Nga Dashnor Kaloçi
Pjesa e trembëdhjetë
Memorie.al / Që nga viti 1944, kur erdhi në pushtet e, deri në fundin e vitit 1990-të, regjimi komunist i diktatorit Enver Hoxha dhe pasardhësit të tij Ramiz Alia, në bazë të teorisë dhe “mësimeve të Marksit, Engelsit, Leninit e Stalinit” si dhe ideologjisë që ata ideuan e u aplikua gati në gjysmën e botës, zhvilluan pa ndërprerje luftën e klasave, duke ekzekutuar, burgosur apo internuar kundërshtarët e tyre politikë. Në këtë kuadër, që nga dhjetori i vitit 1944, kur Enver Hoxha dhe qeveria që ai kryesonte zbritën nga malet dhe morën pushtetin, krahas ekzekutimeve me dhe pa gjyq, filluan edhe internimet e dhjetra e qindra familjeve, që ata i konsideronin “klasa të përmbysura”, apo i akuzonin si; “armiq të popullit”, kryesisht familje të pasura apo të shtresës së mesme, ish-funksionarë të Monarkisë së Zogut, që gjatë periudhës së pushtimit të vendit, kishin aderuar apo kishin mbështetur organizatën nacionaliste “Balli Kombëtar” e Legalitetin.
Po kjo “praktikë”, pra masa ndëshkuese e internim-dëbimeve, do të zhvillohej edhe ndaj qindra e qindra komunistëve, (nga ata më të thjeshtët e, deri tek ish-anëtarët e Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH-së), deputetë, ministra, ushtarakë e funksionarë të lartë etj., e familjeve të tyre, të cilët Enver Hoxha dhe regjimi komunist në fuqi, do t’i shpallte “tradhtar, revizionistë, armiqtë të popullit”, etj. Nga viti 1944, e deri në 1949-ën, vendimi për internim-dëbimet bëheshin nga “Komisioni i Dëbimeve dhe Konfiskimit të Pasurive”, që funksiononte pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme, komision i cili në vitet në vijim, e ndryshoi disa herë emërtesën, deri sa në vitin 1954, kaloi në varësi të Kryeministrisë, duke u quajtur “Komisioni i Internim-Dëbimeve”, i cili funksionoi rregullisht deri në vitin 1990.
Që nga viti 1954 e, deri në 1974-ën, kryetar i atij komisioni ishte Beqir Balluku, anëtari i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së, që mbante funksionin e ministrit të Mbrojtjes Popullore dhe njëkohësisht atë të zv. kryeministrit të qeverisë së kryesuar nga Mehmet Shehu, kurse zv. kryetar i komisionit, ishte ministri i Punëve të Brendshme, Kadri Hazbiu, ndërsa si anëtarë, Prokurori i Përgjithshëm Dhori Panariti, e kryetari i Gjykatës së Lartë, Aranit Çela. (Pas dënimit të Beqir Ballukut, në vitin 1974, funksionin e kryetarit të Internim-Dëbimeve, e mori zv. kryeministri Manush Myftiu, kurse pas dënimit të Kadri Hazbiut, funksionin e nënkryetarit e mori Hekuran Isai).
Ky komision, gjatë gjithë periudhës së ekzistencës e funksionimit të tij, dha me dhjetëra e qindra vendime, duke dëbuar e internuar me mijëra persona, të cilët hiqeshin me dhunë nga vendet e tyre të banimit dhe detyroheshin të jetonin e banonin në fshatra dhe zona të thella të vendit, nga jugu në veri. Kryesisht fshatrat me vendet e kampet e internimit ishin caktuar nga qeveria në zonën e Myzeqesë së Lushnjes e Fierit, (Savër, Çermë, Bedat, Grabian, Gradisht, Plug, Gjazë, Zhamë, Sulzotaj, Kryekuq, Karavasta, Shtyllas etj.), pra në pjesën qendrore të vendit, me qëllim që ata të ishin sa më larg kufijve shtetëror, që të mos arratiseshin jashtë Shqipërisë. Po kështu, përveç masave me internime dhe dëbime, komisioni qeveritar, jepte vendime edhe për sekuestrimin e pasurisë së të gjithë personave që arratiseshin nga Shqipëria.
Në bazë të ligjit përkatës me të cilin funksiononte Komisioni i Internim-Dëbimeve, një person, apo një familje, fillimisht internohej për pesë vjet, por ato përsëriteshin, duke u shtyrë çdo pesë vjet, aq sa familje të tëra, kryesisht nga Veriu i Shqipërisë, si: Gjonmarkajt e Mirditës, Kalosht, Sina-jt, Alia-jt, Demat, Dinet, Menat e Ndretë e Dibrës, Bajraktari e Kolgjini të Kukësit, Kola-jt, Allamant e Sulkurtët e Matit, Merlikat, Kupët e Bami të Krujës, Mirakajt e Pukës, Radi dhe Gjekaj të Shkodrës, Pervizt e Kurbinit, Mulletët e Petrelat Tiranës, apo ato nga Jugu i vendit, si; Dostët e Gjirokastrës, Frashëri dhe Çela të Përmetit e Kolonjës, Staraveckat e Skraparit, etj., etj., të cilët qëndruan në vendet e internimit deri në vitin 1991, kur dhe u shemb regjim i komunist. Madje disa prej tyre, edhe shumë vite më pas, sepse nuk kishin se ku të shkonin, pasi nuk u kishte mbetur asnjë kthinë ku të fusnin kokën!
Lidhur me sa më sipër etj., Memorie.al. ka siguruar një dosje voluminoze nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendshme që mban siglën “Tepër Sekret”, (por tashmë prej kohësh e deklasifikuar), me vendimet e Komisionit të Internim-Dëbimeve, të cilat po i publikojmë të plota dhe me faksimilet përkatëse; ku janë emrat e personave dhe familjet që janë dëbuar e internuar, apo u janë sekuestrimet e pasuritë, si dhe akuzat përkatëse për çdonjërin prej tyre.
VENDIMI NR. 47 I KOMISIONIT TË INTERNIM-DËBIMEVE
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË TEPËR SEKRET
KOMISIONI INTERNIM – DËBIMEVE Grupi 3/B 2 vjet
Tiranë, më 5.X.1967
VENDIM Nr. 47/A
Komisioni i Internim-Dëbimeve, i mbledhur me datën 5.X.1967, në mbështetje të dekretit të Presidiumit të Kuvendit Popullor, Nr. 1906, datë 2.8.1954, mbasi studioi materialet dhe propozimet e paraqitura nga Ministria e Punëve të Brendshme,
VENDOSI:
Për arsye se zhvillojnë veprimtari armiqësore dhe paraqesin rrezikshmëri të theksuar shoqërore, të internojë për 5 vjet kohë, personat e poshtë shënuar:
1. Agim Qemal Burimi, i datë-lindjes 1951, lindur në Psar të Zi të rrethit të Kolonjës dhe me banim në Tiranë, shtresë e pasur, me arsim të mesëm, me profesion gjeometër teknik në Tensionin e Lartë, i martuar me tre fëmijë.
2. Besnike Hasan Burimi, e datë-lindjes 1933, edukatore fëmijësh në Kopshtin e Fëmijëve Nr. 34. Prindërit e Besnikes kanë qëndrim të mirë, është e shoqja e Agimit.
3. Sanije Qerim Burmi, e datë-lindjes 1907, shtëpiake, e ëma.
4. Sulejman Qemal Burimi, i datë-lindjes 1933, arsim 7 vjeçar, elektricist në N.I.SH. Elektrike, i martuar, i vëllai.
5. Razije Riza Burimi, e datë-lindjes 1938, me arsim 7 vjeçar, shtëpiake, gruaja e Sulejmanit.
Të internohen në Petë të rrethit Vlorë.
6. Luan Qemal Burimi, i datë-lindjes 1937, arsim të mesëm, elektricist në N.I.SH. Elektriku, i martuar, i vëllai.
7. Hamide Xhemal Burimi, e datë-lindjes 1943, me arsim të mesëm, infermiere në Spitalin Nr. 3, gruaje e Luanit.
Të internohen në Libofshë të rrethit Fier.
8. Muharrem Rexho Peposhi, i datë-lindjes 1928, lindur në Tetovë të Jugosllavisë dhe banues në Tiranë, shtresë e mesme, pa punë, i martuar.
9. Hajrie Ali Peposhi, e datë-lindjes 1930, pa punë, bashkëshorte e Muharremit.
10. Nuredin Rexhep Mullaj, i datë-lindjes 1933, lindur në katundin Floq të rrethit Korçë e banues në Tiranë, shtresë e varfër, me arsim 7 vjeçar, me profesion shofer, i martuar.
11. Lumtur Izet Mullaj, e datë-lindjes 1938, me arsim 7 vjeçar, punëtore, e shoqja.
Të internohen në Libofshë të rrethit Fier.
12. Angjeliqi Dhimitër Kotefa, e datë-lindjes 1933, lindur në katundin Cekovie të rrethit Sarandë, me banim në Tiranë me arsim fillor, shtresë e pasur, shtëpiake.
13. Kosta Dhimitër Kotefa, i datë-lindjes 1951, student, i biri.
Të internohen në Adriatik të rrethit Krujë.
Internimi u fillon me datën 5/X/1967 dhe u mbaron me 5/X/1972, për 5 vjet kohë.
ZV/KRYETARI I KOMISIONIT KRYETARI I KOMISIONIT
KADRI HAZBIU …………………..
PROKURORI I PËRGJITHSHËM KRYETARI GJYKATËS SË LARTË
LEFTER GOGA ARANIT ÇELA
Shënim:
Nga vendimi 47, datë 5.X.1967, janë internuar 13 personat që janë në këtë vendim (kopje) dhe me të tjerë, Xhindollët, me……nr. 26 dt. 8.I.’68 (Shif shkresën mbrapa)
Të tjerët kanë shkuar vullnetarisht. Nuk konsiderohen të internuar.
Josif Andon Krishani….
Eduard Babani…..V. 39, viti 1969
(Shif V.H. masë
– Kalosh Shemsi Kola (shif vendimin)
– Handane Nazif…..
– Hatixhe Viçishti …..
RAPORT-INFORMACIONI TEPËR SEKRET I DREJTORISË SË SIGURIMIT TË SHTETIT, DËRGUAR DREJTORISË SË PUNËVE TË BRENDSHME TË TIRANËS DHE DEGËS SË BRENDSHME TË RRETHIT TË LUSHNJES
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË TEPËR SEKRET
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME Ekz. Nr. 3
DREJTORIA E I-RË Grupi 3/B 2 vjet
DEGA E V-TË Tiranë, më 8.5.1968
Nr. 26 Prot.
DREJTORISË SË PUNËVE TË BRENDSHME
(ANËS SIGURIMIT LUSHNJE)
TIRANË
DEGËS SË PUNËVE TË BRENDSHME
(ANËS SIGURIMIT)
LUSHNJE
Me vendim nr. 47, datë 5.X.1967 të Komisionit të Internim Dëbimeve, të internohen për 5 vjet kohë, personat e poshtëshënuar:
1. Tafil Mustafa Xhindole, i dat-lindjes 1906, lindur në Lushnje dhe banues në qytetin e Tiranës, shtresë e pasur, me arsim fillor, punëtor në Pasurinë e Shtetit, i martuar.
2. Lutfije Ferhat Xhindole, e dat-lindjes 1908, shtëpiake, e shoqja.
3. Burhan Tefik Xhindole, i dat-lindjes 1935, me arsim të mesëm, elektricist, i biri.
4. Sabaudin Tefik Xhindole, i dat-lindjes 1937, me arsim të mesëm, këpucar, i biri.
5. Gramoz Tefik Xhindole, i dat-lindjes 1942, me arsim 7 vjeçar, marangoz, i biri.
6. Bujar Tefik Xhindole, i dat-lindjes 1942, me arsim 7 vjeçar, punëtor, i biri.
7. Ferdinant Tefik Xhindole, i dat-lindjes 1944, me arsim 7 vjeçar, punëtor, i biri.
Të përmendurit, refuzuan thirrjen e Komitetit Ekzekutiv të Tiranës, për t’u larguar vullnetarisht.
Të internohen në katundin Imshte të rrethit të Lushnjes, për 5 vjet kohë.
Internimi u fillon me datën 3.I.1968 dhe u mbaron më datën 3.I.1973.
Të lajmërohen se në raste largimi pa leje nga vendi internimit, do të merren në përgjegjësi penale.
ZV/KRYETARI I DEGËS SË V-TË
REXHO HYSENI
VENDIMI NR. 49 I KOMISIONIT TË INTERNIM-DËBIMEVE
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË TEPËR SEKRET
KOMISIONI INTERNIM – DËBIMEVE Ekz. Nr. 1
Tiranë, më 11.X.1967
VENDIM Nr. 49
Komisioni i Internim-Dëbimeve, i mbledhur me datën 5.X.1967, në mbështetje të dekretit të Presidiumit të Kuvendit Popullor, Nr. 1906, datë 2.8.1954, mbasi studioi materialet dhe propozimet e paraqitura nga Ministria e Punëve të Brendshme,
VENDOSI:
Për arsye se kanë zhvilluar veprimtari armiqësore kundër politikës së Partisë për kolektivizimin e bujqësisë dhe paraqesin rrezikshmëri të theksuar shoqërore, të internojë për 5 vjet kohë në Gjazë të rrethit Lushnje, personat e poshtë shënuar:
1. Gani Muharrem Murati, i dat-lindjes 1919, lindur dhe banues në katundin Zall-Kalis të rrethit Dibër, me profesion bujk shtresë e varfër fshatare, me arsim autodidakt, i martuar, i përjashtuar nga Partia.
2. Sali Ladin Elezi, i dat-lindjes 1950, lindur dhe banues në katundin Zall-Kalis të rrethit Dibër, me profesion bujk shtresë e varfër fshatare, me arsim autodidakt, i martuar, ka 5 fëmijë, i dënuar njëherë me 5 vjet burg, i përjashtuar nga Partia.
Internimi u fillon me datë 11.X.1967 dhe u mbaron me datën 11.X.1972.
ZV/KRYETARI I KOMISIONIT KRYETARI I KOMISIONIT
KADRI HAZBIU …………………..
PROKURORI I PËRGJITHSHËM KRYETARI GJYKATËS SË LARTË
LEFTER GOGA ARANIT ÇELA
VENDIMI NR. 50 I KOMISIONIT TË INTERNIM-DËBIMEVE
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË TEPËR SEKRET
KOMISIONI INTERNIM – DËBIMEVE Tiranë, më 27.X.1967
VENDIM Nr. 50
Komisioni i Internim-Dëbimeve, i mbledhur me datën 27.X.1967, në mbështetje të dekretit të Presidiumit të Kuvendit Popullor, Nr. 1906, datë 2.8.1954, mbasi studioi materialet dhe propozimet e paraqitura nga Ministria e Punëve të Brendshme,
VENDOSI:
Për arsye se paraqet rrezikshmëri të theksuar për t’u arratisur jashtë shtetit, t’i zgjatet afati i internimit edhe për 5 vjet kohë, Vasil Stavro Llojës, i dat-lindjes 1917, lindur në katundin Leshnicë të rrethit Sarandë, i internuar me vendim Nr. 83, datë 9.XI.1962.
Internimi i fillon me datën 27.X.1967 dhe i mbaron me datën 27.X.1972.
ZV/KRYETARI I KOMISIONIT KRYETARI I KOMISIONIT
KADRI HAZBIU …………………..
PROKURORI I PËRGJITHSHËM KRYETARI GJYKATËS SË LARTË
LEFTER GOGA ARANIT ÇELA
VENDIMI NR. 51 I KOMISIONIT TË INTERNIM-DËBIMEVE
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË TEPËR SEKRET
KOMISIONI INTERNIM – DËBIMEVE
VENDIM Nr. 51
Komisioni i Internim-Dëbimeve, i mbledhur me datën 27.X.1967, në mbështetje të dekretit të Presidiumit të Kuvendit Popullor, Nr. 1906, datë 2.8.1954, mbasi studioi materialet dhe propozimet e paraqitura nga Ministria e Punëve të Brendshme,
VENDOSI:
Të internojë për 5 vjet kohë në katundin Tpla të rrethit Tropojë, për arsye se paraqesin rrezikshmëri për t’u arratisur jashtë shtetit:
1. Gjyle Avdi Leci, e datëlindjes 1930, lindur në Kolgecaj dhe banuese në Buçaj të rrethit Tropojë, e martuar, me një djalë 14 vjeç, shtresë e mesme, shtëpiake.
2. Pule Sadik Leci, e datëlindjes 1872, lindur dhe banuese në Buçaj të rrethit Tropojë, shtëpiake, vjehrra e Gjyles.
Gjyla ka të arratisur jashtë shtetit, burrin e saj, Isuf Zmajl Lecin, dhe kunatin, Shaban Zmajl Lecin. Më datën 8.I.1967, u arratis për në Jugosllavi kunata e saj, gruaja e Shaban Lecit, së bashku me të katër djemtë, me të cilët jetonin bashkë.
ZV/KRYETARI I KOMISIONIT KRYETARI I KOMISIONIT
KADRI HAZBIU …………………..
PROKURORI I PËRGJITHSHËM KRYETARI GJYKATËS SË LARTË
LEFTER GOGA ARANIT ÇELA
VENDIMI NR. 52 I KOMISIONIT TË INTERNIM-DËBIMEVE
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË TEPËR SEKRET
KOMISIONI INTERNIM – DËBIMEVE
VENDIM Nr. 52
Komisioni i Internim-Dëbimeve, i mbledhur me datën 15.XI.1967, në mbështetje të dekretit të Presidiumit të Kuvendit Popullor, Nr. 1906, datë 2.8.1954, mbasi studioi materialet dhe propozimet e paraqitura nga Ministria e Punëve të Brendshme,
VENDOSI:
Të internojë për 5 vjet kohë në Seman të rrethit Fier:
1. Ahmet Beqo (Nivica), i biri i Zylfos dhe Nailes, i datëlindjes 1923, lindur në Nivicë të Tepelenës, me banim në Fier, ish nëpunës, me arsim të lartë, shtresë e pasur, i martuar, pa fëmijë.
2. Engjëllushe Beqo Shehu, e bija e Syrjait dhe Fiqretes, e datëlindjes 1929, lindur në Tiranë, banuese në Fier, shtresë e pasur, me arsim të mesëm, pa punë, bashkëshortja e Ahmetit.
Të përmendurit, paraqesin rrezikshmëri shoqërore.
Internimi u fillon me datë 15.X.1967 dhe u mbaron me datë 15.X.1972. Memorie.al
ZV/KRYETARI I KOMISIONIT KRYETARI I KOMISIONIT
KADRI HAZBIU …………………..
PROKURORI I PËRGJITHSHËM KRYETARI GJYKATËS SË LARTË
LEFTER GOGA ARANIT ÇELA
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016