NIKOLLË LOKA
Av. ALFDRED DUKA
NIKOLIN KURTI
Pjesa e nëntëmbëdhjetë
-Vazhdues i traditës së klerikëve katolikë atdhetarë –
Bashkëpunim për shtetin dhe vetëm në interes të tij
Gjatë vuajtjes së dënimit
Marrë Punt. Op. Thanas Toto
Dhënë B.p. “Guximtari”
Raport i datës 23/6/1970
Burimi njofton se me datën 2/6/1970, është takuar me Ded Nikollë Nokën nga katundi Shllinzë, takimin e kanë bërë te dyqani. Në bisedë ai i tha Dedës: Se ke marrë vesh se kanë arrestuar Shtjefën Kurtin, që ka qenë prift. Deda u përgjigj: e kanë arrestuar dhe nuk e di pse, por më duket për ata vjedhësit e Gurzit. Deda tha se, e kam pas dasht fort Shtejfën Kurtin dhe në biseda i kam pas thanë: “Mos fol se do të vesh prap në burg. Bile ma shumë ka pas fol Tom Noka në Gurëz që asht vëllai i babës Shtjefën Kurti, bile kur Toma bënte biseda armiqësore, Shtjefni e këshillonte: Mos fol hapur. Kam frik tha Deda, se mos thotë ndonjë gjë për ne dhe na merr në qafë, se na e kemi mbajtur edhe në shtëpi”. Më gjatë nuk vazhdoi biseda.
“Guximtari”
Detyra:
Takohu me Nikollë Nokën dhe Ded Nokën, baba e djalë dhe në biseda me ta, mësoni rreth arrestimit të Shtjefën Kurtit e personave të tjerë në Gurëz, duke i thënë: Çudi puna e Shqefnit, siç më ke thënë ti Dedë dhe Nikoll, dukej njeri i urtë, e çfarë mundet të ketë bë ky more, se ti mundet ti dish ndonjë gjë se edhe mundet të ketë besuar. Se për Gurzin, këtë mund ta kenë arrestuar, me qëllim çfarë do të thotë Nikolla e Deda.
Sqarim i të dhënës:
Nikollë Noka dhe Ded Noka janë lidhja e Shqefën Kurtit, mbasi Shqefni ka banuar për një kohë të gjatë te këta. Në bazë të dhënave rezulton, se këta kanë zhvilluar veprimtari armiqësore së bashku, përveç këtyre këtu implikohet dhe Tom Noka.
Masat operative:
E dhëna e B.p. të shtypet në dy kopje, njëra të vendoset në dosjen e Nikollë Nokës e tjetra t’i kalohet Q.K. për ta vendosur në dosjen e Shqefën Kurtit: Për ta përpunuar në birucë, mbasi është arrestuar.
Punëtori Operativ
(Thanas Toto)
Marrë P.Op. Th.T.
Dhënë B.p. “Mati”
Raport i datës 23/6/1970
Burimi njofton se kur ka banuar Shqefën Kurti te Nikollë Noka në katundin Shllinzë, Shqefni i ka lënë Nikollës dhe Dedës disa libra fetarë dhe këto libra këta i kanë pasur deri kohët e fundit. Nëse këto i kanë akoma, nuk di gjë. Po kështu në shtëpinë e Nikollës, prifti ka lënë dhe disa tesha si kolltuqe, fanella deve që priftit i vinin nga Italia, bile në një rast, Ded Noka i ka thënë atij për t’ia blerë një, por ai nuk e shiti. Ai thotë se Nikollë Noka dhe Shqefën Kurti, kanë qenë kryesore në Adriatik për veprimtari armiqësore dhe mbas këtyre vinte Rrok Liq Meta, i cili sot është në burg. Ai thotë se Ded Noka i thërriste Shqefën Kurtit, axha Shqefën, bile Deda më shumë donte Shqefnin se sa Nikollën, mbasi ky e mbante afër.
Ai thotë se me Nikollën punojnë në një skuadër, por tani janë ndarë mbasi, Nikolla punon në kositje bari vetëm. Ai thotë se Nikolla ka folur kundra pushtetit popullor në sy të Zeqir Çelës dhe të Frano Strugës nga Fush Kuqja, bile në një rast, Frani i ka thanë Nikollës se: “siç e ke zënë ti, do të përfundosh keq një ditë”. Ky i ka thane: ani nuk ka gajle, se me norma kolektive unë nuk punoj dot, janë shumë të larta. Ai thotë se me datën 21/61970, është takuar me Nikollen dhe në biseda, Nikolla i tha atij se: pa gjë nga Shqefën Kurti nuk do të shpëtojmë, por kam frikë dhe për Rrok Liqin, por ishalla nuk thotë gjë, më gjatë nuk biseduam, mbasi ky shkoj në zbor, po kështu dhe Nikolla.
“Mati”
Detyra:
1-Vazhdoni të takoni me Nikollën dhe Dedën dhe në biseda me ta mësoni rreth aktivitetit armiqësor të Shqefën Kurtit dhe sa janë këta në dijeni të aktivitetit të tij armiqësor, veç këtyre vazhdon të kryeni detyrat e ngarkuara dhe në takimin e ardhshëm të raportoni.
Sqarimi i të dhënës:
Shqefën Kurti i arrestuar kohët e fundit ka banua tek Nikollë Noka, prandaj ai ka frikë se mos do ta implikojë. Për Nikollën kemi pasur dhe kemi të dhëna për veprimtari armiqësore, pra këtu kuptohet se ky një veprimtari të tillë e ka ushtruar me Shqefnin.
Vlerësimi:
E dhëna është nga një burim dhe si e tillë kjo vërtetohet dhe nga burime të tjera të agjenturës, pra Nikolla implikohet në veprimtarinë e Shqefen Kurtit.
Masa Operative:
E dhëna e B.p. të shtypet në dy kopje njëra të vendos në dosjen e Nikoll Nokës.
Marrë B.p. “Gryni
Dhanë B.p.”Vermoshi”
Asistojë P.Op. Llesh Zogu
Datë 8.9.1970
Raport
Ai njofton se me datën 26.8.1970, shkoi në shtëpinë e Zef Uk Locit nga katundi Gurëz i rrethit të Krujës, gjatë bisedës ai e pyeti Zefin, nëse u dënue Nikollë Deda që vrau gruan e at fëmijën në Milot apo jo. Zefi tha : nuk është denue hala, por edhe sikur të pushkatohet, është si me pas le, se na ka zbardh faqen. Pastaj ai i tha Zefit se: kam dëgjua se janë kap edhe disa të tjerë këtu në Gurëz, po këta a janë denue apo jo? Zefi dhe djemtë e tij, qe ishin aty thanë: këtu janë kap 10 veta. Ai i tha: po për çfarë dreqin janë kapur, apo për vjedhje, e Zefi i tha: Jo more më duket se janë për politikë, se janë një pjesë në Krujë dhe një pjesë në Tiranë, me ta asht dhe prifti.
Janë edhe për vjedhje tha Zefi, a thue edhe prifti paska vjedhë? Jo more tha Zefi se prifti nuk ka pasë me vjedhë se, nji person vetëm asht e nuk ka pas ku me e çue, por këta që janë kapë, janë rrëfye te prifti dhe ai ka ngrit meshë në shtëpitë e tyre dhe gjatë rrëfimit i kanë tregua priftit se vjedhin. Prifti u ka thanë: mirë bëni se pasuria juaj asht dhe nuk hyni në gjynah. Veç këtyre kanë thirr edhe ma në hetuesi dhe fill mbas votimeve, do të dënohen edhe të tjerë, që janë jashtë duke vazhdue. Zefi tha: Këta more vëlla kanë vjedh tash disa vjet, qysh se ka qenë kryetar kooperative Zef Hasi, kështu që kooperativës sonë i kanë vjedh më tepër se 1 milion e gjysëm lekë dhe kryesorët për këtë kanë qenë Palok Deda, Ndue Lleshi e Bardhok Marku.
Raportue i ka i pari, vëllai i Palok Dedës, i quajturi Rrok Deda, që u shamatue me vëllanë për 10.000 lekë, sepse Paloka e akuzoi Rrokun për këto lekë dhe Rroku shkoi dhe e raportoi.
Zefi tha se prifti ka qenë shumë i zoti, ka bë meshën në shtëpinë time dhe në një rast e pyeta: Si e ke mendjen tani që je vjetrue ore Dom Shtjeftni, a te prodhon truni ma. Dhe prifti m’u përgjigj se: e kam trunin si me qenë 30 vjeç dhe sikur të ndërroj situata një rreth e drejtoi. Me kaq nuk u bisedue ma gjatë dhe mbas pak ai iku.
“Vermoshi”
Detyrë:
Përsa bahet fjalë për informatat, B.p. nuk ju dhanë detyra konkrete, mbasi tani për tani nuk ka mundësi të takohet me ta
“Dryni”
Masat Operative :
Të shtypet e dhëna në dy kopje, njëra t’i dërgohet Degës së Krujës dhe tjetra Degës IX-të në Ministri.
Punëtori Operativ Llesh Zogu
Marrë P. Operativ Llesh Zogu
Dhënë B.p. “Misri i kuq”
Datë 31.8.1970
Raport
Burimi njofton se me datën 29.8.1970, ai shkoi në shtëpinë e Gjekë Kolës nga katundi Gurëz i rrethit Krujës, ku Gjekën e takoi në rrugë para shtëpisë dhe në bisedë e sipër i tha: Më ka ardhë keq për djalin që ta kanë futur në burg, Gjeka tha: Çfarë t’i bëj pra, unë isha në halle të tjera, e tani duhet me u marrë edhe me këtë, megjithëse djali im asht ma lehtë se të tjerët, se për hesapin e 3.000 lekëve të vjetra asht kap në fillim, por ma vonë tha, më duket se kanë dalë dhe të tjera, kurse të tjerët kanë vjedhur me qerre, tashë disa kohë. Djali im i ka pasë diktua se po vjedhin, pra ata i thoshin: Mos ki frikë për këtë punë. Ai tha: Më duket se asht kap edhe prifti. Edhe priftin e kanë arrestua. Për atë nuk e di pse e kanë kap. Me kaq me Gjekën nuk u bisedua ma gjatë dje dhe u ndamë.
Më datën 30.8.1970 u takua në Gurëz me Gjokë Ndocin nga Gorreja. Duke bisedue ra fjala e arrestimeve që janë bë kohët e fundit në Gurëz dhe bashkëpunëtori i tha: Mirë more burrë që janë kap të gjithë ata, por edhe prifti paska vjedh! Gjoka tha: Prifti u ka pas thanë se nuk është gjynah me vjedh dhe, mesa duket, ky grup ka hy në çështje politike, e nuk ndahet lehtë. Prifti, tha Gjoka, ka qenë shumë i zoti. Me kaq nuk u bisedue ndonjë gjë me rëndësi e mbas pak u ndanë.
“Misri kuq”
Detyrë :
Përsa bëhet fjalë në informate B.p. nuk ju dha detyrë mbasi është larg dhe tani për tani nuk ka mundësi të takohet me ta.
Ju përsëriten detyrat e dhëna për objektin Martin Rrok Nika, si lidhja e grupit të Gurëzit, këto ju përsëriten meqë nuk kishte pas mundësi të takohet me ta e, të konsumojë detyrat e dhëna me datë 23.8.1970.
Sqarim:
Personat që bahet fjalë në informatë janë nga Gurëzi e nuk njihen nga ne. Bashkëpunëtori u dërgua apostafat për t’u takue me lidhjet e personave që janë arrestua kohet e fundit në Gurëz dhe mbasi do të kthehej prej andej, do takohej me Martin Rrokun, por këtë të fundit B.p. nuk e kishte realizuar, prandaj ju la detyrë që ta kryej.
Masa operative :
1) B.p. do të dërgohet te Martin Rroku në bazë të detyrave të ngritura për këtë qëllim.
2) Do të shtypet informatat anë dy kopje, njëra Degës Krujës dhe tjera Degës IX në Ministri.
Punëtori Operativ Llesh Zogu
Marrë : P. Operativ Llesh Zog
Dhënë B.p. “Misri kuq”
Asistoj Zv/Kryet. Degës K. Peja
Datë. 14.9.1970
Raport
Ai thotë se në mëngjesin e datës 14.9.1970, duke rrugëtuar nga Talja në Zejmen, gjatë rrugës në katundin Shënkollë, u takue me Martin Rrok Nikën dhe së bashku erdhën deri në Zejmen. Gjatë muhabeteve ai i tha Martinit: Takova Marka Nikollë Gjokën nga Gurëzi dhe e pyeta nëse kishin dalë në gjyqe ata që janë arrestua në Gurëz, por Marku më tha se, as ndërmend nuk e kanë me i nxjerrë se, janë tuj arrestue hala dhe u çudita si qenka punë e tyre kaq e ngatrrume që s’po i nxjerrin në gjyq. Martini tha se as s’kanë për t’i nxjerrë tash për tash, sepse para pak ditëve, kanë arrestua edhe një tjetër me mbiemrin Preçi, (Martini ja tha emrin e plotë atij por ai nuk e mbante mend vetëm i mbante mend mbiemrin) dhe duke vazhdua Martini tha se: disa nga ata e kanë keq punën, sidomos prifti Shtjefën Kurti, Ndue Lleshi, njëri nga nipat e mi, e disa të tjerë i kanë çuar në Tiranë.
Ai i tha: po edhe prifti me vjedhje do të jetë ngatrrue? Martini tha: Jo, prifti nuk është për vjedhje, por këta janë për politikë, siç ma merr mendja mua. Do ta kenë kuptue se po zbulohen dhe kanë mendua me u arratis në Jugosllavi, por kanë pas frikë se jugosllavët i kthejnë e, për të mos i kthye, kanë kërkua ndihmën e priftit, që ta marrin me vete ose t’u jepte rekomandime që të mos i kthenin, sepse prifti atje ka influencë se është prej atij vendi. Prifti, tha Martini, është shumë i zoti, unë kam pas shoqëri me të, i kërkova njëherë 5.000 lekë të vjetra borxh dhe menjëherë m’i dha dhe dijë se i kanë rreth 40. 000 lekë borxh, por tash që e futën brenda, nuk po i shef ma, se s’ka për të dalë ma.
Në një rast, – tha Martini, kur i shkova në shtëpi priftit e pyeta për situatën se ç’kemi ndonjë të re, thotë dëgjoj radiot e tjera dhe se shpresa të pakta ka për ne me që janë ngatrruar në Azi, e për ne nuk ka ndonjë shpresë. Këtë muhabet, tha Martini, me priftin e kamë bë para dy vjetësh, kur isha në kooperativë bujqësore, po kështu dhe paret borxh në atë kohë ja kamë marrë. Mbas pak në Zejmen u ndanë, ai shkoi për në punë dhe Martini qëndroi aty.
“Misri i kuq”
Detyrë:
Tash për tash mos u trego shumë i interesuar me u taku me Martin Rrokun, po të takoheshe me të, mos i hap muhabet i pari, por lene të flase ai, kjo me qëllim që të shohim nëse flet ai vetë pa e ngacmuar apo jo. Shiko po të takohesh me të, shih nëse është i tronditur për arrestimet që janë bërë në Gurëz apo jo.
Sqarime dhe vlerësimi i informatës:
Martin Rroku të përpunohet aktivisht për agjitacion e propaganda. Para disa ditësh e kemi propozua për goditje, implikohet në grupin e Gurëzit si nga Shtjefën Kurti dhe Mark (Bardhok) Marku.
B.p. është i vjetër në rrjetin tonë informativ, ka dhënë informata me vlerë operative, shumica e të cilave janë vërtetuar nga burime të tjera. B.p. nuk ju dhanë detyra të avancuara, mbasi objektin e kemi propozua për goditje dhe duam ta shkëpusin. E dhëna ka vlerë operative mbasi, objekti interesohet për arrestimet që janë bë në Gurëz dhe se tregon se ka pasur lidhje me priftin Shtëjfën Kurtin që është në burg.
Masat operative:
Të riprodhojë të dhënën në dy kopje, njëra të vendoset në dosje të Martinit dhe tjetra t’i dërgohet Degës IX-të në Ministri. Memorie.al
Punëtori Operativ Llesh Zogu
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016