Nga Dr. Jacopo Calussi, Università di Teramo
-Sistemi fashist i internimit dhe pushtimi italian i Shqipërisë: Një studim mbi marrëdhëniet ndërmjet ushtrisë dhe popullsisë-
Memorie.al / Punimi do të analizojë fazën fillestare të një kërkimi në lidhje me pushtimin Italian të Shqipërisë. Qëllimi i studimit është të evidentojë disa aspekte të pushtimit fashist të vendit: në veçanti, bashkëpunimin ekzistues në fushën e shtypjes së rezistencës dhe menaxhimit të kombësive të ndryshme në territorin shqiptar. Burimet kanë të bëjnë me disa koleksione arkivore ushtarake (ditarë lufte të ushtrive pushtuese dhe raporte për krimet e luftës të kryera nga italianët midis viteve 1939 dhe 1943), të ruajtura në Arkivin Historik të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë në Romë.
Në fazën e dytë, dokumente nga Arkivi Qendror i Shtetit (Ministria e Brendshme, Drejtoria e Përgjithshme e Sigurisë Publike) dhe nga Arkivat e Ministrisë së Punëve të Jashtme (në veçanti fondi i Nën-sekretariatit për Shqipërinë). Në këtë prezantim, një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet sistemit të internimit fashist në Shqipëri dhe në pjesën tjetër të territoreve të pushtuara nga Italia, me analiza të thelluara lidhur me varësitë e ndryshme të kampeve (ushtarake apo policore dhe të sigurisë publike) dhe metodat e funksionimit të tyre (popullsia e internuar dhe arsyet e internimit).
Hyrje
Në këtë punim, do të analizoj fillimin e kërkimit në lidhje me disa aspekte të pushtimit italian të Shqipërisë. Qëllimi i studimit është të evidentojë disa tipare të veçanta të pushtimit fashist të vendit, duke përshkruar fazat e ndryshme të përjetuara nga pushtuesi dhe popullsia. Hulumtimi bazohet në krahasimin e përvojave të të pushtuarit dhe pushtuesit, në rastin e ushtarëve dhe politikanëve italianë.
Në fakt, doktoraturën e kam kryer disa vite më pare, me një tezë për qeverisjen e krahinës fashiste nën pushtimin gjerman, dhe nën qeverinë formale të Republikës Sociale Italiane. Prandaj ishte shumë interesante të krahasoheshin disa nga mënyrat se si u menaxhuan territoret e pushtuara, përmes ‘lenteve të dyfishta’ të zyrtarëve dhe ushtarakëve të regjimit në kthesën e armëpushimit ‘italo-aleat’ të 8 shtatorit 1943 dhe në kushte krejtësisht të kundërta, në hierarkinë e shteteve satelitore fashiste.
Gjithsesi, vlen të përmendet se në dy përvojat e ‘kolaboracionizmit’, ka tipare të përbashkëta, si në trajtimin e administratës vendase, pra të qeverisë shqiptare dhe asaj italiane pas vitit 1943, ashtu edhe në problemet kryesore që lidhen me konfliktin botëror, si; racionimi, menaxhimi dhe shfrytëzimi i burimeve njerëzore dhe territoriale të zonave të pushtuara, ruajtja e rendit publik, represioni apo marrëveshja me lëvizjet e rezistencës dhe kontrastet ndërmjet autoriteteve aleate, apo edhe, siç do të shohim, në menaxhimin e çështjes hebraike.
Këtu do të fokusohemi në sistemin e internimit dhe të mbikëqyrjes speciale të regjimit të Musolinit, midis viteve 1939 dhe 1943, vit në të cilin, pas dorëzimit italian ndaj ushtrive anglo-amerikane, territoret e aneksuara ose të pushtuara nga Ushtria Mbretërore ranë nën kontrollin e Wehrmacht. Më pas do të përshkruajmë fazat e ndryshme të pushtimit italian të Shqipërisë, nën dritën e sistemit represiv fashist dhe të sistemit të ruajtjes së rendit e ligjit.
Duke filluar nga viti ’39, me një pushtim thuajse pa gjak, qeveria italiane u përpoq të arrinte një nivel të caktuar bashkëpunimi italo-shqiptar, në funksion të shfrytëzimit të burimeve minerale të territoreve të saj (sidomos kromit, për sa u përket niveleve të naftës, propaganda fashiste ekzagjeroi shtrirjen e puseve shqiptare);
Krijimi i një ekzekutivi pa asnjë lidhje popullore dhe kuadri institucional monarkik superior, i varur nga Ministria e Jashtme italiane, dukej se nuk pengonte një moment zhvillimi real në vend; nga ana tjetër, kjo fazë e shtrirë u pagua me sakrificën e çdo lirie demokratike dhe një margjinalizimi në rritje të popullsisë shqiptare, nga nivelet më të larta të ekonomisë kombëtare. I ashtuquajturi ‘sistemi Ciano’ bazohej në korrupsion të gjerë, të ushqyer nga elitat vendase dhe vetë zyrtarët fashistë, të cilët vetëm herë pas here sanksionoheshin dhe tërhiqeshin, për mashtrime dhe përvetësime të tjera.
Disa zgjedhje të liga në çështjet monetare dhe si pasojë spiralja inflacioniste filluan të minojnë marrëdhëniet midis pushtuesve italianë dhe popullsisë, që në fillim të vitit 1940, me çmimet që u rritën pothuajse dyfish, në vetëm gjashtë muaj (77-80% në nëntor 1939); në vjeshtën e ardhshme, pushtimi katastrofik grek dhe kundërofensiva në mes të territorit shqiptar, mbytën imazhin ‘perandorak’ të Italisë Fashiste.
Pas dështimit të luftës paralele të Musolinit, në fakt mund të flitet për një rezistencë të organizuar shqiptare, ky është përkufizimi i dhënë në ditarët e luftës të ushtrisë italiane. Nga janari deri në dhjetor 1941, zyrtarët e Ministrisë së Brendshme, Karabinierët dhe SIM, (Shërbimet e Inteligjencës Ushtarake), raportuan se kishin vendosur masa të posaçme vëzhgimi për rreth 21.000 shqiptarë; 5.600 prej tyre u internuan në kampe përqendrimi ose u mbyllën në zona të veçanta, sipas modelit të kufijve fashiste dhe të Savojës.
Kundërofensiva greke në frontin shqiptar, shkatërroi imazhin e pushtetit të krijuar nga propaganda dërrmuese e regjimit. Pasojat materiale kishin të bënin me periudhën e fundit të pushtimit në tërësi, e karakterizuar që nga dimri i vitit 1941, nga një sërë sulmesh sabotuese, shpërthyese dhe jo shpërthyese (si ai kundër Viktor Emmanuel III-të, i cili dështoi në janar të vitit 1941), atentate dhe prita kundër ushtarëve dhe zyrtarëve të Mbretërisë së Italisë.
Qeveria e brishtë shqiptare vështirë se mund të merrej seriozisht nga popullsia, në vazhdën e akteve kriminale të hakmarrjes së ashpër të komanduara nga italianët dhe disa formacione paraushtarake autoktone. Këto u bënë veçanërisht të njohura gjatë qeverisjes së Mustafa Krujës, veçanërisht për aktet e hakmarrjes ndaj partizanëve dhe popullsisë së rajoneve jugore dhe zonës së Janinës.
Nga viti 1942 e tutje, veçanërisht në territoret e aneksuara pas pushtimit gjerman të Jugosllavisë dhe Greqisë, u bë një normë e zakonshme vendosja e përgjegjësisë për sulmin ndaj komunitetit, që banonte brenda 1500 metrave nga vendi i ngjarjes. Të njëjtat rregulla, dy vjet më vonë, do të vendoseshin nga Wehrmacht, mbi civilët dhe partizanët italianë. Kushdo që gjendej me armë në duar ose në shtëpi, mund të vritej aty për aty, ndërsa internimi kishte të bënte me kryefamiljarët, madje edhe të moshuarit, që jetonin në vendet e sulmeve partizane.
‘Rregullat’ e internimit kishin të bënin me të ashtuquajturat ‘shkelje politike’, të kryera nga popullata vendase (kryengritje të armatosur, organizim ose pjesëmarrje në grupe dhe shoqata subversive, sulme me bomba kundër forcave të okupatorit, por edhe nxitje për dezertim në puna të detyrueshme ose rekrutimi ushtarak), ndërsa masat shtesë të hakmarrjes, mund t’i referohen të gjithë popullsisë së zonës midis moshës 16 dhe 60 vjeç, të mbajtur de fakto, si pengje për të penguar sulme të mëtejshme partizane.
Në Shqipëri, në një masë gjithnjë e më të madhe pas dimrit të viteve 1941-1942, do të miratoheshin të njëjtat rregullore radikale, që u miratuan në territoret e ish-Mbretërisë së Jugosllavisë, për të përballuar një lëvizje rezistence të pakontrollueshme. Sipas Rodogno, “Rrethorja famëkeqe 3 C”, e 1 marsit 1942, një dispozitë model për shtypjen radikale të rebelimit në Ballkan, u miratua në çdo kontekst të prekur nga pushtimi italian, me përjashtim të Francës Jugore.
Qarkorja ishte lëshuar nga gjenerali Roatta, komandanti i Ushtrisë së Dytë, bazuar në parime të ngjashme, komandanti epror i forcave të armatosura në Shqipëri, gjenerali Renzo Dalmazzo, i shkroi komandës së COA IX dhe XXV, (në sektorët e Shkodrës dhe Kosovës) më 16 shkurt 1943: ‘Njerëz të mire, arrestohen në qendrat e fshatrave. Revolta duhet të mbahet në dispozicion për t’u dërguar në kampet e përqendrimit, për reprezalje të mundshme të mëvonshme’.
Një rast i veçantë për popullsinë e internuar në Ballkan, ishte ai i Pirzio Biroli, komandant i forcave të armatosura në Mal të Zi dhe pas luftës, i paditur për krime lufte në zonën e komandës së tij. Në verën e vitit 1941, pas kryengritjes partizane malazeze, gjenerali u dha hapësirë oficerëve dhe ushtarëve të tij, për të shkatërruar shtëpitë më afër vendeve të kryengritjes, për të dëbuar çdo mashkull të rritur në komunitet dhe për të vrarë çdo partizan të dyshuar, në vend.
Kjo politikë bëri që disa mijëra malazezë, të dërgoheshin në kampet shqiptare të përqendrimit. Një vit më pas, vetë gjenerali, duhej të kuptonte pasojat negative të kësaj strategjie, e cila ishte krejtësisht e paefektshme ndaj rebelimit, pasi urdhëroi ngritjen e një komisioni rishikues, civil dhe ushtarak. Si rezultat, 3.000 ish-të internuar, mundën të kthehen në Mal të Zi, nga kampet shqiptare.
Përkundrazi, 3 mijë deri në 5.000 malazezë, mbetën brenda kufijve të Shqipërisë. Këtyre iu shtuan edhe rreth 1.597 robër lufte shqiptarë, të internuar pas pushtimit, për t’u liruar në vitin ’42, sipas marrëveshjeve me qeverinë shqiptare. Nga vera e ‘42-shit, numri i të internuarve shqiptarë u rrit me rritjen e veprimtarisë së rezistencës, e cila u organizua gjithnjë e më shumë, dhe rrjedhimisht me radikalizimin e represionit italian.
Në veçanti, njihen të paktën katër kampe internimi, për luftëtarët partizanë: Berati, Kavaja dhe Shijaku; dy vende të konstatuara internimi, Shiroka (VP) dhe Berati, ku banonin përkohësisht 150 hebrenj, ndoshta malazezë. Në total, sipas vlerësimeve të Capogreco, Rodogno dhe Conti, numri i personave të internuar për arsye ‘politike’, ose për t’u përfshirë në batalionet e punës, arrinte maksimumi nga 25 deri në 30.000, nga të cilët të paktën 5.000, ishin jo-shqiptarë në përkatësi etnike ose prejardhje.
Kampet për të cilat kemi disa informacione, ishin menaxhuar nga forcat e armatosura italiane, me punësimin e Karabinierëve Mbretërorë dhe vetëm pjesërisht me bashkëpunimin e prefektit vendas. Për sa i përket menaxhimit të rendit publik, forcave të armatosura, gjithnjë e më të shumta, por gjithnjë e më pak efektive, në përballjen e luftës guerile midis viteve 1942 dhe 1943, iu bashkuan Shërbimet e Sigurisë Publike të Ministrisë së Brendshme, në një pozicion konkurrues në lidhje me shërbimet e ushtrisë dhe Zyrat e Informacionit të Milicisë, të bashkuara me Ushtrinë e 9-të Italiane në Shqipëri, por me shërbimet e veta të inteligjencës.
Konflikti midis këtyre qendrave të pushtetit, të cilave iu shtua struktura administrative shqiptare, u bë një faktor gjithnjë e më i dëmshëm për ruajtjen e kontrollit mbi territorin. Zëvendësimi i Jacomonit nga Pariani dhe marrëveshjet e para me një pjesë të lëvizjeve të rezistencës së armatosur, çuan në një armëpushim të përkohshëm në dimrin e ’43-shit. Pranvera dhe vera në vijim, përkundrazi, panë një ringjallje të luftës anti-partizane italiane, gjithnjë e më të ngjashme në metoda dhe strategji me njësitë anti-bandite të Rajhut, dhe si pasojë reagimin e Lëvizjes Nacionalçlirimtare dhe pjesërisht të ‘Ballit Kombëtar’.
Në korrik 1943, me masakrën e Mallakastrës, Ushtria Mbretërore Italiane, ishte fajtore për krimet më të rënda të luftës të kryera në Shqipëri; Rënia e Musolinit dhe ‘shpërbërja’ e ushtrisë në shtatorin e ardhshëm, çoi në një dorëzim të pjesshëm të llogarive me italianët nga partizanët dhe në zgjedhjen dramatike të bashkëpunimit, me zotërinjtë e rinj gjermanë, ose kundër tyre me armë.
Një përmendje e vogël duhet bërë për çështjen hebraike. Teorikisht, imigrimi dhe qëndrimi i anëtarëve të komuniteteve hebreje në ‘Shqipërinë e Madhe’ (nënkupton zgjerimin e kufijve të kombit pas majit 1941) u ndalua me urdhër të gjeneral Jacomonit. As zyrtarët italianë dhe shqiptarë, nuk treguan respektim të rreptë të rregullit, aq më tepër që popullsia hebreje shqiptare, numëronte vetëm disa qindra anëtarë.
Për më tepër, edhe pse nuk karakterizohet nga qëllime humanitare, disa oficerë të lartë italianë, nuk e vlerësuan veçanërisht presionin Nacional-Socialist, për të dorëzuar hebrenjtë e Ballkanit dhe ishin në gjendje të përdornin autonominë e tyre, për të parandaluar dëbimin e disa mijëra hebrenjve, nga territoret shqiptare dhe ish-jugosllave. Në raste të tjera, oficerët dhe komandat, bashkëpunuan gjerësisht në Holokaustin në Kroaci dhe në zonat e kontrolluara nga Italia, të Bosnjës.
Ky qëndrim duhet interpretuar në dritën e konflikteve të kompetencave midis autoriteteve aleate dhe dëshirës së forcave të armatosura italiane, për të mbrojtur rolin e tyre. Përsa i përket kampeve kushtuar internimit hebre, kemi përmendur kampin e Beratit, si vend-banimi i 150 hebrenjve nga Cimmeria, Mali i Zi dhe nga territori i Mbretërisë Shqiptare; kësaj iu shtuan Kruja dhe Kavaja, e kampi i Prishtinës me gjithsej 500 hebrenj kosovarë, ose nga territoret e ish-Jugosllavisë të internuar, nën kontrollin italian, duke kujtuar se italianët kontrollonin vetëm gjysmën e Kosovës historike, me përjashtim, në Gjermani, te Zona e Mitrovicës.
Popullsia shqiptare ka bashkëpunuar shumë pak në denoncimin dhe arrestimin e hebrenjve të lindur brenda dhe jashtë kufijve të vitit 1939. Sipas një vlerësimi pas përfundimit të konfliktit, numri i hebrenjve në Kosovë, që vdiqën si pasojë e dhunës apo internimit, nuk arrinte në 80 persona. Megjithatë, strategjia fillestare e internimit, e kryer nga njerëzit e Musolinit, mund të shfrytëzohej nga forcat e armatosura dhe policia gjermane, në fazën pas 8 shtatorit 1943, me disa rezultate dramatike, për popullsinë hebreje të ish-Mbretërisë së Jugosllavisë.
Për të përfunduar, kërkimi i mëtejshëm mbi kolaboracionizmin ose më tepër për bashkëpunimin, ndërmjet palës italiane dhe shqiptare gjatë tre viteve të para të luftës, mund të shpjegojë më mirë marrëdhëniet e autoritetit që ekzistonin midis Aleatëve dhe pushtuesve; për ta plotësuar këtë, në asnjë mënyrë nuk duhet të rezultojë në gjykim rigoroz moral, pjesërisht të lidhur me vetë përkufizimin e kolaboracionizmit; Tek italianët, një lloj krimi i Kodit Penal Ushtarak të Luftës.
Metodologjia e kërkimit shkencor, e lidhur me aksesueshmëri më të zgjeruar të arkivave ushtarake italiane dhe diplomatike, janë instrumente mëse të mjaftueshme, për t’i dhënë dinjitet një objekti studimi shpesh të margjinalizuar nga historiografia evropiane dhe italiane, për luftërat botërore: në këtë mënyrë, mund të arrihen rezultate pozitive në studimin e fashizmave dhe rendit hipotetik kontinental, që frymëzoi strategjitë e tyre ndryshuese. Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016