Nga Prof. Dr. Bardhyl Çipi
Memorie.al / Regjimi i diktaturës komuniste në vendin tonë, për ta ruajtur dhe forcuar sundimin, kohë pas kohe i eliminonte bashkëpunëtorët e tij, si ata që shfaqnin mendime të kundërta, ose dhe pa arsye, apo me akuza false. Në të vërtetë, për këtë mënyrë sundimi, diktatura komuniste përdorte përvojën gjakatare të diktatorit Stalin të Bashkimit Sovjetik, të cilin Enver Hoxha e konsideronte si udhëheqësin e tij shpirtëror. Këto vrasje kanë filluar të kryhen që në kohën e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare në vitet 1941 – 1944, në mënyrë të fshehtë, apo nëpërmjet spiunimeve, si dhe ma anën e urdhrave, dokumentet e të cilave janë zbuluar për një pjesë të tyre.
Pas vitit 1944, këto spastrime vazhduan përsëri, por tani më tepër me anën e gjyqeve me akuza të rreme, siҁ po rezulton në dokumentet e ndryshme. Drejtuesit e lartë të regjimit, në këto raste dënoheshin me vdekje, burgime, internime, etj.
Në disa nga këto viktima janë kryer edhe ekspertimet mjekoligjore të tyre, si p.sh., ato të tre drejtuesve më të lartë të Ushtrisë, pas zbulimit të kufomave të tyre, të varrosura në një vend të fshehtë. Por një pjesë e këtyre eliminimeve, mund të jenë realizuar nga vetë viktimat, që kanë kryer vetëvrasje të detyruara.
Me këtë rast, mendoj se do të ishte e nevojshme të shpjegoj se vetëvrasja (suicidi), nënkupton veprimin e një personi për të shkaktuar vdekjen e vet. Arsyet që njeriu kryen vetëvrasjen mund, të jenë arrestimi, frika e diskriminimit, poshtërimit, humbjet e parave, etj., si dhe sëmundjet psikike dhe ҁrregullimet e tjera mendore.
Te personat e indoktrinuar nga komunizmi, siç kanë qenë në përgjithësi edhe drejtuesit e regjimit të mëparshëm, ndjenja e poshtërimit ka qenë edhe më madhe në këto raste, për shkak se ata po sulmoheshin, diskreditoheshin dhe po dënoheshin me të padrejtë, si përdhosës të kësaj doktrine të ngulitur në mendjet e tyre, duke humbur njëkohësisht të gjitha privilegjet, që ju ishin dhënë për shkak të pozitave drejtuese që mbanin.
Në këto situata, të dëshpërimeve ekstreme, ata kryenin vetë-eliminimin e tyre, nga që ishin dënuar nga Partia, pavarësisht se në atë kohë, vetëvrasja dënohej, si një akt tradhtie ndaj atdheut dhe Partisë. Por mund të ketë ndodhur, që disa nga këta drejtues të regjimit, ta kenë arritur ta përballojnë presionin e egër të diktaturës, të bërë ndaj tyre, ndofta edhe publik, dhe të mos kenë pranuar të vetë-eliminohet me anën e vetë-vrasjes. Në këto rrethana, ka shumë mundësi që regjimi të ketë organizuar vrasjen e fshehtë të tyre, për ta paraqitur si vetëvrasje (vetëvrasje e simuluar).
Këto dyshime përforcohen edhe nga përvoja e mëparshme e diktaturës komuniste, që kishte organizuar eliminimin e fshehtë, ose nëpërmjet urdhrave, të kundërshtarëve të saj. Unë i kam analizuar disa nga këto raste, kryesisht në lidhje me provat shkencore të tyre, si p.sh., ato të vdekjeve të Mehmet Shehut dhe Nako Spirut, që kanë qenë dy nga udhëheqësit e lartë të shtetit komunist.
Disa raste të tjera të ngjashme, kanë qenë vdekja e presidentit të Shqipërisë, Omer Nishani dhe vetëvrasjet e dy drejtuesve të lartë lokalë të shtetit komunist: Pirro Gusho (sekretar i parë i Komitetit të Partisë të rrethit të Fierit) dhe Zenun Shahollarit (kryetar i Komitetit Ekzekutiv të rrethit të Korҁës), që unë po i analizoj në këtë studim.
Në dallim nga vdekjet e Mehmet Shehut dhe Nako Spirut, ku nuk janë kryer autopsitë e kufomave, në të tre këto vdekje janë kryer të gjitha ekzaminimet e rregullta mjekoligjore përfshirë dhe autopsitë e tyre. Në shtypin, mediat dhe dokumentet e ndryshme, të botuara pas viteve 1990, me sa kam arritur të konsultoj, nga këto raste të fundit. vetëm për vdekjen e Omer Nishanit, është shfaqur dyshimi që vdekja e tij nuk ka qenë vetëvrasje, sikurse ka rezultuar në dokumentet hetimore të vdekjes së tij, por vrasje.
Ja si paraqiten provat shkencore të këtyre dy vdekjeve:
Omer Nishani (1887 – 1954)
I diplomuar në Mjekësi, me origjinë nga Gjirokastra dhe i njohur i Enver Hoxhës, ka qenë presidenti i parë i shtetit komunist që nga viti 1946, deri në vitin 1953, kur ai ka dhënë dorëheqjen. Kjo për arsye se në një mbledhje të përbashkët të Byrosë Politike, presidiumit të Kuvendit Popullor dhe Këshillit të Ministrave, u rekomandua dorëheqja e tij dhe zëvendësimi me Haxhi Lleshin. Pas kësaj, një vit më vonë, dy ditë para se të zhvilloheshin zgjedhjet për Kuvendin Popullor, për të cilat ai nuk ishte propozuar as kandidat, më datë 25 maj 1954, ai gjendet i vdekur në vilën ku jetonte, që u shpall si vdekje; “pas një sëmundjeje të rëndë”.
Në të vërtetë ai vuante prej mjaft kohësh nga një sëmundje e keqe e mëlҁisë, e pashërueshme, e shoqëruar me ënjtje barku nga uji i grumbulluar (ascit) që herë pas herë e hiqte atë dhe dhimbje, të cilat e kishin dëshpëruar shumë.
Por shkaku i vërtetë i vdekjes së tij, u mbajt i fshehtë deri në vitet 1980, kur dosja hetimore e Omer Nishanit, u përjashtua nga lista e dokumenteve sekrete. Sipas kësaj dosjeje të botuar në shtypin tonë, përcaktohet se vdekja e tij, ka qenë vetëvrasje. Por pas viteve 1990, janë ngritur shumë hipoteza, sipas të cilave vdekja e Omer Nishanit ka qenë vrasje.
Provat shkencore mjekësore dhe kriminalistike të dosjes hetimore të vdekjes së Omer Nishanit
Më datë 25 maj 1954, në orën 23.00, Dr. Omer Nishani me dy të shtëna me armë zjarri, kishte vrarë veten. Plagët që kishin shkaktuar vdekjen, ishin afër zemrës; arma e gjetur ishte e tipit gjerman, që i përkiste Omer Nishanit. Në proces-verbalin e këqyrjes së vendit të ngjarjes, shënohet se ngjarja kishte ndodhur në katin e tretë, në dhomën nr.4.
Atje gjendet viktima e shtrirë në kurriz, pozicioni i saj ishte lëvizur nga mjekët, pas vdekjes. U gjetën dy gëzhoja, nga të cilat njëra mbi krevat. Po kështu në mur gjendet vrima, nga një plumb që kishte shkuar atje. Në faqen tjetër të murit, gjendet një letër me zarf.
Në këqyrjen e kufomës më 25 maj 1954, ora 24.00, pra një orë pas ngjarjes, nga mjekët Petro Cani dhe Aleko Bozo, shënohet se ata e kanë gjetur trupin të shtrirë në shpinë, me gojë të hapur. Rrobat e mbytura me gjak. Po ashtu dhe dysheku. Pulsi mungon. Largësia e plagëve, ishte 2 cm., njëra poshtë gjoksit dhe tjetra më larg. Kullonin gjak pa pushim.
Në shpatullën e majtë kanë dalë dy plagët, me largësi 1.5 cm. Edhe këtej rrjedh gjak. Renditen tre arsye për vdekjen: dy plagët, arma e zbrazur në kontakt me trupin, i vdekuri kishte vuajtur nga asciti.
Të nesërmen, më datë 26 maj 1954, në katedrën e Anatomisë Normale të Institutit të Lartë Mjekësor, u krye autopsia nga një mjek rus dhe mjekët shqiptarë: Petro Cani, Ferdinant Paparisto dhe Spase Trimҁev (sekretar), në të cilën u panë dy plagët me largësi 1.1 cm., nga njëra tjetra; stomaku ishte mbushur maksimalisht me lëndë ushqimore; plagët kishin drejtim para – prapa.
Vdekja ishte shkaktuar nga hemorragjia e madhe dhe shoku pleuro – pulmonar. Nga pohimet e dëshmitarëve, njëri prej tyre, Mehmet Grori, me datëlindje 1880, bahҁevan i shtëpisë që prej dy vitesh, në orën 21.00, është lajmëruar nga infermierja dhe kuzhinierja, për të vajtur në katin e tretë, për shkak të një zhurme që kanë dëgjuar ato; ka vajtur menjëherë atje, ku e ka gjetur Omer Nishanin, të shtrirë, duke rënkuar etj.; armën ja ka vendosur mbi komodinë.
Ka mbërritur doktori së bashku me infermieren, që i ka kërkuar të largohej nga dhoma. Doktori i ka bërë një gjilpërë. Pas pak ҁastesh, Nishani ka vdekur……! Sipas dosjes së hetuesisë, kjo ngjarje është cilësuar vetëvrasje, në bazë të një arsyetimi prej 6 pikash: ishte këqyrur vendi i ngjarjes, ishte bërë ekspertiza mjekoligjore, arma ishte e personit të vrarë, ishte bërë ekspertiza balistike e armës, që rezultonte në gjendje të mirë, ishin marrë në pyetje dëshmitarët, në banesën e të vrarit ishe gjetur një epigram, sipas të cilës vërtetohej se ai kishte vrarë veten.
Në hipotezat që janë ngritur se vdekja e Omer Nishanit ka qenë vrasje, e organizuar nga diktatori Enver Hoxha, përmendet një sërë arsyesh, që janë si më poshtë:
-Dosja është manipuluar, për ta paraqitur vdekjen si vetëvrasje,
-Vrasja është kryer për të mbuluar sekretet që mund të kishte pasur Omer Nishani, mbi krimet e Enver Hoxhës, gjatë Luftës dhe më vonë, sidomos me dënimet me vdekje të kundërshtarëve të tij, të cilat ishin aprovuar, duke u firmosur edhe nga Omer Nishani, President i vendit në ato vite.
-Vdekja ka ardhur nga dy qitje me armë zjarri, gjë që është e pamundur të ndodh në një vetëvrasje.
-Dëshmia e shoqes së ish-gruas, Rozvita të Omer Nishani, me kombësi austriake edhe ajo, e cila së bashku me Rozvitën, mjaft kohë më vonë pa ngjarjes, ishin vizituar, nga bahҁevani i shtëpisë së Omer Nishanit. Ai ju kishte treguar atë që ka parë, se Omer Nishani, u vra nga djali i madh i njërit prej zv/presidentëve të Presidiumit të Kuvendit Popullor (atij të paarsimuarit), sigurisht jo për motive personale, por për zbatimin e detyrës së partisë. Këtë dëshmi ajo ka pohuar se e ka deklaruar, shumë vite pas vdekjes së bahҁevanit.
Nëse do t’i analizojmë ato, kryesisht aspektet mjekësore të tyre, mund të bëjmë këto vërejtje. Në lidhje me pretendimin që dosja hetimore ka qenë e manipuluar, që mund të jetë i vërtetë, duhet thënë se ekzaminimi mjekoligjor i kufomës, është realizuar, në fillim në vendin e ngjarjes dhe më pas në katedrën e Anatomisë Normale të Institutit Mjekësor ku është dërguar kufoma.
Në këto ekzaminime kanë marrë pjesë një mjek sovjetik dhe katër mjekë shqiptarë. Që ky veprim është kryer, këtë e kam vërtetuar edhe unë, në një këqyrje që u kam kryer mbetjeve të kufomës së Omer Nishanit, gjatë një procesi zhvarrimi, shumë vite më vonë.
Në këtë ekzaminim nga ana ime, i kryer më shumë për vënien në dukje të shenjave identifikuese që përputheshin me ato të Omer Nishanit, unë konstatova që pjesët skeletike jo të plota, ishin mjaft të ngrëna dhe të prishura nga koha e gjatë që kish kaluar pas vdekjes, ndërsa kafka paraqitej me kapakun e saj të shkëputur, sipas një vije të drejtë horizontale dhe rrethore nga pjesa tjetër e saj.
Kjo vërtetonte që ishte hapur edhe koka, që është një veprimi i zakonshëm, i një autopsie. Ekzaminimi i kufomës në vendin e ngjarjes dhe në Institutin Mjekësor është kryer përveҁ një mjeku rus edhe nga 4 mjekë shqiptarë, të cilët me sa i kam njohur dhe informuar, kanë qenë me personalitet të lartë profesional dhe moral.
Në fakt ata nuk kanë qenë ekspertë të Mjekësisë Ligjore. Në dosje janë shënuar jo të gjitha të dhënat e ekzaminimit të tyre. Por nga ato që jepen atje, si drejtimet e qitjeve me armë zjarri në trupin e viktimës, nga para – prapa, tregojnë që drejtimet kanë qenë horizontale dhe jo të pjerrëta.
Kjo përforcohet edhe nga gjetja e vrimës së plumbit në mur. Zakonisht drejtimi horizontal i qitjes, është më shumë në favor të vetëvrasjes. Po kështu edhe përshkrimi në këqyrjen e vendit të ngjarjes të letrës epigram, nëse kjo nuk ka qenë e sajuar, e përforcon këtë version.
Për sa i përket argumentit, se kjo vdekje është vrasje, sepse vetëvrasja është e pamundur të realizohet me dy qitje, ai nuk qëndron. Në mjekësi ligjore, jo rrallë ndeshen raste që kanë të bëjnë, me atë që quhet; “aftësia për të vepruara, pas marrjes së dëmtimeve vdekjeprurëse”.
Nga literatura dhe praktika jonë, jemi ndeshur me raste të tilla, kur viktimat të plagosura për vdekje kanë ecur, vrapuar, folur, apo kanë sulmuar agresorin. Një rast të tillë, që kam pasur vite më parë, ka qenë ai i një personi që qëlloi veten me armë zjarri, në regjionin e zemrës, i ulur në karrige, në mbështetësen e së cilës, u gjet vrima e plumbit.
Më pas ai është ngritur dhe ka ecur disa metra për t’u shtrirë në një divan, ku ka vdekur. Prandaj edhe në rastin e Omer Nishanit, nuk përjashtohet mundësia që ai të ketë qëlluar dy here veten, me armë zjarri. Më në fund dëshmia e shtetases austriake, të cilës bahҁevani i shtëpisë së viktimës, i ka thënë se Omer Nishani u vra nga djali i madh i njërit prej zv/presidentëve të Presidiumit të Kuvendit popullor, është një dëshmi jo e drejtpërdrejtë, e marrë para shumë vitesh, ku nuk është treguar, sesi ka ndodhur momenti i vrasjes.
Gjithashtu konfirmimi i thënieve të kësaj shtetaseje, sot është i pamundur, sepse dëshmitari ka vdekur; po kështu nuk dihet se ku ndodhet shtetasja që e ka dhënë atë dhe nëse është ende gjallë. Në këto kushte, vlera e saj mbetet shumë e dyshimtë. Për të gjitha arsyet e mësipërme, si dhe të kohës shumë të gjatë që ka kaluar, mendoj se nga pikëpamja shkencore, nuk arrihet të vërtetohet që vdekja e Omeri Nishanit, të ketë qenë vrasje, sikurse pretendohet tani.
Zenun Shahollari
Ai ka qenë kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të rrethit të Korҁës. Më datën 20 dhjetor të viti 1973, rreth orës 13, në ndërtesën e Komitetit Ekzekutiv të K.P., është gjetur në zyrën e tij kryetari i atij komiteti, Zenun Shahollari, me moshë 43 vjeҁ, i plagosur rëndë në kokë dhe mbas pak kohe ka vdekur, me gjithë ndihmën e parë mjekësore që iu dha në vend.
Këtë veprim ai e ka kryer në një moment dëshpërimi, nga kritikat e ashpra që ju bënë nga një prej udhëheqësve kryesorë të regjimit komunist. Edhe për këtë rast unë jam njohur nga mjekët ligjorë, që kanë marrë pjesë në ekzaminimin e kufomës së tij, në vendin e ngjarjes dhe më pas në autopsinë e kryer në morg. Ai ishte vetë-qëlluar me armë zjarri në kokë.
Në tëmthin e djathtë dhe në majën e kokës pak majtas, ka pasur dy vrima të një qitjeje të vetme arme zjarri, të përbëra kryesisht nga shpuarja me thyerje rrezatuese të kafkës dhe me dëmtime të mëdha të trurit; qitja është bërë me grykën e tytës së armës, të puthitur me tëmthin e djathtë dhe të drejtuar nga e djathta në të majtë, nga poshtë lart dhe nga përpara pak prapa; vdekja ka ardhur si pasojë e shokut të rëndë traumatik, të shkaktuar nga thyerjet e eshtrave të kafkës dhe dëmtimi i trurit, të shoqëruara me hemorragji.
Ky drejtim qitjeje ndodh zakonisht në vetëvrasjet, e shoqëruar me një hemorragji masive të jashtme që u pa sidomos në dhomën ku kishte ndodhur ngjarja. Pra, edhe ky një rast i pastër i vetë-eliminimin me anën e vetëvrasjes të një drejtuesi të lartë të regjimit, për shkak të tronditjes që pësoi nga presioni i rreptë i ushtruar ndaj tij. Memorie.al
(Pjesë nga libri “PROVA SHKENCORE TË VDEKJEVE MBRESËLËNËSE” të Prof. Dr. Bardhyl Çipi)