Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon disa dokumenta nga fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së me disa proces-verbale të sigluara “sekret” ku bëhet fjalë për mbledhjen e Byrosë Politike të mbajtur më datat 2 dhe 3 korrik të vitit 1974 me temë “VEPRIMTARIA E RREZIKSHME DHE ARMIQËSORE E BEQIR BALLUKUT”, ku Enver Hoxha dhe Byroja Politike filluan kritikat dhe akuzat e para ndaj ministrit të Mbrojtjes Beqir Balluku, lidhur me përgatitjen e “Tezave të Këshillit të Mbrojtjes”. Të gjitha akuzat që iu bënë në atë mbledhje Ballukut nga Enveri dhe “shokët e Byrosë” si Hysni Kapo, Ramiz Alia, Manush Myftiu, Rita Marko etj., dhe si iu përgjigj Beqiri atyre….?!
VEPRIMTARI E RREZIKSHME DHE ARMIQËSORE E BEQIR BALLUKUT
Diskutim në mbledhjen e Byrosë Politike të KQ të PPSH
2-3 korrik 1974
Kjo mbledhje zgjati dy ditë. Byroja Politike e Komitetit Qendror diskutoi gjallërisht rreth materialit “Mbi disa çështje të rëndësishme në lidhje me gjendjen në udhëheqjen e Ministrisë së Mbrojtjes Popullore». Duke hapur mbledhjen, shoku Enver Hoxha tha: “Këtë mbledhje të Byrosë Politike po e bëjmë posaçërisht për të shqyrtuar disa probleme shumë të rëndësishme për fatet e atdheut, që kanë të bëjnë me vijën e Partisë në ushtri. Siç e keni parë në materialin që ju kemi dërguar, një nga çështjet ku viheshim në korrent është se në Ministrinë e Mbrojtjes Popullore ishte diskutuar një problem organizativ në lidhje me strukturën e udhëheqjes së ministrisë. Për këtë problem kjo udhëheqje ishte ndarë më dysh, një pjesë kishte një mendim, pala tjetër mendonte ndryshe. Të them të drejtën, sa e lexova këtë raport të Drejtorisë Politike, u revoltova, pse aty lihej të kuptohej sikur gjoja çështja shtrohej në formën e një diskusioni akademik për të mirën e punës, ndërsa unë mendova se këtu fshiheshin çështje të tjera jo me qëllime të mira. Mirëpo këto çështje kaq kritike dhe të rrezikshme, siç e patë në material, dolën më vonë, në mbledhjen për konsultim që bëri shoku Hysni me një tjetër, me tre kuadrot kryesorë të Ministrisë së Mbrojtjes, shokët Beqir, Petrit dhe Hito. Në atë mbledhje Beqiri, tërë nervozizëm dhe i revoltuar, i ra tavolinës me grusht dhe kërkoi nga shoku Hysni që Komiteti Qendror i Partisë t’u vejë deri në fund këtyre çështjeve. Prandaj sot ne po ia plotësojmë atij këtë dëshirë. Por veç, tashmë, kjo nuk është vetëm dëshira e shokut Beqir, në radhë të parë kjo është dëshira e Byrosë Politike, e cila është ngarkuar nga Komiteti Qendror i Partisë të mbrojë vijën marksiste-leniniste në të gjitha drejtimet dhe posaçërisht për këtë problem kaq jetik, siç është mbrojtja e vijës marksiste-leniniste në ushtrinë tonë. Prandaj, shokë, diskutimi që do të bëjmë në këtë mbledhje të Byrosë Politike, ka një vlerë të rëndësishme. Për këtë arsye unë kërkoj nga shokët, në radhë të parë nga shokët Beqir, Petrit dhe Hito që të tregohen në lartësinë e duhur të udhëheqësve, jo për t’i ngrënë kohë Byrosë Politike, por për ta sqaruar atë plotësisht dhe në mënyrë të sinqertë. Është detyrë t’i kursehen udhëheqjes pyetjet, t’u dilet përpara këtyre, të flitet këtu hapur çdo gjë, duke u bazuar fort në normat marksiste-leniniste të Partisë. Të gjithë e dimë se udhëheqja e Partisë, gjatë gjithë jetës së saj, ka ndeshur herë pas here në veprime të gabuara, bile shumë herë edhe armiqësore, por të gjitha këto ajo i ka studiuar me shumë kujdes e vëmendje të madhe, i ka gjykuar me pjekuri, pa gjaknxehtësi dhe vetëm pastaj ka vendosur me përgjegjësi e drejtësi marksiste-leniniste. Këta shokë, të cilëve sot u kërkojmë të na japin sqarime, e njohin mirë vijën e drejtë të Partisë, njohin normat e saj, ata kanë, gjithashtu, të qartë dashurinë e madhe dhe respektin që ushqejnë shokët e udhëheqjes për njëri-tjetrin, natyrisht, gjersa këta qëndrojnë në rrugë të drejtë marksiste-leniniste. Ata, gjithashtu, njohin edhe papërkulshmërinë dhe rreptësinë e udhëheqjes së Partisë, kur është çështja për të mbrojtur interesat e popullit, të atdheut dhe të Partisë. E kam çështjen që në ekspozenë tuaj, shokë, ju të tre, të jeni sa më të qartë e të shpjegueshëm, të flisni si komunistë, që edhe neve të na jepet mundësia të gjykojmë me objektivitet e me pjekuri dhe të marrim vendimet më të përshtatshme në interes të mbrojtjes së vijës së Partisë, me qëllim që, në radhë të parë, ushtrinë, si kurdoherë, ta kemi dhe ta bëjmë me të vërtetë gjithnjë e më të fortë, të çeliktë, ashtu siç e duan populli dhe Partia. Meqenëse çështja është për një problem të një rëndësie shumë të madhe, unë mendoj të mos jemi të shtrënguar për sa i përket zgjatjes së kohës së diskutimeve, shokët le të shfaqin lirisht të tëra pikëpamjet dhe çështjet që mendojnë të trajtojnë dhe për aq kohë sa do të dëshirojnë. Prandaj le të fillojmë. Mendoj që në fillim ta marrë fjalën shoku Beqir, të flasin edhe shokët Petrit e Hito, pastaj të themi ne të tjerët pikëpamjen tonë. Që në fillim të diskutimit të tij, Beqir Balluku u përpoq të mos i thotë Byrosë Politike të vërtetën për dobësitë që viheshin re në zbatimin e vijës ushtarake të Partisë, për qëllimet e antitezave që ishin përgatitur fshehurazi Komitetit Qendror të Partisë, kundër Tezave të Këshillit të Mbrojtjes etj. Për këto arsye, shokët e Byrosë Politike u përpoqën ta ndihmojnë atë me pyetje e këshilla, që ai t’i hapej Partisë.
SHOKU ENVER HOXHA: Këtu jemi në Byronë Politike, shokë, këto që po diskutojmë janë probleme shumë delikate, kanë të bëjnë me çështje ushtarake, me taktikën dhe me strategjinë tonë, prandaj duhet të mbahen shumë konspirative. Pikëpamja e udhëheqjes së Partisë sonë dihet, por ti u trego një çikë shokëve të Byrosë Politike cilat kanë qenë mendimet e udhëheqjes kineze që të kanë propozuar ty? Gjithashtu në këtë çështje na fol shkurtimisht, se materiali është i gjerë, çfarë rekomandojnë tezat e ushtrisë së sotme sovjetike të drejtuara nga revizionistët në lidhje me antitezat tuaja. Kanë ato lidhje midis tyre apo s’kanë? Si konkluzion, me cilat ke qenë ti në fakt? Diskutimi yt na lë ta kuptojmë këtë, por si komunist na e thuaj më qartë që të gjykojmë edhe ne e të të ndihmojmë të shërohesh.
BEQIR BALLUKU: Për Tezat e Këshillit të Mbrojtjes, unë kam kaluar një proces, gjatë të cilit janë rrënjosur disa koncepte, që kanë evoluar avash-avash… Këto koncepte kanë lindur tek unë pas Plenumit të 12-të të Komitetit Qendror. Unë nuk them se edhe para këtij Plenumi nuk i kam pasur, por këto kanë evoluar dal nga dalë. Për pyetjen që m’u bë se “Përse nuk vura në dijeni Partinë për materialin që u kundërvihej Tezave të Këshillit të Mbrojtjes”, dua të them se kjo ka ardhur nga budallallëku im.
SHOKU ENVER HOXHA: Budallallëk është ky? Përkundrazi, është një aftësi e madhe të bësh teza, bile në kundërshtim me vijën e Partisë.
HITO ÇAKO: Qysh kur shoku Beqir Balluku ka marrë në dorë vërejtjet tona, pas materialit të parë, mua më ka thënë se ka biseduar me shokët e udhëheqjes, bile më ka thënë se ka biseduar me shokun Mehmet [Shehu] për çështjen e forcave bllokuese, frenuese etj.
BEQIR BALLUKU: Nuk është gjë kjo, unë kam pasur mendimin tim për çështjen e forcave bllokuese dhe frenuese.
SHOKU HYSNI KAPO: Thuaje copë, shoku Beqir, pse nuk ke besim në udhëheqjen e Partisë dhe në vijën e saj? E them këtë se kushdo që ka besim në udhëheqje, i thotë Partisë që unë kam menduar kështu ose ashtu. që t’i hedh poshtë Tezat e Këshillit të Mbrojtjes, kur mendon që ne të shkojmë në luftë partizane, jo që kur fillon lufta, por bile që tani, se trembesh, ke frikë nga bombat atomike dhe nga forca ushtarake sovjetike, e cila të paktën juve ju ka futur tmerrin. Gjithë thelbi është këtu. Bomba atomike, nuk ka diskutim, është një armë e tmerrshme, kjo nuk duhet nënvleftësuar, por kjo armë nuk duhet të na bëjë të trembemi e të dorëzohemi, përkundrazi, na bie detyrë të marrim të gjitha masat për t’iu kundërvënë kësaj arme shfarosëse. Ka mundësi një gjë e tillë? Po, patjetër, ka mundësi dhe rrugëdalje.
SHOKU RAMIZ ALIA: Siç doli këtu, të është sugjeruar disa herë të informosh udhëheqjen për mendimet që ke, kurse ti asnjëherë nuk e ke bërë këtë. Pse ky mosbesim nga ana jote te Partia?
SHOKU MANUSH MYFTIU: Të përdorësh metoda fshehur nga Partia nuk është një «budallallëk». Çështja është që «studimet» për të revizionuar Tezat, ti u përpoqe t’i bëje gjatë një kohe trevjeçare dhe këtë duke mos e marrë vesh njeri fare, deri në një moment të caktuar. Nuk je i pari ti, shoku Beqir, që po bën një dava të tillë prapa shpinës së Partisë. Këtë ti e di mirë.
SHOKU ENVER HOXHA: Hallin Beqiri e kishte të bënte me vete edhe shumë kuadro nga të ushtrisë, për këtë ai nuk e informonte udhëheqjen.
SHOKU MANUSH MYFTIU: Ti, këtej përpunon teza themelore për mbrojtjen, këtej kërkon të japësh dorëheqjen se nuk je i aftë! Me këtë nuk na e mbush dot mendjen, shoku Beqir, këtu ka një kontradiktë në qëndrimet e tua.
SHOKU RAMIZ ALIA: Nga njëra anë, ai thotë se VEPRIMTARI E RREZIKSHME E ‘BEQIR BALLUKUT është i paaftë, por, nga ana tjetër, përgatit edhe materiale për të përpunuar teza. Kjo që bëje ti, mos ishte një protestë që nuk ishe dakord me Tezat e Këshillit të Mbrojtjes dhe i thoshe me këtë udhëheqjes: «Bëj si të duash, unë po largohem»?
SHOKU HYSNI KAPO: Dy herë Beqiri më ka thënë mua për dorëheqjen e tij si ministër i Mbrojtjes, unë jam habitur, prandaj e kam këshilluar të shkojë e të bisedojë vetë me shokun Enver, dhe menjëherë e vura në dijeni shokun Enver. Këtu Beqiri ngriti çështjen se «tani ka kuadro të tjerë», por kjo s’është arsye. Në fakt ai ka arsye të tjera, diçka zien brenda në ndërgjegjen e tij.
SHOKU ENVER HOXHA: Megjithëse shoku Hysni i tha dy herë të vinte tek unë për kërkesa të tilla dhe Beqiri i tha se do të vinte, në fakt, nuk erdhi. Më vonë, kur e thirra për punë, i tërhoqa vëmendjen, i kërkova arsyet pse nuk kishte ardhur, ç’ishin këto kërkesa dhe ç’e ka shtyrë të kërkonte dorëheqje dhe të mos vinte tek unë. Mos vallë kishte frikë nga unë, se mos i hiqeshin petët lakrorit?
SHOKU RITA MARKO: Nuk na sqarove, përse nuk i vlerësoje mendimet e kuadrove për materialet që u kundërvihen Tezave?
BEQIR BALLUKU: Nuk i kam parë mendimet e tyre.
SHOKU ADIL ÇARÇANI: I keni parë, qoftë edhe në qershor të 1974-ës. Po edhe më përpara përse jo? Si shpjegohet kjo? Ju ua keni dërguar materialin për të bërë vërejtje, ai ju kthehet prej tyre me vërejtje dhe këto ju nuk i paskeni parë. Nuk është kjo mospërfillje nga ana jote?
SHOKU HAKI TOSKA: Cilat janë ato gjëra «të këqija» në Tezat e Këshillit të Mbrojtjes, që të shtynë t’i viheshe punës për të bërë «teza» të tjera?
SHOKU ENVER HOXHA: Nuk të ka shkuar gjë në mendje ty, Beqir, që duke bërë këto përpjekje, kërkon të futësh pyka, të çara, në udhëheqjen e Partisë? Çfarë kam thënë unë në Plenumin e 12-të dhe çfarë thonë Tezat? Nuk ke menduar ndonjëherë që po të bëjmë kështu, krijojmë një çarje në udhëheqje? Kush është ai që e kërkon këtë çarje? Ti the se nuk ke menduar, por në praktikë materiali që ke përgatitur synon për përçarje. Përveç kësaj, ky material shoqërohet edhe me «citate» të Enverit për t’iu kundërvënë Tezave. Kjo për ne është e qartë. Kurdoherë armiku ka synuar që të arrijë ta shpartallojë udhëheqjen, që është aq jetike për Partinë dhe për popullin. Mos e ke dashur edhe ti këtë? Ti nuk je kalama në këto gjëra, ke eksperiencë.
(Me gjithë ndihmën që iu dha Beqir Ballukut me anë të pyetjeve e të ndërhyrjeve të shokëve të Byrosë Politike, ai nuk i tha gjërat me emrin e tyre të vërtetë. Pastaj u kalua në diskutime. Pasi folën shokët e Byrosë Politike, të cilët dënuan rreptë pikëpamjet dhe veprimet e rrezikshme të Beqir Ballukut, e mori fjalën shoku Enver)
Shoku Enver Hoxha: Më lejoni, shokë, të them edhe unë mendimin tim për këtë problem me rëndësi kaq të madhe që shtrohet përpara udhëheqjes së Partisë, Byrosë Politike të Komitetit Qendror. Si gjithë shokët që diskutuan, edhe unë jam shumë dakord me materialin që na kanë dorëzuar shoku Hysni me shokët e ngarkuar. Ky është një dokument me rëndësi ideologjike, politike dhe ushtarake, i qartë dhe bazuar mirë në teorinë tonë, njëkohësisht ai është objektiv dhe konkluzion i një studimi të shpejtë, por të vëmendshëm, të një numri materialesh voluminoze, të koklavitura dhe jashtëzakonisht të rrezikshme. Për këto arsye materiali që na kanë dhënë shokët ka një rëndësi shumë të madhe. Për këtë veprimtari të rrezikshme të Beqir Ballukut mendoj se duhet të vëmë në dijeni, në radhë të parë, anëtarët e Komitetit Qendror të Partisë; pastaj kuadrot e ushtrisë dhe gjithë Partinë, natyrisht duke ngarkuar prapë për këtë punë shokët që janë marrë me të, për ta plotësuar si duhet më tej materialin e parë edhe me diskutimet jashtëzakonisht të vlefshme e me përmbajtje të thellë komuniste, bolshevike të të gjithë shokëve të udhëheqjes. Çështja që po studiojmë, shokë, është rrjedhim i një pune armiqësore nga ana e Beqir Ballukut. Kështu mendojmë ta cilësojmë që në fillim veprimtarinë e tij. Natyrisht, si çdo veprim, edhe këtë që po analizojmë, ne e shohim, si kurdoherë, me syrin e marksist-leninistit, në prizmin e luftës së klasave, pra, drejt, objektivisht, nga pozita parimore dhe jo të shtyrë nga ndjenja të ulëta mikroborgjeze, personale, pasi vetëm nga lufta në pozita parimore varen ndërtimi me sukses i socializmit dhe mbrojtja e atdheut tonë socialist. Partia kurdoherë na ka mësuar dhe na mëson që në të tilla raste fajesh të rënda për çështje të mëdha (por pa lënë pas dore të voglat, se edhe këto pastaj bëhen të mëdha), ne duhet të jemi vazhdimisht në luftë. Me këtë nuk dua të them që të dyshojmë për çdo gabim apo për disa gabime me radhë që pa qëllim mund të bëjë ndonjëri. Rëndësi ka që gabimet të zbulohen, të njihen dhe të korrigjohen, njëkohësisht të shikojmë nëse këto janë ose nuk janë të rrezikshme, kanë apo nuk kanë qëllime armiqësore. Neve, gjithashtu, nuk na lejohet të flemë mendjen, duke u nisur nga pikëpamja jo e drejtë se gabime mund të bëjnë vetëm ata që janë nën ne, kurse ne, këtu lart, nuk bëjmë gabime. Po të udhëhiqemi nga të tilla pikëpamje, atëherë do të dalim në rrugë shumë të gabuar, gjë që do të jetë keq për Partinë. Me këtë dua të them që kritikat dhe autokritikat e drejta, parimore dhe konstruktive që bëjmë, qofshin këto të buta, në formën e këshillave shoqërore, qofshin sipas shkallës së gabimit ose të fajit edhe të ashpra kur duhet të jenë të tilla, absolutisht duhet t’u bëhen të gjithë atyre që shmangen nga rruga e Partisë, sepse, pa përjashtim, të gjithë jemi njëlloj përgjegjës përpara Partisë dhe popullit. Të jemi të ndërgjegjshëm, shokë, për atë që, në qoftë se kemi ardhur në disa vende në udhëheqje, këtu na ka sjellë Partia, vija e saj e drejtë dhe puna jonë, prandaj ky nuk është një privilegj, por një detyrë me përgjegjësi të madhe para Partisë dhe popullit. Prandaj dëshiroj të bëj të qartë se asnjërit nga ne të mos i rritet mendja për këtë dhe të mendojë se qenka kërthiza e botës. Përkundrazi, udhëheqësi në çdo kohë duhet të jetë i thjeshtë, jo vetëm në jetë dhe në veprimtarinë e vet të përditshme si udhëheqës partie, por në një shkallë më të gjerë edhe kur sektori i punës që drejton korr fitore sado të mëdha. Ne udhëheqësit, duhet të jemi të tillë, pse thjeshtësia është karakteristikë e njerëzve të pjekur dhe e trimave, ndërsa mburrjet dhe megalomania janë karakteristika të njerëzve të sëmurë, që përfitojnë nga situatat apo nga pozitat që u ka dhënë Partia për t’ia hipur popullit dhe Partisë në zverk. Në qoftë se lejojmë shfaqje të tilla, ne jo vetëm kemi thyer vijën e Partisë, po me këtë qëndrim i përgatitim varrin atdheut. Këto mësime të mos i harrojmë, siç i ka harruar krejtësisht shoku Beqir Balluku. Sikurse ju thashë në fillim, për shkak të kohës së shkurtër, unë nuk pata mundësi t’i lexoja dot të gjitha këto materiale voluminoze, por kam nxjerrë disa ekstrakte vetëm nga njëri prej këtyre materialeve, sa për të pasur një ide të përgjithshme mbi pikëpamjet e rrezikshme të hedhura në to dhe të bëra gjoja me qëllim studimi, por që në fakt janë në kundërshtim të plotë me Tezat e Këshillit të Mbrojtjes. Në këtë material, që m’u dha më përpara, kam hedhur disa ide në formë shënimesh, prandaj le të më falin shokët meqenëse janë si të shkëputura. Më pas do të them edhe mendimin, do të bëj konkluzionin për këtë çështje, por për të gjithë ne është e qartë se autori kryesor i këtyre materialeve është Beqiri, ndërsa të tjerët, që ka aktivizuar ai, janë. «shkrues». Autorët e njërit prej materialeve që pata rastin ta lexoj, thonë që në hyrje sikur në vetë Tezat e Këshillit të Mbrojtjes, në shtrimin e formave dhe të mënyrave të zhvillimit të veprimeve luftarake, aty-këtu ka trajtime, të cilat nuk u përputhkan me kërkesat e parimeve dhe të koncepteve themelore të Artit tonë Ushtarak Popullor të shprehura në vetë Tezat dhe në fjalimin tim në Plenumin e 12-të të Komitetit Qendror. Kjo do të thotë se Beqiri me shokët e tij na propozojnë teza të tjera që «të përputhen me këtë art ushtarak».
Kjo, shokë, jo vetëm është false, por njëkohësisht një denigrim flagrant dhe shumë i rëndë i udhëheqjes, natyrisht, i bërë me qëllim të keq. «Mospërputhje» të ideve të fjalimit tim në Plenumin e 12-të. të Komitetit Qendror me Tezat e Këshillit të Mbrojtjes, siç përpiqen të thonë ata që kanë përgatitur këto materiale, janë për shembull, pranimi i kundërsulmeve dhe i kundërgoditjeve si forma më e lartë e aktivitetit mbrojtës, ndërtimi operativ dhe i formacioneve të luftimit të njësive e të reparteve, duke pasur, si rregull, forcat kryesore për mbrojtjen e brezave dhe të rajoneve të mbrojtjes dhe jo për zhvillimin e aktivitetit të mbrojtjes. Sipas tyre, ne, pra, paskemi harruar zhvillimin e aktivitetit të mbrojtjes dhe çdo gjë e shikojmë në formë taktike. Mirë që na i kujtoka Beqiri me pasuesit e tij, se do të kishim rënë në greminë! Me këto pohime autorët përpiqen të na vënë në gojën tonë pikëpamjet e gabuara që kanë në kokën e vet, me një fjalë të na hedhin hi syve, duke u vënë në lëvizje me sulme e goditje çdo minutë, kudo dhe asgjëkundi. Por ne, more Beqir, këto figura metaforike nuk i hamë. Koncepti ushtarak i Partisë sonë është se në ndërtimin e formacioneve luftarake të mbrojtjes duhet të kemi parasysh që përbërja dhe përqendrimi i grupimeve të caktuara për çdo drejtim duhet t’i përgjigjet idesë së luftimit dhe të bëjë të mundur zgjidhjen e detyrës luftarake në mënyrë të pavarur ose sa më të pavarur që të jetë e mundur… duke mbajtur parasysh që të mos i shkoqim forcat, të mos i shpërndajmë ato në mënyrë të barabartë në të gjithë frontin, t’u jepet thellësi formacioneve luftarake dhe të mbahet një rezervë e fuqishme në dorë të komandës. Të gjitha këto që përmenda janë aq të qarta dhe aq të drejta, saqë s’kanë nevojë për asnjë koment, pasi komenti mund ta bëjë idenë të errët. Të tilla komente përpiqen të bëjnë Beqiri me ca shokë me qëllim që të errësojnë atë që është e qartë. Mos duan vallë autorët që, duke përdorur thëniet e mia të drejta në Plenumin e 12-të të Komitetit Qendror, të maskojnë tezat e tyre të rrezikshme? Kjo kështu lë përshtypjen të duket, po këtë ne nuk e lejojmë ta bëjnë, se është mashtrim dhe jo vetëm një mashtrim, por unë jam dakord me atë që të gjithë shokët e Byrosë shprehën gjatë diskutimeve të tyre, se kjo është një orvatje e rrezikshme, është shprehje e mendimeve armiqësore që kanë për qëllim përçarjen e udhëheqjes së Partisë. Që kjo është kështu, do ta shpjegoj shkurt edhe më vonë, se si Beqiri për një problem tjetër, siç është ai i strukturës dhe i organizimit në Ministrinë e Mbrojtjes, ka arritur ta çajë Komandën më dysh. Prandaj e them që tani se kjo ka qenë një orvatje tjetër nga ana e tij. Tezat kanë përcaktuar drejt si mbrojtjen pozicionale, ashtu edhe kundërsulmet e kundërgoditjet. Antitezat e përpiluesve të materialit janë të dënueshme, sepse nxjerrin goditjet dhe sulmet si nga më kryesoret e fazës së lartë të luftimit, fazë të cilën në fakt ata nuk e pranojnë. Ata ushtrinë tonë moderne duan të na e kthejnë kështu, që ditën e parë të luftës, në çeta partizane. Pikëpamjet e autorëve të materialit, sipas të cilëve kundërsulmet dhe kundërgoditjet nuk mund të jenë forma më e lartë e aktivitetit të mbrojtjes sonë sepse nuk u bazuakan plotësisht, sipas tyre, në parimet e Artit tonë Ushtarak të Luftës Popullore, pasi i angazhokan forcat tona në luftime e beteja të mëdha, të zgjatura dhe nuk qenkan të befasishme për armikun, janë krejtësisht të gabuara, të çuditin, bile të bëjnë të mendohesh pak më thellë sesa një habi e thjeshtë. Sipas tyre, përvoja e luftërave paska treguar se kundërsulmet dhe kundërgoditjet, kur janë dhënë me qëllime vendimtare, në më të shumtën e rasteve nuk kanë pasur sukses të plotë, por kanë arritur vetëm objektiva të kufizuar. Aq më tepër ato nuk mund të kenë sukses në mbrojtjen tonë kundër armiqve shumë herë më të mëdhenj e më të fuqishëm. Unë u bëj pyetjen: nga i kanë nxjerrë ata këto teori false edhe për shkencën ushtarake borgjeze, pa lëre pastaj për tonën? Çfarë disfatistësh janë këta që na hiqen edhe si ushtarakë të ditur! Por është e qartë se, ato që kanë studiuar ose lexuar, i kanë mësuar përciptazi dhe krejtësisht së prapthi ose nuk duan, ose nuk i përshtaten situatës apo më mirë luftës sonë. Idetë e autorëve se ne nuk duhet të ndërmarrim veprime kundërgoditëse që të likuidojmë sa më parë desantin ajror të hedhur, desantin detar të zbarkuar ose forcat tokësore armike, që kanë shpërthyer në një drejtim të caktuar mbrojtjen tonë, janë jashtëzakonisht të gabuara, pasi po të veprohet siç thonë ata, kjo i lejon armiqtë të përforcohen, të zgjerohen, të krijojnë kushte për të fituar hapësira sa më të mëdha, që të futin në përdorim në shkallë sa më të gjerë potencialin e tyre ushtarak. Luftën këta njerëz e mendojnë si njëfarë loje shahu spontane. Po t’i dëgjoje, këta mbanin vazhdimisht në gojën e tyre fjalë të mëdha, si: «Asnjë pëllëmbë tokë armikut», «të bëjmë fortifikata, të ndërtojmë ato, të bëjmë këto», kurse, nga ana tjetër, me antitezat e tyre i vënë minat forcimit të mbrojtjes së, atdheut. Sipas autorëve, kundërsulmet dhe kundërgoditjet kryhen për qëllime të kufizuara, prandaj mbeten si forma të thjeshta të aktivitetit mbrojtës, për rritjen e qëndrueshmërisë së mbrojtjes! Në këtë mënyrë, vazhdojnë ata, formave ekzistuese të aktivitetit të mbrojtjes, zjarrit, kundërsulmeve dhe kundërgoditjeve, u shtohet një formë e re, sulmet dhe goditjet, të cilat rritkan aktivitetin e mbrojtjes në shkallën më të lartë. Për ne, këto janë ide false, shoku Beqir, krejtësisht të gabuara dhe është fare e qartë se ato janë formuluar për t’ju kundërvënë Tezave të drejta të Këshillit të Mbrojtjes. Ideja e sulmeve dhe e goditjeve, si forma më e lartë. e aktivitetit të mbrojtjes, sipas këtyre autorëve, nuk ndryshon konceptet themelore mbi mbrojtjen që parashikon Arti ynë Ushtarak i Luftës Popullore, por, vazhdojnë ata, sjell ndryshime esenciale si në idenë për ndërtimin e mbrojtjes, për ndërtimin operativ dhe të formacioneve të luftimit, ashtu edhe në vetë zhvillimin e veprimeve luftarake në mbrojtje. Siç e shikoni, shokë, vetëm nga këto, çështja nuk kufizohet nga ana e tyre te sulmi dhe te kundërsulmi, te goditja dhe kundërgoditja, por në punimet e tyre ka një transformim rrënjësor të të gjitha atyre që ne kemi bërë e kemi vendosur, të të gjitha atyre që i kemi mbështetur në vijën e drejtë të Partisë sonë, lidhur me prapavijën, me ekonominë, me perspektivën, me politikën e jashtme etj, etj. Këta përpiqen të bëjnë kështu një riorganizim jo vetëm të ushtrisë, por edhe të shtetit, për të penguar ndërtimin e socializmit në vendin tonë. Ky është fillimi, pse sikur ata t’ia arrinin kësaj, sikur ne të kishim pranuar tezat që na paraqitin këta, atëherë gjërat do të vinin zinxhir njëra pas tjetrës, posaçërisht dhe veçanërisht deri në superstrukturë, pse çdo gjë në vendin tonë u duhej përshtatur këtyre “direktivave”. Beqir, kjo nuk do të thotë, siç mundohesh të na bindësh, se ti je përpjekur të «përmirësosh direktivat», kësaj i thonë thjesht t’i vësh kazmën socializmit. Kështu, pra, kanë menduar Beqiri dhe pasuesit e tij. Kjo do të thotë se këta jo vetëm janë kundër në parim, por janë kundër edhe në zbërthim, në ndërtimin e mbrojtjes dhe të formave të luftimit e të rendit tonë socialist. Këta, më duket mua (pa lëre çfarë llomotitin), është e qartë se refuzojnë mbrojtjen në front të rregullt, janë për t’i lëshuar territor armikut, kërkojnë me një fjalë qysh sot të na e bëjnë ushtrinë «rrush e kumbulla». «Arti ynë ushtarak, nënvizojnë ata, trajton dy lloj luftërash: luftën popullore në front të rregullt dhe luftën popullore partizane», që midis tyre ndryshuakan për qëllimet, format dhe mënyrat kryesore të zhvillimit, ndërsa në të vërtetë qëllimi i Artit tonë Ushtarak të Luftës Popullore është vetëm një, të asgjësojë agresorët brenda vendit tonë dhe të mbrojë lirinë dhe fitoret e socializmit./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016