Prof. Dr. Romeo Gurakuqi
Memorie.al/Në gjysmën e shekullit të XX në libraritë e Shqipërisë komuniste mungonte në shqip një histori e plotë e Anglisë nga prehistoria deri në ditët tona. Më së shumti studentët dhe lexuesit shqiptarë janë njohur me historinë e Mbretërisë së Bashkuar, përmes cikleve të leksioneve të veçanta në lëndët e përgjithshme, që zhvillohen ndër fakultetet e historisë, në lëndët e Historisë së Institucioneve, të Gjeografisë politike të shteteve, etj. Mirëpo, asnjë prej këtyre strukturave të pjesshme të dhënies së dijeve universitare nuk mund të ndihmonte sa duhej studentët shqiptarë për të kuptuar në tërësi historinë e këtij vendi të rëndësishëm, për të njohur kulturën angleze, brendinë e popullit me ide dhe gjykime, që ndryshonin nga ato të popujve të tjerë të kontinentit. Mirëpo bëhet fjalë për një komb që ka luajtur dhe luan edhe sot e kësaj dite, një rol shumë të spikatur, vendimtar në historinë politike, institucionale, kulturore europiane dhe botërore.
Mungesa e një teksti të tillë të veçantë në fakt nuk do të thoshte se shqiptarët e mençur dhe të urtë, nuk punonin për ta realizuar një korpus të tillë që i nevojitej një ditë brezit të ri të çliruar nga izolimi i imponuar. Mirëpo, në ditët e territ diktatorial, askujt nuk i shkonte ndërmend, se kjo sipërmarrje po ndodhte ndërkohë. Dikund ndër cepat më të humbur të vendit, njerëz të qartë, largpamës, me vullnet të hekurt, me guxim dhe papërkulshmëri, punonin natën, nën dritën e kandilit të qelisë së vuajtjes së një dënimi të padrejtë, për t’ia ndriçuar një ditë mendjen bashkëqytetarëve të tyre. Ishin të pathyeshmit e Desidencës, që në përvuejtëninë e tyre, po linin gjurmën e ekzistencës, shërbesës shembullore ndaj vendit, brezit të ri dhe pavdekshmërisë së thelbit të nacionit arbnor.
Vepra “Historia e Anglisë” e shkrimtarit dhe historianit të mirënjohur francez të shekullit XX André Maurois, i sillet tanimë e plotë lexuesit shqiptar, me përkthimin nga origjinali në frëngjisht të Viktor Kujxhisë, më shumë se 50 vite pas realizimit të kësaj pune voluminoze dhe 25 vite mbas botimit të pjesës së Historisë Moderne të saj prej Pjetër Arbnorit (André Maurois, Histori e Anglisë, Përktheu nga origjinali Pjetër Arbnori, Çabej, Tiranë, 1996). Të dy përkthyesit e Maurois-ë janë përfaqësues të një kulture shqiptare, asaj katolike shkodrane, të një brezi dhe të të njëjtit fat politik, duke qenë se të dy kanë qenë pjesë e vetëdijshme e rinisë desidente, të burgosur të mirëfilltë politikë dhe e kanë realizuar këtë punë në kohë të ndryshme gjatë viteve të vuajtjes së dënimit në Burgun e Burrelit. Nuk mund ta themi me saktësi kohën kur është bërë përkthimi që sot po e botojmë, por sipas dëshmive të familjarëve, Vitor Kujxhija e ka shqipëruar librin në Burrel mes viteve 1970-1974, d.m.th. në katër vitet e fundit të vuajtjes së dënimit.
Vitor Kujxhija, ditën e daljes nga burgu (1974) e ka gjykue si një rast të pamundur për nxjerrjen fshehtazi të dorëshkrimit, prandaj ia ka lënë atë në mirëbesim shokut të tij të afërt të vuajtjeve, Dul (Abdullah) Sallakut, nga Tirana. Vetëm kur Sallaku ka dalë për vete nga burgu në vitet e shkërmoqjes së regjimit, 1989-1990, kur situata e kontrolleve ishte lehtësuar dhe vigjilenca e gardianëve nuk ishte e një kohe të mëparshme, ia ka arritur ta marrë brenda rrobave të tij edhe dorëshkrimin e shokut të tij të vuajtjeve, i cili nuk jetonte më. Dhe si në besën e shqiptarit të një kohe, pak mbasi ka dalë në lirinë e një Shqipërie që po zgjohej papritmas nga agonia diktatoriale, zotni Abdullah Sallaku vizitoi shtëpinë e familjes Kujxhija në Shkodër në lagjen Giuhadol dhe ia dorëzoi dorëshkrimin e lënë amanet nga shoku i tij i qelisë, të cilin e kishte ruajtur fshehtazi me mjaft përkujdesje për 15 vite me radhë. Vitor Kujxhija kishte ndërrue jetë me 8 tetor 1988, pa arritë me e pa lirinë e shokëve të tij të persekutimit gjysëm-shekullor të Shqipërisë në tërësi, sikurse me siguri nuk ka ditë asgjë për fatin e mëtejshëm të dorëshkrimit, punës së tij të mundimshme, veprës që ai donte me ia lanë si kujtim brezave. Mirëpo solidariteti i njerëzor në ditët të vuajtjeve të papërshkrueshme, forca e rezistencës e njerëzve me ideale dhe formim solid qytetar e intelektual, kodi i besës dhe fjalës së dhënë, edhe në atë epokë të përmbytjes së Shqipërisë së vlerave tradicionale, bëri që pinjollët e familjeve që krijuan dhe mbajtën kombin gjallë, ta shpëtojnë dhe përcjellin këtë mesazh të shpresës dhe mbijetesës, nëpër errësirë drejt dritës së lirisë.
Si edhe mijëra shqiptarë të tjerë, brenda burgut të madh të Shqipërisë dhe bashkëqytetarëve të lagjeve të desidencës kolektive të asaj Shkodre, që nuk iu përkul regjimit, Vitor Kujxhija përjetoi që në rininë e tij të hershme privimin e lirisë (Dënimi i parë në vitin 1946 deri në vitin 1949, si pjesëmarrës në organizatën rinore antikomuniste. Dënimi i dytë, 1957-1974, për tentativë arratisje së bashku me vëllain e tij Injacin). Ai ishte përfaqësues i Brezit të Rezistencës së Vetëdijshme dhe Vuajtjeve të Papërshkrueshme të Shkodrës, brez që gjithsesi nuk humbi pa lënë shenjën e vetëdijshmërisë, kapacitetit të lartë politik, arsimor dhe kulturor, pasues i denjë i brezit të etërve luftëtarë me penë dhe aksion për indipendencën, që nga okupacioni osman. Dhe shenja e ekzistencës, e mbijetesës, e trashëgimit të nivelit të lartë arsimor dhe kulturor të prindërve të tij, mesazhit të opozicionit dhe pathyeshmërisë, është vepra që kemi para, përkthimi i Historisë së Anglisë së Maurois-ë.
Vjen para nesh mbasi qëndroi edhe 31 vite të tjera në arkivin e familjes, për të na kujtuar të gjithëve, se Shkodra e urtësisë dhe e dijes, e brezit të rinisë së edukuar nga etërit e mëdhenj të dy shkollave më të rëndësishme të formimit të vetëdijes kombëtare, aty pranë shtëpisë së familjes Kujxhija në Shkodër, mbijetoi edhe në ditët më të errëta të pushtimit komunist të Shqipërisë. Vjen si mesazh dhe si model i përkryer i përcjelljes së historisë institucionale të demokracisë më të vjetër të botës, për shqiptarët e sodit, studentët shqiptarë të historisë, jurisprudencës, shkencave politike, për klasën e mësimit të politikës, dhe brezin e njerëzve që mendojnë drejtë në shoqërinë bashkëkohore. D.m.th. vjen sot në ditën me të nevojshme për refleksion, si një model krahasues, që ndihmon për të kuptuar se çfarë kemi bërë mbrapsht edhe në këto tre dekada të rrëmujës së kultivueme nga diletantët dhe matrapazët, që vrapuan të kapin dirigjencën e një vendit ë ndërlikuar në mënyrë të shumëfishtë.
Për disa muaj me radhë jemi marrë me përgatitjen e plotë për shtyp të Historisë së Anglisë, të bazuar mbi dorëshkrimin origjinal, të këtij përkthimi të rëndësishëm jetësor të Vitor Kujxhisë. Dy fletore të shkruara me shkrim dore të ngjeshur, por të qartë, me një kaligrafi të përsosur, provë e një shkollimi nga dita e parë e nxënies në vendin e duhur, ishin burimet mbi të cilat u punua për të realizuar këtë botim. Vitor Kujxhija vertetë nuk jeton më, por u ka lënë bashkëkombësve të vet një punë dinjitoze, të saktë, të realizuar në gegënishte letrare, me një korrektesë dhe kulturë historike, juridike dhe antropologjike të mahnitshme, që mund ta prodhonin vetëm nxënësit e shkollave elitare të Kryeqendrës së Veriut.
“Historia e Anglisë” e mbulon të gjithë historinë e ishujve, nga koha e keltëve deri në fillimet e epokës bashkëkohore. Është një vepër e shkruar me një stil mjaft të rrjedhshëm, ku faktet, kuriozitetet kuptimplote të gjetura me mjaft kujdes, interpretimi historik, gjuha e përdorur dhe posaçërisht përkthimi në gjuhën tonë, në një shkodranishte të letrarizueme dhe të përshtatun mirë për lexuesin e sotëm, të japin një kënaqësi të veçantë në lexim dhe në kuptim.
Përmes këtij botimi, lexuesi ynë mund të kuptojë rrugën e ndërlikuar dhe të shtresëzuar të formimit të një nacioni të madh, nga Britania prehistorike, në atë romake, anglo-saksone, normane ; do të njohë jetën politike dhe udhëheqësin mbretërore me të gjitha veçantitë, në mënyrë të sintetizuar, ndër shtëpitë e ndryshme, që sunduan gjatë mesjetës dhe kohëve moderne (Plantagjenetëve, Jorkëve, Lankastërve, Tudorëve, Stjuartëve, Hanoverit dhe Windsor.); do të kuptojë mbijetesën e popullatave më të vjetra të ishujve britanikë dhe do të japë përgjigjet mbi konstruktet e sotme kombëtare të Mbretërisë së Bashkuar; do njihet me shkrirjen kulturore dhe antropologjike të vendasve me pushtuesit, që nga kontinenti invaduan nga mesjeta e hershme ishujt.
Duhet të kujtojmë se normanët invadues (1066) dhe pasardhësit e tyre formuan një popullsi të dallueshme në Angli. Ishte pushtimi i një populli, gjuha dhe institucionet e të cilit qenë të ndryshme nga vendasit anglo-saksonë. Roli i William Pushtuesit në historinë e këtij vendi është i konsiderueshëm, mbasi Ai përfundoi Epoken Anglo-Saksone, duke shkrirë kulturën normane brenda Anglisë, që më pas gradualisht krijoi kulturën mesjetare dhe moderne angleze; Ai ndryshoi tërësisht rolin e Anglisë në Mesjetë, ripërpunoi të drejtën angleze; ndryshoi gjuhen kombëtare; themeloi feudalizmin, etj.
Përveç rrugës së formimit të Anglisë mesjetare dhe moderne, lexuesi do njihet me Uellsin dhe popullin e tij, Skocinë, Irlandën dhe problematikat gjegjëse të bashkëjetesave të tyre me anglezët. Gjatë leximit të kësaj historie konçize, shkruar me një elegance, rrjedhshmëri, lexuesi kalon në mënyrë të përmbledhur nëpër të gjithë historinë e ishujve britanikë, kupton mbivendosjet kulturore që historitë e invadimit të Anglisë, posaçërisht të pjesës jugore, që kanë ndikuar në formësimin e dallimeve të brendshme etnike dhe nacionale në një hapësirë të tillë, mes anglezeve, uellsianëve, skocezëve dhe irlandezëve.
Një rol të posaçëm në forcimin dhe konsolidimin e Monarkisë Angleze ka luajtur Dinastia uellsiane e Tudoreve, e cila ka sunduar me anën e pesë monarkëve, Angline dhe Irlanden, nga viti 1485 deri me 1603. Tre prej këtyre mbretërve Tudorë, Henry VII, Henry VIII dhe Elizabeth I, e kanë transformuar Anglinë nga një shtet të dobët europian, në një shtet të fuqishëm, që në shekujt e ardhshëm do të mbizotëronte boten. Po ashtu, gjatë periudhës së Tudorëve, u krijua Kisha e Anglisë dhe u hartua kuadri ligjor, që përcaktoi bazat afatgjata të ekzistencës së saj dhe raportet mjaft të brishta me katolicizmin, presbiterianizmin dhe desidentët e tjerë.
Në të gjithë librin, lexuesi shqiptar do të njihet me lindjen, zhvillimin dhe natyrën e posaçme të të drejtës angleze; do të kuptojë pse në këtë të drejtë në fillesë munguan kodet të dokumentuara, pse ishin të rëndësishme vendimet gjyqësore të Gjykatave të Common Law në zgjidhjen e çështjeve; pse në këtë sistem, mungonin përgjithësisht parimet e të drejtës romake dhe pse ky vend shquhet në historinë e vet për një pavarësi të pastër dhe të përkryer të sistemit gjyqësor.
Anglia është vendi i parë që zhvilloi një sistem të së drejtës kushtetuese dhe të kufizimi të pushtetit monarkik. Magna Charta Libertatum (1215), përbën rastin e parë të kufizimeve juridike, që iu vendosen monarkisë në periudhën e mesjetës së mesme. Kuptimi i këtij dokumenti ishte se pushteti politik duhet të veprojë në respektim të ligjit dhe se ligji mbron qytetarët në qenien e tyre si persona dhe pasuritë e tyre; u afirmua teza themelore e Common Law, nëpërmjet së cilës përcaktohet se asnjë njeri nuk është jashtë dhe mbi ligjin, sado i lartë të jetë ai; asnjë person i lirë nuk mund të ndëshkohej (me arrestim, humbje të pasurive, internim e kështu me radhë), pa një gjykim, sipas të drejtës, prej anëtarëve të një gjykatë që janë të një rangu me atë, ose sipas ligjit të vendit. Me Magna Carta u afirmua po ashtu parimi i përfaqësimit, fillimisht në Magnum Concilium e pastaj në Parlamentin Anglez, i cili nga viti 1295 u bë një institucion i përhershëm, i strukturuar në dy dhoma.
Lidhur me këtë, lexuesi po ashtu do të njihet me evolucionin nëpër rrjedhën e historisë politike të shekullit XVII të Habeas Corpus Act, mbi bazën e të cilit u përcaktua, se askush nuk mund të arrestohej arbitrarisht, askujt nuk mund t’i privohej liria, pa një vendim të një gjykatësi bazuar mbi prova, në një proces gjyqësor të drejtë. Vendimtar në zhvillimin e një historie politike paqësore, të një transformimi gradual demokratik, parlamentar dhe në kultivimin e kulturës së tolerancës dhe dialogut të qytetëruar në këtë vend ka luajtur i ashtuquajturi „Revolucioni i Lavdishëm“ i vitit 1688, me të cilin u hap rruga e transformimit të Monarkisë Kushtetuese në një Monarki Parlamentare. Lexuesi do të njihet me evolucionin e institucioneve të qeverisjes me ardhjen e Dinastisë së Hanoverit 1714, krijimin e institucionit të Kabinetit Ministror, të Kryeministrit, të institutit të përgjegjësisë parlamentare, do të kuptojë çfarë janë konventat e kufizimit të pushtetit të Monarkut dhe të Dhomës së Lordëve. Në shekullin XVIII Anglia shfaqet si e para monarki liberale, me një monark të kontrolluar nga Parlamenti, që detyrohej të respektonte normat në mbrojtje të individit qytetar. Pushteti i Parlamentit pas kësaj kohë vijoi të rritej dhe të kufizonte gjithnjë e më shumë pushtetin mbretëror. Parlamentit iu njoh e drejta për të aprovuar buxhetin, caktimin e numrit të forcave nën armë, e drejta ekskluzive për të nxjerrë ligje dhe të vendoste edhe mbi çështjet e trashëgimisë së fronit.
Në fund nuk mund të lë pa përmendur një figurë të madhe të historisë së këtij vendi: më 1837 në fron u ngjit Viktoria. Megjithëse një vajzë e re, vetëm 18 vjeçare në kohën e ardhjes në fron, me pak njohuri mbi jetën e oborrit, monarkja e re kishte energji, vendosmëri e inteligjencë dhe këto cilësi i dhanë asaj mundësinë ta shihte politikën si një art që duhej mësuar sikurse çdo gjë tjetër. Mbretërimi i saj (1837-1901) do të jetë më i gjati në historinë angleze dhe nga pikëpamja e prosperitetit material, fuqisë politike, përparimit shkencor dhe arritjeve kulturore, më i pasuri. “Historia e Anglisë“ vjen e përmbyllet nga autori në rrjedhën e dekadave të para të shekullit XX.
Libri është sjellë në gjuhën shqipe me një saktësi në pikëpamje të njohjes historike, juridike dhe kulturore, duke pasë parasysh se për realizmin e projektit me sukses, siç mund të kuptohet nga parashtresa, nuk mjafton njohja e gjuhëve, por është e domosdoshme njohje shumë e mirë e historisë, e të drejtës në përgjithësi dhe të drejtës kushtetuese britanike në veçanti, etnologjisë, gjeografisë politike e kulturore, etj. Në këtë këndvështrim vepra në gjuhën shqipe vjen shkencërisht korrekt, me shpjegime të nevojshme, që nuk e lënë në asnjë moment lexuesin të pasqaruar.
Autori i “Historisë së Anglisë”, André Maurois (është pseudonimi i Émile Herzog, (1885- 1967), i cili po ashtu ka shkruar edhe një «Histori të Francës» ishte biograf, romancier, eseist dhe provoi me sukses të shkruante edhe historinë në një mënyrë të shkëlqyer dhe mjaft tërheqëse për lexuesit. Maurois, i cili gjatë Luftës së Parë Botërore ka qenë edhe oficer i ndërlidhjes në Ushtrinë Mbretërore Britanike, tregoi një interes të posaçëm në njohjen e botës anglisht-folëse. Më pas ky interes i tij u shndërrua në një fokus kërkimi dhe studimi, që u kurorëzua në dy librat e tij, Historia e Anglisë (Histoire de l’Angleterre (1937), dhe Historia e Shteteve të Bashkuara ( Histoire des États-Unis (1943) që e bënë atë mjaft popullor. Në vitin 1938 Maurois u zgjodh anëtar i Akademisë Franceze. Ndër biografitë e shumta të Maurois, mjaft të vlerësuara për prozën e tyre të qartë dhe të këndshme, analizat e tyre thella, janë veprat mbi Percy Bysshe Shelley (1923), Lord Byron (1930), Victor Hugo (1954), George Sand (Lélia, 1952), dhe Honoré de Balzac (1965). Por biografia më e mirë e konsideruar nga kritika, është ajo kushtuar Marcel Proust (1949).
Historia e Anglisë që i vjen sot lexuesit shqiptar, i shërben kujtdo që dëshiron të njohë historinë e një kombi të madh dhe don t’u jap përgjigje një numri pyetjesh që i lindin vetvetiu gjatë leximit të përgjithshëm, ose procesit të mendimit mbi rolin e Mbretërisë së Bashkuar në historinë e djeshme dhe të sotme të botës. U shërben para së gjitha studentëve të historisë, të antropologjisë kulturore, jurisprudencës, shkencave politike dhe marrëdhënieve ndërkombëtare.
Libri është një lëndë më vete formimi për çdo njeri që don të kuptojë dhe shpjegojë politikën, kushtetutën, parlamentarizmin, demokracinë dhe mënyrën, çelësin se si një komb do të duhet të ketë sukses në përparimin e tij në histori./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016