Dashnor Kaloçi
Pjesa e dytë
Memorie.al publikon kujtimet e panjohura të Hermann Neubacher, diplomati nazist gjerman, i dërguari personal i Hitlerit për Juglindjen e Ballkanit, gjatë viteve 1943-1945, i cili në mes të tjerash në kujtimet e tij përshkruan me detaje dhe hollësira, misionin dhe aventurën e tij shqiptare, në vendin e vogël në Jug të Ballkanit. Këto kujtime, Neubacher, i ka botuar në Gjermani, disa vjet mbas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, duke i përmbledhur në një libër, ku midis të tjerash shkruan: “Në detyrën time të shkurtër dhe lakonike shqiptare, kishte diçka të jashtëzakonshme. Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Ribbentrop, më thirri në Beograd në telefon dhe më komunikoi që: Fyreri dëshironte të më caktonte me detyrë në Shqipëri, e cila do të ishte e pavarur sipas iniciativës së saj dhe lidhur me këtë, që të nesërmen duhej të shkoja në Komandën e XI – të të divizionit gjerman, që ishte dislokuar në Elbasan”. E gjithë situata politike dhe personalitetet shqiptare të asaj kohe, si: Ibrahim Bej Biçaku, Mehdi Bej Frashëri, Xhafer Deva, Patër Anton Harapi, Lef Nosi, Vehbi Frashëri, Rexhep Mitrovica, Abaz Kupi, etj., në optikën e diplomatit nazist, që shërbeu në Shqipëri në vitet 1943 – ‘44
“Kur në fund të gushtit të vitit 1943, në banesën kryesore të Fyrerit, Adolf Hitler, pranova detyrën si “Autorizues i Sekretariatit për Punët e Jashtme të Juglindjes së Ballkanit”, për Shqipërinë ende nuk kisha dëgjuar dhe nuk kisha dijeni të mjaftueshme për atë vend të vogël në Jug të Europës. Asokohe aty mbretëronte ende Viktor Emanueli, kurse një mëkëmbës i tij, sundonte duke e përfaqësuar atë vend. Në detyrën time të shkurtër dhe lakonike shqiptare, kishte diçka të jashtëzakonshme. Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Ribbentrop, më thirri në Beograd në telefon dhe më komunikoi që: Fyreri dëshironte të më caktonte me detyrë në Shqipëri, e cila do të ishte e pavarur sipas iniciativës së saj dhe lidhur me këtë, që të nesërmen duhej të shkoja në Komandën e 11-të të Divizionit gjerman, që ishte dislokuar në Elbasan”.
Kështu e kujtonte emërimin e tij me detyrë në Shqipëri, Hermann Neubacher, diplomati gjerman i dërguari personal i Hitlerit për Juglindjen e Ballkanit gjatë viteve 1943 1945, i cili në mes të tjerash, në kujtimet e tij përshkruan me detaje dhe hollësira, të gjithë misionin dhe aventurën e tij shqiptare, në vendin e vogël në Jug të Ballkanit. Këto kujtime, Neubacher, i ka botuar në Gjermani disa vjet mbas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, duke i përmbledhur në një libër. Po si erdhi Neubacher në Shqipëri, cila ishte detyra e tij, kush ishin politikanët shqiptarë me të cilët bashkëpunoi ai dhe si i përshkruan ai karakteret e tyre në librin e tij?
Kujtimet e Herbert Nojenbaher, i dërguari i Hitlerit në Shqipëri
“Pasi u largova nga Berlini ku i raportova Qendrës lidhur me formimin e Këshillit të Lartë, (Regjencës) u ktheva përsëri në Shqipëri. Ato ditë Këshilli Nacional, e pranoi Qeverinë e Ibrahim Bej Biçakut, ku Xhafer Deva mori postin e Ministrit të Punëve të Brendshme, që ishte një nga portofolit më problematikë për vetë situatën në të cilën ndodhej vendi. Pas formimit të kësaj Qeverie, gjendja filloi të ndryshonte pothuaj në të gjitha aspektet. Çdo gjë që më përpara ishte në duart e italianëve, nuk ekzistonte më. Kështu legjislacioni, administrata, burgjet, policia, xhandarmëria, ushtria, pra atributet e nevojshme të shtetit, nuk ekzistonin më në duart e italianëve. Por ajo që ende ishte prezent aty, ishte njëfarë kompaktësie tradicionale e familjeve shqiptare dhe e fiseve të ndryshme, që ishin tepër kompaktë për shkak të rrënjëve të tyre karakteristike.
Në këto rrethana, ushtarëve gjermanë nuk i’u mbetej gjë tjetër, veçse të prezantonin veten e tyre si mbajtës të rendit publik, përkundër asaj që ata ishin në Shqipëri vetëm si mysafirë. Dhe vërtet ata ishin vetëm mysafirë. Kështu, kur Komanda Supreme e Forcave të Armatosura Gjermane, e caktoi përgjegjësin ushtarak për Shqipërinë, unë kam protestuar te Ministri i Punëve të Jashtme, Ribbentrop, për këtë gabim, duke e quajtur të papranueshëm atë gjë, për arsyen se ne e kishim njohur Shqipërinë si shtet të pavarur dhe sovranitetin e saj.
Në atë kontekst, nga ana jonë si gjermanë, nuk mund të pretendohej të kishim asnjë kompetencë administrative dhe legjislative. Ky gabim trashanik i joni, u rregullua në vend dhe përgjegjësi ushtarak në Shqipëri, u quajt “Gjenerali gjerman në Shqipëri”, me detyrë që të përfaqësonte forcat ushtarake gjermane pranë Qeverisë shqiptare”, kujton diplomati i Hitlerit, Hermann Neubache, i dërguar në Shqipëri me mision, pasi ishte caktuar në detyrën e të dërguarit special për Juglindjen e Ballkanit.
Neubache: Mehdi Frashri, burrë shteti
Në kujtimet e tij lidhur me periudhën e qëndrimit në Shqipëri, diplomati gjerman, i dërguar i Fyrerit, tregon një interes të veçantë, duke folur me nota pozitive edhe për politikanët shqiptarë, të cilët do të merrnin pjesë në Qeveri e do të bënin të mundur kapërcimin e krizës që kishte mbërthyer vendin pas largimit të forcave italiane. Lidhur me këtë, në mes të tjerash ai kujton: “Kur në ditët e para të ardhjes sime në tokën shqiptare, kisha filluar të interesohesha për personalitetet më të njohura të vendit, shumë shpejt konkludova se njeri prej atyre që gëzonte një respekt të padiskutueshëm, ishte Mehdi Bej Frashri.
As ofertat e italianëve, nuk mundën që ta thyenin atë ish nëpunës të lartë të administratës së lartë të Perandorisë Otomane, në mënyrë që ai të pajtohej me agresionin italian karshi Shqipërisë. Autoriteti i madhështisë së tijë, i kishte detyruar italianët që ta internonin në Romë, ku ai jetonte në një hotel dhe me liri të kufizuara ,me vajzën e tij Mehdien. Nisur nga personaliteti i Frashrit, menjëherë pas ardhjes sonë në Shqipëri, unë urdhërova që atij t`i vihej në dispozicion një aeroplan “Heikel 111”, që ai të vinte në Tiranë. Bashkë me atë aeroplan, ai solli me vete dhe rezervat e monedhës shqiptare, e cila ruhej në Bankën e Italisë, për Bankën Popullore Shqiptare, e cila ishte e organizuar shumë mirë në sajë të ekspertëve italianë që kishin punuar aty.
Mehdi bej Frashëri, asokohe ndonëse ishte 74 vjeç, ishte një personalitet tepër impulsiv. Ai rridhte prej njërës nga familjet kryesore shqiptare, i cili e kishte filluar karrierën e tij në të ashtuquajturën Turqia Ballkanike, si administrator dhe më vonë kishte shërbyer në Liban dhe Egjipt, në rangun e Pashait. Ai ishte i ngritur si një përmendore nga koha mbretërore otomane. Bashkëshortja e tij, ishte me origjinë turke, të cilën Mehdi beu e kishte fituar në saj të burrërisë së tij. Ai fliste rrjedhshëm së paku tetë gjuhë, por jo gjermanishten. Në më të shumtën e rasteve ne bisedonim në italisht.
Nëse guxoj për të gjykuar, dua të them se: Mehdi Frashëri ishte një nga themelonjësit e kategorisë së lartë të Drejtësisë Ndërkombëtare. Ai më propozoi që Gjermania të pranonte neutralitetin e Shqipërisë. Sipas fjalës së tij, do të kishim të bënim me një “neutralitet garant” dhe Shqipëria do t’i konsideronte forcat e armatosura gjermane, që kishin ardhur në këtë vend si mysafirë, vetëm prej nevojave ushtarake dhe nuk do të kishin asnjë dëm nga forcat ndërluftuese. Mehdi beu i shikonte shumë i rezervuar zhvillimin e ngjarjeve dhe kur vërejti se nuk ishte fjala për një regjim okupues gjerman në Shqipëri, ngjalli interesin për çështjet që i përkisnin vendit të tij.
Kur Kuvendi Popullor i drejtoi atij një apel të zjarrtë për detyrën e tij patriotike, ai pranoi që të vihej në krye të Asamblesë si Kryetar i parë. Në këtë Këshill, duhej të ishin dhe nga një përfaqësues për katolikët dhe ortodoksët dhe ajo detyrë, duhet të kalonte nga njeri tek tjetri. Por Mehdi bej Frashëri mbeti gjithnjë Kryetar i parë, sepse kolegu i tij ortodoks Lef Nosi, ishte i sëmurë, kurse përfaqësuesi i katolikëve, Superiori i Françeskanëve të Shkodrës, Patër Anton Harapi, e refuzoi postin e Kryetarit, me motivacionin se: morali katolik nuk e lejonte për të pranuar një funksion që do ta detyronte për të dhënë dënime me vdekje.
Kuvendi Popullor që kishte atribute kushtetuese si dhe Këshilli i Regjencës, të cilin ajo e zgjodhi, formoi Qeverinë, ku Rexhep Mitrovica me origjinë nga Kosova, u caktua në postin e Kryeministrit, kurse Xhafer Deva, mori postin e Ministrit të Punëve të Brendshme. Djali i Mehdi Frashërit, Vehbiu, u caktua në detyrën e Sekretarit për Punët e Jashtme”, kujton Hermann Neubache, periudhën kur nën okupacionin gjerman, krijoheshin qeveritë shqiptare që nuk e kishin jetën e gjatë.
Neubache: Jo batalioni “Skënderbeg” !
Duke respektuar parimet e neutralitetit të Shqipërisë, të cilën e kishte njohur shteti gjerman, i dërguari i saj special, Hermann Neubache, ngulmonte që: të drejtat që buronin nga kjo gjë, të zbatoheshin me rigorozitetin më të madh. Lidhur me këtë, ai ishte kundër krijimit të batalionit me vullnetarë nga Kosova të pagëzuar me emrin “Skandërbeg”, pavarësisht se ai luftoi kundra forcave çetnike serbe, që kishin dhjetëra vjet që e masakronin popullsinë autoktone shqiptare që jetonte në trojet e saja.
Lidhur me këtë, në mes të tjerash në kujtimet e tij, diplomati Hermann shkruan: “Kur e kam pranuar detyrën lidhur me Shqipërinë, në krahinën e Kosovës gjendeshin njerëz të armatosur që gjurmonin luftëtarët e Divizionit mysliman SS, të njohur me emrin “Hanxhar”, i cili ishte formuar në Bosnje. Atëhere me ndihmën e Kaltenbrunner, kam arritur ta bind Himlerin, për të ndaluar këto rekrutime, që nuk pajtoheshin me politikën tonë të neutralitetit. Por Rajs Firer SS, i cili kishte dëgjuar mjaft ndodhi e tregime për regjimentin e Bosnjës- Hercegovinës të monarkisë danubiane, megjithatë erdhi deri te qëllimi i tij më 1944-ën, që ta bindte Hitlerin të formonte në Shqipëri për nevoja të luftës lokale partizane brenda kufijve, një Divizion malor SS, të quajtur “Skandërbeg”.
Kjo gjë u bë në fazën e hershme të luftimeve dhe meqenëse ai u udhëhoq keq, pësoi humbje të konsiderueshme në luftë me forcat partizane. Formimi i këtij batalioni mua nuk më entuziazmoi aspak, por Qeveria shqiptare shikonte në formimin e njëfarë Divizioni të tillë, si mundësi shumë të volitshme sepse besonte se me ndihmën e saj do të formonte një kuadër të përkryer e të përshtatshëm për forcat e armatosura nacionale si dhe ato të xhandarmërisë.
Garnizoni i këtij njësiti ishte në Prizren dhe unë e pengova me qëllim vendosjen e tij në Mitrovicë, e cila mbeti në kufijtë e Serbisë, sepse i frikësohesha konflikteve me popullsinë serbe, të cilët me shqiptarët ishin gjithnjë në luftëra”, kujton Hermann Neubache, përpjekjet e tija kur kundërshtoi rekrutimin dhe formimin e Divizionit “Skanderbeg”, me vullnetarë shqiptarë, gjë e cila, sipas tij, do t`i humbte Shqipërisë kartën e neutralitetit dhe njëkohësisht pavarësinë e saj.
Neubache në mbrojtje të shqiptarëve
I ngarkuar me detyrën e të dërguarit special për Juglindjen e Ballkanit, diplomati gjerman Hermann Neubache u përpoq të ekuilibronte ngatërresat Ballkanike në mes shqiptarëve dhe bullgarëve, nisur nga fakti se si italianët dhe gjermanët kishin njohur kufijtë e Shqipërisë Etnike, që në lindje të saj kufizohej me Bullgarinë. Lidhur me këtë, në kujtimet e tija, i dërguari special i Fyrerit, mes të tjerash shkruan: “Pas shkatërrimit të Jugosllavisë, në korrikun e vitit 1941, shqiptarëve ju takoi krahina e Kosovës, e banuar më dendur prej tyre.
Që prej vitit 1939, Shqipëria i ishte aneksuar Italisë dhe pas lirimit të saj, shqiptarët nxituan të përzinin që andej sa më shumë kolonizatorë që i kishin shtypur ata prej vitesh. Kur gjenerali Nediq mu drejtua mua me ankime tepër të ashpra, e këshillova qeverinë shqiptare me ngulm që ajo t` u jepte fund ndjekjeve të kolonëve. Kur vërejta se ndërhyrja ime në këtë drejtim ishte e pasuksesshme, i kërcënova eprorët e mij me dorëheqjen time nga detyra shqiptare që kisha marrë përsipër, duke ju theksuar se: do t`ja besoja një tjetri kujdesin për ta mbajtur këtë vend, nga dëshirat territoriale të Bullgarëve.
Xhaferr Deva që kishte ndikim të madh në Kosovë, më premtoi se do të interesohej për këtë problem dhe ai e bëri atë me tepër sukses. Por megjithatë, që nga viti 1941 e në vazhdim, kishin ndodhur shumë ngjarje të pahijshme midis shqiptarëve dhe bullgarëve. Bullgarët vazhdimisht ankoheshin lidhur me vrasjet e bullgarëve në Shqipërinë Lindore, ku ç’ishte e vërteta, nuk kishte fare bullgarë. Kjo gjë bëhej në mënyrë që, nga Gjermania të kërkohej e drejta për t’i aneksuar territoret e rrezikuara. Nisur nga kjo, unë e kam drejtuar kolonelin Von Kohautek (i cili ishte i caktuar i shtabit tim në Beograd), në veri të liqenit të Ohrit, me detyrë që politikisht të analizonte vrasjet që kishin ngjarë muajve të fundit në atë zonë.
Koloneli Von Kohoutek, me pedantëri i studioi ato 40 vrasje dhe konstatoi se ne mesin e të vrarëve, nuk kishte asnjë bullgar. Gati të gjitha ato vrasje i përkitnin kategorive të hakmarrjes dhe armiqësive të vjetra në mes familjeve dhe fiseve si vrasje banale. Një rast vrasje kishte të bënte me likuidimin e një komunisteje nga një komunist, ndërsa disa vrasje të tjera nuk ishte e mundur t`i sqaroje.
Pas gjitha atyre sqarimeve rreth vrasjeve të cilat koloneli që caktova unë i bëri me themel, nuk dukej e nevojshme që forcat bullgare të okuponin territoret shqiptare, rezultat i së cilës do të shkonte dhe në dëm të famës sime në qarqet bullgaro mëdha. Në ato qarqe unë kisha vlerësime dhe nota të dobëta, qysh nga koha që pengova plebishitin e Trakisë”, kujton diplomati gjerman, përpjekjet e tija për të ndaluar orekset e bullgarëve (maqedonas) për të pushtuar territoret shqiptare.
Rënia e Qeverisë së Rexhep Mitrovicës
Në kujtimet e tija lidhur me periudhën e qëndrimit në Shqipëri, diplomati Hermann Neubache, analizon dendur edhe politikanët shqiptarë dhe qeveritë që ata kryesonin. Lidhur me këtë, ai shkruan: “Në qershor të vitit 1944, Kryeministri Rexhep Mitrovica dha dorëheqjen, me pretekstin se ishte i sëmurë. Ky njeri vërtet ishte i sëmurë dhe nuk kishte mundësi për të zhvilluar punë të madha në detyrën që kishte marrë përsipër. Nga kjo mbetej që fusha e fuqisë politike, të endej e përcaktuar, në mes kundërthënieve të Shqipërisë së vjetër (Mehdi Bej Frashërit) dhe Shqipërisë së re (Xhaferr Devës).
Por edhe Xhaferr Deva u tërhoq në qershorin e 1944-ës, duke menduar që të shkonte për mjekime në Gjermani dhe pastaj t`i përkushtohej tërësisht forcimit të pozitës së tij në Kosovë. Asokohe e përjetova krizën e qeverisë shqiptare, e cila zgjati rreth tre javë. Ajo më mbeti e paharruar. Me konsekuencë të plotë, ne kemi refuzuar preferencat tona për zgjedhjen e ndonjë kandidati për postin e kryeministrit.
Për çdo ditë kishte kombinime të ndryshme lidhur me kandidatët e mundshëm dhe ato valë përplaseshin në ndërgjegjen time të cilat në Tiranë më shërbenin si prehje e sigurt. Në hotelin e bukur “Dajti”, të cilin e kishin ndërtuar italianët, grumbulloheshin mysafirë të njohur, të cilët me njerëzit e tyre kishin zbritur nga malet, në mënyrë që të mos qëndronin larg, kur Ministri i ri i financave të pranonte detyrën. Pushkët dhe automatikët që shoqëruesit e personaliteteve me zë mbanin me vete, i jepnin jetës së atij hoteli, një pamje luftarake”, kujton diplomati nazist, Neubache, politikanët shqiptarë dhe ngjarjet politike në Shqipërinë e viteve ‘1943-’44, ku ai vetë ishte një nga aktorët kryesor të saj. /Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016