Fatbardha Mulleti (Saraçi)
Pjesa e dhjetë
Memorie.al publikon disa pjesë nga libri ‘Kalvari i grave në burgjet e komunizmit’ i autores Fatbardha Mulleti Saraçi, (e mbesa e ish-prefektit të famshëm të Tiranës, Qazim Mulleti), familja e së cilës që nga viti 1944 e deri në 1991-in, u persekutua nga regjimit komunist i Enver Hoxhës, ku vetë babai i Fatbardhës, Haki Mulleti, ish-funksionar i lartë i administratës shtetërore, që nga vitet ’20 të shekullit të kaluar, u burgos dhe u internua familjarisht, deri sa ndërroi jetë në spitalin e Tiranës, i helmuar nga Sigurimi i Shtetit. Në librin e saj “Kalvari i grave në burgjet komuniste’ i cili vjen nga një punë disa vjeçare, autorja ka përshkruar me mjeshtëri historitë e panjohur, të disa prej grave dhe vajzave shqiptare, që vuajtën burgjeve dhe internimeve në regjimin diktatorial të Enver Hoxhës, duke filluar nga nëna e saj, Pertefe Mulleti, Marie Deda, Hajrie Kazazi, Kushe Seknej, Mrike Pali, Zyliha Rusi, Roza Jakova, Fatime Dilaveri, Hatixhe Pipa, Marije Gjoka, Angjelina Topalli, Vera Bekteshi, etj.
Syme Muka
(1905 – 1979)
Qe fare e re kur u martua me Shefqet Mukën. Vinte nga një familje (Barbullushët), që njihej për atdhetarizëm. Atë gjeti edhe ku nguli rrënjë. Ishte i shoqi, që shkriu pasurinë për çështjen kombëtare (1920), kur italianët u hodhën në det. Mandej drejtoi Strehën Vorfënore të Tiranës. Me të Symja kaloi jetë të lumtur. Ishte fat për burrin që kishte një grua të tillë: ishte e qetë dhe e bukur, e butë dhe e ëmbël, e dashtur, mikpritëse dhe besimtare e devotshme. Si në fillim, si në fund, pa iu ndigjue zani. Gjallnia e gëzimi që japin fëmijët mbushi shtëpinë.
Me pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste, internohet në Elbasan. Deri në fund mbeti armik i diktaturave të huaja të vendosura në Shqipni. Organizoi dhe drejtoi çetën e armatosur të Legalitetit në qarkun e Shkodrës. Mbeti armik edhe i diktaturës që po përvijohej në horizontin shqiptar.
Sapo komunistët morën frenat e shtetit në dorë, ai u ilegalizua. Atëherë, sikur vendi të ishte kthyer shekuj mbrapa, komunistët morën peng familjen e tij. Një grua dhe pesë fëmijë (3-15 vjeç), u izoluan në burgun e Shkodrës. Gjashtë muaj me radhë, mandej edhe një vit e gjysëm internim në Berat. Si e kaloi dhe përballoi këtë kohë? Ajo, fëmijët dhe një Zot e din.
Pas dorëzimit të të shoqit dhe dënimit të tij me 20 vjet, u kthye në Shkodër. Shtëpia qe grabitë nga oficerët e Sigurimit të Shtetit me themel. E vetme në udhëkryq. Çfarë të bënte? Bani atë çka banë qindra e mijëra gra e vajza. U bë burrë e luftoi me jetën. Hap për hap me kohën. Sy për sy me vështirësitë.
Dhëmb për dhëmb me të keqen. Dhe fitoi. Sfidoi përndjekjet e fukarallëkun. Rriti dhe edukoi fëmijë. Dhe shtëpinë e mbajti hapur.
Ndoqi burrin ngado ku ai vuajti dënimin e gjatë. E ndoqi dhe e mbajti, me ato mundësi që kishte, në shuplakë të dorës. Dhe priti. Priti pa u mërzitë, pa u ankue, pa u qa. Me shpresën te Zoti.
Ishte fillimi i shtatorit 1965, kur familja u ribashkua. Fëmijët i gjeti të rritur e të ndershëm, punëtorë e të nderuar nga të gjithë ata që i njohën. Zemra e tij u mbush nga një afsh mirënjohjeje për gruan, shokun e vërtetë të jetës.
Mbas një viti vdiq. Burgu kishte bë punën e vet.
Mandej, e rrethuar në shtrat nga fëmijët dhe të afërmit, mbylli sytë edhe ajo, duke mbetë përjetë në zemrat e të gjithëve. U mbyll një jetë plot vuajtje e mundime, duke lanë mbrapa fëmijët që e deshën, e nderuan dhe e adhuruan.
Zenepe Kraja
(1913 – 1998)
Lindi në Shkodër në një familje ulqinake, e cila duke mos mujtë me durue sundimin malazez, qe vendosë në Shkodër. Kur ishte 18 vjeçe u martua me Hafiz Ali Tarin (Kraja), klerik shumë i njohur, i diplomuar në disa fusha e poliglot i ndëgjuar. Mbi të gjitha ishte demokrat, realist dhe parashikues i të ardhmes të popullit tonë.
Si antifashist ai u internua nga italianët në Porto Romano, duke lanë gruan e dy fëmijët në shtëpi. Ishte edhe antikomunist po aq i vendosur.
Për dy vjet ishte gruaja e tij, Zenepja, që diti ta fshehë aq bukur, saqë asnjë kontroll nuk e gjeti. Pas dy vjetësh përfiton nga amnistia dhe dorëzohet. Mirëpo kjo ishte lojë e komunistëve, të cilët, jo vetëm që nuk e lanë të qetë, por e dënuan me vdekje, dënim që shkallë -shkallë iu ul në 20 vjet. Kjo ishte goditja e parë. Mandej erdhi konfiskimi dhe familja u zhyt në varfëri të thellë.
Si të jetonte? Ishte pyetja që shtrohej para të gjitha familjeve, sidomos para atyre që kishin njerëz nëpër burgje.
U detyrua që të bënte lloj-lloj punësh dore (qepje jorganësh, përgatitje shamijash për nuse malësore). Shkoi të punojë edhe në qytetin e Bajram Currit, gjithmonë me frikën se mos e kapte policia tek bënte punë private, që konsiderohej krim ekonomik. Ashtu i rriti fëmijët, ashtu i shkolloi, aq sa u lejohej. Ashtu e ndoqi burrin nëpër burgjet e Shkodrës, Tiranës, në Maliq, e së fundi (10 vjet) edhe në Burrelin famëkeq. Gjithmonë me pikësynimin që të fitonte aq sa të shkonte pranë të shoqit e t’ia lehtësonte vuajtjet. Gjithmonë me ushqime, ndërresa, ilaçe. Ishte heroinë e vërtetë; ashtu e pafjalë, plot vullnet, e rregullt, e pastër, do të udhëtonte, si shoqet e saja me mjete rasti për të takue “fatin” e saj. 10-vjetëshi i dytë qe ma i rëndi. Mosha po bënte punën e vet; asokohe rruga për Burrel kalonte nga Rrësheni. Aty ku i lenin makinat, ishin të detyrueshme me vazhdue rrugën në këmbë.
Shpesh merrte fëmijët që po i rriteshin pa babë, që të njiheshin me të. Burgun ata e njihnin nga librat (në ato flitej për burgje fashiste). Tashti ata njohën edhe burgjet komuniste…
Si e përballoi ajo këtë gjendje, se po rriste edhe fëmijë? Me punë të vazhdueshme e me kursime të mëdha. Me 1965 i shoqi lirohet. Tashmë të dy të plakun, bashkohen prapë. Ishin të lumtur, se mund të mbijetonin tashmë nën një kulm. Por asnjëherë nuk iu nda titulli “armik”, “familje e deklasueme”. Atë vit i grabitet biblioteka. Nga ai moment Hafiz Ali Tari vet izolohet e nuk del nga shtëpia, derisa më 1974 vdiq.
Ajo prapë nuk u dorëzua. Edhe nanë, edhe babë. Edhe burrë, edhe grua.
Sot asht 83 vjeçe, e mbërthyer nga paraliza në shtrat. 50 vjet në lëvizje të vazhdueshme plot vuajtje, nuk ishin pak.
Fati i rezervoi lumturinë e madhe që të shihte rënien e diktaturës komuniste, që të shohë me shpirt të qetë edhe se si rriten nipat e mbesat, që e duan aq shumë.
Fahrije Kazazi
(1915 – 1991)
Ajo kishte çdo gjë që i donte zemra. Ishte e martuar me Sabri Kazazin dhe kishte katër fëmijë të shëndetshëm e të bukur. Gjendja ekonomike ishte shumë e mirë. Perspektiva për fëmijët ishte e hapur. S’ka ma mirë. Mirëpo erdhi Lufta dhe ajo solli në pushtet komunistët, me të cilët familja e Kazazëve asnjëherë nuk qe pajtuar. Edhe komunistët një shkak donin, shumë herë edhe e krijonin për të eliminuar nacionalistët. Kështu ngjau edhe me Sabri Kazazin.
Fill mbas dështimit të Lëvizjes së Postribës, mbi familjet e trungut të Kazazëve, ra ‘Shpata e Damokleut’. Me akuzën për pjesëmarrje në atë Lëvizje, Sabriu dënohet me pushkatim, dënim që i ulet në 25 vjet heqje lirie.
Shtyllë e shtëpisë, tashti u bë Fahrija. U bë edhe babë për fëmijët. Shumë detyra për një grua, shumë vështirësie për të kaluar. Nuk ishte një vit a dy. Ishin 25. Pati presione gjithfarësh. Pati edhe “këshilla” për të nda burrin; se “ai brenda asht e ma shumë nuk del prej atje, se del”, por ajo qe aq e fortë, sa t’i përbuzte me neveri. E tillë ishte diktatura, saqë me forma nga ma të ndryshmet, nuk e lejoi këtë grua me kaq halle, që të mund ta shihte nënën e vdekur…!
Komenti asht i tepërt.
Çdo gjë duhej ta përballonte vetë. Dalëngadalë edhe me ndihmën e fëmijëve, që iu banë aq punëtorë e aq të mirë. Edhe pse punuan në vende pune nga ma të vështirat, edhe pse u përndoqën në shumë mënyra. Për të jetuar, pas atij konfiskimi të egër (“edhe dyshekët na i morën”), “u shit e u leçit”, siç thotë populli. Nuk ishte e vetme. Shumë zonja shtëpie ishin të detyrueme me bë. S’kishte rrugë tjetër. Mandej mbeti vetëm djersa e ballit që u derdh si shi duke thye gurë në gurore, duke fshi rrugët e qytetit, apo tek pastronte kanalet. Ditë për ditë derisa doli në pension.
Në këtë kohë edhe i shoqi shlyen dënimin dhe kthehet në shtëpi, të cilën e gjeti ndryshe, shumë ndryshe nga se e kishte lanë. Nuk patën fat ma të mirë as fëmijët. “Punonim në fermë – tregon e bija-dhe vetëm rruga vajtje-ardhje shkonte në tri orë, pa llogaritë 8 orëshin e punës.” Provuan ata edhe punë të tjera “më të lehta”, si përgatitja e zhugës, ndërtimi, etj., të cilat falë mobilizimit total i përballuan, pa iu skuqë fytyra, ashtu si përballuan edhe gjendjen e tensionueme që i rrethonte.
Asnjëherë nuk u lavdëruan, edhe pse punuan mirë; asnjëherë nuk u shpërblyen, edhe pse e meritonin. Ata ishin “ata”, “armiq”, bile të rrezikshëm.
Të tillë ishin fëmijët e saj, që ajo rriti dhe edukoi. Vdiq 5 vjet mbas të shoqit, pa shikue triumfin e demokracisë, në themelet e së cilës asht edhe djersa e saj.
Naxhije Curri
(1910 – 1993 )
Ishte në traditën qytetare, që vajzat ta qëndisnin vetë pajën e tyre. Të shumta qenë rastet, kur ndër të tjera, endnin figurën e shqipes me dy krenë mbi cohën e kuqe. Ishte gjest atdhedashurie. Ishte tregues i përkushtimit ndaj çështjes kombëtare. Një të tillë përgatiti dhe e çoi në shtëpi të burrit Naxhija, vajza e Dan Hasanit, kur u martua me Shaqir Currin, nipin e Bajram Currit. Sot Naxhija nuk jeton, por e bija ruan si kujtimin ma të bukur pikërisht këtë flamur, dhe nëpërmjet tij, kujton jetën plot tallaze të nënës së vet.
Nandori i vitit 1944, ia prishi jetën kësaj familjeje. Shaqiri ishte “persona non grata” për komunistë, tradicionalisht ai, si gjithë nacionalistët, ishte për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Mbasi e arrestojnë ia dorëzojnë serbëve, që mbasi i bëjnë gjyqin, e dënojnë me 21 vjet. E dërgojnë në burgun e Nishit. Të ndamë për së gjalli: ai në burgun e huaj, këta këtej në burgun që kishte sipërfaqe prej rreth 30 mijë kilometrash katrore.
Si mund t’i ushqente fëmijët e veten, veçse duke shitë pak nga pak sendet e shtëpisë? E kur ato mbaruan, a nuk punoi në procese shumë të rënda? Si mund ta dinte ajo se çfarë i hiqte burri burgjeve të Jugosllavisë? Ishte gjallë apo kishte vdekë? I kishte marrë apo jo letrat e saj? Sidomos atë fotografinë e saj ku i kishte shkrue “Në shenjë pleqnije të kujton me mall Xhija”. S’kishte asnjë mundësi që ta ndihmonte, por u bë copë që t’ia lehtësonte vuajtjet babës, që iu dënua 7 vjet, dy vëllazërive, njeri me 10 e tjetri tri herë radhazi me 15 vjet. Dy të tjerë ishin në mërgim, duke i dëshirua për 50 vjet. Gjithmonë e dëshirueme dhe pa çmallur. Por kishte të trashëgueshme krenarinë e familjes, forcën e saj, besimin në Zotin. Ata ishin burimi i forcës së saj. Me atë forcë ajo përballoi të gjitha situatat.
U takuan me të shoqin vetëm në vitin 1965, kur ishte në prag të pensionit. 20 vjet pa u pa. U duheshin edhe 20 vjet të tjera për t’i treguar njeni-tjetrit hallet e kalueme. Vazhduan jetën në kushtet e varfnisë së plotë. Ajo ia arriti të shihte se si diktatura dha shpirt, fat që nuk e pati i shoqi. Atëherë kur kishte dëshirë të shihte edhe pak, vdiq. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016