Nga Veli Haklaj
-Gazeta “Politika” e Beogradit: “Para se me vra vedin, Bajram Curri u tha kaçakëve të tij; po vdes me nder, e të kisha dashur që ndokujt t’i dorëzohem, do i dorëzohesha vetëm Serbisë, por s’ju kisha shitun me të holla”-
Memorie.al / Me origjinë nga fisi i njohur i Krasniqes (Malësia e Gjakovës), i lindur në Gjakovë, Bajram Curri u shque si veprimtar i lëvizjes kombëtare të periudhës së Rilindjes, duke qenë një ndër udhëheqësit politikë e ushtarakë të kryengritjeve popullore kundërosmane dhe të luftës për çlirimin e bashkimin kombëtar të vendit. Ishte një ndër organizatorët e Lidhjes Shqiptare të Pejës (1899-1900) dhe veprimtar i saj, për autonominë e Shqipërisë dhe për mbrojtjen e tërësisë territoriale të vendit; drejtues kryesorë në kryengritjet kundërosmane në periudhën 1908 – 1912, që u finalizuan me shpalljen e pavarësisë. Pas vitit 1912, luftoi në Kosovë, për mbrojtjen e saj nga pushtuesit serbë. Nuk u pajtua me vendimet e Konferencës së Londrës së 1913, që shkëputën Kosovën dhe treva të tjera shqiptare lindore e jugore, nga shteti i pavarur shqiptar. Në vitin 1918 u zgjodh anëtar i Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” dhe qe një ndër udhëheqësit kryesorë të tij.
Bajram Curri në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare
Në një portretizim të Bajram Currit, At Zef Valentini do evidentonte: “Bajramit ia kish anda, t’ue kujtuem emnin e gjinisë së vet, Curraj, me i thanë vedit: Un jam Curr! Në ndërtesën shpirtnore të Shqipnis, themelet do të vihen prej currash, prej virtytesh karakteristike të fisit; kur këta të qëndrojnë, edhe Shqipni ka; kur këta të hiqen, Shqipnis i luhet ‘carani i votrës”.
Kontribute për konsolidimin e Shtetit Shqiptar
Në Kongresin e Lushnjës, Bajram Curri u zgjodh anëtar i Këshillit Kombëtar, i cili e caktoi ministër pa portofol, në qeverinë e Sulejman Delvinës. Në vitet 1920-1921, me cilësinë e komandantit të Operacionit, bashkëpunoi me ministrin e Brendshëm, Ahmet Zogun, për të realizuar vendosjen e autoritetit të shtetit shqiptar, në tërë territorin e Shqipërisë së njohur nga Konferenca e Londrës 1913. Me dekret nr. 846, datë 30 maj 1920, të Këshillit të Ministrave, Bajram Curri u emërua komandant i Operacionit, kundër Lëvizjes së Shqipërisë së Mesme; më 30 qershor 1921, Bajram Curri emërohet komandant i Operacionit, kundër lëvizjes së Marka Gjonit në Mirditë.
Veprimi i armatosur, kundër institucioneve të Shtetit Shqiptar
Zhvillimet politike konfliktuale, ku nuk munguan dhe lëvizjet e armatosura, i pozicionuan në kampe të kundërta Ahmet Zogun dhe Bajram Currin. Tradita gojore, evidenton si shkak të ftohjes së tyre edhe martesën e Ceno Beg Kryeziut, me motrën e Ahmet Zogut; familjet Curri dhe Kryeziu, kishin trashëguar një histori konfliktesh ndërmjet tyre. Nga marsi i vitit 1922, Bajram Curri zgjodhi rrugën e veprimit të armatosur, kundër institucioneve shtetërore shqiptare. Ishte një ndër protagonistët kryesorë në lëvizjen e vitit 1923 dhe në Revolucionin e Qershorit 1924. Pas Triumfit të Legalitetit (24 dhjetor 1924), u tërhoq në Krasniqe, duke qëndruar si mik i bajraktarit të Krasniqes, Sali Manit, nga ku vazhdoi përpjekjet e tij të dëshpëruara, për organizimin e një lëvizjeje të re, kundër pushtetit legjitim në Tiranë.
Vetëvrasja e Bajram Currit
Më 2 janar 1925, Bajram Curri mblodhi parinë e Krasniqes dhe një ditë më pas, u deklarua besa e Krasniqes, për me i kundërshtue çdo mësymjeje qeveritare. Më 8 janar, rreth agimit, forcat e Currit nga Krasniqja, mësyjnë Gashin, e mbas një luftimi ku mbetën 10 të vdekun, e një i plagosun nga forcat qeveritare dhe një i vrarë e një i plagosur nga mbështetësit e Currit, Bajram Curri, merr vetëm Tropojën, qendrën e Gashit. Më 9 janar, fuqia e Currit nga Tropoja, niset për në Bytyç, duke patur për objektiv Krumën, qendrën e Prefekturës së Kosovës, ku kishte nisur dhe forca të tjera nga Krasniqja, duke paraqitur kështu një kërcënim serioz, për stabilitetin e shtetit.
Për të shuar këtë rebelim të ri në Veriun e Shqipërisë, presidenti i Republikës, Ahmet Zogu, me cilësinë e kryeministrit dhe ministrit të Punëve të Brendshme, kishte emëruar komandant Operacioni për Veriun, Ceno Beg Kryeziun. Ndërkohë, vëllai i Cenos, Hasan Kryeziu, ushtronte detyrën e prefektit të Kosovës (Kukës, Has, Tropojë). Në kushtet që situata po rëndohej nga ora në orë, duke vlerësuar potencialin e Bajram Currit, për lëvizje të armatosura, me telegramin rezervat, nr. 19, datë 8 janar 1925, urdhërohet Komanda e Operacionit të Veriut, që; “kundër Bajram Currit të përdoren masat më të rrepta e definitive, që kështu të mos ket nevojë ma, me ba operacione në ato vise…”.
Një ditë më pas, më 9 janar, Ceno Begut iu dërgua telegrami tjetër urgjent, nga kryeministri Ahmet Zogu, me urdhrin: “Currin gjallë a vdek, duhet ta zini dhe fuqinë e tij, duhet ta shkatërroni krejt, tue marrë gjithë masat, që kështu të shuhet revolucioni i Kosovës, e të mos përsëritet ma”. I rrethuar nga forcat e xhandarmërisë dhe pa shpresë shpëtimi, Bajram Curri, vrau veten më 29 mars 1925, në një shpellë në Grykën e Dragobisë (Tropojë).
Më 30 mars 1925, nga bjeshkët e Dragobisë, komandanti i kompanisë së xhandarmërisë, që realizoi operacionin, nëntoger Kadri Malësia (Mustafa), njoftoi telegrafisht Tiranën: “U lajmërojmë se në një luftë të përgjakshme, i arratisuni, i quejtuni anmik i shtetit shqiptar, Bajram Beg Curri, u vra dekun dhe i arratisuni Shefqet Draga, u zu rob. Edhe shtatëdhjetë armë të fshehuna, i mora. Në këtë luftë, mbetën dekun 5 gjindarmë e, katër të plagosun. Nalt i dekuni, ish kenë me të gjithë të arratisunit. Kryetar i luftës kundra ushtrisë (ishte) bajraktar Sali Mani. Rrnoftë Republika Shqiptare”!
Më 31 mars, Ministria e Brendshme u telegrafoi prefekturave, nënprefekturave dhe gazetave qendrore dhe lokale duke i informuar për ngjarjen. Në fund të telegramit, theksonte: “… Mbasi Bajram Curri ka lojtur kurdoherë me fatin e Malësisë së Kosovës, zhdukja e tij në këtë mënyrë, do të sigurojë lumturinë dhe prehjen e popullit t’atij qarku”. Më 1 prill 1925, zëvendësish ministri i Punëve të Brendshme, Kostaq Kotta, i dërgoi këtë telegram falënderimi, Prefekturës së Kosovës, i cili iu përcoll dhe Zyrës së Shtypit për publikim: “Kjo ministri e konsideron detyrë morale, t’ju falënderojë për kujdesin dhe aktivitetin që treguat në vrasjen e Bajram Currit dhe lus kurdoherë sukses, në detyrë të titullarit t’asaj Prefekture, z. Hasan Kryeziut”.
Po më 1 prill 1925, në vlerësim të kontributit për vendosjen e rendit në Veriun e Shqipërisë, presidenti i Republikës, Ahmet Zogu, emëroi Ceno Beg Kryeziun, ministër të Punëve të Brendshme. Për këtë i erdhën telegrame urimi, nga të gjitha prefekturat dhe nënprefekturat, si dhe nga populli, ku i shfaqeshin urimet dhe gëzimet e tyre të nxehta. Nisur nga përmbajtja e këtyre telegrameve, gazeta e kohës; “Shqipëri e Re” (Konstancë, Rumani) evidenton se; “populli i Shqipërisë, duket shumë i kënaqur prej emërimit të z. Ceno Kryeziu, si Ministër i P. Brendshme”.
Vrasja e Bajram Currit në faqet e gazetës “Politika”
Vrasja e Bajram Currit, pati jehonë dhe në gazetat joshqiptare, sidomos të vendeve fqinjë. Në numrin 6096, datë 13 prill 1925, fletorja e Beogradit, “Politika”, publikon këtë përshkrim për vrasjen e Bajram Currit:
Vorrimi i Bajram Currit
Mbaroj si turbullues e, si ma i madhi kriminel
Bajram Curri, asht mbajtun si ma i ndershmi
Brekofc, më 12 prill 1925.
I afërm dhe i marrun vesht prej të cilit, e kam ndigjue vdekjen e Bajram Currit, nga i vetmi i Bajram Currit, Mahmut bej Zajmi me “besë”, më informon: Mbas fjalëve të tija, thotë se “Bajram Currin. nuk e kan vrarë, por e ka vrar vedin”. – Unë e kam larë (në tabut), më tha Mahmut begu, dhe ka pasur rroba të zotrive. Të gjitha m’i rrëfej shka e pyeta. Thotë: – Unë deri në dekikat e mbrame të tij, ishem ndër lufta me Bajram Currin, tridhjetë vjet të plota. Më thotë Mahmut bej Zajmi:
– Me të ardhur Ahmet begu në Tiranë, Bajram Curri as s’deshi të ikte, as s’deshi të dorëzohet. Ai e njihte Shqipnin e shqiptarët dhe besonte se Ahmet beu, s’do të qëndronte shumë në fuqi. Ka patur me vete njerëz, shumë katunde e shumë vende. Ke fshehur në Çerem, Guci; njëherë vajti edhe në Mal të Zi, me qëllim që t’u dorëzonte, por prapë u pendue. Mandej kthej në Mal të Shalës, te i pari i katolikëve, ku ma së shumti ndejti. Mandej doli në Dragobi, por para një muaji, vajti në Krasniq. Atëherë u hetue e, ai më 28 të tjerë, vajtën në një shpellë jo larg katundit Kersteniç (Krasniq). N’atë shpellë, i mbushi 27 ditë.
Gjindja (njerëzit) e tij, nga frika e lanë vetëm. Me të më i mbrami, mbet i vëllaj i Ferhat bej Dragës, Shefqet bej Draga. Kanë qenë në një gjendje të vështirë nga dimri i madh, sa që të gjith nga ata, e kanë humbur nga një këmbë (ngrirë) prej të ftohtit të madh, e djegësimi i këmbëve aq i madh, sa s’kan mujt që të presin këmbët. Kur xhandarmëria e kishin rrethue shpellën ku ishin, Bajram Curri, menjëherë u vuri pushkën dhe i ndezi 37 fishekë me mauzerin e vet, e mandej e nxori revolverin e ja mbajti vedit kresë, e u vra. Mbas dy orëve, hyni xhandarmëria në shpellë dhe e gjetën të vdekur. Shefqet begu, ishte kenë gjallë dhe e prunë në Krumë (qendër e Prefekturës së Kosovës). Dy ditë, salla ka zgjatë.
Ke neve shqiptarët, salla asht shenjë mjerimi. Aty i kam pyetur ma të afërmit për të gjitha, mbasi ishem “në gjakë”. Ata më thanë se ai, të gjithë kaçakët, i nisi para se ta vriste vedin dhe ju kish thanë: “Shkoni, se po ju liroj nga besa, se asht gjynah, të rinj si ju të vriteni. Kur të shkoni, thoni se Bajram Curri, ma mirë deshti të vdesin me nder, se të dorëzohet. Të kisha dashur që ndokujt t’i dorëzohem, ju kisha dorëzue vetëm Serbisë, por kërkujt s’ju kisha shitun me të holla”. E varrosëm në Krumë, tek Xhamia më e madhe, me nderimet më të mëdhaja, ku u prezantuan miqtë, autoritetet dhe ushtria.
Kështu e mbaroi fjalën e vet Mahmut bej Zajmi. Mbas këtyne të pyetunave që i bana, e përgjigjeve që mora nga miku i jem, unë dhe ma parë i kam dëgjuar për Bajram Currin këto. Si të shoqnuem në varrimin e tij, ishin njâ dy mijë vetë, mjerisht se ndër këto vende, njehen për shumë. Kënë qenë delegatët e të gjitha krahinave: Malet e Gashit, të Krasniqes, Nikaj e Mërtur. Dhe çudia më e madhe, se kanë qenë që të gjithë përfaqësuesit e autoriteteve, si ushtarë ashtu edhe civilë. Një çetë ushtarësh, në shenjë nderimi, i kanë zbrazun pushkët, kur Bajram Currin e lëshuan në dhé.
Hasan bej Kryeziu, Prefekt i Krumës, në fjalimin e tij, në mes të tjerash tha edhe këto: “Sot asht vra Baba i Shqipnis. Anmikut po i vjen liksht, pse neve kështu po e nderojmë. Megjithse trupi i tij ka mbarue, Shpirti i tij do të mbesin përgjithmonë në mes t’onin. …Ai e ka ndjekun Shqypnin, si nana fëminë e vogël dhe ka luftue për zmadhimin e saj…”. Përfaqësuesi i Qeverisë, mbaroj fjalën e tij kështu: “Qani o popull, për Babën e Shqinisë”.
Ra në sy se në varrimin e tij, qenë shumë katolikë nga Shqipnia e Veriut. Mbas Prefektit, e mori fjalën Kadia i Krumës dhe në mbarim, mori fjalën një kapiten aktiv i Xhandarmërisë Shqiptare. Këto fjalë, i karakterizoj të vdekunit Bajram Curri: “… Ndigjoni kosovarë e dukagjinas! Na sot po varrosim lirinë e Kosovës sonë”! Me këtë mënyrë u varros ai barbar, Bajram Curri, i cili gabimet e veta, gjithmonë asht mundue me i mbledhë, tue i gradue fukaran n’atë mënyrë, si ka marrë vet prej të tjerëve. Për çka me këtë mënyrë, e qysh Qeveria Shqyptare i ka dhânë randësi e nderim, për varrimin e tij, për pak kohë do ta marrim vesh. Memorie.al
B.G.
Përkthye, më 22 prill 1925
(firmë e palexueshme)
Marrë nga kultplus. com