Nga Luka Hysi
Historia e themelimit
Memorie.al/ Kryeqyteti i Kubës komuniste, Havana, u themelua në vitin 1514, kur kolonizatori spanjoll, Panfilo de Narvaez, kur ky i fundit gjatë udhëtimit në një prej gjireve të shumtë të ishullit pikasi një vend të përshtatshëm për mbrojtjen e galioneve spanjolle nga sulmet e piratëve dhe nga stuhitë e shumta që përfshinin ishullin. Pozicioni gjeografik i Havanës asokohe ishte mjaft i përshtatshëm për conquistadores (kolonizatorët), spanjollë, pasi ata, në gjiret e shumta të qytetit, strehonin galionet (anijet) e tyre në rast rreziku nga sulmet e piratëve famëkeq të Karaibeve.
Themelet e para të qytetit u hodhën aty ku sot quhet “San Cristobal de la Habana”, dhe u përfunduan në vitin 1519, nga Diego Velazquez de Cuellar që për vendasit njihet si data e vërtetë e themelimit të qytetit, pasi ata nuk duan ta ngatërrojnë me datën e themelimit nga pushtuesit spanjollë. Përfundimi i ndërtimit të qytetit ndodhi në periferinë e Surgidero de Batabano në gjirin e Karenas. Në mesin e viteve 1500, Armada (flota detare), spanjolle, mbas humbjes në brigjet e Anglisë, u strehua në brigjet ekzotike të ishujve të Karaibeve, për shkak se ajo nuk lejohej të lundronte e lirë në brigjet e Europës perëndimore. Dhe për këtë arsye, Havana, u bë një qendër e madhe për strehimin e anijeve të flotës spanjolle dhe ajo, përfitoi shumë investime ekonomike nga mbreti spanjoll Filip, i cili e admironte atë si një “hambar” të sigurt për galionet e tij.
Më 1607 nga Spanja u dërgua kolonia e parë me emigrantë dhe ushtarë drejt Havanës dhe këtu nisi zanafilla e popullimit të këtij qyteti, e vetë ishullit kubanez. Por pas disa kohësh evropianët (veçanërisht spanjollët), nuk dëshironin të emigronin më drejt ishullit, pasi anijet me të cilat ata lundronin, grabiteshin shpesh nga piratët bukanierë francezë. Por mbas disa kohësh, spanjollët e spastruan bregdetin kubanez nga piratët dhe “eksodi” spanjoll, drejt Kubës rifilloi përsëri. Nga mbreti spanjoll, Kuba u pagëzua, si “Porta për në Indinë perëndimore”, ndërsa Havana, si “Çelësi i Botës së Re”. Drejt Havanës u dërguan me dhjetëra fruta, kafshë dhe shpendë ekzotikë e të rrallë, nga kolonitë e tjera amerikano-latine të Spanjës, me qëllim që ta bënin Havanën një “kryeqytet” të mrekullueshëm të perandorisë spanjolle.
Gjatë shek XVII-të në Havanë, filluan ndërtimet e para nga kolonitë spanjolle të ndërtesave me model arkitekturor iberik dhe karakteristika Kanariane. Më 1649-ën, një epidemi vdekjeprurëse e ardhur nga Kartagjena e Kolumbisë, e ç’farosi një pjesë të mirë të popullsisë vendase. Më 30 nëntor të vitit 1665, për nder të martesës së mbretëreshës, Mariana e Austrisë me Filipin e Spanjës në Havanë, si shenjë bashkimi të dy perandorive të fuqishme, u ndërtuan tre kështjella të mëdha: ‘Tre shenjtorët’, ‘Reyes Magos del Morro’ dhe ‘San Salvador de La Punta’. Më 6 qershor të vitit 1769, në gjirin e Havanës u ankoruan për herë të parë anijet britanike me guvernator Georges Kepel, të cilët nxitën edhe luftën 7-vjeçare ndërmjet kolonëve spanjollë dhe ushtarëve britanikë.
Mbas përfundimit të luftës, sipas një traktati i cili u nënshkrua nga të dyja palët, spanjollët do të merrnin Floridën ndërsa anglezët Havanën. Gjatë viteve 1789 dhe 1790, Havana pati një bum ndërtimesh me model anglez si: Kisha Katolike, Katedralja e Madhe e Havanës etj. Për bumin e ndërtimeve me model klasik të Europës perëndimore, Havana u quajt si “Parisi i Antileve”. Në shek XIX-të, qytetin e vizitoi Aleksandër von Humbold, i cili ndërtoi edhe portin detar modern të qytetit. Në vitin 1837, në qytet u ndërtua edhe hekurudha e parë e cila bënte të mundur transportin e sheqerit nga porti, deri në brendësi të Havanës. Më pas u ndërtuan edhe Liceu Artistik, Instituti i Letërsisë dhe teatri ‘Coliseo’.
Në fund të shekullit të XIX-të, i cili i dha fund dominimit spanjoll në qytet dhe në ishull, në gjirin e Havanës u mbyt luftanija amerikane “Maine”, e cila solli edhe pushtimin amerikan të ishullit dhe pas kësaj, Havana i’u nënshtrua një rikonstruksioni, pasi edhe amerikanët donin të “çonin” një pjesë të Los Angelosit dhe New York në Havana. Kështu që edhe Havana do të kishte gradaçelat e saj të tipit amerikan. Dominimi i SHBA-ve në Havanë dhe në të gjithë Kubën, bëri që në të gjithë vendin të ndërtoheshin kazinotë dhe klubet e natës të “importuara” nga Las Vegasi dhe shoqëria kubane, që deri atëherë kishte qenë nën dominimin spanjoll, u kthye në një shoqëri dekadente me zakone amerikane. Në kazinotë e Havanës kishin “pjesën” e tyre edhe gangsterët amerikanë si: ‘Lucky Luciano’, dhe ‘Mayr Lansky’, të cilët donin ta kthenin Havanën në një qendër të lulëzimit të botës së krimit dhe mafias.
Havana: Kryeqyteti i revolucionit kastrist
Gjatë shekullit XX-të, në Havanë dukej qartë dominimi i SHBA-ve në të gjitha aspektet e jetës së qytetit dhe të vetë ishullit të Kubës. Madje edhe vetë vendasit ankoheshin se kubanët kishin harruar çdo zakon dhe traditë të vendit të tyre dhe po “transformoheshin” në shtetas amerikanë. E gjithë kjo, ndodhi gjatë sundimit të diktatorit pro-amerikan, Fulgencio Batista, i cili jetonte në komoditet të plotë, në pallatin e tij luksoz në qendër të Havanës. Batista i’a kishte ndaluar çdo kubani të shprehej kundër qeverisë dhe dominimit amerikan, në ishull e Havanë. Por, kundër këtij ligji, i’u kundërvu një avokat i ri kuban me ide të majta komuniste, i quajtur Fidel Castro, i cili së bashku me revolucionarin e famshëm majtist, Ernesto Che Guevara, që asokohe punonte si mjek, sulmuan kazermat e ushtrisë batistase në Monkada, gjë e cila më 26 korrik 1953, shënoi edhe fillimin e revolucionit komunist kuban.
Në fundin e viteve ’50-të, komunistët e Fidel Kastros të përkrahur edhe nga guerilasit (barbudos), morën të gjitha pikat ushtarako-strategjike të ishullit dhe më 1959-ën, ata u futën triumfalisht me tanke dhe kamionë në bulevardet e Havanës, duke deklaruar përfundimisht triumfin e revolucionit komunist mbi Batistën, i cili u arratis në Majami. Pas marrjes së pushtetit nga komunistët e Fidel Kastors, Havana u kthye në një teatër gjyqesh të shumta të organizuara nga vetë Prokurori i Përgjithshëm, Che Guevara, i cili dha shumë dënime me vdekje, për kundërshtarët politikë.
Në vitet në vijim, në Havana u ndërtuan sheshe, muzeume dhe obelisk për nder të revolucionit dhe vetë Fidel Kastors. Ndër këto objekte janë: Muzeumi i qytetit, ku paraqiten fotografi dhe skica për qytetin që nga koha e themelimit të tij deri në ditët e sotme, dhe një pjesë e mirë e historisë së Havanës dhe Kubës komuniste. Muzeu i Revolucionit, ku tregohen armët (kundërajrorë, tanke, dhe makinat, me të cilat u marshua në 1959), etj. Ndërsa obelisku më i madh që u ndërtua në Havanën e Kastros, është Memoriali i Jose Marti, i cili u ndërtua në qendër të qytetit, aty ku më 1959-ën Kastro foli para popullit kuban. Një qendër turistike e vizitueshme e qytetit është edhe vila e shkrimtarit Ernest Hemingway, i cili jetoi aty nga viti 1939 deri më 1961-in. Sheshe dhe godina të tjera të vizitueshme në Havana, janë: ‘Plaza de las Armas’, ‘Templete’, ‘Palacio de los Capitanes Generales’, kështjellat: Morro, San Carlos de la Cabana, Cavalla etj.
Gjiri i Havanës, pasuri e pafund thesaresh
Havana dhe pjesa bregdetare e saj, janë të mbushura me relike e thesare të vjetra që datojnë që nga koha e sundimit spanjoll, dhe deri te luftanija amerikane “Mein”. Në distriktin “Vedado” që është edhe pjesa bregdetare më e shfrytëzuar për turizëm, gjenden edhe pjesa më e madhe e thesareve të galioneve spanjolle, të fundosura nga stuhitë dhe sulmet e piratëve francezë të udhëhequr nga Jacques de Sores. Sulmet e piratëve, e kanë goditur disa herë Havanën, ku sulmi më i rëndë u regjistrua në vitin 1555.
Evropianët e parë që shfaqën interes për thesaret e gjirit të Havanës ishin italianët Giovanni Francesco dhe binjakët Careri. Ata e vizituan Havanën në fundin e shek. 17 dhe shprehën një interes të madh për të kërkuar thesaret e shumtë të cilët ishin të fundosur në fundin e gjirit të Havanës. Eksploruesit italianë u munduan t’i tregonin botës pasuritë e pafund të thesareve dhe skeleteve të galioneve spanjolle e angleze, por spanjollët dhe të gjithë pushtuesit e tjerë të cilët kolonizuan ishullin e Kubës dhe vetë kryeqytetin e saj , nuk lejuan asnjë eksplorues dhe arkeolog të gërmonte dhe të zbulonte pasuritë e mëdha nënujore të gjirit të Havanës.
Të tjerë eksplorues dhe arkeologë në shekullin e XX-të dhe XXI, tentuan të zbulonin thesaret e mëdha të Havanës, por nuk i’a arritën dot t’i merrnin ato, për shkak se qeveria komuniste e Fidel Kastros, nuk i lejoi, sepse ajo i quante ato pronë të vetë Kubës. Por realisht, ato thesare janë pronë e “kubanëve të vërtetë” spanjollëve dhe kolonëve të tjerë, të cilët gjatë periudhës së zbulimeve të mëdha populluan Kubën dhe gjithë
Amerikën Qendrore. Tashmë i gjithë gjiri bregdetar i Havanës dhe thesaret e groposura atje janë nën kujdesin e UNESCO-s.
Kuba, ish- vendi i arratisjeve të mëdha
Ishulli komunist i Kubës dhe vetë kryeqyteti i saj Havana, që nga koha e triumfit të ‘Revolucionit kastrist’, ka qenë një vend ku deri para pak vitesh, shumë kubanezë të dëshpëruar nga papunësia e madhe dhe regjimi shtypës diktatorial komunist, kanë tentuar të arratisen drejt një jete më të mirë dhe të lirë, duke i’a dalë me sukses. Arratisja më e bujshme e ndodhur në Kubë, ishte arratisja e vetë vajzës së diktatorit, Fidel Kastro. Shumë kubanezë të guximshëm të cilët me çdo kusht dëshironin një jetë më të mire, i’a kanë dalë mbanë edhe duke u arratisur me not nga brigjet periferike të Havanës drejt Floridas dhe Majemit në SHBA-ve.
Këto brigje kufitare ndërmjet Kubës dhe SHBA-ve, të cilat i ndajnë vetëm 90 km. det, janë përshkuar me not nga kubanezë të guximshëm të cilët në qoftë se kapeshin nga roja bregdetare në ujë, ktheheshin në Kubë, ku i priste një përndjekje e sigurt. Ndërsa në qoftë se emigrantët kubanezë, shkelin në tokën amerikane, atyre i’u jepej nënshtetësia amerikane dhe ata jetojnë të lumtur edhe sot me familjet e tyre në Florida dhe Miami. Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016