Nga Tomë MRIJAJ
Pjesa e dytë
Memorie.al / Gjithnjë në jetën time në vendlindje dhe New York, më ka shqetësuar origjina e hershme e zhvendosjeve apo shpërnguljeve të të parëve të mi nga Mirdita dhe vendosja në pjesën perëndimore të Kosovës. Kështu gjatë shekujve të historisë, kemi përqendrimin e banorëve katolikë në Kosovë me prejardhje jo shumë të largët nga Mirdita, të cilët quhen Fandë. Mbi këto banorë ardhacakë të së njëjtës kombësi, gjuhe, zakone e tradita, por të larguar për arsye ekonomike apo gjakmarrjeje do të shkruajnë, udhëtarë të huaj, kronistë, klerikë katolikë të shkolluar, albanologë, studiues e diplomatë të ditur të kohës.
Një ndër autorët, që trajton si personazh real banorët e Fandës, është edhe gjeniu me origjinë mirditor “poeti kombëtar” At Gjergj Fishta (1870-1940). Disa vargje poeti ua përkushton banorëve të njohur të Fandës, në kryeveprën e mirënjohur “Lahuta e Malcis”.
Në arenën e politikës shqiptare kishin filluar dhe mbajtur gjithnjë të ndezura kryengritjet e njëpasnjëshme anti-osmane. Lëvizjet çlirimtare kundër pushtuesve të huaj shumë shekullorë u nxitën dhe përkrahën nga grupi i patriotëve katolikë shkodranë, të cilët e kishin përqendruar të gjithë përkujdesin në krahun e lëvizjes kombëtare të Mirditës dhe përpiqej t’i jepte asaj rëndësi të veçantë politike, përmes synimeve konkrete të paracaktuar për dobësimin dhe gradualisht largimin nga toka arbërore një herë e mirë të pushtuesve barbar turq.
Dera e Gjomarkut, gjithnjë kërkonte që të reflektonte kuptimin politik të kryengritjes së Mirditës dhe në të gjithë Shqipërinë e Veriut, të stimuluar drejtpërdrejtë nga Dera e Gjomarkut. Ata krijuan ITIFAKU-n (Lidhja e Besës) në verë të vitit 1876, ku u bashkuan në Shën Pal krerët e 12 bajrakëve të Mirditës. Më pas këtë shembull pozitiv e ndoqi edhe Puka, Dibra, Krasniqja, Mati etj. Preng Bibë Doda, më 15 qershor 1877, i dërgoi një telegram Kongresit të Berlinit, duke e lajmëruar se Mirdita, kërkon të ruaj ‘Statusin’ e vet dhe se bajrakët nuk pranojnë kurrë-farë zgjidhjeje tjetër, përveç atyre që do të kenë për bazë respektimin e Autonomisë së Mirditës. Një fakt të tillë e përsërisin në një letër të dytë, ku nënshkruajnë krerët e 15 bajrakëve të Mirditës, të cilat shtriheshin prej lumit Mat, deri thellë në Kosovë, ku bënin pjesë 11 bajrakë.
Në këto ngjarje historike që kanë përfshirë Derën e Gjomarkut, bën pjesë edhe figura e prelatit të lartë të Kishës Katolike në Orosh Abatit të Mirditës Imzot Preng Doçi, i cili gjatë sundimit shpirtëror apostolik në famullitë e tij në Mirditë, tregoi pjekuri dhe aftësi për të ruajtur të bashkuar të gjithë besimtarët shqiptarë dhe respektuar gjithnjë Derën e Kapidanit të Mirditës. Abacia e Mirditës përbehej nga 13 famulli, që në qendër të aktivitetit baritor kishte ruajtjen e besimit në fenë e Jezu Krishtit, traditat më të mira të Kanunit të Lekë Dukagjinit dhe respektimit si përherë të Principatës së Mirditës – Dera e Gjomarkajve – Kapidani.
Deri asokohe kishat dhe kleri ishin në gjendje të mjerueshme. Figura e prelatit të lartë Imzot Doçi u rrit edhe më shumë falë respektit që ai gëzonte për Principatën e Derës së Gjomarkajve, që i ndihmuar nga këto të fundit nisi të bëj menjëherë rigjallërimin e ripërtëritjes së traditës fetare në popull, organizimi kishtar, meremetimi dhe rindërtimi i kishave të reja, bëri që të sheshoheshin disa mosmarrëveshje të vogla midis klerikëve, lartësoi deri në nivelin e Abacisë dhe krijoi selinë administrative apostolike.
Turqia, duke përfituar nga mosha e madhe e Kapidanit Gjon Mar Lleshit dhe nga mungesa e përkrahjes së tij asokohe, mundi me dredhi që të penetrojë në Mirditë, ndonëse krahina me luftë rezistoj për të ruajtur Autonominë e saj. Edhe gjatë luftës kundër Turqisë, në vitet 1872 – 1873, mirditasit u përfshinë në lëvizjet anti-turke, ku spikati Llesh Gjoni, si një prijës i pashoq, me virtyte burrërie dhe drejtues i aftë e trim.
Ai mbeti i vrarë si trimat dhe shembull i tij përmendet me respekt në vendlindje. 3 vjet më vonë më 1876, dhe në vitet që pasojnë 1877, 1878, Mirdita, përsëri ngrihet me armë në dorë kundër Portës së Lartë, duke u bërë arenë e përleshjeve dhe filloi në këtë mënyrë serinë e pandërprerë të luftërave liridashëse të prirë si gjithnjë nga Dera e madhe e Kapidanit, brez pas brezi. Nuk ka ngjarje historike të Mirditës, ku të mos ndihej prania dhe autoriteti i Derës së Kapidanit, mençuria, aftësia e shkathtësia e zgjidhjeve me pushkë e mend, të të gjithë problemeve kundër pushtuesve shumë shekullorë turq.
Në lidhje me “Lidhjen Shqiptare të Prizrenit” të vitit 1878, ka pasur shumë keqinterpretime nga historianët para dhe pas diktaturës komuniste në Shqipëri dhe në kohën e sundimit të serbëve në Kosovë. Për këtë ngjarje është anashkaluar roli dhe kontributi që ka luajtur krahina e mirënjohur e Mirditës dhe qytetarët e nderuar shkodranë. Ndryshe e ka analizuar dhe trajtuar këtë ngjarje, Kapidani i Mirditës Ndue Gjon Marku, i mbështetur tërësisht nga burimet historike autentike shqiptare dhe jo turke, sikurse shpesh është referuar e ashtë-quajtura historiografia komuniste në Tiranë e Prishtinë.
Duke shfletuar me kujdes librin e juristit dhe Kapidanit të Mirditës Ndue Gjon Marku, në veprën e vet, ku, ndër të tjera lexojmë një realitet shumë të vërtetë historik se: “Shqiptarët i shpejtuen kontaktet dhe në fillim të qershorit 1878, gjithë paria e Shqipnis u mblodh në Prizren. Aty u vu Itifaku (Lidhja e Beses) si mbas Kanunit të Lek Dukagjinit dhe krijoi (lidhjen shqiptare për mbrojtjen e tokave kombtare) e që ma vonë u quajt “Lidhja e Prizrenit”. Me 13 qershuer 1878, Lidhja e Prizrenit dërgoi nji Memorandum Kongresit të Berlinit, me pika të caktueme mbi të drejtat e popullsisë shqiptare.
Në Shqipni të Veriut morën pjesë edhe katolikët dhe Shkodra u ba qendra e rezistencës prej së cilës doli Komiteti shkodranë i Lidhjes, i përbamë prej 12 anëtarë katolik e 12 mysliman… Tue marrë parasysh zgjimin kombëtar për mbrojtjen e tokave shqiptare prej Malit të Zi, Preng Bibë Doda, pa ngurrim u vu në dispozicion të Lidhjes. Në krye të 10.000 luftarve, ra në Tuz e aty bani qendrën e komandës. Mjerisht gjendja u turbullue me qëndrimin antikomtar te Abdullah Drenit i cili, megjithëse ishte anëtar i Lidhjes e aj vetë bestar i Itifakut, përbujti Mehmet Ali Pash Maxharrin të cilin Lidhja e konsideronte anmik të Shqipnis…”! (Fq. 27 – 28).
Veprimtaria anti turke vijon dhe zgjerohet nga viti në vit. Në fillim të shekullit XX (viti 1903), tarafi i Gjomarkut si gjithnjë i ripërtërirë nën kryesinë e Kapidanit të Mirditës, Marka Gjoni, merret shumë me çështjen kombëtare, duke ngritur në këmbë ndërgjegjen atdhetare të mirditorëve. Falë respektit dhe autoritetit që gëzonte prijësi i parisë së Derës së Kapidanit Marka Gjoni Mirditës, i bashkëngjiten edhe trimat e Pukës, të cilët përmes disa aksioneve antiturke në një mbledhje të përbashkët i dërgojnë një Memorandum Valiut të Shkodrës dhe Konsujve të Fuqive të Mëdha me rezidencë në Shkodër, duke i kërkuar kthimin e Preng Bibë Dodës.
Dhe Memorandumin e përpiluar nga Abati i Mirditës imzot Preng Doçi dhe për herë të parë e zbardhë në librin e vet Kapidani Ndue Gjon Marku, që në mbyllje ka këto fjalë: “Sulltani nuk do të njihet kur Prijsi ynë; flamuri i hanës nuk do të valvitet ma në malet tona, na duem të jemi të lirë, duem qi kombsija e jonë të njifet si kombsija e popujve tjerë. Tash e mbrapa Flamuri ynë do të jetë ai i Gjergj Kastriotit Skanderbegut, i cili ka fillue tue fluturue n’eren e Liris”!
Është e rëndësishme të dihet nga historiografia shqiptare dje dhe sot, se përveç 6 Prillit 1911, ku trimat e Dedë Gjo’ Lulit, përmes një luftë të lavdishme ngritën Flamurin e Gjergj Kastriotit dhe më 28 nëntor 1912, Ismail Bej Qemali në Vlorë ngriti Flamurin kuq e zi, edhe më përpara datave të sipërcituar në Mirditë dhe më saktë në katundin Vinjollë, prej patriotit Ndue Gjoni, që është vëllai i Kapidanit Marka Gjonit, më 25 prill 1902, është ngritur Flamuri i Shqipërisë në Ditën e Shën Markut.
Memorandumi pati një rëndësi të madhe, se për herë të parë tronditi në themel rrënjët e kalbura të Perandorisë së “pathyeshme” turke, e cila mendonte se pas kryengritësve të prirë nga mirditorët e Kapidanit, fshihej Austro – Hungaria. Edhe ardhja e xhonturqve nuk solli ndonjë ndryshim në strategjinë të ashtë quajtur liberale të turqve të rinj, të cilët ishin më fanatik dhe konservator se etërit e tyre. Ata nuk morën asnjë hap për të qetësuar zemërimin e banorëve të Mirditës të udhëhequr nga Marka Gjoni, kërkonin lirimin pa asnjë kusht të prijësit të tyre Preng Bibë Dodës.
Në situatën e re të krijuar dhe pasi filloi t’i çjerret maska xhonturqve të rinj që erdhën në pushtet, për të treguar se janë “liberalë”, u detyruan të lirojnë Preng Bibë Dodën, i cili u prit në qytetin bregdetar të Shën-Gjinit, me një pritje shumë të madhe nga popullsia e Mirditës, Këthellës, Malësisë së Lezhës dhe Zadrimës. (fq.39). Ardhja e Preng Bibë Dodës në vendlindje, solli një ripërtëritje të re të krahinës dhe rriti edhe më shumë moralin dhe shtrëngimin e radhëve rreth Derës së Kapidanit të Mirditës. Ky personalitet, ndërmori një sërë masash të domosdoshme, falë eksperiencës politike, kulturore dhe frymës së shëndoshë fetare e atdhetare që kishte gëzuar nga të parët e tij të Principatës së Derës së Gjomarkut – Kapidani.
Edhe vitet 1910 – 1911, janë vite të mbarsura me ngjarje dhe episode interesante historike që në mënyrë të njëanshme dhe me shumë tendenciozitet, janë trajtuar pa asnjë frymë reale historike nga studiuesit e vjetër dhe për fat të keq, edhe ndonjë i ri i painformuar dhe i pa liruar nga kompleksiteti i historiografisë së kaluar, që ka marrë si bazë “faktet” historike. Më së miri “historianëve” u jep përgjigje Kapidani i Mirditës, Ndue Gjon Marku, kur thotë se: “Kush thotë se Dedë Gjo’Lulin e kan pre Kapidani i Mirditës e Mirdita, aj asht anti kombëtar, komunist e malazias, me qëllim me mbajt gjallë shkëndin e dasisë në mes Mirditës e Malsisë, me cenue nderin e prestigjin e Kapidanit të Mirditës e me ligshtue krahinën katolike ma të fortën e Shqipnis.
Ket pohim temin e përforcon fakti se ata që përgatisin përkujtimin e Dedë Gjo’ Lulit, ftojnë historiqenin e rastit, nji ndër ma të korruptuemin komunist të Enver Hoxhës, me qëllim me përforcue tezën e tyne përkundrejt Kapidanit të Mirditës e, ky asht Pal Doçi, vëllau i famkeqit Mhill Doçi, i cili ka ngarkue vedit e shpis vet 14 gjaqe pse, në Qafë Valmerit, mu bash aty ku asht vra komunisti Bardhok Biba, Mehmet Shehu ka ekzekutue për hakmarrje të Bardhok Bibës, 14 burra të pafajshëm…”! (fq. 43).
“Dera e Gjomarkut në kohët e vonshme”, përbën pjesën tjetër interesante të librit të shkruar nga Kapidani i Midritës, Ndue Gjon Marku. Periudha më e zezë dhe më e rëndë që ka kaluar Dera e Gjomarkut, është ajo e komunizmit, ku liritë dhe të drejtat e njeriut nuk kishin asnjë vlerë përballë bishës së egër të hurit dhe litarit, me të cilën sundoi për 50- vjet sistemi komunist i diktatorit antishqiptar Enver Hoxha. Mirditës dhe Derës së Kapidanit, i vëhet nofka “qendër e reaksionit”, “trathtarë”, “agjentë të CIA-s, Vatikanit” etj., fjalë të denja vetëm për hartuesit e kuzhinës së sistemit, që i lindi dhe i rriti shërbetorët servilë të komunizmit.
Dr. Mark Gjomarku, është një ndër përfaqësuesit më të denjë të Derës së Kapidanit të Mirditës, që iu kundërvu me armë në dorë me bashkëluftëtarët e tjerë antikomunistë regjimit të Enver Hoxhës. Ai dallohej për cilësi të spikatura në fushën politike, duke qenë Ministër i Punëve të Brendshëm, në kohën kur Kryeministër ishte z. Mustafa Kruja, gjatë vitit 1942 – 1943, e pas tij mbajti të njëjtën detyrë. Më 10 qershor 1944, Dr. Mark Gjomarku i dërgon një letër të vëllaut të vet, Ndue Gjomarku, që ndodhej asokohe në Shkodër, në lidhje me dhunën që po përdorin komunistët, duke i bërë thirrje që të bashkojë mirditorët në luftë kundër komunistëve.
Ai ndër të tjera i shkruan: “Ndue, që me sot fillon kthesa e re politike, jo vetëm për vendin tonë (Mirditën), por për tanë Shqipnin. Fuqija përdhunuese komuniste na kërcenon. Ajo poshtëron, dhunon, njollosë gjithçka të shejtë ka shqiptari: ndjenjat e njeriut të thjeshtë, emrin e tij, vetitë e tija, vërtytet e pastra morale, familjen, besën, burrërinë e Zotin e Madh nuk e njeh për Zot e, ne s’na mbetet tjetër veçse me e kundërshtue me ato fuqina që kemi në dispozicjon. Del në Mirditë e i pari e filloja rezistencës. Në ty, sot mbështetet fillimi i luftës për liri e ardhmeni. Tu priftë e mbara”! (fq. 66).
Dhe Ndue Gjomarku shkon në Mirditë dhe jep kushtrimin për rrezikun që e pret krahinën nga të pafetë, që do të rrënojnë çdo gjë shqiptare. Menjëherë trimat rrokin armët dhe marrin malet për t’u organizuar. Edhe partitë nacionaliste si ‘Balli Kombëtar’ dhe Legaliteti i bashkohen thirrjes së atdhetarëve që në bashkëpunim me Kapidanin e Mirditës. Shqipëria e Veriut me në krye Mirditën e njohur, për sa e sa luftra kundër pushtuesve turq, zgjohet dhe është e gatshme për të flijuar jetën për idealet e pastra shqiptare dhe lirinë nga pushtuesit e rinj komunist, që po vinin në pushtet përmes një ideologjie mashtruese, duke i hedhur “trutë e gomarit”, naivëve të rinj!
Nga ana e tjetër Princi i Derës së Gjomarkut, Kapidani i Mirditës, Dr. Mark Gjomarku, i bindur në besimin e tyre u mbështetë në vendosmërinë e luftarëve besnikë, që ishin gati me shpirtin e sakrificës për të bërë gjithçka, për Kapidanin e tyne, nuk ngurroi që të fillojë aktivitetin politik e ushtarak (luftarak) kundër regjimit komunist që kishte filluar të shkallmojë në themel ndërtesën kombëtare (fq. 72).
Libri i shkruar nga Kapidani i Mirditës, Ndue Gjon Marku, mbetet një vepër e rëndësishme në ndriçimin e historisë së Mirditës, krahinë me një rrugë të lavdishme në historinë e popullit shqiptar. Kjo krenari e respekt për këtë popull, është shprehur në të gjithë faqet e librit jetëshkrimor të autorit shumë të mirënjohur në Shqipëri dhe ShBA-ës, personalitetit dhe burrit me besë e mençuri, urti e traditë të hershme të Principatës së Mirditës – Dera e Gjomarkut, një pinjoll i së cilës Kapidani Ndue Gjon Marku, mbeti deri në ditët tona.
Autori me një shpirt fisniku dhe gjuhë të pastër shqipe të mësuar në trojet e të parëve në Orosh, ndonëse ka kaluar 80 vite mbi supe, ai është i freskët dhe krenar për historinë e popullit të Mirditës, gjatë shekujve të historisë dhe me një modesti të trashëguar nga Dera e Gjomarkut, autori thotë se i lashë popullit tim, vendit tim dhe të parëve të mi këtë vepër, nëpër të cilën kaloi Dera e Kapidanit, duke gdhendur thellë në kujtesën popullore historinë e vërtetë pa pasione e emocione politike, por me gjuhën e fakteve historike, sikurse dëshmon nëna histori. Memorie.al