Hajriut, e largoi pak nga rreshti, që të mos dëgjonin të tjerët, dhe i tha: – “Sonte të kam parë në ëndërr. Ti ishte i veshur me një xhybe të re, me një çallmë të gjelbër në kokë dhe, me kryhet lart nga qielli, dëgjoje zërin e Mohamedit a.s., që e dëgjova dhe unë. Ai të tha: Shaqiri po ndërton shtëpi të re. Bekoje shtëpinë e tij që të mos i rrëzohet për njëqind vjet”!

Hajriu e besoi. Paska qenë njeri i shenjtë, përderisa Mohamedi a.s. po e ngarkonte me një detyrë hyjnore! Pasdite, sa filloi të erret, kur dy ustallarët ishin larguar, vajti te Shaqiri, i ra shtëpisë që po ndërtohej rreth e qark, diçka foli me vete. Shaqiri, që po vinte për në shtëpi nga stalla e brigadës së parë, e pa dhe mendoi se kishte ardhur për ta uruar me rastin e fillimit të ndërtimit të shtëpisë, siç është zakon në fshat, e mirëpriti, pinë kafen e rastit dhe u ndanë. E pra, ç’të keqe mund t’i sillte ky plak pushtetit?!

– “Përse ai paska qenë i pakënaqur, kur partia u kishte dhënë të dy djemve të tij shkollën e mesme, i kishte futur në punë, njërin mësues e tjetrin shitës, kur të dy këta me punën e tyre të mirë, kishin fituar respektin e tërë fshatit”?

– “Nuk është aty puna, – më ndërpreu llogaritarja. – Vërtet xha Hajriu e lëshon ndonjëherë ndonjë fjalë pa kontroll, por pa të keq. Ai i tillë ka qenë tërë jetën. Përse u kujtuan sot…?!

– “Eh, ti s’e di? Të kujtohet kur në prag të Vitit të Ri, erdhi nga rrethi një autorizim për televizor? Sipas radhës i takonte Hajriut, se të mëdhenjtë e kishin marrë më parë. Dhe fshati nuk ishte kundër. Por filani tha se atij i takonte televizori dhe kushedi ç’ka trilluar kundër Hajriut të shkretë”?!

– “Mirë, po Hajriu e mori televizorin…”!

– “Këtu është puna, se filani u inatos që organizata nuk ia dha atij dhe kushedi ç’ka kurdisur, për të akuzuar pastaj organizatën, që ia dha autorizimin ‘armikut’”?!

– “A thua do t’ia heqin kartën e Frontit”?

– “Të shohim. Unë kam dëgjuar se sekretarja e partisë do ta mbrojë…”!

– “Mirë, po tani dil e njoftoji punonjësit e administratës. Nuk besoj se do të ma lesh mua këtë punë. Mos harro edhe furrxhinjtë, mullisin, zdrukthëtarin, kuzhinieren”. Llogaritarja doli. U kthye pas një çerek ore. Fill pas saj hyri në zyrë sekretarja:

– “E bëtë njoftimin”?

– “Po”.

Sekretarja dukej e shqetësuar.

Kur ora po afronte 11.00, njerëzit filluan të mblidhen në oborrin e shkollës. Aktivistët e Frontit kishin njoftuar që të merrte pjesë në mbledhje nga një njeri për çdo shtëpi. Ishte një ditë e ngrohtë dhe e bukur pranverore, dielli shkëlqente.

Të moshuarit u ulën këmbëkryq në tokë, duke mbështetur kurrizin në murin e shkollës. U ula dhe unë. Pranë meje erdhi u ul Mehmet Qerimi, një ish-oficer i Zogut, një plak me pamje fisnike, i pari i një familjeje të madhe derjanase.

Mehmeti dukej i lodhur. E kuptova nga frymëmarrja e tij e thellë, por e parregullt, herë-herë më e shpeshtë. Mosha, mendova, po u afrohet të tetëdhjetave…! Nga dridhja e duarve, nga frymëmarrja, e kuptova se xha Mehmeti ishte shumë i shqetësuar.

Nga shkolla kishin nxjerrë në oborr një tryezë, e kishin mbuluar me një beze, dhe kishin vendosur disa karrige karshi njerëzve që rrinin ulur. Ja dhe të mëdhenjtë e fshatit erdhën. Ndërmjet tyre binte në sy një burrë elegant, që nuk qe bashkëfshatari ynë. Ishte i deleguari i rrethit.

Dhe pikërisht ky, burri elegant, ky instruktor i Komitetit të Partisë, u ngrit e foli në emër të Këshillit të Frontit Demokratik. Fytyra e tij nuk shprehte pothuajse asgjë. Pa gjeste, me një zë që as e ngrinte, as e ulte, i qetë, sikur fliste për kohën që ishte e kthjellët dhe e ngrohtë, dhe jo sikur fliste për fatin e një njeriu të moshuar, të familjes së tij dhe të Derjanit, që do t’i dilte emri si një fshat, që paska një armik ende të pazbuluar.

“Por sipas informacioneve të verifikuara, – tha ai, – ky plak, Hajriu, paska bërë propagandë kundër partisë dhe pushtetit. Ai në biseda me bashkëfshatarët, gjithmonë ankohet për jetën e varfër, tregon me mall për jetën e kaluar, ankohet se pushteti nuk i paska njohur të drejtën e atyre pak pronave që kishte pasur më parë, madje i ishin mohuar edhe borxhet që i detyroheshin disa bashkëfshatarë, për një lopë a për një dhi që u paska shitur dikur.

Ai nuk i qenka mirënjohës pushtetit dhe partisë për jetën e re që i ka krijuar, për shkollimin e djemve dhe punësimin e tyre (njërin mësues e tjetrin shitës), për jetën e re dhe të lumtur të të gjithë fshatit, me urban që e lidh me Burrelin, me shkollë të mesme bujqësore, me shtëpi kulture e të tjera, e të tjera”!

– “Faji i tij është shumë i madh, – përfundoi i deleguari, – ai e meriton të gjykohet si armik, por partia është zemërgjerë, dhe prandaj, duke marrë parasysh edhe moshën e tij, propozon që atij vetëm t’i hiqet karta e frontit, kurse gjithë të tjerët t’i venë gishtin kokës dhe të mendohen para se të flasin mbarë e prapë, duke nxitur punën armiqësore”.

Kështu foli i deleguari dhe u ul. Ai që drejtonte mbledhjen i ftoi të pranishmit të diskutonin. Heshtje. Askush nuk po e kërkonte fjalën. I deleguari u shqetësua. E çdo të raportonte ai në komitetin e partisë, në qoftë se nuk do të kishte diskutime? Ai kthente kokën herë majtas dhe herë djathtas, diçka u thoshte atyre që kish në krahë me zë të ulët. Me sa duket, kërkonte prej tyre që të nxitnin diskutimet. Kaluan edhe dy-tri minuta. Heshtje!

Fytyra e të deleguarit nuk shprehte asgjë. Ajo ishte e ftohtë, akull. Ndoshta ai edhe vetë nuk ishte i bindur për ato që kishte thënë. Por s’ke ç’i bën! Detyrë partie! Duhej dhënë në Derjan një “goditje”, si masë preventive kundër propagandës armiqësore. Heshtje!

Unë nxora paketën e cigareve, e hapa, mora një cigare, por nuk arrita ta mbyll, kur pashë dorën e Mehmetit që, duke u dredhur, u zgjat drejt kutisë dhe mori një cigare. E vuri në buzë. U çudita! E dija mirë se Mehmeti kishte mbi dhjetë vjet që e kishte lënë duhanin. I afrova shkrepësen që ta ndizte, por ai nxori përpara dorën, që tani po i dridhej edhe më shumë, dhe më ndaloi. Nuk e ndezi. Unë u ngurosa, kur pashë se Mehmetit po i dridhej jo vetëm dora, por edhe fytyra, i gjithë trupi.

Unë u befasova: ç’po ndodhte? Cigarja në buzët e Mehmetit, e pa ndezur, po zvogëlohej, po hynte në gojë, dal-ngadalë, derisa u zhduk krejt. Mehmeti e hëngri cigaren. Në ç’gjendje shpirtërore duhet të jetë njeriu, i cili, dhjetë vjet pasi e ka lënë duhanin, ta hajë cigaren, pa e kuptuar se ç’po bën?

Në këtë çast dikush nga presidiumi bërtiti: – “Mehmet Qerimi! Ti ke biseduar shpesh me Hajriun. Pa na thuaj, ç’të ka thënë”?

E qartë: Mehmeti ka biseduar me Hajriun. Por dikush i ka treguar, ose e paska dëgjuar vetë, ose e ka përgjuar, pastaj e ka “plotësuar”, dhe më në fund e ka raportuar. Mbi këtë bazë u organizua “goditja”.

– “Jemi pyetur për shëndetin. Më tha se kohët e fundit nuk po e ndjen veten mirë”.

– “Jo, jo, leri këto. Na thuaj përse të është ankuar”, – këmbëngulte vigjilenti.

– “Asgjë tjetër s’më ka thënë”! – tha prerë Mehmeti dhe e mbylli gojën.

Vetëm një frazë, por e thënë me një ton të tillë, sikur të ishte pjesë e një raporti luftarak, që ndoshta i kishte mbetur pa e thënë kur ishte oficer, pjesë e një urdhri luftarak, që nuk lejon diskutime. Nuk iu nënshtrua provokacionit. Këtij unë i them “burrë”, karakter matjani.

Dhe diskutimet u mbyllën. Nuk di se ç’ka raportuar i deleguari në rreth, por e vërteta është se mbledhja dështoi, qëllimi nuk u arrit. Nja dy diskutime tepër të vakëta, as mish, as peshk, i bënë thirrje Hajriut, që tjetër herë të jetë më i kujdesshëm në biseda me bashkëfshatarët. Të tilla diskutime bënë edhe dy djemtë e tij, të detyruar për të ruajtur vendin e punës. Se partia e kishte në dorë çdo gjë, edhe shkollën, edhe punën, edhe vetë jetën e tyre.

Se partia i kishte dhënë Derjanit edhe shollën e mesme, edhe vatrën e kulturës, edhe urbanin për të zbritur në Burrel. Se Partia e kishte në dorë çdo gjë! Por derjanasit në këtë mbledhje nuk e hëngrën sapunin për djathë. Sepse, në fund të fundit, për plakun e urtë Hajri nuk kishte asnjë rëndësi, nëse e kishte apo jo kartën e Frontit, por vetëm djemtë të mos ia hiqnin nga puna. A nuk jetonte pa kartën e Frontit edhe kulaku Hysen Preni, njësoj si gjithë fshatarët e tjerë?

Mbledhja mbaroi. Mehmet Qerimi vazhdonte të dridhej. Unë e pyeta: – “Si je me shëndet xha Mehmet”? – “Mirë jam. Shumë mirë. Se po të thuash s’jam mirë, do të më thonë se je i pakënaqur nga pushteti”!/ Memorie.al

ShareTweetPinSendShareSend
Previous Post

“Sipas letrës së Shtabit, na përgatitëm sulmin kundër gjermanëve, por humbëm Beratin që e muarën ata dhe ne dualëm në mal…”!/ Dëshmia e rrallë e gjeneral Gjin Markut, për “kompromisin” me gjermanët  

Next Post

“Pjesën më të madhe të informacionit, CIA e merrte nga emigrantët politik shqiptarë, të cilët referonin shifra jo gjithmonë të sakta, por ata...”/ Studimi më i ri për të internuarit politikë, në vitet 1944-1990

Artikuj të ngjashëm

“Në shtator 1944, Abaz Ermenji u takua me tre oficerët britanikë, Maclein, Smajli e Amery dhe u ra dakord që të formohej një grup i përbashkët, për të luftuar…”/ Ana e panjohur e ish-kreut të Ballit Kombëtar
Dossier

“Pjesën më të madhe të informacionit, CIA e merrte nga emigrantët politik shqiptarë, të cilët referonin shifra jo gjithmonë të sakta, por ata…”/ Studimi më i ri për të internuarit politikë, në vitet 1944-1990

March 13, 2026
“Në revolucionin e 1979-ës, organizata marksiste ‘Peykâr’ e Iranit, që endej mes marksizmit dhe islamit, si mentor të saj ideologjik kishte Enver Hoxhën, pasi…”/ Libri i panjohur i Abdyl Javadzadeh
Dossier

“Në revolucionin e 1979-ës, organizata marksiste ‘Peykâr’ e Iranit, që endej mes marksizmit dhe islamit, si mentor të saj ideologjik kishte Enver Hoxhën, pasi…”/ Libri i panjohur i Abdyl Javadzadeh

March 12, 2026
“Shkodra dhe Korça na kanë sjellë të sëmurë mendorë dhe fizikë, apo familja e Hasan Vulës, prej 11 personash, të mitur dhe pleq, vetëm një djalë 14 vjeç, është krah pune…”/ Letra për Hysni Kapon, janar ‘63
Dossier

“Shkodra dhe Korça na kanë sjellë të sëmurë mendorë dhe fizikë, apo familja e Hasan Vulës, prej 11 personash, të mitur dhe pleq, vetëm një djalë 14 vjeç, është krah pune…”/ Letra për Hysni Kapon, janar ‘63

March 11, 2026
“Pas 34 vitesh, kur u hap varri i At Serafinit, nga infermierja Marie, një besimtare katolike, që kishte varrosur vetë, u gjet…”/ Historia e trishtë e fratit që vdiq nën torturat e Sigurimit, në 1947-ën
Dossier

“Jam sot i arrestuar dhe i pandehur, sepse në këtë lëmsh të mirë-thurur, është vetë partia, sekretari, zv.ministri, që kërkojnë të më varrosin, se vajza që më akuzon…”/ Historia e trishtë e mësuesit Astrit Rizai

March 10, 2026
“Të dhënat sekrete shtetëror, Zbulimit Sovjetik, ja jepte me agjenten Valentina Peza dhe këshilltarit të ambasadës sovjetike në Tiranë…”! / Akt-akuza që çoi në plumb, vëllanë e sekretarit të Enver Hoxhës
Dossier

“Kur kryeprokurorja bukuroshe e pyeti; i pandehur, fol shkurt e saktë, a e keni kryer dhunimin dhe marrëdhënie… me nxënësen tuaj, që ju akuzon, ai…”/ Historia e padëgjuar me mësuesin Astrit Rizaj!

March 11, 2026
“Kur Mehmet Shehu dhe Bedri Spahiu shkuan në burgun e Burrelit dhe i thanë Mirash Ivanajt; besojmë se do i kesh rishikuar pikëpamjet e tua, ai…”/ Historia e panjohur e ish-ministrit të Arsimit të Monarkisë
Dossier

“Kur Mehmet Shehu dhe Bedri Spahiu shkuan në burgun e Burrelit dhe i thanë Mirash Ivanajt; besojmë se do i kesh rishikuar pikëpamjet e tua, ai…”/ Historia e panjohur e ish-ministrit të Arsimit të Monarkisë

March 9, 2026
Next Post
“Në shtator 1944, Abaz Ermenji u takua me tre oficerët britanikë, Maclein, Smajli e Amery dhe u ra dakord që të formohej një grup i përbashkët, për të luftuar…”/ Ana e panjohur e ish-kreut të Ballit Kombëtar

“Pjesën më të madhe të informacionit, CIA e merrte nga emigrantët politik shqiptarë, të cilët referonin shifra jo gjithmonë të sakta, por ata...”/ Studimi më i ri për të internuarit politikë, në vitet 1944-1990

“Historia është versioni i ngjarjeve të kaluara për të cilat njerëzit kanë vendosur të bien dakord”
Napoleon Bonaparti

Publikimi ose shpërndarja e përmbajtjes së artikujve nga burime të tjera është e ndaluar reptësisht pa pëlqimin paraprak me shkrim nga Portali MEMORIE. Për të marrë dhe publikuar materialet e Portalit MEMORIE, dërgoni kërkesën tuaj tek [email protected]
NIPT: L92013011M

Na ndiqni

  • Rreth Nesh
  • Privacy

© Memorie.al 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.

No Result
View All Result
  • Albanian
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme