Nga Fatos Veliu
Pjesa e dytë
Memorie.al / Në majin e vitit 1959, një telegram urgjent nga Tirana, e njoftonte se duhej të kthehej urgjent në Shqipëri. Agim Popa, studenti i filozofisë, e kuptoi se diçka e madhe kishte ndodhur, por rëndësinë e vërtetë të atij telegrami, do ta kuptonte vetëm me mbërritjen në kryeqytet. Në Komitetin Qendror të PPSh-së do t’i komunikonin me pompozitetin e duhur se, i ishte ngarkuar me detyrën e përkthyesit kryesor gjatë vizitës së Nikita Hrushovit në Shqipëri. Në këtë intervistë, z. Popa, midis të tjerash, dëshmon për herë të parë edhe se, cilat ishin deklaratat dhe ironitë e Hrushovit, pas kuintave, me udhëheqësit e lartë të atëhershëm të Shqipërisë komuniste, gjatë vizitës dy javore që ai bëri në Shqipëri, duke vizituar Shkodrën, Korçën, Vlorën, Butrintin etj., situatën e acaruar gjatë Mbledhjes së 81 Partive Punëtore Komuniste në Moskë, ku Hrushovi dhe mbështetësit e tij, si kryetarja e Partisë Komuniste të Spanjës, Dolorez Ibarruri (“Pasionarja”) dhe Vlodislav Gomulka i Polonisë, shpërthyen në sharje dhe akuza gjatë fjalimit të Enverit, kujdesi dhe frika në ambientet e ambasadës nga përgjuesit, e deri tek udhëtimi me vaporin “Quin Elisabet” për në New York, ku do zhvillohej mbledhja e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ku delegacionin shqiptar, e kryesonte kryeministri, Mehmet Shehu me Nesti Nasen dhe në bordin e atij trans-oqeaniku, udhëtonin edhe Josif Broz Tito me të birin e Uinston Çërçillit, Randolph, i cili kërkoi të takohej me Mehmet Shehun!
Gjesti i çuditshëm i Enver Hoxhës, kur përcolli Nikita Hrushovin në Rinas…!
Gjatë vizitës së Nikita Hrushovit në Shqipëri, me sa duket jo vetëm nga dokumentet e kohës por edhe nga ky rrëfim i Agim Popës, duhet të jetë krijuar një situatë e tillë: nga njëra anë, një ndjenjë alarmi te Enver Hoxha dhe bashkëpunëtorët e tij në udhëheqjen e lartë të PPSh-së, nga ana tjetër iluzione te Nikita Hrushovi, për autoritetin dhe ndikimin e tij mbi shqiptarët.
Duhet thënë se, pritja që iu organizua Hrushovit në Shqipëri, mori pamjen e një feste të vërtetë popullore, një pritje që atij nuk i qe bërë kurrë as në Bashkimin Sovjetik, qoftë edhe në momentet më të mira të popullaritetit të tij atje. Nga një pritje e tillë, atij duhet t’i jetë krijuar iluzioni se do të mjaftonte që ai, të jepte sinjalin dhe shqiptarët do të ngriheshin e ta përmbysnin Enver Hoxhën. Kjo jepet akoma më qartë, gjatë punimeve me filmat e bërë në ditët e vizitës.
Dëshmia e Agim Popa, ish-përkthyesit të Enverit në Mbledhjen e 81 Partive në Moskë, në 1961-in
“Unë nuk isha në përcjelljen e tij në aeroport ditën e largimit nga Shqipëria, sepse po atë ditë që herët, u nisa për t’u kthyer në Moskë me avionin që transportonte dhuratat për Hrushovin. Por pati një moment interesant. Në Moskë për vizitën e tij në Shqipëri, u përgatit një film dokumentar, tekstin e të cilit në gjuhën shqipe, e përktheva dhe e lexova unë.
Gjatë një seance pune për filmin, kur po shiheshin sekuencat e përcjelljes së Hrushovit në aeroport, regjisori i filmit, i cili, si edhe unë, nuk ishte në dijeni për fërkimet e brendshme midis udhëheqjes shqiptare dhe Hrushovit, tha: “Nuk më pëlqen paraqitja e figurës së shokut Enver në momentin e nisjes së avionit. Ai bëri një gjest sikur u çlirua nga diçka”.
Me syrin e hollë të artistit, ai kishte mundur të kapte gjendjen psikologjike të Enver Hoxhës në këto momente”.
Mehmeti, s’e takoi Titon në trans-oqeanikun anglez, “Quin Elizabet”
Ngjarja se Mehmet Shehu kishte udhëtuar në të njëjtin vapor me Titon, të birin e Winston Churchillit dhe Harry Fultz-in, u hap në mënyrë të befasishme në fundin e dhjetorit të vitit 1981. Jo vetëm kaq, por ai, (Mehmeti), në kundërshtim me vijën e atëhershme të Partisë së tij dhe të Enver Hoxhës, akuzohej se kishte bërë disa takime tepër misterioze, me ata të cilët Shqipëria i njihte si armiq të betuar të saj.
Gjithë ky alarm, është dhënë nga vetë Enver Hoxha, pikërisht në vitin 1981, kohë kjo kur, kryeministri më jetëgjatë i Shqipërisë, vrau veten dhe u shpall nga bashkëpunëtori i tij i disa dekadave, si “armik i Partisë dhe i popullit”. Kaq mjaftonte që ai lajm, të merrte dhenë me një sensacion të paparë.
Në të shumtën, si zakonisht në të tilla raste, çdo gjë që thuhej nga Partia u besua absolutisht, gjë që shërbeu për një akuzë më shumë për kryeministrin e hekurt. Por cila është e vërteta e padiskutueshme e atyre ditëve të qershorit të vitit 1960, kur Mehmet Shehu, ka udhëtuar për në Nju Jork, me trans-oqeanikun e Mbretërisë së Anglisë?
Zoti Agim, ju keni përkthyer Mehmet Shehun në vitin 1960 në Asamblenë e OKB-së. Si nisi historia e shumëpërfolur e atij udhëtimi enigmatik?
Ka qenë qershori i vitit 1960. Në selinë e OKB-së në New York, do të zhvillohej Asambleja e rëndësishme e saj, ku shtetet anëtare, do të merrnin pjesë në rang kryetarë shtetesh apo kryeministrash. Nga Shqipëria, u vendos që delegacionin ta kryesonte Mehmet Shehu. Mehmeti mori një vendim, që në Asamble të fliste rusisht dhe jo anglisht, pavarësisht se këtë e njihte mirë.
Mësova se si përkthyes, ai do të më merrte mua. Në atë kohë unë punoja në aparatin e Komitetit Qendror të Partisë së Punës, pikërisht në grupin që ishte ngritur për luftën kundër revizionizmit modern, i cili varej nga Ramiz Alia. Kështu, u nisëm për rrugën e gjatë, e cila deri në New York, do të zgjaste më shumë se një javë.
Që në Tiranë, u vendos që delegacioni ynë, të mos udhëtonte me vaporin sovjetik “Balltika”, me të cilin do udhëtonin të gjitha delegacionet e vendeve të bllokut sovjetik, por të shkonte me trans oqeanikun anglez dhe tepër modern “Queen Elisabeth” (Mbretëresha Elisabet).
Në atë vapor, hipëm në portin verior të Francës, pikërisht në atë të Chèrbourg Që në port, mësuam se po me atë vapor, do të udhëtonte edhe vetë Marshalli Tito, i cili, ashtu si dhe ne, po shkonte në Aasamblenë e OKB-së në New York.
Sa persona ishit gjithsej në atë delegacion?
Të gjithë bëheshim 8-9 veta. Siç thashë, ai delegacion kryesohej nga kryeministri Mehmet Shehu. Merrte pjesë dhe ministri i Jashtëm, Behar Shtylla.
Ju organizuan pritje në vapor, meqenëse ishit delegacion i nivelit të lartë?
Atje nuk mund të flitej për një pritje kortezie, pasi ishte thjesht një mjet udhëtimi, pavarësisht se ishte një mjet gjigant lundrimi, madje në atë kohë, ishte vapori më i madh në botë për pasagjerë, i cili përfaqësonte Mbretërinë e Anglisë. Me sa më kujtohet, duhet të ketë qenë rreth 84 mijë tonë, ndërkohë që kishte veç 1.500 pasagjerëve edhe 1.500 veta personel shërbimi. Atje na ishin rezervuar bileta të klasit të parë.
Çfarë mund të thoni në lidhje me akuzat për Mehmet Shehun, të bëra nga Enver Hoxha, se gjoja në atë udhëtim paska bërë takime me Fultz-in, Titon e Randolph Churchill , që konsideroheshin armiq të Shqipërisë?
Mehmet Shehu me Behar Shtyllën, ishin vendosur në një kabinë të veçantë, ndërsa ne të tjerët, në kabina të tjera. Vetëm në portin ku hipëm, mësuam se po në atë vapor ndodhej dhe Titoja me delegacionin e vet, që do të shkonin në po atë mbledhje të Asamblesë së OKB-së. Gjithashtu në vapor, mësuam se aty ndodhej edhe Randolph Churchill, i biri i Winston Churchill.
Këtu ka një koincidencë domethënëse, që pikërisht i biri i Churchill, i cili ndodhej për udhëtim në atë vapor, gjatë Luftës, kishte qenë përfaqësues anglez pranë shtabit të Titos në Jugosllavi. Ndërkohë, morëm vesh se Titoja, ishte i ftuar i Mbretëreshës së Anglisë në vapor.
Çdo të thoshte kjo…?!
Duke qenë se shoqëria detare “Kunard”, mbështetej nga shteti anglez, vapori përfaqësonte në të njëjtën mënyrë, Mbretëreshën e Anglisë. Shumë figura të larta të shteteve, kur udhëtonin me të, sipas preferencave të Mbretërisë, konsideroheshin të ftuar të veçantë në atë vapor.
Ju kishit pasur rast t’i shikonit?
Titoja rrinte në një kabinë të cilën, nuk e di ku e kishte, pasi ajo ishte një hyrje e plotë në kat tjetër dhe as kishte lidhje me katin ku ishim vendosur ne. Ne e shikonim vetëm në drekë, kur ai shkonte në restorantin e pasagjerëve të klasit të parë dhe bashkë me suitën e tij, hante në tavolinën kryesore të tij, që mbahej e rezervuar posaçërisht për të.
Madje, kur kalonim ne Shqiptarët, njerëzit e shërbimit të tij na survejonin me një vëmendje të veçantë, për efekt sigurie, për Marshallin Tito. Herë tjetër, nuk kishim mundur ta shikonim asnjë herë. Mbaj mend që me të në tavolinë, veç të tjerëve, ishte edhe Josip Gjergjia, i cili kishte qenë ambasador në Shqipëri, para prishjes së marrëdhënieve të dy vendeve tona. Ndërsa Mehmet Shehut dhe Behar Shtyllës, me dëshirën e tyre, u shërbehej në kabinë.
Lëvizte Mehmet Shehu nëpër ambientet e vaporit?
Patjetër që lëvizte, madje bënte edhe humor. P.sh., në një rast ai, duke bërë shëtitje në kuvertë, i shoqëruar nga të gjithë ne, duke qeshur me të madhe tha: “Këtu jam më i siguruar se kurrë, pasi nuk ia vlen që të mbytësh të gjithë këtë vapor kaq gjigant dhe modern, për të eliminuar Mehmet Shehun. Pastaj, këtu kemi dhe Titon, kështu që garancia bëhet shumë herë më e lartë”.
Kuptohej që ato ishin shenja të holla ironie për udhëheqësin jugosllav. Por unë do të theksoja me forcë, ndryshe nga sa është thënë për vite të tëra, se ai nuk ka lëvizur asnjë herë vetëm dhe, as është shmangur në asnjë rast nga ekipi i tij që e shoqëronte, pra nga ne.
Thatë se ishte edhe djali i Churchill aty?
Po ishte. E shikonim që lëvizte korridoreve dhe kuvertës. Thonin nëpër vapor që ishte Randolph Churchill, pikërisht i biri i Winston Churchill. Ai ishte rreth të 60-ve. Zyrtarisht ai paraqitej si gazetar.
Është e vërtetë se Mehmet Shehu, ka takuar ndonjë nga personalitetet e atij udhëtimi, siç u akuzua nga Enver Hoxha?
Absolutisht jo. I biri i Churchill, kishte kërkuar takim me të, me pretekstin e një interviste që dëshironte t’i bënte, por atij i’u refuzua takimi. Në këtë rast, kam qenë vetë dëshmitar, kur Behar Shtylla, i ngarkuar nga Mehmeti, e mori në telefon dhe i ktheu përgjigje negative, duke i thënë se: kryeministri nuk kishte kohë që ta takonte. Pas kësaj, ai që nga matanë receptorit, e përplasi atë me nervozizëm. Dhe kaq.
Jeni i bindur që Mehmeti nuk ka lëvizur dhe jashtë syve tuaj?
Këtë e them me plot gojën, që ai, pra Mehmet Shehu, absolutisht nuk është shmangur nga sytë tanë, në asnjë rast. Dilte nga kabina dhe rrinim së bashku në kuvertë, duke shëtitur. E përcillnim deri te kabina e tij dhe ne rrinim po në ato ambiente. Më mbrapa mora vesh, madje mes akuzave që dëgjova t’i bëheshin Mehmetit, se pikërisht në atë vapor, kishte qenë dhe Harry Fultzi.
Por ne nuk e pamë në asnjë rast dhe nuk jam i bindur nëse ka qenë me të vërtetë. Unë di saktësisht se, pesë ditë e pesë net, sa ndenjëm në atë vapor, nuk është bërë asnjë takim nga ana e kryeministrit Shehu, me askënd. Unë këtë e them me shumë garanci, për vetë faktin se kam qenë prezent në atë udhëtim.
Në New York pastaj, na pritën me ceremoni, madje na shoqëronin me polici, ashtu siç vepronin me të gjitha delegacionet e shteteve komuniste, për të krijuar idenë se pikërisht ne ishim tepër të rrezikuar. Aty merrnin pjesë delegacionet e mbi 100 shteteve, të përfaqësuar nga kryetarët e tyre apo kryeministrat, siç ishte Titoja, Hrushovi, Kastro, që foli tepër shkurt, veç 4-5 orë etj.
Ju keni përkthyer dhe Enver Hoxhën në mbledhjen e 81 Partive në Moskë? Çfarë mund të kujtoni nga ato momente?
Në Moskë, kemi arritur rreth datës 4 nëntor, se ishte llogaritur që delegacionet të merrnin pjesë në festimet e 7 Nëntorit. Delegacioni i PPSh-së përbëhej vetëm nga katër vetë: Enver Hoxha, Hysni Kapo, Mehmet Shehu dhe Ramiz Alia. Ishte edhe ekipi i këshilltarëve, i përkthyesve dhe i personelit tjetër të shërbimit.
Unë isha në grupin e punës, ku merrte pjesë dhe Foto Çami, Frederik Gjerazi, i cili ishte përkthyesi kryesor i delegacionit, Myfit Mushi, Haxhi Kroi etj. Ne konkretisht do të merreshim me materialet që do të duheshin në moment, si dhe me përkthime të ndryshme. Aty delegacioni ynë u vendos në një vilë të posaçme në kodrat “Lenin”, ndërsa ne shkuam në ambasadë.
Por kjo gjë nuk zgjati shumë, se shpejt u acaruan tej mase marrëdhëniet mes Enverit dhe Hrushovit dhe delegacioni, për efekt sigurie, erdhi në ambasadë. Madje, aty Enveri në një rast, kur ne kishim hapur materialet, na e bëri me shenjë që t’i mbulonim se, kishte kamera të fshehta dhe përgjues deri në tavan.
Kur filloi mbledhja, jo pa qëllim delegacioni shqiptar u vendos ngjitur me podiumin ku flisnin diskutantët, të cilët tundnin gishtin mbi kokën e Enverit, sa herë që kritikonin. Sulmet kundër delegacionit tone, u ashpërsuan së tepërmi pas fjalës së Enverit, të mbajtur në datën 16 nëntor, kur kinezët kishin folur në datën 13.
Unë isha në kabinën e përkthimit në fund të sallës, bashkë me Frederik Gjerazin, në momentin që fliste Enver Hoxha, pasi lexonim në rusisht materialin e tij, të cilin e kishim parapërgatitur më shpejt. Që andej, ndiqja reagimin e sallës, sidomos lëvizjet ironike të Hrushovit, ndërsa fliste Enveri.
Pas fjalës së tij, gjithçka që ka ndodhur në atë sallë, e kemi ndjekur të ulur mbrapa delegacionit tonë. Kur ndiqja atë që ndodhte në sallë, shumë here, vendoseshim në situata të vështira, nga sa dëgjonim mbi akuzat që i bëheshin delegacionit shqiptar dhe vetë Enver Hoxhës, si dhe nga gjestet ironizuese të Hrushovit.
Ju e përkthyet në rusisht materialin?
Në kabinë unë kam qenë bashkë me Frederik Gjerazin. Aty pjesën më të madhe të materialit, e ka lexuar në rusisht (ishte i para përkthyer) Frederiku, ndërsa një pjesë e lexova unë. Ne e përkthenim nga shqipja në rusisht, fjalimin që mbajti Enveri, ndërsa të tjerët në kabinat e tyre, e përkthenin nga rusishtja në anglisht, frëngjisht e spanjisht. Nga kabinat (prej xhami) ku ishim vendosur, kishim mundësi të ndiqnim me sy çfarë ndodhte në sallë.
Pas fjalës së Enverit, kur u ulëm në karriget tona pranë delegacionit, kishim mundësi më mirë të përjetonim gjithë atë histori që po ndodhte aty. Ndër ata që folën veçanërisht ashpër kundër PPSh-së, pas fjalës së Enver Hoxhës të datës 16 nëntor, ishin kryetarja e delegacionit të Partisë Komuniste të Spanjës, Dolores Ibarruri, me pseudonimin “Pasionarja” dhe Vlodislav Gomulka, i Partisë Komuniste të Polonisë, i cili e cilësoi fjalimin e Enver Hoxhës, një fjalim rrugaçësh.
Enver Hoxha, për të ruajtur pozicionin e vet politik, u pozicionua hapur kundër Hrushovit
Marrëdhëniet e shkëlqyera midis Shqipërisë dhe ish-Bashkimit Sovjetik, papritur filluan të ngrinin, që pas Kongresit XX-të të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik. Gjithçka më mbrapa, u kristalizua pikërisht në konferencën e Partisë së rrethit të Tiranës, në vitin 1956, ku Shqipëria ishte ndoshta nga të vetmet që, nuk mbështeti erërat demokratike të atij kongresi.
Mbledhja e Bukureshtit, ku PPSh-ja u pozicionua fuqishëm në mbështetje të Partisë Komuniste të Kinës, duke kundërshtuar zyrtarisht Hrushovin, krijoi gjendjen tejet të vështirë mes dy vendeve komuniste që kishin filluar një përplasje të paprecedentë.
Vizita e Hrushovit në Shqipëri në vitin 1959, ishte një paralajmërim për vetë udhëheqjen më të lartë komuniste të Shqipërisë së asaj kohe, për fatin që e priste shtetin tone, në rast mosnënshtrimi ndaj vijës politike të përgjithshme të iniciuar nga Bashkimi Sovjetik, ndërkohë që atje u prezantuan dhe favoret që do të kishin, në rast pozicionimi pro asaj vije.
Të gjitha ngjarjet dhe përplasjet diplomatike mes palëve u finalizuan në Mbledhjen e famshme të 81 Partive Komuniste e Punëtore nga e gjithë bota, ku Enver Hoxha, jo vetëm me ashpërsinë që kishte treguar deri atëherë, por me një kokëfortësi të çuditshme, paraqiti oponencën e partisë që drejtonte, para të gjitha vendeve që pothuajse ishin në të njëjtën koherencë politike me Moskën.
Kjo do të bënte që nga ai moment, të priste lumë sharjesh dhe akuzash, deri në diskreditime. Që nga ajo mbledhje, filloi distancimi i menjëhershëm mes Moskës dhe Tiranës zyrtare, gjë që u konkretizua në mënyrën e menjëhershme dhe në fushën ekonomike. Të gjitha kontratat e nënshkruara me super shtetin sovjetik, u ndërprenë absolutisht të gjitha, ndërkohë që u kthyen menjëherë në Shqipëri, dhe 1.500 studentët që ishin vendosur në universitet dhe akademitë ushtarake sovjetike”. /Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016