Nga Sokrat Shyti
Pjesa e dyzetepesë
Memorie.al /Shkrimtari Sokrat Shyti është i “panjohuri i madh” që prej disa vitesh ka shfaqur majën e ajsbergut të krijimtarisë së tij letrare. E them këtë duke u nisur nga ajo sasi e pakët e librave të tij të botuar në këto vitet e fundit dhe kryesisht romanit voluminoz “Nata fantazmë” (Tiranë 2014). Romanet: “PËRTEJ MISTERIT”, “MES TUNDIMIT DHE VORBULLËS”, “GËRRYERJET E MAKTHIT”, “HIJA E TURPIT DHE E VDEKJES”, “KOLONELI KRYEDHJAK”, “SHPRESAT E NËMURA”, “PËSHTJELLIMET E FATIT” I, II, “MBIJETESA NË KASOLLEN E LOPËS”, si dhe vepra të tjera, të gjitha romane, me nga 350 – 550 faqe, janë në dorëshkrime që presin të botohen. Ëndrrat dhe vrulli i parë i romancierit të ri, që kthehej nga studimet jashtë shtetit plot energji e dashuri për artin dhe letërsinë, u prenë që herët nga tehu i egër i diktaturës komuniste.
Kush është Sokrat Shyti?
I kthyer nga studimet në Universitetin Shtetëror të Moskës, fill pas ndërprerjes së marrëdhënieve shqiptaro-sovjete në vitin 1960, Sokrat Shyti, punon në Radio “Diapazon” (që aso kohe gjendej në rrugën e Kavajës), në një redaksi me miqtë e tij gazetarë – Vangjel Lezho dhe Fadil Kokomani – që të dy, mandej, të arrestuar, e më vonë, të pushkatuar nga regjimi komunist. Përveç radios, Sokrati 21 vjeçar, nëse e përfytyrojmë, ka asokohe interesa pasionante letrare. Shkruan romanin e parë “Madam doktoresha” dhe është në prag të botimit, por… ajme! Fill pas arrestimit të miqve, si për ta mbushur kupën, një vëlla i tij piktor, arratiset jashtë shtetit.
Sokratin e arrestojnë në shtator 1963, ndërsa në nëntor të atij viti, e internojnë familjarisht, (me nënën dhe motrën e vogël), në një vend midis Ardenicës dhe Kolonjës së Lushnjës. Për 27 vjet rresht, familja banon në një kasolle lopësh me kallama, pa dritare, ndërsa Sokrati u nënshtrohet punëve të detyruara. Përgjatë 27 viteve, ai është i shtrënguar ligjërisht të paraqitet tre herë në ditë, tek i plotfuqishmi i zonës. Nuk ka të drejtë të lëvizë nga vendi i internimit, është i privuar nga çdo lloj dokumenti, etj. Në këto kushte, mes një kasolleje lopësh, ai lindi dhe rriti fëmijët. Pikërisht nga mbi këtë ngjarje, apo më saktë një histori tejet e gjatë persekutimi, është bazuar ai për të shkruar librin “Mbijetesa në kasollen e lopës”!
Agron Tufa
PJESË NGA LIBRI, “MBIJETESA NË KASOLLEN E LOPËS”
Ëmbëlsia e tij depërtoi thellë në shpirtin tim, mbrujti dashurinë më të pastër kristalore për njerëzit, më futi në gjak një ndjesi krejt të veçantë, që përgjithësisht mungon tek të tjerët, zhduku farën e mllefit të sharjes dhe urrejtjes, të cilat mbjellin armiqësi e krahëmarrje tinëzare! I pajisur me dashuri hyjnore dhe sjellje të adhuruar, rrezatonte kudo mirësi të pafund dhe gatishmëri për të ndihmuar cilindo në rast nevoje. U lidhëm kaq shumë pas njëri tjetrit, që në fëmijërinë time të hershme, sa ai vetvetiu u bë udhëheqësi im shpirtëror, krahas tim ati, dhe të dy ndikuan ndjeshëm e fuqishëm në formimin e karakterit.
(Që atëhere vura re me kënaqësi se tek mua filluan të kultivohen pothuaj të njëjtat veçori, si tek vëllai i dytë, Llazari, i cili vdiq në lulëzimin rinor, tetëmbëdhjetë vjeç, kur unë isha tetë vjeç, duke më shkaktuar dhimbjen më tronditëse të thellë, sepse e doja më shumë se çdo vëlla e motër në familjen tonë të madhe, dhe kurrsesi s’doja ta pranoja që ai kishte ikur përgjithmonë nga kjo botë!).
Kur hyri daja im i adhuruar në kthinën ku rrija ulur, m’u duk sikur brenda u fut vetë dielli pranveror, dhe hapësira rreth meje u mbush me dashuri hyjnore e ngrohtësi ledhatuese! Nuk e di sa minuta ndenjëm duke puthur e përqafuar njëri tjetrin, të pështjelluar nga malli amshuar, që s’kishte as fillim e as mbarim! Vetëm vura re përgjegjësin e hotelit, që i përlotur ngashërehej në heshtje, duke parë skenën e shprehjes së dashurisë të pazakontë, midis dajës e nipit, diçka që shumë rrallë ndodh edhe kur takohen at e bir, pas një kohe të gjatë. (Do kish ndenjur akoma duke soditur ketë skenë prekëse, po të mos e ndjente veten të tepërt). Ndaj u largua në majë të gishtave të na linte vetëm, duke patur parasysh që pas përqafimeve, do ulemi për të biseduar).
– “Më në fund u thye akulli i izolimit”!..tha duke psherëtirë daja im i adhuruar, kur zumë vend pranë tryezës. – Unë e kam quajtur dhe vazhdoj ta quaj mrekulli kthesën befasuese, e cila u shfaq krejt pa pritur si ylber i shndritshëm pas rrebesheve të njëpasnjëshme”! – iu përgjigja unë me vështrim të lumturuar, që takimi i përfytyruar mijëra herë nga të dy, qe shndërruar në realitet të prekshëm.
– “Edhe pse në vija të përgjithshme kam dëgjuar diçka, më mirë se goja jote askush tjetër nuk ma tregon, si zbriti kjo mirësi kaq e beftë, pas asaj katrahure të tmerrshme, që na plagosi zemrën dhe shpirtin…”! – tha ai me sy të përlotur.
E nisa rrëfimin nga zanafilla e kthesës, si u krijua boshllëku në trupën e teatrit amator të Shtëpisë së Kulturës, pas largimit të detyruar të një pjesëtari për arsye të fortë familjare, gjë që shkaktoi një ngërç të pazgjidhshëm për ecurinë e mëtejshme nëse nuk do zëvendësohej me shpejtësi, duke patur parasysh që problemi i shkaktuar paraqitej mjaft serioz, në radhë të parë i duhej dhënë shpjegim ministrisë së Kulturës e sektorit të Kulturës e Propagandës në Komitetin Qendror të Partisë, pse rrethi i Lushnjes, nuk do paraqitet në Olimpiadën Kombëtare të teatrove amatore, çfarë ndodhi që u frenua krejt befas ecuria e mbarë?!
– “Meqë nuk gjetën asnjë përgjigje bindëse shpjeguese, dhe vetvetiu do vërshonin kritika të rënda për këtë ndërprerje, iu rikthyen edhe një herë rrugës së vetme shpëtimtare, zëvendësimit të rolit me një aktor të aftë, i cili merrte përsipër ta përvetësonte rolin brenda një kohe shumë të shkurtër. Dhe drejtuesit e kësaj veprimtarie artistike, pyetën shokët dhe shoqet pjesëmarrës për cilin mendoni, duke shpresuar që edhe këta janë të shqetësuar për këtë ndërprerje. Mbetën të shtangur nga përgjigja, kur dëgjuan të përmendej emrin tim! Pasi kaloi ky çast hutimi, që i zuri në befasi, u shfaqën kundërshtitë e vrullshme kundër këtij propozimi, nën trysninë ndrydhëse të frikës të luftës së klasave, sepse askujt nuk ia mbante të parashtronte mendimin e vet.
Të gjithë ngrinin supet, nuk jepnin asnjë shpjegim, duke lënë të kuptohej se këtë çështje me “spec djegës”, e zgjidh vetëm shefi i madh i Partisë.
– “Të drejtë kanë patur. Kujt ia mban të japi mendim për një çështje kaq delikate? Askush nuk guxon të hapë gojën”!…plotësoi daja.
– “Fatmirësisht sekretari i parë i Komitetit të Partisë, rastisi shpirtmadh, me vizion evropian dhe karakter të guximshëm. Me të mbërritur emri im në kabinetin e tij, ky shfaqi interesim të menjëhershëm. Dhe pa asnjë lëkundje dha urdhër të bëhem pjesëtar i grupit amator të teatrit, duke i lënë të shokuar shefat e vegjël. Si një mrekulli e zbritur nga qielli, interesimi i tij për mua nuk mbaroi me kaq, por shkoi më tej: urdhëroi kryetarin e Degës së Brendshme, t’i sillte në kabinet vendimin e Komisionit Qeveritar të Internim-Dëbimeve, për familjen tonë. Pas leximit të kujdesshëm, zbuloi abuzimin e qëllimshëm të vendimit, sepse aty s’përmendej në asnjë rresht, vendi i strehimit, fshati apo kampi, sidomos “kasollja e lopës”, ku na na syrgjynosën dhe u dergjëm tre vjet!
I revoltuar nga ky shtrembërim hakmarrës, (i cili për të mos u zbuluar, mbetej anonim, por që kuptohej pa vështirësi se kjo farsë ligësie qe sajuar nga njerëz dashakeqës kundër meje), shefi i madh i Partisë i kërkoi llogari dhe e vuri përpara përgjegjësisë kryetarin e Degës së Brendshme, pse një familje patriote, me përbërje të shëndoshe, si familja e Thanas Shytit, bazë ilegale në zemër të qytetit, e cila rrezikoi qindra herë pjesëtaret e saj për të ndihmuar Luftën, për më tepër familje artistësh, që nderojnë emrin e Lushnjes, u trajtuan nga ana e Degës tuaj të Brendshme, egërsisht, si familje krimineli?!
– “Kuptohet që kryetari i Degës së Brendshme, ka bërë të paditurin para sekretarit të parë, me shpjegimin se manovrimet janë stisur pa dijeninë e tij, kur në të vërtetë si zor të kryhen veprime kaq të rënda, pa marrë formalisht mendimin e titullarit. Jo ai, që është i rrahur me vaj e me uthull, por dhe më naivi e kupton, se kur në vendim nuk përmendet vendi i kryerjes së dënimit, rrengun e kanë thurur shpirtzinjtë e ‘Qoftëlargut’, nga Tirana, ata që duan të shohin ty, duke u tërhequr zvarrë”! – theksoi i nervozuar daja.
– “Të njëjtin mendim kam dhe unë. Kur u futa mendërisht nëpër labirintet e kësaj prapaskene të ndyrë e mjaft të rrezikshme, dyshimi me çoi tek persona me emër të caktuar, që i përkasin fushës së letërsisë. Por këtë pikë le ta lëmë me kaq, pasi nuk janë as vendi e, as koha të merremi me intrigat e kësaj natyre. Të ka rënë rasti t’ia dëgjosh emrin shefit të madh të Partisë në rrethin tonë”? – e pyeta me vështrim pritës.
– “Jo vetëm ia di emrin dhe mbiemrin, por e njoh personalisht – u përgjigj daja me buzëqeshje. – Pikërisht këtu, ku po llafosemi, ka ngrënë drekë para katër vitesh, kur u bë një Konference partie. I shërbeva vetë. Atëhere punonte në Komitetin Qendror, me një detyrë të rëndësishme. Më vonë e emëruan sekretar të parë të Komitetit të Partisë, në Lushnje. Atëhere bëmë goxha muhabet. Ishte gojëmbël, i qeshur, mjaft i sjellshëm dhe i komunikueshëm. Ndjeva kënaqësi, që i shërbeva! Kaq hëpërhë. Tani vazhdo ti më tej, aty ku ta ndërpreva fjalën…”, – më nxiti ai.
– “Drejtues të tillë janë shumë të pakët. Nuk e teproj të them që në gjithë vendin tonë, nuk i kalojnë as gishtërinjtë e duarve. Tek këta shpirt-madhështia ndërthuret natyrshëm me guximin dhe vendosjen e drejtësisë. Janë të gatshëm e të aftë të marrin përsipër barra tepër të rënda mbi shpatullat e tyre, për të përmbushur synimin fisnik, edhe pse e dinë me siguri që do kenë pasoja të hidhura nga cinikët zemërzinjë, të cilët nuk i zë as gjumi natën, duke kurdisur gracka tinëzare”!… theksova unë.
– “E di, more nipçe, e di si thuren dhe sajohen kurthet e tmerrshme kundër njerëzve të ndershëm nga intrigantët në të gjitha shtresat e shoqërisë. E di edhe ku e kanë burimin këto paudhësi…”- shtoi daja me vështrim të zymtë. – Ndaj sot duhet të përdorësh shtatë hile dhe një trimëri, që t’ia dalësh mbanë.
– “Po ti qe nuk je i aftë të shtiresh, si e përballon këtë katrahurë të tmerrshme”?! – e pyeta unë me kureshtje.
– “Vetëm me humor dhe duke qeshur. E ke dëgjuar shprehjen: kur s’ke nga t’ia mbash, duhet t’i thuash derrit dajë? Kur ndodhem pranë kadilerëve, vetëm me këtë gjuhë e hedh vaun, që të mos kridhem brenda. Pastaj për t’iu bërë qejfin e shoqëroj përgjigjen me një të qeshur alla beratase, sepse kur të zë kadiu, s’ke ku e bënë davanë. S’ka mjet tjetër për të hequr kularin nga qafa, përveç humorit dhe të qeshurës. Por duhet të dish t’i përdorësh me shumë zgjuarsi, që hunda e të madhit të mos e nuhati karremin e nevojtarit. Se sado pak ta pikasi, të bënë gjëmën.
Ndryshon puna kur të mëdhenjtë kërleshen me njëri tjetrin: në këto raste përdorin brirët, si buajt. E përfytyroj fare qartë sa të vështirë e ka patur shefi juaj i partisë, për të përballuar kundërshtitë e kryetarit të Komitetit Ekzekutiv e kadilerëve hijerëndë, që kurdisën katrahurën e strehimit tuaj në kasollen e lopës. Duhet të kesh gjithnjë parasysh: këto mostra kurrë nuk heqin dorë nga dashakeqësit e tyre”!
– “Ata vënë në veprim të ethshëm pjesën më të skëterrshme të trurit, për të tjerrë fijet e kurtheve dhe intrigave”…- shtova unë nën shtysën e revoltës së brendshme, – “Edhe atëhere kur kundërshtarët u bindën se nuk do t’ia dalin dot, të prapësojnë e thyejnë vendimet e sekretarit të parë të Komitetit të Partisë, nuk hoqën dorë nga synimi i tyre, por gjetën një mjet tjetër për t’ia ulur hundën, që drejtpërdrejte më godit mua…”!
– “Çfarë kanë katranosur”?! – pyeti daja mjaft i shqetësuar.
– “Para dy ditësh mora vesh se emri im figuron në listën e rekrutëve të rinj”!
– “Ja kisha frikën këtij pazari të ndyrë! Ishte e pamundur të mos sajonin e kurdisnin një kurth prapa krahëve”! – theksoi daja me psherëtimë të thellë. – “Kadilerët dhe sejmenët, që kanë në dorë gurin dhe arrën, turfullojnë e ziejnë përbrenda, gjersa të gjejnë rastin të na goditin e shtypin kokën. Patjetër duhet të jesh interesuar dhe ke pyetur të njohurit e tu; mbi ç’baza ligjore mbështetet fletë-thirrja për ushtar?!
– “Sipas shpjegimit të prokurorit të rrethit, me të cilin kam njohje, (jurist i zoti dhe përmendet si njeri i mirë), vendimi i Drejtorisë së Mobilizimit në ministrinë e Mbrojtjes Popullore, cilësohet kryekëput i kundërligjshëm. Ka një nen të posaçëm në Kushtetutë, ku shkruhet: të internuarve nuk u lejohet të kryejnë shërbimin e detyruar ushtarak…”!
– “Po pas këtij shpjegimi, nuk të dha udhëzime si duhet vepruar për ta kundërshtuar”? – pyeti daja me mjaft kureshtje.
– “Këtu ngec sharra në gozhdë, – tha ai, – sepse na pengon shprehja e njohur: ‘kur të zë kadiu, s’ke ku e bënë davanë’. Ustallarët e ligësive, – shtoi ai, – dinë edhe ta futin shejtanin në shishe, edhe ta nxjerrin nga gryka e saj, kur u duhet për të përmbushur synimet e tyre djallëzore.
Për rastin tënd, – vijoi ai me tej arsyetimin e tij, (i cili përputhet me mendimin tim), – këta kanë shfrytëzuar dy vendimet e sekretarit të parë në dobi të familjes, (shpërnguljen nga kasollja e lopës, dhe sistemimin në arsim). Mbi këto dy vendime, kanë mbështetur thirrjen ushtar, duke përdorur si argument kushtet e reja, të cilët rrëzojnë automatikisht nofkën ligjore, ‘i internuar’, dhe mbetet vetëm pjesa dytësore, ‘i dëbuar’. Sipas tij, nuk përjashtohet as mundësia të kenë përgatitur letrat e duhura për në Komisionin Qeveritar. Kanë përfituar nga propozimi i sekretarit të parë, i cili hodhi idenë në prani të kryetarit të Komitetit Ekzekutiv dhe kryetarit të Degës së Brendshme, për t’i hequr ligjërisht familjes tonë njollën ‘i internuar’. Ndoshta që atë çast, kur shprehën miratimin e tyre me mendimin e sekretarit të parë, kanë patur parasysh ndajshtimin e grackës, dhe formulimin e kurthit të ri: në kushtet e reja të ndryshimit të statusit, nga internim në dëbim, meqë ndodhet në kufirin limit të moshës, duhet të thirret ushtar”.
– “E kuptoj, nipçe, e kuptoj. Janë rrufjanë të hurit e litarit! E kanë kopsitur shkresën në mënyrë te tillë, që sekretarit të parë të Komitetit të Partisë, t’i mbyllet çdo shteg për të dalë në mbrojtje. S’ke ç’bënë: Ja që të zuri ky siklet i madh, dhe do ta heqësh! Por të paktën ikën pa barrën e madhe të ankthit, ikën mëndje-mbledhur, sepse po e lë nënën dhe motrën në shtëpi prej guri, dhe kur të kthehesh nga ushtria, do punosh në arsim. Kur përfytyroj sa shumë jeni sfilitur të tre këto tre vjet, thirrja ushtar, më duket e keqja më e vogël.
Sado në fermat ushtarake të bie bretku dhe të vret sedra pse këtu kryejnë shërbimin e detyruar ushtarak, vetëm të deklasuarit, duhet të kesh parasysh se fizikisht, s’do lodhesh më shumë nga sa hoqe gjatë këtyre viteve, si hamall. Për sa i përket fyerjes së rënde, ‘i deklasuar’, duhet të përdoresh aftësitë e tua, si gazetar dhe aktor, që t’ia zbutësh vetes ketë nofkë. Pasi në ushtri ka disa veçori, që ndryshojnë nga jeta civile. Sigurisht edhe këtu përdoret lufta e klasave. Por ndërkaq, i mbajnë afër ushtarët me aftësi të rralla.
– “Të shohim, të shohim…”. – thashë unë, duke psherëtirë.
– “Mos u bëj pesimist! Të gjitha të mirat nuk vijnë njëherësh. Tre mrekullitë brenda një kohe fare të shkurtër, që erdhën sikur zbritën nga qielli, duhen vlerësuar nga ana jone. Ky fakt duhet patur gjithnjë parasysh. Tani i erdhi radha lajmit më të lumtur, fejesës tënde, që do ma mbushi shpirtin me mushtin e jetës”. -shtoi me sy të qeshur. – “Apo këtë e le për në fund, si ëmbëlsirën e muhabetit? Së pari me trego si lindi dashuria e pastër mes jush?!
– “Si zanafillë shërbeu vajtja ime në teatrin amator, kur më pranuan pjesëtar te grupit për të zëvendësuar të ikurin. Arqilini, ose shkurt Lika, si e thërresin të fejuarën-time, në dramë, loz rolin e nënës aristokrate, ndërsa unë jam djali i saj.
– “Edhe në shfaqje të paskan caktuar rol të deklasuar”!… – Qeshi daja. – Po të mos ishte i tillë nuk do ma jepnin”, -…ia ktheva unë me buzëqeshje.
– “Aty u njohët për herë të parë”? – pyeti ai.
– “Jo, jemi njohur para disa viteve, në moshën e fëmijërisë, kur Shtëpia e Kulturës organizonte brigada kulturore dhe na dërgonin nëpër fshatra, për të dhënë shfaqje. Pastaj unë u largova nga Lushnja, u ndërprenë lidhjet, dhe nuk e pamë më njëri tjetrin: Në fillim me studime në Shkodër, me pas në Moskë. Kur u ktheva prej andej, u vendosa në Tiranë…”
– “Zot na ruaj mendjen nga lajthitjet! – tha befas daja.
– “Pse ndodhin tek ne paudhësi kaq të tmerrshme?”!…
Duhet të kesh dy mëndje bashkë, për të përballuar e duruar tronditjet, qe shkaktohen nga tërmetet e pabesive?! Në vend të ndodhte e kundërta, qe shteti të vlerësonte e nderonte sipas meritave për përfundimet e shkëlqyera në mësime, të dha munxët dhe dënimin më të shëmtuar e mizor, syrgjynosjen në kasollen e lopës, pse vëllait tënd të dytë, i shkrepi të çante ferrat e të ikte nga sytë këmbët”!.. Të gjitha këto i përshkruan në letrën e saj ime motër, Ana…! Nuk më vjen tani ndërmend, si e ka mbiemrin e fejuara jote…”?!
– “Tusha”, – theksova unë. – Nga nëna dhe babai janë beratas.
– “Ka të bëjë me Petraq Tushën. vjehrri yt”? – pyeti me sy të qeshur daja.
– “sigurt”?!
– “Më duket se po…”, – ia ktheva unë, jo saktësisht i
– “Kaq më mjafton për të patur një ide të qartë rreth familjes së saj”! – theksoi daja.
– shtova unë. – “Ndoshta edhe më ka rastisur, por tani nuk e mbaj mend. Si Petraq Tusha nuk gjen shok të dytë gojëmbël në Berat! – tha me kënaqësi të hapur daja. – Ai të bën për vete me paraqitjen e jashtme, si burrë elegant e simpatik, dhe të ngroh e ngazëllen me sjelljen babaxhane”!…
– “E kam parasysh siluetën e tij elegante dhe portretin e qeshur. Pavarësisht pse ka kaluar mjaft kohë, nga dita që më njohe me të, me ka mbetur në vesh tingëllima e zërit të tij. E di që keni disa veçori të përbashkëta, ngjani me njeri tjetrin?!…
– “Ma bëre qejfin, që më krahasove me këtë burrë të mrekullueshëm! – tha daja. – Më vjen mirë që e fejuara jote i përket këtij fisi! Tani të kalojmë tek çështja më kryesore, që na përket neve dhe do ta zgjidhim. Për këtë më ka shkruar hollësisht motra ime e dashur në letrën e saj. Kur e keni parashikuar të kryhet ceremonia”?
– “Më 5 mars. Këtë e kushtëzon ikja ime ushtar. Nga dikush mora vesh që në një prill, mund të behet nisja. Prandaj s’ka kohë ta shtyjmë më tej?! Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016