Nga Ragip Guraziu
Pjesa e parë
– A kishte dorë Fadil Hoxha në vrasjen e Shaban Polluzhës, në Masakrën e Tivarit, në demonstratat e vitit 1981? –
Memorie.al / Për vrasjen e Shaban Polluzhës i vrarë nga komunistët e udhëhequr prej Fadil Hoxhës. Ky i fundit, sa ishte gjallë, kishte thënë se Shaban Polluzha ishte likuiduar dhe pas kësaj ishte qetësuar edhe Drenica. Madje, komunisti Hoxha kishte thënë se në likuidimin e Polluzhës, kishin marrë pjesë edhe njerëz të Drenicës. E vërteta e demonstratave të vitit 1981 “të vërtetën për atë se kush i ka nxitur ato protesta”, duhet të sqarohet edhe për termin “kundërrevolucion” dhe diferencimet ideo-politike.
Sepse, në vitin 1981, Mahmut Bakalli, si kreu i Partisë Komuniste në Kosovë, dha dorëheqje nga të gjitha funksionet, në shenjë mospajtimi me qëndrimet e udhëheqjes në Beograd, se këto ngjarje ishin kundërrevolucionare, dhe qëndrimin e Fadil Hoxhës, se kur nuk e përfillën politikajt kosovar Serbinë, gjëja se me futë në Kosovë ushtrinë serbe se Kosova sipas tyre ishte provincë e saj, e tradhtuan Fadil Hoxhën në emër të Jugosllavisë po intervenojmë, këtë tradhti ju gatua Fadil Hoxhës, nënshkroi dhe pësuan studentët nëpër konvikte, duke u ngrehur shagas nga ushtria serbo-sllave në emër të ushtrisë Jugosllave, dëshmi e Mahmut Bakallit, Azem Vllasit etj.
Bakalli ishte deputet në legjislaturën e parë të Kuvendit të Kosovës gjatë viteve 2001-2004, nga radhët e AAK-së, dhe një kohë këshilltar i Ramush Haradinajt dhe u varros në nderimet e UÇK-së.
Ky ishte rrëfimi i Fadil Hoxhës, për vrasjen e Shaban Polluzhës
“Ne luftë u vranë shumë njerëz tanë. Kjo ka zgjatur afër një muaj ditë, qetësimi i situatës në Drenicë afër një muaj e kusur. Lufta kundër asaj njësie, siç quhej ajo e Shaban Polluzhës, një pjesë e të cilës shpejt është shpërndarë ka ikë, por një pjesë e tyre kanë luftuar kundër nesh, sidomos Mehmet Gradica edhe të tjerë, si dhe Shabani. Ashtë vra Shabani, asht vra i biri. Kjo ka zgjatë nja një muaj ditë, por aty janë vra bukur edhe do partizanë tanë. Nuk e di numrin taman”.
“Me likuidimin e këtij grupi të Drenicës gati është qetësue Drenica. Deshta me të thanë se edhe populli i Drenicës, një pjesë e madhe e tij, ka marrë pjesë me ne, mbasandaj kundër këtyre. Kështu që kjo asht jashtëzakonisht me rëndësi përndryshe do të kishim probleme edhe masa ndej në Drenicë”, – thotë Fadil Hoxha, cituar në librin e Veton Surroit, në intervistën e tij të dhënë përmes magnetofonit Rexhai Surroit, në gusht të vitit 1963.
Sipas versionit të Hoxhës, Shaban Polluzha e kishte thyer marrëveshjen me komunistët dhe nuk kishte mbajtur premtimin për ta çuar Çetën e Drenicës në frontin e Sremit, aty ku luftohej mes gjermanëve e komunistëve, në kuadër të Luftës së Dytë Botërore. Sipas Hoxhës, Shaban Polluzha me ushtarët e tij ishin pajtuar t’iu bashkoheshin komunistëve dhe të merrnin pjesë në frontin e Semi, në Serbi, ku po luftohej kundër gjermanëve.
Mirëpo, kur çeta e Shaban Polluzhës po kalonte prej Drenicës për në Podujevë, duke shkuar për në frontin e Sremit, qindra banorë të Llapit kishin kërkuar Polluzhës dhe ushtarëve shqiptarë, të mos shkonin në Serbi e, të lënin qytetet e Kosovën në dorën e komunistëve shqiptarë e serbë.Dhe, kështu edhe kishte ndodhur. Luftëtarët e Shaban Polluzhës ishin kthyer në Drenicë, ku pastaj ishin vrarë nga komunistët e Fadil Hoxhës.
Para se të vdiste Fadil Hoxha, ishte bërë anëtar nderi i Partisë Demokratike të Kosovës dhe ishte varrosur me nderime nga Trupat Mbrojtëse të Kosovës, të cila kishin qenë trashëgimtare të UÇK’-së. Shaban Polluzha ishte nderuar nga Presidenti i Shqipërisë, Sali Berisha, në vitin 1993, me dekoratën; “Urdhri për Veprimtari Patriotike të Klasit të Parë”, ndërsa, Presidenti Fatmir Sejdiu, në vitin 2009, Polluzhën e shpallë; “Hero i Kosovës”.
Para pak kohësh, qyteti i vetëm në Europë, Gjakova, kishte nisur procedurat për nderimin e një komunisti, siç ishte Fadil Hoxha. Madje, ishte paraparë ndërtimi i bustit të tij midis Gjakovës. Ky projekt ende nuk është realizuar. Ende nuk ekziston në Kosovë një dokument me të cilin dënohen krimet e komunizmit. Ka pasur disa përpjekje por kanë dështuar edhe në Parlamentin e Kosovës për të nxjerrë një Rezolutë me të cilën do të dënoheshin krimet që kanë ndodhur në kohën e komunizmit.
Kush ishte Shaban Polluzha?
I lindur nga divizione të shumta ushtarake të Serbisë, Malit të Zi, Maqedonisë dhe Kosovës, më 21 shkurt të vitit 1945, pas një lufte të ashpër në kullat e Hasan Sylës në Trestenik, ra heroikisht si legjendar Shaban Polluzha, njëri ndër koloset e historisë sonë kombëtare bashkë me një pjesë të luftëtarëve të tij dhe me trimin e njohur, Mehmet Gradica.
Të gjitha këto divizione jugosllave, përkundër zjarrit me mortaja dhe artileri të rënda, vetëm pas 9 orësh, arritën ta rrënojnë fortifikatën, ku ndodheshin 150 kryengritës të gueriles shqiptare. Këtu mbaron një dramë dhe vazhdon drama tjetër e përgjakshme ndaj Kosovës: ekzekutime masive, burgosje, zhdukje, Tivari, Sremi, Trogiri…! Viti 1945 konsiderohet viti më tragjik, bashkë me dimrin e egër që s’ mbahej mend.
Shaban Polluzha, një burrë me shtat mesatar, kokëthinjur me një natyrë të ngrysur, kishte kundërshtuar padrejtësitë ndaj shqiptarëve të Kosovës në kohë të ndryshme: gjatë Luftës së Parë Botërore, gjatë Mbretërisë Sebo-kroato-sllovene dhe më 1945-ën organizoi kryengritjen kundër okupimit serbo-jugosllav. Në fushë-betejë nxori afro 10.000 luftëtarë.
Ai lindi në Polluzhë të Drenicës më 1871. Mbiemrin e mori sipas fshatit të lindjes, ndërsa i përket fisit Kastrati. U rrit dhe u edukua në një familje me traditë kombëtare, e njohur edhe për zgjidhjen e konflikteve ndër-familjare e ndër-njerëzore. Qe edhe kryetar i Këshillit Pajtues në Drenicë dhe kryetar i komunës në Polac. Një personalitet i rrallë, shumë i respektuar me veti të jashtëzakonshme njerëzore. Në një rast kur i burgoset, njëri nga tre djemtë e tij, gruaja i thotë: “Djalin po duan ta pushkatojnë, ndërkohë që ti po sillesh si të mos kishte ndodhur asgjë”, ai i përgjigjet: “Edhe të tjerët që ndodhen aty, kanë dikënd të vetin, sikurse djali ynë”.
Ishte tejet i matur, por në momente dinte të rebelohej. Një ushtar i tij e hedh bukën nga dritarja se ishte pak e pa pjekur, ai me ngritje të zërit i thotë: “A di se jemi në luftë, e jo në shtëpi”, ndërkaq kur i plagoset djali i madh, ndonëse e kishte prekur thellë në shpirt, shokëve të luftës u thotë: “edhe tjerët janë plagosur dhe vrarë”.
Në dimrin e egër të atij viti, kur e shihte popullin duke vuajtur për bukë dhe të masakruar nga çetnikët dhe partizanët komunistë, i shkonin lotët. Babai i tij, Rexhepi, u pushkatua më 1912 në Serbi, pasi ishte marrë dhunshëm me shumë burra të tjerë nga Kosova. Vrasjen e tij, dhe të burrave tjerë, e përjetoi rëndë dhe kjo ngjarje e motivoi më shumë t’i përkushtohej luftës në mbrojtjen e të drejtave kombëtare e njerëzore të popullit të tij.
Kishte përjetuar katër pushtime, njërin pas tjetrit: turk, serb, bullgar, austriak dhe jugosllav. I kishte dalë në ndihmë Azem Bejtës, si mik që e kishte, dhe Lëvizjes së tij Kaçake, kur ishte kryetar komune në Polac. Në vitin 1941 xhandarmëria e udhëhequr nga italianët, ia internoi familjen në Kullat e Sheremetit në Pejë, ndërsa në Polluzhë i dogji të tijen trekatëshe, bashkë me shtëpinë dhe objektet tjera. Kulla e tij bëhet rrafsh me tokë edhe në vitin 1945 nga Brigada e KNOJ-it.
Shumëçka e vlefshme ishte shkatërruar nga flakët. Më 1941-in, organizon forcat e tij vullnetare ndaj depërtimit të çetnikëve në rajonin e Koleshinit të Ibrit, ndërsa më 1943, i priu një mase të madhe prej 3000 vullnetarësh, në mbrojtje të Novi Pazarit, ku çetnikët kryenin masakra tmerruese ndaj boshnjakëve dhe shqiptarëve, si në Bihor e vende të tjera të këtij rajoni.
Në janar dhe shkurt 1945, me luftë kundërshton projektin shfarosëse të Serbisë në Kosovë. Në fushë-betejë nxori afro 10.000 luftëtarë, kryesisht nga Drenica për të ndalë krimet çetnike mbi gra, fëmijë e pleq, që kryheshin gjithandej Kosovës. Rrethanat shoqërore-politike në këtë periudhë ishin shumë të disfavorshme për Kosovën.
Në Beograd dhe Podgoricë, ishte projektuar një skenar i errët për shqiptarët jashtë Shqipërisë shtetërore, në Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi. Në këtë skenar parashihej mobilizimi i shqiptarëve të moshave të ndryshme dhe dërgimi i tyre në frontin e Sremit, Trogirit dhe në vija të tjera të luftës në Jugosllavi, ndërsa brenda në Kosovës dhe në territoreve tjera shqiptare, të silleshin çetnikët e Drazha Mihaloviqit dhe bandat tjera serbe, për të kryer krime masive mbi civilët shqiptarë.
Në bazë të këtij skenari famëkeq, insistohet të bindej Shaban Polluzha që, me brigadën e tij, të nisej në luftë kundër nazistëve gjermanë në rajonin e Sremit në Vojvodinë, kurse çetnikët dhe partizanët të bënin çdo gjë të keqe në Kosovë, pa u penguar nga askush. I zënë ngushtë, para përgjegjësisë së madhe ndaj popullit, Shaban Polluzha që kishte një moshë 75 vjeçare, fillimisht kishte pranuar dhe, ende sa ndodhej në Podujevë në rrugë për në Srem, i arrijnë lajme të frikshme, se çetnikët kishin hyrë në Drenicën veriore dhe në disa pjesë të Kosovës në kufij me Srebi e po ekzekutonin njerëz në familjet shqiptare, duke i therur edhe me bajoneta.
Pas këtyre informatave, edhe përkundër urdhrit të prerë të Shtabit të Luftës Nacional-Çlirimtare Jugosllave, që të vazhdonte rrugën për në Srem, se më nuk do të ndodhte më asnjë vrasje e njerëzve të pafajshëm, ai kishte refuzuar kategorikisht pohimin e tyre dhe në bisedë u kithte thënë se; “ju më pretë në besë”. Në këtë “besë” ai kishte dyshuar vazhdimisht!. Këtë dyshim e kishte nga përvoja e tij e gjatë. Derisa ky po kthehej, Shaban Haxhia me Brigadën e VII-të të “Kosovë e Metohisë”, në të njëjtën ditë, po udhëtonte për në frontin e Sremit.
Gjatë kthimit nga Llapi për në Drenicë, brigada e tij sulmohet në pritë nga njësitë partizane, por pa pasoja dhe kapërcen Çiçavicën, duke u përqendruar në Drenicë, ngaqë aty ditë më parë, ishte likuiduar paria dhe njerëzit më autoritativ dhe luftëtarët ishin nga kjo pjesë e Kosovës. Serbia këtë rajon e konsideronte të rrezikshëm, duke kujtuar rezistencën shumëvjeçare të Azem Bejtës. Më 8 shkurt 1945, Shtabi Suprem i Ushtrisë Nacional-Çlirimtare Jugosllave, Kosovën e futi nën administrimin e hekurt ushtarak dhe shpall gjendjen e luftës. Tani shqiptarët pushkatoheshin në shtëpi, në rrugë dhe aty ku ndodheshin e lëvizeshin.
Shaban Polluzha me luftëtarët e tij, vendoset në Drenicën Perëndimore dhe aty organizohen në formacione ushtarake: në çeta, batalione, kompani, toga dhe njësi më të vogla. Në fillim, për shkak të raporteve jo të mira mes tij me Mehmet Gradicën, luftën kundër brigadave partizano serbe e zhvilluan ndaras, por ideali kombëtar i bashkoi në një front. Aksionet u organizuan sipas terrenit dhe strategjisë në vende të ndryshme, të përqendruar në Rezallë, Likovc, Obri, Plluzhinë, Ticë, Açarevë, Tërstenik, Llaushë, Prekaz dhe më vonë në fshatrat tjera të Drenicës Lindore, rrëzë Çiçavicës.
Në brigadën e Drenicës kishte luftëtarë edhe nga rajoni i Vushtrrisë, Mitrovicës, Artakollit, Llapushës dhe më pak nga viset tjera. Divizionet dhe brigadat ushtarake serbe, malazeze, maqedone dhe ato, ku kishte të inkuadruar edhe shqiptarë nga Kosova, si dhe Brigada e V-të e Shqipërisë që u kthye në Kosovë pas Vishegradit, kryen krime të frikshme kundër popullatës civile, në pamundësi që të hakmerreshin drejtpërdrejt për humbjet e tyre nga kryengritësit shqiptarë të Polluzhës.
Komandanti i Administratës ushtarake, Sava Derljeviq, kohë më pas, shkruante për kryengritjen e Drenicës. “…nga ana jonë ishin të angazhuar së paku 4 divizione, brigada e 46-të serbe, e 52-të e Kosmetit, grupi operativ i brigadave (e I-ra e Bokelit, e 6-ta malazeze, dy brigada të Kosmetit) dhe Brigada e KNOJ-it. Kohë pas kohe ishin të angazhuar edhe divizioni i 24-të serb dhe 41-të dhe ai 50 maqedon. Krejt këto forca kishin mbi 40. 000 ushtarë. Në këto përleshje edhe ne kemi pësuar humbje serioze”, – thotë Derljeviq. Janë tmerruese masakrat në Terstenik, në Skenderaj, në Polac, Rezallë, Drenas…Druar dhe në fshatrat tjera të Drenicës dhe Kosovës.
Në këtë luftë brigadat serbe, malazeze, ato Maqedone dhe ajo e Kosmetit, kanë pasur humbje të konsiderueshme në njerëz, sidomos në pjesën e fundit të janarit dhe në fillim të shkurtit 1945. Konsiderohet se në luftimet e ashpra kundër Brigadës së Shaban Polluzhës, janë vrarë 1500 luftëtarë të armikut dhe një numër tjetër është zhdukur. Luftimet më të mëdha janë zhvilluar në Terstenik, Obri, Rezallë, Likofc, Tërrnafc, Makermal, Çiçavicë dhe tek ura e Pestovës. Një popull i varfër siç ishte Drenica, e kishte të vështirë t’ i mbante me bukë aq luftëtarë sa kishte Shaban Polluzha, prandaj ai u detyrua të lëvizte me brigadën e tij, duke kaluar në fshatrat rrëzë Çiçavices, e pastaj në Shalë të Bajgorës e prapë në Drenicë.
Shaban Polluzha dhe Shtabi i tij i luftës, i vendosur tek Malajt në Rezallë, ishte ndihmuar edhe nga disa intelektualë nacionalistë, si Selman Riza, Ymer Berisha, Marije Shllaku, Ibrahim Lutfiu, dhe klerikët Mulla Ilaz Broja, Mulla Brahim Polaci-Hoti etj, ndërsa u masakruan Asim Luzha dhe Qamil Hoxha, i pari në Terstenik, i dyti në në Skenderaj nga brigadë e KNOJ-it.
Të tërbuar me sindromën e urrejtjes ndaj shqiptarëve dogjën dhe shkatërruan çdo gjë që ndodhej para tyre. Në këtë dimër, më të egrin që mbahej mend, gra dhe fëmijë morën plaçkat në dorë, duke mos ditur kah të shkonin. Pas shuarjes me gjak të Luftës së Drenicës, në Kosovë intensifikohet dhuna dhe terrori. Në pranverë të atij viti (1945) ndodhi masakra e Tivarit, u pushkatuan pa gjyq e me gjyq intelektualë, nacionalistë, idealistë dhe civilë. / Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm














