Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon disa dokumente nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë, në të cilat bëhet fjalë lidhur me konfliktet e qeverisë shqiptare me atë italiane në vitet 1945-’53, pasi Roma zyrtare nuk i përgjigjej kërkesave të herë pas hershme, të qeverisë komuniste të Enver Hoxhës, e cila kishte bërë disa nota proteste lidhur me mbajtjen dhe strehimin në disa kampe të Italisë, të krerëve kryesorë të mërgatës politike shqiptare, si: Hasan Dosti, Ernest Koliqi, Kol Bib Mirakaj etj. Si iu përgjigj qeveria italiane notës së protestës, së qeverisë komuniste të Enver Hoxhës dhe kundërpërgjigja e Tiranës zyrtare, ku Enver Hoxha jepte sugjerimet e tij, se si duhej demaskuar qeveria e kryeministrit De Gasperit, si me anë të shkrimeve të ndryshme në shtypin shqiptar, ashtu dhe me shkrime në shtypin e majtë italian, duke i furnizuar ata me material propagandistik
ATSH-ja ofendon Romën (“Bandits de Romë”)
Sherri apo konflikti në mes qeverisë komuniste shqiptare të Enver Hoxhës dhe asaj italiane, të kryesuar prej kryeministrit De Gasperi, kishte nisur që në fundin e vitit 1944, kur me ndihmën e forcave aleate anglo-amerikane, me dhjetëra shqiptarë të arratisur politikë, gjetën strehë dhe u morën në mbrojtje nga qeveria italiane, e cila i sistemoi ata në disa kampe të Romës, Santa-Farës, Rexhio-Emilias etj. Që nga ajo kohë e më pas, qeveria shqiptare vazhdoi t’i kërkonte qeverisë italiane, që t’i dorëzonte ata shqiptarë që mbaheshin si emigrantë politikë, nëpër kampet e ndryshme të Italisë, duke i cilësuar si: “kriminelë lufte” që duhej të ktheheshin në vendin e tyre, për të dhënë llogari para gjyqeve të popullit. Ndër eksponentët kryesorë të emigracionit antikomunist shqiptar, që kishin marrë statusin e azilantit politik, në vendet perëndimore, Tirana zyrtare përmendte më shpesh emrat e Hasan Dostit (i cili kryesonte dhe Komitetin ”Shqipëria e Lirë”) dhe Ali Këlcyrës, Gjon Marka Gjonit, Ernest Koliqit etj. Por të gjitha kërkesat zyrtare të qeverisë shqiptare, nuk u morën asnjëherë në konsideratë nga qeveria e Romës dhe nisur nga kjo, shpeshherë Tirana zyrtare bënte deklarata të ashpra në drejtim të saj, duke përdorur edhe fjalorin më banal. Sipas dokumenteve arkivore, një nga këto deklarata të qeverisë shqiptare, e cituar nga Agjencia Telegrafike Shqiptare, është bërë në datën 2 mars të vitit 1953, gjë që e ka detyruar qeverinë italiane të dorëzojë pranë ambasadës shqiptare në Romë, një notë proteste kundër qeverisë shqiptare.
Dokumenti për Enverin
Lidhur me të gjitha këto bëhet fjalë në një prej dokumenteve të Ministrisë së Jashtme, që mban datën 13 maj 1953 dhe që i drejtohet për miratim kryeministrit Enver Hoxha, i cili me dorën e tij, ka vënë shënimin: “Dakord me këtë çështje. Të bëhet kështu. Enver”. Në atë dokument thuhet:
PRO-MEMORIE
Më datën 22/ II/1953, me shkresë Legata e jonë në Romë, na njoftoi se me datën 2 dhjetor 1952, radioja italiane dha një emision nga kriminelët shqiptarë, me rastin e 28 nëntorit, me shpifje dhe trillime për gjendjen në Shqipëri.
Po në këtë emision u bë fjalë edhe për mbledhjen e kriminelëve shqiptarë, më 28 nëntor 1952, në Romë dhe u dhanë pjesë nga fjalimi i Eqerem Vlorës. Me rastin e Krishtlindjeve më 20 dhjetor 1952, radioja italiane transmetoi fjalimin e Gjon Marka Gjonit, kundër Republikës Popullore të Shqipërisë.
Me datën 5 mars 1953, me notë Legata e Italisë në Tiranë, i njoftonte kësaj Ministrie, se në buletinin e Agjensisë Telegrafike Shqiptare, datë 2 mars Nr. 51, në përmbledhjen e shtypit shqiptar (faqe 3 rreshti i 11) ka riprodhuar një artikull të gazetës “Zëri i Popullit”, në të cilën ka një shprehje ofensive (“bandits de Romë”), e cila nuk drejtohet veçse kundra qeverisë Italiane.
Legata e Italisë shtonte në notën e saj se: buletini i Agjensisë Telegrafike Shqiptare, ka karakter zyrtar dhe si rrjedhim duhesh të evitohesh, riprodhimi i një shprehje të tillë, e cila jo vetëm që është në kundërshtim me rregulloren diplomatike, porse gjithashtu jep provë jo të mire, mbi relatat që ekzistojnë midis Italisë dhe Shqipërisë.
Më datë 21 prill, Legata jonë në Romë na njofton se kishte mësuar nga shtypi, reaksionar Italian se me datë 20 mars, kriminelët Gjon Marka Gjoni dhe Ernest Koliqi, kishin mbajtur një konferencë politike kundër vendit tonë në qytetet Parma, Krotone, Marsala, Trapani, Milano etj.
Më datën 22 prill, udhëzuam legatën tonë, që të bënte një notë proteste duke cituar të gjitha rastet e mësipërme dhe duke vënë në dukje, se qeveria italiane në kundërshtim me Traktatin e Paqes, po ndihmonte kriminelët e luftës shqiptarë dhe të kërkonte dorëzimin e tyre.
Më datën 24 prill, Legata jonë në Romë, dorëzoi notën e protestës, Ministrisë së Punëve të Jashtme Italiane. Njëkohësisht me dorëzimin e notës, ne folëm me shokët e shtypit tonë, që të shkruhesh ndonjë artikull dhe të demaskohesh ky qëndrim i Qeverisë Italiane, lidhur kjo dhe me fushatën e zgjedhjeve në Itali.
Me datë 8 maj 1953, Legata jonë në Romë na njofton se Ministria e Punëve të Jashtme Italiane, i kishte kthyer përgjigje protestës sonë dhe se në notë përgjigjen, nuk vihej as data dhe as formulat e politesës. Në notë-përgjigjen e saj, Ministria e Punëve të Jashtme Italiane, nuk u përgjigjet fakteve, por se thotë se Italia është vend i lire, ku të arratisurit në bazë të kushtetutës, jo vetëm që strehohen, por se mund të zhvillojnë ato liri që u mohohen në vendin e tyre.
Njëkohësisht me datën 7 maj 1953, zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme Italiane, në konferencë shtypi mbi problemet aktuale trajtoj si pikë të dytë relatat me Shqipërinë, duke u përqendruar në protestën tonë dhe në përgjigjen e italianëve. Në këtë konferencë zëdhënësi e ka përfunduar pikëpamjen e tij mbi Shqipërinë, duke deklaruar se pikëpamja e Qeverisë Italiane mbi Shqipërinë, është e njohur: Liri, independencë dhe integritet tokësor (teksti i telegramit të fundit).
Më datë 3 mars 1953, shtypi i djathtë italian, botonte ato çka tha zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme Italiane, duke shtuar dhe komentuar se relatat me Shqipërinë, nuk kanë gjetur normalitetin e dëshiruar për shkak gjoja të politikës së Qeverisë sonë. Gjatë konferencës së shtypit, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Italiane, u pyet nga një gazetar se: çfarë lajme ka Qeveria Italiane mbi gjendjen në Shqipëri, mbi rezistencën dhe lëvizjet kundër regjimit të sotshëm. Zëdhënësi u përgjigj se nuk rezulton që gjendja e brendshme dhe ndërkombëtare e Shqipërisë, të ketë pasur evolucion. Në lidhje me sa më sipër, mendojmë që:
a) Legata jonë në Romë të kthejë mbrapsht notën italiane, duke përmendur se ajo notë nuk i përgjigjet aspak realitetit dhe s’ka format më elementare të politesës.
b) Shtypi i partisë dhe ai progresist në Itali, të shkruaj për të demaskuar deklaratën e zëdhënësit të Ministrisë Jashtme Italiane. Kjo gjë do t’u vlejë edhe shokëve italianë, që të demaskojnë qeverinë e De Gasperit, tani përpara zgjedhjeve duke treguar përpara opinionit publik Italian, se kushtetuta italiane nuk i mbron kriminelët e luftës, armiqtë e popullit, dhe njerëzit e fashizmit sikurse janë Hasan Dosti, Ernest Koliqi, Kol Bib Mirakaj etj. (Legata jonë t’u japi atyre materialin).
c) Edhe shtypi jonë të shkruaj me rastin e parë, për këto gjëra duke demaskuar qëndrimin e qeverisë Italiane”.
Letra nga Roma për Paçramin
Pas propozimit të bërë nga Ministria e Punëve të Jashtme në Tiranë, për t’iu kundërpërgjigjur qeverisë italiane, gjë që është firmosur nga Enver Hoxha, lidhur me konfliktet e qeverisë shqiptare, me atë italiane për problemin e mërgatës politike shqiptare në Itali, ka edhe një letër tjetër nga ambasada shqiptare e Romës, e cila i drejtohet Fadil Paçramit.
Në atë informacion, që mban siglën “Tepër sekret” dhe të titulluar “Disa informata mbi aktivitetin e kriminelëve shqiptarë në Itali dhe përkrahjen që u jep Qeveria Italiane këtyre”, pasi jepen disa të dhëna të hollësishme, lidhur me aktivitetin e mërgatës politike shqiptare në Itali, midis të tjerash thuhet: “Neve mendojmë:
- Që duke marrë shkas nga këto akte të kriminelëve shqiptarë, të shkruhet një artikull në gazetë mbi politikën armiqësore konsekuente të qeverisë italiane, karshi vendit tonë, duke përmendur faktet e mësipërme të kësaj veprimtarie armiqësore, porse pa përmendur në artikull aspak notën që ka dërguar legata jonë ose që na kanë dërguar ata.
- Qëllimi ynë është që të demaskohet me forcë veprimtaria e Qeverisë Italiane ndaj vendit tonë, porse pa hyrë në polemikë me të. Për këtë çështje kemi kërkuar të shkruaj edhe shtypi i majtë italian duke demaskuar deklaratën e zëdhënësit të Ministrisë së Punëve të Jashtme. Kjo gjë do t’u vlejë edhe shokëve italiane, që të demaskojnë qeverinë tani në kohën e zgjedhjeve, duke treguar se me kushtetutën italiane ajo nuk duhet t’i mbaj këta njerëz të fashizmit dhe nxitës lufte sikurse janë: Hasan Dosti, Ernest Koliqi, Kol Bib Kirakaj etj. porse qeveria Italiane e ka shkelur në mënyrën më brutale Kushtetutën”./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016