Nga Xhevat Ukshini
Memorie.al / “Fati i populli tim është dhe fati im”. Kjo ishte maksima etike dhe politike që e udhëhoqi në jetë Shtjefën Kurtin. Serbët e përndoqën, shqiptarët e vranë, duke ia mohuar madje edhe të drejtën për pasur një varr në tokën e tij, për të cilën ai punoi me mendje dhe zemër, deri në çastet e fundit të jetës së tij. Qyteti i Ferizajt, është formuar në vitin 1873, vetëm pak vite para Lidhjes Shqiptare të Perzerendit, siç i thoshin dikur shqiptarët e moçëm, apo Prizrenit, siç i themi ne sot, shqiptarët modernë, këtij qyteti, duke e turbulluar në këtë mënyrë, përmes sllavizimit të emrit, etimologjinë e tij.
Burimet historike na dëftojnë se në hapësirën ku ndodhet sot Prizreni i bukur, që në lashtësi njihej me emrin Theranda, në mesjetë ka ekzistuar një vendbanim me emrin latin Peterzen ku kishte shumë kisha që i dedikoheshin apostullit të parë të krishterimit, Shën Pjetrit. Por qyteti i Ferizajt, duke qenë qytet i ri nuk e ka asnjë problem me etimologjinë e emrit. Problemet e tij janë të tjera, por jo më të vogla se ato etimologjike.
Ato kanë të bëjnë me moralin në përgjithësi dhe me papërgjegjësinë tonë kombëtare në veçanti, sepse ky qytet që mbanë emrin e një shqiptari, i cili qe dhe kryebashkiaku i tij i fundit nën Perandorinë Osmane, në vitet 1908-1912, sikur nuk di të bëjë dallimin, mes kontributit që vjen nga përkushtimi absolut atdhetar dhe rrethanave të tjera rastësore, që kanë të bëjnë me emrin e tij.
Sidoqoftë Ferizaj nuk ka asnjë rrugë e shesh me emrin e Feriz Shasivarit, emrin e të cilit e mbanë qyteti. Në fakt me emrin e tij, nuk lidhet me asnjë kontribut i veçantë kombëtar. Varri i Feriz Shasivarit, me mbishkrimin arab edhe pas Kongresit të Manastirit, gjendet në oborrin e xhamisë së Mulla Veselit. Në anën tjetër, as edhe një rrugë apo shesh i këtij qyteti, nuk e mbanë emrin e engjëllit të tij mbrojtës, atë të Dom Shtjefën Kurtit, që përfaqësonte një tip krejt tjetër shqiptari.
Shkrimtari i njohur romak, Marcus Ciceron, thoshte se më shumë dëm sjellë një mungesë vendimi, se vendimi i gabuar. Në fakt, në rastin tonë, nuk mund të gabohej ndryshe. Shtjefën Kurti e ngriti zërin në mbrojtje të popullit të tij, që shtypej e përndiqej në Jugosllavinë mbretërore. “Fati i populli tim është dhe fati im”. Kjo ishte maksima e etike dhe politike që e udhëhoqi në jetë Shtjefën Kurtin që serbët e persekutuan, por që shqiptarët e vranë në vitin 1971, duke ia mohuar edhe të drejtën për një varr në tokën e tij, për të cilën ai punoi deri në çastin e fundit të jetës.
Shtjefën Kurti, bashkë me dy famullitarët e tjerë shqiptarë, ka bërë diçka që nuk ka bërë asnjë shqiptar tjetër, në atë kohë të terrorit, territ dhe vetmisë së madhe. E, megjithatë, ky engjëll i rojës, pa të drejtë, është harruar në njëfarë mënyre nga qyteti i tij i lindjes, të cilit i ka dalë zot në një kohë kur të tjerët, për arsye të ndryshme, kanë heshtur ose nuk kanë pasur zë. Në vitin 1930, Shtjefën Kurti, Luigj Gashi dhe Gjon Bisaku, i shkruan një promemorie Lidhjes së Kombeve me seli në Gjenevë, paraardhëses së Organizatës së sotme të Kombeve të Bashkuara në New York, për shkeljen brutale të të drejtave kombëtare dhe njerëzore të shqiptarëve, në Mbretërinë e Jugosllavisë.
Pas dorëzimit të këtij memorandumi në Gjeneva, u caktua madje edhe një komision trepalësh, i përbërë prej diplomatësh nga Norvegjia, Kina dhe Spanja, për të vërtetuar gjendjen në terren. Komisioni nuk erdhi në Kosovë, për të verifikuar gjendjen, sepse ndërhyri diplomacia jugosllave. Shteti i Jugosllavisë, dërgoi në Lidhjen e Kombeve si ambasador, zëvendësministrin e jashtëm të mëvonshëm dhe nobelistin e kohës së Titos, Ivo Andriç-in, i cili në rrugë diplomatike, e neutralizoi plotësisht nismën shqiptare.
Promemoria u arkivua në Lidhjen e Kombeve, u vu “ad-acta”. Kina dhe Spanja, ende nuk e njohin Kosovën, si shtet sovran, pa çka se kanë pasur privilegjin, t’i njohin problemet e saj që në krye të herës. Norvegjia, në anën tjetër, e ka njohur diplomatikisht shtetin e Kosovës dhe atë e ndihmon në shumë mënyra. Të tri këto shtete, e njohin problemin shqiptar të Kosovës që në gjenezë, por reagimi i tyre ndaj ekzistencës së tij, siç e shohim, ka qenë krejt i ndryshëm.
Ne dimë në ndërkohë, falë historianit kroat Krezman, se Ivo Andriçi më vonë do të hartojë një elaborat për shpërnguljen e shqiptare, ku parashikohej edhe shkatërrimi i shtetit shqiptar. Ivo Andriç u shpërblye për punën e tij efektive kundër Shtjefën Kurtit, në kohën e Mbretërisë Jugosllave, me postin faktik te ministrit të Jashtëm, edhe pse formalisht në Qeverinë e kryeministrit dhe ministrit të Jashtëm Milan Stojadinoviç, ai e kryente punën e zëvendësministrit të Jashtëm.
Andriçi ishte faktikisht dhe formalisht autoriteti më i lartë në atë ministri, kurse në kohën e Titos, ai mori dhe çmimin “Nobel” për letërsi, duke gëzuar kështu mbështetjen e madhe të shtetit komunist jugosllav. Në një vizitë në Stockholm, Ivo Andriç, thoshte se; s’kam ç’të fshehë. Tani ne shohim se ai paska fshehur shumëçka. Asnjëherë, shteti i tij jugosllav, nuk e përndoqi a ndëshkoi njeriun që diti të gjejë mënyra për neutralizimin e promemories së Dom Shtjefën Kurtit. Ndryshe ndodhi me Shtjefën Kurtin, i cili si shpërblim për angazhimin e tij kombëtar, u pushkatua nga shteti shqiptar, i cili pasi e burgosi në vitin 1946, e dënoi në vitin 1947, për bashkëpunim me diplomatët britanikë e amerikanë dhe në fund, në vitin 1971, me arsyetime banale, e dënoi me pushkatim, duke e lënë dhe pa varr.
Formimi i qytetit të Ferizajt, siç dihet, lidhet me hekurudhën që nisej nga Selaniku dhe përmes Shkupit, përfundonte në Mitrovicë. Ndërtimi i kësaj hekurudhe e solli me vete edhe vendbanimin e ri që sot është njëri nga qytetet më të mëdha e më të zhvilluara të Kosovës. Feriz Shasivari, nuk është themeluesi i tij, siç mund të mendohet në shikim të parë, por njeriu që i dha emrin qytetit, të cilin turqit filluan ta quajnë Ferizovik, serbët Ferizović, kurse shqiptarët e thërrisnin Ferizaj apo, thjesht Tasjan, një trajtë turke kjo, për fjalën frënge “station”, për të shprehur kështu mospërfilljen për Feriz Shasivarin.
Serbët pas pushimit të tokave shqiptare që në vitin 1913, i vunë emrin “Uroševac”, d.m.th., qyteti i Uroshit. Ende sot qyteti ka dy emra që njihen zyrtarisht, në vend dhe në botë, njërin për shqiptarët, tjetrin për serbët. Sot qyteti në qendër ka xhaminë e Mulla Veselit me dy minare dhe kishën ortodokse serbe, pranë e pranë njëra-tjetrës, brenda një oborri. Dihet se objekti i kishës serbe, është ndërtuar në pronën e xhamisë. Hulumtuesve shkencorë, iu përket të ndriçojnë situatën sesi “u shit” një pjesë e oborrit të xhamisë, për t’u ndërtuar më vonë aty kisha serbe.
Pas vitit 1999, Kisha serbe u ruajt për disa vite nga policë ndërkombëtarë, kurse tani ajo ruhet nga policët kosovarë, por ajo nuk ka besimtarë. Ndoshta nuk kishte mjaft as në fillim, kur u ndërtua. Serbët ikën nga qyteti, pas hyrjes së trupave tokësorë të NATO-së. Kisha serbe qëndron në qendër të qytetit, si një fantazmë që i frikëson shqiptarët, ndërkohë që xhamisë i është shtuar edhe një minare, por edhe ftohtësia e shqiptarëve ndaj saj, të cilët gjithnjë e më shumë, e shohin atë si një objekt politik. Në mediat serbe, por edhe në ato shqiptare herë pas here janë shprehur lëvdata, për këtë tolerancë të jashtëzakonshme fetare, sepse askund në botë, sipas tyre, nuk ka një kishë ortodokse dhe një xhami, brenda të njëjtit oborr.
E vërteta në fakt s’ka të bëjë fare me tolerancën, por me frikën, kërcënimin, shantazhin e korrupsionin. Si xhamia, ashtu edhe kisha serbe, janë objekte që janë ndërtuar në kohëra të tilla të turbullta, kur qyteti dhe gjithë vendi ynë, ishin tulatur nën kërcënimin e armëve të pushtuesve. Pushtuesit, në anën tjetër, përmes këtyre objekteve, donin të tjetërsonin vullnetin politik të vendasve. As xhamia dhe as kisha serbe, nuk do të ishin ndërtuar kurrë, sikur të përfillej disponimi politik i masës shqiptare, e cila donte shtet shqiptar dhe shenja kombëtare, me të cilat do të mund të identifikohej, por jo simbole të pafuqisë së tyre, që emetonin dhe transportonin idenë se ishin të huaj në dheun e tyre.
Xhamia u ndërtua pas thyerjes së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, kurse kisha serbe, pas pushtimit serb të Kosovës, kështu që këto objekte kulti, para së gjithash për arsye politike, gjithmonë mbeten të huaja për shumicën e banorëve shqiptarë të Ferizajt. Por në Ferizaj, nuk janë vetëm këto dy objekte kulti. Në anën tjetër të qytetit, në linjë ajrore prej jo më shumë se nja 700-800 metrash, në jug, ndodhet kisha katolike “Engjëlli i Rojes”, ku sot famullitar është Don Mikel Sopi, i cili, siç thotë, është pasardhësi në detyrë i Dom Shtjefën Kurtit. Në këtë kishë dikur meshonte dom Shtjefën Kurti. Edhe këtë fakt e dinë shumë pak banorë të Ferizajt.
Kush është Shtjefën Kurti, për të cilin shqiptarët do të duhej të dinin gjithçka, por në fakt shumë prej tyre nuk dinë pothuajse asgjë?! Të dhënat elementare jetëshkrimore të tij, janë këto: Ai u lind me 24 dhjetor të vitit 1898, në Ferizaj, në qytetin kur vend-banimi kishte vetëm një çerekshekulli jetë. Para disa vitesh ky qytet, festoi 150 vjetorin e lindjes dhe kryebashkiaku Agim Aliu, e shpalli Dom Shtjefën Kurtin “Nderi i Qytetit”. Shtjefën Kurti, ishte dhe mësues i Shkollës Shqipe në Shkup dhe në Ferizaj. Ai bashkë me Luigj Gashin dhe Gjon Bisakun në vitin 1930, hartoi një promemorie për Lidhjen e Kombeve në Gjenevë, ku i ankohej këtij forumi të lartë ndërkombëtar, për shkeljen e të drejtave kombëtare dhe njerëzore të shqiptarëve në Mbretërinë Jugosllave.
Shtjefën Kurti me familjen e tij, ikën në Shqipëri, në fillim të vitit 1930, pra vetëm pak muaj pas vrasjes në Zym, të priftit tjetër shqiptar, Shtjefën Gjeçovit, me të cilin kishte qenë në raporte bashkëpunimi. Pas dorëzimit të promemories në Gjenevë, ai u caktua nga Vatikani, si prift në një famulli në Shqipëri, ku do të burgosej në vitin 1946, si njeri që bashkëpunonte me diplomatët perëndimor, britanikë dhe amerikanë. Në vitin 1947, një gjykatë e shtetit shqiptar, do ta dënonte me akuzën; “për bashkëpunim me Perëndimin”, me 20 vjet burg. Në vitin 1963, doli nga burgu dhe për disa muaj qëndroi në Rrashbull të Durrësit e më vonë, fillon punën si prift në famullinë e Gurëzit në Kurbin.
Në vitin 1971, ri burgoset dhe dënohet me vdekje, duke u akuzuar për; “spiunazh, sabotazh dhe kryerje të riteve fetare”. Në ndërkohë, është gjetur një dokument në arkivin e Ministrisë së Brendshme në Tiranë, që dëshmon se trupi i tij pas pushkatimit, iu dha Fakultetit të Mjekësisë në Tiranë, si kadavër për studentët e mjekësisë. Pas disa vitesh, kufoma e Shtjefën Kurtit, duhet të jetë varrosur në ndonjë vend të panjohur. Nikolin Kurti, nipi i Shtjefën Kurtit apo djali i vëllait të martirit, i vëllait që i kaloi po ashtu disa vite në burgje, ka bërë përpjekje të mëdha për të gjetur eshtrat e tij, por deri më sot, ai nuk i ka mundur t’i gjejë asnjë shenjë.
Për këtë kërkim të pasuksesshëm të varrit të martirit dhe rilindësit Shtjefën Kurti, ka shkruar edhe gazeta e madhe amerikane “The New York Times”, kurse për veprimtarinë atdhetare dhe fetare të Kurtit, ka mësuar dhe ish kryetarja e Kongresit amerikan Nancy Pelosi, kurse Papa Franqesku, e ka shpallur “Të lumë”, në vitin 2016. Shkurt, Shtjefën Kurti është rilindësi ynë i madh pa varrë, si Jezu Krishti e Gjergj Kastrioti.
Mungesa e varrit, ka një ngarkesë të madhe simbolike, sepse njeriu që nuk ka varrë, nuk mund të thuhet se ka vdekur. Shtjefën Kurti, vërtet është pushkatuar, por ai nuk ka vdekur, sepse ai jeton në zemrat e shqiptarëve, përtej ndarjeve fetare të shqiptarëve që ekzistojnë sot. Ish profesori i Shkollës së Lartë Teknike dhe i Universitetit të Ferizajt e gjithashtu i Universitetit të Prishtinës, Dr. Kolë Kurti, thotë se; farefisi Kurti, ka përjetuar një kalvar të vërtetë në Jugosllavinë Mbretërore dhe atë Komuniste. Megjithatë, siç e shohim, një pjesë e trungut familjar Kurti, i ka mbijetuar të gjitha këto përndjekje dhe ndëshkime.
Jo pak pasardhës nga farefisi i tij, ende jetojnë në qytet. Bërthama e qendrës së qytetit parak, siç mësojmë, përbëhej nga pronat e fisit Kurti, vetë shtëpia e prindërve të Shtjefën Kurtit, Jak dhe Katrine Kurti, nuk kishte shumë larg nga kinemaja e dikurshme e qytetit. “Shumë prona të Kurtëve, janë ekspropriuar nga shteti komunist jugosllav, pas vitit 1945”, -thotë Franc Kurti, i cili na tregon se në lidhje gjaku me Kurtët, kishte qenë edhe vetë Gjon Serreqi, djali i hallës së tij, emrin e të cilit sot e mbanë shkolla fillore kryesore e qytetit.
Si përfundim, mund të themi për Shtjefën Kurtin, se ai bëri gjithçka që mundi për qytetin dhe vendin e tij, por si shpërblim, në fund mori plumba nga shteti komunist shqiptar, në një kohë që Ivo Andriç, arriti të bëhet ‘de facto’ dhe ministri i Jashtëm i Jugosllavisë, pikërisht sepse mundi ta neutralizojë në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë, promemorien e Shtjefën Kurtit. Ende sot qyteti i tij dhe mbarë Kosova, nuk kanë treguar respektin dhe nderimin që e meriton Shtjefën Kurti.
Megjithatë, ai i ka mundur të gjithë armiqtë e tij shqiptarë dhe joshqiptarë. Thjesht ka ardhur koha që të njihet vepra e këtij rilindasi shqiptar, të njihet triumfi i tij moral dhe politik mbi kriminelët shqiptarë që e vranë dhe mbi nobelistin Ivo Andriç, që dikur, duke shkelur mbi parimet e moralit universal, pati dalë fitimtar, në ndeshjen me të në arenën ndërkombëtare. Triumfi i Shtjefën Kurtit, është njëkohësisht dhe triumf i ynë, fitore vendimtare e të ardhmes së shtetit të Kosovës, por ka, për fat të keq, ende shumë shqiptar që nuk e kanë kuptuar këtë gjë. Memorie.al