Dashnor Kaloçi
Pjesa e dytë
Memorie.al publikon dëshminë e ish-ushtarakut të lartë, nënkolonelit në pension, Gani Elezi, një nga oficerët e detashmentit të Zbulimit në Zall-Herr të Tiranës, i cili në ’71-in, për gjashtë muaj me radhë stërviti një grup palestinezësh të Al-Fatahut. Cilat ishin stërvitjet prioritare që i’u nënshtruan arabët dhe përse ata kërkonin që përgatitja e tyre të përqendrohej në luftën guerilje në qytete, lëndët plasëse dhe veprimet kundër helikopterëve…?!
Në fillim të viteve ’70-të, në një nga librat e tij, të titulluar “Imperializmi dhe Revolucioni”, të cilin ish-diktatori komunist i Shqipërisë, Enver Hoxha, dhe propaganda e regjimit të asaj kohe e konsideronin si një nga kryeveprat e tij, midis të tjerash, shkruhej: “Revolucioni botëror tashmë nuk është vetëm një aspiratë e popujve të shtypur, por një problem evident i shtruar për zgjidhje”. Në këtë kontekst, nisur dhe nga deliri që kishte përfshirë Enver Hoxhën asokohe, (i cili pas prishjes me Kinën, pretendonte të ishte udhëheqësi i vetëm marksist-leninist i proletariatit botëror) udhëheqja e lartë komuniste e PPSH-së, dha viston dhe nisi të pranonte në Shqipëri shumë delegacione, të cilët i konsideronte miq, marksistë-leninistë dhe revolucionarë që luftonin për triumfin e Revolucionit Botëror. Një pjesë e këtyre grupeve që përfaqësonin krahun politik të partive komuniste me të cilat ishte lidhur PPSH-ja, vinin në Shqipëri në raste kongresesh të PPSH-së, apo dhe për pushime në vilat e udhëheqjes, ndërsa grupe të tjera që përfaqësonin krahun ushtarak të partive të tyre, vinin këtu për t’u stërvitur ushtarakisht. Një nga ato grupe të krahut ushtarak që erdhën në Shqipëri asokohe, ishte dhe ai i 30 palestinezëve të Al-Fataut, të cilët në janarin e 1971-in, për gjashtë muaj me radhë u stërvitën pranë detashmentit të Zbulimit në Zall-Herr të Tiranës, që asokohe përbënte një prej reparteve elitë të Ushtrisë Shqiptare. Lidhur me këtë, dëshmon ekskluzivisht për Memorie.al, ish-ushtaraku i lartë dhe nënkoloneli në pension, Gani Elezi, njëri nga oficerët e atij reparti special, që u ngarkua me stërvitjen dhe drejtimin e atij grupi palestinezësh.
Zoti Elezi, po në lëndët e tjera si Kimia apo Topografia, kush ishin oficerët që jepnin mësim me grupin e palestinezëve?
Lëndën e Kimisë e jepte Behar Zhurda, i cili më vonë u bë shoqëruesi kryesor i Enver Hoxhës, ndërsa Topografinë e jepte Adem Çopani, i cili më pas shërbeu si këshilltar ushtarak i kryeministrave Mehmet Shehu e Adil Çarçani.
A ishin korrekt palestinezët gjatë stërvitjes?
Jo vetëm që ishin mjaft korrekt, por nuk e teproj po t’ju them se ata e konsideronin të shenjtë stërvitjen që bënin. Për t’jua ilustruar këtë që gjë, po ju them se në rast të ndonjë thyerje disipline, apo moszbatim rregulli, masa më e rëndë ndëshkimore që u jepte atyre kryetari i grupit, Jasini, ishte përjashtimi një ditë nga stërvitja. Kur e mësova unë një gjë të tillë, i sugjerova Jasinit që të mos e aplikonte më atë masë. Por si të gjithë grupet e tilla dhe ata kishin mosmarrëveshjet dhe kontradiktat e tyre për pozicionin dhe të ardhmen. Kjo bëhej më e dukshme në raportet që kishin djemtë e ardhur nga radhët e luftëtarëve të Al-Fataut, dhe atyre që kishin ardhur nga vendet perëndimore, të cilët kishin arsim e përgatitje më të lartë dhe që mund të zinin vend e pozita më të favorshme në strukturat e ardhshme politike e ushtarake të shtetit të tyre. Një gjë të tillë mua ma shprehu vetë njëri prej tyre, i quajtur, Aby Tarek. Ai vetë vinte nga grupet e luftëtarëve të Al-Fataut, por kishte të dhëna të tjera dhe lidhje që e vinin në grupin e të preferuarve.
Pas mbarimit të stërvitjes, me çfarë merreshin ata, si e kalonin kohën e lirë dhe a u lejohej të dilnin në qytet?
Pas mbarimit të stërvitjes, ata vazhdonin orarin e veprimeve sipas programit, duke studiuar në klasën e ngritur apostafat për ta etj. Në qytet ata dilnin vetëm të dielave me liridalje dhe në të gjitha rastet isha i ngarkuar unë që t’i shoqëroja. Natyrisht, ata shpërndaheshin në grupe të vogla kur dilnin në qytetin e Tiranës, por dhe gjatë asaj kohe çdo gjë bëhej në mënyrë të organizuar. Ne i dërguam edhe për vizita të ndryshme në qytetet e Shkodrës, Gjirokastrës, Beratit etj, ku ata mbetën mjaft të kënaqur.
Me çfarë uniformash dilnin ata në qytet?
Veç kushteve të tjera, Ministria e Mbrojtjes me anë të Punëtorisë Ushtarake në Tiranë, i pajisi të gjithë prestarët e grupit me uniforma civile (kostume doku, këmisha dhe këpucë) të cilat ata i vishnin kur dilnin me liri-dalje në qytet.
Sa zgjati stërvitja e tyre dhe me çfarë rezultatesh dolën ata?
Stërvitja e tyre që u zhvillua mjaft intensive, zgjati plot 6 muaj, (janar-qershor 1971) aq sa ishte planifikuar dhe në përfundim, ata arritën një shkallë tepër të lartë perfeksionimi, njëlloj si niveli dy vjeçar i Shkollës së Bashkuar të Oficerëve “Enver Hoxha” në Tiranë. Kjo gjë lidhej jo më shumë me përgatitjen tonë si kuadër mësimdhënës, se sa me kërkesat e përkushtimin e tyre. Ata ishin tepër të dhënë pas stërvitjes dhe bënin shumë pyetje, gjë që tregonte interesin e tyre të madh për stërvitjen. Kjo lidhej dhe me faktin se një pjesë e tyre, si Abu Tarek Mahmut, vinin direkt nga veprimet e aksionet luftarake, dhe pas çdo pyetje të tyre, fshihej një situatë konkrete që ata kishin kaluar.
U morën në provim ata, siç bëhej zakonisht me shkollat dhe kurset ushtarake në atë kohë?
Në përfundim të procesit gjashtë mujor të stërvitjes, ne nuk organizuam provime, por stërvitje përmbledhëse me teste dhe demonstrime të ndryshme ku ata dolën mjaft mirë. Unë dhe kolegët e mi mbetëm mjaft të kënaqur për shkallën e përgatitjes së tyre.
Gjatë asaj periudhe gjashtë mujore, interesohej për ecurinë e tyre ndonjë udhëheqës politik apo ushtarak nga qendra e tyre në Palestinë?
Në një rast aty tek ne në Zall-Herr, i shoqëruar nga një përfaqësues i Ministrisë së Mbrojtjes, erdhi një nga udhëheqësit e tyre politik, të Al-Fataut, krahu politik i Organizatës për Çlirimin e Palestinës, që udhëhiqej nga Jaser Arafati. Bisedimet me të u zhvilluan në zyrën e komandantit të njësisë sonë dhe ai u interesua gjerë e gjatë për të gjithë pjesëtarët e grupit dhe ecurinë e tyre në stërvitje. Pas kësaj ai u largua duke na falënderuar për gjithçka që ne kishim bërë për ta.
Si e kujton përfundimin e procesit stërvitor dhe ndarjen me grupin e palestinezëve?
Në mbyllje të procesit stërvitor, ne organizuam një drekë aty në mjediset e repartit, ku dy drejtuesit e grupit, Jasini dhe Zijati, por dhe të gjithë pjesëtarët e tjerë, na falenderuan për gjithçka që ne kishim bërë për ta. Shumë prej tyre na thonin se do të gjenin mundësitë për t’u takuar përsëri me ne. Më kujtohet se një nga drejtuesit e grupit, në shenjë falënderimi, tha se kur të shkonin në vendin e tyre, një nga stërvitjet do e kodonin: “Kumandam Ganiu”, ashtu siç më thërrisnin ata mua. Më pas ne u ndamë me ta, dhe me një autobus të Ministrisë së Mbrojtjes, ata udhëtuan në drejtim të Rinasit, duke u larguar nga Shqipëria. Ne nuk na u tha gjë se për ku do të shkonin, por me sa dëgjuam, ata udhëtuan ose për në Itali, ose për në Egjipt.
Përveç atij grupi, a erdhën më në Zall-Herr grupe të tjera për t’u stërvitur dhe gjatë karrierës suaj ushtarake, a keni pasur rast të stërvitni grupe të tjera të huaja në reparte ku keni shërbyer?
Jo, ai ishte grupi i parë dhe i fundit që erdhi tek ne në Zall-Herr, flas për atë periudhë që kam shërbyer unë atje. Unë personalisht nuk kam pasur rastin të drejtoj stërvitje me grupe të tjera të huaja, por kolegë të mi, janë marrë me ta në reparte të tjera si në Tiranë edhe në rrethe të tjera të vendit. p.sh. di që në ato vite janë stërvitur në një repart të rrethit të Shkodrës e Korçës edhe disa grupe të tjera nga Indonezia, Afrika dhe Amerika Latine.
Dëshmia e ish-ushtarakut të lartë për udhëheqësin palestinez
“Një nga krerët e Al-Fataut, në stërvitjen e Ushtrisë Shqiptare”
Në intervistën e tij ekskluzive për Memorie.al, ish-ushtaraku i lartë, nënkoloneli në pension, Gani Elezi, i cili në fillimin e viteve ’70-të, komandonte një kompani të detashmentit të Zbulimit në Zall-Herr të Tiranës, rrëfen edhe arsyen e vërtetë se pse grupi i 30 palestinezëve të Al-Fataut, erdhën për t’u stërvitur në Shqipëri. Sipas Elezit, gjatë një stërvitje të madhe që po kryente në atë kohë detashmenti i Zbulimit,(pas vitit 1968-kur Shqipëria doli edhe de jure nga Traktati i Varshavës, Ushtria Shqiptare zhvillonte stërvitje të mëdha për të demonstruar forcën e saj. Shënimi ynë), aty asistonte dhe një delegacion palestinez, i kryesuar nga Shefi i Marrëdhënieve me Jashtë të Al-Fataut, krahu politik i Organizatës për Çlirimin e Palestinës, që udhëhiqej nga Jaser Arafati. Gjatë asaj stërvitje ai mbeti i mahnitur nga shkalla e lartë e niveli i përgatitjes luftarake të trupave tonë të Zbulimit, dhe në bisedimet që ai pati me autoritetet e larta shqiptare, u kërkoi atyre që të shikohej mundësia që një grup luftëtarësh palestinezë, të vinin dhe të stërviteshin në Shqipëri. Kërkesa e tij u pranua menjëherë nga udhëheqja e lartë shqiptare, e cila mbështeste luftën e Organizatës për Çlirimin e Palestinës, duke e konsideruar atë luftë të drejtë për çlirimin e tokave të pushtuara nga Izraeli. Kështu u bë e mundur që grupi prej 30 palestinezësh, erdhi dhe u stërvit për gjashtë muaj me radhë aty në repartin tonë të Zall-Herrit, i cili ishte një repart special elitë e Ushtrisë Shqiptare”.
Ish-ushtaraku: “Letrat që më vinin më pas nga palestinezët, nuk m’i jepnin”
Ish-ushtaraku i lartë, nënkoloneli në pension, Gani Elezi, i cili në vitin 1971, për gjashtë muaj më radhë drejtoi stërvitjen e një grupi palestinezësh të Al-Fataut, rrëfen edhe për marrëdhëniet e tij të mëvonshme me disa prej pjesëtarëve të atij grupi. Lidhur me këtë, Elezi dëshmon: “Gjatë atyre gjashtë muajve që grupi i palestinezëve u stërvit në repartin tonë, ne krijuam marrëdhënie miqësore me ta, gjë e cila u reflektua edhe gjatë ndarjes, ku ata nuk dinin si të na falënderonin. Madje këtë respekt që krijuan për ne, ata e shprehën edhe me letrat që dërgonin disa vjet pasi ishin larguar nga Shqipëria. Letrat e tyre ne nuk na ranë kurrë në dorë, (pasi sipas rregullave të asaj kohe, nuk na i jepnin) por atë gjë mua ma tha në koifidencë, vetë Shefi i Zbulimit të Ushtrisë, Andon Sheti, për të cilin ruaj kujtimet më të mira. Nga letrat e tyre, mua më ra në dorë vetëm një, të cilën ma dha Pavllo Vangjeli, një koleg dhe shok i imi në Ministrinë e Mbrojtjes. Ai që e dërgonte atë letër, ishte një nga 30 palestinezët që ishin stërvitur me ne në Zall-Herr dhe letra vinte nga Siria. Pothuaj e gjithë letra ishte e mbushur me falenderime për mua dhe dhe asgjë tjetër nuk thuhej aty. Unë nuk e mësova kurrë fatin e tyre se ç’u bë me ta dhe ku përfunduan ata pas largimit nga Shqipëria, apo sa u vlejti stërvitja që bënë me ne. Pas viteve ‘90-të, kam marrë kontakte me ambasadën e Palestinës në Tiranë, por nuk kam mundur të lidhem me asnjë nga ata 30 palestinezët që patëm rastin t’i stërvitnim në vitin 1971 në repartin e Zall-Herrit”/Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016