Nga Dashnor Kaloçi
Pjesa e njëzetekatër
Memorie.al / Plot 43 vite më parë, duke u gdhirë data 18 dhjetor e vitit 1981, kryeministri shqiptar Mehmet Shehu, i cili e mbante atë funksion që nga viti 1953, u gjet i vdekur në dhomën e tij të gjumit (sipas versionit zyrtar, nga plumb “a” pistolete), në vilën ku banonte së bashku me familjen e tij, në hyrje të “Bllokut” të udhëheqjes së lartë të PPSH-së, fare pak metra nga godina e Komitetit Qendror të PPSH-së dhe gjithashtu vilës së Enver Hoxhës. Edhe pse kanë kaluar më shumë se katër dekada nga ajo ditë, e konsideruar si një nga ngjarjet më të rënda dhe të bujshme gjithashtu të atij regjimi, ende dhe sot, nuk ka një version të qartë e të saktë, rreth asaj që ka ndodhur me ish-kryeministrin shqiptar, Mehmet Shehu, në mesnatën duke u gdhirë 18 dhjetori 1981! Por, edhe pse pas viteve ’90-të, janë bërë publike me dhjetëra dëshmi dhe dokumenta arkivore, lidhur me atë ngjarje, “vrasja apo vetëvrasja e Mehmet Shehut”, vazhdon të jetë objekt debatesh dhe diskutimesh të shumta, madje duke e mbështjellë edhe më shumë me mister, të vërtetën rreth saj!
Nisur edhe nga ky fakt, në kuadrin e publikimit të dhjetëra dëshmive dhe dosjeve me dokumente arkivore nga fondi sekret i ish-Sigurimit të Shtetit dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, apo dhe Komitetit Qendror të PPSH-së, që kemi botuar në këto tre dekada pas shembjes së regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij, Ramiz Alia, Memorie.al, ka siguruar dosjen voluminoze “të armikut Mehmet Shehu”, e cila është nxjerrë nga fondi sekret i ish-Sigurimit të Shtetit pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme (tashmë pjesë e fondit të Autoritetit për Informimin e Dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit), ku me ndonjë përjashtim të vogël, pjesa më e madhe e tyre, nuk e ka parë kurrë dritën e botimit dhe publikohen për herë të parë e të plota.
Në dosjen në fjalë, gjenden të plota dhe me faksimilet përkatëse, akt-ekspertiza e grupit operativo-hetimor, që u ngrit menjëherë që paraditen e 18 dhjetorit 1981, me në krye Koço Josifin, (kryetar i Hetuesisë së Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Tiranës), mjekët-ligjorë Dr. Fatos Hartito dhe Docent Bashkim Çuberi, mjekët e kryeministrit, Milto Kostaqi dhe Llesh Rroku, si dhe ekspertin kriminalist të Laboratorit Qendror Kriminalistik të Ministrisë së Brendshme, Estref Myftari, të asistuar nga funksionarët e lartë të asaj ministrie, Xhule Çiraku, Elham Gjika dhe Lahedin Bardhi.
Gjithashtu në dosjen voluminoze në fjalë që po bëjmë publike, ndodhen edhe dëshmitë e familjarëve të ish-kryeministrit Mehmet Shehu, personelit të shërbimit dhe grupit të tij të shoqërimit, si dhe të gjitha personave të tjerë, që u thirrën dhe deponuan rreth asaj ngjarje. Për më shumë rreth kësaj etj., na njohin dokumentet në fjalë, të cilat po i publikojmë të plota, së bashku me faksimilet dhe fotot përkatëse.
Por, edhe pse kemi të bëjmë vetëm me dokumente arkivore, duhet theksuar se; duke e ditur tashmë se si ka funksionuar ai sistem i para viteve ’90-të, kurrsesi nuk mund të pretendojmë për vërtetësinë absolute rreth atyre çka shkruhet aty, pasi jo vetëm nga personat që kanë dhënë dëshmitë e tyre, por edhe nga hetuesit e kësaj çështje, është bërë e ditur se; ato janë marrë në trysni, presion, intimidim dhe dhunë fizike e psikologjike, madje duke shkuar më tej, ku disa prej hetuesve, i kanë shkruar vetë ato dhe dëshmitarët apo të pandehurit, vetëm sa kanë hedhur firmën aty.
Madje për disa prej të pandehurve të këtij procesi hetimor, konkretisht në rastin e Fiqret Shehut, pyetjet janë hartuar nga vetë Enver Hoxha personalisht (me shkrimin e tij), dhe u janë dërguar hetuesve, nëpërmjet ministrit të Brendshëm, Hekuran Isai, gjë të cilat Memorie.al., i ka bërë publike (me faksimilet përkatëse), në disa shkrime në numrat e kaluar.
PROCES-VERBALI I MARRJES NË PYETJE TË ISH-MINISTRIT TË BRENDSHËM FEÇOR SHEHU DHE BALLAFAQIMIN NË HETUESI ME AKUZAT E NGRITURA NDAJ TIJ, NGA SAMI MUHAMET PASHAJ, ISH-DREJTOR I ‘ALB-IMPORTIT’, QË VUANTE DËNIMIN NË BURGUN E TIRANËS (REPARTI 313 )
PROÇES – VERBAL
(Ballafaqimi)
Tiranë, më 7 Maj, 1983
Ne, Pelivan Luçi, Florian Kolaneci dhe Luan Bega, hetuesit e Ministrisë së Punëve të Brendshme, mbasi studiuam materialet e çështjes penale në ngarkim të pandehurit Feçor Shehu dhe konstatuam se midis thënieve të tij dhe ato të dëshmitarit Sami, ekzistojnë kontradikta, me qëllim që t’i sheshojmë këto, në prani të prokurorit të Përgjithshëm të RPSSH-së, Rapi Mino, bëjmë ballafaqimin midis tyre.
Pyetet dëshmitari Sami Muhamet Pashaj:
Pyetje: Na shpjegoni ju dëshmitar, a e njihni të personin që keni përpara dhe si i kini patur marrëdhëniet me të?
Përgjigje: Njeriun që kam përpara e njoh, ai është Feçor Shehu, e kam njeriun tim të afërt dhe deri në vitin 1974, kemi pasur shoqëri shumë të ngushtë, të cilën e dinë të gjithë në qytetin e Tiranës, mbasi rrinim gjithmonë bashkë. Nga viti 1974 e deri sa është arrestuar Feçori, përsëri i kemi vazhduar marrëdhëniet midis nesh, i kemi mbajtur në rrugë indirekte, nëpërmjet personave që ai më dërgonte në Lushnje.
Pyetet i pandehuri Feçor Shehu:
Pyetje: E njeh ti i pandehur personin që ke përpara, në rast se po, si i ke pasur marrëdhëniet me të?
Përgjigje: Personin që kam përpara e njoh, ai është Sami Pashaj, me të kam pasur marrëdhënie të mira deri në vitin 1974, kohë në të cilën ai është përjashtuar nga Partia dhe është larguar nga Tirana. Nga kjo kohë, nuk e kam takuar më dhe as jam interesuar për të.
Pyetet dëshmitari Sami Pashaj:
Pyetje: Na shpjegoni ju dëshmitar, ç’dini rreth veprimtarisë armiqësore të të pandehurit Feçor Shehu?
Përgjigje: Siç e thashë më lart, deri në vitin 1974, unë kam pasur shoqëri të ngushtë me të pandehurin Feçor Shehu. Gjatë kësaj kohe unë dhe Feçori takoheshim shpesh me njëri tjetrin dhe shëtisnim, hynim në kafe apo Hotel “Dajti” dhe zhvillonim biseda të ndryshme. Pas vitit 1974, pasi unë u përjashtova nga Partia, ne i ndërpremë kontaktet direkte midis nesh, por dua të them se kemi mbajtur kontakte indirekte dhe nuk është ashtu siç tha Feçori, se ka ndërprerë çdo lidhje me mua. Për këtë do të shpjegoj më poshtë. Në takimet dhe bisedat që kam bërë me Feçorin, ai hapur më është shprehur kundër vijës së Partisë Punës së Shqipërisë, ai vazhdimisht ka mbajtur një qëndrim armiqësor ndaj Partisë dhe vendit tonë.
Në bisedat që më bënte ai, spikaste gjithmonë edhe pakënaqësi që kishte ndaj pushtetit popullor. Kështu, ai nuk linte rast pa treguar pakënaqësitë ndaj trajtimit jo të drejtë që i bëhej sipas tij, për shkak (se siç thoshte ai), mbahej parasysh shtresa e pasur e familjes së tij. Një pakënaqësi të tillë më kujtohet se ka shfaqur edhe kur u bënë zgjedhjet për deputet në Kuvendin Popullor në vitin 1970, kur Feçori mori vesh se në zonën e Hekalit, qe propozuar për deputet një person që nuk qe nga Mallakastra, me nervozizëm më ka thënë se; “si është e mundur, që të mos zgjidhet një vendas, kur ne jemi gjithë këta djem të Hekalit, kjo nuk është e drejtë”!
Një qëndrim krejt në kundërshtim me vijën e Partisë së Punës së Shqipërisë, Feçor Shehu ka mbajtur ndaj Plenumit të 4-ët të Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë të vitit 1973 dhe masave që mori ky Plenum, sidomos për edukimin revolucionar të rinisë së vendit tonë. Që në kohën që filluan diskutimet që veprimtarinë armiqësore dhe antiparti të Fadil Paçramit dhe Todi Lubonjës, Feçori në bisedat që ka bërë me mua dhe me Andrea Mançon, i ka marrë haptazi në mbrojtje këta elementë dhe i është kundërvënë vendimeve të Partisë.
Kështu më kujtohet se në bisedat të ndryshme në atë kohë, ai më është shprehur se Plenumi i 4-ët nuk është iu drejtë, për shkak se Festivali i 11-të i Këngës në Radio-Televizion, nuk pati asgjë të keqe, përkundrazi ai solli progres në zhvillimin e artit e kulturës në vendin tonë. Si Todi Lubonja ashtu dhe Fadil Paçrami, në kohën që bënë një kthesë të rëndësishme në zhvillimin e artit dhe kulturës, dënohen padrejtësisht nga Partia! Veç kësaj, thoshte Feçori, ky festival, para se të bëhej, është miratuar nga lart, por më pas fajin ja kanë lënë vetëm Todit dhe Fadilit. Lidhur me këtë të fundit, më kujtohet një bisedë që kam bërë me të në atë kohë.
Duke biseduar rreth këtyre, i tregova Feçorit rreth aktivit të Partisë së rrethit të Tiranës dhe i përmenda se sekretari i Parë kritikoi rreptë Fadil Paçramin dhe Todi Lubonjën, kur unë i përmenda këtë gjë, ai ma preu fjalën, duke më thënë se; ata vetëm e organizuan një gjë të tillë dhe tani ja lënë fajin Fadilit dhe Todit.
Një qëndrim armiqësor Feçor Shehu siç thashë ka mbajtur edhe kundër masave që mori Plenumit të 4-ët i Komitetit Qendror, lidhur me revolucionarizimin e rinisë në vendin tonë. Ai i quante këto masa jo të drejta, sepse sipas tij, ato e vinin rininë nën tutelën e Partisë dhe vetë rinia, nuk mund të duronte një gjë të tillë. Ai thoshte se rinia, për vetë natyrën e saj, duhet të ketë liri të plotë veprime, dhe për këtë gjë punuan Fadil Paçrami dhe Todi Lubonja.
Në këtë bisedë, Feçori bënte edhe krahasime me rininë e vendit tonë me atë dhe asaj të Bashkimit Sovjetik dhe Hungarisë, duke u shprehur se si në atë vende, duhet të ritet edhe rinia e vendit tonë. Pikëpamje të tija mbi edukimin e rinisë së vendit tonë, i ka shprehur edhe kur kemi diskutuar mbi romanin e Ismail Kadaresë, “Dimri i vetmisë së madhe”, (botimi i parë). Ne diskutonim rreth asaj pjesë së romanit, ku flitet rreth rinisë së “Rrugës së Dibrës” (apo “Broduej”, siç thoshte autori). Ja, siç thoshte Feçori, rinia e vendit tonë duhet të jetë ashtu siç shprehet në libër, ky është dhe pasqyrimi i realitetit në vendin tonë.
Biseda me karakter armiqësor me Feçor Shehun, kemi bërë edhe lidhur me masat e marra nga Partia, për revolucionarizimin e ushtrisë në vendin tonë. Po ashtu disa herë kur në “Dajti” vinte një punonjës i ambasadës bullgare, që quhej Aleksandrov, më thoshte se ky është kolonel i zbulimit bullgar. Këto ishin disa aspekte kryesore rreth bisedave armiqësore që kam bërë me Feçor Shehun dhe që me hollësi i kam shpjeguar gjatë deponimeve të mija në hetuesi.
Pyetet i pandehuri Feçor Shehu:
Pyetje: I pandehur, a i dëgjove thëniet e dëshmitari Sami Pashaj dhe çfarë ke për të thënë rreth tyre?
Përgjigje: Thëniet e dëshmitari Sami Pashaj i dëgjova dhe kam për të thënë se, absolutisht asgjë s’pranoj. Ato i quaj shpifje dhe banalitete. Ky konkluzion doli qartë nga deponimi i Samiut i cili, gjithë çështjet që renditi, i paskam thënë unë, kurse ai dëgjonte! Kjo bëhet me qëllim që Samiu të dali viktimë e, sikur është përpunuar nga unë, kurse unë deri sa Samiu është përjashtuar nga Partia, e kam njohur vetëm si komunist. Për çka deponoi Sami Pashaj, se unë jam interesuar për të, kjo lidhet me faktin se Samiu u bë…………… dhe të kishte objekt pune.
Dua të theksoj se nga sektori operativ, më është propozuar disa herë dhe vite me radhë, por unë nuk isha dakord, se heqja nga Lushnja shpejt, nuk bënte përshtypje të mirë, pavarësisht se për interesa pune, Ministria gjatë viteve ’70-të, bëri disa lëvizje, prandaj Samiun e lamë në Lushnje, me një objekt dhe nga viti 1980-1981, unë i miratova lëvizjen sektorit përkatës, për në Kavajë, por kur të shiheshin edhe rastet e tjera për lëvizje.
Punonjësit e Sigurimit e takonin Sami Muhametin për shkakun se…………….dhe jo të dërguar nga unë, sipas porosive të mija, ashtu siç thotë Samiu. Përsa i përket pakënaqësive të mija, ashtu siç thotë Samiu se i jam shprehur unë, nuk është e vërtetë. Theksoj se nuk i jam shprehur ndonjëherë Samiut i pakënaqur, që është zgjedhur deputet i Mallkastrës një person që nuk është nga ajo krahinë, mbasi dihet se të gjithë deputetët e Kuvendit Popullor, nuk janë nga ajo zonë që zgjidhen si të tillë.
Nuk është e vërtetë që t’i kem folur Samiut kundër Plenumit të 4-ët të Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, sepse jo vetëm që i kam miratuar me gjithë zëmër vendimet e këtij Plenumi, por në disa raste për shfaqje të liberalizmit, kam ngritur zërin në Komitetin e Partisë së dikasterit, në Komitetin e Partisë së rrethit dhe tek ish-ministri i Brendshëm, Kadri Hazbiu.
Është e vërtetë se kemi zhvilluar një bisedë me Saminë rreth romanit “Dimri i vetmisë së madhe” të Ismail Kadaresë, për arsye se kur doli ai roman, pati biseda rreth tij dhe më vonë romani u përpunua. Në këtë bisedë unë kam mbrojtur tezën se romani qëndronte, pasi demaskonte revizionizmin sovjetik dhe ngrinte drejt rolin e Partisë tonë kundër revizionizmit modern, megjithëse kishte disa të meta, si rasti kur flitej për një rrugë ku rrinte rinia, etj., por nuk jam shprehur kurrë siç thotë Samiu. Për ekzaktësi, të pyetet edhe Zija Këlliçi, që ka qenë prezent në bisedë.
Për ato që thotë Samiu për ushtrinë, nuk janë të vërteta, sepse vetë praktika ime dhe qëndrimet ndaj masave për gradat e masave të tjera në ushtri, është pro vijës së Partisë. Për saktësi, kur doli letra e Hapur e Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, unë punoja në Shkodër dhe s’jam takuar fare me Saminë.
Ndërsa për Beqir Ballukun, unë kur u ktheva nga Vjena, pa u takuar me Sami Muhametin, i kam thënë Kadri Hazbiut, që ta arrestojë dhe jo siç thotë Samiu! Është e vërtetë që me Sami Muhametin kam qenë me pushime në Shtëpinë e Pushimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme në Durrës, por nuk kam folur fare me të, se ç’qëndrim duhet të mbante Samiu në mbledhjen e organizatës bazë për Beqir Ballukun!
Theksoj se për çështje Partie, si Samiut dhe ndonjë tjetri që më është drejtuar, përgjigja ime ka qenë konform statutit të Partisë, çdo komunist t’i drejtohet Partisë sipas rregullave që ka Partia. Siç thashë dhe më lart, me Saminë deri sa u përjashtua nga Partia, kam pasur shoqëri, por sa herë jam takuar, nuk i kam dhënë rëndësi, veç di që në çdo bisedë me të, kam qenë pro vijës së Partisë.
Të gjitha ato që thotë Samiu për për Hito Çakon dhe Petrit Dumen, nuk janë të vërteta, sepse ata unë i kam hetuar vetë. Po ashtu, nuk kam pasur asnjë iluzion për prishjen me Bashkimin Sovjetik. As për Titon nuk kam thënë se është figurë e madhe e të tjera siç thotë Samiu, dhe nuk kam agjituar për standardin e jetesës në Austri, se atje kam qenë në spital.
Për politikën e kuadrit dhe qëndrimet e mija ndaj punëtorëve siç thotë Samiu, të shihet praktika ime në Ministrinë e Punëve të Brendshme, nëse kam marrë unë njerëzit e mi në ato organe, si dhe faktit se sa punëtorë janë marrë në ato organe. Nuk është e vërtetë të kem biseduar në dhomë të veçantë me berberin e Hotel “Dajtit”, Xhavitin. Theksoj se Sami Pashajt, për interesa të………., siç përdorim edhe………….të tjerë, i kam çuar fjalë që të punojë për hir të çështjes.
Qëllimi ka qenë inkurajimi dhe asgjë tjetër, kurse me Ferik Hysenin dhe Hasan Bashën, s’është e vërtetë që t’i kem çuar habere. Ata nga ana e tyre, nuk e di ç’kanë bërë. Për drekë kur kam shkuar në Hotel “Tirana”, i kam marrë për drekë, por ata kanë qenë dhe me persona të tjerë, si Çome Asimaqi, etj., që nuk më kujtohen. Për çështjen e ri pranimit në Parti, më kujtohet se më ka thënë Kristofori, por përgjigja ime ka qenë për këtë çështje, që Sami të drejtohet vetë sipas rregullores me lutje, se Sigurimi nuk merret me këtë.
Në përfundim u pyetën i pandehuri e dëshmitarët edhe njëherë nëse kishin për të shtuar gjë tjetër, dhe mbasi qëndruan në thëniet e tyre, ballafaqimi u ndërpre.
Proces-verbali lexohet nga i pandehuri dhe dëshmitari dhe mbasi i gjejnë të shkruara siç i thanë deponimet e tyre, i nënshkruajnë respektivisht, pa vërejtje. Memorie.al
I pandehuri Dëshmitari
Feçor Shehu Sami Pashaj
Hetuesat
Luan Bega Pelivan Luçi Florjan Kolaneci
I pranishëm prokurori i përgjithshëm i RPSSH
Rapi Mino
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016