Pjesa e parë
Memorie.al / Ditarët e luftës të Komandës Supreme të Forcave të Armatosura Gjermane (Kriegstagebuch des Oberkommandos der Wehrmacht, KTB OKW), në vitet 1940-1945, u mbajtën nga Zyra e Mbrojtjes Kombëtare pranë Shtabit të Operacioneve të Forcave Ushtarake gjermane (Abteilung Landesverteidigung im Wehrmachtführungsstabamt). Këto ditarë lufte, përshkruajnë strategjitë, betejat, lëvizjet e trupave, linjat e fronteve, qëllimet, vendimet operacionale dhe planet e luftës dhe vlerësimet e situatave luftarake, prej udhëheqjes më të lartë të forcave ushtarake gjermane. Sekretari i Ditarëve të Luftës në Komandën Supreme të Forcave të Armatosura Gjermane, ishte Helmuth Greiner deri më Mars 1943 dhe më pas Percy Ernst Schramm. Në vitet 1961-1965 ditarët e luftës u përpiluan nga historianët dhe u botuan nga shtëpia botuese Bernard & Graefe Verlag für Wehrëesen, Frankfurt am Main. Historiani kryesor ishte Percy Ernst Schramm dhe ndihmësit e tij historianë përkatësisht sipas vëllimeve ishin si më poshtë:
Hans-Adolf Jacobsen: Vëllimi I-rë, 1517 faqe, periudha 01.08.1940 – 31.12.1941, botuar në vitin 1965.
Andreas Fritz Hillgruber: Vëllimi II-të, 1-2, 1477 faqe, periudha 01.01 – 31.12.1942, botuar në vitin 1963.
Ëalther Hubatsch: Vëllimi III-të, 1-2, 1673 faqe, periudha 01.01 – 31.12.1943, botuar në vitin 1963.
Percy Ernst Schramm: Vëllimi IV-të, 1-2, 1976 faqe, periudha 01.01.1944 – 22.05.1945, botuar në vitin 1961.
Këto ditarë lufte të përmbledhura në katër vëllime (fillimisht në tetë vëllime), janë edhe sot një nga burimet më të rëndësishme faktike për shkencën e historisë, që mbulon Luftën II-të Botërore. Me radhë do paraqiten të përkthyera në shqip, sipas vëllimeve të botuara, vetëm pjesët ku shkruhej për Shqipërinë.
Vëllimi I-rë
1 Gusht 1940 – 31 Dhjetor 1941
A Hyrje
III. Plani dhe qëllimet e luftës 1939-1941: Një përmbledhje, faqe 71 E. Në luftën në Ballkan (Prill 1941), Hitleri kishte më pak qëllime territoriale, shumë më tepër kishte qëllim të siguronte interesat strategjike dhe ekonomike. Në asnjë mënyrë, nuk donte të lejonte vendosjen e anglezëve në Greqi, si dhe kërcënimin e fushave të naftës në Rumani, të cilat ishin shumë të rëndësishme për luftën e tij. Po ashtu mendonte, se në atë mënyrë, ndihmonte Italinë, të mbante pozitat e saj në Shqipëri.
B Ditar Lufte
Faqe 42 – 21.08.1940. Deti Adriatik duhet të jetë i tëri nën pushtetin italian, sfera e ndikimit në Ballkan të zgjerohet. Për këtë mendohet të prishet Jugosllavia, të krijohet një Kroaci e pavarur, por nën ndikimin e Italisë, të zmadhohet Shqipëria, duke marrë zonat e banuara nga shqiptarët në jug të Jugosllavisë dhe në Greqi, si dhe bashkimi me Korfuzin dhe ndoshta me disa ishuj të tjerë, në detin Jon.
Faqe 81 – 18.09.1940. Sipas njoftimeve të Shtabit të Përgjithshëm Italian të trupave tokësore, dhënë atasheut ushtarak në Romë, Divizionet 49 dhe 51, janë dërguar në Shqipëri; do dërgohet deri më 30.09.1940, edhe Divizioni 29.
Faqe 110 – 05.10.1940. Sipas një njoftimi të datës 24.09.1940, (171/40 Tepër Sekret), të atasheut ushtarak në Romë, ushtria italiane përbëhet tani nga 74 divizione, prej tyre ndodhen në atdhe 51, në Shqipëri 8, në Libi 14 dhe 1 në ishujt Dodekaneze.
Faqe 130 – 28.10.1940. Seksioni i jashtëm njofton se, pasi në orën 03:00 i është dorëzuar qeverisë greke nga i dërguari italian në Athinë një notë, sot në orën 06:00 të mëngjesit, trupat italiane janë futur nga Shqipëria në Greqi.
Faqe 138 – 30.10.1940. Veprimi politik i planifikuar për në fillim të shtatorit, nuk u ndërmor, por gjatë këtij muaji u përforcua korparmata XXVI italiane, që ndodhet në Shqipëri, me 3 Divizione. Më 27.10.1940, në orën 21:00, Konti Ciano, e njoftuar zyrtarisht personin përgjegjës gjerman, fisnikut Bismarck, se ditën që vijon, në orën 03:00, do t’i dorëzohet qeverisë greke, ultimatumi për të pushtimin e pikave strategjike dhe në orën 06:00, do të fillonte futja e trupave italiane nga Shqipëria, në Greqinë veriore.
Qëllimi i këtij operacioni, është pushtimi i Korfuzit, futja nga Janina deri në gjirin e Patras, për të pushtuar ishujt Levkas, Cefalonia dhe Zante, si dhe marshimi për në Athinë dhe Selanik. Udhëheqja është në dorën e gjeneralit të korparmatës XXVI-të, Viskonti Prasca.
Meqenëse 2 nga 9 divizionet që ndodhen në Shqipëri, nevojiten për mbrojtjen e kufirit me Jugosllavinë, mendohet se epërsia italiane të mos jetë aq e madhe dhe në rastin e një rezistence të madhe greke, nuk duhet të llogaritet sukses i shpejtë. Për shkak të kushteve jo të mira të motit, avionët italianë të stacionuar në Shqipëri, nuk futen dot.
Faqe 157 – 07.11.1940. Nga forcat e aviacionit Italian, nisur nga Shqipëria, janë përdorur në Greqi 56 avionë luftarakë, 120 avionë gjuajtës dhe 17 avionë zbulimi.
Faqe 159 – 08.11.1940. Lajme të jashtme: lajm nga gjenerali Von Rintelen, sipas të cilit po dërgohen përforcime në Shqipëri (4 divizione italiane).
Faqe 162 – 09.11.1940. Për shkak të kushteve të vështira të transportit në Shqipëri, do të kalojë shumë kohë derisa të arrijnë përforcimet në front. Nuk mund të llogaritet më një sukses i shpejtë i italianëve. Ata po përpiqen të ndreqin, atë që nuk patën përgatitur më parë.
Faqe 163 – 09.11.1940. Përparësia e pushtimit të Greqisë veriore, ka përballë disa anë negative. Nëpërmjet futjes në luftë të një vendi tjetër, u zgjerua lufta dhe u përhap në Ballkan, gjë që Gjermania është përpjekur ta shmangë, deri më sot. Ushtria italiane është kështu e lidhur, në një drejtim më shumë. Anglezët kanë kështu një aleat më shumë dhe një pikë mbështetje tokësore, gjë që përforcon gjendjen e tyre në pjesën lindore të detit Mesdhe. Mundësitë e veprimit të tyre kundër ushtrive italiane në Libi dhe Shqipëri, janë rritur.
Faqe 172 – 13.11.1940. Atasheu ushtarak në Romë, dërgon të dhëna që ia ka dhënë shefi i kabinetit, në Ministrinë e Mbrojtjes italiane, Kolonel Sorice, në lidhje me gjendjen në Shqipëri.
Faqe 182 – 19.11.1940. Gjendja në Shqipëri: e ndërlikuar.
Faqe 183 – 20.11.1940. Sipas një telegrami të datës 18.11.1940, të Atasheut ushtarak në Romë, shtabi i përgjithshëm italian, e gjykon situatën në zonën shqiptaro-greke, pas tërheqjeve në disa pjesë të frontit dhe dërgimit të përforcimeve si të qëndrueshme. Situata, megjithatë është rënduar sepse, batalioni shqiptar kaloi në anën e grekëve. Gjenerali Marras, ishte dje në Kancelarinë gjermane dhe kërkoi 3000 kamionë, për t’i çuar në Shqipëri nga Jugosllavia, në shkëmbim të 3000 kamionëve italiane.
Faqe 188 – 25.11.1940. Bisedimet me italianët në lidhje me kamionët për në Shqipëri, arritën një farë përfundimi.
Faqe 201_202 – 05.12.1940. Sipas raportit nr. 429 datë 03.12.1940, ushtria italiane e stacionuar në Shqipëri, e drejtuar nga gjenerali Soddu, është pjesë e Armatës XXI (gjenerali Geloso në Tepelenë më rreth 9 Divizione), e Armatës IX (gjenerali Vercellino në Elbasan, me 6 Divizione) dhe forca tokësore rezervë (1 Divizion i motorizuar, 2 regjimente kalorsie). Si përforcime të mëtejshme, janë 2 Divizione të gatshme në Italinë jugore (Shih Shtesën tek Raporti i Organizimit i Komandës së Forcave Tokësore, për Lindjen dhe Perëndimin).
Situata duket e qëndrueshme, me tërheqjen e plotë të divizioneve italiane në linjën e re të mbrojtjes, e cila shtrihet nga lumi [me] Kallama, deri në Raveni-Koshovicë-Përmet – në perëndim të kufirit shqiptaro-grek. Në Shqipëri, ruajnë rregullin dhe qetësinë, trupa policore italiane të fuqishme.
Faqe 204 – 05.12.1940. Hitleri e vlerëson situatën si më poshtë: Gjendja në Shqipëri, nuk është e qartë. Në se italianët do të prapsen dhe më shumë, atëhere ekziston mundësia e humbjes së gjithë Shqipërisë. Jugosllavia me sa duket, do të shtyjë vendimet e saja, derisa të sqarohet gjendja në Shqipëri. Faktori më i rëndësishëm në Ballkan është Rusia, që po shton ndikimin në Bullgari, pasi është bllokuar e tëra Rumania. Nga kjo rrjedh se çdo dobësi, kudo në Europë, do çojë në përparimin e rusëve.
Faqe 205 – 05.12.1940. Tërheqja e Jugosllavisë nga ana e fuqive të Boshtit, është e dëshirueshme dhe e mundshme edhe në rastin që fronti italian në Shqipëri, të mos përparojë. Hitleri nuk shikon mundësi, për të dërguar trupa në Shqipëri.
Faqe 209 – 05.12.1940. Gjendje e rëndë e trupave italiane në Shqipëri dhe sulme të egra greke.
Faqe 213 – 06.12.1940. Hitleri është i brengosur për gjendjen në Shqipëri.
Faqe 218 – 07.12.1940. Gjenerali Badoglio jep dorëheqjen, me sa duket për shkak të humbjeve në Shqipëri.
Faqe 219 – 08.12.1940. Ambasadori Italian në Berlin, është paraqitur më 07.12.1940 tek Hitleri dhe e ka përshkruar situatën në Shqipëri, me ngjyrat më të errëta.
Faqe 225 – 11.12.1940. Atasheu ushtarak në Romë, lajmëron së gjenerali Cavallero, që sapo është kthyer nga Shqipëria, lajmëron më 09.12.1940, se kriza në Shqipëri, ende nuk është kaluar, por shpresohet që situata të përmirësohet.
Faqe 226 – 11.12.1940. Në të dy bisedat, paraqitet gjendja në Shqipëri, jo aq dramatike, sa deri më sot.
Faqe 230 – 14.12.1940. Sulme të mëtejshme greke në Shqipëri.
Faqe 232 – 16.12.1940. Më tej është menduar për një grup të dytë transportues, me e dërguar në Itali, për qëllime të transportit të trupave dhe furnizimeve drejt Shqipërisë. Sulm i fortë i grekëve, kundër krahut të majtë të Armatës IX-të italiane.
Faqe 237 – 18.12.1940. Për shkak të gjendjes së qëndrueshme të trupave italiane në Shqipëri, nuk do jetë më e nevojshme të dërgohet një trupë e dytë transporti “Ju 52” në Itali.
Faqe 241 – 20.12.1940. Gjendja në Shqipëri para tre javësh, ishte aq dramatike, sa duhej të llogaritej baras me një disfatë të rëndë. Tani fronti është i qëndrueshëm, shpresohet që të mbahet. Në Shqipëri, tufane dëbore.
Faqe 243-244 – 28.12.1940. Atasheu ushtarak italian në Berlin, thotë se; megjithëse grekët sulmojnë rrallë me më shume se 1-2 batalione, nuk bëhet fjalë që ushtria italiane, të mbajë frontin në Shqipëri dhe me tepër ajo është duke u tërhequr, në luftë e sipër. Ai është i mendimit se futja në luftë, qoftë edhe e një regjimenti gjerman, do të bënte që fronti të mbahej, sidomos për shkak të veprimit të jashtëzakonshëm, mbi moralin e ushtarëve italianë, por edhe mbi ata grekë.
Faqe 245-246 – 04.01.1941. Atasheu ushtarak në Romë, lajmëron me shkrim (Nr. 6/41 Tepër e Fshehtë, Tepër Përparësi) se gjeneral Guzzoni e ka bërë me dije më 03.01.1941, se gjenerali Cavallero, ka marrë komandën e trupave në Shqipëri, në vend të gjeneralit Soddu, që është sëmurë. Ai përshëndet gatishmërinë gjermane, për të dërguar trupa me tanke në Libi dhe një divizion me ushtarë në Shqipëri, si dhe armatime e pajisje nga kontingjenti i plaçkës së luftës. Ai lutet që divizioni me ushtarë, të jetë i gatshëm për t’u dërguar.
Gjenerali Guzzoni, e përshkruan gjendjen në Shqipëri, si vijon: Në Shqipëri pritet një sulm tjetër i fuqishëm grek, ose në zonën bregdetare të Vlorës, ose në luginën e lumit Osum, në drejtim të Beratit. Shpresohet se ai sulm, të përballohet nga italianët.
Faqe 251 – 08.01.1941. Për futjen e trupave gjermane në Shqipëri, nuk është marrë ende vendim.
Faqe 252 – 08.01.1941. Që nga data 10.12.1940, janë dërguar 16’000 ushtarë [italianë] në Shqipëri, me transportuesit Ju-52.
Faqe 254 – 09.01.1941. Hitleri flet për gjendjen në Shqipëri dhe thotë se; nëse do të futen trupa gjermane atje, atëhere duhet të jenë aq të fuqishme, sa të mund të godasin nga shpina forcat greke, që do të përpiqen të bllokojnë Selanikun. Por më parë forcave gjermane, do t’u duhet të përparojnë në Shqipëri. Për këtë është e nevojshme një bashkëveprim i forcave gjermane dhe italiane, si dhe një njësie me disa tanke të fuqishëm. Nuk do ishte gabim, që kjo trupë e ndërthurur, të fillonte përpara se të arrinte Armata XII-të [gjermane].
Komandanti i Ushtrisë Tokësore, kërkon leje që të fillohet me mbledhjen e të dhënave të nevojshme mbi gjendjen në Shqipëri dhe ve si kusht paraprak, për sukses ushtrimin e një ndikimi të mjaftueshëm mbi komandën italiane në Shqipëri, në mënyrë që italianët të fillojnë sulmin, njëkohësisht me forcat gjermane.
Faqe 260 – 10.01.1941. Që nga data 10.12.1940, janë çuar me aeroplanët Ju-52, 17’000 ushtarë [Italinë] dhe 1300 ton [materiale] në Shqipëri. Gjenerali Von Rintelen, shkon në frontin shqiptar. Të dhëna mbi vendosjen e trupave italiane në Shqipëri. Të bëhet gati Divizioni i parë malor, për në Shqipëri.
Faqe 261 – 11.01.1941. Të bëhen gati një Korps gjerman, për ta dërguar në Shqipëri, që përfshin 1 Divizion malor dhe forcë tankiste. Ato do të mbështesin trupat italiane, në rast krize si dhe për sulmin e mundshëm dhe çarjen e frontit grek, në pika të rëndësishme. Veç kësaj, do kenë si detyrë të mbështesin nga shpina sulmin ballor të Armatës XII-të (të komanduar nga gjenerali Eilhelm List), për të hapur ngushticën në perëndim të Selanikut. Dërgimi i trupave gjermane, me anë të anijeve që janë ende në detin Mesdhe ose, me grupin e avionëve transportues Ju-52 në Foggia, duhet të jetë kryer brenda mundësive, përpara së të fillojë transporti në Libi.
Faqe 263 – 13.01.1941. Dje kapiten Bürkner, njoftonte se italianët, janë dakord me dërgimin e oficerëve të zbulimit në Shqipëri dhe Libi. Pikëpamje të kolonelit Jodl, mbi gjendjen në Shqipëri, mbështetur në raportin e gjeneral-kolonelit Rintelen. Dërgimi përfundimtar i trupave në Shqipëri, vetëm kur të jetë arritur një baraspeshë e forcave. Prandaj me sa duket, do ketë transport të njëkohshëm, të trupave për Shqipëri dhe Libi.
Faqe 265 – 15.01.1941. Shqipëri: Vije fronti e pavolitshme, në bregdet. Raport i gjeneral-kolonelit Rintelen, rreth bisedës me Guzzonin, më 13.01.1941, mbi gjendjen në Shqipëri. U nisën trupa zbulimi në Shqipëri dhe Libi.
Faqe 266 – 15.01.1941. Komanda e Lartë e Forcave Tokësore, lajmëron se shtabi zbulues, me kolonelin Jodl, me 4 oficerë të tjerë, është nisur për Shqipëri.
Faqe 267 – 18.01.1941. Përgjegjësi i Zyrës së Mbrojtjes Kombëtare (Z.M.K.), në Shtabin e Operacioneve të Forcave Ushtarake (Sh.Op.F.U.), shkon më 17.01.1941, në Berchtesgaden dhe paradite më 18.01.1941, i raporton komandantit të Shtabit të Operacioneve të Forcave Ushtarake në Zyrën Perandorake në Berchtesgaden. Ai i dorëzon organizimin e trupave të parashikuara për t’u dërguar në Shqipëri dhe Libi, si dhe programin e transportit për këto trupa.
Faqe 268 – 18.01.1941. Komandanti i Sh.Op.F.U., pranon mendimin e komandantit të Z.M.K., për t’i dhënë operacioneve në Libi dhe Shqipëri, përkatësisht emrat; “Luledielli“ dhe “Zambak i Alpeve”. Urdhrat për komandat përkatëse të ushtrisë, dolën më 20.01.1941.
Faqe 270 – 20.01.1941. Operacioni “Zambaku i Alpeve”, që parashikon futjen e trupave në Shqipëri, nuk mund të zhvillohet sipas planit, sepse italianët duhen të përdorin kapacitetet e porteve shqiptare plotësisht, për të dërguar përforcimet e tyre. Vendimi i ri do të merret në fillim të Marsit. Nëse atëhere do vihet përsëri në pikëpyetje futja e trupave gjermane, atëhere ajo do të bëhet në një përmasë të zvogëluar.
Faqe 272 – 22.01.1941. Komandanti Suprem i Forcave të Armatosura gjeneral Wilhelm Keitel), dërgon shënimet e tij nga biseda me gjeneralin italian Guzzoni, në Berchtesgaden, më 19.01.1941, si dhe një përmbledhje të përfundimeve të bisedave të Hitlerit me Ducen, në Berghof më 20.01.1941.
Gjeneral Guzzoni, në bisedë me Komandantin Suprem të Forcave të Armatosura, e vlerëson situatën si më poshtë: Në Shqipëri zhvillohet lufta më e rëndësishme për Italinë. Fronti i atjeshëm ende nuk është forcuar, por linja e tanishme do të mbahet me çdo kusht, kundër sulmeve greke dhe nuk ekziston mundësia që Vlona ose Berati, të bjerë në dorë të grekëve.
Në Shqipëri ndodhen tani 21 divizione italiane dhe qëllimi është të dërgohen atje edhe 3 të tjerë nga Italia, për të krijuar në krahun verior të ushtrisë, një grup prej 10-12 divizionesh (që do përfshijë 3 divizionet e përmendura më lart dhe 4 divizione alpine). Grupi do jetë gati të sulmojë vetëm pas dy muaj e gjysëm, sepse transportim më i shpejtë i tre Divizioneve dhe freskimit të Divizioneve të tjerë, nuk mundet.
Sulmi i këtij grupi, është planifikuar në drejtimin e Korçës, nga këtu në drejtim të Ersekës, për ta shkatërruar frontin verior grek dhe për të vazhduar në drejtimin e Follorinës, kur linja e furnizimit nëpërmjet Korçës të jetë siguruar. Synimi i tanishëm për të kryer një sulm në bregdet, me qëllime të kufizuara, është braktisur. Memorie.al
Përkthyer nga Ana Kolevica
Redaktor Saimir Lolja
Vijon numrin e ardhshëm