Nga Spartak Topollaj
Edhe pse kanë kaluar gati 40 vjet nga jeta e tij, është e çuditshme, madje e papranueshme, që ende sot e kësaj dite shumë shqiptarë, këtej dhe andej kufirit, apo në diasporë, të kenë iluzione për Titon, këtë antishqiptar të përbetuar, konsekuent dhe të sofistikuar, i cili djallëzisht, herë haptazi dhe herë fshehurazi, së bashku me anturazhin e ngushtë të tij, e luajti kartën shqiptare në lojën dhe luftën politike mes qarqeve sunduese nacionaliste dhe shovene të Federatës Jugosllave (ku shquanin ato serbe), vetëm në favor të pushtetit jetëgjatë e absolut personal të tij. Dhe është pikërisht për këtë, qëllimi i këtij shkrimi, i cili synon të sqarojë disa të vërteta të mëdha, që pluhuri i kohës, apo dhe më keq akoma, ato të arkivave, t’i kenë fshehur dhe zhdukur sa mundën. Dhe e gjitha kjo, jo edhe pa ndihmën e duarve të gjata e të zeza që lëvizin tinëz në bodrumet e errëta të tyre, sa në Beograd, aq dhe në Moskë…?!
(vijon nga numri i kaluar)
TITO DHE E VËRTETA E MADHE E ANTISHQIPTARIZMIT TË DJALLËZUAR TË TIJ
Trojet dhe kombi shqiptar kanë historinë e tyre të lashtë e të shquar, që jo çdo vend e çdo komb e ka. Kur të parët tanë Ilirët dhe ne pasardhësit e tyre, prej mijëra vitesh ishim dhe jemi në këto troje me gjuhën, kulturën, traditat e historinë tonë, sllavët erdhën nga humbëtirat e stepave të Azisë mes shekujve VI- VII të Erës Sonë, Ekspansioni ose më sakte invazioni sllav u përhap me shpejtësi dhe forcë, veçanërisht nga gjysma e dytë e shekullit te XI, kur edhe pas Shizmës së madhe të Kishës Romane, Ortodoksia në Lindje u përqafua prej tyre. Në shekujt që pasuan ishte Kisha, pushteti i invazorëve sllavë e më vonë edhe “akademikët” e tyre, që s’reshtën në përpjekjet e tyre për shkombëtarizimin e autoktonëve arbëresho – shqiptar. Këto synime kulmuan në 1844 me Naçertanien e Ilia Garashaninit, (Ministër i Brendshëm e Kryeministër 1861 – 1867) që ishte Doktrina e Shenjtë Serbe për Luftë Speciale dhe synonte ringritjen e Serbisë së shekullit të XIV të Krajl Stefan Dushanit! Naçertania shërbeu si platformë kryesisht antishqiptare, madje deri në ditët tona me Çubrillovicët, Andriçët, Rankoviçët, Qosiçët e Millosheviçët, pa harruar vetë Titon, inspirues tinzar e i nëndheshëm për shumë prej tyre! Madje, ai dhe shpura e tij politiko-shkencore e “akademikëve” të Beogradit, bënin sikur nuk e dinin historinë, teksa “harronin” Lidhjen Shqiptare të Prizrenit që shpallte AUTONOMINE e të gjitha trojeve tona, (1878) apo Kryengritjet e mëdha të Veriut në preludin e PAVARESISE(1912 ).
Duke u rikthyer te periudha e Luftës së Dytë Botërore, nuk mund të injorohet fakti se shqiptarët i pritën me pushkë pushtuesit fashistë italianë, që me 7 Prill 1939, duke bërë rezistencë në mënyra të ndryshme, pra dy vjet e gjysmë përpara se komunistet e Grupeve në praninë dhe diktatin e të deleguarve të Titos të shpallnin krijimin e PKSH-së më 8 Nëntor 1941, pa zgjedhur askënd në krye të saj. Nga ana tjetër, edhe intelektualë të shkolluar në Perëndim, nga familjet e shquara atdhetare ,antifashiste, nacionaliste, legaliste apo balliste kishin filluar të organizohen në forma të ndryshme nga Çamëria në Kosovë, madje ishte përparësia për Çështjen Kombëtare dhe Lirinë e Atdheut, që bëri bashkë nacionalistë e komunistë në Pezë e Mukje. E pikërisht këtu, “shokët” jugosllavë, natyrisht me dijeninë e miratimin e Titos, nxorën thonjtë dhe dhëmbët, duke e quajtur tradhti të komunistëve kompromisin për luftë të përbashkët me nacionalistët, që natyrshëm kërkonin me plot të drejtë, rikthimin e të gjitha trojeve tona etnike pas Luftës. Pasi shantazhuan vasalin e tyre Enver Hoxha, e detyruan atë të hedhë poshtë Marrëveshjen dhe të dënojë të deleguarit e saj në Mukje, Ymer Dishnica e Mustafa Gjinishi, duke burgosur e internuar për dekada te tëra këtë mjek të shquar, pra Dr. Dishnicën dhe eliminuar fizikisht me pabesi, pas shpine, M.Gjinishin që gjatë Luftës. E gjithë dërgata e Titos, gjatë gjithë kësaj kohe e nënshtroi, madje e poshtëroi udhëheqjen e PKSH-së dhe vetë Hoxhën, duke imponuar vijën antishqiptare të Titos dhe atë të PKJ-së. Me nxitjen e jugosllavëve pothuaj të gjithë nacionalistët, personalitete të familjeve të shquara për atdhetari e kulturë, u përjashtuan nga KANÇ. Një krim i tmerrshëm dhe i pafalshëm qe Masakra e Tivarit ndaj mijëra të rinjve kosovarë, për të cilën Hoxha dhe Ramiz Alia duhet të damkosen përjetësisht si tradhtarë, të pabesë e vëllavrasës. Marrëveshjet skllavëruese në ekonomi, financa, Ushtri e Sigurim ku bënin ligjin këshilltarët jugosllavë, po përgatisnin terrenin për shndërrimin e Shqipërisë në një republikë të shtatë të Jugosllavisë. Kulmi i poshtërimit ishte vizita gati dy javore e Hoxhës në Beograd, gjatë së cilës, ndërsa i jepnin atij paradoksalisht dekoratën më të lartë të heroit të popujve të Jugosllavisë, refuzuan kategorikisht ta lejonin të vizitonte Kosovën, qoftë edhe formalisht për disa orë, e për më keq akoma, edhe kur ai me gjysmë zëri pyeti Titon se ç`do të bëhet me Kosovën, mori përgjigjen djallëzore të tij, se ishte absolutisht e pamundur nga që këtë nuk kish si ta kuptonin serbët?! Sipas kësaj logjike, Tito e kishte të vështirë t’i bindte serbët të jepnin atë, që pa qenë e tyre e kishin marrë padrejtësisht, djallëzisht dhe me dhunë, ndërsa “patrioti i madh”, Enveri ynë, e paskësh pasur të lehtë mirëkuptimin e shqiptarëve, për gënjeshtrën gati pesë vjeçare gjatë Luftës Antifashiste, se Çështjen e trojeve shqiptare do ta zgjidhim me “vëllezërit” jugosllavë, kur lufta të mbarojë! Në nëntor të 1947 Hoxha dhe politbyroja injorante e PKSH-së, me shumë jo shqiptarë në përbërje, duke u përulur me trup e me turp ndaj jugosllavëve, vetëvranë si antijugosllav Nako Spirun, duke mos lejuar të fejuarën e tij, Liri Belishova, anëtare edhe kjo e udhëheqjes së lartë, ta shihte për herë të fundit në spital gjatë orëve të agonisë! Tito ndërkohë kulmon me poshtërsinë dhe antishqiptarizmin e tij, teksa propozon e insiston të futen në Korçë dy divizione të Armatës Jugosllave, nën pretekstin përsëri djallëzor, që të na mbronte nga një rrezik grek!
Stalini dhe Kominterni që mbahej e hazdisej në luksin e hoteleve të Moskës e daçave të periferisë apo vendet klimatike të pushimit prej tij, e i bënte fresk këtij fshatari brutal gjeorgjian, përgjegjës për 27 milionë të vrarët e të zhdukurit në BRSS, (rekord absolut i zi për GINES) nuk mund të lejonin kultin e një tjetër diktatori, që çdo ditë e më shumë po kopjonte e imitonte vetë Stalinin, e që madje guxonte edhe ta stigmatizonte atë. Ndaj pas Letrave të Informbyrosë, që Tito i injoroi e hodhi poshtë publikisht, erdhi deri te shizma e parë e madhe e lëvizjes komuniste e punëtore ndërkombëtare e pas L. II B. Pikërisht nga kjo, u trimërua dhe përfitoi Enver Hoxha, që u prish përkohësisht me jugosllavët, bash në prag të Kongresit të Parë të PKSH-së, duke dënuar bandën trockisto-titiste të Koçi Xoxes & Co. siç edhe e etiketoi atë. Xoxe deri më atë kohë Nr. 2 i Partisë dhe i Shtetit, pa dashje i dha emrin e tij kësaj kohe të një represioni terrorist të egër e të paparë shtetëror, Po ky ishte dhe është një gabim i rëndë që bëhet, kuptohet se djallëzisht pas tij fshihej çifti makbethian Hoxha, sepse ishte vetë Xoxe, që në finale të gjyqit, publikisht deklaroi se: Çdo gjë e çdo krim që kam bërë, ka ndodhur me dijeninë dhe miratimin e Komandantit, ndaj do të jem bir k..ve, po fola qoftë dhe një fjalë të vetme. Dhe dihet, se menjëherë pas kësaj e vunë para plotonit të ekzekutimit, duke ia mbyllur gojën njëherë e përgjithmonë! Ende atij, edhe sot e kësaj dite, s’i është gjetur varri, por gati 70 vite pas ekzekutimit, dëshmi e dokumente të shumta që vërtetojnë krimet e torturat e përbindshme të asaj kohe, të cilat nuk mund të varrosen kurrë, që me plot gojën duhet quajtur, koha e diktatorit më të egër stalinist në Europën e pas Luftës së Dytë Botërore.
Prej një kohe të gjatë, shqiptarët nën Serbi apo Jugosllavi u përballën me krime, gjenocid, masakra, përdhunime, tortura, burgosje, internime dhe deportime prej pushteteve të radhës, ndaj ata e kishin të vështirë të bindeshin në sinqeritetin e më pak akoma t’i besonin propagandës së komunistëve të Titos gjatë L. II B. mbi gjoja të quajturin Bratstvo-Jedinstvo (Vllazërim – Bashkim ).Nga ana tjetër, pushteti i ri italian dhe gjerman i sapovendosur, shpalli bashkimin e trojeve shqiptare, nën një administratë të vetme shqiptare dhe nxiti hapjen e shkollave shqipe. Për të dyja këto arsye, në trojet shqiptare në Jugosllavi nuk u mbrrit deri te formimi i njësive të mëdha partizane, apo të një lëvizje të mirëorganizuar komuniste. Përkundrazi, forcat nacionaliste, të Shaban Polluzhës, Bedri Pejanit, Dem Ali Pozharit e të tjerëve, për arsyet e sqaruara më sipër gjetën terren më të favorshëm e përkrahje më të madhe.
Besojmë të jetë kuptimplote e domethënëse lista relativisht e gjatë e udhëheqjes së PKJ-së, Ushtrisë e shtetit jugosllav me Titon në krye, për të kuptuar dhe vërtetuar se për Marshallin, shqiptarët ishin dhe mbetën në margjina e përherë të nënvlerësuar, si qytetarë të dorës së dytë nën diskriminim. Kështu, edhe pse hierarkia e udhëheqjes ndryshonte sipas dëshirave e koniukturave të Titos, e pasuesve të tij, le të njihemi me më kryesorët: Ivo Lola Ribar, Mosha Pijade, Boris Kidriç, Eduard Kardel, Aleksander Rankoviç, Koça Popoviç, Arso Jovanoviç, Millovan Gjillas, Petar Stamboliç, S. V. Tempo, Bllazho Jovanoviç, Peko Dapceviç, Ivan Goshnjak, Streten Zhujoviç, Kosta Nagj, Jovo Kapiçiç, Milladin Popoviç, Dushan Mugosha, Stane Dollanc, Vladimir Bakariç, Ivan Millutinoviç, Nikolla Ljubiçiç, Branko Mamulla, Llazar Kolishevski, Kiro Gligorov, Xhemal Bijediç, Veselin Gjuranoviç, Mika Shpiljak, Marko Nikeziç, Latinka Peroviç, Millka Pllaninç, Savka Dapceviç Kucar, Mirko Tepovaç, Cvijetin Mijatoviç, Kërste Cervenkovski, Ante Markoviç, Budimir Lonçar, Millan Paniç, Stipe Mesiç, Borisav Joviç, Ivan Stamboliç, Franjo Tugjman, Raif Dizdareviç, Alija Izetbegoviç, Hamdija Pozderaç, Momir Bullatoviç, Millo Gjukanoviç, Ll. Moisov, V. Tupurkovski, S. Potoçar, S. Korosheç, Milan Kuçan , J. Dernovshek, Dobrica Qosiç, Sllobodan Millosheviç, V. Sheshel, R, Karaxhiç, R. Mlladiç, V. Koshtunica, Z. Xhinxhiç, Millan Millutinoviç, Nikoliç, Daçiç, Vuçiç etj etj
Në të gjallë të Titos, vetëm dy shqiptarë ishin për një farë kohe në udhëheqje, njëri në nivel Federate, Fadil Hoxha, personalitet shpesh kontravers dhe tepër i diskutueshëm dhe tjetri në kryesinë e LKJ-së, Mahmud Bakalli që reflektoi dhe u shfaq autokritik pas viteve’ 90 nga udhëheqsia shqiptare e Kosovës, më të njohurit ishin: Sinan Hasani, Xhavid dhe Elhami Nimani, Kolë Shiroka, Veli Deva, Iljaz Kurteshi, Ali Shukriu, Rrahman Morina, Mehmet Maliqi, Ymer Pula, Azem Vllasi, Kaqusha Jashari etj. Lidhur me rolin, vlerat, gabimet, fajet dhe përgjegjësitë e secilit, patjetër e kemi një opinion, por qëllimi i këtij shkrimi, që në krye të herës kuptohet se nuk është ky. Megjithatë, për ata ka një klasifikim, të cilit nuk mund t’i shpëtojë dot asnjëri prej tyre, të parët, janë ata që s’e pranuan kurrë dhe nuk bënë kompromis me regjimin titist e pas titist, duke vuajtur të gjitha pasojat deri në burgosje, tortura dhe eliminime fizike, të dytët u konformuan dhe bashkëjetuan me pushtetin, edhe pse nuk e donin, madje dhe e urrenin atë, por deri këtu guxuan, dhe të tretët, që u nënshtruan, e më keq akoma, u vunë në shërbim të pushtetit titist apo atij serbomadh millosheviçian kundër bashkëkombësve të tyre, pra vëllezërve të një gjaku e një gjuhe.
Me mbarimin e Luftës Antifashiste, shqiptarët në trojet e tyre në Jugosllavi, përsëri mbetën në robëri dhe për më keq akoma, nën pretekstin se ata nuk iu ishin bashkuar masivisht komunistëve që udhëhiqnin njësitë partizane të Titos dhe s’e pranuan lehtë regjimin e ri, pësuan represionin më të egër të OZNA-s, UDB-as dhe JNA-së, që kulmuan me “Aksionin e armëve”. Edhe pse për krimet e egra ndaj shqiptarëve, si rëndom ndodh me regjimet totalitare, janë zhdukur mjaft prova dhe dokumente, janë gjallë edhe sot shumë syresh, apo dhe të afërmit e mbi 50.000 të ekzekutuarve, të torturuarve e burgosurve nga klika Tito-Rankovic gjatë 20 viteve 194 -1966 në Goli Otok, Nish, Idrizovë, Mitrovicë etj., që së bashku, dëshmojnë me prova të pakundërshtueshme se pas këtij viti (1966)” Mjeshtri i Madh” Tito i lau duart si Pons Pilati në Plenumin e Brioneve, duke ia veshur fajet dhe përgjegjësitë Rankoviçit, i cili, në fakt, duhet thënë se deri sa vdiq më 1983, nuk pësoi asgjë!!! Po me djallëzinë e Titos, shqiptarët u ndanë në tri republika, Serbi, Maqedoni dhe Mal i Zi. Kosovës iu dha statusi i Krahinës (Obllast) brenda Serbisë dhe Rrafshin e Dukagjinit e quanin Metohi, ndërsa, nga ana tjetër, qysh më 1953 asaj ia morën edhe një territor jo të vogël (Lugina e Preshevës), për t’ia dhënë Serbisë!!! Djallëzisht dhe pa bujë, në marrëveshje me qeveritë hileqare të Turqisë dhe liderëve të saj, Inony, Bajar, Menderes dhe Gyrsel, Tito realizoi deportimin kriminal të 500.000 shqiptarëve nga trojet e mrekullueshme amtare, drejt Anadollit të thatë e të shkretë!!! Pranvera e trazuar e 1968 në Europë ngriti në revolta edhe intelektualët mendjehapur e rininë studentore shqiptare në Jugosllavi. Ata kërkonin liri e të drejta si popujt e tjerë të Federatës: Republikë, Flamur, Universitet etj. Ky vit shënonte edhe 500- vjetorin e vdekjes së Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, që mbetej frymëzim i përjetshëm për të gjithë shqiptarët kudo në Botë. Ndërkohë, edhe pse pak a shumë gandist, predikues i pajtimit, shkrimtari Adem Demaçi, ishte dënuar me afat të gjatë burgimi, për librin “Gjarpijt e Gjakut”. Ky qe Tito “liberali”, që nuk vonoi të përdorë represionin ushtarako-policor dhe dhunën e egër shtetërore ndaj qytetarëve shqiptarë, të konsideruar si të kategorisë së dytë, (edhe pse Rankoviçi kish filluar vakancat e gjata), dhunë nga e cila bëri një tërheqje taktiko-demagogjike në vitin që pasoi, pra 1969, kur nga frika njohu të drejtën e flamurit, simboleve kombëtare, universitetin, Institutin Albanologjik, dygjuhësinë dhe u hapën shkolla, teatro, Radiotelevizioni i Prishtinës gazeta e revista shqip. Kosovës iu dha statusi i Krahinës Socialiste Autonome, por jo ai i Republikës! Ky status, pra Republika, iu njoh Malit të Zi nga Tito, edhe pse me pesë here më pak popullsi se Kosova, apo Maqedonisë, që kishte gati të njëjtën popullsi me të! I detyruar nga presioni në rritje i shqiptarëve dhe për të ruajtur ekuilibrat në federatën amalgamë e plot nacionalizma shpërthyese, Tito shpalli Kushtetutën e Re, atë të’74, ku Kosova njihej si krahinë autonome, pjesë konstituive e saj me të drejtë vetëvendosje, deri në SHKEPUTJE, si gjashtë Republikat dhe Vojvodina, Krahina tjetër autonome është e kuptueshme që Tito të mendonte “pak” edhe për vete, teksa shpallej President i Përjetshëm i Jugosllavisë edhe “de jure”. Vetëm pak muaj pas vdekjes së Titos, në pranverën e 81-shit, shqiptarët u ngritën në protesta dhe demonstrata të fuqishme për të drejtat e tyre, gjatë të cilave u vranë 23 vetë. Tirana zyrtare heshti për turpin e saj dhe vetëm kur agjencitë e lajmeve dhe TV e huaja, publikuan pamje të shtypjes së përgjakshme të protestave, filluan lajmet për atë që ndodhte në gjysmën tjetër të kombit. Më vonë, saktësisht më 1989 Millosheviçi, me rastin e 600-vjetorit të betejës së Fushë -Kosovës (në festën e humbjes, pra) e hodhi poshtë Kushtetutën dhe rivendosi regjimin diktatorial serb, duke shtypur me zjarr e hekur të drejtat e liritë e shqiptarëve, të siguruara mes sakrificash të panumërta.
Pikërisht në këtë kohë një grup intelektualësh, kryesisht profesorësh universitarë e studentësh, themeluan në dhjetor të 1989 në Prishtinë LDK, në krye të së cilës zgjodhën dr.Rugovën, këtë personalitet gati unikal, Gandin e Ballkanit, Presidentin e ardhshëm të Republikës së Kosovës.
Çuditërisht, edhe sot pas gjithë këtyre, disa mendje pafille, vazhdojnë të mendojnë se “i përjetshmi President Tito”, paskej qenë proshqiptar! Po pse Kosova me një popullsi të re, me pasuri aq të shumta mbi e nëntokësore, me klimë e tokë të mrekullueshme, me lumenj e liqene mbetej pjesa më e pazhvilluar e Jugosllavisë? Apo edhe këtë s’e paska ditur Tito?! Të vetmen gjë që lejoi, madje dhe e nxiste kudo ku kishte shqiptarë, ishte ndërtimi i xhamive. Ata që mendojnë se kjo s’qe një gjë e keqe, se i ruajti shqiptarët nga asimilimi, në rastin më të mirë janë naivë. Kjo qe një bombë me plasje të vonuar, e qitje të largët, e para ua kthente nderin turqve që pranonin të shpërngulurit, e dyta u bënte qejfin myslimanëve të llojit Naser, Sukarno, Burgiba, Gadafi etj, që i kishte me shumicë te të paangazhuarit, ku ishte violinë e parë dhe në fund, i paraqiste shqiptarët para Perëndimit të krishterë, si të prapambetur, madje që edhe nuk e duan zhvillimin, e që nesër mund të kthehen në ekstremistë islamikë!
RETROSPEKTIVË…
Pas vdekjes së Stalinit dhe ekzekutimit të Berias, trojka Hrushov-Malenkov-Bulganin, para, gjatë, e pas Kongresit të XX,(23 Shkurt 1956) në kuadër të destalinizimit, përgatitën rehabilitimin e të persekutuarve prej tij, ku një vend “nderi” i takonte edhe Titos, paçka se edhe vetë ky, në periudha të ndryshme, kish imituar Stalinin, për të mos thënë që edhe ia kish kaluar në disa raste atij. Presion të drejtpërdrejtë iu bë PPSH-së dhe personalisht Stalinit tonë të vogël, Enver Hoxha, i cili e kish të vështirë të bindej për kushtin jugosllav për pajtim, rehabilitimin e Xoxes. Këtë e tregoi Konferenca e Tiranës, e pranverës ’56, e cila sa nuk çoi ne përmbysjen e Hoxhës që pushonte i qetë në Vlorë, por që pasi u njoftua, erdhi me urgjencë në Tiranë, mori situatën nën kontroll dhe urdhëroi Sigurimin për arrestimin e dhjetëra kritikëve, kryesorët e të cilëve i akuzoi si agjentë të Beogradit! Kështu u pushkatuan Liri Gega, anëtare e politbyrosë edhe pse 8 muajsh shtatzënë, Komandanti i Korparmatës së Parë, bashkëshorti i saj Gjeneral Dali Ndreu i legjendës së kryengritjeve antiserbë, Elez Isuf Ndreu, kolonel Petro Bullati, gruaja e të cilit ishte motra e Vasil Shantos, ndërsa shumë e shumë të tjerë, përfshi dy nga figurat kryesore të Partisë, Luftës, dhe Pushtetit komunist, Tuk Jakova dhe Bedri Spahiu, morën ndëshkime të rënda me burg politik, e ndërsa i pari nuk doli gjallë, pasi u la të vdiste në spitalin e burgut, i dyti ia doli të jetojë disa vite në demokraci, i liruar prej saj nga burgu dhe mbetet ndër të paktët (si e ndjera Liri Belishova dhe Gjeneral Leitnant Rahman Parllaku) që pranoi krimet e përgjegjësitë, madje edhe kërkoi falje publikisht. Me 16 maj ’57 u arratis ne Jugosllavi Panajot Plaku, anëtar i KQ, ministër, deputet, gjeneral, i vdekur më 1969 në Beograd në rrethana misterioze (me shume gjasë eliminuar nga agjentura e Sigurimit), të cilit, para e pas tij iu eliminuan të gjithë vëllezërit. Në maj të’61 u zhvillua farsa gjyqësore për grupin poliagjenturor të Teme Sejkos?! Si Temja, ashtu dhe vëllezërit e djali i tij, gjithashtu, u ekzekutuan, ndërsa e shoqja bëri vetëvrasje dhe djali tjetër u dënua me 10 vjet burg. Më pas, radhën e pati Liri Belishova, anëtare e BP dhe Sekretare e KQ; burri i saj i dytë Maqo Çomo, edhe ky ministër i Bujqësisë e anëtar i KQ si dhe Koço Tashko një ndër themeluesit e Partisë, e Kryetar i Komisionit të Kontroll Revizionimit të saj. Pas një farë ” qetësie ” relative , në dekadën ’73 – ‘ 83 , diktatori dhe Elena Çaushesku shqiptare , N. Hoxha, të ndihmuar nga i përzgjedhuri i tyre si diktatori i fundit shqiptar, Ramiz Alia, shpartalluan grupet “armiqësore” në ideologji, ekonomi e ushtri, dhe atë të M.Shehut e K. Hazbiu, duke ekzekutuar gati gjysmën e Byrosë Politike!
Por cili ishte raporti i vërtetë mes miq-armiqve Enver-Tito? A ishin të sinqerta anatemimet dhe akuzat e ndërsjella mes tyre? Pse Hoxha nuk e përmendi kurrë dëshminë e Gjillasit, që në gjallje të tyre, se në takimin me Stalinin në Kremlin, ky i fundit, teksa po diskutonin për Shqipërinë, bëri gjestin kuptimplotë të GËLLTITJES, pra me qartë s’kish ku të shkonte: GËLLTITENI SHQIPËRINË! Si mund të kuptohet ndryshe, veçse si një tradhti kombëtare e Enverit, Marrëveshja për Shkëmbimin e të Arratisurve me Titon, kur në të gjitha rastet ata ishin pa përjashtim shqiptarë dhe dihej fataliteti i tyre këtej e andej kufirit! Si shpjegohet që me gjithë anatemimin mes tyre, Jugosllavia e Titos mbetej partnerja e parë në shkëmbimet ekonomiko – tregtare e Shqipërisë Socialiste, vlera e të cilave në apogjeun e vet mbërriti deri në 112 milionë $ amerikanë të kohës dhe a llogariste Enveri një aleancë shqiptaro-jugosllavo- rumune, në rast të një agresioni sovjetik! Pse ai, pamfletin “Titistët” e publikoi vetëm pas vdekjes së Titos? A ka ekzistuar edhe një tjetër marrëveshje e pashpallur” xhentëlmenësh ” mes Enverit dhe Titos, për të bërë sikur e luftonin dhe e urrenin njëri-tjetrin, e nga ana tjetër, të sundonin të qetë në shtetet e tyre?! Ndoshta, këto pyetje dhe shumë të tjera si këto, meritojnë të sqarohen në një tjetër shkrim, por sidoqoftë, në mbyllje nuk mund të mos përmendim qeverinë e LDK-së së dr. Rugovës, Presidentit proverbial, këtij vizionari të madh e të pa lëkundur për një Republikë të Pavarur të Kosovës, me Bukoshin kryeministër, që organizoi FARK-un dhe arsimin shqip pas mbylljes së shkollave nga krimineli Millosheviç. Zhvillimet kulmuan me krijimin e UÇK-së me mijëra luftëtarë e me qindra dëshmorë në sa e sa beteja, ku shkëlqen eposi dhe legjenda e Jasharajve në betejën e Koshares. Pritjen vëllazërore unikale nga ne, të gati një milion bashkëkombësve tanë, të deportuar me dhunë nga ushtria, milicia e paramilitarët serbë dhe në fund, mirënjohjen e thellë e të përjetshme ndaj SHBA-së e NATO-s për çlirimin e Kosovës, çuarjen e kriminelëve serbë si Sllobo, Karaxhiçi, Mlladiçi dhe Shesheli, në Gjykatën e Hagës, shpalljen e Shtetit të Pavarur, plot 10 vite më parë, të njohur deri më tash nga 115 shtete të Botës, Pavarësi e paguar me aq gjak e sakrifica, mbi 10.000 të vrarë, mijëra të zhdukur, mijëra gra e vajza të përdhunuara, e mijëra shtëpi të djegura e të shkatërruara. Kosova ka qenë, është dhe meriton të jetë pjesë e një Europe të Bashkuar e Demokratike, për shkak të vokacionit të saj të përjetshëm perëndimor, si i gjithë kombi shqiptar.
(Historian, ish-ambasador dhe diplomat i karrierës)