Nga Dashnor Kaloçi
Pjesa e dhjetë
Memorie.al / Ka qenë mëngjesi i 1 shtatorit të vitit 1976, kur punëtorët e ndërmarrjes së Peshkimit që mbërritën të parët në vendin e tyre të punës që ndodhej në bregun e liqenit të Shkodrës afër fshatit Shirokë, konstatuan se çuditërisht aty mungonte roja e ndërmarrjes së atij sektori, si dhe dezhurni i zyrave, gjë e cila nuk kishte ndodhur kurrë më parë?! Kjo sepse, veç të tjerash, aty ndodhej edhe moli ku ishin ankoruar të gjitha varkat e peshkimit, që të lidhura me kavo çeliku dhe të kyçura me çelës, konsideroheshin si objekti i rëndësisë së veçantë e, ishin nën kontrollin e ruajtjen e dyfishtë, si nga ana e ndërmarrjes së peshkimit, ashtu dhe nga posta e Kufirit që ndodhej në fshatin Zogaj, ku ishte dhe kufiri shtetëror me Malin e Zi, asokohe pjesë e Republikës Federative të Jugosllavisë së Marshallit Tito.
Edhe pse vazhdonte të binte një shi të rrëmbyer dhe me shtrëngata, që kishte filluar që nga mesnata e kaluar, peshkatarët filluan të kërkonin rojën dhe dezhurnin e ndërmarrjes së tyre, duke i thirrur ata me emër, por më kot, se askush s’përgjigjej? Por pas pak, ata shtangën në vend dhe u tmerruan, kur vetëm pak metra larg magazinës së peshkut, panë të shtrirë në tokë dhe pa shenja jete, një kufomë…! Ishte roja 50 vjeçar, Fadil Rizaj, i cili prej disa vitesh shërbente në atë detyrë. Askush nuk guxoi ta prekte me dorë, pasi ai jo vetëm se ishte i gjakosur dhe me shenja të dukshme në kokë e në trup, por duart i kishte të lidhur me litar nga prapa trupit dhe gjithashtu edhe organet e frymëmarrjes, të lidhura me një leckë pas kokës…! Çka nënkuptonte qartë, se atë e kishin vrarë…!
Pas asaj skene tmerri, disa nga peshkatarët vrapuan për tek zyrat për të telefonuar shefat e ndërmarrjes së tyre dhe Degën e Brendshme gjithashtu, por linja telefonike ishte e këputur dhe lidhja me Shkodrën nuk mund të realizohej…! Ndërkohë nga kontrollet e tjera për të gjetur dezhurnin e ndërmarrjes, u konstatua gjithashtu, se në molon në breg të liqenit, mungonte njëra nga lundrat, (varkat e peshkimit), pikërisht ajo që njihej si; “Lundra e Shëndetësisë”, si dhe kasaforta që mbante çelësat e tyre, ishte e thyer me levë!
Ndërkaq ishte dhënë alarmi dhe aty ja bëhen disa nga efektivët dhe shefat kryesorë të Degës së Punëve të Brendshme të Shkodrës, të cilët konstatuan menjëherë, se jo vetëm se kishin të bënin me një krim të rëndë, por edhe me një arratisje me varkë nëpërmjet liqenit, gjë e cila veç të tjerash, do e rëndonte edhe pozitën e tyre para eprorëve në ministrinë e Punëve të Brendshme në Tiranë. Ndërkaq lajmi mori dhenë dhe grupi hetimor me ekspertët përkatës filloi menjëherë nga puna, për zbulimin e krimit që kishte ndodhur dhe zbardhjen e gjithë asaj ngjarje, që disa ditë më pas do trondiste jo vetëm qytetin e rrethin e Shkodrës, por gjithashtu edhe Tivarin, Titogradin dhe Ulqinin në Malin e Zi!
Po ç’kishte ndodhur në të vërtetë, kush dhe pse e kishin vrarë rojën e Peshkimit Fadil Rizaja? Sa veta ishin arratisur dhe çfarë kishte ndodhur në mesnatën e 31 gushtit, duke u gdhirë 1 shtatori 1976, teksa binte një shi i dendur dhe me gjëmime e shtrëngata, që thuhej se nuk mbahej mënd ndonjëherë, edhe nga banorët më të moshuar të atyre anëve? Përse disa trupa të pajetë u gjetën në bregun e liqenit në pjesën jugosllave dhe një kufomë tjetër në anën tonë të kufirit, në afërsi të postës së kufirit në fshatin Zogaj? Si mundi të dilte me not në në pjesën e liqenit që i takonte kufirit të Republikës Federative të Jugosllavisë, autori kryesor i asaj arratisje, në atë natë të errët me shi, dallgë dhe stuhi?
Kush ishte Hamit Arif Myrto dhe çfarë u tha ai fillimisht banorëve të asaj zone, kur e panë në rrugicat e fshatit të tyre krejt të zhveshur, si dhe organeve kompetente jugosllave, lidhur me arsyet e arratisjes? Për çfarë e pyesnin Hamitin organet e UDB-së gjatë procesit hetimor në disa zyra të veçanta në Tivar, Titograd dhe Ulqin, ku e dërgonin duke i ndërruar shpesh vendin, “shokët” e qelisë dhe hetuesit që e merrnin në pyetje? Çfarë ju deponoi ai kur e pyesnin për bazat e repartet ushtarake, repartin e raketave e tjera instalime që ndodheshin asokohe në në rrethin e Shkodrës, si dhe traktet që ishin hedhur ato ditë në atë qytet, kundra Partisë së Punës dhe Enver Hoxhës?
Çfarë ju tha Hamiti organeve të UDB-së, lidhur me kunatin e tij, ministër në qeverinë e kryesuar nga Mehmet Shehu, e gjithashtu një nga njerëzit më të afërt të diktatorit Enver Hoxha, i cili qëndroi në atë detyrë deri në shembjen e regjimit komunist? Kush ishte “fotografi” nga Shkodra që ishte arratisur para disa vitesh në Jugosllavi dhe përse të gjithë hetuesit e pyesnin Hamitin, pikërisht për atë person? Përse autoritetet jugosllave të UDB-së vendosën dhe e kthyen Hamit Myrton në Shqipëri, duke ua dorëzuar organeve të Sigurimit të Shtetit Shqiptar, edhe pse ata ishin të bindur, se atë nuk e kishin dërguar me mision sekret?
Çfarë deponoi Hamiti gjatë procesit hetimor, si për arsyet që e kishin detyruar të ndërmerrte atë aventurë të rrezikshme e, gjithashtu të gjitha ato çka ai kishte treguar para UDB-së? Çfarë shkruante Hamiti në letrën drejtuar Enver Hoxhës për ministrin e Mbrojtjes Beqir Balluku dhe si u bë e mundur gjetja e asaj letre në shtëpinë e tij në Shkodër? Çfarë deponuan gjatë procesit hetimor familjarët e Hamitit, të afërmit, fqinjët, shokët e punës, brigadieri, drejtori i ndërmarrjes së Peshkimit, kryetari i Këshillit Popullor të Lagjes “Partizani” ku ai banonte, e të tjerë persona që u thirrëm për të dëshmuar ndaj tij, në vjeshtën e vitit 1976?
Përse gjyqi ndaj Hamit Myrtos u zhvillua në fshatin Shirokë, sa u dënua ai nga Gjykata e rrethit të Shkodrës, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë dhe përse Presidiumi Kuvendit Popullor, la në fuqi vendimet e tyre, për dënimin e tij me vdekje (me varje në litar) edhe pas asaj tragjedia të tmerrshme që i kishte ndodhur atij; ku humbi të gjithë familjen? Cilat ishin fjalët e fundit që Hamiti tha para skuadrës së pushkatimit dhe përse edhe sot e kësaj dite, nuk është gjetur ende varri i tij, ashtu si dhe të bashkëshortes dhe dy djemve të tyre, që ndodhen në anën tjetër të kufirit, në Malin e Zi?!
Lidhur me këto dhe të tjera nga ajo ngjarje nga më të rëndat e tragjiket që ka përjetuar rrethi i Shkodrës në ato vite dhe Mali i Zi gjithashtu, na njohin dokumentet arkivore të dosjes voluminoze përkatëse që ka siguruar Memorie.al, të cilat po i botojmë në disa numra (me faksimilet dhe fotot përkatëse), me qëllimin e vetëm, për të zbardhur dhe për të bërë të njohur krimet monstruoze të ndodhura në atë kohë, ku shqiptarët, për t’i shpëtuar ferrit komunist, detyroheshin të ndërmerrnin aventura nga më të rrezikshmet drejt kufirit shtetëror, ashtu si personazhi kryesor i kësaj ngjarje, Hamit Arif Myrtja!
DOKUMENTI ARKIVOR ME PROCES-VERBALIN E MARRJES NË PYETJE TË DËSHMITARES VJOLLCA XHEMAL XHAFERI, NGA ANA E HETUESIT TË DEGËS SË BRENDSHME TË SHKODRËS, JAKE TEFIKU
PROCES-VERBAL
(I pyetjes së dëshmitarit)
Sot, më datën 9.10.1976, në qytetin Shkodër, unë hetuesi i Degës së Punëve të Brendshme, Jake Tefiku, mora në pyetje si dëshmitar Vjollca Xhemal Xhaferi, e datëlindjes 1963, me arsim, vazhdon të tetën, vend-banimi lagja “Partizani”, Rruga “Lek Dukagjini”, nr. 113 Shkodër, detyra nxënëse, e pa dënuar, Nr. Letërnjoftimit, Identifikue, marrëdhënia me të pandehurin, motër e kunat.
Hetuesi më paralajmëroi për përgjegjësi penale në bazë të nenit 220 të Kodit Penal, për dëshmie të rreme.
Vjollca Seferi
Në lidhje me çështjen, mund të them sa më poshtë:
Unë Hasijen e kam motër, kurse Hamitin burrin e motrës. Ditën që ata janë larguar prej shtëpisë së tyre, data nuk më kujtohet, por e mbaj mënd se ka qenë data 31 gusht në mbrëmje, isha përjashta me motrën time tjetër, Shpresën, duke mbushur ujë, ndërsa Shpresa duke lozur, pashë se prej shtëpie kaloi motra ime Hasije, së bashku me Hamitin, motra ime Hasije kishte fëmijët për dore, e pyeta motrën se ku po shkoni dhe Hasija me tha se po shkojmë tek halla, Bibja, për darkë se marton vajzën, më tha natën e mirë dhe u largue, kurse Hamiti kaloi përpara. Nuk e pashë se çfarë mbante në dorë Hamiti. Kurse motra kishte një çantë në dorë. Kur ata janë larguar prej shtëpie dhe unë i pashë në oborr, ishte gati në errje e sipër, por jo plotësisht ishte bërë natë. Prej asaj kohe e deri tani, nuk i kam parë më. Para se të largoheshin, as Hamitin dhe as Hasijen, nuk i kam parë të mërzitur.
Procesin e lexova dhe e nënshkrova.
Dëshmitari Hetuesi
Vjollca Seferi Jake Tefiku
DOKUMENTI ARKIVOR ME PROCES-VERBALIN E MARRJES NË PYETJE TË DËSHMITARIT XHEMAL HAMZA SUMA, NGA ANA E HETUESIT TË DEGËS SË BRENDSHME TË SHKODRËS, JAKE TEFIKU
PROCES-VERBAL
(I pyetjes së dëshmitarit)
Sot, më datën 9.10.1976, në qytetin Shkodër, unë hetuesi i Degës së Punëve të Brendshme, Jake Tefiku, mora në pyetje si dëshmitar Xhemal Hamza Suma, e datëlindjes 1934, me arsim 7-vjeçar, vend-banimi lagja “Partizani”, Rruga “Lek Dukagjini”, nr. 113 Shkodër, detyra punëtor, pa parti, i pa dënuar, Nr. Letërnjoftimit, Identifikue, marrëdhënia me të pandehurin, shoqërore.
Hetuesi më paralajmëroi për përgjegjësi penale në bazë të nenit 220 të Kodit Penal, për dëshmie të rreme.
Xhemal Suma
Në lidhje me çështjen, mund të them sa më poshtë:
Hamit Myrton dhe gruan e tij, Hasije, për disa vjet i kam pas komshi, derë për derë. Fillimisht ata kanë banue në shtëpinë e vjehrrit të tyne, Xhemal Seferi. Më pas mori dhomën që ka pas deri së fundi, atë kisha ndërmend me e marrë unë, dhe e kërkova në lagje, por lagja meqenëse ishte ngushtë Hamiti, ja dha atij. Kur Hamiti e mori vesh se unë kisha kërkuar për ta zgjeruar këtë dhomë, filloi të mos më flasë. Më vonë e nuk ka shkue muaj që Xhemal Seferi fejoj djalin e vet, Gëzimin, aty na ftoi dhe neve si komshi, ishte edhe Hamiti si dhëndër, aty filluam dhe u pajtuam dhe që prej asaj kohe dhe deri ditën që ay u arratis, nuk kemi shkue keq.
Unë e di se me datën 29 gusht, Hamiti ka shkue me taksi në Kosmaç, e ka marrë gruan e vet që e kishte dërgu te daja, Kadri Cani, së bashku edhe me vjehrrën. Atje nuk e di se sa ditë kishin që kishin vajtue e qendrue, por këtë e di dhe jam i sigurt. Më vonë pas deklarimit të Hamitit si i arratisur, në biseda me gruan time, ajo më kallëzoi se si Hasija i ishte ankue se Hamiti donte me e çu te daja i vet në katundin Zus të këtij rrethi. Hasija i kishte tregue gruas sime, se unë kam nëntë vjet martesë me Hamitin dhe asnjëherë nuk më ka parë dhe nuk kam shkue dhe tash nuk kam qejf me shkue dhe nuk di se si të baj. Gruaja ime i kishte thanë se sa mirë që ti shkon te daja dhe ay hesht, prandaj edhe tek daja i tij duhet të shkosh.
Gruaja ime më tha se atë ditë që janë largue për të fundit herë, Hasija ka qenë krejtësisht e hutuar, Hamiti i bërtiste nga poshtë, ajo hynte dhe dilte, e mblidhte sendet e fëmijëve. Unë di të them se Hamiti ishte pak banal nga goja, dhe nuk sillej si njeri i edukuar, kishte fjalor banal dhe vend e pa vend e fyente gruan e tij, Hasijen. Procesin e lexova dhe e nënshkrova. Shtoj se sipas gruas sime, Hamiti dhe gruaja e tij, Hasija, kanë dalë prej shtëpisë së tyre në kohë që ishte errur plotësisht. Nuk më ka thënë tjetër për asgjë. Gjithashtu kërkoi që gruaja ime të mos pyetet se vuan nga nervat dhe pyetja në hetuesi e trondit.
Dëshmitari Hetuesi
Xhemal Suma Jake Tefiku
DOKUMENTI ARKIVOR ME PROCES-VERBALIN E MARRJES NË PYETJE TË DËSHMITARIT NAZMI ZENEL SHKJENZA, NGA ANA E HETUESIT TË DEGËS SË BRENDSHME TË SHKODRËS, JAKE TEFIKU
PROCES-VERBAL
(I pyetjes së dëshmitarit)
Sot, më datën 11.10.1976, në qytetin Shkodër, unë hetuesi i Degës së Punëve të Brendshme, Jake Tefiku, mora në pyetje si dëshmitar Nazmi Zenel Shkelza, e datëlindjes 1938, me arsim 6-vjeçar, vend-banimi Shirokë, detyra sekretar i organizatës Motorra Zogaj, A.P., i pa dënuar, Nr. Letërnjoftimit, Identifikue, marrëdhënia me të pandehurin, Indiferent.
Hetuesi më paralajmëroi për përgjegjësi penale në bazë të nenit 220 të Kodit Penal, për dëshmie të rreme.
Nazmi Shkjenza
Në lidhje me çështjen, mund të them sa më poshtë:
Pyetje: Çfarë mund të na thoni për sjelljen dhe punën e ish-punëtorit të asaj ndërmarrje, Hamit Arif Myrtja?
Përgjigje: Unë jam sekretar i organizatës bazë për katër brigade peshkimi dhe për fshatin Zogaj. Në të katër brigadat që kam të peshkatarëve, ka qenë ndër nji nga këto, edhe Hamit Myrtja. Këtë si punëtor e kemi pas të dalluar dhe e kemi vënë në tabelën e nderit. Ka vite si punëtor në peshkim, ka qenë i rregullt dhe i disiplinuar në punë, ka realizuar normat dhe nuk kemi pas asnjë vërejtje në drejtim të tij. Dua të theksoj se i pëlqente pak moda dhe i mbante flokët e gjata, është kritikuar nga ana ime për këto dhe është përmirësuar.
Duke qenë dhe vetë për një kohë të gjatë në Peshkim, Hamitin e kam njohur nga afër, ay ka pas raste që më është ankuar për marrëdhënie jo të mira me pjesëtarët e familjes (vëllanë, nanën dhe motrat), më ka treguar se ato nuk i trajtonin mirë gruan e vet, ja kishin rrahur dhe nuk e donin atë. Shkaqet e thella për mos shkruarje, nuk jam në gjendje t’ju them, por vetëm di se ay nuk kanë shkue. Kam dijeni se ma vonë janë rrahur ndërvedi dhe Hamiti ka shkuar në spital nga goditjet e nanës dhe të motrave, se cili ka qenë shkaku i grindjes së tyre që arriti çështja deri këtu, nuk jam interesue shumë, se ishin probleme të brendshme.
Kemi ndërhyrë si organizatë dhe si ndërmarrje për t’i pajtuar me familjen, por asnjëra palë nuk pranuan dhe qëndruan në prishje dhe në mos folje me njëri tjetrin, nuk hynin dhe as dilnin. U ndanë dhe Hamiti me qenë se nuk shkonte akoma mirë me njerëzit e tij (se i kujt ishte faji, nuk mund ta përcaktoj) atëhere shiti shtëpinë dhe shkoi te prindërit e gruas së vet. Më kishte pretendue si mua dhe drejtorisë së ndërmarrjes e kishte kërkuar sistemimin e tij në ndonjë godinë për të banuar.
Si unë dhe drejtoria kemi ndërhyrë në Këshillin Popullor, që ta kishin parasysh që kur t’i vinte radha, ta sistemonin. Bile unë i kam shkue me drejtorinë e ndërmarrjes në shtëpinë që kishte dhe e pamë. Ishte keq me banim. I kemi lëshue vërtetim zyrtar për ta përdorur organet e pushtetit lokal, për t’i dhënë precedencë strehimi. Neve vetë, ay e dinte që nuk kishim godinë në ndërtim, as në rrugë vullnetare dhe as në plan nga ana e ndërmarrjes. Këtë e dinte dhe vetë ay.
Pyetje: Çfarë reagimi shkaktoi vendimi i Partisë dhe i qeverisë, për harmonizimin e sistemit të pagave të disa sektorëve dhe midis tyre edhe Peshkimit, tek Hamit Myrtja?
Përgjigje: Ky vendim u punua nga ana jonë në ndërmarrje dhe të gjithë punëtorët u solidarizuan plotësisht. Edhe vetë Hamiti u solidarizua dhe nuk pati asnjë reagim. Edhe më vonë pas hyrës në fuqi të vendimit nuk pati asnjë pëshpëritje dhe asnjë mos kënaqësi.
Pyetje: A kishte pretendue për punë për gruan dhe se këto të ardhura që merrte në punën e përditshme, a përballonin dot gjendjen e tij?
Përgjigje: Gruen e kishte në punë, vetë ay e hoqi sepse të ardhurat i kishin të mira. Vetë ay asnjëherë nuk na ka pretendue për t’i zënë punë gruas së tij. Kishte raste që thoshte se dua punë të mirë për gruan, atëherë dhe pas. Kërkonte punë pa turne dhe le të merrte dhe kishte edhe pak të ardhura. Kusurin thoshte ay, e mbuloj vetë. Nuk ka kërkuar të ndërhyjmë për sistemimin e gruas në punë. Tek neve në Peshkim, influenconte drejt për së drejti koha për të zënë peshkun. Koha më e përshtatshme për të krijuar të ardhura, është koha e verës dhe e vjeshtës kur mban.
Por edhe gjatë dimrit, nuk mbetemi pa lekë. Kurrë dhe asnjëherë ne nuk kem i dëgjuar ankim nga Hamiti, për gjendjen e vështirë ekonomike, sendet dhe orenditë e shtëpisë i kishte, gjithashtu kishte televizor, ishte i veshur shumë mirë, vetë dhe fëmijët, neve asnjëherë nuk i kem i dëgjuar atij të jetë ankuar, me përjashtim të shtëpisë për banim dhe njerëzit e tij që nuk shkonte. Neve kemi ndërhyrë që të pajtonim të dy vëllezërit dhe ata nuk pranuan. Këtë qëndrim mospërfillës ndaj nesh që ndërhymë për t’i pajtuar, Hamiti e ka mbulue me disiplinë dhe gatishmëri, në përmbushjen e detyrës së tij si peshkatar, dhe asnjëherë nuk kundërshtonte.
Pyetje: Çfarë mund të na thoni në lidhje me kryerjen e detyrës nga ana e rojës Fadil Riza Rrezia?
Përgjigje: Fadili ka shërbyer 3-4 vjet që punonte aty në qendër të Peshkimit, si roje. Vazhdimisht dhe në çdo kohë që ne e kemi kontrollue atë, e kemi gjetur në krye të detyrës. Ay nuk ka bërë asnjë lëshim, gjithmonë i gatshëm në shërbim dhe vigjilent, sillesh shumë mirë dhe nga të gjithë punëtorët nuk kem i dëgjuar asnjë fjalë të keqe për të. Vrasja e Fadilit nga ana e Hamit Myrtos për qëllimet e tij të ndyra armiqësore, për t’u arratisur jashtë shtetit, ka shkaktuar zemërim dhe indinjatë në radhët e punëtorëve. Çdo ditë Fadilin e përmendin punëtorët me respekt dhe simpati, kurse Hamitin me urrejtje dhe mallkim. Unë nuk di se çfarë mund të them për Fadilin, përveç të mirave që ka pasë.
Sa thashë më sipër janë të vërteta dhe unë i nënshkruaj me firmën time.
Dëshmitari Hetuesi
Nazmi Shkjenza Jake Tefiku
U ri pyet dhe tha se: Dua të shtoj se përveç atyre që thashë, se Hamiti kur vinte në punë merrte me vete ushqime shumë të pasura dhe me volum, merrte djathë, gjalpë, reçel, sallam, Thoshte se; unë vetëm në Turizëm pi, nuk ishte i dhënë pas pijes, por me një fjalë hante shumë mirë. Ishte i kujdesshëm në veprimet e gjuajtjes dhe kryesisht kur afroheshim afër vijës së kufirit, na thoshte nuk duhet të afrohemi jashtë rregullave dhe të jemi vigjilent. Ishte punëtor i mirë dhe i kujdesshëm. I thashë këto se asnjëherë nuk ka vuajtur dhe nuk ka qenë i preokupuar nga gjendja ekonomike. Të gjithë rrogën e shpenzonte vetë, të ardhura kishte mirë dhe më mirë gati nga një pjesë e mirë e peshkatarëve.
Procesin e lexova dhe e nënshkrova. Memorie.al
Dëshmitari Hetuesi
Nazmi Shkjenza Jake Tefiku
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016