Nga Leonora Laçi
Pjesa e tretë
-Dosja e rrallë e gjyqit të 10 priftërinjve; si u pushkatuan 4 prej tyre dhe dënimi i parë i At Zef Pllumit e, fjalët e fundit para ekzekutimit-
Memorie.al Për herë të parë, publikohet e plotë dosja gjyqësore e një prej proceseve më të bujshme të diktaturës komuniste, ajo e Monsinjor Frano Gjinit. Ky proces, dënoi Monsinjor Gjinin dhe 3 priftërinj të tjerë, me vdekje dhe 6 të tjerë, me burgim dhe me punë të detyruar. Me i riu ndër ta, At Zef Pllumi, mori dënimin e parë në vitin 1948, në këtë proces gjyqësor, duke e dënuar me 3 vjet heqje lirie dhe punë të detyruar. Proces-verbalet e plota, janë marrë nga dosja e gjyqit të Mons. Frano Gjinit, e gjetur në Arkivin e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Dokumentet janë përshkruar siç ndodhen në versionin origjinal të tyre në dosjet përkatëse.
Në emër të popullit Shqiptar
Këshilli Gjykatës Ushtarake të Zonës Ushtarake të Shkodrës, i formuar nga:
Kryetar Kapiten I-rë Misto Bllaca
Antar N/Toger Anastas Koroveshi
Antar N/Toger Xhemal Bejtja
Duke qenë gadi Prokurori, Kapiten Namik Qemali dhe Sekretari i Gjykatës, Shaban Qamil Dautaj.
Në audienc publike, me datë 8/Janar/ 1948, ka dhënë këtë:
Në çështjen penale, të regjistruar nën NR. 17 të Radhorit Themelor, për vjetin 1948, kundra:
- Monsinjor, Frano Pjetër Gjini, i biri i Pjetrit dhe i Dranes, vjeç 62, shqiptar i pa martuar, i pa dënuar, i varfër, ka mbaruar Theollogjia, me profesion Ipeshkv, lindur e banues në Shkodër, i rreshtuar me datën 15/XI/ 1946.
- Dom, Nikoll Zef Deda, i biri Zefit dhe i Ages, vjeç 58, i pa martuar, i pa dënuar, i varfër, ka mbaruar Theollogjin, famullitar, ka vëllan në burg dhe një vëlla t’ekzekutuar, lindur në Shkodër e banues në Hajmel, i rreshtuar me datën 13/X/1946.
- Padër Mati Prendushi, i biri i Kolës dhe i Prendës, vjeç 66, i pa martuar, i pa dënuar, shqiptar i varfër, prift, ka mbaruar Theollogjin n’Austri, në burg ka nipin e tij, Paolin Prendushin, lindur dhe banues në Shkodër, i rreshtuar me datën 15 /XI/1946.
- Dom Tom Laca, i biri Palokës dhe i Dranes, vjeç 51, i pa martuar, i pa dënuar, me gjendja ekonomike të mesme, ka mbaruar Theollogjin në Romë, me profesion prift, në burg ka djalin e motrës Zef Palin, nga Shkodra, i rreshtuar me datën 14/X/1946.
- Zef Kol Haxhija, i biri Kolës dhe i Gjystes, vjeç 58, i martuar me 8 fëmij, i varfër, ka mbaruar shkollën Teknike tregtare, mandej ka vazhdue Gjimnazin Ushtarak, Turqisht, nga Shkodra, i pa prekur nga reforma, ish deputet, i reshtur me datën 20/XI/1948.
Dom Ndoc Sahatçija, i biri i Rrokut dhe i Nushes, vjeç 41, i pa martuar, i pa dënuar, i varfër, ka mbaruar Theollogjne, me profesion Ipeshkv, lindur ne Breg te Matës, i rreshtuar me datën 26/6/ 1947.
Padër Gjon Karma, i biri Franos dhe i Diles, vjeç 52, ka mbaruar Theollogjin në Austri dhe Romë, i pa martuar, i padënuar, shqiptar, me profesion famullitar, lindur në Gur i Zi, i rreshtuar me datën 10/XI/1946.
Dom Nikoll Shelqeti, i biri Hiles dhe i Diles, vjeç 55, i pa martuar, i pa dënuar, i varfër, ka mbaruar Theologjin dhe fillosofin ne Austri, me profesion prift e famullitar, lindur ne Shelqet, i rreshtuar me datën 20/XII/46.
Padër Mhill Miraj, i biri Pjetrit dhe i Prendës, vjeç 39, shqiptar i pa martuar, i padënuar, i varfër, ka mbaruar Theologjin në Rome, ish-profesor e zëvendës famullitar, nga Shkodra, i rreshtuar me datën 20/X/1946.
Zef Gjeto Pllumbi, i biri i Gjetos dhe i Lukes, vjeç 22, i pa martuar, i pa dënuar, lindur në Bogë të Koplikut dhe banues në Mal te Rencit, me profesion xhaku, ka krye të tretin kurs Theollogjik, ka t’ekzekutuar Mark Mirin e, Zef Mirin, dhe t’arrestuar, djalin e dajës, i varfër, i rreshtuar me datën 15/X/1946.
T’akuzuar me akt-akuzën e Prokurorisë Ushtarake, me Nr.2, datë 2/1/948, për fajin se: kanë punuar për ardhjen e fashizmit dhe për okupimin e vendit t’onë, nga imperializmi Italian. Qysh para okupacionit, kanë qenë agjentë politik dhe spiunazhi t’Imperializmit Italian. Gjat okupacionit, kane punuar për fashistizimin e vendit. Kanë punuar për të legalizuar okupacionin armik.
Me anë t’agjitacionit e propagandës fashiste, janë përpjekur të shuajnë ndjesitë patriotike dhe nacionale të popullit. Kanë qenë pengesa serioze të Luftës Nacional-Çlirimtare dhe kanë punuar për eliminimin e kësaj Lëvizje. Kanë ndihmuar dhe kanë bashkëpunuar me gjithë organizatat kriminale, gjatë okupacioneve.
Kanë përkrahur dhe ndihmuar terë Qeveritë kuislingë të kohës okupacionit, si dhe politiken e tyre renegate. Kanë praktikuar të gjitha mjetet e mundshme dhe çdo lloj metode, për të shuar ose penguar deri në fund, rezistencën e popullit. Gjat okupacionit Gjerman, janë bërë agjentë të Gestapos, duke denoncuar në zyrat sekrete të saj, militantët e Luftës Nacional-Çlirimtare.
Kanë ndihmuar Repartet dhe formacionet armike e bashibuzuke, kur shkonin ndër krahina, për të luftuar partizanët. Mbas çlirimit të Shqipërisë, të tmerruar nga Pushteti në dorë të popullit, hidhet me egërsi dhe me tërbim kundra popullit dhe pushtetit. Me qellim që të godasin Pushtetin ma me forcë, ja fillojnë organizimit të tyre, përmenda Klerit Katolik, nën kryesin e Monsinjor Gjinit, Dom Nikoll Dedës, Padër Mati Prendushit, Monsinjor Volaj e, tjerë krerë klerikalë.
Organizimin e tyre, e fillojnë duke e transformuar gjithë Klerin Katolik, në një organizate fashiste, të quajtur; Demokristjane. Zgjedhin Komitetin Qendror, me elementët e sipërpërmendur, si; Monsinjor Gjinin, Volaj, Dom Nikoll Dedën, Padër Mati Prendushin, e tjerë si dhe civilët, Zef Haxhin me shok.
Me vendimet e Komitetit Qendror, kane specifikuar formimin e Komiteteve dhe N/Komiteteve të kësaj Organizate, ndër famullia të ndryshme, ndër krahina. Lidhjen me t’arratisur brenda dhe jashtë Shtetit, si dhe me çdo organizatë terroriste, brenda Shtetit. Lidhjen me Imperialistët e huaj dhe me çdo armik të vendit tonë. Kordinimin e luftës kundër Pushtetit, me çdo kundërshtar të pushtetit.
Të gjitha këto vendime, të pandehurit i kanë venë në zbatim, duke u lidhur me t’arratisurit, duke dërguar memorandume imperialisteve të huaj. Formuan Komitetin e Përbashkët të Organizatës terroriste, për Shkodrën, duke u përfaqësuar në ketë organizatë, nga Dom Nikoll Deda. Kanë zhvilluar propagandë të gjerë, për formimin e kryengritjes kundër Pushtetit, (karakteristike), përpjekja e 9 shtatorit 1946.
Nga të pandehurit, Zef Haxhia, ka qenë Antari Komitetit Qendror të Demokristianes, ka trathetue besimin e popullit, si përfaqësues në Kuvendin Popullor, duke u lidhur me organizatat terroriste fashiste e profesioniste, të cilat ishin për rrëzimin me dhune te Pushtetit Popullor. Faje këto, që parashikohen prej nenit 2 e 3 të pikës 1, 2, 4, 6, 7, 8, 14, të Ligjit 372.
Ne procedimin e zhvilluar faqe te pandehurve.
Prokurori Ushtarak, ka kërkuar që të pandehurit; të cilësohen fajtor, si mbas neneve 2 e 3, të pikës 1, 2, 7, 8, 14 te Ligjit 372 dhe në bazë të nenit 4, po të kësaj ligje, ka kërkuar dënimin e të pandehurve, si vijon:
Për Monsinjor Frano Gjinin, Dom Nikoll Dedën, Padër Mati Prendushin dhe Dom Tom Lacën, me VDEKJE.
Për Padër Gjon Karmën, me 20 vjet privim lirie, punë të detyruar. Për Ndoc Sahatçin, me 15 vjet privim lirie, pune të detyruar.
Për Padër Mehill Miraj, me 10 vjet privim lirie e, punë të detyruar. Për Zef Haxhin dhe Dom Nikoll Shelqetin, me nga 5 vjet privim lirie e, pune të detyruar. Për Zef Pllumin, me 3 vjet privim lirie e, pune të detyruar.
Mbasi ndëgjoi fjalën e fundit të të pandehurve.
Gjykata, mbasi shqyrtoji aktet dhe bisedoji çështjen, konstaton se: Sikundër u provua gjat zhvillimit të gjyqit, Klerikët Katolik në Shqipëri dhe sidomos këta të pandehurit, kanë qenë të gjithë armiq të popullit, të cilët e kanë shtypur vazhdimisht në çdo regjim, në çdo kohë, duke rrojtur këta në kurriz të popullit, me një jetesë plot rehatshme, ndërsa populli, vuante të zezat e ullirit dhe sidomos elementi katolik, në pjesën e Veriut të Shqipërisë dhe veçanërisht Malësitë.
Të pandehurit klerikë, kanë qenë t’atillë, që në çdo kohë e çdo regjim, nxirrnin njerëzit e tyre adapt, për të bashkëpunuar me t’a, ndërsa pjesa tjetër, punonte me popullin, gjoja për punë fetare, por në të vërtetë, ata mashtronin popullin me veladonin e tyre, duke e lenë krejt në prapambetje dhe injorancë, në çdo sektor dhe për ketë vepër kaq të poshtër, janë përgjegjës direkt, të pandehurit.
Kleri Katolik, qysh ne kohën e Turqisë, asht munduar t’a përçaj popullin shqiptar dhe i ka hedhur në luftë njërën fe me tjetrën. Në kohën e Austro-Hungarvet, kanë qenë të lidhur ngusht, me t’a, vegla të tyre, punonin për imperializmin Austro-Ungarez, për të qëndruar në vendin t’onë, jo si okupator, që ishin në të vërtetë, por si çliruesa, prej të civilet, subvencionoheshin mirë.
Mbas shkatërrimit t’ imperializmit Austro-Hungarez, Kleri, mbasi mbeti pa patron dhe për ketë kishte nevojë të madhe, pse pa të nuk do të kishte subvencione. Për ketë, u lidhe me njëherë me imperializmin Italian, pa vones, nga ana tjetër axhent të tyre d.m.th., klerik të ndryshëm nga këta mbanin njëkohësisht, lidhje edhe me padron të tjerë, si me imperialistët Jugosllavë, me regjimin e Zogut e të tjerë që bënin, subvencionoheshin edhe nga këta.
Kleri reaksionar në Shqipëri, sidomos të pandehurit, menjëherë mbas lidhjes me imperialistet Italian, janë venë në shërbim të tij. Në Shqipëri, qysh prej kohe, ishin axhentat e Italisë fashiste, si Meloni, Jakomoni e, të tjerë, me të cilët Kleri, mbante lidhje të vazhdueshme dhe merrte subvencionet, përveç lidhjeve që kishte e mbante me Vatikanin.
Monsinjor Volaj e, Padër Rrok Gurashi, nga armët e gjetura, nga opinioni publik dhe nga krejt vazhda e tradhtisë, tyre qysh shumë vjet ma parë, duke qenë krye të tradhëtis në çdo kohë, e në çdo regjim, ka qen si kryesor e shkaktar, për çdo poshtërsi, Kleri Katolik reaksionar, tradhtie dhe vepra këto që kan damtuar rendë interesat e popullit dhe të Pushtetit tija, si gjatë Luftës Nacional-Çlirimtare dhe mbas Çlirimit, kur populli i është vënë punës për rindërtimin e Shqipërisë së re, për t’i siguruar vetes jetë ma të mirë, më të lumtur, dhe ma të begatshme.
Si të tilla, shumë të dëmshme dhe të rrezikshme për popullin e Pushtetin, konsiderohen faje penale të parashikuara nga nenet 2 e 3 të pikës 1, 2, 3, 4, 7, 8, 9, 10, 14 dhe të nenit 4, po të kësaj ligje, gjykata mbasi shikoj të kaluarën, t’ardhshmen dhe rrezikshmërinë që i paraqesin shoqërisë, me vota të përbashkëta, njëzëri, në kundërshtim me kërkesën e Prokurorit, vendosi dënimin e tyre si vijon:
Për të pandehurit: Monsinjor Frano Gjini, Padër Mati Prendushi, dhe Dom Nikoll Dedën nga Shkodra, me Vdekje dhe me humbjen e të drejtave politike dhe civile, përgjithmonë, dhe me konfiskimin e pasurisë, tundshme dhe të patundshme.
Për të pandehurin: Dom, Tom Lacën nga Shkodra, me privim lirie e punë të detyruar për jetë, dhe me humbjen e të drejtave politike dhe civile, përgjithmonë dhe me konfiskimin e pasurisë, tundshme dhe të patundshme.
Për të pandehurit: Padër Gjon Karmën, dhe Dom Ndoc Sahatçin me nga 15 vjet privim lirie e, punë të detyruar, dhe me humbjen e të drejtave politike dhe civile, për 5 vjet kohë, dhe me konfiskimin e pasurisë, tundshme dhe të pa tundshme.
Për të pandehurin: Padër Mhill Miraj, me 7 vjet privim lirie e, punë të detyruar, dhe me humbjen e të drejtave politike dhe civile, për 5 vjet kohë, dhe me konfiskimin e pasurisë, tundshme dhe të patundshme.
Për të pandehurin Zef Haxhin, nga Shkodra, me 5 vjet privim lirie e, punë të detyruar.
Për të pandehurit: Dom Nikoll Shelqeti dhe Zef Gjeto Pllumbi, nga 3 vjet privim lirie e, pune të detyruar. Të dënumve, u ngarkohen 162 lek, shpenzime gjyqi.
Ky vendim, i referohet Gjykates Nalt Ushtarake, për aprovim, për sa u përket të dënumve me vdekje, kurse për të tjerët, mundet të bëhet ankim, po në Gjykatën e Nalt Ushtarake, brenda tetë ditëve, nga data 8/I/1948, që u shpall vendim./Memorie.al
Shkodër, me 8/I/1948.
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016