Dashnor Kaloçi
Pjesa e tretë
Memorie.al publikon disa dokumenta arkivore të nxjerra nga Arkivi Qëndror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qëndror të PPSH-së), ku ndodhet ditari politik i Enver Hoxhës në periudhën mars-prill 1981, kohë kur filluan demonstratat dhe protestat masive të popullit të Kosovës, i cili u ngrit për të kërkuar të drejtat dhe liritë e tij legjitime, ashtu siç i kishin dhe i gëzonin edhe kombësitë dhe kombet e tjera që përbënin Republikën Federative të Jugosllavisë. I gjithë ditari politik i udhëheqësit kryesorë të Shqipërisë komuniste, ku ai dhe Tirana zyrtare e asaj kohe, i ndoqën me vëmendje ngjarjet e Kosovës dhe u prononcuan hapur publikisht, duke dalë hapur në mbrojtje të vëllezërve tanë kosovarë përtej kufirit që jetonin prej shekujsh në trojet e tyre etnike, të cilët u ngritën për të kërkuar të drejtat dhe liritë e tyre legjitime ashtu siç i kishin dhe gëzonin edhe kombësitë dhe kombet e tjera të Jugosllavisë së asaj kohe, dhe duke akuzuar Beogradin zyrtar për politikën diskriminuese që kishte ndjekur regjimi titist deri në atë kohë ndaj Kosovës dhe gjithë popullsisë shqiptare që jetonte nën Jugosllavi, dhe gjithashtu duke akuzuar edhe udhëheqjen e Kosovës si “pro-titiste”, dhe “të shitur tek udhëheqja e Beogradit”.
“Siç bëjnë të ditur agjencitë e lajmeve, në Prishtinë e në Podujevë, dje dhe sot, studentët, me të cilët janë bashkuar edhe punëtorë, shpërthyen në demonstrata dhe, përleshje të tjera, më të furishme se të parat. Situata është bërë shumë e nderë. Autoritetet jugosllave Prishtinën e kanë rrethuar me tanke. Në Kosovë kanë ardhur nga Beogradi forca të mëdha policie dhe të milicisë serbe. Është shpallur gjendja e shtetrrethimit, është ndaluar qarkullimi me grupe dhe filluan llogjet e lakenjve titistë, që nga Fadil Hoxha, Xhavit Nimani, Asllan Fazllija e të tjerë. Ç’nuk thanë ata kundër demonstruesve, përdorën të gjitha fjalët që përmban fjalori titist, bënë akuzat më të ndyra: “Nacionalistë shqiptarë”, “irredentistë”, “informbyroistë”, “agjentë të imperializmit”, “ballistë” etj. Pas të sharave dhe akuzave kundër studentëve shqiptarë, hosanara për Titon, për titizmin, për vet administrimin dhe për “fitoret e Kosovës”. Pas hosanarave për titizmin, premtime mashtruese “do të bëjmë këtë”, “do të bëjmë atë”, “ka vështirësi, po fajin e ka kriza botërore” etj. Më në fund arrestimet e shumta dhe kërcënime për raprezalje akoma më të mëdha. Është e qartë, kosovarët janë të shtypur, të mjeruar, janë gjakosur nga serbomëdhenjtë dhe nga titizmi”.
Kështu shkruan në mes të tjerash ish-udhëheqësi kryesor i Shqipërisë komuniste, Enver Hoxha, në ditarin e tij të datës 3 prill të vitit 1981, duke u fokusuar në ngjarjet e Kosovës, e cila asokohe ishte Krahinë Autonome në përbërje të Republikës Federative të Jugosllavisë, ku vetëm disa muaj pas vdekjes së Marshallit Josif Broz Tito (4 maj 1980), që e qeverisi atë vend për gati 35 vite me rradhë që nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore, në Jugosllavinë që ai la pas, do të fillonin trazirat e brendshme, siç ishin demonstratat e protestat masive të popullit të Kosovës, i cili u ngrit për të kërkuar të drejtat dhe liritë e tij legjitime, ashtu siç i kishin dhe i gëzonin edhe kombësitë dhe kombet e tjera që përbënin Republikën Federative të Jugosllavisë, për të kaluar deri në thirrjet “Kosova Republikë”.
Ashtu siç dihet tashmë, gjë të cilat do t’i shikojmë edhe nga këto dokumenta arkivore ku ndodhet ditari politik i Enver Hoxhës, udhëheqësi kryesorë i Shqipërisë komuniste dhe Tirana zyrtare, i ndoqën me vëmendje ngjarjet e Kosovës dhe u prononcuan publikisht, duke dalë hapur në mbrojtje të vëllezërve tanë kosovarë përtej kufirit që jetonin prej shekujsh në trojet e tyre etnike dhe duke akuzuar Beogradin zyrtar për politikën diskriminuese që kishte ndjekur deri në atë kohë ndaj Kosovës dhe gjithë popullsisë shqiptare që jetonte nën Jugosllavi, dhe gjithashtu duke akuzuar edhe udhëheqjen e Kosovës si “pro-titiste”, dhe “të shitur tek udhëheqja e Beogradit”.
Por ndryshe nga sa thoshte me fjalë, nuk e bëri kurrë me vepra dhe qëndrimi që mbajti Tirana zyrtare ndaj ngjarjeve të Kosovës në pranverën e ’81-it, duket se ishin thjesht sa për fasadë dhe vetëm për konsum publik në arendën ndërkombëtare, pasi regjimi komunist i Enver Hoxhës që nga viti 1949 kur Tirana zyrtare i prishi marrëdhëniet me Jugosllavinë e Marshallit Tito, e deri në fundin e viteve ’80-të, ndaj kosovarëve që vinin në Shqipëri për t’i shpëtuar përndjekjeve të regjimit titist, ndoqi një politikë edhe më të egër ndaj tyre, duke i burgosur, torturuar dhe internuar, me akuzat shabllone “agjentë të UDB-së”! Po kështu, edhe pse në ngjarjet e pranverës së vitit 1981 e në vijim, Tirana zyrtare në dukje i përkrahu demonstratat e popullit të Kosovës dhe kërkesat e tyre “Kosova Republikë”, Enver Hoxha kurrsesi nuk do të donte që ajo gjë të bëhej realitet, pasi në një farë mënyre, do krijoheshin dy shtete shqiptare, ku Kosova do bëhej faktor dhe Shqipëria nën udhëheqjen e tij, do defaktorizohej në arenën ndërkombëtare. Në këtë kontekst, menjëherë pas atyre ngjarjeve, Tirana zyrtare intesifikoj përndjekjen dhe dhunën ndaj kosovarëve që ishin në Shqipëri, duke arrestuar dhe dënuar me burgime të gjata disa intelektualë kosovarë, si p.sh.: Selim Kelmendin, Estref Kelmendin, Shefqet Kelmendin, Namik Lucin, etj., të cilët u arrestuan në vitin 1983, duke u akuzuar se “kishin tentuar t’i bënin atentat udhëheqësit kryesor, Enver Hoxhës, gjatë vizitës që ai kishte bërë në Muzeun “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Krujë në vitin 1980”.
Dhe të gjitha këto, bëheshin për të ulur reputacionin e kosovarëve dhe Kosovës në sytë e shqiptarëve të atdheut amë. Gjithsesi këto mbeten objekt analizash që nuk janë në fokus të këtij shkrimi, ku po publikojmë vetëm ditarin politik të Enver Hoxhës, që ai ka mbajtur në atë periudhë kohe, të cilin Memorie.al boton për herë të parë dhe të plotë.
Ditari politik i Enver Hoxhës për ngjarjet e demonstratave dhe protestave të popullit të Kosovës në pranverën e 1981-it
Kjo është një histori ë tmerrshme për popujt që duan të rrojnë të lirë dhe të ndërtojnë socializmin, aq sa është e tmerrshme edhe forma e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që shfrytëzon jo vetëm popujt e ndryshëm që jetojnë në Amerikë, por edhe popuj të tjerë të botës. Prandaj, zotërinj teoricienë të “Borbës”, ka “shkallë” në shovinizëm dhe lloje të ndryshëm, pavarësisht nga forma dhe nga madhësia e tyre, pavarësisht nga maskat dhe nga fjalët pompoze. Nacionalizmi, shovinizmi dhe pansllavizmi janë të dënueshëm nga çdo arnë që të vijnë, pavarësisht se ata që i kultivojnë këta janë të mëdhenj a të vegjël, por nacionalizmi dhe shovinizmi më i madh është më i rrezikshëm. Këtë të mos e harrojmë. Të gjitha këto të këqija duhen luftuar, duhen shkulur nga rrënjët, por kjo nuk mund të bëhet kurrë veçse nga pozitat e marksizëm-leninizmit. Tjetër rrugë s’ka. Po e përsëritim edhe një herë, se për 10-15 veta të ashtuquajtur nga udhëheqja jugosllave si “reaksionarë, shovinistë e irredentistë”, nuk mund të dërgoheshin aq shumë ushtri, milici, udbashë, tanke dhe avionë në Kosovë, as të vriteshin e të plagoseshin me armë zjarri aq njerëz dhe të vendosej shtetrrethimi në të gjithë krahinën e Kosovës.
Ju keni frikë të tregoni të vërtetën dhe kjo është keq për ju, se populli i Kosovës e di këtë gjë, mbasi ka marrë pjesë vetë në demonstratë. Me dhjetë-pesëmbëdhjetë veta, që ju i konsideroni “kundërrevolucionarë”, etj., nuk është e lehtë të gënjeni një popull trim e të pjekur, siç është populli shqiptar që jeton në pjesë të ndryshme të Jugosllavisë, as të gënjeni punëtorët, fshatarët, studentët dhe inteligjencien e zgjuar, heroike dhe të ndërgjegjshme për jetën dhe fatin e kombit të tyre. Në qoftë se udhëheqja e Beogradit nuk i sheh problemet në rrënjë dhe t’i zgjidhë ato drejt e me guxim, me siguri që do t’i nxjerrë shumë telashe vetes. Shohim me keqardhje se, kur ne ju themi të vërtetën, ju vjen shumë hidhur. Pse vallë? Mos doni që ne, t’ju mburrim për ato akte të mbrapshta që bëtë në Kosovë? Apo kishit dëshirë që ne të heshtnim? Pse nuk shpifëm ne edhe një vit më parë, apo edhe një muaj më parë se të ngjisnin turbullirat në Kosovë? Udhëheqësit jugosllavë pretendojnë se këto turbullira ngjanë se “zbutën vigjilencën”. As gënjeni dot njeri me këtë, pse pakënaqësia në viset ku banojnë shqiptarë është e madhe dhe e dukshme, prandaj ato turbullira nuk ngjanë për arsyet që ju përpiqeni t’i vini në dukje, por për ato që kërkoni t’i fshihni.
Nëpër fjalime të panumërta të udhëheqësve jugosllavë dhe të shtypit të tyre po bëhen kërcënime të hapëta kundër shqiptarëve të Jugosllavisë për të ardhmen. Mos ndiqni këtë rrugë të rrezikshme! Ju, po të doni, vazhdoni t’i merrni për keq të vërtetat tona, akuzonin, po t’u vijë për mbarë, për ndërhyrje në punët tuaja të brendshme nga ana jonë, por kjo nuk e ndryshon aspak situatën e sëmurë në Republikën Socialiste Federative të Jugosllavisë. Sëmundja kronike që ekziston te ju nuk vjen nga të drejtat e ligjshme që kërkojnë shqiptarët që banojnë në Jugosllavi brenda ligjeve të kushtetutës së Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, por nga padrejtësitë dhe dobësi të tjera të thella në Federatë dhe jashtë kufijve të Krahinës Autonome të Kosovës. Ne shkruajmë jo për të ngjallur polemikën dhe për t’i hedhur benzinë zjarrit, por dëshirojmë të shprehim dëshirën dhe gatishmërinë tonë për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, pse kjo është në interesin e të dyja palëve.
Faktori shqiptar në Republikën Socialiste Federative të Jugosllavisë (këtë e pohojmë në mënyrë objektive dhe jo me frymë partizane, ose “shqiptaro madhe”, “shoviniste”, “irredentiste”, siç pretendojnë udhëheqësit jugosllavë për ne) ka qenë faktori më i përbuzur politikisht, ekonomikisht dhe nga ana kulturoro-arsimore, por faktori më i durueshëm, më i zgjuar dhe më realist në kaosin politiko-ekonomik ku ishte zhytur Jugosllavia e pasluftës së Dytë Botërore, kaos që veçanërisht shqiptarëve u rëndonte tmerrësisht në shpinë. Asnjë politikan jugosllav nuk ia vuri veshin këtij faktori kaq të rëndësishëm. Pse? Elementi shqiptar, në skakierën e politikanëve jugosllavë, ishte një plan që mund ta lëviznin si të donin dhe me të të bënin çfarë të donin. Këtë e vërteton gjithë situata e pasluftës në Jugosllavi. S’ka si mohohet se në Luftën Nacionalçlirimtare të popujve të Jugosllavisë, edhe popullsia shqiptare që jeton në trojet e veta në Jugosllavi luftoi heroikisht i vëllazëruar me ta dhe për një të ardhme më të mirë.
Gjatë luftës u përcaktuan nga AVNOJ kufijtë e Jugosllavisë dhe këta u riafirmuan pas lufte. Në këtë “bashkim-vëllazërim”, në këtë “Jugosllavi socialiste”, në këtë federatë të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, ç’të drejta iu njohën shqiptarëve? Asnjë. Ata u copëtuan, Kosova mbeti pjesë e pandarë e Serbisë, shqiptarëve s’iu dhanë as shkolla shqipe, as të drejta as status, kurse zhvillimit ekonomik të tyre nuk iu vu fare veshi. Shqiptarët edhe pas luftës vazhduan të rronin në mjerim edhe politik, edhe ekonomik. Politika e ndjekur nga Tito-Kardeli dhe Rankoviçi (dhe faktet janë të njohura) ka qenë jo vetëm e gabuar karshi shqiptarëve, por edhe e egër e shfarosëse. Shqiptarët duruan, por nuk u përkulën dhe nuk ngritën krye, as bënë demonstrata kundër Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë. Eshtë e vërtetë se popujt e Jugosllavisë bënë revolucionin. Por pas luftës revolucioni i tyre në brendinë e vet ruante grindjet dhe dasitë e vjetra, ruante të maskuara, të fshehura, si qymyri i ndezur nën hi, rivalitetet në mes serbëve, kroatëve, sllovenëve, pavarësisht se popujt atje luftuan kundër çetnikëve serbë dhe ustashëve kroatë dhe këta i mundën fizikisht. Nuk u spastrua sistematikisht ideologjia dhe fryma e tyre që do të manifestohej, siç u manifestua më vonë, në forma të ndryshme, por me përmbajtje gati të njëjtë, e mbuluar këtë herë me petkun e “socializmit”, të “bashkim-vëllazërimit” e “të drejtave të barabarta” të popujve që formonin Jugosllavinë.
Lufta heroike e popujve të Jugosllavisë s’kishte si të mos ngjallte një krenari të ligjshme, por s’mungoi që kjo të kthehej nga udhëheqja jugosllave në një megalomani dhe “shovinizëm” masiv jugosllav, për të vënë në dukje se gati vetëm ata luftuan, vetëm ata sakrifikuan, vetëm në sajë të atyre luftuan e morën shembull edhe popujt e tjerë. E gjithë kjo u transformua në një “ndjenjë superioriteti” që nuk mbante fare erën e marksizëm-leninizmit. Filloi dhe vazhdoi të degjeneronte kështu revolucioni jugosllav. Krimbi ishte brenda në “mollën e kuqe”, ai gërryente revolucionin dhe, për ta arsyetuar këtë, ia hodhën fajin Stalinit, Bashkimit Sovjetik, sistemit të tij të vërtetë leninist dhe ideologjisë që e kishte udhëhequr dhe ndërtuar këtë sistem, marksizëm-leninizmit. Politika e Tito-Kardel-Rankoviç-Gjilasit, e arriti çarjen dhe njihet se kujt ia hodhën fajin. Por as Stalini, as Bashkimi Sovjetik nuk e ngritën dorën kundër Jugosllavisë, as tanke, as ushtri dhe as pushkë hodhën kundër jugosllavëve. Titoja dhe shokët e tij u bënë nga borgjezia ndërkombëtare, heronjtë e ditës anti stalinianë dhe antisovjetikë. U dhjetëfishua megalomania e tyre dhe iu vu punës për të ndryshuar sistemin shtetëror dhe për të vërtetuar se në këtë drejtim bazë duhej të ndryshonin nga sistemi i Bashkimit Sovjetik.
U ndërtua një interpretim gjoja i ri, i përshtatshëm me situatat, i teorisë së Marksit, që të shpjegonte “sistemin e vet administrimit”, që të devijonte sistemin socialist në një sistem të kamufluar kapitalist, që të krijonte një “politikë gjeniale botërore të vendeve të paangazhuara”, dhe t’u përgatiste ligjërisht shtratin e ngrohtë kapitaleve të huaja të borgjezisë botërore dhe mënyrës së jetesës, të mendimit dhe të veprimit të saj. Të gjitha këto janë të njohura. Partia e Punës e Shqipërisë i dënoi dhe i demaskoi të gjitha këto devijime antimarksiste dhe kundërrevolucionare, për interes të popullit shqiptar, të popujve të Jugosllavisë dhe të revolucionit. Rrjedha e kësaj lufte të ashpër politiko-ideologjike në mes dy shteteve tona fqinje dy partitë tona i bëri armike. Ne shqiptarët në fillim na quajtën dhe na akuzuan me të madhe se bënim lojën e jugosllavëve, pastaj të sovjetikëve e më vonë të kinezëve. Si u demaskuan të gjitha këto nga vetë jeta dhe lufta heroike marksiste-leniniste e Partisë së Punës të Shqipërisë dhe e shtetit shqiptar, thanë se do të vdisnim, do të shembeshim, do t’i ndernim dorën dhe do të viheshim nën zgjedhën e kapitalizmit botëror. Asnjë nga këto s’ngjau dhe s’do të ngjasë.
Borgjezia dhe kapitalizmi botëror, revizionizmi modern dhe reformizmi nuk mund ta kuptojnë këtë fenomen shqiptar, i cili për ne është i qartë, se i qëndrojmë besnikë revolucionit proletar dhe teorisë marksiste-leniniste. Ç’situata krijoi kundërrevolucioni në Jugosllavinë e “socializmit vet administrues”? Sistemi ndryshoi dhe ky ndryshim ngjalli rivalitetet dhe hegjemonizmat e vjetër, hegjemonizmi serb, nga njëra anë, dhe ai kroato-slloven, nga ana tjetër. Janë këta të dy minuesit e socializmit në Jugosllavi e të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë dhe jo “shovinizmi” shqiptar. Ky i fundit përdoret si cipë për të mbuluar shovinizmin serbomadh dhe atë kroato-sllovenomadh. Lufta për hegjemoni dhe për pushtet në mes këtyre dy klaneve po zhvillohet e egër. Klani kroato-slloven dominon mbi atë serb. Titoja hiqej si moderator, por ai ishte përkrahës i hegjemonizmit kroato-slloven. Grupi Rankoviç (veçanërisht vrasës i shqiptarëve) Gjilas, Nikeziç-Popoviç e Vukmanoviç, u likuiduan prej klanit Tito-Kardel-Bakariç-Dolancit. Klani i Titos rrojti në luks të madh, ai mori pjesën e luanit nga të ardhurat e Jugosllavisë dhe hëngri sa deshi nga borxhet e imperializmit amerikan dhe të shteteve të tjera kapitaliste.
Ç‘shtë e kuptueshme se klanit serb një gjendje e tillë nuk i leverdis dhe lufton të rifitojë supremacinë e vërtetë në mos barazinë në politikë, ekonomi etj. Rreth këtyre dy klaneve rivale vërtiten republikat e tjera të varfra. Të gjitha me qëndrimet e tyre partizane, kush më shumë e kush më pak, i hedhin benzinë këtij zjarri të madh që ekziston në këtë Republikë Socialiste Federative të Jugosllavisë të pa stabilizuar kurrë. I vetmi faktor pozitiv dhe i paanshëm në këtë Federatë është faktori shqiptar, i cili, duke qenë ekonomikisht më i varfri, më i durueshmi dhe politikisht më i lëni pas dore në një sistem “socialist vet administrues”, brenda kushtetutës, kërkoi “statusin e republikës në kuadrin e Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë”. Është kjo kërkesë një faktor përçarës i Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë apo janë rivalitetet e mëdha serbo-kroato-sllovene? Është më se evidente se janë këto të dytat. Cilat janë arsyet që u bënë demonstratat në Kosovë ne e shfaqëm hapur mendimin dhe qëndrojmë pa u lëkundur në mendimet tona.
Udhëheqja dhe shtypi jugosllav bënë fajtor popullin shqiptar të Kosovës, pastaj akuzuan Partinë e Punës të Shqipërisë dhe Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë dhe me to ustashët, çetnikët dhe ballistët në Evropë dhe në Amerikë dhe, për të mbyllur ciklin, na futin të tërë në një thes, duke menduar me mendjelehtësi se e zgjidhën enigmën, ia vunë përpara opinionit botëror në një pjatë që ta hante. Po s’e ha kush këtë çorbë që gatuan jugosllavët. Arsyet e vërteta fshihen, prandaj janë mbarsur me shumë rreziqe për popujt e Jugosllavisë dhe për popujt e Ballkanit. Ne nuk i fshehim mendimet tona. Shkaqet e turbullirave që ngjanë, dhe mund të ngjasin të tjera, duhen gjetur e duhen shikuar realisht dhe duhen, mënjanuar me gjakftohtësi brenda në Jugosllavi dhe jo vetëm në Kosovë, por sidomos në republikat e tjera të Jugosllavisë. Ne, shkurtimisht, më lart i thamë këto dhe e vumë në dukje këtë gjendje. Po faktorët e jashtëm, i pyesim udhëheqësit jugosllavë, kanë gisht në dobësimin e Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë dhe në krijimin e rivaliteteve? “Politikanët” jugosllavë jo pa qëllim nuk e gërvishtin këtë plagë të madhe.
Në këto situata krize ndërkombëtare jo vetëm ekonomike, por edhe politike, në këto rivalitete agresive luftënxitëse në mes imperializmit amerikan dhe revizionizmit sovjetik, a kanë gisht këta të fundit në dobësimin e Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, në nxitjen e shovinizmit serbomadh dhe të atij kroato-sllovenomadh? Për ne këta janë, bile kryesorët. Në qoftë se ka ndonjë politikan të zgjuar dhe realist jugosllav këtë gjendje e sheh, por e fsheh. Pse fshihet kjo situatë e rrezikshme? Fshihet se Jugosllavia e Titos nuk është “e pavarur”, por e varur nga këto fuqi të mëdha. Teoria e Titos e vendeve “të paangazhuara” ishte boshe, ishte një falsitet. Këtë e tregoi dhe e tregon jeta. Jugosllavia nuk rron dot pa borxhe, ajo punon dhe nuk ia del dot të paguajë as vetëm përqindjet e miliarda dollarëve kredi. Po me këtë vartësi ekonomike s’ka asnjë dyshim që gërshetohen dhe interesat politikë, hegjemonistë dhe strategjikë të të dyja superfuqive. Klanet kroato-sllovene kanë mbështetjen e jashtme të një imperializmi, klani serb të një tjetri. Nëpërmjet tyre të dyja fuqitë e mëdha kërkojnë të fitojnë pozita të forta në Jugosllavi. Pasqyra e Polonisë i përngjet asaj jugosllave me karakteristikat e tyre të veçanta. Shtetet e Bashkuara të Amerikës me njerëzit e tyre janë në ofensivë, veçanërisht në Evropë, gjë që na intereson më shumë në këtë problem.
Revizionizmi sovjetik dhe satelitët e tij, veçanërisht bullgarët, po ashtu janë në ofensivë. Duhen shpëtuar popujt e Jugosllavisë, popujt tanë vëllezër jugosllavë, zotërinj të revistës “NIN”, nga këta armiq të, tërbuar të hapët dhe të fshehtë të tyre. Dhe po jua përsëritim edhe një herë, për të njëqindën herë, se Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë dhe populli shqiptar që jeton në trojet e veta në Jugosllavi nuk janë as armiqtë e popujve jugosllavë dhe as të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë. Ju, zotërinj politikanë jugosllavë, po të doni mos na dëgjoni, po të doni vazhdoni të shpifni, po ne jemi të bindur se populli jugosllav do ta dëgjojë dhe do t’i arsyetojë mendimin dhe ndjenjat tona, ndjenjat vëllazërore të shqiptarëve.
E SHTUNË
18 PRILL 1981
SH E N I M
I dhashë shokut Ramiz teza të reja, të zgjeruara, ose më mirë të them një artikull të ri, kundër revizionistëve shovinistë jugosllavë për zhvillimin e mëtejshëm të ngjarjeve në Kosovë dhe për demaskimin e propagandës së tyre shpifëse kundër vendit tonë.
E MERKURE
22 PRILL 1981
KUSH E NXIT ARMIQESINE MIDIS POPUJVE TE JUGOSLLAVISE?
I dërguam gazetës “Zëri i popullit” artikullin me titull “Kush e nxit armiqësinë midis popujve të Jugosllavisë”? për ta botuar në numrin e saj të nesërm. Në këtë artikull, i dyti që po botojmë brenda pak ditësh, theksojmë se nuk kemi për qëllim të ngjallim polemikën, as t’i hedhim benzinë zjarrit, por jemi të detyruar t’i japim përgjigje fushatës antishqiptare që ka shpërthyer aktualisht në Jugosllavi dhe të shprehim edhe një herë hapur mendimet tona mbi ngjarjet në Kosovë.
E DIEL
26 PRILL 1981
UDHEHEQJA JUGOSLLAVE KA HUMBUR KREJTESISHT TORUAN
Udhëheqja jugosllave është e marrosur, ka humbur krejtësisht toruan si dhe busullën e drejtimit: Kërkesat e drejta e të ligjshme të kosovarëve e tronditën aq shumë Jugosllavinë titiste, saqë menjëherë u dukën paqëndrueshmëria, kontradiktat, konfuzioni dhe rivalitetet që ekzistojnë në këtë vend të ashtuquajtur demokratik, në udhëheqjen e saj qendrore, në republikat dhe në komunat. Jugosllavia e Versajës, ajo e kralëve, Jugosllavia titiste, është një shtet artificial, me mballoma shumëngjyrëshe të qepura me pe të bardhë. Lufta nacionalçlirimtare nuk solli në këtë shtet asnjë ndryshim, vetëm që u çlirua nga pushtimi dhe Jugosllavisë iu dha një kushtetutë republikane, së cilës më vonë iu shtua emërtimi federative-popullore, e pastaj edhe socialiste. Brenda pak dekadave titizmi e ktheu Jugosllavinë në një vend kapitalist, me një përmbajtje e emërtim të ri “thelbësor” të “socializmit vet administrues”. Në këtë vend rivalitetet midis shovinizmave të ndryshëm janë të mëdha, të gjalla dhe sa vijnë e po forcohen. Rivaliteti më i madh e më gërryes, burimi kryesor i një rreziku të madh që zien, të cilin përpiqen ta mbulojnë me tym, është veçanërisht ai në mes serbëve dhe kroato-sllovenëve.
Ky rivalitet dominues serbo-kroato-slloven nxit dhe rivalitetet e tjera në Jugosllavinë prej shumë popujsh e kombësish, të unifikuara artificialisht. Titoja zëvendësoi kralin serb Karagjorgjeviç. Ashtu si ky, Titoja u mbështet te të huajt, por me një ndryshim, Karagjorgjeviçi lidhte aleanca, ndërsa Titoja u lidh me të huajt “pa aleanca”, por me zinxhirë më të rëndë politikë-ekonomikë dhe me mënyrën e jetesës. Titoja, si një monark i vogël, po, që hiqej si monark i madh, fantazoi me organizimin shtetëror, me politikën e brendshme dhe të jashtme. Nga centralizimi ai kaloi në decentralizim, nga administrimi kaloi në “vet administrim”. Parulla e tij ishte: oburra hani, oburra pasurohuni, oburra shfrytëzoni dhe rripni popullin individualisht e kolektivisht si republikë. Kështu më i madhi hëngri edhe pjesën e më të voglit. Titizmi nga parulla-fasadë “bashkim-vëllazërim”, kaloi në diferencime, në diskriminime, në mosbesim, në rivalitete ekonomike, politike midis republikave, popujve e kombeve që përbëjnë Jugosllavinë. Cili qe rezultati? Kroato-sllovenët u pasuruan më shumë se serbët, Bosnjë-Hercegovina, Maqedonia dhe Mali i Zi mbetën vëllezër të mjeruar, Kosova dhe shqiptarët mbetën në diell, kripë dhe në fund të shkallës.
Mbreti Tito sa rroi manovroi: ndihmo njërin, godit tjetrin, njërit i premtonte parajsën, tjetrit i bënte varrin e kështu me radhë. Kur ky mbret vdiq, përsëri u brohorit “rroftë mbreti”, veç kësaj radhe nuk kishte më një mbret me një kokë, por një “mbret” me shumë kokë dhe me një “mbretëri” të krimbur, të përçarë, të mbytur në borxhe dhe që rron me ekspedientel. Asnjë frymëzim, asnjë ideal nuk ka që t’i nxitë popujt e Jugosllavisë. Socializmi është fals, “bashkim-vëllazërimi” është fals, “vet administrimi” është, gjithashtu, fals, patriotizmi është kthyer në nacionalizëm e shovinizëm dhe demokracia në terrorizëm e në fashizëm, politika “mosangazhimit” është në të vërtetë politika e “angazhimit”. Ky i famshëm shtet është, pra, në një banker totale politike-ideologjike-ekonomike-morale dhe ushtarake. Dhe më e bukura nga të gjitha, mendimi më “gjenial”, më “i mprehtë”, më “i zgjuar” dhe më “origjinali” i udhëheqjes jugosllave është se këtë katastrofë “e shkaktuan” shqiptarët që jetojnë në trojet e veta në Jugosllavi, shqiptarët e Kosovës, ose një grusht organizatorësh “shovinistë-nacionalistë-irredentistë shqiptarë”.
Ky është faktori i brendshëm. Faktori i jashtëm është Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë, Partia e Punës e Shqipërisë, gazeta “Zëri i popullit”, janë marrëdhëniet kulturore të Shqipërisë me Kosovën! Kështu, çdo gjë u shpjegua, u gjend “Kali i Trojës” dhe oburra ta shkatërrojmë atë, u gjend fajtori dhe oburra të luftojmë atë. Tani kori serbomadh jugosllav kundër shqiptarëve, kundër kosovarëve, kundër Partisë së Punës të Shqipërisë dhe Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë është aq i madh, aq i zhurmshëm saqë është bërë qesharak dhe asnjeri, me tërë kuptimin e fjalës, nuk u beson atyre që thonë jugosllavët. Po si mund të shpjegohet kjo histeri, kjo marrëzi, kjo verbëri politike e jugosllavëve? Ata e dinë se Republika Popullore Socliste e Shqipërisë nuk është për minimin e Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, se Shqipëria socialiste nuk ka shfaqur kurrë pretendime territoriale, se Shqipëria socialiste është me vendosmëri të madhe kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Sovjetik, që janë agresorë të mundshëm ndaj dy vendeve tona.
Ata e dinë, gjithashtu, se shqiptarët që jetojnë në Jugosllavi nuk mund të mos luftojnë krah për krah me Republikën Socialiste Federative të Jugosllavisë dhe me Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë, kur Jugosllavia të sulmohet. Të gjitha këto udhëheqja jugosllave i di. Ajo e di që ne nuk kemi gisht në ato që ngjanë në Kosovë, se ajo që ngjau atje ishte rezultat i zemërimit të shqiptarëve të shkaktuar nga vetë jugosllavët, ata e dinë se kërkesa e kosovarëve për republikë ishte e ligjshme. Atëherë pse kjo marrëzi? E qartë. Kontradiktat, që theksova në fillim, po ziejnë, kazani është në vlim, një “supë” plasi në Kosovë, do të pëlcasin edhe të tjerat, derisa kapaku i kazanit të hidhet në erë. Udhëheqja jugosllave do ta fshehë këtë situatë, do të fitojë kohë, po rregullohen hesapet me thikë në dhëmbë, por ndërkohë thotë: Të godasim fort shqiptarët, që të. mund të godasim më vonë edhe të tjerët. Diktatura ushtarake që po përgatitet, ka gjetur një “kokë turku”, shqiptarët. Por harrojnë titistët se kjo kokë shqiptari u ka qëndruar rrebesheve dhe kurdoherë ka fituar./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016