Dashnor Kaloçi
Memorie.al/Krishtlindja, festa më e madhe e besimtarëve të krishterë në mbarë botën, në Shqipëri filloi të festohej sërish (pas një ndërprerjeje të gjatë) vetëm pas viteve ’90. Kjo erdhi pasi regjimi komunist u detyrua të bënte lëshime si rezultat i trysnisë së faktorit ndërkombëtar dhe presionit të madh të mijëra besimtarëve katolikë e ortodoksë shqiptarë. Ata ishin privuar nga kjo e drejtë që nga viti 1967, kur regjimi diktatorial i Enver Hoxhës ndaloi me ligj ushtrimin e besimeve fetare, duke e shpallur Shqipërinë si vendin e vetëm ateist në botë – gjë e cila u sanksionua edhe në Kushtetutën e vitit 1976.
Në vitin 1967, regjimi komunist e ndaloi edhe de jure ushtrimin e fesë, pasi de facto luftën e egër ndaj institucioneve fetare e kishte filluar që nga viti 1945. Kjo periudhë u shënua nga arrestimet, burgosjet, internimet dhe ekzekutimet e dhjetëra meshtarëve katolikë, por edhe klerikëve ortodoksë e myslimanë, gjë e cila vijoi në mënyrë sistematike deri në fund të viteve ’80.
Pavarësisht këtij persekutimi të paparë – ku duhet theksuar se ai ndaj klerit katolik ishte në përmasa shumë më të mëdha se ndaj besimeve të tjera – nga viti 1945 deri në 1967-ën, besimtarët e shumtë mbushnin objektet e kultit, ku festa më e rëndësishme mbeti ajo e Krishtlindjes. Një ndër ata klerikë katolikë që shërbeu gjatë kësaj periudhe ishte edhe Dom Ernest Simoni (Troshani). Më 9 tetor 2016, ai u shpall Kardinal nga Papa Françesku, duke u bërë Kardinali i dytë shqiptar pas Dom Mikel Koliqit.
Memorie.al publikon disa foto të rralla të Dom Ernestit, të cilat nisin nga periudha e Monarkisë së Zogut, vijojnë gjatë pushtimit të vendit dhe në kohën e regjimit komunist, kur ai shërbente si meshtar në ceremoni të ndryshme fetare. Po ashtu, publikohen foto nga takimet e tij me Papa Françeskun në Vatikan dhe gjatë vizitës që kreu i Selisë së Shenjtë zhvilloi në Shqipëri./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016




















