Nga Skifter Këlliçi
-Shollohovi, mbeti shkrimtar me bindje të plota komuniste, e dëshmon edhe dhe qëndrimi që ai mbajti kundër shkrimtarëve disidentë sovjetikë, Sinjavski dhe Daniel-
Memorie.al / Edhe këtë fillim tetori, Akademia Suedeze nuk i akordoi shkrimtarit tonë të madh, Ismail Kadare, çmimin “Nobel”, kandidat i të cilit, ai ka qenë që në fillim të viteve 2000. Megjithëse nuk është shprehur kurrë haptas, arsyet e këtij veprimi të habitshëm, siç shprehet ndër të tjera ndër të tjera edhe studiuesi i njohur kanadez, Robert Elsie, në veprën e tij “History of Albanian Lterature”, (New York, 1995), janë këto: “Në mjaft raste, gjatë viteve të gjata të diktaturës së rëndë, ai ndonëse shprehu kritika të hapura për nivelin në fushën e letërsisë dhe arteve, ndërkohë që njëherazi i dha mbështetjen e vet pa kushte, sistemit politik nga i cili ai vetë pa dyshim ka vuajtur, kjo ka bërë që një numër i mirë kundërshtarësh, më vonë ta përmendin si; ‘shkrimtar oborri’ ose si ‘eksponent i regjimit”.
Në rast fitoreje i “Nobelit”, ai do të ishte i treti, pas emrave të Pasternakut dhe Shollohovit nga ish-kampi socialist. Dy të parët janë sovjetikë – Boris Pasternak, (1880-1960) të cilit ky çmim iu dha më 1958, për romanin “Doktor Zhivago” dhe për rrethanat e tensionuara, të lindura me këtë rast, u detyrua të
mos e pranonte, dhe Mikhail Shollohov, (1905-1884), që e pranoi atë në ceremoninë tradicionale të zhvilluar në vjeshtë të vitit 1965. Dy të parët pra, kanë ndërruar jetë para zhvillimeve tronditëse demokratike më 1990, që më pas sollën si pasojë shembjen e sistemit komunist në ish-Bashkimin Sovjetik në vendet e Evropës Lindore.
Mund të shtojmë edhe emrin e shkrimtarit të madh Bunin, (1880-1953), edhe ai fituesi i këtij çmimi më 1933. Por Bunini, i larguar më 1918 nga Rusia sovjetike, pra menjëherë pas Revolucionit të Tetorit, u cilësua armik i pushtetit komunist, siç qe në të vërtetë, dhe jetoi në Paris, deri sa ndërroi jetë më 1953, pa u kthyer kurrë në atdhe. Atyre u shtohet emri i Ismail Kadaresë, tashmë prej disa dekadash i quajtur si një ndër shkrimtarët më të njohur në botë, i cili, ndryshe nga Pasternaku dhe Shollohovi, është gjallë dhe emri i të cilit siç thamë, figuron në listat e Akademisë së Shkencave të Suedisë që në fillim të viteve 2000. Dhe çuditërisht “senatorët” e kësaj akademie, për arsye që përmendëm, ende nuk ia kanë akorduar.
Ç’ndodhi me Pasternakun? Poet i shquar, i cili vëllimin e tij të parë parë me poezi, e kishte botuar që më 1914, (“Binjaku midis reve”), për të vazhduar me vëllime të tjera poetike edhe pas vendosjes së regjimit komunist në Rusi, ndër të cilët i fundmi “Kur koha do të kthjellohet, (1956-1958), për krijimtarinë e pasur dhe të gjerë në këtë fushë, deri në mesin e viteve ‘50’-të të shekullit të kaluar, ishte një ndër kandidatët për të fituar çmimin “Nobel”.
Ndërkohë në vitet e para pas Luftës së Dytë Botërore, ai nisi të shkruante romanin e tij të parë dhe të vetëm, me me motive autobiografike, “Doktor Zhivago”, që trajtonte ngjarje të periudhës së Revolucionit të Tetorit, i cili solli përmbysjen e regjimit carist. Por Lidhja e Shkrimtarëve Sovjetikë, ndaloi botimin e romanit, sepse sipas drejtuesve të saj, autori përshkruante me ngjyra të zeza epopenë e lavdishme të këtij revolucioni.
Kjo solli që Pasternaku të kishte pasojë të rënda, deri në përndjekje nga regjimi sovjetik dhe organet e Sigurimit, (KGB-së), dhe të kalonte një jetë të mbyllur. Mirëpo, një kopje e dorëshkrimit të “Doktor Zhivagos” kaloi fshehurazi kufijtë e B. Sovjetik dhe përfundoi në zyrat e shtëpisë së njohur botuese “Feltrineli”, në Milano, ku, me gjithë trysninë e emisarëve sovjetikë që shkuan posaçërisht atje, u përkthye dhe u botua me shpejtësi të rrufeshme.
Pastaj romani nisi të përkthehej dhe botohej edhe në gjuhë të tjera dhe u bë simbol i realitetit të zymtë sovjetik që në ditët e para të ardhjes në pushtet të komunistëve rusë. Dhe ja, më 1958 emri i Pasternakut u vu në krye të listës së kandidatëve për të fituar “Nobelin”, i propozuar nga shkrimtari i madh francez Albert Kamy, i cili e kishte fituar atë vite më parë.
Mirëpo para jurisë së Nobelit, u shfaq një pengesë shumë e madhe. Sipas rregullave, romani duhej të ishte botuar së pari në gjuhën amtare, pra në rusisht. Atëherë, në këtë pështjellim të paparë deri atëherë, në historinë e dhënies së këtij çmimi prestigjioz, hyri në “valle” CIA. Pikërisht, disa javë para dhënies së çmimit, një grup agjentësh të saj, arritën të zbulonin se në bordin e një avioni, që udhëtonte nga Moska për në Maltë, dikush kishte një kopje tjetër të dorëshkrimit të romanit “Doktor Zhivago”.
Ashtu si në filmat dramatikë “giallo”, që jemi mësuar të shohim në ekran, agjentët e CIA-s arritën të zotëronin dorëshkrimin, ta fotografonin faqe për faqe dhe kësisoj në shtator të vitit 1958, libri arriti të dilte në dritë si botim rus, të përhapej në Evropë dhe t’u jepej edhe një grupi turistësh sovjetikë, në një ekspozitë ndërkombëtare Bruksel. Pastaj ai u përhap në vende të tjera, madje të Evropës Lindore, duke përfshirë edhe Bashkimin Sovjetik.
Dhe me këtë dredhi, u arrit që kjo kryevepër, të bëhej e njohur dhe meritonte të vlerësohej me çmimin “Nobel”. Motivacioni me të cilin shoqërohej dhënia çmimit në fjalë, Pasternakut, ishte kjo: “Për arritjet e rëndësishme në poezinë moderne lirike dhe gjithashtu për vazhdimin e traditës së madhe, të romanit epik rus”. Por autoritetet sovjetike e kuptuan fare mirë se ky motivacion, lidhej kryesisht me publikimin e romanit “Doktor Zhivago”, që aq shumë po zgjonte interes në botën perëndimore.
Fillimthi në kulmin e një gëzimi të papërmbajtur, Pasternaku dërgoi në Stokholm, një telegram, në të cilin i shprehte jurisë, mirënjohjen e thellë për dhënien e Çmimit “Nobel”. Por, pas disa ditësh, i trysnuar nga kërcënimet e organeve të KGB-së, që diktoheshin nga qeveritarët sovjetikë, se po të merrte këtë çmim, do të kishte pasoja të rënda, ai u detyrua të deklaronte se; nuk e pranonte atë.
Aq më tepër, kur në mbledhjen e posaçme të shkrimtarëve të Moskës, më 31 tetor të vitit 1958, sekretari i Lidhjes së Shkrimtarëve të Bashkimit Sovjetik, Vasilij Smirnov, në një mbledhje deklaroi: “Nuk duhet të harrojmë se ‘Nobeli’ për letërsinë, po priret gjithnjë e më shumë nga motive politike, që nuk kanë asgjë të përbashkët me letërsinë…!
Çmimi ‘Nobel’ i është dhënë shkrimtarit fashist, Kamy, që njihet pak në Francë, i cili përfaqëson një personalitet, në një radhë me të cilin, nuk vihet as edhe një shkrimtar i zakonshëm. Ky Kamy i dërgoi një telegram urimi Pasternakut…! Pasternaku, duhet t’i drejtohet qeverisë, me propozimin që të tërhiqet nga marrja e këtij çmimi”. (Duartrokitje).
I denigruar dhe dërmuar shpirtërisht, Pasternaku u shtrëngua forcërisht të jetonte thuajse i internuar së bashku me familjen në qytetin e vogël Peredelniko, ku dy vjet më pas, më 1960 vdiq i harruar. Mbi bazën e romanit të tij në zë, “Doktor Zhivago”, siç dihet, Hollivudi realizoi filmin me të njëjtin titull, që u bë po aq në zë sa kjo vepër.
Romani arriti të botohej në Bashkimin Sovjetik, vetëm më 1988 dhe falë politikës së “Gllasnostit”, që shpalli udhëheqësi i atëhershëm sovjetik, Gorbaçov. Një vit më pas, biri i tij, Evgeni, u lejua nga autoritetet sovjetike, të shkonte në Stokholm dhe pas 31 vjetësh, të tërhiqte çmimin e “mallkuar”, “Nobel”. Pasternaku u rehabilitua dhe pastaj vepra e tij e plotë, ku përfshihet edhe “Doktor Zhivago”, u botua në Rusi në disa vëllime.
Të vijmë tani te Shollohovi dhe Kadareja, dy shkrimtarë thuajse bashkëkohorë, ndonëse shkrimtari unë i madh, ka lindur 31 vjet më vonë se i pari. Deri në fillim të viteve ’30-të të shekullit të kaluar, autor i disa vëllimeve me tregime dhe veçanërisht i tri vëllimeve të para të romanit të njohur epik “Doni i qetë” , kur ishte vetëm 27 vjeç, Shollohovi me kërkesën e tij, bëhet anëtar i Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik. (Kadareja u detyrua të bëhej komunist më 1976, kur ishte në moshën 38-vjeçare).
Shollohovi çmohet dhe njihet personalisht nga Stalini, i cili e mbron nga sulmet që i bëhen nga drejtues të Lidhjes së Shkrimtarëve të Bashkimit Sovjetik, dhe bën mirë, sepse “Doni i qetë”, sipas tyre, përshkohet nga një ekzaltimin i jetës së kozakëve, përshkrim jo shumë realist e luftës së klasave dhe të personazheve të kuq, veçanërisht të personazhit kryesor, Grigor Melehov, i lëkundur, që anon majtas djathtas dhe përfundon antikomunist. Madje Shollohovi ndërkohë, njihet personalisht me diktatorin e madh dhe, për më tepër, bëhet edhe mik tepër i madh i tij.
Për besnikëri ndaj pushtetit sovjetik dhe vetë Stalinit, Shollohovi më 1937 zgjidhet deputet i Sovjetit Suprem të Bashkimit Sovjetik dhe më 1941 për romanin “Doni i qetë”, në katër vëllime, me porosi të atij vetë i jepet çmimi “Stalin”. Edhe Kadareja u çmua nga Enver Hoxha, por diktatori, nuk e bëri mik dhe vetëm një herë e ftoi në shtëpinë e tij, (1972). Për më tepër, nuk e bëri anëtar të Komitetit Qendror të PPSh-së.
Me vdekjen e Stalinit, (1953), dhe ardhjes në fuqi të Hrushovit, që kritikoi ashpër dhe zbuloi krimet që ai i kishte shkaktuar popujve të Bashkimit Sovjetik, Shollohovi, përkrahu kursin e destalinizimit e vendit, por nuk shkroi qoftë dhe një tregim, në të cilin të pasqyroheshin sado pak, ngjarje të kësaj periudhe, aq të zymtë dhe tragjike në këtë vend.
Sidoqoftë, ashtu si Stalini, edhe Hrushovi e mbajti pranë Shollohovin, madje edhe në udhëtimet që ndërmori në vende të ndryshme të Evropës dhe veçanërisht më 1959 në SHBA-ës, e para vizitë e një udhëheqësi të madh sovjetik në kryeqendrën e botës kapitaliste. Jo vetëm kaq, por më 1961, për besnikëri ndaj kursit të ri që zbatohej në Bashkimin Sovjetik, më 1961, Hrushovi e zgjodhi Shollohovin edhe anëtar të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste.
Ndonëse regjimi hrushovian, ndërmori masa të rëndësishme për rehabilitimin e miliona njerëzve të pafajshëm, që humbën jetën në kampet e përqendrimit, të quajtura “Gulagë”, mbeti regjim i diktaturës, si në të gjitha vendet e kampit socialist, ndonëse jo me përmasat e diktaturës së tejskajshme të Enver Hoxhës, që e kishte shndërruar Shqipërinë në burg. Veç kësaj, as Ramiz Alia, ashtu si paraardhësi i tij, nuk e bëri mik Ismail Kadarenë, dhe as e mori ndonjë herë me vete në vizita, jo më jashtë vendit, por nëpër Shqipërinë “e bukur socialiste”.
Letrat dërguar “Nobelit”, për dy shkrimtarët e Bashkimit Sovjetik
Qysh më 1958, siç u përmend më sipër, Pasternaku kishte qenë disa here kandidat i “Nobelit”. Në mars të atij viti, Suedinë e vizitoi një delegacion i Lidhjes së Shkrimtarëve të Bashkimit Sovjetik dhe atje iu bë e ditur se ky shkrimtar, krahas poetit amerikan, Ezra Paund, dhe prozatorit italian, Moravia, ishte përsëri kandidat për të fituar “Nobelin”.
Atëherë kryesia e Lidhjes së Shkrimtarëve, i dërgoi ambasadorit sovjetik në Stokholm, një telegram, në të cilin porositej që ai; të bënte ç‘ishte e mundur që t’u njoftonte qarqeve letrare suedeze se në Bashkimin Sovjetik me çmimin “Nobel” duhej të nderohej Shollohovi, sepse; “…Pasternaku si letrar, nuk gëzon përkrahjen e shkrimtarëve sovjetikë dhe shkrimtarëve përparimtarë të vendeve të tjera”.
Por, megjithatë, siç e pamë më sipër, ky çmim iu dha Pasternakut për romanin e mësipërm. Më 1964, Sartri, shkrimtar dhe filozof i i njohur francez, duke refuzuar marrjen e “Nobelit”, deklaroi se, veç arsyeve vetjake, ai shprehte keqardhje që ky çmim, nuk ishte dhënë deri atëherë Shollohovit, por një shkrimtari tjetër sovjetik, “vepra e të cilit, ishte botuar jashtë vendit dhe ishte ndaluar në atdheun e tij”.
Pavarësisht se kjo deklaratë e Sartrit ishte shumë tendencioze, sepse vendimi që “Doktor Zhivago” të mos botohej në Bashkimit Sovjetik, siç e pamë, lidhej me arsye ideologjike, është fakt se “Nobeli” më 1965, iu dha Shollohovit për “Donin e qetë”, me motivacionin: “Për forcën artistike dhe integritetin me të cilën, në Donin e tij epik, ai ka dhënë shprehimisht një faze të jetës së popullit rus”.
Në ceremoninë e rastit, të zhvilluar në Stokholm, ndërsa mbreti i Suedisë, Gustav Adolfi VI, po i dhuronte çmimin, Shollohovi nuk bëri atë që e kishin bërë deri atëherë të tërë fituesit, pra nuk u përul para tij, duke e justifikuar këtë veprim me fjalët: “Ne, kozakët, nuk jemi përulur para askujt, ndaj, të më falni, që unë nuk përulem para mbretit dhe kaq…”, deklaratë që natyrisht, i la gojëhapur të pranishmit.(!?)
Që Shollohovi, mbeti shkrimtar me bindje të plota komuniste, e dëshmon edhe dhe qëndrimi që ai mbajti kundër shkrimtarëve disidentë sovjetikë, Sinjavski dhe Daniel, të cilët, meqë veprat e tyre për gabime ideore, nuk botoheshin në Bashkimin Sovjetik, arritën t’i kaloheshin dhe të botoheshin në Perëndim. Si pasojë, ata u arrestuan dhe u dënuan përkatësisht me 5 dhe 7 vjet internim. Kundër tyre u ngrit dhe nobelisti Shollohov, i cili zgjodhi tribunën e Kongresit të 28-të të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, (pranverë 1966), që, ndër të tjera, t’i sulmonte ata me fjalët:
“…Çuditërisht ka nga ata që gjykojnë se dënimi i tyre na qenkësh i ashpër. Unë do të dëshiroja t’u drejtohesha mbrojtësve të tyre në perendim: Mos u shqetësoni, të dashur, për ashpërsinë e kritikës sonë. Kritikën ne e mbështetim dhe e zhvillojmë. Ajo tingëllon e ashpër edhe në kongresin tonë. Por shpifja nuk është kritikë, por baltë moçalesh…”. (Duartrokitje).
Natyrisht që fjalët e Shollohovit nuk u pritën mirë, jo vetëm në perëndim, por as në Bashkimi Sovjetik nga intelektualë që ishin vënë në mbrojtje të shkrimtarëve të mësipërm. Idealet tij komuniste, Shollohovi i shprehu edhe kundër shkencëtarit të madh, Saharov, dhe shkrimtarit tjetër të shquar, Sollzhenjicin, i cili më 1970, si dhe vetë Shollohovi, ishte nderuar me çmimin Nobel, që u pasqyrua në letrën e një grupi shkrimtarësh sovjetikë, botuar në gazetën “Pravda”, më 31 gusht të vitit 1973, letër e nënshkruar dhe nga ai vetë.
Ndër të tjera, në të shkruhej: “Qëndrimi i njerëzve të tillë si Saharovi dhe Sollzhenjicini që shpifin kundër sistemit tonë shtetëror dhe shoqëror, nuk mund të ngjallë asnjë ndejnë tjetër, veçse neveri dhe dënim”. Si pasojë e këtyre qëndrimeve skajësisht komuniste, me plot të drejtë të krijohet bindja se Shollohovi jo vetëm nuk do ta fitonte, por as do të ishte kandidat i çmimit “Nobel”.
Kurse Kadareja, vërtet nuk i doli haptas në mbrojtje shkrimtarëve dhe artistëve që u dënuan, madje edhe u pushkatuan, se atij dhe kujtdo shkrimtari, kjo do t’i kushtonte të paktën disa vite të rënda internimi, në mos më shumë, por nuk u ngrit të derdhte vrer si Shollohovi në një kongres partie, ose të Lidhjes së Shkrimtarëve, dhe as shkroi kundër tyre. Përkundrazi, ai ka qenë përkrahës i krijimtarisë së shkrimtarëve të tillë.
Rasti Kadare, kandidati i “Nobelit” që nga viti 2000
Shollohovi, siç e pamë, vërtet pati probleme me drejtuesit e Lidhjes së Shkrimtarëve të Bashkimit Sovjetik, për tri vëllimet e para të “Donit qetë”, (1928-1932), që mund të sillte si pasojë mosbotimin e vëllimit të fundit, (1940), por atij i doli për krah vetë Stalini, i cili vendosi për të: “Le të shkojë menjëherë në shtyp”! Kurse Kadareja, pati probleme jo vetëm me kritikën, por jo rrallë edhe me vetë “kokat e mëdha” të Partisë.
Më 1969-ën u hoq nga qarkullimi numri 4 revistës “Nëntori”, ku ishte botuar edhe novella e tij “Përbindëshi”, e cilësuar me të meta të thella ideore. Më 1973, pas botimit të romanit; “Dimri i vetmisë së madhe”, ndaj shkrimtarit tonë të madh nisi një valë e e pandërprerë sulmesh, që u pasqyruan në shtypin e kohës, gjithashtu për të meta ideore, ndonëse figura e Enver Hoxhës, ngrihej lart. Pra, romani ishte thikë me dy presa, madje që në titull, “Dimri i vetmisë së së madhe”, që nënkuptonte se Shqipëria kishte mbetur pa asnjë mbështetje në botë.
Ndaj botimin e dytë të kësaj vepre, (1977), (për të parin pati vërejtje dhe vetë Enver Hoxha), Kadareja u shtrëngua, veç të tjerave, ta titullonte “Dimri i madh”. Ndonëse tërthorazi, në një plenum të Lidhjes së Shkrimtarëve, (1982) nga vetë Ramiz Alia, u kritikua romani “Nëpunësi i Pallatit të Ëndrrave”. “Botimi dhe ekspozimi jashtë, nuk mund të merret si kriter bazë, për vlerësimin e veprave, – tha ai në këtë plenum.
– …Po nuk qe e madhe dhe me vlerë, për popullin e vet, pak rëndësi ka se ku botohet vepra”, (Gazeta “Drita”, 22 mars 1982). Alia aludonte kështu për veprat e Kadaresë, duke përfshirë dhe romanin e mësipërm. Më 1976, Kadareja mund ta kishte pësuar ligsht, sepse dorëzoi për botim në gazetën “Drita”, poemthin, tashmë të njohur, me titullin “Pashallarët e kuq”, ku Enver Hoxha paraqitej si xhelat, i cili zbriste në themelet e shtetit, që të priste kokat të atyre që quheshin armiq.
Poemthi fatmirësisht u hoq nga botimi në çastin e fundit. Sidoqoftë, shkrimtari ynë u kritikua edhe nga vetë familja Hoxha, e cila menjëherë u vu në dijeni të këtij fakti. Ja se ç’shkruan me këtë rast, për këtë poemë Enver Hoxha, në ditarin e tij vetjak, të datës 20 tetor 1975: “Për këtë poet reaksionar, rendi ynë socialist, është rend burokratik dhe burokratët, duart i kanë me gjak të lyera deri në bërryl…dhe e çojnë trupin e revolucionit në varr”! Dhe, nëse Kadareja nuk përfundoi që atëherë në qelitë e errëta të burgjeve, kjo ndodhi sepse Enver Hoxha pati frikë se kundër tij do të ngrihej i tërë opinioni botëror, që e njihte tashmë veprën e tij.
Kurse Shollohovi, nuk shkroi dhe as botoi ndonjë vepër, ku të kishte shtrembërime të vijës së partisë, të drejtuar nga Stalini, pastaj nga Hrushovi dhe të tjerë që e pasuan, të cilët e mbajtën gjithnjë pranë. Kadareja në vitet e fundit të diktaturës shkroi romanin “Hija”, të cilin u detyrua të nxirrte fshehurazi jashtë vendit, në bashkëpunim dhe me drejtuesit e Shtëpisë Botuese “Fajard”, ta ekspozonte në një bankë që të gjente më vonë dritën e botimit në Francë.
Qe fat që ky roman pas rrëzimit të komunizmit u botua jo vetëm në atë vendit, por edhe në Shqipëri. Kurse Shollohovi ishte më 1966 kur iu dha “Nobeli” besnik i idealeve të partisë së tij dhe, siç e pamë, mbeti tillë. E përfytyrueshme, vërtet e tillë…! Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016