Nga Dr. Qazim Namani
Pjesa e dytë
Memorie.al / Prishtina shtrihet në mes të përroit të vegjël Prishtinës, Vellushës dhe Matiqanit, që rrjedhin nga kodrinat xehetarie në anën perëndimore të malësisë së Galabit. Në anën jugore dhe perëndimore Prishtina kufizohet me toka pjellore të fushës së Kosovës. Lartësia mbidetare sillet prej 585 m , 640, 670 dhe rreth 700 m lartësi në disa lagje të qytetit. Studimet shkencore për etimologjinë e emrit Prishtina ende nuk e kanë dhënë një përfundim të qëndrueshëm, por shumë studiues emrin e Prishtinës (Pristina castra) e shpjegojnë nga gjuhët e lashta indoevropiane, që ka kuptimin i lashtë, i fazës fillestare, diçka e vjetër.
Në këtë rast nuk u kursyen as objektet e kultit, ku r u rrënua Kisha atolike e Stakajve dhe Xhamia e Llokaqit, e cila ndodhej para hyrjes së çarshisë. Kjo xhami ndryshe edhe njihej me emrin Xhamia e Çarshisë. Prishtina e kishte edhe çarshinë e vjetër të mbuluar. Nga monumentet publike në Prishtinë, veçohet objekti ku është sot Muzeu i Kosovës, objekti ku është vendosur Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Hamami i Madh, Kulla e Sahatit, Kompleksi i Emin Gjikut etj. Nga objektet sakrale veçohet xhamia e Çarshisë, Xhamia e madhe, Xhamija e Jashar Pashës etj. Në Prishtinë ekziston Teqja e Prishtinës dhe Kisha evangjeliste. Në periferi të Prishtinës, në fshatin Shkabaj ekziston tyrbja e vogël dhe në fshatin Mazgit, është tyrbja e sulltan Muratit. Prishtina u shkatërrua shumë gjatë luftës ballkanike, kur forcat serbe hynë në qytet.
Xhamia e çarshisë (Gurit) në Prishtinë, është ndërtuar në fund të shekullit XIV dhe fillim të shekullit XV. Këtë xhami e ndërtoi Sulltan Bajaziti në shenjë të fitores së forcave osmane kundër koalicionit ballkanik në vitin 1389. Ky objekt është ndër monumentet më të vjetra të kulturës. Xhamia gjendej mbi çarshinë e vjetër të mbuluar të Prishtinës, andaj edhe e mori emrin “Xhamia e Çarshisë”. Gjatë shekujve në këtë xhami u bënë ndërhyrje restauruese dhe u kryen punime dhe riparime që e ndryshuan pamjen origjinale të saj. Karakteristikë e kësaj xhamie janë kupola me gjerësi prej 10 m dhe minarja të ndërtuara prej gurit, që i mbijetuan kohës përreth 600 vjet. Kjo xhami quhet edhe “Tash Xhamia” që në përkthim do të thotë “Xhamia e Gurit”.
Xhamia e Jashar Pashës në Prishtinë, ka hyrë në mbrojtje të shtetit në kuadër të kompleksit të Çarshisë së vjetër ku bënin pjesë: Xhamia e Jashar Pashës, Shatërvani i vjetër, Ndërtesa e Divizionit dhe Sahat Kulla me nr. v. E. K. 02. 278/67. Xhamia e Jashar Pashës është objekt me arritje i arkitekturës islame. Nuk kemi të dhëna të sakta për kohën e ndërtimit të saj, megjithatë vetë stili i ndërtimit të saj, kupola, minarja dhe dekorimet e brendshme, të shtyjnë të mendohet se objekti është ndërtuar në shek. XVI-të, apo më herët.
Shkrimi i emrit të Jashar Pashës në portalin e kësaj xhamie në vitin 1835-1836, lehtë mund të kuptohet për një konservim apo rikonstruktim në këtë kohë. Ndërhyrjet e mëvonshme, vërehen në kupolë, minaret dhe mure. Konservim në një pjesë të minares është bërë gjatë viteve 1976-1979. Jashar Mehmet Pasha, ishte feudal i pasur dhe guvernator i Shkupit në vitin 1842. Porta origjinale e kësaj xhamie është shkatërruar për ta zgjeruar rrugën. Ndërtesa sot gjendet në gjendje të keqe dhe është rrezikuar nga çarjet dhe lagështia. Kohët e fundit Xhamia e Gurit ka hyrë në vitin e katërtë të renovimit ku janë dëmtuar shtresa të rëndësishme historike, ndërsa Xhamia e Jashar Pashës ka filluar të restaurohet në vitin 2014 me financimin e OJQ turke Tika
Kjo tyrbe është e njohur sipas Sheh Mehmet Hafëz Efendisë, pronar i objektit. Tyrbja është një objekt i vogël që ndodhet pranë Kullës së Sahatit. Sheh Mehmeti i varrosur në këtë tyrbe njihet si njeri me shumë autoritet në qytetin e lindjes së tij Prishtinën. Sheh Mehmeti është njeriu që bëri propagandë në baza fetare për të mos u shpërngulur popullata e qytetit në Turqi. Teqeja e Sheh Mehmetit thuhet se është ndërtuar diku rreth viteve 1925-1929, ndërsa për tyrben nuk dihet data e saktë e ndërtimit. Tarikati i Sheh Mehmet Hafëz Efendisë ka qenë kaderinj, ai vdiq në vitin 1947. Në objektin e teqesë ndodhet edhe biblioteka e Sheh Mehmetit me libra të vjetër deri 700 vjeçar, të shkruara në gjuhën arabe, turke, perse dhe frënge, si dhe dorëshkrime, që ende nuk janë studiuar.
Familja e Sheh Mehmetit në oborr e kishte në oborr një Dud të moçëm të njohur si “Dud-shami” ose “Sham–dudi”, i sjellë nga Siria para rreth 200 vjetësh. Nga ky Dud i njohur si “Dud-ilaçi” (“Ilaçi i manit”) ku nga frytet e tij përgatitet një lëng shërues dhe thuhet se nuk gjendet askund në Gadishullin Ballkanik. Lëngu i përgatitur jepej falas për qytetarët që e kërkonin për shërimin e gojës, të fytit dhe të lukthit. Sylejman Kylqe shkruan se në telegramin e 29 mars 1910 është organizuar kryengritja prej 2000 vetë nga populli i kazave të Prishtinës dhe Vushtrrisë dhe i okupuan rrugët e Llapit dhe Gallapit duke i ftuar popullatën të ju bashkoheshin. Kryengritja ishte bërë për heqjen e taksës së otrovës (taks në administratën osmane).
Në telegramin e datës 19 prill 1910 njoftohet se para kryengritjes së Llapit dhe Gallapit, Jahja Efendiu nga Prishtina në dyqanin e Kafexhi Rifatit i ka varur në qafë një fletë kalendari pulës që një shqiptar po e sillte për ta shitur në tregun e Prishtinës, duke kërkuar taksë prej tij. Çallak Mahmudit nga lagjja e Prishtinës ramazanije i ka marrë për taks otrove një kokërr nga 8 kokrra vezë, dhe se ka gënjyer një shqiptar për tu kthyer në fshat, duke i thënë se do ti merren 9 grosh e gjuamë taksë për mjekër. Kjo gënjeshtër kështu është përhapur në popull. Pas hapjes së fjalëve se do të merret taks nga pulat dhe për mjekër, është organizuar tubimi i fshatrave në luginën e fshatit Dyz, Llap dhe kulinë dhe ka filluar lufta me Shefki Pashën.
Me 21 maj 1910 erdhi Mahmud Shefqet Pasha, ministër i luftës i Turqisë i cili filloi mbledhjen e armëve në popull. Me 30 maj 1910 pasi u krye kontrolli mbi popullatën e Vushtrrisë, Prishtinës dhe Drenicës, nga komanda e trup armatës së posaçme u përgatit një detashment i përbërë nga 8 batalioneve dhe filloi kontrollimin e rajoneve Llap e Gallap. Mahmud Shefqet Pasha me 30 mars 1910 njoftoi se sasia e armëve të mbledhura ka arritur shumën 8000 dhe parashikonte që sasia e armëve që do të mblidhet në prefekturën e Prishtinës do të kaloj numrin 15.000 armë. Prishtina u pushtua nga serbet më 12 tetor 1912. Gjatë rrugës deri në Prishtinë ushtria serbe i kishte vrarë dhe plagosur 1448 shqiptar. Një gazetar danez në atë kohë raportoi nga Shkupi se në Prishtinë ishin vrarë edhe 5000 shqiptar pas pushtimit të qytetit.
Pas pushtimit të Prishtinës nga armata serbe në vitin 1913, argjipeshkvi Mjeda bëri ankesë se 1200 besimtarë të tijë ishin konvertuar me dhunë në ortodoksë. Në maj të vitit 1913 komandanti serb i zonës së Prishtinës e informonte me mburrje Beogradin se 195 shqiptarë mysliman ishin konvertuar në Prishtinë. Në fillim të vitit 1913 u bë regjistrimi i popullatës dhe në Prishtinë nuk regjistrohet asnjë shqiptar. Në vitin 1915 një gazetar rus kishte raportuar se gjysma e popullatës ishte shqiptare. Në vitin 1916 sipas regjistrimit bullgar në Prishtinë u regjistruan 11.486 shqiptar. Në muajin shkurt të vitit 1914 Qeveria Serbe e nxori dekretligjin për rregullimin e rajoneve të porsaçliruara, kështu për vendosje të kolonëve serb Nikolla Pashiqi i bleu 3000 hektar tokë afër Prishtinës.
Në fshatrat e kolonizuara u dëbuan shqiptarët dhe përveç këtyre serbet ndërtuan edhe fshatra të reja për kolon serb dhe i emërtuan sipas mitologjisë serbe. Në afërsi të Prishtinës themelohet Çakllavica, Devet Jugoviqi etj. Pas luftës së dytë botërore. Në mes dy luftërave, nuk kishte ndonjë zhvillim të hovshëm. Në Prishtinë dhe rrethinë u vendosën shumë kolonë, u përvetësuan tërësisht objektet e kultit orthodoks dhe filloi shpërngulja e popullatës shqiptare për Turqi. U ndërtuan objekte për pushtetarë serbë dhe argëtim të tyre. Shumë shtëpi qytetare shqiptare u bënë prona të serbëve kolon. U ndërtua ndërtesa e sotme e Unionit në vitin 1927, sipas stilit barok perëndimor, e cila përdorej si hotel për argëtimin e pushtetarëve nga garda ushtarake muzikore e Mbretërisë SKS.
Si pas shumë qytetarëve të Prishtinës që përjetuan dhunën në atë kohë, në pjesën e prapme të këtij objekti, torturoheshin për vdekje shqiptarët. Prishtina u bë qendër administrative e Kosovës në vitin 1947, dhe u zhvillua me një dinamikë të shpejtë duke mos i ruajtur objektet tradicionale të periudhës osmane. Sot Prishtina si qytet urban i kësaj periudhe ka ndryshuar plotësisht, në përjashtim të disa rrugëve të ngushta, ku kanë mbetur disa ndërtesa të rralla me vlerë arkitektonike të periudhës osmane. Eduard Kardeli duke i pranuar shfaqjet e nacionalizmit serb pas luftës së dytë botërore tha në vitet gjashtëdhjeta: Edhe shokët tanë të partisë u përfshinë në persekutimet shoviniste ndaj shqiptarëve, grave dhe fëmijëve të tyre.
Urrejtja ndaj shqiptarëve në Prishtinë u arrit në atë pikë, saqë në vitin 1992 në Grand Hotel u u var një shkrim i poshtër “për kroat, shqiptar dhe qen ndalohet hyrja”.
Në traditën qytetare për vlerat e artit, dhe dekorimet e brendshme në shtëpitë qytetare, por edhe në fshatra të komunës së Prishtinës, ishin të njohur mjeshtrit shqiptar, që lanë vepra të çmuara të traditës tonë popullore. Në gdhendjet e drurit, ashtu sikurse në gurë dhe pëlhurë, mjeshtri popullore shqiptarë, arriti të realizoj vepra të përsosura për kohën. Kryesitë në gdhendje hasim simbolet astrale, që i përdorën popujt e lashtë që nga periudhat e hershme të historisë. Zakonisht është skalitur ylligjashtëcepësh, pastaj tetë cepash, hëna, dielli, gjarpri dhe dekorime me motive bimore.
Në Prishtinë, pas Luftës së Dytë Botërore, filloi të ndërtohet infrastruktura institucionale dhe urbane, me moton e ndërtimit të një qyteti me pamje urbane. Me planin urban të qytetit të vitit 1953, u rrënuan lagje të tëra së bashku me çarshinë e vjetër, duke e shkatërruar arkitekturën popullore shqiptare të periudhës turke. Në këtë periudhë, shumë pak shtëpi qytetare arritën të shpëtojnë nga planet e qëllimshme urbane, të përpunuara në Beograd. Me këtë plan u rrënua kisha katolike e Prishtinës, Xhamia e Llokaqit, Sinagoga e hebrenjve etj. Në vend të xhamisë u ndërtua Teatri i Kosovës sipas arkitekturës dhe modelit sllavo-rus. Pas Luftës së Dytë Botërore, në vitin 1945, filloi edhe rrënimi i varrezave të vjetra të qytetit.
Dy vite pas luftës, në kompleksin e varrezave, filloi të gërmohet dheu dhe me vagonë të dërgohet në tjegulloren e Shkupit. Në vitin 1947 u hartua plani që në këtë lokalitet të ndërtohet tjegullorja e Prishtinës. Punëtorët që kanë punuar në atë kohë, mbanin mend se gjatë gërmimit kanë hasur në varreza. Gërmimet i filluan edhe nën kompleksin e varrezave te shkolla e sotme fillore “Asim Vokshi” në qytet tej urës së gurit mbi hekurudhë në rrugën Prishtinë-Podujevë. Faza e rrënimit të varrezave shqiptare në Prishtinë ka vazhduar edhe në vitet shtatëdhjeta, në kohën kurë ndërtohet tjegullorja e re e qytetit. Më kujtohet që si fëmijë i kemi parë buldozerët kur rrokullisën në oborrin e sotëm të tjegullores, disa dhjetëra varreza të vjetra me epitafe të shkruara në gjuhën osmane.
Aty ishte edhe një varr i punuar shumë mirë me një kapak të rëndë prej metali. Prej këtyre varrezave, vetëm një familje arriti të zhvarrosë të afërmit e vetë atë kohë. Gërmimet i udhëhiqte një student shqiptar nga Maqedonia, që studionte në fak. e makinerisë. Edhe gjatë viteve të nëntëdhjeta, në greminën e gërmimeve të kësaj tjegulloreje u shembën afër 100 varreza të shqiptarëve nga kompleksi i varrezave të sotme të qytetit. Sipas Shaip Berilës, katër lagjet e Prishtinës së vjetër i kishin edhe varrezat e veta. Varrezat ishin përmbi varosh, te oxhaku i fabrikës së tjegullave, te Xhamia e Llapit dhe….këto varreza u rrafshuan dhe këto toka ju dhanë serbëve, por atë kohë askush nuk guxonte as të pyeste pse po bëhej kjo thotë Berila
Po ashtu edhe parku i sotëm i qytetit të Prishtinës ishte kompleks i varrezave të shqiptarëve, e sidomos atyre që ishin shpërngulur nga Sanxhaku i Nishit. Varreza të sheshta janë hasur edhe te “Fusha e Pajtimit”, afër bunarit të hajratit.
Në Prishtinë janë dy lokalitete me varreza të hebrejëve , varret e vjetra në Tauk Bahqe në madhësi 10 ari në të cilën janë varrosur 800 hebrej të varrosur që nga vitet 1850. Në varrezat e reja janë varrosur 200 hebrej prej vitit 1922. Fatin e varrezave të vjetra të Prishtinës, e përjetuan shumë lokalitete dhe qytete të Kosovës. Lokalitetet me kulturë materiale jo sllave, u kolonizuan me kolon të sjellë nga Serbia, të cilët ndërtuan objekte banimi mbi kulturat e qytetërimit dhe civilizimeve më të hershme në këto troje. Pas pushtimit të Kosovës, kolonët u vendosen në tërë territorin e saj, në rrethin e Prishtinës përveç qytetit, kolon u vendosen edhe në Graqanicë. Bërrnicë, Bardhosh, ku u përvetësuan varrezat, pronat, shtëpitë e banimit dhe objektet e kultit.
Në Berrnicë, u përvetësuan varrezat e hershme të shqiptarëve, që sipas popullatës vendore ishin të shqiptarëve, u morën gurë varresh, pjesërisht u falsifikuan dhe me to serbët krijuan mitin për Nëntë Jugoviqët. Këta gurë janë të publikuar edhe në librin e Dragan Cukiçit dhe Milan Ivanoviqit të botuar nga Enti për Përmendore të Kulturës së qytetit të Prishtinës në vitin 1996. Përshkrimi i autorëve është shumë i dyshimtë, prandaj kjo çështje mbetet të studiohet nga ekspertët eminent të kësaj fushe. Popullata autoktone shqiptare e fshatrave për rreth, ka ruajtur të dhënat se raja e Kolovicës dhe e Bërrnicës, të cilët kishin jetuar edhe gjatë sundimit osman në këto fshatra, janë shqiptar, të fisit Krasniqe dhe vëllazëri me shqiptarët e fshatit Makoc e Llukar. Prishtina, pas Luftës së Dytë Botërore, e fitoi funksionin e qytetit të rëndësishëm ekonomik dhe administrativo-politik, që i krijuan bazë materiale solide. Madhësia e qytetit matej me shkallën e inkuadrimit, numrin e kuadrove, specialistëve, shkencëtarëve, politikanëve dhe profesioneve të lira intelektuale. Memorie.al

















