Nga Agim Hamiti
INXHINIERI KUJTIM BEQIRI, NJERIU QË E VARËN NË LITAR DY HERË SI SABOTATOR TË KËNETËS SË MALIQIT
Memorie.al / E pabesueshme…, por e vërtetë. Njeriu që e pësoi këtë ndëshkim të pashembullt në historinë e kriminalistikës botërore ishte inxhinieri i shquar shqiptar, Kujtim Beqiri, fotografia e të cilit është e ekspozuar edhe sot në universitetin e famshëm të Vjenës, krahas fotove të talenteve më të spikatur që kanë dalë prej dyerve të tij. Pas diplomimit me rezultate maksimale, Kujtimit, i’u bë ofertë punësimi si pedagog i atij universiteti, por ëndrra e tij ishte të ndihmonte në rimëkëmbjen e atdheut të prapambetur, që e donte shumë. Ai ishte bir i një familjeje atdhetare nga Velça e Vlorës. Babai i tij, Ali Beqiri, ka qenë bashkëpunëtor i Ismail Qemalit në përpjekjet për pavarësi kombëtare dhe anëtar i komisionit drejtues të operacioneve ushtarakë të Luftës së Vlorës më 1920-ën. Natyrshëm, djali ngjante në babanë.
Nën ndikimin e të atit, Kujtimi e adhuronte Kosovën. Në fillim të viteve dyzetë, me ndërmjetësinë e bashkëqytetarit të tij Kudret Kokoshi (që ndihmonte për organizimin e gjyqësorit në Prishtinë në atë periudhë), Kujtimi punoi mjaft kohë në Kosovë, ku investoi njohuritë e tij të gjera, në fushën e gjeodezisë moderne.
U kujdes gjithashtu që të ndërtonte atje dy ura, si simbol i bashkimit perspektiv të Kosovës me Shqipërinë amë. Mirëpo diktatura gjakatare, e përdori tharjen e kënetës së Maliqit, si kurth për eliminimin e disa intelektualëve të mirënjohur nacionalistë.
Ishte viti 1946, koha kur tekstet shkollorë në Shqipëri, ishin të mbushur me ditirambe të neveritshëm servilë (si këta më poshtë, kushtuar Jaranit të Enverit – Marshallit Tito:
“Tito Luftëtar,
Tito Çlirimtar,
Tito Fitimtar,
Tito Legjendar
I popullit tënd”!
Kujtim Beqiri dhe shokët e tij fatkeq (të mbiquajtur nga Sigurimi i Shtetit “Sabotatorët e Maliqit”) u arrestuan më 6 nëntor të vitit 1946, i nxorën në gjyqin e improvizuar politik më 8 nëntor 1946 (ditën e 5 vjetorit të themelimit të PKSH-së prej emisarëve të Titos), vendimi i gjyqit me dënimet drastike u shpall më 19 nëntor 1946 dhe martirët u ekzekutuan tri ditë më pas (22 nëntor 1946), në sektorin e punimeve për tharjen e kënetës së Maliqit.
Kujtim Beqiri e Abdyl Sharra u varën në litar, ndërsa Vasil e Zyraka Mano (çift), Mirush Përmeti dhe italiani Eugenio Scaturro, u pushkatuan.
Imagjinoni çfarë barbarie: për “Drejtësinë” enveriste, të përfaqësuar prej kriminelësh injorantë, do të mjaftonin vetëm 16 ditë (6 nëntor 1946 – 22 nëntor 1946), për të arrestuar, hetuar, gjykuar dhe ekzekutuar të gjashtë “Sabotatorët e Maliqit”!
Italiani fatzi, nuk kuptonte asgjë se ç’po ndodhte derisa e pa veten para plotonit të ekzekutimit, sepse nuk kishin angazhuar përkthyes për të. Bota e qytetëruar i trajton me kujdes të posaçëm inxhinierët e kalibrit të Kujtim Beqirit. Madje edhe kur shteti i tyre hyn në luftë, është i ndaluar me ligj, dërgimi i atyre në front.
Ndërsa ciniku profan i Gjirokastrës, (Enver Hoxha), që për dy vjet nuk mori dot asnjë provim në universitetin e Monpeljesë (Francë), i vriste me kënaqësi prej smirës intelektualët më të spikatur shqiptarë, sipas udhëzimeve të Marshallit Tito.
Gjatë ditëve të farsës gjyqësore të “Sabotatorëve të Maliqit”, në sallë kishte shumë gazetarë të radios e të shtypit jugosllav, të cilët fërkonin barkun nga kënaqësia që “Lavirja e tyre politike e Tiranës”, shfaroste trurin e kombit shqiptar! Operacion çnjerëzor që do të vazhdonte gjatë dhe do të sillte pasojat fatale që po përjetohen prej kohësh me inteligjencien e dobët, pa dinjitet e ndjenja kombëtare.
Krimi sllavo-komunist i “Sabotatorëve të Maliqit”, ashtu si incidenti i improvizuar i hedhjes së bombës në ambasadën sovjetike në Tiranë, la gjurmë me shëmtinë e tij edhe në ndërgjegjen e zbehtë të dëshmitarëve okularë të veçantë – aktorë të atyre tragjedive. Dikush prej këtyre të fundit, kur i erdhi radha e tij të dënohej prej diktaturës, ka bërë të ditur tek të burgosur të besuar, hollësi tronditëse të atyre krimeve. Për inxhinierin e rrallë Kujtim Beqiri, të varur në moshë të re, u arrit të merrej vesh se:
– Për “të vërtetuar” sabotimin imagjinar të piketimeve të bëra nga Kujtim Beqiri, për tharjen e kënetës së Maliqit, iu kërkua Moskës të dërgonte një inxhinier topografie me përvojë, i cili duhej të bënte çmos të gjente “të metat e qëllimshme të punës së sabotatorit” dhe të përpilonte një deklaratë me shkrim rreth tyre. Kjo deklaratë do të përdorej si kartë e fortë në gjyq. Mirëpo inxhinieri me përvojë, që dërgoi Moska, qëlloi të ishte edhe Njeri me përvojë e intelektual i moralshëm. Pas verifikimit të vëmendshëm në terren të piketimit, ai deklaroi me shkrim:
“Sikur të më besohej mua ri-piketimi i kanaleve shkarkues për tharjen e kësaj kënete, nuk do të lëvizja dot asnjë piketë prej vendit. Ajo është punë pa të meta e një inxhinieri mjaft të aftë”.
Natyrisht, kjo deklaratë shfajësimi nuk mund të përdorej në farsën gjyqësore, por është e vështirë që ta kenë lënë edhe në dosje…! Në këtë kuadër, duhet theksuar ky fakt shumë domethënës: Këneta e Maliqit u tha sipas piketimit të bërë nga Kujtim Beqiri, pa asnjë piketim tjetër.
– Më 21 nëntor 1946, Sigurimi i Shtetit, transferoi gjashtë “Sabotatorët e Maliqit”, të dënuar me vdekje, prej birucave të Tiranës në ato të Degës së Punëve të Brendshme të Korçës, për të qenë afër sektorit të punimeve në kënetën e Maliqit, ku do të kryhej ekzekutimi i tyre të nesërmen.
Makinat kishin ndaluar në Elbasan, që gjakësorët e Sigurimit, të merrnin nga një kafe. Në atë kohë, të dënuarve u lejohej t’i mbanin vetë lekët që u ndodheshin në xhep ditën e arrestimit. Duke e ditur këtë fakt, njëri prej oficerëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme, të karvanit të vdekjes, i kishte pyetur ata nëse dëshironin t’iu blinte ndonjë gjë. Inxhinier Kujtimi, i kishte dhënë lekë për t’i blerë dy paketa cigare dhe një shkrepëse.
Kur u kthye, oficeri i dha dy paketat dhe shkrepësen, por jo lekët e mbetura. Inxhinieri syshkëndijë, që e zotëronte mrekullisht veten edhe në ato rrethana terrori ekstrem, kishte reaguar menjëherë: “Pse nuk ma jep reston e lekëve? Për të më kujtuar se nuk kanë ç’më duhen, meqenëse unë po udhëtoj drejt vdekjes? Ato janë lekët e mia dhe duhet të treten bashkë me mua”.
– Fjalët e fundit të Kujtim Beqirit para varjes në litar ishin:
“Ne jemi të pafajshëm, këtë do ta vërtetojë Historia. Rroftë Kombi Shqiptar”!
Xhelati i Sigurimit, i hoqi karrigen dhe trupi i inxhinierit të mrekullueshëm u përkund në ajër me litar në grykë. Sekondat fatale kaluan më shumë nga zakonisht në raste të tillë dhe xhahilët e Sigurimit, po i tmerronte një dukuri e jashtëzakonshme: i varuri vazhdonte të merrte frymë me zor, në vend që të kishte dhënë shpirt disa sekonda më parë!
A mos Zoti po bënte tentativën e fundit, për t’i shpëtuar jetën një krijese të Tij të preferuar?!
Qysh nga Koha e së Drejtës Zakonore dhe e së Drejtës Romake, njeriut të dënuar me vdekje, i falej jeta nëse nuk shkrepte arma kundër tij ose kur, për arsye të paparashikuara, ekzekutorët nuk arrinin ta çonin atë në orën e caktuar për ekzekutim tek vendi i duhur.
Mirëpo, me komunistët katilë shqiptarë, nuk e gjeti dot fjalën as Krijuesi i tyre: 20 vjet pas ekzekutimit të “Sabotatorëve të Maliqit”, ata do t’i shpallnin luftë të hapur edhe vetë Zotit, duke shkatërruar xhamitë, kishat e vakëfet!
Të shokuar nga skena e tmerrshme para syve të tyre, shpirt marrësit e Sigurimit, e rivendosën Kujtim Beqirin për të dytën herë mbi karrigen fatale. Atëherë konstatuan se laku i litarit, kishte kapur jakën e palltos së inxhinierit virtuoz dhe nuk ngushtohej dot, në masën e duhur.
Ata e ndreqën gabimin dhe e kryen me sukses krimin partiak. Me siguri aktorët e Sigurimit të asaj tragjedie, janë dekoruar jo vetëm nga PPSH-së, por edhe nga bijëzat e saj rozë e blu.
Gjatë 25 viteve “demokraci”, asnjë presidenti të Shqipërisë dhe asnjë qeverie, nuk i ra ndërmend t’i akordonte një dekoratë atij inxhinieri të pa shok të tokës shqiptare, përballë intelektit e atdhedashurisë të të cilit, gjithë pushtetarët dhe sejmenët e tyre ngjajnë si liliputë mjeranë që, jetojnë vetëm fizikisht.
Në fakt ky është nderi më i madh që ata i kanë bërë pa dashje atdhetarit mendjehollë Kujtim Beqiri: nuk e kanë përzier emrin e tij të ndritur me emra gjakësorësh e tradhtarësh të dekoruar disa herë, me në krye Diktatorin-Agjent dy herë “Hero i Popullit” e tri herë “Hero i Punës Socialiste”!
Shumë prekëse fjalët e Kadri Beqirit (djalit të inxhinier Kujtimit), lidhur me përpjekjet e mëdha që ka bërë ai për të gjetur eshtrat e babait – një e drejtë themelore njerëzore e mohuar për shumicën e të ekzekutuarve të diktaturës enveriste prej komunistëve të djeshëm dhe neokomunistve të sotëm:
“I kemi kërkuar shumë eshtrat e babait në Maliq por, mjerisht, atje nuk kishte eshtra. Gjatë gërmimeve gjetëm vetëm një dorë njeriu, të cilën e futëm në arkivolin e vogël, sa për të pasur një varr të tij”! Memorie.al