Nga DALIP GRECA
Pjesa e dytë
Memorie.al / Esat Çoku bashkë me të shoqen Zyhranë dhe të birin Francin, jetojnë në Pelham Park Whay, në Bronx, NY, por muajt e verës, Esati i kalon në shtëpinë e tij të bukur, që ka ndërtuar në fshatin Mucias, pranë Kënetës së Karavastasë, në Komunën e Remasit, në Lushnje. Në historinë e jetës së përditshme të Esatit dhe Zyhrasë, këtu në New York nuk ka ndonjë gjë të veçantë për të shënuar: Janë emigrantë, si gjithë të tjerët, punojnë në punë të zakonta, lodhen e rropaten, dhe jo rrallë mund të ndodh që të shprehin dhe ndonjë lloj “pendese” për mërgimin, në moshën e pensionit. Por kur kthejnë kryet nga i biri dhe shohin përkushtimin e tij në mësime, rezultatet shumë të mira integruese në jetën amerikane, ia bëjnë ”hallall” vuajtjet e mërgimit.
Procesi i montuar i gjyqit të Bedri Çokut ku u gjykua ai dhe i vëllai, Çaushi, përbën një akt sa tragjik, në jetën e dy të rinjve, aq dhe komik për nga besueshmëria. Esati, që u thirr në sallën e gjyqit, u zbraz para trupit gjykues, duke thënë se vëllezërit e tij; ishin “viktima” të luftës së klasave. U shpallën armiq dhe tradhtar, pa kryer asnjë tradhti ndaj atdheut dhe popullit.
Në librin e tij, Bedriu tregon se në ditë-gjyqin e tyre, ishin edhe sportistët e “Apollonisë”, të cilët kishin asistuar në gjyq, pas një ndeshje në Gjirokastër. Ata kishin duartrokitur, kur vëllezërit kishin mbrojtur veten nga akuzat shpifëse.
ÇAUSHI, IKJA MATAN’ DETIT…!
Me Çaush Çokun, më të voglin e djemve të Azem Çokut, jam njohur në mesin e viteve ’90-të edhe pse me të kisha bashkëpunuar shumë si tek gazeta lokale “Ora e Fjalës”, edhe tek “Republika”, ku ai kishte kontribuar jo vetëm me shkrimet e veta, por edhe me poezitë e ndjera të shkruara në rininë e tij, edhe në kohë-burgimin e vet absurd.
Çaushi, ashtu si dhe vëllai i tij Bedriu, u burgos pa bërë asnjë faj, asnjë krim; u burgos thjesht se ishte planifikuar që të burgosej. Gjyqi që iu bë ishte një farsë e inskenuar, ku regjisorë ishin operativët, hetuesit, gjykatësit dhe prokurori. Formula funksiononte mekanikisht. Një ditë prej ditësh, në vend që të gjendej në repart mes shokëve ushtarë të xhenios, ai u ndodh në qelinë e ftohtë të burgut, pa kryer asnjë faj, asnjë krim, nuk pat shkelë asnjë ligj, asnjë rregullore ushtarake. Por ç’rëndësi kishte, ai duhej që të dënohej. Ndërsa në ditën e gjyqit, asgjë e veçantë për t’u shënuar:
Akt-akuza fallso, dëshmitarë vallso, gjyqtari, ndihmës gjyqtarët, kënduan në të njëjtin kor me prokurorin…dhe kaq…! Pas 6 vitesh burg të ashpër, me 21 maj 1973, dy vëllezërit, Bedriu dhe Çaushi, marrin pjesë në revoltën e Spaçit, madje nuk ishin thjeshtë pjesëmarrës, por organizatorë. Bedriu dhe Çaushi frymëzues dhe flamur-mbajtës.
Revolta qe e përmasave tronditëse për shtetin komunist; ishte krejt e veçantë në të gjitha shtetet komuniste të Lindjes. Një revoltë e shtypur egërsisht nga diktatura, do të kishte padyshim edhe viktimat e veta. Ndër viktimat ishin dhe vëllezërit Çoku, të cilët u izoluan nëpër qeli dhe u hetuan egërsisht, për rolin që patën në aktin kundërshtues ndaj shtetit.
Secilit i bënin presion; Bedriut i thoshin se vëllain tjetër, Çaushin e kishin ekzekutuar, ndërkohë që edhe Çaushit i thoshin se; do të ekzekutojmë, njësoj si vëllain tjetër, Bedriun. Por askush prej vëllezërve, nuk hyri në lojën kurth. Të dy morën dënime 25 vjet burg. Pas gjyqit special, i heqin nga Spaçi dhe i çojnë në burgun-tmerr, atë të Burrelit; ku thuhej hapur: “Në Burrel hyn, por s’del”!
Atje ishin kundërshtarët më të rrezikshëm të qeverisë komuniste. Burgu i Burrelit, kishte një kapacitet prej 180 vetash, pra më kundërshtarët e sistemit. Edhe pse ishin në të njëjtin burg, dy vëllezërit ndaloheshin të takoheshin me njëri-tjetrin. Takoheshin një herë në 6 muaj, apo një herë në vit, vetëm me lejen e komandës, dhe nën vëzhgimin e rreptë të gardianëve.
Pasi doli nga burgu, Çaushi nuk notoi në ujërat e politikës shqiptare; e përfshiu vala e mërgimit dhe ai hipi në anijen “Panamaja” dhe mbërriti në brigjet e përtej detit, në ditët e marsit 1991. Ishte fat për emigrantët shqiptarë që qenë të shoqëruar me të nga që Çaushi ishte një përkthyes i mirë për ta. Shpejt u bë i njohur në shtypin italian. Shkrimet e tij filluan që të botohen në gazetat ”Corriere Della Sera”, ”Il Mattino”.
Shpejt fitoi statusin e gazetarit Europian” C.E.A”, ndoshta ndër të paktit shqiptarë që e gëzojnë këtë status. Ka shkruar edhe për gazetat qendrore e lokale shqiptare. Prej vitesh mban lidhje me njerëz të shquar të gazetarisë dhe artit. Çaushi ka dhënë një kontribut të veçantë, në ndihmën e pakursyer ndaj refugjatëve shqiptarë në Itali.
Dy vëllezërit që shkruanin poezi dhe tregime në burg
Dy vëllezërit e shfrytëzuan burgun, kryesisht për të mësuar gjuhë të huaja. Duke shfrytëzuar të burgosurit politik, që ishin shkolluar nëpër Europë, ata arritën të mësonin anglisht, italisht, frëngjisht dhe gjermanisht. Kjo do t’i shërbente Bedriut pas burgut, që të hapte kurse private të gjuhëve të huaja, më pas si mësues i anglishtes, në shkollën e mesme në Fier; ndërsa Çaushi do të bëhej përkthyes i emigrantëve shqiptar në Itali e, do të shkruante për Shqipërinë, në gazetat më të mëdha të Italisë.
Në kohë-burgimin e tyre, dy vëllezërit nuk do të ndaheshin nga pasioni i rinisë, krijimtaria letrare, e cila qe bërë pjesë e akt-akuzës, kur u kishin rrëmbyer lirinë. Çaushi pat shkruar shumë poezi, si: poemën “Iliriada”, tri cikle – Iliria, Arbëria dhe Shqipëria; ciklin “Motit të Madh”, ”Skënderbeu me 25 këngë, me 495 vargje, etj.
Poeti Visar Zhiti, në shënimet e tij në vend të parathënies, që shoqëron librin; “Dy vëllezër në një prangë”, shkruan: “Çaushi në qelinë e tij sajonte vjersha, mohonte burgun, i këndonte me zë të heshtur nënës, lirisë, dashurisë së humbur, vend-lindjes, dinjitetit dhe hynte thellë, thellë (si i burgosuri që zbret nëpër aktet e lagura të minierës), tek rrënjët e kombit, sajonte Iliriadën e tij dhe përsëriste betejën me sllavët e ardhur nga Kaukazi, andej ku u prangua prometeu.
Vargu i Çaushit, herë është i lidhur si cigaret e burgut, të dredhura me letër nga veprat e Enver Hoxhës, herë i ashpër, si sytë e lidhur para pushkatimit, i ëmbël si hëna që vjen frëngjive, cicëritës si ”Dallëndyshja e Burrelit”, që të burgosurit e ushqenin me thërrimet e zemrës së tyre, herë i hutuar si muzgjet atje, rebel, ulëritës dhe i përtharë si plagët”.
Ndërsa për krijimtarinë e Bedriut, Visari do të meditojë: “Kurse Bedriu në qelinë e tij, do të mbaronte një nga romanet ‘Njeriu që kapërcen vetveten’, e vazhdimisht do të shkruante tregime. Natyrisht që ishte e vështirë dhe një aventurë e tmerrshme, të shkruaje hapur kundër diktaturës e diktatorit. Honorari do të ishin brilantet e gjakut tënd, pushkatimi yt. Dhe të burgosurit shkrimtarë, i mërgonin ngjarjet në tjetër vend apo, në tjetër epokë. Kështu është dhe tregimi ‘Sitamarrtaha’, një alegori ndaj dhunës, ndaj gënjimit dhe zhgënjimit me kumbim rrëqethës aktual.
Bedriun e interesojnë plagët sociale, prapambetja mentale e shoqërisë socialiste, aktet ordinere (tregimi ‘Zemërimi’ apo ‘Krimineli’. Personazhet e tregimeve të tij duan të vdesin, kanë depresione, i trondit mungesa e dashurisë apo, humbja e saj dhe dinë të qajnë burrërisht. Bedri Çoku fluturon me fantazi dhe përtej telave me gjemba të kufirit shtetëror dhe del në Kosovën e tradhtuar, duke shkruar tregimin e habitshëm ‘Liri’; jep ambiente e pejsazhe e idera fisnike…”!
Tani Bedriu ka në dorë romanin autobiografik, me titull të përkohshëm; “Ne dhe ata-Blloku dhe anti-blloku”; ku gjithçka shihet qetë, pa urrejtje në jetën e përmbysur të kësaj familje fisnike. Duke qenë vetë personazh, nga të fundit e liruar në vitin 1991, prej burgjeve komuniste; ai hedh sytë pas dhe shfleton jetën e trazuar të vetën, të familjes dhe të gjithë shqiptarëve.
Esati, deputet së bashku me ish hetuesin e tij
Esat Çokun e njoha në ditët e para të Lëvizjes Demokratike, kur Partia Republikane më kishte besuar si sekretar të komitetit Ekzekutiv Pluaralist, edhe pse deri atëherë nuk isha anëtar i asnjë partie poltike. Partia Demokratike e Lushnjës, e cila e kishte Esatin anëtar të kryesisë së së vet, e kishte caktuar si përfaqësues në Komitetin Ekzekutiv, ndërkohë, ai qe dhe kryetar i Shoqatës së ish-të Përndjekurve Politik të Lushnjës, dhe në kryesinë e Shoqatës Kombëtare.
Nuk isha takuar ende me Esatin, kur në zyrat e kryeministrisë në kryeqytet, kisha shkuar me nënkryetarin demokrat, më bëri përshtypje një burrë i gjatë, zeshkan, i cili kur lexoi emrat e anëtarëve të Komitetit Pluralist, i ndali sytë tek emri i Esatit dhe pyeti: – “Paskit Esatin, ju të PD-së”?!
– “E njihni”?- e pyeti nënkryetari demokrat.
– “Kam qenë hetuesi i tij…! Por nuk i kam hyrë në hak. Ia thashë se ne, për ç’ka e akuzonim, i kishim të provuara akuzat, kishim dëshmitarë, kishim incizime, pastaj (ish hetuesi pushoi pakëz) …ai ishte planifikuar prej kohësh, sepse i kishte dy vëllezër në burg, ndërkohë dhe i ati, i kishte vuajtur 11 vjet për politikë dhe ishte varrosur si kulak dhe armik…! Ky qe shpjegimi vullnetar i hetuesit Bashkim Caka, që në ato momente nuk ishte më hetues, por ishte në rolin e juristit, të kryeministrit Ylli Bufi.
Më vonë Esati do të ishte në të njëjtin Parlament, me ish- hetuesin e tij; njëri deputet i PD-së, tjetri deputet i PS-së. Një fakt i hidhur i demokracisë shqiptare!
Kur u kthyem në Lushnjë, ia thamë Esatit ndodhinë, me ish hetuesin Caka. Ai vetëm qeshi, ndërsa më vonë, kur do të shkonte në Parlament, së bashku me të dhe ish-hetuesi i vet, deputet i PS-së, ai do të pinte kafe me të, por nuk do të rrinte pa i thënë se hetuesit, para se të bëheshin deputetë, në një kuvend me viktimat e tyre, duhej të kërkonin falje…!
Më pas do të botonte një shkrim kuarjoz, në gazetën lokale “Ora e Fjalës”, të cilën unë e drejtoja ato kohe, ku thoshte se nuk mund të kishte demokraci të vërtetë, kur ish-hetuesit tanë, pa na kërkuar falje vijnë të përfaqësojnë popullin në Parlament, ndërkohë që na kishin dënuar dje, në emër të popullit, natyrisht pa e pyetur popullin.
Ish-hetuesi i tij, kishte heshtur. Esati nuk ishte ekstremist ndaj atyre që i shkaktuan vuajtje atij dhe familjes së tij, por ai kërkonte së paku një ndjesë publike, nga aktorët dhe ingranazhet e diktaturës, gjë që nuk është bërë ende.
Me Esatin, qeverisëm në një kohë të vështirë, kohën kur bashkë me ndryshimin politik u manifestuan veprime anarkiste dhe Lushnja ishte një ndër rrethet që “ishte planifikuar” t’i nënshtrohej terapisë së shokut dhe të kthehej në tokë e djegur: U dogjën furrat që prodhonin bukë për qytetarët; u shkretuan serat model të Divjakës, që furnizonin dikur vendet e Lindjes; u prenë plantacionet e mollëve, filloi prerja dhe djegia e ullinjve, u shkulën vreshta, pa përmendur plaçkitjen e ndërmarrjeve dhe fabrikave.
Në këto kushte Komiteti Pluralist (ku Esati ishte anëtar i tij, përfaqësues i PD-së dhe unë sekretar, përfaqësues i PR-së) përpiqej që të harronte përkatësitë partiake dhe t’i dilte për zot qeverisjes vendore. E ndjenim se policia e vjetër që kishim për të ruajtur rendin, në të shumtën e rasteve ishte bashkëpunuese me ata që shkatërronin.
Në këto kushte morëm rrugën për në Tiranë; fillimisht trokitëm tek kryeministri, por ai s’kishte kohë që t’na priste; iu afruam presidencës që ende kishte në krye Ramiz Alinë, por para nesh, atje kishte shkuar kryeprokurori dhe kryegjykatsja socialiste; kështu që nuk kishte vend për ne; përfundimisht na priti ministri i Rendit, Vladimir Hysi. Ankesat tona ishin për Rendin, kërkuam ndëshkimin e shefit të policisë.
U la që ballafaqimi të bëhej në Lushnje. Esati qe ndër ata që ia numëroi të gjitha haptazi shefit të rendit, duke kërkuar largimin e tij. Më bënte përshtypje kurajo e Esatit; ai ia thoshte copë mendimin e tij kujtdo, pavarësisht se e vërteta ishte e hidhur.
Një ndër bashkëpunimet me Esatin, ishte ceremonia madhështore e rivarrimit të 69 viktimave të komunizmit, të pushkatuar nga Mehmet Shehu, në fshatin Matjan. 69 burra, ndër ta dhe fëmijë, ishin pushkatuar nga Mehmet Shehu, në vitet e luftës; motivi i vrasjes, ishte pjesëmarrja e tyre me ‘Ballin’ dhe deklarata e njërit prej fshatarëve, Kurt Xhepa prej Çerme, që i kishte deklaruar të tmerrshmit Mehmet Shehu: “Unë derr bëhem dhe komunist nuk bëhem”! Komandanti i tmerrshëm qe bërë bishë dhe i kishte çuar të gjithë plumb….!
Rivarrimi i viktimave të terrorit komunist, ishte një ndër prioritete e pushtetit të ri demokratik, që sapo ngrihej në këmbë. Ceremonia që u organizua në qytetin e Lushnjës, pati për realizues Esatin; së bashku shkuam në fshatin ku ishin pushkatuar viktimat e pafajshme dhe me ndihmën e fshatarëve siguruam eshtrat e tyre, ndërkohë që Sigurimi i vjetër i Shtetit, u përpoq që të pengonte me çdo kusht ceremoninë.
Veteranët, u përpoqën që të ngrinin kundër opinionin qytetar, për faktin se Komiteti ynë Pluralist, mori një vendim të guximshëm; arkivolet të varroseshin në Varrezat e Dëshmorëve të qytetit, përbri parcelës, ku ishin varrosur dëshmorët partizan.
Komiteti i Veteranëve filloi të lëvizte, ankesa në Tiranë dhe në Komitetin tonë Pluralist. Esati, që kryesonte komisionin e rivarrimit, njëkohësisht kryetar i Shoqatës së Ish-të Përndjekurave Politikë, mbrojti me logjikë mendimin unanim të Komitetit Pluralist: Ju kërkoni pajtim kombëtar, pa na kërkuar falje për viktimat që keni çuar në varre pa gjyq, pa kërkuar falje, për 64 vjet burg të familjes time, plus dhjetëra vjet internime, pa kryer asnjë lloj krimi; dhe tani nuk pranoni që pajtimi të fillojë nga të vdekurit e pafajshëm?
Debati u mbyll me fitoren e Esatit dhe e gjithë Lushnja doli dhe përcolli në varreza, dëshmorët nacionalist. Mijëra qytetarë morën pjesë dhe asnjë nga parashikimet kërcënuese të veteranëve, nuk ndodhi.
Më pas Esat Çoku kreu detyrën e sekretarit të Komitetit Pluralist të rrethit të Lushnjes, edhe pse nuk kishte asnjë mundësi zgjidhje për hallet e banorëve, ai u përpoq që të mirëkuptohej me qytetarët, pavarësisht se të kujt pale ishin ata, të majtë apo të djathtë; ndërsa në takimet e partisë së vet, ishte i papajtueshëm për devijimet majtas.
Edhe detyra që kreu në Komisariatin e Policisë, ia rriti kredibilitetin ish-të përndjekurit politik, Esat Çoku, ndërkohë që si ish-kryetar i Shoqatës së Ish-të Përndjekurve dhe Burgosurve Politikë, ai u përpoq që të integrojë të vuajturit në shoqëri, ndërsa fëmijët e tyre, t’i niste drejt universiteteve.
Koha kur përfaqësoi Partinë Demokratike në Parlament, 1992-1996, ishte një kohë prove për të, provë që e kaloi suksesshëm, ndërsa në kohë, revolucionin përmbysës të pushtetit demokratik, ai u përpoq sa mundi, që të ndalte hovin e shkatërrimtarëve. Memorie.al