Dashnor Kaloçi
Pjesa e tretë
Memorie.al publikon një dokument arkivor të nxjerrë nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë ku ndodhet diskutimi i Enver Hoxhës i mbajtur në mbledhjen e Sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së më datën 23 shkurt të vitit 1973, ku ishin të thirrur edhe kuadrot kryesorë të forumit më të lartë të organizatës së Bashkimit të Rinisë së Punës së Shqipërisë, të kryesuar nga Agim Mero, sekretari i parë i Komitetit Qendror të Bashkimit të Rinisë së Punës së Shqipërisë, që Enveri urdhëroi të thirrej me urgjencë në atë mbledhje. Fjala e plotë e Enver Hoxhës në atë mbledhje ku ai për herë të parë morri në analizë të gjitha “problemet e rinisë” si dhe “edukimin e saj”, me artin, kulturën, letërsinë, kinematografinë, librat, bibliotekat, vatrat dhe shtëpitë e kulturës, aksionet, zboret, punën vullnetare, etj. Si dhe problemet që kishin dalë dhe shfaqeshin tek disa të rinj, me modën, shfaqjet e huaja, ndikimet moderniste, etj.
Diskutimi i Enver Hoxhës në mbledhjen e Sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së, më 23 shkurt 1973
Punëtorët në fabrika, për të mos folur për nëpunësit, të cilët zor është të kontrollohen, në vend që të punojnë tetë orë plot, punojnë gjashtë deri gjashtë orë e gjysmë dhe maksimalja shtatë orë. Në fshat koha e punës zbret deri në pesë ose në gjashtë orë. Atëherë pse bëni fjalë për të bërë tetë orë, apo që rinia e fshatit të bëjë pesë orë në ditë? Mund të më thuhet se kjo nuk është kështu. Mundet, po atëherë na e vërtetoni. Por vetëm të dini një gjë, se i riu në kooperativë s’punon i izoluar, ai punon në brigadë, prandaj tok me brigadën duhet ta fillojë dhe ta mbarojë punën. Të mos harrojmë, gjithashtu, se puna e punëtorit kontrollohet, sido që ky kontroll duhet forcuar akoma, po duhet kontrolluar, gjithashtu, edhe shata që hedh kooperativisti, pse nga goditja e shatës varet vonesa në punë, apo ikja shpejt, kurse lekët ai i merr në çdo 15 ditë dhe rezultatin e punës e sheh në fund të vitit.
Ju thoni me lehtësi se ky pretendim i rinisë fshatare nuk është i tepruar, por mos harroni se edhe prodhimi bujqësor ka kërkesat e veta, ka disiplinën e fortë të tij, mënyrën dhe sasinë e punës i ka të llogaritura. Shumë nga drejtuesit e bujqësisë në fillim marrin zotime dhe bëjnë premtime të bujshme, kurse në fund shohim të krijohen shumë defiçite. Në bujqësi ka, gjithashtu, brigada të së njëjtës kooperativë, ku punojnë të rinj të atillë që natën e bëjnë ditë dhe bëjnë mrekulli, kurse ka brigada të tjera ku, megjithëse ka mjaft të rinj, qëndrojnë shumë prapa. Kjo nuk do të thotë se rinia e fshatit nuk argëtohet e nuk çlodhet. Megjithatë puna duhet organizuar më mirë, mekanizmat duhen përdorur më mirë, shumë punime duhen mekanizuar që të fitohet kohë, por të bëhet ashtu si thoni ju, më duket se do të jetë e zorshme. Të rinjtë e të rejat kooperativiste të plotësojnë më parë 8 orëshin si duhet dhe kjo për punët bujqësore nuk është diçka e fiksuar si në fabrikë, pse në bujqësi do të duhet të punohet edhe më shumë, pasi ka momente që kooperativistët lidhin duart, jo se duhet t’i lidhin, por këtë e bëjnë për të pirë cigare, apo për të bërë muhabete pa mbarim.
Gjithashtu, mua më duket si një gjë e pakonceptueshme që, meqenëse në disa vende pune punohet me tri turne, në to ne duhet të ndryshojmë krejtësisht ndërtimin e gjithë punës kulturore, artistike, sportive etj. Ndonjë gjë e vogël, kur ka mundësi, le të shikohet, si fjala vjen, ndonjë kinema të punojë edhe në mëngjes për punëtorët e turneve të dyta e të treta, por që te bëjmë ndryshime rrënjësore në këtë drejtim, kjo është e vështirë, sepse neve na mungojnë mjetet, personeli etj. Më falni, shokë të rinisë, se mund t’ju duket sikur kjo biseda ime përmban një sërë qortimesh për punën tuaj. Kjo deri diku është e vërtetë, por duhet thënë se në punën e rinisë sonë ka shumë të mira që janë të mëdha, si në numër, ashtu edhe në vlera morale, ideologjike dhe politike, dhe shumë frymëzuese për të gjithë, por midis gjithë këtyre ka edhe të meta. Këto të meta na lejohet ti fshehim? Jo, shokë! Kështu nuk na mëson Partia, përkundrazi ato duhet t’i vëmë mirë në dukje, me qëllim që t’i ndreqim dhe sa më shpejt. Mund të përdorja edhe një formë tjetër pak më të lehtë për t’i venë në dukje të metat që parashtrova, por unë mendova se shokët e Sekretariatit të Komitetit Qendror të Rinisë pavarësisht se janë të rinj nga mosha, janë komunistë të pjekur, atyre Partia dhe rinia u ka dhënë të drejta dhe u ka ngarkuar detyra të rëndësishme. Pastaj këta shokë le t’i dëgjojnë këto vërejtje nga ne, kështu siç i mendojmë, pse ata dinë vetë se si t’i gjejnë format më të përshtatshme për t’ia shtruar rinisë.
Ne e kuptojmë fare mirë rininë tonë të mrekullueshme dhe jemi më se të bindur se edhe rinia na kupton ne të brezit më të vjetër. Lufta e Partisë për edukimin e punonjësve dhe të rinisë, përveç të tjerave, duhet parë edhe në lidhje me luftën që bëjnë armiqtë imperialistë e revizionistë kundër vendit tonë, me presionin ideologjik që ata ushtrojnë mbi njerëzit tanë. Partia ka folur e flet vazhdimisht për rrethimin imperialisto-revizionist. Më duket se kjo tezë realiste e Partisë shpeshherë nga disa kuptohet ngushtë, ajo merret vetëm si nocion gjeografik dhe si një paralajmërim që të jemi kurdoherë të gatshëm ushtarakisht për t’i bërë ballë agresionit eventual të këtyre armiqve të egër të atdheut tonë socialist. Por kjo është e njëanshme. Është e domosdoshme të kuptohet thellë se rrethimi imperialisto-revizionist shprehet çdo ditë e çdo orë me anë të presionit të madh ideologjik, që ka për qëllim të çoroditë mendjet e atyre njerëzve tanë të shkujdesur, të shthurë ekonominë dhe organizimin tonë, të degjenerojë politikisht e moralisht masat e në mënyrë të veçantë rininë e inteligjencien tonë, të dobësojë frymën revolucionare e të ushqejë indiferentizmin dhe apolitizmin.
Me këtë rrugë revizionistët morën pushtetin në Bashkimin Sovjetik dhe në shumë vende të tjera. Këtë eksperiencë të hidhur asnjëherë të mos e harrojmë. Elementi armik brenda vendit, i nxitur nga imperializmi e revizionizmi, në forma nga më të ndryshmet i ka përvetësuar dhe përpiqet ti zbatojë këto taktika në luftën e vet kundër Partisë e pushtetit popullor. Armiku nuk del dot haptazi kundër vijës së Partisë, sepse e di që mbi të do të bjerë i fuqishëm grushti i pushtetit popullor, por përpiqet të deformojë direktivat e Partisë e të pushtetit. Ai ka frikë të dalë hapur, për shembull, kundër kooperativave bujqësore apo të sabotojë siç do ai prodhimin, sepse e di që e pëson shumë keq, por në forma të ndryshme ai nxit shthurjen e disiplinës në punë, atje ku mundet inkurajon tendencat për të vënë mbi gjithçka interesin e ngushtë personal, përpiqet të pengojë iniciativat revolucionare për vendosjen e normave të përparuara, për rritjen e rendimentit etj.
Elementi armik nuk bën dot haptazi thirrje kundër pushtetit popullor, kundër socializmit, sepse e ka provuar dhe e di se vetë masat punonjëse, vetë rinia jonë revolucionare do t’i hidhej në fyt për ta varrosur të gjallë, prandaj, për t’ua arritur qëllimeve të tij armiqësore, përpiqet të degjenerojë pushtetin e rendin tone socialist me anë të inkurajimit të liberalizmit e të indiferentizmit, të hapjes së shtigjeve për futjen te ne të ndikimeve të huaja. si në arte e letërsi, në mënyrën e sjelljes, në modë etj. Prandaj ne duhet të jemi vigjilentë që të vëmë re jo vetëm shfaqjet dhe ndikimet e huaja që janë evidente për t’u kuptuar, por edhe ndonjë prirje të maskuar në disa shkrime që botohen për letërsinë, për teatrin ose për muzikën tonë, me qëllim që të diktohen me kohë disa njolla, të çilat, po t’i lëmë pa goditur, do të trashen e do të bëhen me brirë. Është e domosdoshme që këto probleme të bëhen objekt i luftës sonë ideologjike në frontin e letërsisë dhe të arteve, sidomos për disa gjëra që nuk tingëllojnë mirë. Një nga format e punës për të ngritur nivelin ideopolitik e kulturor dhe për të mprehur vigjilencën e njerëzve tanë janë diskutimet dhe debatet, prandaj të mos u sillet asnjë pengesë ballafaqimit të mendimeve të kundërta dhe rrahjes së gjithanshme të problemeve. Diskutimi në tym, pa u përgatitur dhe sa për të thënë diçka, është i gabuar.
Të flasësh për të aprovuar diçka, pa ditur përse është çështja, do të thotë të shprehësh mendime pa baza dhe pa vlerë. Diskutimi objektiv, në bazë të një shkalle njohjeje të mjaftueshme, është kurdoherë i dobishëm. Duke gjykuar për një vepër letrare ose artistike, mund të ngresh anët e mira dhe të këqija në drejtim të stilit, të ndërtimit, të gjuhës etj., si dhe të natyrës politike dhe ideologjike të saj. Të metat në stil, në ndërtimin e veprës, në bukurinë e shprehjeve etj., janë të meta të rritjes, ndërsa çështjet e natyrës politike dhe ideologjike janë jashtëzakonisht të rëndësishme. Ne mund të pranonim një vepër të shkruar dobët nga ana stilistike, por nuk mund të pranojmë në asnjë mënyrë një vepër ku ka dhe mbrohen pikëpamje reaksionare. Diskutimi në të gjitha këto fusha është i nevojshëm, bile i domosdoshëm, ai duhet të bëhet i gjallë dhe revolucionar, sidomos kundër pikëpamjeve të huaja. Ka raste kur shprehet ndonjë mendim i çoroditur, sipas të cilit u dashka që ne të ndjekim symbyllur rrugën e zhvillimit evropian. Jo, shokë, ne nuk mund dhe nuk duhet të ndjekim “rrugën e Evropës”, përkundrazi është Evropa që duhet të ndjekë rrugën tonë, pse nga pikëpamja politike ajo është shumë prapa nesh, është shumë larg asaj për të cilën luftuan Marksi, Engelsi, Lenini dhe Stalini dhe për të cilën lufton sot Partia jonë. Sigurisht, nuk mund të mohohet që në Evropë ka edhe gjëra të mira, sidomos në drejtim të zhvillimit të shkencës dhe të teknikës.
Këto realizime nuk i hedhim poshtë, por në asnjë mënyrë nuk mund të pranojmë që politikisht “të zhvillohemi sipas rrugës evropiane”, Është krejt ndryshe kur përpiqemi të marrim nga vendet jo socialiste diçka në fushën e zhvillimit material. Në jetën e përditshme përdoret nganjëherë shprehja: “E ka nxjerrë frëngu këtë”. Populli ynë e ka përdorur këtë shprehje për të vënë në dukje mjeshtërinë dhe zotësinë e atij që e ka prodhuar atë dhe nuk është vështirë të kuptosh se sendi i ardhur nga jashtë që të pëlqen nuk është aspak vepër e borgjezisë së korruptuar, por e klasës punëtore dhe e asaj inteligjencie teknike të vendit ku është prodhuar, e cila është shkrirë në punë dhe shfrytëzohet egërsisht nga kapitali dhe jeton në vuajtje e në mjerim. Duke i pasur mirë të qarta këto çështje, atëherë do të jemi në gjendje t’u kundërvihemi si duhet dhe t’u tregojmë vendin atyre, që, për qëllime politike të caktuara, na rekomandojnë të ndjekim “rrugën evropiane të zhvillimit”. Ka disa që mendojnë se vrulli i luftës kundër shfaqjeve e ndikimeve të huaja do të zgjatë një muaj ose e shumta një muaj e gjysmë, pastaj ai do të bjerë dhe do të kalohet në ndonjë tjetër slogan. Jo, shokë, Partia ka punuar, punon e do të punojë vazhdimisht që te ne zhvillimi I revolucionit në fushën e ideologjisë e të kulturës, që karakterizohet nga lufta klasore kundër të gjitha formave të ideologjisë së huaj, nuk do të zhvillohet as për një muaj dhe as për dy, po për një kohë shumë të gjatë, për dhjetëra e dhjetëra vjet.
Shfaqjet e ideologjisë borgjeze e revizioniste janë dukur veçanërisht këto vitet e fundit, kur Partia po lufton me intensitet dhe frontalisht për revolucionarizimin e saj, të rinisë dhe të të gjitha masave të gjera të popullit. E keni konstatuar këtë fenomen ju shokët e rinisë? Pse filluat të veproni ju vetëm kur fola unë në Presidiumin e Kuvendit Popullor? Nuk qenë ngritur ndonjëherë tjetër më parë nga Partia këto probleme?! A ta merr mendja ty shoku Ilia! që, për shembull, rinia e Vlorës, me gjithë ato tradita të mëdha heroizmi e luftërash shembullore për Shqipërinë kundër Italisë borgjeze dhe fashiste, ta presë me brohoritje vënien në skenë të këngëve të shthurura italiane, të kënduara në italisht, për dashurinë? Kjo gjë nuk u lejua të bëhej, por ata që drejtojnë këto punë e kishin vënë në plan dhe bënin prova për t’’i shfaqur të tilla këngë. Një pjesë e rinisë, meqë nuk kishte sinjalizim dhe meqenëse ai që e vinte në skenë pretendonte se “i kishte ardhur pëlqimi nga lart”, nuk ishte çudi që mund t’i duartrokiste këto këngë pa përmbajtje të shëndoshë.
Ne duhet të punojmë që njerëzit të gjykojnë vetë dhe, kur shohin skena të tilla, të kenë guximin e të thonë: “Qërohu këtej me këtë shfaqje! Në qoftë se vërtet ke marrë aprovimin në Tiranë, u shkruaj atyre që të kanë thënë, se nuk janë në rregull. Ne, këtu në Vlorë, nuk këndojmë këngë të shthurura dashurie italiane”. Ju nuk duhet të tërhiqeni nga pikëpamjet tuaja edhe kur ju thonë se këtë çështje e ka parë dhe e ka vendosur Partia, sepse, nën maskën e Partisë, në disa raste, mund të fshihen shumë gjëra të këqija. Në qoftë se kritika për Radio-Televizionin bëhet deri në njëfarë shkalle, por nuk shkon gjer në fund, atëherë problemet rrumbullakosen dhe, për të mbuluar dobësitë, thuhet: “Epo këto i ka vendosur Partia”, “Këto i di Partia”. A e kuptoni ju, se kështu mund të bëhen gabime të mëdha? Partia, direktivat i ka të drejta, por ato shtrembërohen nga disa njerëz. Këta që shtrembërojnë direktivat e Partisë, t’i vëmë përpara përgjegjësisë, duke luftuar mendimet e tyre nëpërmjet diskutimit dhe debateve, të çilat, kur zhvillohen në frymë të drejtë marksiste-leniniste, ndihmojnë shumë për të gjetur rrugën e daljes.
Në qoftë se edhe diskutimet e forta nuk e zgjidhin çështjen, atëherë Partia shikon thellë tërësinë e problemit dhe nxjerr konkluzionin e saktë se kush ka përgjegjësi. Tashti që u ngrit me të madhe ky problem nga Partia, të tërë ata që kanë gabuar i kanë mbledhur këmbët. Pse nuk e botuat ju në gazetën “Zëri i rinisë” artikullin që ishte përgatitur për Festivalin e 11-të të Këngës në Radiotelevizion? Në atë shkrim ju shprehnit mendimet që kishit për festivalin. Ishin ose jo të drejta ato që përmbante artikulli, atë e vendosni ju, sepse “Zëri i Rinisë” është organ i Komitetit Qendror të BRPSH. Asnjë të drejtë nuk kishte Todi Lubonja t’jua kërkonte artikullin për ta shikuar para botimit. Ai e bëri këtë, pasi kisha folur unë në Presidiumin e Kuvendit Popullor, ku, midis të tjerash, kritikova festivalin, sepse para kësaj kohe, ai notonte në sfera kënaqësie. Ju i’a dërguat pa arsye shkrimin Todit, i cili, pasi e lexoi, ju kishte shkruar se artikulli ishte “as mish, as peshk”. Ku ishte guximi juaj që, pavarësisht nga mendimi i një tjetri, të botonit në shtyp mendimet tuaja, ashtu si i kishit dhe të merrnit përgjegjësi përpara Partisë? Në qoftë se ju nuk do të kishit mendime të drejta, Partia do t’ju kritikonte dhe do t’ju sqaronte. Në qoftë se e kishit mirë, atëherë do të hynit në një konflikt të domosdoshëm me shokët e Radio-Televizionit dhe do ta ndihmonit Partinë.
Në rastin konkret ju mund t’i thoshit Todi Lubonjës: “Ne kemi mendimin tonë, çfarë do ti që po na ndërhyn”?! Siç tha shoqja Lumturi (Rexha) as ju, as disa të rinj, që kishin mendime për festivalin, Todi nuk ju pyeti. Atëherë, me ç’të drejtë ai kërkoi të kontrollonte artikullin që deshët të botonit? Në këtë rast ju duhej ti kishit thënë: “Pa kthe krahët dhe mos u fut aty ku s’të takon!”. Ju mund të na thoni se artikulli nuk ishte në rregull. Po të jetë kështu, bëtë mirë që nuk e botuat në gazetë, sepse mund të krijohej një situatë jo e kënaqshme për rininë dhe udhëheqjen e saj. Por unë e ngre problemin nga pikëpamja e mbrojtjes me kurajë të mendimeve dhe e mbajtjes së përgjegjësisë për veprimet që kryeni. Edhe po ta kesh gabim një mendim, është më mirë ta thuash sesa ta mbash në kokë. Edhe kur një shfaqje teatrale e shikon ndonjë nga udhëheqësit, kjo nuk do të thotë që ai të realizojë menjëherë, aty për aty, në të tëra hollësitë, anët e mira dhe të dobëta të pjesës që shfaqet. Në qoftë se udhëheqësit i kërkohet mendimi menjëherë, ai mund të thotë aty për aty edhe diçka jo shumë të bazuar, por, kur kthehet në shtëpi dhe reflekton dalëngadalë, atëherë është në gjendje të japë një gjykim më të saktë.
E mira është që në këto raste, të mos shpejtohemi në dhënien e mendimeve, sidomos kur diçka shfaqet për herë të parë. Unë, kur pashë dramën “Njollat e murrme”, që në fillim nuk e aprovova. Kur dola në pushim, Thoma Deliana, më shfaqi mendimin se ajo ishte “shumë e bukur”, “pjesë e re”, “novatore” etj. Unë nuk thashë asnjë mendim. Pasi e pashë gjer në fund, atëherë i thashë Thomait se drama më dukej e gabuar dhe, sipas mendimit tim, nuk e vlente të shfaqej më në skenë. Edhe kur u organizua festivali i fundit në Radio-Televizion, disa këngë mund të ishin të bukura, prandaj ndonjë shok me përgjegjësi mund të ketë thënë fjalë të mira për to. Por, ata që janë të predispozuar të përziejnë të mirën me të keqen, mezi presin për t’i marrë kapital këto fjalë dhe për të interpretuar e propaganduar çdo gjë sipas dëshirës së tyre. Unë nuk e barazoj gabimin e një të rrituri me pikëpamje moderniste, me atë të një djali të ri, që nuk e kupton të keqen, duke kujtuar se ajo është e mirë, pasi i thonë sikur gjoja e ka rekomanduar Partia. Këtë gjë i riu e mendon me gjithë shpirt, sepse për Partinë ai është gati të hidhet në zjarr. Por, njerëzit me pikëpamje moderniste, që synojnë për ta çuar rininë në një rrugë të shtrembër dhe punojnë shtatë-tetë muaj të tërë për të shfaqur publikisht gjëra të papëlqyera, duhet të gjykohen ndryshe.
Kur këta thonë që “kështu gjykoi udhëheqja”, se “për të kënduar në festival këto këngë, dha urdhër udhëheqja, që i shikon më mirë këto gjëra” etj., kanë për qëllim të mbytin kritikën nga poshtë. Pikërisht këtu qëndron një nga anët e dobëta të kësaj çështjeje. Me këto parulla, të tillë njerëz duan t’i rrumbullakosin e t’i mbulojnë fajet e tyre para të rinjve dhe masave, duke e paraqitur çështjen sikur një shok udhëheqës i Partisë i ka thënë një shoku të tyre, se gjoja i ka pëlqyer shumë kjo ose ajo pjesë, e cila është luajtur në skenë. Këto llafe qarkullojnë gojë më gojë dhe fjala që mund të ketë thënë ndonjë shok që: “Kjo vepër apo këngë sikur nuk ishte e keqe”, shndërrohet në mendim të udhëheqjes, sikur gjoja ajo është shprehur se qenka shumë e mirë!! Njerëz me pikëpamje moderniste e liberale, spekulonin me shprehjet: “Kështu mendon udhëheqja”. “Këtë e di udhëheqja”. Në të vërtetë, frymëzues i pikëpamjeve dhe i tendencave të shtrembra ishte Fadil Paçrami, i cili, duke qenë anëtar i Komitetit Qendror të Partisë dhe sekretar i Komitetit të Partisë të Tiranës. Nuk rrezikohet Partia kur edhe një udhëheqësi kryesor të saj, që ka bërë një vlerësim të gabuar, t’i thuhet: “Ti, shok, ke vepruar gabim!” Në një rast të tillë, përkundrazi i bëhet shumë mirë Partisë dhe vetë udhëheqësit që të ketë mendjen dhe të mos nxitohet herë tjetër në vlerësimet që bën./Memorie.al
Vijon në numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016