Dashnor Kaloçi
Pjesa e dyzetë
Memorie.al publikon një dosje arkivore voluminoze të nxjerrë nga institucioni i Autoritetit për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ndodhen me qindra dokumente me siglën “Tepër sekret” që i përket ish-të dënuarit politik, Xhavit Qesja, me origjinë nga qyteti i Krujës, familja e të cilit gjatë periudhës së pushtimit të vendit, 1939-1944, u lidh ngushtë me Lëvizjen Antifashiste, duke qenë një ndër bazat kryesore të saj dhe vuri në dispozicion të gjithë pasurinë që kishte, pasi Xhaviti ishte një ndër anëtarët e parë të Partisë Komuniste Shqiptare për rrethin e Krujës, duke drejtuar batalionin partizan Krujë-Ishëm dhe Brigadën e 22 Sulmuese. Karriera politike e Xhavit Qeses pas mbarimit të Luftës, ku ai u emërua dhe shërbeu në detyra të larta në Ushtrinë Shqiptare, aparatin e Komitetit Qendror të PPSh-së, e disa rrethe të vendit, nga ku u dërgua me studime në Bashkimin Sovjetik, ku qëndroi deri në vitin 1957, kur ai u njoftua që të kthehej urgjent në Shqipëri, pasi kishte shprehur hapur pikëpamjet e tij pro vijës politike që po ndiqte udhëheqësi kryesor i Kremlinit, Nikita Hrushov, për dënimin e kultit të Stalinit. Biseda e Enver Hoxhës me Xhavit Qesen në zyrën e tij në Komitetin Qendror, ku ai e kritikoi ashpër për pikëpamjet e gabuara që ai kishte shfaqur gjatë periudhës së studimeve në Moskë, duke i bërë thirrje që të reflektonte dhe të bënte autokritikë, por Xhaviti e refuzoi sugjerimin e sekretarit të parë të Partisë së Punës së Shqipërisë, gjë e cila u bë shkak që ai të mos lejohej të shkonte më në Bashkimin Sovjetik për të përfunduar studimet, por të dërgohej me punë si nënkryetar i Komitetit Ekzekutiv të Elbasanit, nga ku një vit më vonë, do të përjashtohej nga radhët e Partisë, e do të internohej në Ishullin e Zvërnecit, ku regjimi komunist mbante të izoluar disa nga ish-kuadrot e lartë partiakë dhe shtetërorë, të cilët i kishte dënuar për pikëpamjet e tyre antiparti. Kalvari dhe persekucioni i gjatë i Xhavit Qeses nga viti 1957 deri në 1990-ën, ku ai kaloi plot 32 vite në burgje dhe internime, duke qenë një nga të rrallët e dënuar të burgut të Burrelit që bëri greva të gjata urie në shenjë proteste për trajtimin dhe qëndrimin e egër që po mbante regjimi komunist i Enver Hoxhës ndaj tij. Dosja e plotë formulare, hetimore dhe gjyqësore në ngarkim të Xhavit Qeses, e cila publikohet për herë të parë nga Memorie.al, ku ndodhen dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit që pasqyrojnë ndjekjen dhe përgjimet ndaj tij, raportet e bashkëpunëtorëve të Sigurimit me pseudonimet e tyre, korrespodenca me letrat që ai u dërgonte instancave të larta partiake dhe shtetërore, si dhe udhëheqësve më të lartë të PPSh-së, deri në vitin 1991 që u lirua nga burgu!
Akt-akuza ndaj të pandehurit Xhavit Qesja e formuluar nga Prokurori i Përgjithshëm, Shuaip Panariti, dërguar për gjykim Gjykatës së Lartë të Republikës Popullore të Shqipërisë më 23 tetor 1967
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË
MINISTRIA E DREJTËSISË
GJYKATA E Lartë
Viti 1967 Nr.Regj.Them.194
Nr. Vendimi 183
Data e ardhjes, 11/10/1967
Data 23/10/1967
Të pandehur
Xhavit Hajdar Qesja
Akuza
Për agjitacion e propagandë të parashikuar si krim nga neni 73/I K.P
Gjyqtari i çështjes:
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË
PROKURORIA E PËRGJITHSHME
Tiranë me 11. X. 1967
Dega Kont. Vepr. Hetimi
Nr. 0185 Prot.
GJYKATËS LARTË
Kolegjit Penal
Tiranë
Në bazë të nenit 28 pika 1 të Kodit të Procedurës Penale, po ju dërgojmë për kompetencë gjykimi çështjen e te pandehurit Xhavit Qesja.
Prokurori i Përgjithshëm
Dhori Panariti
APROVOHET
AKT – AKUZË
Kundra të pandehurit:
Xhavit Hajdar Qesja, i cili akuzohet që ka kryer krimin e parashikuar nga neni 73/1 i Kodit Penal të R.P. të Shqipërisë.
Në datë më 11 Shtator 1967, organet e Sigurimit të Shtetit arrestuan të pandehurin Xhavit Qesja, për arsye se kishte zhvilluar për një kohë të gjatë veprimtari armiqësore kundër R.P. të Shqipërisë.
I pandehuri Xhavit Qesja, duke qenë element me pre dispozicion anti-parti, me ardhjen në fuqi të klikës revizioniste Hrushovjane në Bashkimin Sovjetik, mori pozicion anti-parti dhe në fillim në forma të maskuara e më vonë me forma të hapta, zhvilloi veprimtari anti-parti kundra vijës së partisë sonë dhe në favor të revizionimit modern.
Megjithëse Partia bëri të gjitha përpjekjet e mundshme për ta korrigjuar, ky i pandehur duke qenë armik dhe i vendosur në rrugën e tij revizioniste, në mënyrë të ndërgjegjshme e vazhdoi veprimtarinë e tij armiqësore.
Që ky i pandehur ka qenë në pozita anti-parti kundra vijës së partisë sonë dhe në favor të revizionimit modern. Megjithëse Partia bëri të gjitha përpjekjet e mundshme për ta korrigjuar, ky i pandehur duke qenë armik dhe i vendosur në rrugën e tij revizioniste në mënyrë të ndërgjegjshmes e vazhdoi veprimtarinë e tij armiqësore.
Që ky i pandehur ka qenë në pozitën anti-parti prej shumë vjetësh përpara dhe në mënyrë të ndërgjegjshme del kjartë përveç të tjerave edhe nga këto fjalë që ai shkruan në letrën e datës 20 maj 1966: “Asnjë milimetër nuk tërhiqem nga mendimet e mia, mua s’më ka shkuar në mend një gja e tillë atëhere kur për shumë vetë nuk ka qenë të kjarta shumë gjana, sepse unë për veten time i kisha shumë të kjarta. Kjo që dhe kjo mbetet bindja ime”.
Mbasi Partia u bind se i pandehuri Xhavit Qesja ishte armik dhe konsekuent në veprimtarin e tij anti-parti dhe revizionist, e flaku nga radhët e sajë dhe mori masat e nevojshme që ky armik i klasës të mos kishte mundësi që në veprimtarinë e tij armiqësore, të dëmtonte sado pak interes e popullit, partisë dhe Atdheut.
Por edhe mbas këtyre masave i pandehuri Xhavit Qesja vazhdoi në konsekuencë rrugën e tij armiqësore dhe u përpoq me të gjitha mënyrat për të luftuar Partinë tonë, për të luftuar dhe diskredituar diktaturën e proletariatit në vendin tonë. Për t’ja arritur këtij qëllimi i pandehuri Xhavit, nuk len gja pa shpifur kundra partisë dhe pushtetit, kundra Udhëheqjes të Partisë dhe Shtetit tonë.
Ky i pandehur në shumë letra të tij ku direkt dhe ku indirekt flet me urrejtjen më të madhe kundra diktaturës së klasës punëtore në vendin tonë. Për ta sharë e shpifur sa më shumë kundra pushtetit e partisë përdor të gjitha ato fjalë me të cilat klasikët e Marksizëm –Leninizmit dhe shkrimtarët përparimtare kanë dënuar regjimet më të egra, më shtypëse dhe më barbare që kanë ekzistuar në të gjitha kohët e sistemeve shtypëse dhe shfrytëzuese.
Përveç këtyre i pandehuri Xhavit, ashtu si gjithë revizionistët titistë dhe hrushovianë, ka marrë nën mbrojtje kundër – revolucionin në Hungari dhe ngjarjet kundër – revolucionare në Poloni, duke bërë shkaktar për këtë diktaturën e proletariatit në atë kohë në ato vende.
Me këtë i pandehuri kërkon të bëjë analogji dhe të dënojë edhe diktaturën e proletariatit në vendin tonë, sepse kjo merr masa të ashpra karshi armiqve. Për ta konkretizuar këtë po përmendim këto fjalë që i pandehuri ka shkruar në letrën e datës 21 Dhjetor 1966.
“Atëhere unë isha në Moskë, atëhere u bë Kongresi i II-të, u zhvilluan ngjarjet në Hungari e Poloni. Ngjarje të mëdha këtu! Njerëzit e thjeshtë sovjetik, po tamam ata që kanë dhënë gjak e djersë, pyesnin për gjendjen dhe akoma dridheshin kur shikonin kamionçinën e mbyllur tue shpërnda bukën ndër dyqanet e shitjes, sepse u kujtonte kamionçinën e mortjes të organeve të Punëve të Brendshme që vite me radhë vinte për me bë arrestime. Atëhere atje në Moskë kam dëgjuar nga vetë hungarezët, se ngjarjet në Hungari i shkaktoi Rakoshi, sepse në kohën e tij as edhe frymëmarrja nuk qe e lirë.
Përsa u përket ngjarjeve në Poloni, a mund të thoni çfarë të doni por s’mund të mendoni se ata qenë “të pastërta”, “të pastërta si kristali”…! Këtyre tre ngjarjeve unë do t’u jem mirënjohës për jetë, sepse më zgjuan nga letargjia e naivitetit dhe më bënë që të mendoj….! Këto ngjarje kanë bë që shumë kush të nxjerrë konkluzione edhe unë kam nxjerr dhe si pasojë u shkëputa prej jush, e për këtë e ndiejë veten shumë të qetë dhe të lumtur”.
Pra a nuk tregon vetëm kjo thënie se i pandehuri Xhavit Qesja ka luftuar e lufton me tërbim kundra diktaturës së proletariatit në përgjithësi dhe kundër diktaturës së proletariatit në vendin tonë në mënyrë të veçantë. Armiqtë e socializmit qofshin këta revizionistë apo kapitalist me këto argumenta dhe në këtë drejtim që luftuan edhe i pandehuri Xhavit i kanë luftuar dhe i luftojnë vendet socialiste pushtetin e klasës punëtore dhe partitë Marksiste –Leniniste.
I pandehuri Xhavit, e quan lumturi që mundi të shkëputej nga Partia e Punës, nga diktatura e klasës punëtore dhe që u hodh në kampin e revizionizmit dhe imperializmit. “Unë’ thotë i pandehuri Xhavit, në letrat e tij jam në opozitë të hapët me vijën tuaj. Jam kundërshtar politik i juaj dhe me këtë gjuhë më pëlqen të flas me Ju”.
Që i pandehuri është kundërshtar politik dhe ideologjik i partisë dhe pushtetit tonë popullor, që ky i pandehur ka atë ideologji dhe ndjek atë politikë që kanë ndjekur e ndjekin revizionistët, që i pandehuri me këtë kërkon që në vendin tonë të vendoset ajo politikë që nuk mbron interesat e klasës punëtore, por interesat e armiqve të klasës, qofshin këta revizionist ose kapitalist.
Pra se i pandehuri është armik i tillë prandaj e kemi sjellë këtu për ta gjykuar, gjyqi i klasës punëtore. Nga ato çka përshkruam më lartë, si dhe nga çështja të tjera që ky i pandehur ka shkruar në letrat e tij del e qartë se këtu nuk kemi të bëjmë me bindje siç kërkon ta paraqesë i pandehuri, këtu kemi të bëjmë me një veprimtari thellësisht armiqësore që i pandehuri e ka shfaqur me format më të hapta dhe më brutale.
Këtu gjithashtu nuk kemi të bëjmë me disa çështje siç shprehet disa herë i pandehuri, e ka shfaqur në format më të hapta dhe më brutale. Këtu gjithashtu nuk kemi të bëjmë me disa çështje siç shprehet disa herë i pandehuri, porsa këtu kemi të bëjmë me botëkuptime diametralisht të kundërta që mohojnë njëra tjetrën.
I pandehuri ngrihet kundra diktaturës së klasës punëtore dhe kërkon liri për armiqtë, ne punojmë për ta forcuar diktaturën e klasës punëtore, për ta forcuar pushtetin popullor në luftë të ashpër kundra armiqve të jashtëm dhe të brendshëm. Maska që kërkon t’i veshi i pandehuri veprimtarisë së tij revizioniste dhe kundra revolucionare, është grisur prej kohësh.
Pra me çfarëdo emri ta quaj veten i pandehuri Xhavit, për popullin dhe partinë tonë, ky ka qenë dhe mbetet një armik i rrezikshëm, i cili ashtu si edhe padronët e tij revizionistët titistë dhe Hrushovjanë, nuk mund t’ja hedhë dot Partisë dhe popullit tonë. Këtyre armiqve u është grisur maska nga partia jonë përgjithmonë.
Veprimtaria armiqësore e të pandehurit Xhavit Qesja, provohet nga një numër letrash që ky i pandehur ka shkruar dhe që ndodhen në dosjen e tij.
Përsa sipër, i pandehuri Xhavit Hajdar Qesja, i dt. lindjes 1920, lindur në Krujë e në vitet e fundit i internuar në Zvërnec të Vlorës, me arsim të lartë me profesion nëpunës, i padënuar i përjashtuar nga partia, i divorcuar, ka 2 fëmijë, rrjedh nga shtresat e pasura, arrestuar më 11 Shtator 1967.
Akuzohet se:
Ka zhvilluar veprimtari armiqësore kundër pushtetit e Partisë në formën e agjitacionin dhe propagandës.
Duke e konsideruar të plotë zhvillimin e hetimeve për çështjen dhe provat e mbledhura të mjaftueshme për t’ja kaluar gjyqit, i udhëhequr nga neni 204 i Kodit të P.P. vendosa që çështjen hetimore të të pandehurit Xhavit Qesja, nëpërmjet Prokurorisë, t’ja dërgojë Gjykatës për gjykim.
Hetuesi
Stavri Xhara
Me datën 11/x/1967 të pandehurit Xhevit Qesja mbasi ju lexua dhe ju dorëzua akt –akuza, refuzon të firmoste marrjen në dorëzim
Prokurori i Përgjithshëm Hetuesi
Asaf Kondi Koço Josifi
Vendimi për të pandehurin Xhavit Qesja, i përpiluar nga gjyqtari i çështjes, Hilmi Telegrafi, pranë Gjykatës së Lartë të Republikës Popullore të Shqipërisë
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË
GJYKATA E LARTË
Nr.194 Akti… Tiranë, me 20/9/1967
DREJTORISË PUNËVE TË BRENDSHME
(Anës Policisë)
TIRANË
Me datën 23/1/1967 n’ora 15 mbas dite, të shoqërohet për në Gjykatën e Lartë, i burgosuri Xhavit Hajdar Qesja, për gjykim
Lutemi të respektohet data dhe ora caktuar më sipër.
GJYQTARI I ÇËSHTJES
(Hilmi Telegrafi)
V E N D I M
Në Tiranë, sot me datë 12/10/1967, unë Hilmi Telegrafi, anëtar i Gjykatës së Lartë, pasi shqyrtova si gjyqtar i vetëm aktet e çështjes nga Prokuroria e Përgjithshme për t’u gjykuar për krimin e parashikuar nga neni 75/I të K.P
Konstatova
Se hetimet e çështjes janë të mjaftueshme dhe se akuza e cilësimi ligjor i veprës i përgjigjet materialeve të çështjes, por këto arsye dhe në mbështetje të neneve 213 e 216 të K.Pr.P.
Vendosa:
- Dërgimin e të pandehurit Xhavit Hajdar Qesja në gjyq për t’u gjykuar për krimin e parashikuar nga neni 73/1 të K.P.
- Çështja të shqyrtohet në ora 15 të datës 23/10/1967 në seancë gjyqësore me dyer të mbyllura dhe me pjesëmarrjen e prokurorit.
- Të thirren në seancë gjyqësore dëshmitarët
- Masa e sigurimit të mos ndryshohet
Të njoftohen organet e Punëve të Brendshme për shoqërimin e të pandehurit në ditën dhe orën e gjykimit. Memorie.al
Tiranë me 23/10/1967
GJYQTARI I ÇËSHTJES
Hilmi Telegrafi
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016