Dashnor Kaloçi
Pjesa e pesëdhjetë e tre
Memorie.al publikon një dosje arkivore voluminoze të nxjerrë nga institucioni i Autoritetit për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ndodhen me qindra dokumente me siglën “Tepër sekret” që i përket ish-të dënuarit politik, Xhavit Qesja, me origjinë nga qyteti i Krujës, familja e të cilit gjatë periudhës së pushtimit të vendit, 1939-1944, u lidh ngushtë me Lëvizjen Antifashiste, duke qenë një ndër bazat kryesore të saj dhe vuri në dispozicion të gjithë pasurinë që kishte, pasi Xhaviti ishte një ndër anëtarët e parë të Partisë Komuniste Shqiptare për rrethin e Krujës, duke drejtuar batalionin partizan Krujë-Ishëm dhe Brigadën e 22 Sulmuese. Karriera politike e Xhavit Qeses pas mbarimit të Luftës, ku ai u emërua dhe shërbeu në detyra të larta në Ushtrinë Shqiptare, aparatin e Komitetit Qendror të PPSh-së, e disa rrethe të vendit, nga ku u dërgua me studime në Bashkimin Sovjetik, ku qëndroi deri në vitin 1957, kur ai u njoftua që të kthehej urgjent në Shqipëri, pasi kishte shprehur hapur pikëpamjet e tij pro vijës politike që po ndiqte udhëheqësi kryesor i Kremlinit, Nikita Hrushov, për dënimin e kultit të Stalinit. Biseda e Enver Hoxhës me Xhavit Qesen në zyrën e tij në Komitetin Qendror, ku ai e kritikoi ashpër për pikëpamjet e gabuara që ai kishte shfaqur gjatë periudhës së studimeve në Moskë, duke i bërë thirrje që të reflektonte dhe të bënte autokritikë, por Xhaviti e refuzoi sugjerimin e sekretarit të parë të Partisë së Punës së Shqipërisë, gjë e cila u bë shkak që ai të mos lejohej të shkonte më në Bashkimin Sovjetik për të përfunduar studimet, por të dërgohej me punë si nënkryetar i Komitetit Ekzekutiv të Elbasanit, nga ku një vit më vonë, do të përjashtohej nga radhët e Partisë, e do të internohej në Ishullin e Zvërnecit, ku regjimi komunist mbante të izoluar disa nga ish-kuadrot e lartë partiakë dhe shtetërorë, të cilët i kishte dënuar për pikëpamjet e tyre antiparti. Kalvari dhe persekucioni i gjatë i Xhavit Qeses nga viti 1957 deri në 1990-ën, ku ai kaloi plot 32 vite në burgje dhe internime, duke qenë një nga të rrallët e dënuar të burgut të Burrelit që bëri greva të gjata urie në shenjë proteste për trajtimin dhe qëndrimin e egër që po mbante regjimi komunist i Enver Hoxhës ndaj tij. Dosja e plotë formulare, hetimore dhe gjyqësore në ngarkim të Xhavit Qeses, e cila publikohet për herë të parë nga Memorie.al, ku ndodhen dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit që pasqyrojnë ndjekjen dhe përgjimet ndaj tij, raportet e bashkëpunëtorëve të Sigurimit me pseudonimet e tyre, korrespodenca me letrat që ai u dërgonte instancave të larta partiake dhe shtetërore, si dhe udhëheqësve më të lartë të PPSh-së, deri në vitin 1991 që u lirua nga burgu!
Raport-informacioni sekret i oficerit të Sigurimit të Shtetit, Ilia Bardhi, me detyrën e shefit të Sektorit të Vëzhgimit pranë Degës së Punëve të Brendshme të rrethit të Durrësit, lidhur me lëvizjet dhe takimet e të internuarit Xhavit Qesja, në qytetin e Shijakut e të Durrësit
SEKRET
EKZEMPLAR I VETËM
Datë 25.1.1987 ora 21,22
R A P O R T
MBI VËZHGIMIN E OBJEKTIT XHAVIT QESJA I CILI NGA ANA E JONË DO TË NJIHET ME PSEUDONIMIN E “GORILLA’
Dita e parë Datë 21.1.1987. Në orë 11.30’ fillojë vëzhgimi në pritje të daljes së objektit nga shtëpia e tij, ose të hyrjes së personave të tjerë në shtëpinë e objektit.
Në ora 20.00’ shihet që nga shtëpia e objektit, del Rruzhdi Qesja, i cili është me banim në lagjen Nr. 11, Rruga “I. Qemali” Nr. 73, shihet që del dhe vëllai tjetër i Rruzhdiut, Besim Qesja, i cili është me banim në lagjen Nr. 11, rruga “I. Qemali” Nr.75, e si bashkohen tek stacionin i autobusit, që të dy i hipin autobusit të linjës Shijak – Durrës, e në kohë largohen prej këtu për në drejtim të Durrësit e në Ora. 20.25’, që të dy zbresin nga autobusi para Pallatit të Sportit e kalojnë në këmbë në rrugën e “Dëshmorëve”, “A. Goga”, e në Ora. 20.30’ para gjellëtores – Rruzhdiu ndahet nga Besimi dhe kalon në drejtim të Rrugës “Kumini”, ndërsa Besimi kalon përmes lagjes Nr. II, në Rrugën “I. Qemali” e në Ora 20.40’, futet në shtëpinë e tij Nr. 75. Pas kësaj ore vëzhgimi ndërpritet.
Dita e dytë Datë 22/1/1987. Në Ora 9.00’, fillojë vëzhgimi në pritje të hyrjes ose të daljes së personave të ndryshëm në shtëpinë e objektit.
Në Ora 12.15’ shihet që del nga shtëpia e objektit, vëllai i tij, Besim Qesja, së bashku me gruan e tij, Natyre Qesja, e që të dy kalojnë në drejtime të ndryshme, në qytetin e Shijakut.
Në Ora 12.40’ shihet që Natyre Qesja së bashku me fëminë e sajë, dalin nga shtëpia e objektit dhe shkojnë e qëndrojnë tek stacioni i autobuzit, pas 0.5 min. i hipin autobuzit të linjës Shijak – Durrës, e largohen për në drejtim të qytetit të Durrësit, e në Ora 12.50’, Natyre zbret nga autobuzi në Rrugën e “Dëshmorëve” e kalon në këmbë, në rrugën “B. Çelmeta”, kthen në rrugën “I. Qemali”, e futet në shtëpinë e saj Nr. 75, në lagjen Nr. II. Pas kësaj ore vëzhgimi ndërpritet.
Dita e tretë Datë 23.1.1987. Në Ora 7.00’ filloi vëzhgimi, në drejtim të shtëpisë së objektit, në pritje të hyrjes ose të daljes së personave të ndryshëm.
Në Ora 8.50’ shihet që del nga shtëpia objektit së bashku me gruan e Besimit, Natyre Qesja, e cila e mbante objektin për krahu e që të dy kalojnë në bulevardin kryesor të Shijakut, e në Ora 8.55’ futet në postën e policisë. Në Ora 9.05’ objekti së bashku me Natyrën, dalin nga posta e policisë dhe në Ora 9.10’ futen në shtëpinë e objektit.
Në Ora 20.30 shihet që nga shtëpia e objektit, del një grua rreth moshës 50-55 vjeçare, e gjatë e veshur me të zeza, si dhe një person tjetër, i cili e shoqëron gruan deri tek autobusi, ku gruaja largohet me autobus, për në drejtim të Durrësit, ndërsa personi shkon e futet përsëri në shtëpinë e objektit.
Deri në Ora 22.30’ që vazhdoj vëzhgimin në pritje të daljes së personit nga shtëpia e objektit, personi nuk është parë që të dalë. Pas kësaj ore, vëzhgimi nga ana jonë ndërpritet.
Shënim: 1. Gruaja nuk u muar për vërtetim, për arsye se pritej që nga shtëpia e objektit, të dilte një person me moshë rreth 30 vjeç, me disa libra në dorë, kjo me urdhër të Sektorit Operativ.
Dita e katërt Datë 25.1.1987. Në Ora 7.00’ fillojë vëzhgimi në pritje të hyrjes ose të daljes së personave të ndryshëm në shtëpinë e objektit.
Në Ora 9.00’ shihet që objekti së bashku me gruan e Besimit, Natyra, e cila e mbante për krahu, dalin nga shtëpia e pas 0.5 min. shkojnë e futen në postën e policisë. Pas 0.5 min. dalin prej këtu dhe bëjnë xhiro nëpër rrugët e Shijakut, e në Ora 10.00’ futen në shtëpinë e objektit.
Në Ora 11.50’ shihet që në shtëpinë e objektit futet Besim Qesja.
Në Ora 12.10’ shihet që nga shtëpia e objektit, del Besimi së bashku me një grua rreth moshës 45-47 vjeçe, me trup mesatar, e veshur me pallto ngjyrë bezhë, flokë të shkurtëra mbi supe, e shëndoshë e që të dy vazhdojnë ecjen nëpër rrugët e Shijakut dhe shkojnë e futen në shtëpinë e Irfan Deliallisit, me banim në pallatin përballë postës policisë.
Në Ora 13.00’ shihet që Besimi së bashku me gruan e përshkruar më lart, futet përsëri në shtëpinë e objektit.
Në Ora 17.30’ shihet që nga shtëpia e objektit dalin tre persona, me këto karakteristika, njëri me moshë rreth 50-55 vjeç, me kasketë, i veshur me pantallona teritali, ngjyrë gri, me pallto të madhe “Gup” ngjyrë të zezë, i gjatë rreth 1. 60 cm., i dyti me moshë rreth 32-33 vjeç, flokë të rëna përpara, i veshur me pardesy ngjyrë bezhë, pantallona teritali ngjyrë kafe, i gjatë rreth 1. 70 cm, ndërsa person i tretë me moshë rreth 22-23 vjeç, i cili mbante një pako të madhe në duar, i veshur me një golf ngjyrë blu, me xhaketë me kuadrate ngjyrë kafe, pantallona kadife ngjyrë kafe, me gjatësi rreth 1. 70 cm.
Në ora 17.40’ që të tre i hipin autobusit të linjës Shijak – Durrës, e në kohë largohen prej këtu e në ora 18.00’ që të tre zbresin nga autobusi në rrugën e “Dëshmorëve”, kthejnë në Rrugën e “B. Çelmeta”, “I. Qemali” në lagjen Nr. II dhe në ora 18.10’ futen në banesën Nr.73, ku banon Rruzhdi Qesja.
Deri në Ora 21.00’ që vazhdoi vëzhgimi në pritje të daljes së tre personave nga shtëpia e Rruzhdiut, personat nuk janë parë që të dalin, pas kësaj ore vëzhgimi ndërpritet.
Shënim: 1. Mendojmë që tre personat e përshkruar me karakteristika, mundë të jenë vjehrri dhe dy kunetërit e Rruzhdiut.
U shtyp sipas raporteve origjinale të përpiluara nga grupet e vëzhgimit.
PËRGJEGJËSI SEKTORIT VËZHGIMIT
ILIA BARDHI
Dokumenti sekret me shënimin-operativ të instruktorit të Komitetit të Partisë së Degës së Punëve të Brendshme të rrethit të Durrësit, Zyhdi Bregu, lidhur me vizitën që kishte bërë në shtëpinë e tij, vëllai i Xhavit Qeses, Rruzhdiu, me dhëndrin e tij, për ta pyetur atë se çfarë qëndrimi duhet të mbanin ndaj Xhavitit
“SEKRET”
Ekzemplar i vetëm
Durrës, më 24.1.1987
Shënim – Operativ
Më dt. 23.1.1987, rreth orës 19.00’ më erdhën në shtëpi Muharrem Rrugia, pensionist, me banim në lagjen Nr. 4 Durrës, dhëndri i tij Ruzhdi Qesja, arsimtar në Rashbull dhe me banim në lagjen Nr.11, si dhe djali i Muharremit, Paqësor Rrugia, me punë mekanik në Parkun e Eksportit. Unë në këtë kohë isha tek komshiu dhe më lajmëron djali se kanë ardhur njerëz.
Mbasi e takova e u përshëndetëm, Muharremi më tha se kemi ardhur për hall, duam të konsultohemi me ju, për një problem. Unë u them se çfarë halli keni?. Ndërhynë Ruzhdiu dhe thotë: “Para dy ditësh është liruar vëllai im nga burgu dhe e kanë sjellë në Shijak, juve duhet ta dini”.
Unë i’u përgjigja se nuk di gjë, pasi tani merrem me problemet e organizatave të Partisë e nuk merrem me punët e Sigurimit, po kush është vëllai?
Ruzhdiu tha se: “është Xhavit Qesja”. Unë i thashë se si emër të dëgjuar e kam, por tani po e marr vesh se ju paskeni vëlla. Por sa vjet burg ka bërë dhe përse është dënuar? – Ruzhdiu tha se “ka bërë mbi 20 vjet burg.
Ai ka qenë sekretar i parë në disa rrethe dhe është dënuar për kundërvënie. Unë nuk kam mbajtur asnjë lidhje me të dhe në fakt Partia na i ka shpërblyer, pasi më bëri me arsim të lartë, jam arsimtar dhe kush nuk na i ka përmendur këtë ndonjë herë.
Desha të konsultohesha se çfarë qëndrimi duhet të mbaj, pasi atje më ka shkuar dhe nëna që ka ndenjur me mua vazhdimisht dhe që është 90 e ca vjeç.
Unë shkova i çova sustën nënës në Shijak, se s’kish ku të flinte. Menduam që Ministria e Punëve të Brendshme e solli Xhavitin në Shijak, për të qenë afër njerëzve të vet e për ta ndihmuar”.
Unë i thashë Ruzhdiut: “Unë si Zyhdi kam mendimin që të mbash atë qëndrim që ke mbajtur edhe më përpara. Ti e ke vëlla e bëj si të duash, por ai nuk është dënuar për një krim ordiner dhe ta përkrahësh”. Këtu ndërhyri Muharremi dhe tha se: “Ai i është kundërvënë pushtetit”.
Unë vazhdova: “Plakës mund ti thuash, o rri me Xhavitin, o rri me mua. Në Shijak nuk e ka sjellë Ministria e P. Brendshme. Çfarë i kanë thënë kur e sollën”?
Ruzhdiu u përgjigj “I kanë thënë që për çdo lëvizje e largim nga Shijaku, duhet të marrësh leje”. Kjo do të thotë se ai është i internuar – i thashë unë, dhe internimet i bën një komision qeveritar.
Muharremi dhe Ruzhdiu vazhduan të më pyesnin se: “Pse e sollën në Shijak e nuk e çuan në një vend tjetër”?! Unë u thashë se: “Në Shijak ka të internuar të tjerë”. Muharremi pyeti përsëri: “Pse ka patur të tjerë në Shijak?”
Po – i thashë unë dhe vazhdova: “Ti Ruzhdi e ke vëlla, por në raste të tilla, vëllai është ndarë nga vëllai, baba nga djali dhe gruaja nga burri”.
Ashtu është – thanë të dy. Unë i pyeta: “Po ky ka qenë i martuar, ka grua e fëmijë, ku i ka ata”? Muharremi tha se po, ka qenë i martuar (më tha dhe emrin që më duket se e kishte Naide), ka dhe dy fëmijë, që të dy me arsim të lartë, gruaja është komuniste e 1941-it dhe është delegate në Kongres.
Po ata e kanë ndarë Xhavitin…! Më thanë të konsultohemi një herë me ju, tha Muharremi, pasi Ruzhdiu desh të shkonte në Degë të konsultohej për këtë.
Unë i thashë se: “Ti Ruzhdi je i rritur dhe gjyko vetë, bëj si të duash”. Në këtë kohë ndërhyri gruaja ime dhe e pyeti Ruzhdiun, se sa vjeç është vëllai.
Ruzhdiu i thotë se është 67 vjeç. Gruaja i thotë se ti duhet të shikosh dhe të ardhmen e fëmijëve të tu. Ruzhdiu i thotë se: “Ashtu është, unë në radhë të parë dua fëmijët”.
Pas kësaj bisede u larguan të tre. Memorie.al
Instruktori K.P. Degës
Zydi Bregu
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016