Nga Gjet Kadeli
Pjesa e njëzetenjë
Memorie.al publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga Autoriteti për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ndodhet një dosje voluminoze (dosja formulare e përpunimit me 433 faqe dhe ajo hetimore e gjyqësore me 632 faqe) në ngarkim të Gjet Kadelit, me origjinë nga fshati Bulshar i Oroshit të Mirditës dhe me banim në Bushnesh e Mamurras të Kurbinit, ish – i burgosur politik në regjimin komunist të Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij, Ramiz Alia, i cili kaloi plot 16 vjet në kampet dhe burgjet komuniste, si në Spaç, Burrel, etj. Siç do të shohim nga dokumentet që ndodhen në dosjen në ngarkim të Gjet Kadelit, e cila publikohet për herë të parë nga Memorie.al, survejimi dhe ndjekja ndaj tij, ka filluar që në vitin 1957, kur ai ishte në moshën 17 vjeçare, me raport-informacionin e oficerit të Sigurimit të Shtetit, Fahri Kraja, (në bazë të të dhënave të bashkëpunëtorit të Sigurimit me pseudonimin “Dylli i Bardhë”, me miratimin e Kryetarit të Degës së Punëve të Brendshme të rrethit të Krujës, nënkolonel Muhedin Kërxhalliu), ka vazhduar më pas edhe gjatë periudhës që ai ndodhej në kampe dhe burgje, si në Spaç, ku pas revoltës së majit vitit 1973, Gjeta u ri dënua, pasi ishte ideatori kryesor për ngritjen e flamurit pa yllin komunist, duke vijuar më pas në burgun e Burrelit, me raport-informacionet e Punëtorit Operativ, Piro Nuredini, etj., për bisedat e Gjetës me të dënuarit e tjerë të atij burgu, si: Pjetër Arbnori, Daut Gumeni, Abdulla Sallaku, Spartak Ngjela, Avni Aliko, Luan Burimi, Çaush Çoku, Kapllan Resuli, Bardhosh Gjonzeneli, Bashkim Shehu, etj. Survejimi dhe ndjekja ndaj Gjet Kadelit, ka vijuar edhe pas daljes nga burgu në vitin 1987, duke vazhduar deri në janarin e 1991-it, me shembjen e regjimit komunist, kur dosja e tij u mbyll përfundimisht duke u arshivuar në arshivën sekrete të ish-Sigurimit të Shtetit. Po kështu, një vend të rëndësishëm në dosjet e në fjalë, zë edhe korrespodenca me letra e Gjetës dhe familjes së tij, me babanë e tyre, Pjetër Kadeli, ish-ushtarak i Monarkisë së Zogut, i cili pasi kishte shpërthyer qelitë e burgut të Degës së Brendshme të Rrëshenit më 28 korrik 1950, qëndroi disa kohë në male në arrati, e më pas në vitin 1951, u kthye fshehurazi në Mirditë, mori dhe djalin e tij, Gjonin dhe u arratis në Jugosllavi e, më pas në SHBA-ës, ku qëndroi si emigrant politik, deri në fillimin e viteve ’90-të, kur u kthye përgjithmonë në Shqipëri. Gjatë kësaj periudhe kohe gati 35 vjeçare që, Gjet Kadeli është ndjekur dhe survejuar nga Sigurimi i Shtetit, ndaj tij janë angazhuar dhe aktivizuar plot 33 bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit, që kanë dhënë raportet e tyre, duke filluar nga “Dylli i bardhë” në 1957-ën, e deri te “Dallëndyshja e Malit” në 1990-ën, të cilat, do të pasqyrohen të gjitha të plota, ashtu siç ndodhen në dosjet përkatëse.
Dokumenti i shefit të seksionit të Sigurimit të Shtetit në Degën e Brendshme të Rrëshenit, Gjergj Zefi, me proces-verbalin e marrjes në pyetje të dënuarit Muhamet Kosovrasti, me denoncimet ndaj Gjet Kadelit
SHEFAT E SEKSIONIT
Gjergj Zefi
PROCES – VERBAL
(KALLZIMI)
Në Spaç sot me datën 20/6/1974, unë Gjergj Zefi, efektiv i Degës Punëve të Brendshme Mirditë, me detyrë shef seksioni, marr në pyetje në cilësinë e kallëzuesit, të dënuarin Muhamet Kosovrasti, i biri Azemit dhe i Dylberes, i datëlindjes 1933, lindur dhe banues në Tiranë, me arsim të lartë, dënuar me 25 vjet heqje të lirisë për tradhti ndaj atdheut ……………..
Kallëzuesi u paralajmërua se ka përgjegjësi penale për kallëzim të rremë, në bazë të nenit 219 K.P. për çështjen që pyetet e denoncon se ………………
Unë Muhamet Kosovrasti, të dënuarin Gjet Kadelin, e njoha në vitin 1973, në Repartin e Riedukimit 303 Spaç, në muajin Prill, nuk kamë pasur ndonjë intimitet me të. Në muajin Prill, datë 4 viti 1974, kam qenë me të në birucë dhe në praninë e Apostol Thanos, Gjet Kadeli është shprehur se: “Jam armik i komunizmit unë dhe familja ime të tillë jemi, baba im dhe një vëlla janë në SH.B.A.-ës, ku jetojnë për mrekulli, kamë miq dhe kushërinj në Itali, që janë shumë mirë.
Baba gjithnjë më ka ndihmuar ekonomikisht, na ka çuar tesha të jashtme të gjithëve, atje ka standard ndërsa, ne shqiptarët vuajmë nga varfëria. Babën tim, këta e kanë persekutuar e arrestuar, por ai u arratis nga birucat e Rrëshenit dhe më vonë erdhi në Shqipëri dhe tërhoqi edhe vëllain tim, duke u arratisur për Jugosllavi. Unë familjarisht kam jetuar mirë, ndërsa në kooperativa e ndërmarrje bujqësore, vuajnë ekonomikisht dhe njeriu nuk mund të ushqejë as familjen. Komunizmi është i pa hajër dhe na shkatërroi jetën. Unë armik mbetem për gjithnjë….
Mbasi lexova proçes-verbalin pash se, thëniet e mija janë shkruar drejtë, janë të vërteta prandaj i firmos…..
KALLZUESI SHEFI I SEKSIONIT
MUHAMET KOSOVRASTI GJERGJ ZEFI
Dokumenti me raportin sekret i shefit të Seksionit të Sigurimit të Burrelit, Ramiz Hoxha, me të dhënat e agjentit të Sigurimit me pseudonimin “Dardha”, për bisedat e Gjet Kadelit në burgun e Burrelit
DHËNË AGJENTI “Dardha”
Marrë nga shefi i sek. R.Hoxha
Burrel, më 15/1/1975
R A P O R T
Burimi njofton se ai me datën 8 janar 1975 duke biseduar me Gjet Kadelin, Gjeta i tha atij: “Këtij pushteti këtë vit i erdhi fundi”, heronjtë e ardhshëm janë, Simon Jubani me shokë. Udhëheqësi i Partisë e nisi me gjak dhe me gjak po e mbyll. Dy superfuqitë kanë rënë dakord që, ta likuidojnë këtë vatër turkoshakësh, këto janë neoturk shakë, turpi i botës, kush është burrë, nuk bien në dorë të tyre. Gjet Kadeli i tha atij se, më 11 janar, do të shpallet Rep. Soc. Labe.
Agjenti “DARDHA”
Vlerësimi i të dhënës:
E dhëna ka vlerë operative pasi, bën fjalë për aktivitet armiqësor të këtyre personave, që janë në përpunim aktiv 2/A. Ky agjent, ka filluar të futet mirë në përpunimet efektive.
DETYRAT:
Përpjekjet e para tuajat, të jenë për të fituar besimi ndaj Pjetër Arbnorit, Gjet Kadelit, Daut Gumenit dhe Uran Kalakulës. Hapni bisedat rreth situatës, në raste mund të kundërshtoni e filloni debatet, kur thuhet se po i vjen fundi, dhe u thuaj se; edhe unë pata menduar kështu kur isha i lirë se, u erdhi fundi dhe s’ma shkonte mendja që, të më zbulojnë, por ja që më zbuluan dhe gati më dhanë plumbin, prandaj nuk është kollaj dhe nuk e dorëzojnë, ashtu siç mendojmë ne.
Lidhur me atë që thotë Gjet Kadeli se, Simon Jubani është hero i ardhshëm, ja u kundërshtoj dhe u thuaj se; nuk jam në mendimin tuaj, por jam me atë që nga ndonjëherë, Simoni gabon e nxitohet në veprime e, nuk duhet me dalë kaq hapur se, nuk fitojmë gjë (kjo për të fituar besimin).
Masat operative:
Pjesa e raportit ku bëhet fjalë për Gjet Kadelin, u shtyp në një kopje dhe u vendos në dosjen formulare të tij.
PUNËTORI OPERATIV
ESAT LATA
Dokumenti sekret me raport-informacionin e Punëtorit Operativ, Esat Lata, me të dhënat e agjentit të Sigurimit, me pseudonimin “Dardha”, ndaj bisedave të Gjet Kadelit në burgun e Burrelit
Dhënë agjenti “DARDHA”
Marrë P.Op. ESAT LATA
Burrel 20/03/1975
R A P O R T
Burimi raporton se, më 12 mars 1975, në mensë me Gjet Kadelin, Gjeta i tha atij: Dëgjo këtu. Këtë trimin Ndue Kola, e kanë sjellur për mua, por unë ja kam falur shpirtin një heroi shpirtëror dhe kombëtar, Simon Jubanit, i cili për kurajon që ka, meriton bust të artë dhe që, pa tjetër do ta ketë nesër dhe i tretë tek unë, s’mund të hyjë, sikur të mobilizohen tërë shehlerët dhe hoxhallarët labër, që po martirizojnë këtë popull fukara.
Shqipëria sot, po bëhet turpi dhe gazi i botës, për sa kohë që në pushtet, janë turkoshakët më të këqij se anadollakët e hershëm, veç dije se, po brehen nga brenda, e bren krimbi i së keqes që kanë bërë, krimet nuk i lënë të qetë edhe në gjumë. Janë tërbuar aq sa, kujtojnë se duku ju përmendur emrin me mijra herë në radio, do të fitojnë autoritet, por autoriteti fitohet me liri, e këtu liri s’ka, gjer sa të hiqet qafet murtaja e kuqe (Partia).
Ai i tha; me gjithë këtë, Partia do të jetë në shekuj se është bërë pronë shpirtërore e masave. Ç’thua more tutkun, kjo parti ka vdekur, qysh se leu, deri sa hyri në këtë rrugë qorre, së shpejti do të ndërrosh rrugën edhe ti, do të të vij turp se, çfarë ke qenë, të porosis, mos i bëj keq kujt se, do të shpëtosh në saj të qëndrimit gjatë burgut, dëgjo Gjetën, i tha Gjet Kadeli, burimit.
Ai ju përgjigj; faleminderit për fjalët e mira.
“Dardha”
Vlerësimi i të dhënës:
Kjo e dhënë ka vlerë sepse, Gjet Kadeli tregon aktivitet armiqësor kundër Partisë dhe Pushtetit tonë Popullor, duke i cilësuar si armiq të masave.
Detyrë:
Bisedo me Gjetën dhe i thuaj se, vërtetë që unë të thashë atë ditë ashtu, por ama duhet të dish se, unë jam djeg dy herë, prandaj, s’pata guxim me folë se, edhe ti tani, i njeh që këto të përlajnë, menjëherë.
Po për sa i përket asaj të Ndue Kolës, që më ke thënë, që për mua e kanë sjellë, për çfarë arsye e kanë sjellë për ty, mos e ke raportuar ti, apo pse, apo si shokë që mund të jeni?
Masta Operative:
Të studiohet e dhëna e Ndue Kolës dhe te shënimi i ardhshëm që behet fjalë, për minosjen e monumentit “Stalin” dhe mbi këtë bazë, ti hartohet një detyrë konkrete.
PUNËTORI OPERATIV
ESAT LATA
Shënime të Zv/Kryetarit
E dhëna të vlerësohet, e ngrihen detyra konkrete për ndjekjen e organizuar.
22/3/1975.
Dokumenti sekret me raport-informacionin e Punëtorit Operativ, Esat Lata, me të dhënat e agjentit, me pseudonimin “Dardha”, ndaj bisedave të Gjet Kadelit në burgun e Burrelit
Dhënë: Agjenti “DARDHA”
Marrë: P.Op. Esat Lata
Burrel, më 22/3/1975
Nr. 217
R A P O R T
Burimi njofton se, në datën 21 Mars 1975, në “Zërin e Popullit”, u botua lajmi mbi lirimin nga Asamblea kineze, të 293 të kriminelëve të Luftës. Sa po lexoj këtë lajm ,Pjetër Arbnori tha: Fitore e madhe (me ironi), nga ata që mbetën të gjallë, pas 26 vjetësh e më shumë, u liruan 293 vetë.
Kjo është më e mirë se kasaphana e jonë që, kaloi 30 vjet dhe s’bënë asgjë, tha Daut Gumeni.
Ndërkaq, Gjet Kadeli tha: Këtu ndryshon puna se; tek ne, jeta mesatare është 68 vjeç, pra me që rrojmë shumë, pra, edhe burgu duhet të jetë më i gjatë.
Me një fjalë, ndërhyri Uran Kalakula, Azia e verdhë, po ja kalon Europës.
Me datën 20/3/1975, në darkë, sapo radio ora 20, jepte intervistën me artistët, kur e mori fjalën Vaçe Zela, duke lavdëruar Partinë, Daut Gumeni tha: “Qen bir qenësh, po i futen në thesin e tij të gjithë (është fjala për udhëheqësin kryesor të Partisë e të shtetit), edhe Vaçen e kurdisi, ndaj saj kam pasur konsideratë dhe që këtë çast, po më zbehet”. Po ti Daut, nuk e di atë metodën: “shtrëngo, liro”, ja priti Pjetër Arbnori, kjo është metoda e preferuar e tijë, sot të batërdis, nesër të fërkon krahët dhe kështu gjer në fund,
“E po mos qoftë e gjatë o Pjetër, – tha Dauti – se s’durohet për besë, dora dallkaukësh e hipokritësh, në fillim e në mbarim qenër, qenër”.
“DARDHA”
Vlerësimi i të dhënës: E dhëna ka vlerë sepse, bën fjalë për aktivitet armiqësor nga personat e implikuar që janë në përpunim II/A.
DETYRË: Bisedoni me Pjetrin dhe i thoni se; as unë nuk e kuptoj sepse do t’i kenë liruar, a thua mos janë nisur nga ajo që kinezët janë shumë dhe s’kanë ç’na bëjnë, 293 kriminielë të luftës?!
- Për Daut Gumenin, nuk ju dha detyrë pasi, do ti jepet një vij sjellje, që është pregatitur për të.
- Për Gjet Kadelin, do t’i jepet një detyrë mbi bisedën e disa gjërave, që kërkon edhe Dega e Punëve të Brednshme Fier, pasi lidhet me disa objekteve të tyre.
Shënim i Shef. Sek. Drejtojë me detyra konkrete dhe vij sjelljet ndaj Pjetër Arbnorit.
22/3/1975 R. Hoxha. Punëtori Operativ
U pa Esat Lata
22/3/1975 I. Musta
Dokumenti sekret me raport-informacionin e Punëtorit Operativ, Esat Lata, me të dhënat e agjentit të Sigurimit, me pseudonimin “Dardha”, ndaj bisedave të Gjet Kadelit në burgun e Burrelit
Dhënë: Agjenti “DARDHA”
Marrë: P.Op. Esta Lata
Burrel, më 27/3/1975
R A P O R T
Burimi njofton se, duke biseduar me Gjet Kadelin në mensë, me datën 26/3/1975. Gjeta i tha atij: “Tani u hyri sherri në mes, filluan të hanë njeri tjetrin. Shpëtimi i tyre, do të ishte vetëm lidhje me një mik kollos, SH.B.A.-ës Këto janë të gatshëm, mirëpo krimet e shumta, ju a lidhin duart. Mendo sa përgjakje kanë bërë, se ç’marrëzi e turp, deri në “gjyq zotit”. Aventurat e tyre, janë prej kriminelësh, qoftë në diktaturë, qoftë në ekonomi. Të dish një gjë: Këtu do të triumfojë ajo fe, që ka qenë, Krishti jeton e do të jetojë, në zemrat e popullit. Pushtetit i tyre, solli imoralitetin masiv aq sa, ky vend u bë gazi i botës. A mos kujton ti se, e do kush këtë pushtet? E përkrah kush nga jashtë? Askush. Bile as vetë Kina, s’është me këta, është dollari i popullit që, ja rrëmbejnë barbarisht dhe paguajnë rrugaçët jashtë shtetit, që të thonë ndonjë fjalë për to. Por litari u është shtrënguar tani. Midis Ushtrisë Popullore dhe Sigurimit, ka grindje për vdekje, prandaj po ju venë fshesën kuadrove të vjetër dhe Ushtria, po mbushet me spiunë që i marrin nga ushtarë dhe i veshin oficerë dhe kjo tregon, degjenerimin e këtij pushteti rrugaçësh që, kanë vjedhjen e pasurisë së popullit, si një ligj zyrtar. Mendo se jeta e popullit, është bërë e zezë. Populli, është në pritje të një kthese ku, të vihet në vend morali i humbur, nderi e pasuria”.
S’kam se ç’të them, i tha ai, mirë thua, po ku e gjejnë këtë kurajo që kanë?
Gjeta tha: “Te histerizmi dhe çmenduria e tyre që, buron në vetë dogmën barbare komuniste”. “Të kam thënë edhe një herë tjetër – i tha Gjeta atij, – se është fat i madh për ty, që re në burg nga këta, ndryshe do të mbeteshe i turpëruar familjarisht, brez pas brezi. Të jesh i bindur se, fundi i këtyre është në prag të derës”.
I mbron Kina, or Gjet, dëgjo se si len në baltë kurrë, i thashë. “As pyet Kina për ta – tha Gjeta, – e as e lejon kush Kinën të fus hundët këtu, pse nuk bëjnë traktat?! Këtë e dinë mirë edhe këta turkoshakë, prandaj sillen si ujku në hekura, vetë e kanë krijuar, këtë kafaz të zi. Sot Shqipëria, i ngjan cep më cep këtij burgu të Burrelit. Burg jashtë, e burg brenda dhe kjo deri sa të jenë në pushtet sulltanët (për udhëheqësin kryesor të Partisë e të shtetit).
“DARDHA”
Vlerësimi i të dhënës:
E dhëna ka vlerë operative pasi, ky armik tregon aktivitet armiqësor të shfrenuar, kundër Partisë e Pushtetit tonë popullor.
DETYRË: Bisedoni me Gjetën, pa ju hapur shumë në muhabet, deri sa të fitonin besimin e tijë të plotë dhe pastaj, i thoni se, për sa kemi biseduar që, qe fat që rrash në burg, se do të turpërohesha, është një gjë që ta kesh të qartë se, gjithçka mund të ndodhi, por vetëm një gjë kurrë nuk do të ndodhi, që unë të jem hileqar i shokëve të mi dhe këtë, ka me e tregua kohë. Por është një gjë se, mjaft kemi folë se, fundi i këtyre, është i pa shmangshëm, gjë s’po bëhet dhe prandaj më vjen kaq inat nga një here, sa urrej edhe veten, kur flasim e, s’bëhet gjë në favorin tonë. Dhe gjatë bisedave, kur të krijohet mundësia dhe të dali në shteg Ndue Kola, i thua se; më tha se për mua, e kanë sjellur këtu, mua për vete, për sa e njoh, kam përshtypje se është një shok i mirë dhe i vendosur.
Punëtori Operativ
Esat Lata
Shënim të shefit të Seksionit:
Jam dakord me masat dhe detyrat, Gjet Kadeli është armik i betuar i Partisë dhe Pushtetit, prandaj duhet që agjenti “Dardha”, të futet më thellë në përpunimin e tij, prandaj nuk përjashtohet që, të ketë aktivitet të përbashkët me Pjetër Arbnorin, prandaj duhen zbuluar fijet e lidhjet e tij me të dënuarit e tjerë. Memorie.al
29/3/1975
Ramiz Hoxha
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016