Nga Dashnor Kaloçi
Pjesa e tretë
-Ish-oficeri i Batalionit Special të Sigurimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Halil Rrahmani, rrëfen për “shërbimet tepër sekrete” që ai personalisht, i kreu në vitet 1971-1991
Memorie.al / “Duke pasur parasysh se faktin se, unë kam shërbyer vetë te Burgu Tiranës, (‘Reparti 313’), si oficer roje, për gjatë gjithë periudhës më shumë se një vjeçare (1982-‘83) që zhvillohej procesi hetimor dhe gjyqësor i të ashtuquajturit “Grupi armiqësor i Kadri Hazbiut”, e them me bindje se, ish-Prokurori i Përgjithshëm i Republikës, Rrapi Mino, nuk ka treguar të vërtetën. Ai ka dashur të shfajësoj veten me atë që ka thënë, pasi, gjatë gjithë asaj periudhe kohe që ne kemi qenë prezent aty, dëgjonim ulërima nga të dënuarit, gjë e cila kuptohej lehtë se vinte nga dhuna e torturat që ushtrohej ndaj tyre. Po kështu, nga kolegë të mi oficerë apo dhe ushtarë të ndryshëm që kanë bërë shërbim brenda dhe jashtë burgut në atë kohë, kam dëgjuar se, pasi mbaroi gjyqi ndaj “Grupit armiqësor të Kadri Hazbiut” (që u zhvillua brenda ambienteve të atij burgu), një ditë pas dhënies së dënimeve me vdekje, të Kadri Hazbiut, Feçor Shehut, Llambi Ziçishtit e Llambi Peçinit, nga qelitë e tyre, janë dëgjuar klithma, thirrje dhe ulërima, si p.sh.: “O Enver Hoxha ndihmë, na e fal jetën”, “O Hekuran Isai, ndihmë, na falni jetën, mos na pushkatoni”, etj., të kësaj natyre. Po kështu, në dijeninë time, Kadri Hazbiun e kanë nxjerrë të vdekur nga burgu i Tiranës natën e 9 shtatorit të vitit 1983 dhe kufomën e tij, e kanë dërguar më pas te objekti “Komiteti Ekzekutiv” në Linzë, ngjitur me Batalionin e Sigurimit, ku ishin tunelet sekrete që u pushkatuan Feçor Shehu, Llambi Ziçishti dhe Llambi Peçini, po në atë vend ku vite më parë, ishte pushkatuar edhe Beqir Balluku me Petrit Dumen e Hito Çakon”.
Zoti Rrahmani, në dijeninë tuaj, përse gjyqi ndaj të ashtuquajturit “Grupi armiqësor i Kadri Hazbiut”, u zhvillua në ambientet e brendshme të Burgut të Tiranës dhe jo në Gjykatë ?
Faktikisht, një apo dy seanca gjyqësore, u zhvilluan te Gjykata e Lartë, por më pas seancat e tjera, u zhvilluan brenda ambienteve të Burgut të Tiranës (‘Reparti 313’), ne na u tha se; kjo bëhej pasi, nuk mund të sigurohej transportimi i atyre të dënuarve nga burgu, në sallën e gjyqit e anasjelltas, pasi zbulimet e huaja, ishin të interesuar për t’i rrëmbyer ata, sepse i kishin agjentët e tyre. Në këtë kuadër, ato dy ditë që u zhvilluan seancat te Gjykata e Lartë, për të siguruar rrugën nga do të kalonin autokolona e makinave të Ministrisë së Brendshme me të dënuarit, në çdo vend u vunë njerëz të Sigurimit të veshur civilë. Ky ishte një truk i Sigurimit të Shtetit me në krye ministrin Hekuran Isai, që i’a servirte udhëheqjes së lartë dhe Enver Hoxhës, e para për t’u treguar atyre, se po i dënonin me të drejtë, Kadri Hazbiun e të tjerët, por edhe për të thënë në sy të popullit, se; “sa armiq të rrezikshëm ishin ata”. Kjo që po u them, është më se e vërtetë, pasi ende pa filluar seanca e parë gjyqësore te Gjykata e Lartë, te ne në burgun e Tiranës, ishte bërë salla gati.
Si e kujtoni momentin kur, Kadri Hazbiu, Feçor Shehu, Llambi Ziçishti dhe Llambi Peçini, u morën nga burgu dhe u dërguan për t’i pushkatuar, çfarë procedurash u kryen?
Natën që i kanë marrë ata të katërt për t’i pushkatuar, (nga mesnata e datës 9 apo 10 shtator, nuk e kujtoj saktë datën) ne ndodheshim me shërbim në repart, na ishte komunikuar gatishmëria luftarake. Pak a shumë e kuptonim se çfarë do të ndodhte, pasi kishte mbaruar gjyqi ndaj tyre dhe Aranit Çela e ata të tjerët të trupit gjykues e Prokurorisë, nuk po vinin më në ambientet e burgut, siç kishin ardhur për ditë të tëra kur zhvillohej gjyqi. Në orën 21 e 30 të datës 9 apo 10 shtator 1983, fillimisht janë fikur dritat e të gjithë burgut. Pas kësaj, kanë marrë të gjithë ushtarët që kryenin shërbim në kullat e vend-rojeve dhe kudo, e i mbyllën brenda në fjetoret e tyre. Po kështu kanë mbyllur në fjetore edhe ushtarët tanë të ‘Repartit 324’. Në vend të tyre u vendosën oficerë të Sigurimit të Shtetit dhe pjesëtarë të grupit special hetimor që merrej me “Grupin e Kadri Hazbiut”, të veshur ushtarakë dhe me armë automatike e mitraloza të lehtë.
Pas kësaj, kanë ardhur disa automjete nga Ministria e Punëve të Brendshme, që ishin caktuar për t’i marrë personat që do ekzekutoheshin, me në krye Kadri Hazbiun, ata u futun deri te porta kryesore e “Kaushit” (siç quhej ai vend), dhe pasi i futën të katër të dënuarit me vdekje në ato automjete, kanë dalë nga burgu, për t’i dërguar më pas në vendin e caktuar ku do të pushkatoheshin. Pas largimit të automjeteve, janë ndezur dritat e burgut dhe ushtarët u nxorën nga fjetoret, duke u rikthyer në vendet e tyre.
Pas viteve ’90-të në shtyp është thënë se Kadri Hazbiun, e kanë mbytur në ambientet e burgut, e kanë nxjerrë të vdekur nga burgu atë natë. Keni ju dijeni për këtë?
Edhe unë me kolegë të mi ushtarakë e civilë, emrat e të cilëve për shumë arsye nuk mund t’i bëj publike, kështu e dimë, që Kadri Hazbiun, e kanë nxjerrë të vdekur nga ambientet e burgu, atë natë, kur i morën për t’i pushkatuar. Më shumë rreth kësaj, nuk mund të them, por ka ende persona që kanë kryer ato shërbime e jetojnë akoma, të cilët mund të dëshmojnë të vërtetën rreth kësaj ngjarje. Personi kryesor që duhej pyetur për këtë gjë, ka qenë doktor Nevzat Vigani, oficer, shefi i Shëndetësisë së Ministrisë së Punëve të Brendshme, që rrinte pothuaj gjithë kohën në Burgun e Tiranës, pa firmën e atij, asgjë nuk mund të bëhej.
Pas viteve ’90-të afër‘Repartit 324’, janë gjetur varre dhe eshtra të pushkatuarish nga regjimi komunist. Kishte lidhje reparti juaj me këto?
Jam në dijeni nga media në përgjithësi për ato vend-varrime që janë gjetur afër ‘Repartit 324’, por Batalioni i Sigurimit, ‘324-a’, nuk kishte asnjë lidhje me ekzekutimet që janë bërë para viteve ’90-të. Me ato merrej Drejtoria e Punëve të Brendshme të Tiranës, ana e Sigurimit të Shtetit. Ngjitur me repartin tonë, (rreth 100 metra në perëndim të tij), ka qenë një objekt, tepër sekret dhe i një rëndësie të veçantë, që njihej nga ne, si “Komiteti Ekzekutiv i Tiranës”, për rast lufte. Aty janë bërë dhe pushkatime, pas viteve ’90-të, janë gjetur dhe varre e eshtra të atyre personave që janë pushkatuar. Aty, te “Komiteti Ekzekutiv”, ka pasur edhe disa tunele sekrete, ku është pushkatuar Kadri Hazbiu, Feçor Shehu, Llambi Ziçishti, Llambi Peçini, madje edhe Beqir Balluku, Petrit Dume dhe Hito Çako, aty janë pushkatuar dhe më pas i kanë groposur në vende të ndryshme të paracaktuara, aty afër apo dhe larg Tiranës, siç ishte rasti i Beqir Ballukut, Petrit Dumes dhe Hito Çakos, kufomat e të cilëve i dërguan më pas në Vranisht të Vlorës.
Sa kohë shërbyet ju te Batalioni i Sigurimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe kush kanë qenë drejtuesit kryesor të atij reparti në atë ato vite që ishit ju?
Kam shërbyer te ai repart nga viti 1970, e deri në janarin e vitit 1985, kur më transferuan për në pikën e Rrashbullit në Shkozet të Durrësit. Pas Dane Binajt, që ishte komandant i ‘Repartit 324’ që me krijimin e tij në vitin 1970, erdhi Sabri Kaso, që shërbeu në atë detyrë deri në vitin 1976, kur aty u emërua Shahin Halili, i cili qëndroi deri në vitin 1980, së bashku me komisarin, Baze Sharkaj. Në atë vit, në ’80-ën, në vend të Shahin Halilit, (që më pas e dënuan me burg) erdhi Sali Lila, si komandant batalioni, kurse si komisar, erdhi Todi Stroni. Komandant Sali Lila erdhi nga Garda e Republikës, ku kishte shërbyer për vite me radhë në detyra komanduese, kurse Todi Stroni, erdhi nga detyra e zv/drejtorit të Drejtorisë së Kuadrit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, të cilin e sollën me ulje, për një problem biografie. Sali Lila qëndroi në atë detyrë, si komandant i ‘Repartit 324’, deri në vitin 1988, kur doli në pension dhe në vend të tij, u emërua Muharrem Kokona. Përfitoj nga rasti të them se, komandanti Sali Lila, përveçse ishte një oficer i zoti dhe i përgatitur nga ana profesionale si ushtarak, ai ishte dhe një njeri i jashtëzakonshëm. Një njeri i shkëlqyer ka qenë edhe komisari, Baze Sharkaj, si dhe komisari tjetër që erdhi pas tij, Todi Stroni një ushtarak model.
Deri kur shërbyet në ‘Repartin 324’ dhe pse ju larguan?
Mua nuk më larguan, më transferuan nga Tirana në Durrës, po në përbërje të Batalionit të Sigurimit. Unë kam shërbyer si komandant toge te ‘Reparti 324’ deri në janar të vitit 1985, kur komanda ime, Sali Lila, më njoftoi se isha emëruar si komandant i “Repartit 100/1’ e cila ishte një pikë ushtarake që ndodhej në Kodrat e Rrashbullit, dhe varej nga Batalioni i Sigurimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Nga darka, më erdhi korrieri i Batalionit në shtëpi dhe më tha se; me urdhër të komandantit të Batalionit, Sali Lila, nesër në mëngjes duhet të jesh në repart, por me veshje civile. Sipas urdhrit, të nesërmen në mëngjes u paraqita në Batalion (në Linzë) ku komandanti Sali Lila, ma komunikoi zyrtarisht urdhrin, duke më thënë se, isha emërua si komandant toge te ‘Reparti 100’ në Durrës.
Si e pritët atë emërim dhe çfarë përgjigje i dhatë eprorit tuaj, Sali Lila?
Nuk e prisja atë emërim e fillimisht u habita dhe i thashë se nuk kisha mundësi të shkoja, pasi kisha gruan në spital dhe fëmijët e vegjël ishin vetëm në shtëpi. Por komandant Sala, i prerë siç ishte gjithmonë, më tha se ai ishte urdhër dhe duhej zbatuar me çdo kusht. Që atë ditë u nisa për Durrës, ku komandanti Sali Lila, më prezantoi para efektivit, duke më uruar suksese në detyrën e re.
Ishit i kënaqur me atë emërim?
Emërimi im në atë repart, ishte një nder dhe favor që më bëhej mua, sigurisht duke parë dhe të gjitha rezultatet që kisha pasur gjatë gjithë viteve që kisha shërbyer, pranë Batalionit të Sigurimit. Them kështu, jo se nuk kishte punë dhe përgjegjësi, por ndryshonte kryekëput nga e njëjta detyrë që kisha te ‘324-a’, duke filluar në radhë të parë nga veshja, pasi në atë repart, si ushtarët dhe oficerët, rrinin me veshje civile, etj.
Çfarë ishte ‘Reparti 100/1’, kur ishte krijuar dhe përse shërbente?
‘Reparti 100/1’, apo siç njihej ndryshe nga oficerët e ushtarët, por edhe nga banorët e Durrësit dhe fshatrave përreth, si: “Reparti që merrej me kontrabandën e cigareve”, ishte krijuar që në vitin 1970 -‘71, menjëherë me krijimin e Batalionit të Sigurimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, duke qenë një pikë ushtarake në vartësi të saj. Por kontrabanda e cigareve, kishte vite që kishte filluar nga ana e shtetit shqiptar, (nga 1965 në mos gaboj), por deri atëhere, për ngarkimin e shkarkimin e kolive me cigare, si në automjetet e mëdha me rimorkio (“maunet”) që e sillnin nga jashtë, apo edhe te anijet e skafet, përdoreshin punëtorë civilë të ngarkim-shkarkimit, që ishin në Portin e Durrësit, apo “hamej”, që i paguante Ministria e Brendshme, për ato ditë që punonin. Me rritjen e volumit të punës, gjë e cila nuk përballohej më me punëtorë civilë, si dhe kushtet e ruajtjes së sekretit, nga viti 1971, u pa e nevojshme që puna të bëhej me ushtarë dhe oficerë. Kështu u krijua kjo pikë ushtarake që mori emrin ‘Reparti 100/1’, ishte një togë ushtarësh me rreth 25 vetë, një komandant, një nënoficer, magazinierët, shoferët, etj.
Kush kishte shërbyer në atë repart që nga krijimi i tij e deri sa vajtët ju në atë detyrë?
Nga viti 1971, aty kanë shërbyer si komandantë toge, disa oficerë, si: Refat Ferhati, Rexhep Belinievi (ose Uka siç njihej ndryshe), dhe Mersin Rama, kurse si nënoficerë, Refat Kryeziu, Bashkim Uku, etj. Ndërsa magazinieri i magazinave të cigareve, ishte Selaudin Qerimi dhe siç thashë të gjithë këta, bashkë me ushtarët, rrinin të veshur civilë. Ushtarët e ‘Repartit 100/1’, rrinin të paqethur dhe uniformën e ushtarit ata e vishnin vetëm kur dilnin me liri-dalje në qytet, apo kur shkonin me leje në shtëpi, Përveç ambienteve të togës së ushtarëve, fjetore, mencës, kuzhinës etj., aty ishin shtatë magazina të mëdha, ku gjashtë prej tyre përdoreshin për magazinimin e kolive të cigareve, ndërsa njëra rrinte bosh, për çdo emergjencë.
Si kryhej kontrabanda e cigareve?
Detyra kryesore dhe e vetme e ‘Repartit 101/1’ ku shërbeva dhe unë për gati shtatë vjet, ishte ngarkimi dhe shkarkimi i ngarkesave me cigare (‘Marlboro’,‘LM’,‘Puro’,‘Lucky Strke’, ‘Chesterfield’, etj.) të automjeteve të mëdha me rimorkio, të cilat vinin në repartin tonë në rrugë tokësore nga jashtë shtetit, duke u futur në territorin e shqiptar, nga pika Kufitare e Kalim-Kontrollit të Doganës së Hanit të Hotit në rrethin e Shkodrës. Përpara se ato “maune” vinin në Hanin e Hotit, ishin marrë masat përkatëse dhe në ditën e orën e caktuar, aty shkonte me auto veturën e tij (“FIAT”) për t’i pritur ato, oficeri i Sigurimit të Shtetit, Qazim Myftiu (ose siç njihej ndryshe me pseudonimin “Sinjor Antonio”). Po kështu, aty shkonte edhe Naim Furxhiu nga Tirana, njeriu i cili bashkë me eprorët e tij, Lorenc Nënshati (“Sinjor Lorenco”) dhe Mëno Dedaj, ishin shefat kryesor të ALBTRANS-it, që drejtonte dhe kryente të gjitha operacionet e kontrabandës së duhanit që bënte shteti shqiptar i asaj kohe. Pasi i priste Naimi apo Lorenci ato automjete, (zakonisht vinin kolonë automjetesh) ata me njerëzit përkatës, bënin shoqërimin e tyre përgjatë gjithë rrugës nacionale nga Shkodra në Durrës, deri sa vinin në repartin tonë, për t’u shkarkuar te magazinat që kishim në gatishmëri. Më pas, po me mjetet tona të Ministrisë së Punëve të Brendshme, (me targa civile TR ose DR), këto ngarkesa me koli me cigare, i dërgonim në një vend të caktuar, brenda Portit të Durrësit, (te “Kalata Zero”), ku vinin më pas dhe i merrnin me anije të vogla apo skafe të mëdha, persona të veçantë që i kishte kontraktuar më parë shteti shqiptar, nëpërmjet drejtorisë së ALBTRANS-it. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016