Pjesa e dytë
Memorie.al /Ditarët e luftës të Komandës Supreme të Forcave të Armatosura Gjermane (Kriegstagebuch des Oberkommandos der Wehrmacht, KTB OKW), në vitet 1940-1945, u mbajtën nga Zyra e Mbrojtjes Kombëtare pranë Shtabit të Operacioneve të Forcave Ushtarake gjermane (Abteilung Landesverteidigung im Wehrmachtführungsstabamt). Këto ditarë lufte, përshkruajnë strategjitë, betejat, lëvizjet e trupave, linjat e fronteve, qëllimet, vendimet operacionale dhe planet e luftës dhe vlerësimet e situatave luftarake, prej udhëheqjes më të lartë të forcave ushtarake gjermane. Sekretari i Ditarëve të Luftës në Komandën Supreme të Forcave të Armatosura Gjermane, ishte Helmuth Greiner deri më Mars 1943 dhe më pas Percy Ernst Schramm. Në vitet 1961-1965 ditarët e luftës u përpiluan nga historianët dhe u botuan nga shtëpia botuese Bernard & Graefe Verlag für Wehrëesen, Frankfurt am Main. Historiani kryesor ishte Percy Ernst Schramm dhe ndihmësit e tij historianë përkatësisht sipas vëllimeve ishin si më poshtë:
B Ditar Lufte
Faqe 273 – 22.01.1941. Qëndrimi komandantit të Komandës Supreme të Forcave të Armatosura (K.S.F.A.) në lidhje me vlerësimin e gjeneral Guzzonit, jepet: “Është pothuaj e pamundur që italianët të përgatisin në kohën e duhur trupat e nevojshme, për një sulm në Shqipëri. Prandaj nuk duhet llogaritur më mbështetje italiane për sulmet gjermane të nisura nga Bullgaria kundër Greqisë”.
Faqe 274 – 22.01.1941. Italianët e quajnë dërgimin e trupave gjermane në Shqipëri, të dëshirueshëm, po jo të nevojshëm.
Faqe 275 – 22.01.1941. Prandaj nuk ka kuptim të dërgohen trupa tani në Shqipëri. Nëse fronti do të qëndrojë atje pa lëvizur, do të kishte pasoja psikologjike të padëshirueshme. Nëse do të futen trupa, atëhere lufta do të filloje para kohem në jug-lindje.
Faqe 280 – 25.01-.1941. Futje e trupave greke në Shqipëri.
Faqe 289 – 29.01.1941. Në Shqipëri ndodhen 24 Divizione italiane.
Faqe 290 – 30.01.1941. Gjendja në Shqipëri, duket se është e qëndrueshme.
Faqe 292 – 31.01.1941. Raport i datës 29.01.1941, i gjeneralit Rintelen. Të dhëna të Guzzonit mbi Shqipërinë dhe Libinë.
Faqe 305 – 05.02.1941. Trupat gjermane në Libi dhe në Shqipëri, vetëm në rast se do të ketë trupa atje, do të vihen taktikisht drejtpërsëdrejti në shërbim të komandave italiane. Këto trupa, janë nën komandën e Komandantit të Trupave Tokësore, i cili nëpërmjet oficerit ndërlidhës, ka lidhje me komandën italiane në terren.
Faqe 307 – 06.02.1941. Skuadroni Luftarak i III-të, për Qëllime të Veçanta në Foggia, do të jetë vetëm nën komandën e Korpusit Ajror X-të, për të furnizuar e trupat tokësore gjermane ne Afrikën Veriore. Është e nevojshme të behet në kohë një planifikim i ri, i transporteve italiane për në Shqipëri.
Faqe 322 – 13.02.1941. Në Shqipëri nuk ka veprime luftarake me rëndësi.
Faqe 324 – 14.02.1941. Pika kryesore e mbështetjes së forcave ajrore angleze, është Kreta. Prej andej me ndihmën dhe të aeroporteve të tjera në Greqi, kryhen goditjet në Shqipëri.
Faqe 326 – 15.01.1941. Meqenëse gjendja e frontit në Shqipëri është e qëndrueshme dhe në këtë stinë të vitit nuk pritet ndonjë sukses i rëndësishëm në rast sulmi, qoftë edhe me trupa gjermane, atëhere nuk do të mbahen trupa gjermane në gatishmëri, për këtë rajon.
Faqe 343 – 04.03.1941. Letër e gjeneralit von Rintelen, mbi bisedën me Guzzonin. Gjenerali Cavallero, do të fillojë me 06.03.1941, një sulm të vogël në Shqipëri. Duçia, i cili ndodhet tani në Shqipëri, ka urdhëruar në vend të saj, një sulm të Armatës XI-të, më datë 8 ose 9, mbi qytetin e Gjinokastrës. Lajme të pavërtetuara, mbi zbarkimin e 2 divizioneve angleze në Greqi.
Faqe 346 – 06.03.1941. Gjenerali von Rintelen ka marrë urdhrin, të jetë shumë i tërhequr. Për këtë arsye, italianët e kanë shtyre sulmin e tyre në Shqipëri.
Faqe 351 – Divizioni i këmbësorisë arriti në kufirin bullgaro-grek. Në Shqipëri ka filluar sulmi më 09.03.1941 me Korpuset XXV, VIII dhe IV të forcave tokësore. Sulme italiane në mëngjesin e datës 09.03.1941. Sulmi italian në Shqipëri, nën komandën e Duces.
Faqe 353 – 12.03.1941. Suksese të pakta të italianëve në Shqipëri.
Faqe 356 – 13.03.1941. Përfundon sulmi italian në Shqipëri.
Faqe 363 – 18.03.1941. Në Shqipëri qëndrojnë 25 divizione italiane, përkundrejt 16 divizioneve greke. Sipas gjeneralit Von Rintelen, fuqia goditëse e grekëve po pakësohet. Krijohet përshtypja se anglezët, po zbarkojnë trupa në Greqi dhe me sa duket në pjesën veriore të Peleponezit.
Faqe 365 – 21.03.1941. Nënshkrimi i marrëveshjes me Jugosllavinë. Në Shqipëri do të shkojë një shtab i vogël i ndërlidhjes së forcave tokësore, me në krye kolonelin Fretter-Pico.
Faqe 371 – 31.03.1941. Gjendja e italianëve në Shqipëri përpara fillimit të operacioneve kundër Jugosllavisë, duket e vështirë. Italianët bëjnë gati 1 Divizion tankesh dhe 2 Divizione këmbësorie, pranë kufirit Jugosllav. 3 Divizione britanike në Greqi. Abisinia u humb.
Faqe 373 – 01.04.1941. Dërgohen dy divizione italiane në Shqipëri.
Faqe 374 – 02.04.1941. Sulme greke në Shqipëri.
Faqe 374 – 03.04.1941. Sulme të veçuara greke në Shqipëri. Dërgohen për mbrojtjen e kufirit lindor dhe verior, 3 Divizione nga Armata XI-të, 1 Divizion nga Armata IX-të, 2 Divizione nga Italia. Ducia kërkon oficerë gjermanë, për këta Divizione.
Faqe 375 – 05.04.1941. Gjenerali von Rintelen, takohet më 03.04.1941 në Shqipëri, me gjeneralin Cavallero; raporton mbi qëllimet dhe grupimet e forcave italiane.
Faqe 376 – 07.04.1941. Është ndërprerë ndërlidhja me Shqipërinë dhe Libinë.
Faqe 380 – 14.04.1941. Lëvizje tërheqjeje të trupave greke në Shqipëri.
Faqe 380 – 15.04.1941. Tërheqje e plotë e grekëve nga Shqipëria.
Ditari mbaron më datë 30 Dhjetor 1941.
SHTOJCA
Faqe 948 – 22.08.1939. Fjalimi i Hitlerit në Berghof: …. Në Ballkan zotëron, që nga pushtimi i Shqipërisë nga Italia, në pashkët e vitit 1939, një baraspeshë forcash.
Faqe 1181 – 28.10.1940. Ora 05:30. Fillim i sulmit italian ndaj Greqisë. Marrin pjese Armata IX-të dhe XI-të (7 Divizione, prej tyre një Divizion alpin dhe një Divizion tankesh; 1 Divizion për të siguruar kufirin me Jugosllavinë). Ushtria greke (gjenerali Papagos), ka mobilizuar rreth 300’000 veta. Sulme ajrore italiane kundër aeroporteve greke, edhe aeroportin Tatol afër Athinës, si dhe porteve të Prevezës dhe Patrës. 56 avionë lufte, 120 avionë gjuajtës, 17 avionë zbulimi në Shqipëri; 112 avionë lufte, 24 avionë gjuajtjes dhe 18 avionë zbulimi në Pulja [të Italisë].
Faqe 1182 – 09.11.1940. Gjenerali Soddu, bëhet kryekomandant i trupave italiane në Shqipëri. ….. Një grup anijesh angleze (3 kryqëzorë dhe 2 anije goditëse), kanë sulmuar anijet italiane që ktheheshin nga Shqipëria dhe kanë fundosur 4 anije transporti, me aftësi mbajtëse 16.938 ton.
Faqe 1183 – 14_22.11.1940. Sulmi grek arrin kulmin me marrjen e Korçës në Shqipëri më 21.11.1940.
Faqe 1184 – 26.11.1940. Për shkak të humbjeve në Shqipëri, Musolini jep urdhër të ri mobilizohet ushtria italiane.
Faqe 1186 – 10.12.1940. Urdhri i K.S.F.A., për të vendosur Korpusin X-të Ajror në Siçili dhe Itali të Jugut. Admirali Canaris [kreu i zbulimit ushtarak gjerman – shën. red.] kërkoi nga ambasadori hungarez në Madrid, të vepronte si ndërmjetës për paqe me Greqinë. Nëse Greqia do të kthehej në qëndrim asnjanës, do t’u lejohej të mbante pjesët e pushtuara të Shqipërisë.
Faqe 1187 – 19.12.1940. Anijet angleze të luftës “Warspite” dhe “Valiant”, qëllojnë Vlonën në Shqipëri.
Faqe 1188 – 28.12.1940. Italia kërkon mbështetje gjermane në Shqipëri. Hitleri mendon në fillim të dërgojë një Divizion alpin, por pastaj heq dorë.
Faqe 1188 – 30.12.1940. Gjenerali kont Cavallero, merr komandën e trupave italiane në Shqipëri, në vend të gjeneralit Soddu, që është sëmurë. Në Shqipëri ndodhen tani 16 Divizione italiane, përkundrejt 13 Divizioneve greke.
Faqe 1196 – 09.03.1941. Fillimi i një sulmi italian në frontin shqiptar.
Faqe 1197 – 16.03.1941. Sulmi italian i filluar më 09.03.1941 në Shqipëri, pësoi përfundimisht humbje.
Faqe 1202 – 14.04.1941. Fillimi i tërheqjes së trupave greke që luftojnë në Shqipëri.
Faqe 1203 – 21.04.1941. Gjenerali Wilhelm List, pranon në Larisa kapitullimin e trupave greke. Takohen në kufirin shqiptar trupat SS-gjermane, që vijnë nga jugu prej Greqisë, me italianët që vijnë nga veriu nga Shqipëria.
Vëllimi II
1 Janar – 31 Dhjetor 1942
Faqe 446 – 24.06.1942. Shefi i shtabit për Europën juglindore Gjeneral-Majori Foertsch, vjen për bisedime në selinë qendrore të Hitlerit. Me kërkesën të tij, i jepet udhëzimi gjeneralit gjerman pranë Shtabit të Përgjithshëm italian, që të ndikojë atje në mënyrë që oficeri i ndërlidhjes së komandës së lartë italiane 11 [në Greqi], që ndodhet pranë shtabit gjerman për Europën Juglindore, t’i jepet edhe detyra e oficerit të ndërlidhjes për komandën e lartë 9 (Shqipëri) dhe për qeverinë ushtarake të Malit të Zi.
Vëllimi III
1 Janar 1943 – 31 Dhjetor 1943
Faqe 275 – 03.04.943. Përshkrim i gjendjes në Kroaci: ….. Brigadat komuniste IV-të dhe V-të, rreth 2500 vetë, po përpiqen të hyjnë në Shqipëri. Çetnikët kanë zënë pozicion në rrugën Gacko-Bileça (37 km në veri-lindje të Dubrovnikut), me front nga veri-perëndimi.
Faqe 286 – 05.04.1943. Shqipëri: Thuhet se në vende të shkëputura ka demonstratime të shqiptarëve në përkrahje të Gjermanisë, kundër italianëve. 15 km, në lindje të Valonës (qytet bregdetar 100 km në jug-jugperëndim të Tiranës), sulm kundër një kolone italiane: 10 të vdekur, 19 të plagosur, 103 të humbur.
Faqe 301 – 08.04.1943. Zonë e pushtuar italiane: Sipas një lajmi të forcave të zbulimit, 10.000 komunistë qëndrojnë në një zonë në perëndim të Foças [në Bosnien lindore], dhe do përpiqen të futen në Shqipëri.
Faqe 316 – 09.04.1943. Zonë e pushtuar italiane: Në zonën Gacko [në Bosnien lindore] po grupohet një trupë e fuqishme armike, me qëllimin për t’u futur në Shqipëri.
Faqe 336 – 15.04.1943. Dy sulme mbi trupat italiane të pushtimit, në Shqipërinë jugore. Një pikë mbështetjeje u pushtua dhe kazerma u dogj.
Faqe 341 – 16.04.1943. Italianët ndërmarrin me forca të shumta, në zonën 40 km. në juglindje të Valonës, një spastrim të qendrës së atjeshme të banditëve.
Faqe 346 – 17.04.1943. Vazhdojnë spastrimet e italianëve në juglindje të Valonës.
Faqe 351 – 18.04.1943. Shqipëri: Vazhdojnë spastrimet e italianëve në jug.
Faqe 360 – 20.04.1943. Vazhdojnë spastrimet e italianëve në jug të Valonës. Janë prishur disa qendra komuniste dhe është kapur një top.
Faqe 423 – 03.05.1943. Më 29.04.1943, ka dhënë dorëheqjen qeveria shqiptare.
Faqe 454 -09.05.1943. Luftime në veri të Valonës, 10 armiq të vrarë, pak armë të zëna.
Faqe 502 – 19.05.1943. Në veri-lindje të Leskovikut (kufiri juglindor i Shqipërisë), sulmohen batalione italiane nga trupa të forta bandite. Humbjet italiane: 3 të vdekur, 25 të plagosur. 50 armiq të vrarë.
Faqe 544 – 27.05.1943. Fronti i Mesdheut në Juglindje: Një dokument i gjetur në shtabin e Dragoljub “Drazha” Mihailoviçit ,vërteton se lëvizja e tij ka lidhje të gjëra me lëvizjen kryengritëse në Shqipëri. [Në kujtimet e ambasadorit gjerman në Shqipërinë e kohës së luftës, Martin B. Schliep, përmendet Muharrem Bajraktari i zonës së Lumës afër Kukësit, për lidhje me Dragoljub “Drazha” Mihailoviçin. – shën. red.]
Faqe 552 – 28.05.1943. Shqipëri: Që nga 01.06.1943 [do jetë] një grup ushtarak italian, me qendër në Tiranë. Komandant gjeneral, Rossi.
Faqe 558 – 29.05.1943. Shqipëri: Më 26.05.1943, atentat me bombë ndaj dy krerëve shqiptarë pro-italianë. Banditët u venë zjarrin minierave në jug-perëndim të liqenit të Ohrit dhe marrin punëtorët me vete.
Faqe 581 – 02.06.1943. Shqipëri: Përballohet një sulm i banditëve (200 vetë) mbi një aeroport.
Faqe 587 – 03.06.1943. Shqipëri: Fluturime natën, jug-veri të armiqve, kthimi nga jugu.
Faqe 592 – 04.06.1943. Shqipëri: Nuk ka ndodhi të veçanta.
Faqe 613 – 08.06.1943. Shqipëri: Në natën duke u gdhirë 07.06.1943, fluturime të shumta armike.
Faqe 648 – 15.06.1943. Trupa italiane të Korparmatës IV-të, po ndërmarrin spastrime kundër kryengritësve në zonën në jug të linjës Tiranë-Durrës. Kryengritësit kanë pësuar humbje të renda.
Faqe 653 -16.06.1943. 85 armiq të vrarë gjatë spastrimeve italiane, në zonën jugore të linjës Tiranë-Durrës.
Faqe 658 – 17.06.1943. Shqipëri: 35 armiq të vrarë gjatë spastrimeve italiane; u kapën dy mitraloza.
Faqe 664 – 18.06.1943. 64 armiq të vrarë gjatë spastrimeve italiane në zonën jugore të Tiranë-Durrësit, afro 60 të arrestuar, është kapur një sasi e vogël armësh. Në lindje të Tiranës, u sulmua një truproje milicësh. Në veri të Valonës (105 km. në juglindje të Tiranës) u sulmua një kazermë xhandarmërie, nga një trupë komuniste prej 200 vetash. Xhandarët u morën rob.
Faqe 685 – 22.06.1943. Greqi: Natën duke u gdhirë 22.06.1943, u ndërpre plotësisht për arsye sabotazhi lidhja telefonike Janinë-Athinë, Prevezë (75 km. në jug të Janinës) dhe për në Shqipëri.
Faqe 690 – 23.06.1943. Gjatë luftimeve në veri-lindje të Shqipërisë dhe në veriperëndim të Krushevës (120 km. në lindje të Tiranës), 22 armiq të vrarë. Në jug të Dibrës (60 km. veri-lindje të Tiranës), u sulmua një kolonë dhe një truprojë italiane. Italianët patën humbje. Përfundimi i përgjithshëm i spastrimeve, në zonën në jug të Tiranë-Durrësit: 69 armiq të vrarë, 198 të arrestuar.
Faqe 697 – 24.06.1943. Sulm komunist mbi një kompani italiane dhe një minierë në lindje të Tiranës.
Faqe 708 – 26.06.1943. Sulm i suksesshëm i trupave italiane, mbi një fole banditësh në perëndim të Korçës (120 km. në juglindje të Tiranës).
Faqe 713 – 27.06.1943. Në veri-perëndim të Tepelenës (110 km. në jug-lindje të Tiranës) shkatërrohet një grup banditësh, me ndihmën e forcave ajrore italiane.
Faqe 717 – 28.06.1943. Gjatë luftimeve në veri-perëndim të Tepelenës (110 km. në juglindje të Tiranës) 102 italianë të vrarë, edhe humbjet e armikut mendohen të larta. Gjate spastrimeve në zonën e Berat-Fier-Valona (zonë 50 km. në jug të Tiranës), 13 armiq të vrarë.
Faqe 767-768 – 10.07.1943. Trupat gjermane që ndodhen apo do të futen në zonën e Armatës XI-të [italiane], nëse futen në luftime, do të jenë nën komandën e lartë të Armates XI-të, kurse trupat gjermane të ndodhura në Kretë, Mal të Zi, Shqipëri dhe Egje, për mbrojtjen e bregdetit ose operacione të tjera, do të jenë nën komandën e trupave përgjegjëse italiane. Trupat italiane të Korparmatës III-të (Divizionet Brennero, Forli dhe Pinerolo, me trupat mbështetëse dhe të prapavijës), do të zhvendosen në Gusht në Shqipëri. Memorie.al
Përkthyer nga Ana Kolevica
Vijon numrin e ardhshëm