Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon historinë e panjohur të Ali Vllamasit me origjinë nga fshatrat e Kolonjës, vëllait të politikanit të njohur, Sejfi Vllamasit, mik dhe bashkëpunëtor i ngushtë i Fan Nolit, Avni Rustemit dhe Luigj Gurakuqit, si dhe vëlla i Muharrem Vllamasit, një nga miqtë e ngushtë të Enver Hoxhës, që nga periudha kur ai ishte me studime në Francë, i cili gjatë periudhës së pushtimit italian të vendit, për disa kohë u bë dhe kryetar i Partisë Fashiste të Shqipërisë. Dëshmia e nipit të tyre, Faslli Vllamasi, lidhur me raportet miqësore që kishte familja e tyre Vllamasi me Enver Hoxhën, i cili aty nga viti 1941, gjatë një dreke në shtëpinë e Mënikve në Tiranë, i kërkoi Ali Vllamasit që t’ia dhuronte nagantin e tij, por ai nuk i’a dha, duke thënë se e kishte kujtim, por pas mbarimit të Luftës, u dënua me burg për “armëmbajtje pa leje”, pikërisht për atë nagant që s’ia kishte dhënë dikur Enverit!
Nga Vlora në Stamboll
Ali Vllamasi u lind në vitin 1883, në fshatin Novoselë të rrethit të Kolonjës, i cili ndodhet në perëndim të Malit të Rodomit dhe bëri vetëm tre vjet shkollë, në gjuhën turke në fshatin e tij. Në vitin 1913 kur andartët grekë dogjën Kolonjën dhe familja Vllamasi ashtu si shumë kolonjarë të tjerë, u strehua në ullishtat e Vlorës fare pranë Nartës. I biri i tij, Faslliu tregon: “Aktiviteti patriotik i babait tim Aliut, fillon që me vajtjen e tij në çetat e Sali Butkës dhe Themistokli Gërmenjit, ku ai u bë shumë i njohur në betejat që u zhvilluan në Melesin, Dhëmbel e Radom. Kur andartët grekë dogjën Kolonjën, babai Aliu, ndoqi rrugën e muhaxhirëve të tjerë kolonjarë, të cilët u vendosën në rrethinat e Vlorës, ku ngritën dhe shtëpitë e tyre. Nga kushtet e vështira ku jetonin muhaxhirët kolonjarë në ullishtat e Vlorës, ra një epidemi kolere, prej së cilës vdiqën pothuaj më shumë se gjysma e muhaxhirëve, që ishin vendosur aty. Prej asaj epidemie vdiqën dhe shtatë pjesëtarë nga familja jonë e madhe e Vllamasëve. Duke parë gjendjen e vështirë në të cilën ndodheshin, babai Aliu së bashku me kryefamiljarët e tjerë kolonjarë, vendosën që të shpërnguleshin nga Vlora dhe u nisën për në Turqi, ku u vendosën në krahinën e Anadollit. Gjatë asaj kohe familjet kolonjare, të cilat kishin si udhëheqës të tyre babanë Aliun, u gjendën nën terrorin e bandave kurde, të cilat i plaçkitnin pothuaj çdo ditë. Nisur nga kjo, babai u detyrua dhe ngriti një çetë të vogël dhe i pritën kurdët me pushkë, e pas kësaj ata nuk u dukën më aty. Pasi shpëtuan nga bandat e kurdëve, babai u fut në punë në një stacion hekurudhor, që e administronte një kompani angleze dhe gjatë asaj kohe, ai vazhdoi dhe mbaroi shkollën shtatëvjeçare dhe të mesme, të cilën e bëri natën në një kolegj britanik. Gjatë asaj periudhe të gjatë të emigracionit në Anadoll e Stamboll, babai pati një ndihmë të madhe nga patriotët dibran Said Najdeni e Fuat Bej Dibra, si dhe nga Shefi i Milicisë së Stambollit, Hasan Tasim Tetova, i cili i armatosi emigrantët kolonjarë për tu mbrojtur nga hajdutët kurdë”.
Incidenti për flamurin shqiptar
Në ditën e 28 nëntorit 1924, kur Ali Vllamasi akoma ishte si emigrant në Turqi, atij i ndodhi një incident me disa emigrantë të tjerë shqiptarë, lidhur me këtë, Faslliu tregon: “Atë ngjarje babai Aliu e kujtonte dhe e tregonte vetëm atëherë kur i’a kërkonin me ngulm miqtë e tij. Në 28 nëntor të vitit 1924, babai së bashku me 12 kapedanë të tjerë kolonjarë, shkoi në Stamboll, pasi ishin ftuar nga Halit Bej Gjirokastra, në klubin e tij, ku çdo vit mblidheshin emigrantët shqiptarë dhe e festonin me ceremoni të madhe, ditën e Flamurit. Atë ditë aty ndodheshin dhe disa bejlerë nga Voshtima, të cilët nuk donin që të ngrihej aty flamuri shqiptar, pasi kishin frikë se Porta e Lartë, nuk do t’ua aprovonte kërkesat që ata kishin bërë për pensione dhe ngritjen e pagave. Babai Aliu, u revoltua nga kjo gjë dhe me revolver në dorë iu drejtua atyre duke i quajtur tradhtarë dhe i goditi me grusht. Më pas ai mori dhe grisi flamurin turk, që ishte aty në lokal dhe në vend të tij ngriti flamurin shqiptar. Pas kësaj ai nxori në krye të lokalit, Nafus Bej Dibrën, duke thënë se atij i takonte, që të mbante fjalën e rastit, meqenëse ishte një nga familjet më të nderuara, nga ata shqiptarë që gjendeshin aty. Kur erdhi pronari i lokalit, Halit Bej Gjirokastra dhe mori vesh incidentin e ndodhur aty, u shpreh: “I lumtë dora Ali Vllamasit që ngriti flamurin shqiptar në lokalin tim dhe i turpëroi bejlerët Voshtimas”.
Mbron Avni Rustemin
Atë kohë që Avni Rustemi i bëri atentat dhe vrau Esat Pashë Toptanin në Paris, një nga shqiptarët që i doli në mbrojtje të tij, gjatë kohës që ai doli në gjyq, ishte dhe Ali Vllamasi. Pas shumë vitesh qëndrimi në Anadoll dhe duke parë se jetesa aty, ishte mjaft e vështirë, babai me disa emigrantë të tjerë nga paria kolonjare, vendosën që të ktheheshin në Stamboll. Për këtë ata kërkuan ndihmën e Shefit të Milicisë së Stambollit, i cili i ndihmoi ata që të bënin pasaportizimet për në kryeqytetin e Turqisë. Gjatë asaj kohë që babai po merrej me përgatitjen e dokumenteve për pasaportizimet, atij i erdhi lajmi se Avni Rustemi kishte vrarë Esat Pashë Toptanin në Paris dhe ai ishte duke u gjykuar, nga Drejtësia franceze. Pas kësaj babai Aliu mblodhi të gjithë kolonjarët dhe u tha që të nisnin secili nga një telegram në mbrojtje të Avni Rustemit dhe atë ditë në drejtim të Parisit u nisën 300 telegrame, kurse vetë Aliu atë ditë nisi tetë telegrame, në mbrojtje të Avniut, të cilin ai e kishte shokun e ngushtë të vëllait, Muharremit, xhaxhait tim, i cili kishte qenë nënkryetar i Shoqërisë “Bashkimi” që e drejtonte Avniu. Gjatë viteve të Monarkisë, familja jonë pati konsekuenca nga njerëzit e Zogut, që na vinin taksa të rënda, për shkak të qëndrimit pro fanolist, që kishin mbajtur dy xhaxhallarët, Sejfiu me Muharremin, të cilët në atë kohë kishin emigruar jashtë Shqipërisë si antizogistë”, kujtonte Faslliu.
Refuzon t’i japë nagantin Enverit
Gjatë viteve të pushtimit fashist, shtëpia jonë Vllamasi në Kolonjë, u bë një nga bazat e fuqishme të partizanëve të asaj krahine, ku çdo natë aty strehoheshin nga 40-50 partizanë, me komandantët e tyre, Qani Dumen, Muhamer Lekën etj., dhe vetë babai, Aliu, u bë komandant çetës territoriale të partizanëve të fshatit Novoselë dhe kryetar i Këshillit Nacionalçlirimtar. Gjatë viteve të Luftës, aty erdhi dhe vetë Mehmet Shehu, të cilin familja jonë e priti me të gjitha nderet. Po kështu përveç babait dhe xhaxhait Muharremit, që ishte partizan në Shtabin e Pezës, nga familja jonë, ne të katërt fëmijët e Aliut, dolëm partizanë. Vëllai i madh Novruzi ishte në Brigadën e V-të, Fahriu në Batalionin “Hakmarrje” dhe Brigadën e IV-ët, motra Razija në Batalionin “Hakmarrje” dhe Brigadën e XV-të, kurse unë, që nga debatikas u inkuadrova në Brigadën e II-të. Gjatë viteve të Luftës, familja jonë kishte marrëdhënie shumë të mira me Enver Hoxhën, i cili disa herë vinte tek shtëpia e xhaxhait tonë Muharremit, që në atë kohë banonte si qeraxhi, tek Mënikët në Tiranë. Gjatë një dreke në atë shtëpi, kur Enveri kishte ardhur së bashku me Dr. Ymer Dishnicën, ai i kërkoi babait Aliut, nagantin që ai mbante në brez, por babai nuk ia dha, duke i thënë se atë e kishte kujtim nga i vëllai Muharremi. Pas kësaj Enveri i tha: Ali, mbaje nagantin, por ta përdorësh vetëm për ne, kujtonte Faslliu.
Në burg për nagantin
Pas mbarimit të Luftës dhe me ardhjen e komunistëve në pushtet, menjëherë për familjen tonë filluan peripecitë. Në fakt ato kishin filluar që gjatë Luftës, kur babai ishte kryeplak dhe partizanët donin ta dënonin duke e akuzuar se kishte përvetësuar 100 kg. sheqer, gjë për të cilën më vonë kërkuan falje. Në vitin 1964, kur Reforma Agrare i mori babait katër hektar tokë, ai shkoi në një miting në Ersekë dhe i tha Kryetarit të Komitetit Ekzekutiv të Rrethit, Muço Strelcës: “Përse luftuam ne, që të na lëshosh ti rebelët si Ymer Lamçja e të na i marrin tokat, që i kam blerë me flori?” Pas kësaj Muço Strelca dha urdhër që të arrestohej Aliu, por nga turma pati mjaft reagime dhe njerëzit bërtisnin, duke thënë se nuk mund të arrestohet, komandanti trim Ali Vllamasi. Por atë që nuk e bënë dot në atë miting, regjimi komunist e bëri më vonë, në dhjetorin e vitit 1966, kur babanë e arrestuan dhe e dënuan me dy vjet burg, duke e akuzuar “për armëmbajtje pa leje”, se nuk kishte dorëzuar nagantin, që dikur ia kishte kërkuar Enver Hoxha dhe ai nuk ia kishte dhënë”, përfundonte rrëfimin e tij Faslli Vllamasi.
Familja Vllamasi, të diplomuar në Turqi, Francë e Itali
Faslliu rrëfen: “Familja jonë Vllamasi është e njohur në të të gjithë atë krahinë dhe babai im Aliu, ka qenë djali i dytë nga pesë djem e dy vajza, që ka pasur gjyshi, Myrteza Vllamasi, i cili nga vitet e fundit të shekullit të IX ka qenë si komandant i çetës së asaj krahine, që njihej ndryshe dhe si çeta kundër “berihajt të turqëve”. I parë nga djemtë e familjes së babait tim, ka qenë Sejfiu, e pas tij ishin, Aliu, Avdyli, Ademi dhe Muharremi që ishte më i vogli i pesë vëllezërve. Sejfiu u lind më 15 shtator të vitit 1879 dhe pasi studioi në Edrene të Turqisë u diplomua në Vjenë për Veterinari, ku dhe fitoi gradën Doktor i Shkencave. Sejfiu është i njohur për pjesëmarrjen e tij në jetën politike të Shqipërisë, që nga viti 1905, kur u kthye nga studimet dhe u emërua si kryeveteriner i Bashkisë së Tiranës. Gjatë karrierës së mëvonshme politike Sejfiu u zgjodh disa herë si deputet i Parlamentit shqiptar dhe Ministër. Pas mbarimit të Luftës, ai u dënua nga regjimi komunist me dhjetë vjet burg politik dhe disa vjet internim dhe vdiq në moshën 97 vjeçare, në qytetin e Fierit. Dy vëllezërit e tjerë të babait tim, Avdyli dhe Ademi pas emigrimit të familjes në Turqi, qëndruan aty dhe nuk u kthyen më në Shqipëri. Avdyli u shkollua në Universitetin e Stambollit, për Histori – Filologji dhe vdiq fare i ri në moshën 29 vjeçare, pasi kishte punuar disa vjet si mësues. Xhaxhai tjetër, Ademi, nuk mbaroi asnjë shkollë të lartë, por punoi dhe u pasurua shumë, e vdiq po në Stamboll, në moshën 76 vjeçare. I fundit nga vëllezërit Vllamasi, ka qenë Muharremi, i cili u shkollua në Itali duke u diplomuar dy herë: për Ekonomi në Bari dhe për Drejtësi në Romë. Gjatë viteve të pushtimit, (1939-1943) Muharremi për disa kohë u bë nënkryetar i Partisë Fashiste të Shqipërisë, por më pas ai kaloi me Lëvizjen Antifashiste dhe pasi i kishte ndihmuar shumë krerët kryesorë të Partisë Komuniste, duke u dhënë informata të ndryshme, ai u zgjodh në Shtabin e Pezës. Pas Luftës, Muharremi punoi në disa detyra të larta të administratës shtetërore dhe më pas u internua në qytetin e Durrësit, ku dhe vdiq në mjerim të thellë në vitin 1973. /Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016